Kush ishte Ismail Bej Vlora? Dossier nga Laureta Petoshati

Filed under: Dossier |

Kush ishte Ismail Bej Vlora?

 

Nga Laureta Petoshati

 

Atij i erdhi mbrapa historia, sepse ai la mbrapa një vepër të madhe. Kënga: “Cili je ti more burrë” këndohet sot e kësaj dite. Po kush ishte ky burrë që nuk la pallat e kancelari për dymbëdhjetë vjet me radhë pa shkelur për të arritur një shtet shqiptar?!

Ai nuk vinte nga asgjëja. I dinte mirë rrënjët e veta. Ai kishte në rremba direkt gjakun e Arianitëve, ishte pjesë e asaj familjeje që kishte pasur krushqi me Komnenët, familje perandorake, ku Gjergj Arianit Komneni do të mbetej në histori jo vetëm për luftërat e vazhdueshme mbi çerekshekulli kundër pushtuesve osmanë, por edhe për martesën e famshme që bëri të bashkohej jugu dhe veriu i popullit shqiptar, toskët dhe gegët. Vajza e tij Donika që e kishte pasur me gruan e parë Maria Muzakën, më 21 prill të vitit 1451, do të lidhte kurorë me Gjergj Kastriot Skënderbeun, të cilit i vjehrri i dha jo vetëm vajzën, por edhe një pajë të jashtëzakonshme. Ai e pat njohur mirë adashin e tij. Të dy kishin qenë dikur peng te sulltani. Ndaj, kur ai doli i bëri thirrjen që të kthehej prej andej. Kastrioti u kthye, e mbajti fjalën. Kjo është arsyeja që në pajën e vajzës Gjergj Arianit Komneni, fisniku me dy kështjella, i dha Skënderbeut edhe flamurin e Arianitasve, shqiponjën me dykrerë në ngjyrë ari me fushë të kaltër, e cila ishte futur te emblema e Arianitasve nga lidhjet e gjakut me Engjëll Komnenin. Pastaj fusha kaloi e kuqe, shqiponja e zezë, sepse Gjergj Kastrioti i futi ngjyrat e emblemës së familjes së tij. Ky ishte ai bashkim që u duhej shqiptarëve. Ky bashkim i shërbeu dhe Evropës, që do ta quante Skënderbeun Atleti i Krishtit “I shenjtë si Shën Luigji, diplomat si Talleyrand, trim si Aleksandri i madh.” Dhe ai, luftoi si askush tjetër. Erdhi një çast që edhe Skënderbeu do të plakej, por dhe Europa, djepi i kompromiseve, kërkonte të merrte frymë. Më 27 prill të vitit 1463, në marrëveshjen që bën Skënderbeu me Sulltanin Mehmet II, kërkohej që një nga djemtë e princit Gjergj Arianit Komneni të shërbente në ushtrinë e  Perandorisë Osmane. Më 25 shtator 1463 Këshilli i Lartë i Venetikut miraton kërkesën e Skënderbeut për ta bërë të birin Gjonin, pjesëtar të fisnikërisë venedikase dhe më 13 maj të vitit 1464, ky këshill u dha djemve të Gjergj Aranit Komnenit me gruan e tij të dytë, venedikasen Petrina Francone, e bija e baronit të Turizianos titullin e fisnikërisë: Thomas Comnino, Constantinus et Areniti fratres, domini in patribus Albanie, filij quondam Magnifici et potentis domini Areniti. (Vëllezërit Thoma Komnino, Kostantini dhe Araniti zotërinj të një pjese të Shqipërisë, djemtë e të shkëlqyerit dhe të plotfuqishmit Araniti.) Edhe pse të bijtë e princit Gjergj Arianit Komneni, u morën në mbrojtje nga Venetiku, përsëri, diplomacia kërkonte që marrëveshja të plotësohej. Dhe i vogli i vëllezërve, do të pësonte fatin e të atit, por dhe atë të Skënderbeut, do të merrej peng dhe do të quhej Aranit Mehmet, do të bëhej sanxhakbej, pastaj myteselim i kazasë së Himarës dhe sanxhakbej i Vlorës. Ai do të vritej nga himarjotët pse ndërroi fenë dhe u bë renegat. Por mbrapa do të linte tre fëmijë. Njëri nga këta do të ishte Ali Gazi Sinan Hadim, i cili do të ishte sanxhakbej i Vlorës, sanxhakbej i Prizrenit, do të qeveriste bregdetin shqiptar nga Arta deri në Korfuz, do të ishte ministër i thesarit, guvernator ne Anadoll dhe vezir i madh i Bajazitit të Dytë, i cili do t’i jepte grua të bijën e vet Adije Sulltanën, e cila ishte kushërirë e dytë e Aliu Gazi Sinan. Ai do të vritej në një betejë detare dhe do të varrosej në xhaminë e ndërtuar mbi një manastir në Kaninë më 1501. Fëmijët e tij do të bëheshin të famshëm për betejën e Lepantos dhe Kara Sinan Ahmet Pasha u bë sanxhakbej i Vlorës. Mbiemri mbeti Vlora. Të gjithë varroseshin në Kalanë e Kaninës. Në Vlorë prej disa shekujsh ekzistonte një shprehje: “Po u prish Vlora, Kanina e ndërton prapë, po u prish Kanina, Vlora nuk e bën dot.” Njerëzit kanë menduar për ndërtimet, por në fakt fjala ka qenë gjetkë. Kanina nënkuptonte shumë më shumë. Kanina nënkuptonte Arianitët, farën e tyre: trimërinë, zgjuarsinë, diplomacinë dhe largpamësinë.

Do të ishte përsëri kjo familje që hera-herës do të ngrihej kundër Sulltanëve edhe pse u lidh me ta për shkak të sundimit të gjatë. Madje edhe Ali Pasha që bëri përpjekje për një shtet shqiptar kishte lidhje krushqie me këtë familje të madhe. Mbas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës, përpjekjet për bashkimin e Shqipërisë dhe shpalljen e pavarësisë vazhduan. Pikërisht më 8 nëntor 1828 në Velabisht, u formua Besëlidhja Shqiptare e Beratit dhe shtabi për drejtimin kryengritjes antiosmane kryesohej nga Ismail Bej Vlora i Parë, të cilit më vonë iu pre koka nga Porta e Lartë, gjoja gjatë diskutimit me një komandant turk gjatë rrethimit të Janinës. Por flaka e saj u shtri në të gjithë Shqipërinë: në Leskovik më 1831, në Shkodër 1835, Dibër, Gjakovë më 1844 dhe qe paralajmërim i kryengritjes së vitit 1847. Ndërkaq gjaku shqiptar po zgjohej. Por si për fat, atë vit që fqinjët tanë po përgatiteshin të kafshonin me plane afatgjata trojet tona, pikërisht më 1844, lindi ai, që do të dinte të nxirrte në dritë gjithë përpjekjet e të parëve të tij. Babai i Ismail Bej Vlorës, Mahmut Bej Vlora në bashkëpunim me shumë patriotë nga Lumi i Vlorës, Kanina dhe Krahina e Dukatit, bëri përpjekje për të ngritur një çetë luftarake mbrojtëse kundër kërcënimeve të gjeneralit grek Griva në vitet 1850-1854. Ismaili do të merrte  në dorë stafetën e paraardhësve, të cilët kishin dhënë gjatë historisë po kaq shumë. Madje, në atë kohë familja Vlora filloi lidhjet e shpeshta me familjen Frashëri, shtoi më tepër lidhjet që kishte pasur i afërmi i tyre Mustafa Pashë Vlora, i cili ishte një nga krerët e Lëvizjes Kombëtare dhe Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Vlorën, me Sami Frashërin, me të cilin shkruan memorandume kundër Traktatit të Shën Stefanit. Ismail Qemali në heshtje filloi të shihte gjithçka dhe të ndërgjegjësohej se duhet të bënte diçka për Shqipërinë.

Kush është vërtetë fisnik

Ai do të ishte shumë i vogël kur të atin dhe xhaxhanë e tij, së bashku me familjen do ta internonin në Selanik, pasi kishin sjellë turbullira duke u bërë nxitës të disa kryengritjeve. Aty, ai bëri shkollën fillore dhe mësoi gjuhën turke. Kur u rikthyen në Vlorë, ata që dikur i kishin blerë plaçkat e familjes së nxjerrë në ankand nga qeveria, nxituan t’ua çonin prapë në shtëpi. Ishte një dashuri që populli i Vlorës e shfaqte hapur ndaj tyre. Në Vlorë mësoi italishten, por edhe frëngjisht dhe më vonë niset në Zosimea, ku do të merrte një kulturë të gjerë. Në Stamboll, ai do të shkelte për herë të parë në maj të vitit 1860.  Aty u prit nga një kushëri i nënës së tij Hedijes nga Gjirokastra,  i cili e futi përkthyes në Ministrinë e Jashtme dhe njëkohësisht vazhdonte studimet në Fakultetin e Drejtësisë. Në Stamboll ai njeh reformatorin turk Mit’hat Pasha, me të cilin do të punonte shumë dhe do të lidhte një miqësi të madhe. Këtu filloi dhe karriera politike e Ismail Bej Vlorës, i cili shumë i ri pranoi detyrën e parë të rëndësishme si guvernator i Varnës, por refuzoi titullin e pashait. Në arkivin e familjes Vlora në Itali, ruhen gjashtë fermanë të firmosur nga Sulltani Abdyl Hamiti II, nga 1885 deri më 1900, ku për Ismail Bej Vlorën flitet me një konsideratë jashtëzakonisht të lartë si për kryerjen e detyrës, por edhe për cilësitë e larta morale. Madje atij i vendoset titulli “Qemal”, që do të thotë i zgjuar. Por ai më shumë se fisnik, më shumë se i zgjuar ishte një humanist i madh. Ismail Bej Vlora sa shkoi në Varnë, jo vetëm që ndihmoi në ngritjen e shkollave, por shpëtoi nga skllavëria pesë mijë çerkezë me shpërblim që u pagua nga bankat bujqësore dhe që u dha tokë ish skllevërve dhe gjithçka u pagua dalëngadalë nga ish skllevërit. Kur e pyetën përse e bëtë këtë, ai u përgjigj: “Çerkezët janë racë me vitalitet dhe energji të jashtëzakonshme.” Ai u përpoq të vendoste atje edhe 100 mijë gjermanë që jetonin në Rusi dhe keqtrajtoheshin nga cari, por qeveria osmane nuk e lejoi. Një mbrojtje të shkëlqyer ai u ka bërë edhe hebrenjve kur këta diskriminoheshin. Ai i kishte njohur ata në Vlorë dhe në Selanik, i respektonte që ishin punëtorë dhe studiues të mëdhenj, ndaj hebrenjtë e ikur nga Rumania ai i strehoi në të djathtë të Danubit. Edhe kur ishte në Rumani, në Kostancë, ai atje çoi një ujësjellës, madje bëri shumë ankesa për keqtrajtimin e hebrenjve duke thënë se ishte e papranueshme të gjykosh të tjerët nga prejardhja dhe nga raca. Madje Ismail Bej Vlora, diti të pajtojë interesat e grupeve të ndryshme etnike. Idetë e tij liberale dhe përparimtare me ndjenjën e drejtësisë dhe me elasticitetin diplomatik bëri që të zbuste kundërshtitë fetare që po e gërryenin Jerusalemin, të paqësonte druzët me etnitë e tjera që keqtrajtoheshin në Liban e Siri kur ai ishte guvernator i përgjithshëm. Atij i dhimbseshin të tjerët, ashtu siç i dhimbsej dhe populli i tij që po vuante nën një zgjedhë sunduese për një kohë të gjatë. Ai nuk ishte një nacionalist fanatik dhe me ego, por i bashkohej konceptit të tij mbi lirinë, që për një komb është e natyrshme, por duke respektuar dhe liritë e të tjerëve.

Trimi i mirë me shokë shumë

Ai kishte filluar të kristalizonte miqësitë e të parëve të tij, por dhe të njihte në rrugën e jetës shumë shqiptarë patriotë. Iu desh që në prill të vitit 1874 të nxirrte nga burgu Hoxha Tahsinin, i cili ishte arrestuar në Delvinë dhe ishte shpënë në Stamboll se po përgatiste një alfabet shqip me shkronja latine. Ai nuk mund ta linte një ish rektor të Universitetit të Stambollit në duart e xhahilëve injorantë. Më tej, prania në Parlamentin Osman, njohja me shumë bashkatdhetarë të tjerë bënë që të mendonte se ç’duhej bërë për Shqipërisë, por Traktati i Shën Stefanit, po ia vinte vulën mendimit se Turqia po kalbej dhe siç thotë vetë Ismail Bej Vlora se “Traktati i Shën Stefanit,u konsiderua në të gjithë Turqinë si një dënim me vdekje i dhënë kundër Turqisë.” Ndihma që ai i dha shumë shqiptarëve dhe lidhjet e tij me Mustafa Pashë Vlorën, që ishte një eksponent i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit bënë që Ismail Bej Vlorën ta syrgjynosnin në Qytahi, ku ai ndenji rreth shtatë vjet, por u ndihmua ekonomikisht nga Aqif Pashë Tetova, i cili kishte një çiflig të madh atje. Mbasi u lirua prej andej e çojnë në Galipoli, pastaj në Bejrut si qeveritar, ku takohet me Pashko Vasën, që siç thotë vetë “ u takova me bashkatdhetarin tim.. që tani ishte qeveritar i Libanit dhe e kalonte dimrin në Bejrut.” Ndërsa po endej ca andej-këndej perandorisë, duke njohur administrimin, ndërsa u shoqërua me një nga mendjet më të mëdha liberale të Turqisë, Mit’hat Pashain, që iu pre koka nga Sulltani, ai e kuptoi se asgjë nuk do të bëhej tërhiq e mos këput. Ai i kishte thënë disa herë edhe vetë Sulltanit se perandoria duhej të decentralizohej, duke u dhënë autonomi popujve, të dilte nga errësira mesjetare dhe të merrte frymë nga Europa. Por Sulltani dhe gjithë aradhja e tij nuk ia vunë veshin. Në vitin 1899, Ismail Bej Vlorës i bie në dorë libri i Sami Bej Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet.” Ai kishte të njëjtin mendim me të: “Si një i sëmurë, që s’bën ç’i thonë shëronjësit ei vë krusmënë trupit të tij, ashtu dhe kjo mbretëri po bën gjith ç’i duhetë për të shkurtuar ditët e saj… Në Evropë jetën e ka fort të shkurtër… Me të rënëtë e kësaj stihije të madhe do të bjerë edhe Shqipëria e do të shtypet nën gërmadha të rënda t’asajë.” Njohja e tyre dhe lidhja që kanë mbajtur ka qenë e fshehtë. Kjo si pasojë e lidhjeve të familjeve të tyre në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Faktet janë shumë të qarta për këtë: Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Calzavara, në tetor të vitit 1878 shkruan relacione për qeveritë e tij duke thënë se Abdyl Bej Frashëri ndodhej në Vlorë dhe “se bisedoi me parësinë për një autonomi shqiptare dhe të gjithë e pranuan propozimin e tij.” Përsëri konsulli austro-hungarez mbas dy vjetësh më 15 maj 1880, në relacionin e tij Nr 24 shkruan se “Syrja Bej Vlora, Xhafer Bej Vlora dhe anëtarë të tjerë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i japin ndihma financiare të dërguarit të Ali Pashë Gucisë dhe e përcjellin atë me vaporin Llojd për në Shëngjin.” Pra si Sami Bej Frashëri dhe Ismail Bej Vlora kishin këtë pikëpamje se koha nuk priste. Koha ishte gjithçka. Dikush duhet të merrte hapin e madh. Librat vërtiteshin rreth Robert Kolexh, ku Naim Frashëri studentëve shqiptarë u dërgonte vjershat e tij. Më 1900, kur vdiq Naimi, dikush u kishte thënë studentëve se duhet të takoheshin me Ismail Qemalin. Atë kohë midis shqiptarëve endej një dëshirë, por nuk shqiptohej fort, aq sa që atëherë ka dalë shprehja: “Të gjithë në zemër e kemi / Njëri tjetrit dot s’ia themi.” Atë vit Ismail Bej Vlora bëri shkëputjen e madhe. Nga osmanët ai nuk pat mbartur vetëm nofkën “I zgjuari”, por edhe një proverb që në shqip i thonë: “Kur s’ka në shtëpi, harrëm në xhami.”

Pasuria e tij vetëm atdheu

Arratisja e Ismail Bej Vlorës, i cili quhej autonomist, bëri një zulmë të jashtëzakonshme. Gjithë kancelaritë evropiane, sidomos ajo gjermane dhe ajo austro-hungareze nuk ndenjën pa bërë relacione. Përfaqësuesi i Rajhut gjerman shkruante nga Athina më 7 maj 1900, se “Ai me burrëri i ka shprehur bindjet e veta dhe se ai ku sepse mbështeste gjallërisht synimet autonomiste të Shqipërisë.” Ndërsa konsulli austro-hungarez, Petroviç  nga Vlora shkruante më 4 maj se “shqiptarët kanë gjetur tek Ismail Qemali mbrojtësin e tyre të fortë. Ky më të vërtetë ka bërë çmos për atdhetarët e vetë, pasi ai asnjëherë nuk ka qenë i udhëhequr nga interesat materiale dhe me gjithë postet e larta nuk ka pasuri.” Ndërsa gazeta “Volkszeitung” e konsideronte Ismail Qemalin “një udhëheqës mjaft serioz.” Ndryshe ishte për otomanët dhe për të gjithë ata që për postet e paratë e perandorisë kishin shitur dhe shpirtin. Ata sajuan të bëra dhe të pabëra për atë që po bënte ç’është e mundur për atdheun e vet. Madje edhe vizitën që bëri në Greqi, që e zhvilloi me qëllimin siç e thotë edhe vetë se “tani rreziku sllav i afronte grekët dhe shqiptarët,” e përdorën për qëllime të mbrapshta për të hedhur baltë mbi atë që sipas tyre meqë kërkonte ndarjen e Shqipërisë nga Turqia po kryente një akt tradhtie. Po kë takoi Ismail Qemali atje? Ja si e përshkruan ai se si e pritën burrat me gjak shqiptar që ngritën themelet e Greqisë; “ Unë isha krenar dhe i lumtur të vija re se ndjenja e kombësisë ishte kaq fort e rrënjosur te shqiptarët, pavarësisht nga shekujt dhe ndryshimet në kushtet politike dhe shoqërore. Ishte për mua një kënaqësi e madhe të shëtisja nën qiellin e mrekullueshëm të Atikës dhe të dëgjoja gjuhën time të mëmës, që flitej prej shqiptarëve nëpër rrugët dhe në treg.”  Madje marrëveshja e miqësisë shqiptaro – greke midis Jorgo Theotoqis dhe Ismail Qemalit në vitin 1906 kishte në themel mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të dy vendeve  kundër propagandave të huaja në Ballkan. Nën këtë pretekst, me inatin se me gjakun e kapedanëve shqiptarë ishte çliruar Greqia, Porta e Lartë filloi një fushatë shpifjesh kundër Ismail Bej Vlorës, madje i internoi dhe dy djemtë, ku të madhin Nedimin e mbajtën tetë vjet të izoluar. Në vitin 1901, Ismail Bej Vlora një intervistë të dhënë në gazetën londineze “Morning Star”  kishte thënë se në kufijtë që kërkonte ishte Çamëria, bregdeti jonian deri në Prevezë. Po Ismail Bej Vlora e kish parashikuar mbi një shekull më parë se shteti grek dhe ai bullgar kishin një luftë të paparë për punën e Maqedonisë dhe çetat e tyre po mbyteshin në gjak, ndaj ai kërkonte një aleat kundër pansllavizmit që siç thoshte ai “kërcënon shqiptarët në të ardhmen.” Ismail Qemali më 1903 shkoi dhe në Itali tek arbëreshët dhe pikërisht në Sicili në fshatin Sheshi i Arbëreshëve, ku u prit me bandë muzikore dhe me flamurin e Skënderbeut ku të gjitha gratë dhe fëmijët i hidhnin lule nga ballkonet. Aty ai u prit nga një pinjoll i një familjeje po aq të madhe të Muzakajve, Francesco Muzaki, i cili ishte kryetar i Lidhjes Kombëtare Shqiptare. Ja si e përshkuan Ismail Bej Vlora këtë vizitë: “Qe një skenë shumë mallëngjyese, kur pothuajse të gjitha gratë dhe fëmijët të veshur me kostume kombëtare shqiptare dhe të shoqëruara nga bandat muzikore, erdhën me vrap drejt nesh për të prekur rrobat tona, sikur ato të ishin një pjesëzë e të dashurës vendlindje, saqë shoku im Xhaferi nuk mundi t’i mbajë lotët.” Ismail Bej Vlora, takoi shumë shqiptarë nëpër Europë. Punët nuk po shkonin siç mund të ishte menduar për autonominë. Më 2 dhjetor 1903, patrioti Dervish Hima, i shkruante mikut të tij Ibrahim Temo një letër ku i thoshte se “pardje erdhi tek unë Ismail Beu. Është partizan i kryengritjes. Më tha: të gjejmë të holla e t’i tregojmë rrugën popullit me forcë, s’ka tjetër mënyrë.” Dhe rruga e tij ishte e gjatë. Në fillim, kur iku nga perandoria më 1900, hodhi thirrjen drejtuar shqiptarëve: “O me shkolla e qytetërim, o pa shkolla e në errësirë… Është e pamundur që një popull të përmirësojë gjendjen e tij pa shkolla dhe pa arsim. Njeriu duhet të jetë fare i verbër që të mos ndjejë nevojën e shkollës kombëtare, duhet të jetë tradhtar që të dëshirojë lënien pas dore të arsimit në gjuhën shqipe. Ata që duan të rrojnë në errësirë e padituri, pa gjuhën dhe kombësinë e tyre, dëshirojnë t’i përgatisin Shqipërisë një vdekje të turpshme.” Mbas zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, duheshin hedhur hapa të sigurte dhe të bashkërenduar. Ai për tetë vjet u end Evropës, mbajti lidhje edhe me kolonitë shqiptare për dërgimin e librave dhe mbledhjen e të hollave për armë. Më 1908 nga amnistia e përgjithshme që bëri Sulltani, ai u fal dhe erdhi në Vlorë ku e pritën në mol si hero, madje e mbajtën në krahë që nga vapori Llojd e deri në tokë. Aty iu lexua një vjershë dhe e quajtën Uashington të Shqipërisë. Shkuarja përsëri në Parlamentin Osman si deputet i krahinës së tij dhe lidhja e tij me Hasan Prishtinën e Luigj Gurakuqin do të bënin që gjërat të ecnin më tej. Ismail Bej Vlora do të ishte nismëtar i Memorandumit të Gërçes dhe do të mundësonte armë për patriotët e veriut. Dhe pavarësia do të bëhej e koordinuar edhe me Isa Boletinin. Ajo do ta vinte Europën përpara faktit të kryer. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Flamuri kuq e zi u ngrit në sarajet e familjes së Vlorajve, pikërisht të Xhemil Bej Vlorës ku ishin 47 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare. Ja se si e përshkruan Mit’hat Bej Frashëri, delegat në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912: “Ismail Qemali u zgjidh kryetar i kuvendit dhe mbajti një fjalim të shkurtër për gjendjen e luftës, për hallin e veçantë të Shqipërisë të rrezikuar nga mësymjet e fqinjëve dhe mbi nevojën e një vendimi kombëtar për të shpallur mëvehtësinë e Shqipërisë…Trokitje duarsh i prenë në mes fjalën që donte të thoshte kryetari dhe populli që ishte mbledhur në kopshtin e shtëpisë, kishte buçitur jashtë në rrugë, përsëri me duartrokitjet dhe thirrjet e gëzimit. Në atë kohë një Flamur Shqiptar po ngrihej mbi portën e kopshtit dhe rrëfente shqiponjën kombiare mbi qiellin e kuq të saj. Kjo orë historike ishte afër perëndimit të diellit; ishte një kohë e vrenjtur dhe një vesë e hollë po rigonte nga retë, një vesë bekimi si lot gëzimi. Turma e njerëzisë, për të festuar këto orë me flamur në dorë dhe me këngë bëri një qarkim në rrugët e qytetit, duke qëndruar përpara konsullatave të Austrisë dhe të Italisë, si një shenjë miqësie dhe falënderjeje për mirësinë dhe mbështetjen që shpallej nga të dy këto pushtete.” Ai e shpalli pavarësinë. Diplomati Renzo Falaschi shkruan: “Doli edhe njëherë gjenia diplomatike e Ismail Qemalit, i cili pa asnjë “monedhë këmbimi”, me një vend krejtësisht të pushtuar e të shkatërruar, mundi falë aftësisë së jashtëzakonshme bindëse, të mbajë gjallë konceptin e shtetit shqiptar, ndonëse të privuar nga më pak se gjysma e trojeve dhe e popullsisë së tij. Në të vërtetë Austro-Hungaria dhe Italia ishin të interesuara për ekzistencën e një institucioni shtetëror që do të mbulonte organikisht kombin shqiptar, i vetmi që mund të bëhej barrikadë për ekspansionin serb e grek. Por Rusia, si gjithmonë mbështeste frymën pansllaviste të Serbisë, të cilës ia dëshironte shtrirjen deri në Adriatik. Në planet e saj ajo mbështetej nga Franca dhe Britania e Madhe, aleate të ngushta të saj dhe të tria në favor të forcimit të Greqisë.”  Ismail Bej Vlora punoi për Shqipërinë deri sa mbylli sytë me dhimbjen e sakatosjes së trojeve shqiptare. Kur më 1918 shqiptarët me banim në Amerikë i besuan atij mandatin për t’i përfaqësuar në Konferencën e Paqes, Parisi, i cili kënaqte interesat e Serbisë e detyroi të transferohej në Spanjë. Qeveria italiane e tërhoqi atje e bindur se shpëtimi i Shqipërisë kërkonte ndërhyrjen e tij. Natyrisht edhe ata mendonin se do të merrnin ndonjë copë. Më 22 Janar 1919, dy ditë para se të mbyllte sytë, ai do të shkruante: “Sot është dita vendimtare për Shqipërinë: do të rilindim ose do të vdesim.” Ai u kthye në atdheun e tij nën një arkivol të mbuluar me flamurin që ngriti i rrethuar nga bajonetat e ushtrisë italiane. U varros në Kaninë, më vonë u soll në Vlorë tek lulishtja që dikur ishte pronë e familjes Vlora. Atje ku është shtiza e flamurit ka qenë ballkoni ku ai u valëvit krenar mbas 5 shekujsh. Ka dhe një monument të madh gjithëpërfshirës. Por nuk ka një shtatore për të ashtu siç e ka lënë amanet Luigj Gurakuqi. Vlorën ai e ktheu në shenjtërore. Ai pati mbiemrin Vlora, ndaj nuk dihet se kush ia dha emrin njëri-tjetrit. Ndaj sot e kësaj dite, njerëzit këndojnë një këngë labe: “Moj Vlorë e bukur në gropë/Skelë e parë në Europë/ Të rri Kanina mbi kokë.” Kanina ngjizi jugun dhe veriun pesë shekuj më parë dhe nga kjo ngjizje do të rilindë përsëri Shqipëria, ashtu siç e tha vetë i madhi Ismail Bej Vlora se “dëshira e shqiptarëve ka qenë dhe është të mbrojnë atdheun e tyre duke shpëtuar trojet dhe kombësinë.” Në këtë amanet, ai duket sikur thotë: “Shpëtoni trojet! Kujdes Mitrovicën e Isa Boletinit!”

 

 

    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>