BRUNILDA ZLLAMI – ZONJA DELIKATE E LIBRAVE

Filed under: Poezi |

Shkrimtarja  e mirënjohur Brunilda Zllami autore gjashtëmbëdhjetë romaneve  cilësore

 

BRUNILDA ZLLAMI – ZONJA DELIKATE E LIBRAVE

 

 

Nuk është roman policor, as roman rozë, as biblioteka e zonjushave, as biblioteka e çupkave të njoma. Brunilda Zllami dhe romanet e saj janë biblioteka e dhimbjes njerëzore, janë ditarët e pashkruar të shumë njerëzve të thjeshtë. Të mos gënjejë mendja ndokënd se nuk e gjen veten në ndonjë faqe apo kapitull të romaneve të Zllamit. Fundet e lumtura të historive, edhe me përjashtime, në fund të fundit janë ato fillesa ku të gjithë kemi ëndërruar të arrijmë. Si në botën magjike të përrallave ku e mira e mund të keqen.

 

 

Nga Miranda Haxhia

 

Më shkoi mendja te zonja  e njohur Agatha Mary Clarissa Miller:  që hera herës nënshkruante si Lady Mallowan, që u bë e famshme me romanet e saj policore me emrin  Agatha Christie, dhe që  sot e njohim si përfaqësuese e këtij lloji romani, pa harruar ta përmendim si autore e disa romaneve rozë  me pseudonimin Mary Westmacott.

Më shkoi mendja  te të gjithë ata autorë që duke filluar nga vitet ’20 krijuan traditën e një lloj letërsie krejt të re dhe të veçantë e cila zuri shtrat dhe formoi  një rrymë të re si shkrimtarësh ashtu edhe lexuesish, e që më vonë mbetën  në kujtesë me emrin Biblioteka e zonjushave.

 

ÇFARË ËSHTË KOLANA  BIBLIOTEKA E ZONJUSHAVE?

 

Shtëpia botuese që e nuhati suksesin e këtyre lloj librave ishte serioze. Salani kishte publikuar deri atëherë klasikët italianë si: Alessandro Manzoni, Ippolito Nievo, Antonio Fogazzaro, Massimo D’Azeglio, Matilde Serao; e nga përtej Alpeve përktheu dhe botoi autorë  si: Alexandre Dumas, Victor Hugo, Theophile Gautier dhe shkrimtarë të dëgjuar të Akademisë Franceze, mes të cilëve edhe moralistin e fortë  Paul Bourget.

Këto libra kishin një format të caktuar, brendia ishte ose një histori dashurie, ose një aventurë, apo pasion,  por gjithmonë me një fund të lumtur. Botime të këtilla u bënë pjesë e jetës modeme të salloneve të aristokracisë, dhe jo vetëm, lexoheshin shumë dhe kopjoheshin batuta në të folmen e përditshme. Autorët më në zë  të këtyre romaneve mbetën në kujtesë të lexuesve. Kurse titjut janë të llojit: Flaka nën hi; Faji i të tjerëve; etj.

Qëndronin njëkohësisht përkrah  romanit  “Zambaku i kuq” i  Anatole France që shkaktoi skandal derisa u ndalua, apo romanit “Zjarri” të Gabriele D’Annunzio-s.

Sigurisht në libraritë e zonjushave  delikate, Anatol France e D’Annunzio nuk duken, dhe as Lecomte Du Nouy, i cili guxon të rrëfejë  në mënyrë mëkatare  dashuritë e ndaluara. Por lexueset nuk ishin gjithmonë vetëm zonjusha  …delikate.

***

RISIA BRUNILDA ZLLAMI

 

Nuk e shmang dot emrin Brunilda Zllami nga asnjë vitrinë librarie, sepse është në rresht të parë, me gjashtëmbëdhjetë romane njëri pas tjetrit. Është numër që rritet nga viti në vit, ashtu si lexuesit e saj janë të pafundmë. Jo se është tregues i dorës së parë, por vetëm në facebook-un e saj vërej se ka 4765 miq e komunikon  rregullisht me ta.

Edhe pse është e zënë me punë, si gjithë njerëzit që kanë një familje dhe janë të përgjegjshëm, edhe pse ka një shkollim që kërkon studime të vazhdueshme, edhe pse librat janë pjesë e jetës së saj, ajo nuk rresht së shkruari dhe botuesja Arlinda Dudaj nuk ngurron ta botojë.

Ajo që bie në sy është se nuk e shikojmë të shfaqët në rrethet e shkrimtarëve, nëpër promovime librash, diskutime rreth tyre, qoka  të zakonshme ku thuren lavde e letërsia bëhet qerthull  a kult i një grupi të caktuar shkruesish.

Megjithatë nën zë, nëpër tavolina, në biseda ku tema shkon ku dhëmb dhëmbi, se si shkon libri, a lexohet, a shitet, emri i saj përmendet, ndonjëherë me nihilizëm, ndonjëherë me zili, ndonjëherë me habi, por gjithmonë, ata që e përflasin, pranojnë se nuk i kanë lexuar asnjë libër.

Janë dy koncepte të dëmshme që i janë ngjitur shumicës së shkrimtarëve: e para, përjashtimi, përçmimi dhe e dyta ngritja në qiell, lavdërimi pa kufij i librave të palexuar. Në të dyja rastet është dëm për vet shkrimtarin që merr përsipër dënimin apo hyjnizimin e një libri, por dëmton edhe shijen e përgjithshme të të lexuarit dhe kritikës së librit.

Në diskutimet ku na bie rasti të jemi prezentë dëgjojmë shprehje të tilla si: ajo shkruan si Danielle Steel, romanet e saj nuk lexohen, etj.etj.

Të gjitha këto diskutime janë në radhë të parë mungesë respekti për një njeri që shkruan, pasi kushdo që përmend autoren tonë shqiptare, apo atë amerikane, harron se në fund të fundit, Danielle Steel, apo Brunilda Zllami kanë vendin e tyre në një lloj letërsie që shitet e lexohet.

 

CILËT JANË KËTA LEXUES?

 

Fakti që  një pjesë e mirë e shkrimtarëve tanë nuk e lexojnë Brunilda Zllamin, nuk i bën ata më të mençur në gjykimin e tyre dhe letërsinë e tyre nuk e bën më cilësore mohimi i vlerave të librave të saj, që duan apo nuk duan, për hir të së vërtetës kanë shumë lexues.

Lexuesit e librave të saj janë  shumë të ngjashëm me personazhet  që jetojnë brenda romaneve të Brunilda Zllamit.

Dashuri apo urrejtje, Dua, Lindur femër, Ëndrra e papërfunduar e një gruaje, Dikur ishim bashkë, Lakmia, Çmimi i përjetësisë, Jetoj në harresën tënde, Matilda, Një tjetër, Rruga e trëndafilave, Fantazma e shpirtrave të etur, Puthja e hënës, Hijet, Labirintet e Medeas, Dinozaurët e ndërgjegjes, etj…

Janë gra të shitura, vajza që kanë ëndrra dhe ua vrasin ato, djem që kanë nevojë për dashuri, burra të tradhtuar, njerëz me vese dhe lakmitarë, janë fëmijë që luhaten mes familjes që është gati të shembet, janë shtetarë të korruptuar, mafiozë, njerëz të të gjitha kategorive sociale. Ky komunitet njerëzish, vishet prej fantazisë së bollshme të shkrimtares dhe shtjellohet në fabul të fortë, shtrati i romanit të saj, i çdo romani, duhet thënë është si një lumë i fryrë nga shirat e vjeshtës.

Personalisht kam lexuar tre romane të Brunilda Zllamit.  I pari që “Ëndrra e papërfunduar e një gruaje”, “Dua” dhe i fundit “Në shpirtin tim bën ftohtë”. Po rrëfej për të fundit pasi e kam ende të ngrohtë leximin e tij.

Gjëja e parë që më ra në sy- librin e kam lexuar duke shkelur gjithë “rregullat” e kohës së leximit.  Derisa e mbarova. Pastaj, kam shijuar meditime të gjata në paragrafë të veçantë që më sillnin në kujtesë fëmijët e mi në ndonjë çast të jetës, veten time diku, në ndonjë regjistër kohe, apo të njohur e të panjohur me të cilët na takon të punojmë, të shkëmbejmë dhe të komunikojmë. Si qenie njerëzore.

Në romanet e Brunilda Zllamit ka shumë prurje, ashtu si dhe thashë më sipër, e që si çdo gjë e tillë, ka nevojë për një resitje të materialit, për të shmangur përsëritjet dhe për të punuar më shumë me personazhet përmes sintaksës  e mjeteve të tjera gjuhësore e artistike.  Fantazia e saj e madhe ka nevojë për ca ligje të forta gramatike, të cilat do t’ia disiplinojnë fabulat dhe do t’ia bëjnë më cilësore, do ta ngrenë më lart në shkallaren e shkrimtarëve (edhe pse ajo refuzon të ngjisë këto shkallë bashkë me turmën!).  Dorëshkrimet e saj kanë nevojë për ndihmë edhe për një fakt të thjeshtë, sepse autorja nuk është shkolluar për gjuhë a letërsi. Është një mjeke neurologe, me fakultet të dytë drejtësinë. Në veprat e saj ka punë për redaktorët e mirë, domosdoshmërisht.

Këto duken të parëndësishme kur e ke përfunduar librin e saj dhe ke kuptuar se shkrimtarja di shumë mirë të rrëfejë si manipulohet me pronat, si gjendet lehtë një vend punë i pamerituar, si ngrihen partiakët duke shkelur normat e moralit dhe të etikës, si dhe sa vështirë e kanë gratë në një shoqëri patriarkale, të prapambetur dhe indiferente, se si ndikojnë te njerëzit përplasjet dhe ndryshimet e mëdha e të forta demografike, se si shkolla është  kthyer në një problem për familjen dhe si familja është kthyer në një gjë të huaj për shkollën etj.etj.

***

SI TA QUAJMË KOLANËN E ROMANEVE TË BRUNILDA ZLLAMIT?

 

Nuk është roman policor, as roman rozë, as biblioteka e zonjushave, as biblioteka e çupkave të njoma. Brunilda Zllami dhe romanet e saj janë biblioteka e dhimbjes njerëzore, janë ditarët e pashkruar të shumë njerëzve të thjeshtë. Të mos gënjejë mendja ndokënd se nuk e gjen veten në ndonjë faqe apo kapitull të romaneve të Zllamit. Fundet e lumtura të historive, edhe me përjashtime, në fund të fundit janë ato fillesa ku të gjithë kemi ëndërruar të arrijmë. Si në botën magjike të përrallave ku e mira e mund të keqen.

Mund të mos e pëlqejnë lexuesit mendjemëdhenj, mund të mos e lexojnë shkrimtarët e shumtë, por të mos e mohojnë.  Nuk është rasti  të theksoj se në pyllin e madh (të librave dhe shkrimtarëve) ka vend për të gjitha llojet (letrare)  e pemëve dhe të bimëve, Ashtu si manushaqet që rrallë shihen, jo gjatë gjithë vitit, por kur çelin, kundërmojnë…, edhe romanet e Zllamit, edhe ajo vetë, rrallë shfaqet, por nëse i lexon një libër, nuk e harron më shkrimtaren e shumë vajzave, grave, djemve, Brunilda Zllamin.

Se mund të vijë dita që, si e fitoi bastin  Agatha Christie, kur i bindi të tjerët se do të  përfundonte një roman brenda 24 orëve, jam gati të vë bast se Brunilda Zllami do lexohet më shumë nga dhjetëra prej nesh, së bashku, pretendonjësve të heshtur për lavdi.

 

***

FRAGMENT NGA ROMANI “NË SHPIRTIN TIM BËN FTOHTË”

 

E ëma u shkreh në lot. Hendeku po rritej para syve të saj dhe s’ishte në gjendje të bënte asgjë. Si atëherë kur kishte qenë ere.

- Ti nuk e urren. Nuk mund të urresh gjakun tënd. Unë ju dua të dyve njësoj, vetëm që atë e kam pasur larg.  Dhe kam mall për të. Mall se nuk e pashë të rritej, se nuk u ngopa kurrë me tim bir! – i tha ajo duke dënesur. Ai nuk diti ç’të bënte. Po mbytej aty. Iu afrua të ëmës dhe e përqafoi, por në lotët e saj pa vetëm dashurinë që ajo kishte për djalin tjetër, për Rubenin. Për djalin e dikujt që kishte dashur kur kishte qenë e re, jo për të që ishte produkti i një dhunë te vazhdueshme. Ai ishte djali i cirrotikut të alkoolizuar, kurse Rubeni fryt i një pasioni te madh. Ai kishte qenë i dyti dhe kështu do të mbetej në zemrën e saj. Nuk mund të bënte asgjë për të ndryshuar këtë. Asnjëherë.

***

Pushteti është i ëmbël. Pa e kuptuar as vete, ti ndien se si shndërrohesh në një tjetër njeri kur ai të mbështjell me petkun e tij. Firma që hedh në letra ka vlere dhe s’është thjeshtë një zhgarravinë pa kuptim. Fytyra jote bëhet e njohur, përshëndetja jote pritet me ngrohtësi dhe gjeneron shpresa tek ai që e merr. Pushteti është i ëmbël. Të jep respekt për veten, të ngre në një nivel që s’ e ke parë as në ëndrrat më të çmendura. Kur buzët shqiptojnë një urdhër nuk është thjesht një fjalë e rëndomtë, por një uragan që vë në lëvizje me qindra njerëz. Dhe ai e donte këtë pushtet. U mësua shpejt me të. Ishte kaq e lehtë ta lëshonte veten në atë jastëk resh të larta nga mund të shikonte, dëgjonte dhe vendoste për gjithçka.

Që ditën kur Sandri i dha postin e zëvendësministrit ai pa se jeta filloi të merrte kuptim. E ndiente se njerëzit që kishte njohur tani e respektonin, i dëgjonin fjalën, ia kishin nevojën. Rrethi shoqëror u shtua kaq shumë brenda pak ditësh dhe telefoni nuk pushonte së tingëlluari në çdo ore të ditës e natës. E ftonin në dreka, darka, e miklonin si të mundeshin për të shënuar emrin në listën e miqve. Dhe ai s’kish si te mos pranonte të behej miku i tyre. Askush s’ia kishte pasur nevojën kështu me përpara, askush s’kishte kërkuar mbështetjen e tij.

Momenti i fundit kur kishte përjetuar këtë lloj lumturie ishte kur Joana i kishte kërkuar ndihme atë natë. Që atëherë ai ishte privuar nga kjo ndjesia e ëmbël për të vendosur për jetën e te tjerëve. Joana, pavarësisht atij çasti të vetëm dobësie, kishte ditur t’i merrte në dorë frerët e jetës së saj, madje dhe të tijës. Nga dita në ditë kishte parë se si ngrihej e rigjenerohej nga hiri i asaj që kishte qenë dikur. Nga dita në ditë shihte se si behej gruaja e fortë që nuk kishte me nevojë për ndihmën e tij. Por tani gjerat po ndryshonin serish. E ndiente se edhe ajo kishte filluar ta shihte ndryshe tani që kishte një post qeveritar. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Pushteti është i ëmbël, i jep sharm edhe atij që s’ e ka, i jep bukuri të shëmtuarit dhe fisnikëri harbutit.

 Pse te mos ndodhte e njëjta gjë edhe me të? Një dite ajo do të hapte sytë dhe do ta kuptonte se martesa e tyre s’kishte qenë diçka e shtyre veç nga nevoja. Që, ai që zgjodhi s’ishte zgjidhja momentale e problemeve te saj, por dikush që ia vlen ta kesh në krah e ta vlerësosh përgjithmonë. Ai kishte mall për Joanën. Vërtet jetonin nën një çati, por prapë nuk arrinte të ngopej me bukurinë e saj. Ajo ishte qendra e universit mbi të cilën kishte projektuar jetën e vet. Pa të ai nuk do të arrinte as të merrte frymë, as të zgjohej në mëngjes. Çdo gjë që kishte bërë dhe do të bënte ndonjëherë, ai e kishte për të. Mjaft që të dinte se ajo e vlerësonte sadopak. Por ishte e vështirë të kuptonte se kur ishte e gëzuar, apo e mërzitur, Joana kishte ditur të krijonte rreth vetes një aureole të padepërtueshme, ku ndoshta ndihej e mbrojtur, por e largët.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>