Seria A nis me “Show”, Lacio ndalon Milanin

Filed under: Sport |

Kampionati fillon me emocione dhe gola. Skuadra e Rejas barazon 2-2 në “San Siro”.Në fillim shënojnë Kloze e Sisë, por Ibra e Kasano fiksojnë rezultatin që në pjesën e parë

Barazim spektakolar në “San Siro” mes Milanit dhe Lacios në ditën e parë të kampionatit. Ndeshja është mbyllur në një barazim 2-2, ndërkohë që të gjithë golat janë realizuar gjatë pjesës së parë. Kanë qenë miqtë lacialë ata që kanë gjetur të parët golin që në minutën e 12-të me anë të gjermanit Kloze, ndërsa nëntë minuta më vonë është Sise ai që dyfishon shifrat.

Skuadra e Alegrit arrin të zgjohet pikërisht në minutën e 28-të me Ibrahimoviçin që ngushton diferencën në 2-1 ndërkohë që pesë minuta më vonë Kasano barazon rezultatin. Në këtë mënyrë ka nisur aventura e kuqezinjve në Serinë A, të cilët kanë ndjerë mungesën e disa lojtarëve si Robinjo apo Sedorf, duke qenë se Alegri ka menduar t’i ruajë për ndeshjen e javës së ardhshme në Champions kundër Barcelonës.

Tekniku italian ka kursyer edhe brazilianin Pato, duke e aktivizuar vetëm në minutat e fundit të takimit, ndërkohë që ka hedhur në sulm dyshen Kasano-Ibrahimoviç. Nga ana tjetër Reja i është kundërpërgjigjur me dyshen Kloze-Sise. Njëzet minutat e para kanë folur tërësisht për “bardhekaltrit”.

Fillimisht ka qenë Akuilani ai që nuk ka shfrytëzuar një rast të pastër për shënim, teksa gjuajtja e tij është pritur nga Bixarri. Pas këtij momenti loja flet tërësisht për miqtë. Në minutën e 12-të Kloze driblon Nestën në zonën e rreptësisë dhe mposht Abiatin duke shënuar, madje ky i fundit pretendon për një prekje të topit me dorë nga ana e gjermanit. Nëntë minuta më vonë Mauri kroson një top në zonë dhe Sise nuk gabon duke i dyfishuar shifrat.

Vetëm pak minuta më parë Gatuzo është detyruar të dalë nga fusha si pasojë e një dëmtimi pas një përplasjeje me Nestën duke ia lënë vendin Van Bomelit. Në minutën e 30-të Kasano dhuron një asist në zonë për Ibrën, i cili nuk gabon duke shënuar, ndërkohë që vetëm tre minuta më vonë është vetë barezi që barazon me kokë në 2-2. Në pjesën e dytë loja flet tërësisht për vendasit, të cilët rrezikojnë në minutën e 63-të me anë të Kasanos.

Një minutë më vonë është Boateng, që nuk shfrytëzon dot një asist të Kasanos. Noçeriro bën debutimin e tij me kuqezinjtë duke zënë vendin e Akuilanit. Skuadrat vazhdojnë të tregojnë shenja lodhjeje megjithëse Milani shfaqet sërish agresiv me Ibrën, gjuajtja e të cilit pritet nga Bixarri. Pas pesë minutave shtesë të akorduara nga gjyqtari takimi mbyllet në 2-2.

 

Milan

Alegri nuk mërzitet: Një reagim i shkëlqyer

Duket se barazimi 2-2 në debutimin e sezonit të ri e ka kënaqur Masimiliano Alegrin: “Një reagim i shkëlqyer”. Pas pikës së marrë kundër Lacios, edhe pse në disavantazh të dy golave, trajneri kuqezi është i kënaqur: “Në gjysmëorëshin e parë të ndeshjes vuajtëm kundër një Lacioje në formë të shkëlqyer, por djemtë më pëlqyen më pas. Tani mund të mendojmë vetëm për Barcelonën”, – tha Alegri.

 

Lacio

Reja i gëzuar: Jemi një ekip për vendet e para

Të marrësh një pikë në “San Siro”, kundër Milanit kampion akoma në fuëi, mund të konsiderohet një festë. Dhe kështu është edhe për trajnerin e Lacios, Edoardo Reja: “Jemi një skuadër që mund të luajmë për vendet e larta të renditjes”. Trajneri bardhekaltër ama ndien keqardhje për barazimin e vendësve: “Luajtëm 30-të minuta të shkëlqyera, por nëse vazhdojmë mbi këtë rrugë, do të ecim shumë mirë”.

No related posts.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>