Viti i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Opinion nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Filed under: Poezi |

 

 

 

Dihet se shkatërroi, por nuk dihet a ndërtoi. Dihet se çfarë shkatërroi, por nuk dihet se çfarë ndërtoi. Pak a shumë këto dy fjali të dala nga pena e Gjergj Fishtës diku 87 vjet më parë, mund të përkufizojnë shkurtimisht vitin 2011 pak orë pasi jemi përshëndetur me të.Japonezët do ta quanin liman dallgësh, tsunami, këtë vit të rrënimit bërthamor të Fukushimës. Këtë cilësim (atribut), edhe pse më metaforik tashmë, do t’ia veshnin me të drejtë arabët, me pranverën e tyre, edhe evropianët me fundosjet e tyre ekonomike, edhe perëndimorët gjithandej me zaptuesit e Wall Streetit, Rrugës së Murit, edhe shumëkush tjetërkah planetit.Kthetrat e tij ky vit nuk i la pa na i nxjerrë edhe ne shqiptarëve. Muaj e muaj të tërë në veriun e Kosovës, përkatësisht në verilindje të Shqipërisë etnike, barrikadat e Serbisë vazhdojnë të bëhen pjesë e vrazhdë e jetës sonë të përditshme kombëtare, kujtesë e re e një tragjedie shekullore të shkaktuar nga fqinja jonë veriore. Fjalët më të shpalosura e më të lakuara gjatë këtij viti më shumë se nga fjalorët e specializuar ekonomikë, politikë apo filozofikë do të ishin të shpjegueshme nga fjalorët mjekësorë. Më shumë se në dukurinë e shënuar prej tyre “krizë”, “kolaps”, “depresion”, përdorur për të emërtuar rëniet, fundosjet, shkallosjet ekonomike dhe sociale të pjesës më të madhe e më të zhvilluar të botës, kuptimet u kërkuan natyrshëm (instinktivisht) në mesin e sëmundjeve të brendshme, fizike dhe shpirtërore. Planeti ynë (endacaku ynë, harrakti ynë i rrugëve – së paku kështu e shpjegojnë fjalorët prejardhjen, nga greqishtja e vjetër të fjalës planet) është i sëmurë: shenjat e para më të dukshme janë ato ekonomike, rrënjët më të thella janë ato politike, ndërsa ato më në zanafillë janë shpirtërore: Kështu edhe “krizë”, “kolaps”, “depresion”, përqasur me ekonominë botërore, me shtete si Greqia dhe Italia, me sistemin aktual global të kujtojnë gjithnjë e më shumë fillesën e tyre nervore, mendore, tejshpirtërore.

Endacaku ynë, planeti ynë, më shumë se rrotull vetes, më shumë se rrotull diellit të vet, më shumë se rrotull yllësive të tjera në bashkësitë me yllësinë e vet, endet, harrakatëron nëpër jetët tona, nëpër përditshmëritë tona, nëpër punët tona, ngatërron në vend që të zhdërvillojë, bën lëmsh në vend që të ftillojë veten tonë, njerëzit tanë, botën tonë, gjindjen tonë. Viti që  lamë pas arrin sinoniminë, adashërinë, shemërinë më të plotë të deritanishme me vetë planetin tonë të sëmurë.

Një planet më pak i gjelbër, më shumë i vrugët, më shumë i vredët, më pak ekologjik, më pak ekonomik, më pak social, është një planet gjithnjë e më pak i shëndetshëm. Halli i madh është se ai nuk na zëvendëson dot ne banuesve të tij. Halli është se ne nuk e zëvendësojmë atë, së paku hë për hë, në mijëra vjetët e ardhshëm. Nuk na përzë dot ai ne, nuk e braktisim dot ne atë. Nga ana tjetër, kështu si jemi katandisur as nuk e pranojmë ne atë, as nuk ka pranon dot ai.

Ashtu si familjet në skamje që iu kthehen gardërobave të vjetra, edhe ne planetarët po iu kthehemi rekuzitave të vjetra, duke e kërkuar shpëtimin, zgjidhjen tek teori të dështuara të rolit më të madh të shtetit, duke e zëvendësuar ekonominë, tregun, konkurencën, me politikën. Nëse shteti do të merrte rol më të madh në mbarëvajtjen e përgjithshme, atëherë a do të ishte e mundur që kjo të bëhej pa rritjen e rolit të politikës? Sepse politika, gjithsesi, në thelb mbetet politikë, mbetet sjellje, mbetet një fluiditet që merr format, trajtat e të gjitha enëve ku vendoset me lehtësinë dhe kollajshmërinë më mahnitëse.

2012,  është viti i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Kjo pavarësi u shpall 100 vjet më parë për gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm për një të katërtën e saj, atë që quhet sot Republika e Shqipërisë. Ky vit 2012 jepet që ne të tregojmë sa të zotë jemi për t’ua dëshmuar faktorëve të mëdhenj sa u gabua kur kombit tonë iu bë padrejtësia aq fatale për kontinentin dhe gjeopolitikën botërore, duke ia pranuar pavarësinë vetëm një të katërtës së Shqipërisë. Sa të zotë jemi për t’ua dëshmuar sidomos fqinjëve se vitaliteti ynë, aftësia për të mbrothësuar, përparuar, siç thoshin rilindasit tanë, është shpëtimi i përbashkët. Dhe, në të gjitha kontekstet, vetjakë, kombëtarë, fqinjësorë e më gjerë, mbrothësia jonë rrënjët i ka pikërisht te vëllazëria jonë kombëtare, te dashuria e shqiptarit për shqiptarin.Të pamirat e vitit 2011 ndoshta nuk mund të numërohen. Për mirëfjalosje, për kuvendim të mirë, siç do të thoshte Çajupi, pra për eufemizëm unë po e quaj harrakat këtë vit. Gati sa nuk desha ta quaja çapkën, ta merrja me të mirë, të mos i ngelet hatri as në ditën e fundit të kalendarit. Në fund të fundit, ai mbetet pjesë e jetës sonë. Mbetet një rreth në rrathët e lisit tonë. Lisnisë sonë. Pra lisit të përbashkët dhe lisit vetjak të secilit nesh. Dhe, siç thoshte Henri Bergson, edhe herë të tjera i cituara nga unë, dihet, gjithçka që kalon në të shkuarën merret automatikisht në mbrojtje nga e shkuara.

Të mos ia lëmë asnjë shkas vitit të vjetër që të kërkojë hua nga viti i ri as më të voglën njësi kohe.

Prandaj në ndërrim të viteve le të përshëndetemi sa më përmallshëm me vitin 2011 dhe ta presim sa më hapur, me sa më shumë shpresë e me sa më shumë besim në Zotin vitin 2012!

 

Shkrime të ngjashme:

  1. Hapja e Sheshit “Skënderbej “ , opinion nga Mujë Buçpapaj
  2. FRIKA NGA ATDHEU, Poemë nga SKËNDER BUÇPAPAJ
  3. JU TREGOJ FEMIJERINE TIME INTERVISTË ME POETIN E MIRENJOHUR SKËNDER BUÇPAPAJ
  4. “Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës” të Shaban Sinanit –
  5. “Himni Patriotik”, i Shqipërisë përshtatie – përkthim në tekst dhe plagjiaturë në muzik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>