Shqiptarët fajësojnë Kuzhen: Ishte një sfidë katastrofë!

Filed under: Sport |

TIRANE-Astrit Hafizi, Sulejman Starova dhe Sulejman Demollari, tre nga trajnerët më të njohur shqiptarë, fajësojnë zgjedhjet e trajnerit Josip Kuzhe për disfatën 2-1 të pësuar dy net më parë në Luksemburg. Sipas tyre, është koha që të bëhet një analizë e thellë dhe që trajneri Josip Kuzhe të mbajë përgjegjësitë e tij.
Astrit Hafizi
Profesor, një humbje e rëndë dhe ndeshje e interpretuar keq…
Ne e nisëm takimin me tre sulmues, ndërkohë që në mesin e fushës ishin tre lojtarë që nuk mund të japin edhe aq shumë. Ata duhen respektuar për karrierën e tyre, por mendoj se zgjedhja e tyre ishte e gabuar. Ndërkohë në sulm kishim tre futbollistë, të cilët kanë karakteristika të njëjta. Gjithsesi, kjo është zgjidhje e trajnerit dhe përderisa ai vendosi kështu, duhet të mbajë përgjegjësitë. Sido që të luante, atë do ta shpëtonte fitorja.
Si e komentoni lënien në stol të dy lojtarëve si Bulku apo Hyka?
Për mendimin tim, një futbollist si Bulku duhej në fushë, sepse Lala ndoshta nuk i përballon dot dy ndeshje radhazi shumë të forta. Kishte një problem, nuk kuptohej se kush e mbështeste Lalën aty në qendër të mesfushës. Me Bulkun do ishte ndryshe. Lala e ka quajtur këtë takim një katastrofë taktike…
Kjo tregon se ekipi ka patur realisht probleme. Lala e vuajti vetë në mesfushë faktin që kishte dy futbollistë që nuk luajnë me ekipet e tyre dhe fjalët e tij flasin shumë. Ne duhet t’i kishim menduar më mirë gjërat për këtë takim, sepse nuk ishte një humbje me Bosnjen, Rumaninë apo Francën. Çdo trajner shqiptar do të kishte dhënë dorëheqjen pas një disfate të tillë. Ajo që pamë ishte e tmerrshme, një turp për ata që luajtën, por edhe trajneri ka përgje-gjësitë e veta.
Sulejman
Starova

Si do ta analizonte Starova disfatën me Luksemburgun?
Për mendimin tim, kjo ndeshje ka nevojë për një analizë të thellë. Kombëtarja jonë ka një tifozeri që është pak ndryshe, nuk është si e Gjermanisë apo e Italisë dhe ajo bën që ekipi të ketë një shpirt të lartë gare dhe një agresivitet të madh në fushë. Në këtë aspekt, për çdo trajner është një luks të drejtojë një kombëtare të tillë. Por, me ekipet e vogla, duhet të ndërtosh një skuadër që të dijë të sulmojë dhe të fitojë.
Si e konsideroni vendosjen taktike të skuadrës?
Unë pashë një ekip me tre sulmues, që kanë të njëjtat karakteristika. Salihi, Bogdani e Kapllani shpesh ziheshin me njëri-tjetrin kush të kapte topin që vinte nga Agolli apo gjëra të tilla. Ndërkohë që fare mirë, mund të ishin aktivizuar lojtarë si Bakaj, Hyka apo ndonjë tjetër, që janë pak ndryshe nga ata. Por, ne nuk kemi si ta bëjmë këtë, sepse ne në ndeshje miqësore synojmë rezultatet dhe nuk i provojmë lojtarët e rinj. Kemi parë në një ndeshje Skelën që i fashonin kokën për ta mbajtur 90 minuta në një miqësore. Pamë në mbrojtje Veliun, që edhe pse debutues, e sheh titullar.
Lala tha se ndeshja ishte një katastrofë…
Atëherë “no comment”. Kur kapiteni e thotë këtë, nuk ka nevojë për komente. Ndoshta Lala edhe mund të jetë mërzitur që nuk luajti me Francën si titullar, por fjala katastrofë është ajo që e përshkruan këtë humbje. Por, edhe fjalët e Dukës se 40 % e lojtarëve duhet të ikin, prekin edhe Lalën. Nuk i di arsyet e humbjes, dëgjova se ka patur sherr për shiritin e kapitenit…
Është folur edhe për një sherr para Francës, sepse lojtarë si Duro, kanë dashur të ishin në fushë patjetër, ndoshta edhe për të fituar një kontratë. Mendoni se ka klane në kombëtare?
Këtë nuk mund ta them se nuk e di, ju takon ju mediave ta zbuloni. Por, edhe mund të ketë dhe nuk është çudi, prandaj them që duhet të jetë një analizë e detajuar, sepse dikush flet për sulmin, dikush për mbrojtjen, dikush për mesfushën.
Demollari: Pas 10 vjetësh do na mundë dhe Andorra
Ish-trajneri i kombëtares shqiptare dhe një nga legjendat kuqezi Sulejman Demollari e ka quajtur ndeshjen e nervozizmit, atë të luajtur në Luksemburg të martën, ku Shqipëria u mund 2-0. Sipas tij, FSHF duhet të bëjë planifikime më afatgjata, pasi, trajnerët e huaj kanë dështuar. “Mendoj se ishte një ndeshje e interpretuar mjaft keq nga ana jonë dhe një ndeshje nervash më shumë sesa ndeshje e mirëfilltë, – thotë Demollari. – Pashë futbollistë shumë nervozë në fushën e lojës”, shton ai. Në lidhje me vendosjen taktike, Demollari shprehet: “Luajtëm me 3 sulmues, por që për fat të keq nuk i kam parë të luajnë në ndonjë ndeshje miqësore, në mënyrë që të ambientohen me njëri-tjetrin. Të gjithë trajnerët, Birçe, Bajko, Shyqyri Rreli, Hafizi, kanë bërë nga një ndeshje të madhe, siç po bëjnë trajnerët e huaj. Për mendimin tim ecet me strategji dhe me projekte. Ju duket çudi, por unë them se pas nja 10 vjetësh ne do na mundin edhe ekipe si Ishujt Faroe apo Andorra e këto”, deklaron Demollari.
Federata: Kuzhe nuk ikën, për rinovimin të shohim
Federata Shqiptare e Futbollit ka hedhur poshtë mundësinë e shkarkimit të trajnerit Josip Kuzhe kur kanë mbetur dy ndeshje nga fundi i eliminatoreve të Euro 2012. Por, sekretari i përgjithshëm i FSHF Eduard Prodani, ka hedhur dyshime të forta mbi rinovimin e kontratës së tij në muajin dhjetor. “Kuzhe nuk do të largohet, sepse nuk ia vlen ky ndryshim në këto momente, – tha ai. – Duhen bërë ndryshime që nga ndeshja me Francën. Pamë 4 lojtarë të mirë të Shpresave. Rinovim me Kuzhen? Të shohim”.

No related posts.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>