Tradita dhe bashkëkohësia në novelën-përrallë “Tërfili me katër fletë”[1]
Opusi letrar i shkrimtarit Bardhyl Xhama
“Novela-përrallë “Tërfili me katër fletë”, mbi bazën e zhvillimit të ngjarjeve është konceptuar dhe strukturuar nëpërmjet dhjetë rrëfimeve. Nga pikëpamja tipologjike, rrëfimi i krijimit është qasje e plotë e ndërtimit dhe e modelimit të përrallave tona popullore.”
Nga Xhahid Bushati
Ky libër, ashtu si shumë të tjerë që përbëjnë opusin letrar të shkrimtarit Bardhyl Xhama, njeh disa ribotime. Botimi i këtij libri daton në një periudhë kohore, kur krijimtaria e autorit i është drejtuar kryesisht lëvrimit të zhanrit të rrëfenjës.
Novela-përrallë shoqërohet me një parathënie që titullohet: “Vështrime për vlerat ideoartistike të novelës-përrallë “Tërfili me katër fletë” me autor Prof. Doktor Jakup Mato, kritik letrar; si dhe në fund me një aparat pedagogjik në ndihmë të mësuesve dhe të nxënësve.
Personazhi kryesor i kësaj novele-përrallë është Gjeka. Të gjitha ngjarjet që rrjedhin në mënyrë lineare lidhen me të. Biografia e tij artistike përkon me heronjtë e përrallave tona popullore. Si i njëjti model, ai mbart tipare e cilësi që shfaqen gjatë udhës së tij (udhë e vështirë e plot peripeci) në kërkim të lumturisë së vërtetë. Janë plot episode lirike, dramatike, të shkruara me frymëzim që na sjellin në reliev mençurinë, trimërinë, ndershmërinë, zgjuarsinë, këmbënguljen e triumfin e protagonistit kryesor, Gjekës ndaj forcave regresive, forca që kërkojnë mjerimin e njerëzve dhe zvetënimin, vyshkjen e ëndrrave të jetës. Gjeka me vendosmërinë e tij gjen çelësin e zbërthimit të së vërtetës të simbolikës së Tërfilit me katër fletë, simbolikë që e zbërthen plaku përmes fjalëve të tij, të cilët përbëjnë dhe mesazhin e veprës: “E ç’kërkon të gjesh tjetër, mor bir? E ku ka tërfil me katër fletë?! Atë e sajoi populli nga dëshira për të jetuar i lumtur”[2].
Novela-përrallë “Tërfili me katër fletë”, mbi bazën e zhvillimit të ngjarjeve është konceptuar dhe strukturuar nëpërmjet dhjetë rrëfimeve. Nga pikëpamja tipologjike, rrëfimi i krijimit është qasje e plotë e ndërtimit dhe e modelimit të përrallave tona popullore. Atë e gjen në rrafshin e funksioneve të personazheve, në bëmat, aventurat e të papriturat e tyre, në triumfin e së mirës ndaj së keqes e negatives, në raportet e reales me fantastiken, konkretes me figurativen, ideales me realen, logjikes me emocionalen, te prania e figurave të tilla si: Gjoka, Gjika e Gjeka, Cinxoja (Gishtoja apo Kacimicrri), gjiganti, kuçedra, divat, plaka e mençur, burri i ditur, apo te mrekullitë magjike: bluza me diellin e qëndisur, unaza magjike etj., etj. Për këtë arsye, mendojmë se, lënda përrallore me ngjyrat dhe dinamikën e saj, me kureshtitë e të papriturat, etj., paraqet interes te lexuesi i vogël. Modeli i ofruar i bën më shumë jehonë përrallës popullore si rrëfim i të jetuarit ekzistencial, sesa aktualitetit që ka një frymëmarrje dhe problematikë të caktuar. Për rrjedhojë bashkëkohësinë novela-përrallë e ka të vështirë plotësisht ta përligj si krijim artistik.
Autori e njeh mirë letërsinë gojore dhe rrëfimin e saj. Nuk mungojnë elementet poetikë. Ashtu sikundër nuk mungojnë edhe elementet didaktikë. Fraza e shkurtër i ka dhënë emocion dhe zhdërvjelltësi mikro e makro ngjarjeve.
Studiuesi Mato në parathënien e tij, në mes të tjerave shprehet: “Nuk mund të saktësoj nëse novela-përrallë “Tërfili me katër fletë” është krijimi më i mirë i tij. Por si kritik e studiues them se kjo është një novelë shumë interesante, shkruar mjaft bukur, nga një penë e talentuar”[3].
Duke pasur një fushëpamje tjetër për këtë krijim, më lart prekëm problemin e bashkëkohësisë së krijimit. Tani dua të prekim dhe funksionin e kohës, më saktë të koherencës në raport mes krijimit popullor dhe atij të kultivuar në këtë novelë-përrallë.
Shkrimtari duke i mbetur besnik tradicionales së këtyre krijimeve popullore, mendojmë që elementi i koherencës është më shumë në funksion të kësaj lënde që mbart mendësinë dhe psikikën e krijuesit të saj popullor. Duke qenë e pranishme në novelën-përrallë “Tërfili me katër fletë” të shkrimtarit Bardhyl Xhama, themi që nocioni i ‘folklorizimit’ – siç e quan Rexhep Qosja, – shfaqet dukshëm në formën dhe përmbajtjen e saj. Themi dukshëm, sepse në shumë fragmente, ajo është kapërcyer artistikisht nga pena e shkrimtarit Bardhyl Xhama.
Shkrime të ngjashme: