I PËLQYER PËR FËMIJËT SHQIPTARË, POR DHE SUEDEZË, Intervistë me shkrimtarin Viron Kona

Filed under: Intervistë |

 


 

Nga: Bujar Ferhati

 

 

 

           Foto:   Viron Kona

 

Ka dhjetëra vite, që boton letërsi për fëmijë dhe të rritur. Janë mbi 30 libra, disa prej tyre të vlerësuar me çmime kombëtare. Javët e fundit, libri i tij, tashmë i njohur nga fëmijët shqiptarë “Eh, more Bubulino!”, u botua edhe në Veriun e Largët, në Suedi. Redaktori i librit, Sokol Demaku, shprehet se “libri, gjeti jehonë dhe përhapje të gjerë te lexuesit e vegjël suedezë, madje, po lexohet edhe nga të rriturit”. Mediat vendëse i kushtuan vëmendje krijimtarisë së Viron Konës, e sidomos personazhit të tij të dashur, Bubulino. Në gazetën “Boras Tinding”, publicisti suedez Erik Jullander, pasi vlerëson librin dhe autorin, e  përfundon artikullit e tij me pyetjen: “Bubulino dhe Pipi Çorapegjata, a pajtohen me njëri-tjetrin? Dhe, përgjigja e gazetarit, është: Absolut !”(Gazeta, “Boras Tidning”, 19 maj 2011).

 

 

Libri për Bubulinon, më gjuhën suedeze

 

Këto përjetime Viron Kona i provoi edhe gjatë shumë takimeve në disa qytete të Suedisë, me lexues, botues, shkrimtarë, gazetarë, mësues dhe nxënës. Shkoi edhe në qytetin e  lindjes së shkrimtares së madhe me famë botërore, Astrid Lindgren, e njohur në Shqipëri nëpërmjet përkthimeve të librave të saj: ”Pipi çorapegjata”, ”Emili”…

Pas kthimit nga Suedia, shkrimtarit Viron Kona i morëm këtë intervistë.

 

- Prej shumë vitesh, jeni një emër i dëgjuar, sidomos në letërsinë për fëmijë. Kaq për zemër është te ty, kjo gjë?

Ndiej  kënaqësi të veçantë, kur shkruaj për  fëmijët. Kështu përjetoj vegjëlinë time, të fëmijëve të mi e të nxënësve, të cilëve u kam dhënë mësim; ëndrrat, dëshirat, aventurat, sinqeritetin, pafajësinë, prapësitë, jetën e tyre.

E gjithë fëmijëria është e bukur për cilindo, jo vetëm për fëmijët. Edhe të rriturve, herë pas here, ajo u troket  dhe u zgjon kujtime të këndshme…

- Në librin “Eh, more Bubulino!”, që u botua në Suedi, bëhet fjalë për  fëmijërinë tuaj?

”Çdo shkrimtar, – thotë Gëtja, – në një farë mase, paraqet në veprat e tij vetëveten…”

- Botimi i librit tuaj në Suedi dhe, veçanërisht, futja e tij atje në programin shkollor, për leximin jashtë klase, a ju duket një vlerësim? Po këtu, te ne?

-Popujt e emancipuar dhe të civilizuar,  nuk vuajnë nga paragjykimet. Atë që është e bukur, që mendojnë se u shërben, ata e marrin dhe e bëjnë të vetën. Në një qytet  të Suedisë, njëri ndër monumentet më të mëdhenj, ishte ai i Pinokut, një skulpturë e lartë, e frymëzuar nga libri “Pinoku”, i  shkrimtarit italian Karlo Kolodi. Ai monument, u vendos me referendum popullor, ku banorët e atij qyteti të zhvilluar thanë: “PO! Ta vendosim Pinokun në qendër të qytetit, sepse do të shërbejë për edukimin e fëmijëve. Kur fëmijët të pyesin:”Përse e ka hundën aq të gjatë Pinoku? Atëherë, prindi, i rrituri ose dikush tjetër, do t`u përgjigjet me humor se, sa herë që Pinoku gënjente, “i rritej hunda!””. Kështu, fëmijët e atij qyteti e shohin vazhdimisht atë skulpturë, e cila duket sikur thotë:”Kujdes fëmijë! Mos guxoni të gënjeni, sepse do t`u rritet hunda! Nxirrni mësime dhe bëhuni fëmijë të mbarë!”

Kështu, fëmijë dhe të rritur, që e lexuan Bubulinon, e pëlqyen, sepse ai  ka nxitur tek ata ëndrra dhe  dëshira,  që atyre u pëlqejnë. Për shembull, Bubulinoja ka shprehur dëshirën që  të shkojë i pari në planetin Mars, që ta shpëtojë planetin tonë nga ngrohja globale, që ta zbulojë Atlantidën e humbur dhe misterin e  Trekëndshit të Bermudës,  që ta mbrojë rruzullin tokësor nga meteorët dhe asteroidët goditës… Këto dëshira, që sot janë detyra për të rriturit, do t`i realizojnë fëmijët nesër.

Edhe në Shqipëri, libri për Bubulinon është pritur mirë dhe shumë njerëz të letrave: lexues, të vegjël ose të rritur, janë shprehur mirë për të.

 

 

- Bubulinoja, një figurë e gjetur, mjaft e realizuar nga ju, kaq u përshtat fëmijëve edhe atje, në Suedi? Kaq botë të përbashkët kanë ata, kudo në botë?

-Mendoj se, një libër i mirë, pëlqehet nga çdo lexues, pavarësisht se nga cili vend është autori. “Iliadën”, e ka shkruar një grek, Homeri; “Don Kishotin e Mançes”, e ka shkruar një spanjoll, Servantesi; “Hamletin”, e ka shkruar një anglez, Shekspiri; “Faustin”, e ka shkruar një gjerman, Gëte; “Udhëtimin e mrekullueshëm të Nils Holgersonit”, e ka shkruar një suedeze, Lagerlëf; “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, e ka shkruar një shqiptar, Ismail Kadare…Kështu, do të vazhdonim me shumë vepra dhe kryevepra, të cilat  janë lexuar nëpër dhjetëvjeçarë e shekuj dhe do të vazhdojnë të lexohen nga popujt e botës. Kjo ndodh, sepse krijimet artistike shprehin vlera përgjithësuese. Ato janë fjalët, ndjenjat dhe mendimet e shpirtit e të zemrave të njerëzve, të shkruara bukur. “Për të shkruar një libër të mirë, -shprehet Berne,duhet vetëm të rrokësh penën, ta ngjyesh në bojë dhe të derdhësh shpirtin në letër”.

 

                S

Në foto: Per Sjöstrand, rektor i shkollës “Fjärdingskolan”, Boras, Suedi, duke marrë nga shkrimtari Viron Kona, librin “Eh,more Bubulino!”Në krah, redaktori I librit, Sokol Demaku.  Foto: Sandra Nordin ( Gazeta “Boras Tidning”,19 maj 2011).

-Cilat janë disa nga mjediset, ku ju  i zhvilloni ngjarjet e librave, që keni shkruar?

Është i pëlqyer ai shkrimtar, që i zhvillon ngjarjet, episodet ose aventurat e personazheve, në mjediset që njeh më mirë. Ngjarjet e personazhit Bubulino dhe shokëve të tij, i kam vendosur e zhvilluar në qytete e krahina të Shqipërisë, por edhe në treva e mjedise, që tërheqin interesin dhe kërshërinë e fëmijëve, të cilat  i kam njohur edhe vetë.  Kanë zgjuar kureshtje dhe interesim te lexuesit e vegjël, aventurat e Bubulinos gjatë lundrimit me anije, në detet Jon dhe Adriatik, “eksplorimi” i gjirit të Vlorës, i  gjireve të  Karaburunit dhe Sazanit, i shpellave të tyre. Në brigjet e deteve Jon dhe Adriatik jo vetëm që kam kaluar fëmijërinë, por  mjediset dhe vendet,  që përshkruaj, i kam “shkelur” edhe vetë. Në fillim duke notuar, duke lundruar me varka dhe, më pas, me  disa tipa anijesh, peshkimi, transporti… Deri, edhe me nëndetëse kam lundruar; edhe me skaf jam futur në shpellën e piratit Haxhi Aliu, në Karaburun. E kam shëtitur me këmbë, por edhe kam lundruar rreth e përqark ishullit, disi misterioz, të Sazanit. U  kam  bërë qindra fotografi kalave të  lashta ilire – arbërore, me të cilat  Shqipëria është mjaft e pasur. Mendoj se shkrimtari, jo vetëm duhet t`i njohë vetë vendet e mjediset e librit të tij, por ai duhet t`i përjetojë edhe ngjarjet, për të cilat shkruan. Ka qenë i suksesshëm romani im “Drithërimat e yjeve”, i cili ka temë emigracionin, sepse e kam përjetuar edhe vetë fatin e rëndë të refugjatit, në Greqi.

-Cilat janë për ty, çastet e kënaqësive, që të jep  procesi krijues?

-Kënaqësinë më të madhe, e ndiej, kur “papritmas” më hipën në kokë frymëzimi, siç jemi mësuar ta quajmë dhe filloj e shkruaj orë të tëra, pa e  ndjerë kohën që kalon. Është një kënaqësi e rrallë. Sikur ndodhesh në një botë hyjnore, i rrethuar nga tinguj e ngjyra  të magjishme, ndërsa dora shkruan e  shkruan, pa u ndalur…

-Çast tjetër?

-Çast tjetër kënaqësie është, kur, pasi bën hedhjen e  parë, fillon e sistemon ato, që ke shkruar. Por, sidomos, kur heq pjesët e tepërta. Gjithçka e tepërt, e shkurtuar, krijon kënaqësinë, që ka mjeshtri lulishtar, i cili me gërshërët e tij zë e krasit degëzat e drurëve të luleve, që shëmtojnë lulen dhe mjedisin! Në çaste, të tillë, ndiej se sa e vërtetë është thënia e Çehovit, se: ”Arti i të shkruarit, është arti i të shkurtuarit”.

-Cilin e quani si mjedisin  më të  përshtatshëm për të krijuar: shtëpinë, bibliotekën…?

-Çdo mjedis është i përshtatshëm për të shkruar, mjafton që kurdoherë  të kesh me vete letër, laps dhe…frymëzimin. Mbaj mend se shumë pjesë  të krijimeve, që m`i vlerësojnë si më të bukurat, i kam shkruar gjatë udhëtimit me autobusë, furgonë, në avionë, në dhoma hoteli; duke ndenjur në pritje për diçka ose edhe…duke ecur. Mendimi, që të vjen një herë, nuk kthehet për herë të dytë. Kështu që, rasti “i artë”, nuk duhet humbur. Ndodh si me zogun që, po e lëshove nga dora, ai merr qiellin…

-Ndiheni i ri apo…?

-Kur punoj, ndihem i ri. I jap kuptim dhe gëzim jetës, duke krijuar. Çdo ditë që s`arrijë të bëj atë që dua, më duket  ditë e humbur. Sa për pleqërinë, ajo afrohet pa u ndjerë. Nuk vjen me daulle!

-Nervozoheni?

-Kur nuk arrij të bëj atë që dua. Prandaj punojë shumë, që ta përpunoj aftësinë e të shkruarit. Ndodh si me  tokën, që kur punohet mirë, ka prodhime të mbara.

-Keni shkruar shumë libra. Mendoni, se të gjithë janë të suksesshëm?

-Peshkatarët e perlave zhyten në fund të detit dhe mbledhin me mundim të madh shumë guaska. Por, pak prej tyre, mbajnë brenda margaritarë.

-Si e shpjegoni që mjaft vepra, për të cilat flitet shumë në kohën kur krijohen, më pas thuajse harrohen?

-Një pyll, që rritet, nuk bën zhurmë. Ose, kini parasysh meteorët. Ata, e tërheqin më shumë vëmendjen, por shuhen shpejt. Kurse, yjet e mëdhenj, digjen në heshtje dhe kanë përherë dritë, ngrohtësi dhe jetëgjatësi.

-Gjatë intervistës ju përmendët, se shkrimtari për fëmijë duhet të jetë i sinqertë, i dëlirë, i pastër si bota e fëmijëve; ndryshe, nuk është i besueshëm për ta. Në këtë det do të notoni gjer në fund të jetës suaj, si një bir i Vlorës dhe i detit?

-Cilësitë e karakterit, që ju theksuat, potencialisht ekzistojnë te çdo njeri. Çështja është që ato të bëhen pjesë e jetës së njeriut. Jetën mund ta shikosh edhe si një lumë, që të rrëmben në vorbullat e tij, por edhe si një det të paanë, ku ti mund të notosh i lirë në drejtimin e  duhur, madje, nganjëherë edhe kundër dallgëve e stuhive. Vetë jeta, herë- herë, paraqitet si një det i trazuar, ku të duhet të përballosh edhe dallgët, edhe stuhitë. Shpesh herë rri e mendoj për vitet e jetës, që vijnë dhe mendja më shkon te Vlora, jo thjesht se është vendlindja ime, por sepse aty është edhe deti, aty është edhe fëmijëria ime. Njeriu ka qejf e dëshirë t`i rikthehet herë – herë kujtimeve të fëmijërisë dhe, më së shumti, këtë e bën, kur vitet fillojnë dhe nxitojnë.

Më kanë pëlqyer gjithnjë deti e noti dhe them me vete se nuk do të ishte keq që të rikthehem edhe një herë në ëndrrat e fëmijërisë, të hap krahët dhe të nis e të notoj në dallgë dhe në erë. Them se aty do të jem edhe më i besueshëm në ato. që do të vijoj të shkruaj për fëmijët. Tek e fundit, deti duhet të zërë vend në jetën e njeriut, edhe për faktin se rruzulli tokësor, në pjesën më të madhe, pra 71 për qind, është ujë dhe vetëm 29 për qind është tokë. Mbase, edhe letërsia ime për fëmijë duhet të drejtohet edhe  më shumë nga deti, nga deti i fëmijërisë sime.

 

 

 

-Ç`mendoni për qendrimin, që duhet të mbajnë shoqëria, mediat dhe shteti për krijimtarinë? Po për politikën në  Shqipëri, çfarë mund të thoni?

-Shteti dhe shoqëria duhet të tregojnë më shumë vëmendje ndaj krijimtarisë, e cila do lloji qoftë ajo, artistike, shkencore, letrare… Do të thosha se kjo vëmendje mungon, duke filluar me mediat, qoftë ato të shtypit ose elektronike, të cilat i mbushin faqet e gazetave e revistave vetëm me personazhe dhe përmbajtje sensasionale dhe më shumë politike. Shprehja e vjetër e dalë mode, ”Politika, në plan të parë!”, thuajse ka skllavëruar shumicën e mediave. Politika i përdor mediat dhe ato përdorin politikën. Është një ndërsjellje jo e natyrshme, madje, absurde. Jeta nuk është vetëm politika. Ajo është një pjesë e rëndësishme e jetës, por jo gjithçka. Politika ka lindur si arti i drejtimit të shtetit, domethënë që njerëzit e zgjedhur nga populli të merren me zgjidhjen e problemeve të tij, të qytetit e fshatit dhe shtetit. Politikanët të mendojnë dhe të  veprojnë se si të rritin standardin e jetesës dhe t`u propozojnë njerëzve rrugët, mënyrat, të kërkojnë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin,  t`ua lehtësojnë hallet dhe vështirësitë e jetesës dhe  shërbimet, të hapin  perspektiva për zhvillimet e mëtejshme…Janë zgjedhur, jo “t`i bien gjoksit” nga mëngjesi e deri në mbrëmje, duke “krisur” ekranet e televizioneve dhe duke “zbukuruar” faqet e gazetave me pozat e tyre fotografike. Për arritjet dhe sukseset, që kanë realizuar, janë paguar me taksat dhe punën e djersën e këtij populli; madje, janë paguar  me rogat më të larta, që i caktojnë vetë…Nuk është e drejtë që ata  t`i bëjnë hije dhe karshillëk, të pushtojnë gjithçka ose të futen dhunshëm në jetën dhe ëndrrat e një populli, deri edhe te fëmijët. Ata janë që t`i shërbejnë popullit, kokulur dhe me devotshmëri të plotë…Kjo nuk është diçka me dëshirë, por detyra e parë dhe më e rëndësishme e tyre.

-Tani, që keni një mjohje të mirë për të, çfarë vlerësoni më shumë, në Suedi?

-Vlerësoj  njerëzit e mirë, të dashur dhe tolerantë të  atij vendit  të rrallë e të bukur.  Në vitin 2009, ata përkujtuat 200 – vjetorin e Luftës së fundit, të zhvilluar në Suedi. Kam lexuar, se beteja e fundit në truallin suedez, u zhvillua në  Sävar, në veri të qytetit Umeå. Ka qenë  një betejë e përgjakshme me rusët. Pikërisht në atë vend, ku u zhvillua beteja, u përkujtua edhe 200 – vjetorii saj, duke improvizuar një teatër luftimi. Prej atëherë, trualli suedez nuk e njeh më luftën. Këtë gjë e vlerësoj si një mrekulli: 200 vjet pa luftë! Një ngazëllim i madh, për çdo njëri të kësaj bote. Një realitet mbresëlënës. Suedia, u ka thënë vazhdimisht “JO!”: luftës, dhunës, diktaturave. U ka thënë kurdoherë “PO!”: paqes, qetësisë, begatisë, përparimit, miqësisë,  humanizmit, tolerancës, dashurisë mes njerëzve… Ajo ka vënë prej kohësh në rrugën e zgjidhjes probleme thelbësore të jetës së njerëzve, ka afirmuar vlera të reja të zhvillimit të vendit, në të gjitha fushat e jetës. Në këtë vend të begatë, shëndrisin  mençuria dhe kultura e gjerë e popullit suedez; shkëlqejnë elita intelektuale, shkencore dhe inteligjencia teknike. Tërheq vëmendjen e mbarë botës, qeverisja e nivelit të lartë demokratik dhe respektimi i të drejtave e lirive të njeriut. Duke i venë gjithnjë si përparësi kryesore të mirën e përbashkët dhe interesat kombëtare, suedezët dinë të kapërcejnë me urtësi e mençuri  dallimet  dhe kundërshtitë,  që shtron jeta në zhvillim. Duke u shprehur kështu, sikur ndiej të më trokasin në mendje fjalët e atdhetarit tonë të madh, Pjetër Bogdanit, i cili thoshte: “Populli nuk e pëson, duke qenë i ditur”.

-Cila është rruga për edukimin e fëmijëve: mirëkuptimi apo “dora e  forte”?

-Rruga e edukimit të një fëmije është e gjatë dhe e vështirë. Për ta, duhet të kujdesemi vazhdimisht dhe të merakosemi. Edhe t`i qortojmë, por sidomos t`i mësojmë me shembullin, që tregojmë në jetë. Fëmija, duhet mësuar se një fije shkrepëse nuk është lodër. Atij i duket e habitshme, sesi ajo fije e hollë dhe e vogël shkrepëseje, mund të bëhet shkak për të djegur një pyll të tërë. Mbaj mend se, nëna ime, më këshillonte shpesh:”Kujdes me zjarrin! Një shkëndijë, ndez një mal!” Duke i mësuar fëmijët, për të mirën dhe të keqen, të mos i shpërfillim ëndrrat dhe dëshirat e tyre. Le të mbajmë një çast frymën, të mbyllim sytë dhe të pyesim veten: “Kur ishim të vegjël, si do të donim të silleshin me ne”?

-Çfarë këshille do t`u jepje krijuesve të vegjël?

-Të lexojnë, të dëgjojnë, të shëtisin…

-Po  fëmijëve tanë, në përgjithësi?

-E kanë vetë në dorë të zgjedhin: të fluturojnë si shqiponja apo të zvarriten si breshka!

-Faleminderit për mendimet e shprehura dhe mesazhet domethënëse, që dhatë në këtë intervistë!

 

( E dërgoi për publikim: Prof. Murat Gecaj )

 

 

Shkrime të ngjashme:

  1. Helena Halilaj, Interviste
  2. “Nderi i Kombit”, pas vdekjes për shkrimtarin disident PjetërArbnori

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>