Studiuesi i shquar Moikom Zeqo: “Jam në dijeni të një dorëshkrimi të panjohur të Migjenit”

Filed under: Intervistë |

”Unë jam në  dijeni të një dorëshkrimi të tij por nuk mund të them akoma se e kam gjetur dhe se është apo jo autentik. Kërkon një analizë të veçantë. Por gjatë viteve kam shënuar me kujdes faqet e disa librave që Migjeni ka lexuar në  frëngjisht të autorëve të mëdhenj ku ai ka bërë nënvizime dhe të tërë këtë material do ta botoj në  të ardhmen.”

Intervistoi: Anila Konomi

 

A. Konomi: – Libri juaj “Migjeni, arkitekti i nëndhëshëm i qiellit” është pritur mirë nga lexuesit. ka pasur një jehonë të veçantë në  mediet elektronike dhe në  shtypin e shkruar. Për të janë shkruar disa ese, recensione vlerësuese. Megjithatë mbeten disa pika jo thjesht për kuriozitet që mund të ndriçohen.  A mendoni ju se vlerësimi i Migjenit si shkrimtar pa paraardhës dhe pa pasardhës nuk do të ketë kontestime, nuk do të krijojë debat?

M. Zeqo: – Në  fakt do të dëshiroja pikërisht që libri im të bëhej një pikë inkandeshente e përplasjes së ideve dhe e debatit. E vërteta, siç ka thënë një filozof i vjetër, nuk është bija e simpatisë, por e debatit. Besoj se debati për Migjenin tregon potencialin e tij të jashtëzakonshëm krijues, shpreh faktin se ky autor madhor i letrave shqipe ka nevojë të studiohet më seriozisht, sipas një vizioni më universal. Nuk është e thënë që një libër të përmbyllë dhe të shterojë gjithçka. Qoftë dhe libri më i mirë në  botë. Kur një libër krijon premisat e një debati ai tregon se nuk është një libër i rëndomtë dhe i rastësishëm. Një libër që nuk ngjall asnjë interes është një i lindur i vdekur që në  fillim. Për Migjenin ka pasur mendime të kundërta, tepër përjashtuese. Për Migjenin janë shkruar shkrime dhe libra, janë bërë interpretime dogmatike, ose virtuale. Por, përgjithësisht vepra e Migjenit ka pasur një raport të dyshimtë me kritikën letrare, kjo gjë tregon se një shkrimtar i madh si Migjeni nuk mund të ketë një komoditet të plotë me kritikën letrare nëse niveli i saj është mediokër ose thjesht apologjik. janë tepër të mërzitshme komentet e komenteve që bëhen me pozitë dhe prozat e Migjenit, që kanë shpesh një karakter skolaresk ose didaktik të ulët. E meta kryesore e kritikës shqiptare lidhet me dimensionimin e mangët të Migjenit, duke mospërdorur shkallën e domosdoshme të krahasimtarisë brenda letërsisë shqipe e duke harruar atë me letërsinë evropiane dhe botërore. Pra, optika e vlerësimit të Migjenit vetvetiu është një premisë universale, shumë herë më e komplikuar dhe shumë e hapësirëshme dhe e shumëkohëshme sesa mund të mendohet në  mënyrë naive. Shpresoj që libri im për Migjenin të reflektojë pikërisht këtë reflektim, ose optikë që ka munguar në  studimet e mëparshme migjenologe.

A. Konomi: – Një bashkëkohës dhe studiues i Migjenit Lazër Radi ka botuar librin “Një verë me Migjenin”. Në  këtë libër ai jep kujtimet e tij vetjake gjatë takimeve me Migjenin në  Pukë. Në  faqen 231 të këtij libri Lazër Radi shkruan: “Moikom Zeqo mbetet i pari studiues që e konsideron Migjenin si ekzistencial dhe ndër të tjera thotë se origjinaliteti i Migjenit i artit ekzistencial është i pazëvendësueshëm në  çdo kohë”. Sa qëndron ky vlerësim  që artikulohet pa mëdyshje?

M. Zeqo: -   Është e vërtetë që unë e kam konsideruar artin e Migjenit si arti ekzistencial, por në  një kuptim më të përgjithshëm. Tërë arti letrar botëror e ka substancën e substancialitetit, pavarësisht shkollave, stileve etj. Ka një lloj gjeneralizimi në  formulimin e ekstencialitetit. Ajo që kam thënë unë për herë të parë si diçka e re lidhte me klasifikimin e artit të Migjenit me rrymën e fuqishme të ekspresionizmit evropian, ku Migjeni është një bashkëkohës i denjë, krahas Franc Kafkës, Giorg Traklit, Herman Broch-ut. Është hera e parë në  letërsinë shqipe që një shkrimtar shqiptar është bashkëkohës me një rrymë të madhe letrare. Gjon Buzuku e përktheu Biblën në shqip shumë vite më vonë se sa Martin Luteri në  Gjermanisht. Pjetër Budi dhe Pjetër Bogdani janë protagonistë të stilit barok evropian por të vonuar. De Rada dhe Naimi janë rilindës të mëdhenj të romantizmit shqiptar, gjithashtu të vonuar në  krahasim me romantizmin evropian. Lasgush Poradeci i shkruan poezitë e tij për liqenin si gati 100 vjet më vonë sesa kryevepra e poetit frëng Lamartin “Le lac” (Liqen). Pra, kemi një zhvillim atipik të letërsisë shqipe, pa dashur t’i mohojmë vlerat e saj. Shkrimtarët shqiptarë nuk kanë qenë asnjëherë në  kohësinë kalendarike të rrymave të mëdha letrare evropiane.  Përjashtim bën vetëm Migjeni.  Kjo mund të duket si një rastësi. Është një pikë reference e pakundërshtueshme dot. Nga ana tjetër nuk mund të bëj për shkak të këtij roli ekskluziv një ndarje formale midis ekspresionizmit migjenian dhe temës ekzistenciale. Një gjë e tillë nuk mund të bëhet realisht edhe për Franc Kafkën. Kjo për arsye se arti ka një karakter më të mirëfilltë sinkretik. Duhet të shpjegohem. Kohët e fundit kam lexuar një studim të një shkrimtari hebre Robert Zaretsky kushtuar Albert Kamysë. Ai shtjellon idenë se Albert Kamy si një nga princërit më të mëdhenj, në  mos më i shquari i ekzistencializmit evropian, është ndikuar nga ide themelore hebraike, talmudiste, të fatalitetit të absurdit. Në  traktatin e tij filozofik “Miti i Sizifit” Albert Kamy thotë këto fjalë si të derdhura në bronz: “Ka vetëm një të vërtetë të rëndësishme filozofike “vetëvrasja”. Të vendosësh nëse jeta është e vlefshme për t’u jetuar apo është e pavlefshme. Çdo gjë tjetër është një lojë fëmijësh. Që në  fillim ne duhet t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje: Ka kuptim apo nuk ka kuptim që të jetohet jeta”.

Është e habitshme që në  prozat e Migjenit, kryesisht te “Vetëvrasja e trumcakut” shtrohet e njëjta pyetje e ankthshme. Trumcaku i Migjenit bëhet kështu një metaforë e vetë Sizifit të Kamysë. Migjeni në  mënyrë alegorike por edhe fabuleske bën pyetjen se nëse jeta ekzistenciale nuk ka dinjitet njerëzor a është e pranueshme për ta jetuar atë, apo përkundrazi do të ishte së paku një shenjë e një mendimi më të mirë dhe më rebel, pra dhe më të denjë për ta sfiduar. Trumcaku i Migjenit ndodhet befas në  një peizazh surrealist ku ka drurë që ngjajnë me brirët dhe dhembët e shtazëve prehistorike. Të krijohet kështu ndjesia e një epoke tepër zanafillore sic është epoka e mamuthëve dhe e dinozaurëve, por që Migjeni e zhvendos me një shpejtësi marramendëse dhe të pabesueshme pikërisht në  sfondin e kohës së tij. Pra, zhvendosja e një peizazhi e barasvlershme me zhvendosjen e kohës së një historie të njerëzimit. Këtu spikat stili i tij i papërsëritshëm ekspresionist. Trumcaku, që në  këtë rast është vetë Migjeni rreket të arsyetojë. Ai arsyeton se natyra në  formë përbindëshore ka në  thelb një shpirt armiqësor ndaj krijesave delikate dhe të brishta. këto krijesa mund që të kenë dëshira për jetën. Por vdekja është e pamëshirshme, jo aq si një fund logjik i gjithë gjallesave, sesa si një realitet dhe sfond të një absurdi të mitizuar deri ku nuk mban më. Proza “Vetëvrasja e trumcakut” lidhet kështu jo vetëm me nocionin dhe thelbin e veprës së Albert Kamysë, por krijon një universalizim edhe tani 100 vjet pas vdekjes së Migjenit, pa u zbehur dhe pa humbur fuqinë anatemuese, ndoshta dhe për 100 vjetët që do të vijnë. Albert Kamy tregon se si rrëzohet përpara nesh besimi dhe sistemi i vlerave. Figura mitike e Sizifit i cili ngre gjithmonë një gur që rrokulliset, pra një perpetum mobile, është e krahasueshme me figurën biblike të Jobit. Është pikërisht Robert Jarecky i cili duke bërë këtë paralele midis Sizifit dhe Jobit tregon një lloj binjakërie për funksionin që ata kanë në  transedencë dhe në  kuptueshmëri. Të dy këto figura konfrontohen më tepër me iracionalitetin. Absurdi konceptohet më shumë nga njerëzit sesa nga vetë natyra. Natyra qoftë edhe ajo më absurdja nuk e ka të domosdoshme dhe të nevojshme vetëdijen e absurdit. Absurdi krijohet kur qeniet humane përpiqen të zgjidhin ekuacionin e enigmës. Nuk duhet harruar historia e Jobit në  njërin nga librat më të habitshëm të Biblës. Filozofi Hegel e ka quajtur librin e Jobit si një nga librat më të mëdhenj të njerëzimit. Zoti e vë në  provë Jobin dhe Jobi humbet gjithçka vetëm e vetëm që të mos mohojë Zotin. Shumë studiues autoritativ të Biblës janë shprehur se pjesa e fundit e librit të Jobit, ku Zoti e shpërblen këtë profet të vënë në  provë është më tepër një shtesë e mëvonshme për të justifikuar mungesën e shurdhërisë dhe indiferencës së Zotit. Pikërisht për këtë shurdhëri dhe indiferencë bën fjalë edhe Migjeni, jo vetëm te skica “Vetëvrasja e trumcakut” por edhe te një skicë e fragmentuar që quhet “Kënga e fundit e trumcakut”. Pra, ka një pikë takimi midis Migjenit dhe Kamysë. Interesante është që Kamyja kur ka lexuar Kafkën  e klasifikon krijimtarinë kafkiane në  mënyrë të dyfishtë si ekzistencialiste dhe surrealiste. Pika që e bashkon Kamynë me Kafkën është çështja dhe vetëdija e absurdit.

Kohët e fundit më ra në  dorë një libër i shkrimtarit Gustav Janouh, të quajtur “Dialogët me Kafkën”. Ky libër është botuar në  Frankfurt mbi Main në 1951. Janë dialogë të nxjerrë nga ditarët e Janouh-it. Ai ka qenë bashkëkohës i Kafkës dhe adhurues i tij. Duke lexuar këtë libër m’u krijua ndjesia e një mjedisi migjenian, pra shija migjeniane e jetës, me ngjashmëri si në  Shqipëri ashtu edhe në  Pragë, një botë e athët dhe e mjegullt, plot pasiguri dhe rebelim të fshehtë. Në  këtë libër gjeta diçka të çuditshme: Franc Kafka thotë shprehimisht: “Poeti sot jeton më keq se një njeri i zakonshëm, prandaj dhe e ndjen më shumë e më thellë se të tjerët peshën e rëndë të vuajtjeve të qenies tokësore. për poetin kënga, poezia është vetëm një ulërimë, një kujë. Për vetë artistin krijimtaria artistike është mundim, vuajtje që e shëron për të vuajtur përsëri. Artistik nuk është vigan, është vetëm një zog laraman i mbyllur në  kafazin e ekzistencës së vet”.

Të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një koment të Kafkës për prozën “Vetëvrasja e trumcakut” të Migjenit. Madje, edhe në  disa fragmente të tjera të librit të mësipërm Kafka e shtjellon figurën e zogut në  kafazin ekzistencial. Ai shprehet fjalë për fjalë: “Jam një zog i rrezikshëm. Kjo është vetëm pamja ime e jashtme. Në  realitet nuk i parapëlqej sendet që shkëlqejnë. Prandaj nuk kam pendë të bardha të ndritshme. Pendët e mia janë gri si hiri. Si zogut galë që i pëlqen shumë të fshihet midis gurëve”.  Çfarë përkimi i cuditshëm! Gjithsesi elemente të tilla që përftohen nga krahasimi i vëmendshëm nuk kanë karakter absolut dhe as janë identifikime të plota, por e krijojnë klimën e kuptimit të gjërave dhe kjo nuk është asnjëherë pak.

 

A. Konomi: – Është hera e parë që ju i nderuar Moikom e bëni një lidhje të tillë të Migjenit me Franc Kafkën. Kafka është një autor me famë botërore të jashtëzakonshme. Migjeni nuk e ka një famë të tillë të ngjashme. Kjo dhe për arsye se edhe përkthimet e veprës së Migjenit në  gjuhë të ndryshme të botës janë përcjellë me një cilësi të dobët dhe të pameritueshme. A jeni ju i bindur se krijimtaria e Migjenit mund të përfshihej në  një histori evropiane të ekspresionizmit? Pra, nëse do të kishte studiues seriozë jo vetëm shqiptarë po edhe të huaj që do të bindeshin për vlerat ekspresioniste të Migjenit a do të ishte e mundshme dhe e drejtë që Migjeni të ishte një protagonist i ekspresionizmit evropian?

M. Zeqo: – Unë mendoj se po. Së pari studimi duhet të vijë nga brenda. Pra, nga vetë shqiptarët. Gjithë debati do të çonte tek e vërteta e instancës së fundit. Pra, tek e pakundërshtueshmja. Pas kësaj do të ishte logjike që një histori e letërsisë shqipe me rolin ekskluziv të Migjenit të njihej nga dijetarët e huaj. Në  një kontur më të universalizuar letërsia ekspresioniste evropiane ka pasur ndikimet e saj në  të gjithë botën. ky ekspresionizëm ishte shumë herë më i rëndësishëm se rrymat e tjera, si fjala vjen konstruktivizmi apo dhe vetë surrealizmi. Me që ra fjala dua të shtoj një hollësi të dokumentuar. Në  shënimet e Migjenit del qartë se ai e ka lexuar librin e Robert Pelshesë dhe ka konspektuar frazat që lidhen me konstruktivizmin. Pra, vërtetohet që Migjeni ka lexuar diçka konkrete për konstruktivizmin. Konstruktivizmi është themeluar nga Viktor Tatlini dhe Aleksandër Rotçenko. Manifesti i konstruktivizmit është botuar për herë të parë në  vitin 1920. Motoja kryesore e konstruktivizmit është: “Arti mund të bazohet në  dy elemente që janë hapësira dhe koha, por vëllimi nuk është koncepti unik i hapësirës, sepse është më i shumëfishtë”.

Kështu, konstruktivizmi hedh poshtë artin imitues, idenë mimesis të Aristotelit. Grish për të kërkuar forma të tjera të artit. Piktori Kandinski në fillim fare ishte konstruktivit më pas u bë edhe futurist. Ne mund të paramendojmë se Migjeni ka pasur dijeni përveç konstruktivizmit edhe për futurizmin. Kështu, ai ka një frazë futuriste të pazakontë që është: “I idhtë është Dheu në  majën e gjuhës së Kozmosit”. Është e pamundur që një shikim i tillë metaforik të ishte jashtë bashkëkohësisë së futurizmit në atë lak kohor. Është e vërtetë që fragmentet mund të na japin ndjesinë e së tërës. Fragmentet janë si shenjat e gishtërinjve për kriminalistët që çojnë në identifikimin e njeriut që i përkasin shenjat e gishtërinjve. Kjo metodë e një lloj kriminalistike letrare mund të na bëjë ne që jo thjesht t’i japim fre imagjinatës por të krijojmë konstrukte logjike për të arritur në konkluzione të pranueshme dhe rrjedhimisht të vërtetueshme.

 

Interesante është që në  një nga letrat e tij Migjeni flet edhe për muzën artistike të Artur Rembosë, të Pol Verlenit, por nndër të tjera bën një dallim midis letërsisë së personazheve dhe letërsisë së ideve (dihet që Balzaku e ka botuar një ese të tij pikërisht për të bërë këtë dallim). Është befasuese që Migjeni citon Hegelin dhe nënvizon rolin e satirës si një lloj purgatori artistik dhe shoqëror. Këto janë referenca jo aq të thjeshta. Janë pika të kondensuara plot potencial kulturor. Ndër të tjera Migjeni shkruan për filozofin Shopenhauer, ashtu sic i ka kushtuar një ditiramb Nices. Në  prozën “Në  sezonën e mizave” Migjeni shkruan: “Por, sic tha Shopenhaueri, gëzimi asht vetë pushimi i shuar i dhimbjes, e cila shpejt do të vazhdojë”. Në një tjetër fragment letre Migjeni shpall se nuk është admirues i Shopenhauerit por e pëlqen stilin e tij. Në  librin e Gustav Janouh-it “Dialogët me Kafkën” është gjithashtu një mendim i njëjtë i Franc Kafkës, që thotë: “Shopenhaueri duhet lexuar vetëm për gjuhën e  veçantë që përdor”.  Më ka befasuar edhe një mendim tjetër i Franc Kafkës për rininë, që është gati migjenian. Kafka thotë: “Po ç’ka ndodhur sot me rininë? Ajo është miqësuar kaq shumë me të keqen. Njerëzit sot njohin vetëm pushtetin e së keqes. Pushtetin e rinisë e kanë harruar. Po ç’art mund të jetë ai, të cilit i mungon kulti i besimit të rinisë?”. Lidhja duket e shkurtër. E padyshimtë. Le të kujtojmë vargun migjenian “Qeshu rini qeshu, bota është e jote”.  Migjeni e ka një parandjenjë ose një futurologji humaniste pa pretenduar një mesianizëm. Ai e di mirë se struktura shoqërore e shoqërisë është një strukturë dhune. Historia është një shumëfishim krizash në  pambarim. Pa dashur të shkruajë një utopi negative të llojit të Zamiatinit apo të Oruellit për një të ardhme në  formën e një inxhinierie sociale të parapërcaktuar (ide këto që historia vërtetoi në  formën e totalitarizmit nazist dhe komunist). Migjeni në  “Novelë mbi krizë” flet për një shoqëri problematike të Shtetit X. Kriza ka pjellë rebelim, mjegull idesh. Por Paria e Shtetit X nëpërmjet  kompromiseve arriti të programojë një inxhinieri të fabrikuar për mendjet e njerëzve që ata të harrojnë edhe krizën edhe rebelimin. Fjala është për një propagandë (në kohën që shkruante Migjeni propaganda gebelsiane ishte një mitizim i llahtarshëm) dhe për një art sub-kulturë për të qetësuar dhe trullosur masat njerëzore (një lloj varianti tjetër i sentencës romake “pane et circen”). Migjeni nënvizon “Për një kohë të shkurtër ndërroi faqen Shteti X. Arti i frymëzuem dhe i punuem mbas recetave të Parisë e shndërroi vendin në  një muzeum artistik. Ishte triumfi i recetës. Ose triumfi i artit me qëllim… Kur ndërroi faqen Shteti, zunë të shndërrojnë trajta dhe shpirti i nënshtetasve. Shpirti dikur pëllumb ishte bamë skyfter, e tash u ba prapë pëllumb”. Kjo prozë e pabesueshme jo vetëm për kohën e hershme, por tepër e thekshme dhe e rezikshme për kohën e sotme duhet cilësuar si një nga ftillëzimet e një utopie të një negativiteti që jo vetëm që mund të ndodhë por në  shumë aspekte edhe ka ndodhur. Në  një nga librat e filozofit Karl Popper flitet për manipulimin e medieve të imazhit, për një recetë të rregulluar nga sipër të Perandorisë së imazheve për t’i robëruar mendjet dyshuese të njerëzve, më saktë për të krijuar një njerëzim të klonuar. Kjo është dhe teza e filozofit francez Brodiard, i cili në  kryeveprëne  tij të quajtur “Simulacrum” shtron problemin e manipulimit të qenies njerëzore deri në  atë pikë sa mund të cojë drejt shndërrimit të saj në  një kopje të kopjeve, duke humbur individualitetin dhe sidomos sensin e dyshimit për të vërtetën dhe gënjeshtrën. Metafora e Migjenit e shndërrimit të shpirtit nga pëllëmb në  skifter dhe nga skifter përsëri në  pëllumb është pikërisht strategjia e manipulimit. Kjo strategji ka rrezikshmëri por nuk ka një siguri absolute. Pra, vetvetiu është brenda substancës pikëpyetja dhe kryengritja mendore. Migjeni e mbyll prozën e tij për Shtetin X në  mënyrë të çuditshme. Një ditë, në  podium të një monumenti, që parafytyron gruan shtatzënë, një lyps dhe një lypse lindin një djalë. (Ma vonë legjenda thoshte se u lind nga monumenti i gruas shtatzanë). Dhe ky djalë, kur u rrit, u ba i marrë për njerëzit e klasës së vet. E mbajshin për të çmendun, se nuk diti me e thanë asnjë lavd për monumentet e shumta, por gjithmonë, kur ishte fjala për art, rrudhte ftyrën e kafshonte buzën me dhambë. E vërteta asht se mendimet e tij ishin të errëta. Një qëllim i mfsheftë në  brendinë e tij priste të shpallet me gjithë fuqitë e zhgatërruese. Dhe në  një mëngjes nuk zbardhën ma monumentat… ose zbardhën, por të thuem, të coptuem, të grimcuem. Duer, kambë, krena, hundë, gjoksa, barqe, të gjitha prej gurit, mbasi kishin fluturuer në  ajër kishin gjet qetësi në  tokë dhe kishin varrosë një tufë… (jo lule!) lypsa, dhe një milionë… (jo buaj!) berre që kullosun nëpër këmisha të ndyta. Te gërmadhat e monumentit të dashnisë vëllazënore, vdiste djaloshi zhgatërrimtar. E kishte mbërritë lunch-i i lypësave të cilët, po sa u shëmbën monumentet, u lëshuan si ujqit me brinjë të thamë nga uja”.

 

 

A. Konomi: – Duket që ju i nderuar Moikom po hidhni dritë në  ide dhe fragmente të veprës së Migjenit që nuk janë vërejtur më parë nga kritika letrare. A janë shteruese këto zbulime, apo mbetet akoma për të bërë në  të ardhmen?

M. Zeqo: – E kam nënvizuar se sapo ka filluar leximi i ri i veprës së Migjenit. Dhe kjo është diçka e vërtetueshme tashmë. Nuk besoj se ka zbulime tërësisht shteruese, por ama japin shijen e vërtetë të kuptueshmërisë së gjërave. Në  rrafshin ideor për shkak të kompleksitetit dhe të kulturës së ndërlikuar të Migjenit kërkimi mund të jetë më i suksesshëm, për të zbërthyer motivet, për të përcaktuar formimin kulturologjik të tij. Kjo mund të bëhet më lehtë. Migjeni ka një formim kulturor universal. Ai ka një formim biblik dhe teologjik por edhe një formim letrar dhe filozofik. Ai i përmend disa nga këto gremça fjalësh, ose fjalësh kyçe që e çojnë lexuesin në  epoka të ndryshme dhe në  kryevepra të botës. Kështu një frazë e Migjenit “Njerëzit e vegjël si liluputanët nën shalët e Guliverit” të informon se ai e ka njohur kryeveprën nga më të mëdhatë dhe nga më konceptualet në  histori të Xhonatan Suiftit. Dhe kjo nuk është pak. Ai citon në frëngjisht Blez Paskalin, përmend mbretëreshën Katerina të Suedisë (më saktë filmin për të ku luan e pazëvendësueshmja dhe enigmatikja Greta Garbo) citon fjalën greke “Eureka” të Arkimedit, di për lychimet raciste që ndodhën në  botë në  atë kohë, flet për një boksier të famshëm italian të kohës siç është  Pjerr Karrnerë di për teorinë e dekadencës së Shplengerit. në  shënimet e librave që ka lexuar Migjeni konspekton Hygoin, Dostojevskin, Tagorën, Robert Pelshenë etj. Ai i njeh doktrinat e reja moderne të politikës dhe të ekonomisë. Ja çthotë ai te proza “Studenti në shtëpi”: “Nushi (personazhi kryesor i tregimit) arsyetonte në  vetvete pak më ekstremist, pak ma majtas – s’u kishte për t’u thanë në  gjuhë të sotme… Nuk ishte qejf t’anojë kaq shumë në  anë të doktrinave të reja materialiste dhe t’u api kaq të drejtë: si, p.sh., me thanë se nuk ekziston familja ideale dhe as dashuninat, të cilat i quajmë ma të sinqerta, e janë vetëm korespondim i përshtatëm i interesave materiale ose fizike”.

Në  një tjetër prozë të shkëlqyer “Në  sezonën e mizave” personazhi filozofon për mizat. Kjo prozë mua më kujton një poezi të njohur të Artur Rembosë që ka gati të njëjtin subjekt: një mizë në  dyllin e qiririt të kishës. Ironia bëhet e pakufishme. Migjeni thotë: “Ku janë kompetentët? Njerëzit që marrin rrogat për mizat, ku janë? Deputetët ç’ka bajnë? Mizat u bënë stolia e vetme e qyteteve tona!”.

Kritika sociale ka gjithmonë një optikë estetike. Alegoria dhe metaforizmi i mprehtë dhe i shumëfishtë lëvizin kudo në  të gjitha pikat. Në të gjitha fjalët. Përcaktojnë kuptimet.

 

A. Konomi: – A mund të ketë tekste të panjohura akoma të Migjenit apo ndonjë relike tjetër që i përket atij?

M. Zeqo: – Edhe mundet të ketë. Unë jam në  dijeni të një dorëshkrimi të tij por nuk mund të them akoma se e kam gjetur dhe se është apo jo autentik. Kërkon një analizë të veçantë. Por gjatë viteve kam shënuar me kujdes faqet e disa librave që Migjeni ka lexuar në  frëngjisht të autorëve të mëdhenj ku ai ka bërë nënvizime dhe të tërë këtë material do ta botoj në  të ardhmen. Ajo që më gëzon është që migjeniologjia po merr jetë. Po bëhet shkencore. Një nga librat e mirë në  këtë drejtim është libri i Dr. Anastas Kapuranit për Migjenin, i cili i bën një qasje filozofike të krijimtarisë së Migjenit, sipas koncepteve hajdegeriane. Ese gjithashtu të guximshme për Migjenin ka shkruar edhe Idlir Hazisi. Por jam i bindur që në  të ardhmen do të shkruhet shumë më tepër dhe substancialisht shumë më shkencërisht dhe më mirë.

 

A. Konomi: Dhe së fundi, cfarë mendoni ju se mund të bëhet për të respektuar dhe vlerësuar siç duhet emrin e Migjenit në  Shqipëri?

M. Zeqo: – Absolutisht mund të bëhen shumë gjëra. Së pari duhet bërë botimi akademik i hollësishëm dhe rigoroz i teksteve të tij. Kam parë që dorëshkrimet e Migjenit ka probleme të transkriptimit dhe transliterimit në  raste të veçanta. Në  këtë hulli duhen botuar edhe të gjitha shënimet që ka lënë ai me dorën e vet në  disa gjuhë të huaja për librat që ka lexuar. Duhen botuar pa përjashtim të tërë dokumentet që lidhen me arsimimin e tij në  Manastir, por edhe si mësues në  arsimin shqiptar deri sa mbylli sytë. Nuk duhen përjashtuar as aspektet e imazhit, pra fotografitë si element dokumentar i klasit të parë. Ndoshta duhet ribërë përsëri shtëpia muze e Migjenit, qoftë edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, në  Tiranë, por më e mira do të ishte ajo më e kuptueshmja dhe më logjikja, në  Shkodër. Do të ishte në  nderin e Shqipërisë që në  një nga sheshet e kryeqytetit shqiptar të bëhej nj shtatore e madhe bronzi me nivel dhe sharm estetik i Migjenit. Mbas gjithë këtyre duhet bërë ajo që është më e epërmja dhe më e zakonshmja: leximi dhe kuptimi i veprës migjeniane.

Faleminderit!

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>