LOTËT E  NDARJES.   Tregim nga Tahir Bezhani

Të ftohtit e janarit, me ngrica e temperatura të ulta, ishte në rënje. Frynte një erë e lehtë mbrëmjeve dhe të jepte shpresë se ditët do të vijnë më të ngroha. Era kur fryn, pleqtë thonë se e heq ose e sjell dëborën. Me që dita vinte duke u zgjatur, zgjateshin edhe shpresat për ikje të dimrit,për ditë më të ngrohta. Ata që janë të vetmuar në familje,besa edhe të shtyrë në moshë,u frikësohen dimrave,dëborës,reshjeve,sepse u sjellin telashe per furnizime,për kontrolle shëndetësore, bëhet me e rëndë jeta, kur moti është i ftohtë.

Kishin kaluar pesë ditë të shkurtit dhe një erë veriu ishte çmendur saqë nuk mund të dilje as te dera e oborrit.Malësor Shkoza ishte shtrirë në divan dhe lexonte disa shkrime të vjetra,të cilat ia përkundnin kujtimet e rinisë. Dhoma ishte e ngrohtë,televizori i fikur,heshtje në dhomën e ditës. Në stufën e zjarrit kërcisnin drutë prej bungu. Bashkëshortja, Rreze Shkoza,ishte  nervozuar nga ajo qetësi absolute dhe mendimet i treteshin gjithandej halleve të jetës, pleqnisë së ofruar, sëmundjeve, por mbi të gjitha, e hante nga brenda malli për fëmijët në gurbet, qe tridhjetë vite.Nga ana tjetër e divanit, papritur iu drejtua Malësor Shkozës, me fjalë bukur të idhta. As vetë nuk e kuptoi se nga i erdhi ai vrull nervoze. Heshtja në dhomë u thye pas zërit .

-Leri ato letra o burri im, eja të flasim së bashku, të dertojmë për hallet tona, a po e shikon se koha po ecën?!

-Cilat halle moj grua?-iu drejtua Malësor Shkoza. Për çfarë e ke fjalën,fol

-Do flas nëse më dëgjon,hiqi ato letra dore!

Malësori u drejtua. U ul përballë Rrezes, i thotë ëmbël ,folë grua, shoku i jetës! Të dëgjoj me vëmendje, kënd kam tjetër për ta dëgjuar këtu?!Ka kohë që vetmia ka ardhur në shtëpinë tonë, por nuk jemi vetëm ne kështu,koha e bëri të veten dhe e gjithë Kosova u zbraz.

 

 

-Epo, mu këtu deshta të futem në bisedë Malësor. Dëgjo, lëviz, bën hall e të shkojmë te djemtë në këtë pranverë. Ishalla po na vjen e mira ditë! Sot është mot më i butë. Besa e Zotit më ka marë malli shumë, sa për evladin tonë, aq për ata nipa e mbesa, ata carrokë aq të bukur.Po i shoh në ëndërr qe tri netë, po flas me ta, pastaj po qaj në vetmi. A dëgjove burri im?! Lëviz të lutem, në maj do shkojmë më së largu. Ja erdhi maji, edhe pak i ka mbetur…

Sa e prekën këto fjalë Malësor Shkozën! Ishte zhytur thellë në mendime, duke prerë “sopata” në gjitha anët e mundshme; mundësi, pamundësi etj. Nuk i premtoi asgje Rrezes, pos e shikonte si fajtore. Duke analizuar çdo mundësi për të shkuar të djemtë në gyrbet, gjeti arsyen që të japë premtimin për ecje, por jo para muajit maj, kur koha bahet mirë, natyra buzqesh kudo. Ia mbylli dyert çdo pamundësie dhe thirri gruan si befas, pasi ajo, kishte harruar se çfarë e kishte  biseduar më parë dhe i tha:

-Grua,do shkojmë te familja e “madhe” (ata ishin dhjetë),te djemtë , nipat e mbesat në maj, kismet prej Zotit. Viza kemi në pasaporta, as paratë nuk janë problem. Për shtëpinë do u themi fqinjëve ose ilakave të kujdesen. Do rrimë më shumë se një muaj,sa të mundemi. Do duroj edhe mundin e  aeroplanit,ti e di se e kam mërzi,kur ai has në turbulenca e dridhet!

Rrezja fluturonte nga gëzimi. Nuk ndiente lodhje në punët e përditshme. E gëzuar,i binte telefonit dhe fliste me nipa e mbesa,u thoshte “do vijë gjyshja shpejt te ju,do ju përqafojë fort, sa më ka marë  malli. Ja, edhe pak ditë, edhe dy javë,  erdhëm. Ata qeshnin të gëzuar, ndienin kënaqësinë e përqafimit të gjyshit e gjyshes. Me padurim prisnin.

Fluturimin e kishin një pasdite të fundmajit. maj. Sapo u akomoduan në aeroplan,nuk kaloi kohë e gjatë dhe pilotët ndezën motorët e aeroplanit. Ai u drejtua në pistën fluturuese,mori hov dhe saora u gjend mbi retë e qiellit të kaltër.Në ato kaltërsi i ngjante shqiponjës që shetit Alpeve të qiellit sovran. Anipse ishte pasdite e vonë , rrezet e diellit kishin “humbur” nga toka,ishin  lart në qiell, dukej se përqafonin trupin e aeroplanit ,që çante ajrin me shpejtësi marramendëse. Rrezja, ishte kurreshtare të shikonte çdo gjë, lart e poshtë, ndërsa Malësori kishte mbyllur sytë për një “gjumë” fluturues. ..

Në dalje të aeroportit të Mynhenit, përjetuan surprizën  e parë. Të dy mbesat e rritura, Rita e Arta, i prisnin te dera e daljes, me buzëqeshje e buqeta lulesh, duke i përqafuar gjatë. Makinën e ngiste mbesa e madhe,Rita,kishte dhënë patentën ditë më parë.  Nuk e dinin gjatësinë e rrugës e kohën, por mbërrinë në banesë fare shpejt. Gëzime e përqafime pafund. Nuk kishte fjetur ai,”sheqeri”i vogël,Liki, më i vogli i familjes, i priste me syte e skuqur për gjumë…

Ditët e pushimeve kaluan shumë shpejt. Malësori e Rrezja,që më parë kishin vendosur që të rrinë herë te Premtimi,herë të Shkëlqimi,një javë me një javë.. .

Kur vinin nga shkolla nipa e mbesa, i përqafshin gjatë, duke ju thënë se” tani do rrini te ne, ndërsa ne vijmë atje në pushime, ju vini me ne, nuk ndahemi më.”

Rrezes i piken lotët. E përqafonte shumë Likin, Arsimin, pastaj Fatmiren Fisnikun, Artën e Ritën. Kënaqësia nuk kishte fund. Malli i mbledhur gjatë,është qelbi në thembër të këmbës. ..Nuk mund të ecësh gjatë me dhimbjen e madhe. Para dite, sa ishin në shkollë fëmijët dhe djemtë, Premtimi e Shkëlqimi në punë, nusja bënte punët e shtëpisë, ndërsa Malësori e Rrezja delnin në shetitje vendeve të caktuara. Pamje të bukura, atraktive, pastërti e paimagjinuar, por edhe shëmti…

Gjatë shetitjeve, zonjat vendase, me vete mbanin qen, herë një e herë dy, ndonjë mace, dhe gjatë rrugës, ndodhte t’i puthnin kafshët e tyre dhe të bisedoin me to. Sa e papërputhshme me vendin tonë, me traditën, kulturën … Për ata(ato),ishte kulminacion i kulturës. Ju bënte përshtypje sa e si identifikohet  njeriu  me kafshën në kuptimin e “dashurisë”?!

Rrezja duke shikuar, pak si vjedhurazi veprimet e vendasve,  shtroi një pytje që kishte vendin e të menduarit ndryshe. Tha,”a dinë këto se ku i kanë babë e nanë, a u kanë ofruar mëngjeset atyre, a kanë kujdesje nga kushdo?!” Pasi mendoi disa minuta, Malësori iu përgjigj me atë dijen e tij, duke i thënë se shteti ligjor dhe cilivizimi njerëzor e bëjnë të veten grua.Evropë është këtu…

-Nuk të kuptoj-tha ajo!

–Shiko këtu, për çdo gjë kujdeset shteti, çdo imtësi është e paraparë me ligje që funksionojnë për mrekulli.

–Eheeee!-tha ajo dhe heshti.

Tek ne është ndryshe-përfundoi bisedën Malësori.

 

***

 

Ditët tretën si krypa n’uji, kur ato i ke të numëruara dhe të mbushura dashni e mall familjar. Po ofrohet dita për kthim. Çdo ditë ishte më e çmuar se tjetra. Tre ditët e fundit Malësorit dhe Rrezes iu kishte zbehë fytyra. Hareja e lezeti disi, sikur iu humbte nga vetja. Përqafimet me nipa e mbesa ishin si në fillim, çmallje të gjata e të zjarrta.

-Mos u mërzitni, do vijmë edhe ne pushimeve, shihemi prapë, sado shkurt, do vijmë, flisnin të gjithë si një zëri.

Ditë e diell ishte dita e kthimit. Fluturimi ishte po ashtu në orët e pasdites nga Mynheni në Prishtinë.  Malësor Shkoza e dinte se do i përcillte djali i madh,Premtimi,deri në aeroport.

-A je i pushuar për të na përcjellë Premtim?-i tha Malësori djalit.

-Si jo,! Shumë i gatshëm, mos baj dert. Vjen edhe Shkëlqimi me neve, do edhe ai t’iu përcjellë.

-Po mirë!-i thotë babai,edhe ma bukur tingëllon.

Në mesditë, pasi u përshëndetën me familjarë, me nipa e mbesa, me lot në faqe, u nisen për aeroport të Mynhenit. Mbërritën me kohë. Te biletat dhe dorëzimi i valixheve,u fut Premtimi, duke ju thënë, m’i jepni mua pasaportat dhe uluni dikund, jeni të lodhur. Diçka në gjuhën gjermane foli në sportel. Malsori e   Rrezja dolën nga rreshti,shkuan te Shkëlqimi, plot buzagaz. Por nuk vonoi shumë kohë dhe ndodhi supriza tjeter,ma mirë dhe shumë e këndshme. Premtimi,duke qeshur tha:

-Epo ,tani i kaloi koha e shpotive,e  mbajtjes “sekret” të kësaj surprize. Unë do vi me juve deri te shtëpia, në Kosovë. Do rri edhe një javë me juve, pastaj kthehem, dhe qeshi sa mundi, qeshi fort bile.

 

Malsori e Rrezja,dy prindrit e Premtimit, ndien një rrënqethje në trup.Ishte befasi dhe nuk e dinin arsyen e ardhjes së Premtimit. Mendonin se a mos kishte ngjarë diç te shtëpia dhe nuk kishin  treguar.Të befasuar, me sinqeritet e pyetën djalin: ”Njëmend ,pse vjen?”.

Vetëm e vetëm për qejfin tim, sepse nuk pata kohë të rri me ju  nga puna dhe do bëjë një javë pushim së bashku. Mora pushim nga puna.

Pas pak minutash u gjendën të tre ulur në aeroplan. Premtimi, mes tyre. Një suprizë e këndshme, një fluturim i bukur, një disponim i hareshëm. Për këtë suprizë, Rrezja  ishte si e dehur nga gëzimi.Arritën në shtëpi, kaluan edhe një javë me Premtimin. Një pushim e udhëtim kaq i bukur nuk harrohet kurrë. Kulmi ishte dashuria e të birit për prindërit e vet. Si rrallë kush, për shembull të mirë në kohën e tanishme.

Megjithatë, prapë se prapë, kur ai iku,vetmija mbeti pjesë e jetës së tyre,që përkundej në djepin e ditëve dhe stinëve,mallit me lot e vaj…

 

Gjakovë, Korrik 2019

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here