K A Ç U R E L A T E Z I N J
Tregim nga Bedri Çoku
… Zakonisht, buzëmbrëmjeve, kur nga rruga e Madhe ose tej nga fusha dëgjoheshin zërat e rëxhasur apo kumbues të barinjve dhe bareshave, të cilët thërrisnin njeri – tjetrin për t’u kthyer në shtëpi , papritur, rrugicave ngrihej një pluhur i bardhë, si tush merimangash që e zbërdhulte qiellin : bagëtitë hynin në fshat..Pastaj, djemtë barinj shkonin për t’u argëtuar nëpër vendet e ngritura e të gjelbëruara, për shembull, nën rrapin e madh apo evgjerin e moçëm, në atë kohë, pra, kur dielli sapo perëndonte prapa maleve….Tisi i mbrëmjes i tërhiqte të rinjtë me tepër nëpër vendet e hapura, ku qielli i bruzte prafullonte me xixa të argjendta….njeri prej të cilëve ishte edhe “Sopi i çunave”, që argalisej shpesh nga bisedat e shakat e tyre.
Anastasi, një alamet djali, trupmadh e me këmbë të gjata, dilte në krye të shokëve e këpuste dokrra, hapte këmbët dhe lëvizte duart si një i dehur nëpër dasma…thyente gjunjët, lakonte trupin, duke bërë kollotumba në tokë. Të gjithë kënaqeshin me të. Por e ndjenin veten ngushtë kur ai i ftonte, një nga një, për të provuar fuqinë e trupit me sportin me të pëlqyer për ta, mundjen. S’ia mbante asnjërit. E kishin provuar dhe kishin ngrënë dhe` me grushte. Vetëm Shabani i bënte ballë atij, bariu i fshatit. Ky ishte pak me i shkurtër nga Anastasi, por i ngjeshur në trup, i shkathtë e muskulor. Në qoftë se me të tjerët e fillonte mundjen shtrirë, me Shabanin ngrihej në këmbë dhe mbërthehej belazi. Peshën e trupit e kishin gati të barabartë ( Ç’ishte një kile më shumë a një më pak ! )… Megjithatë, Shabanin s’e ngrinte dot havadan. Madje tërbohej, ngaqë s’e mbërthente dot as “lakthi”. Por ç’ bënte ? Djersinte, djersinte….derisa pranonte që të mundeshin përsëri të nesërmen !
Mirëpo, erdhi një ditë që Anastasi e mundi Shabanin. Të gjithë u habiten se si ia “përlau” krahun e fuqishëm e, sa hap e mbyll sytë, e hodhi me shpinë në tokë. Aty, pastaj, u përpoqën një copë herë fuqishëm, por Shabani u dorëzua, ngaqë s’mundi ta shpëtonte “krahun e zënë rob”, të cilin Anastasi ia “kollofiti” pak e nga pak nën vete. Si e bëri atë ? Kush ia mësoi taktikën ?
A e dini ç’kishte ndodhur ? Çfarë u tregoi ai shokëve?
Ngaqë shkonte çdo të shtunë në Korçë me të atin, për të blerë a për të shitur, një ditë pyeti ku stërviteshin mundësit dhe mësoi se ku ndodhej palestra e qytetit. Atje pa sportistët si mundeshin me njeri- tjetrin dhe mësoi prej tyre disa manovrime. Një nga të cilat përdori edhe me Shabanin.
Mirëpo, kjo punë s’u mbyll me aq. Sepse pas ca ditësh Shabani me tifozët e tij i kërkuan revansh. Madje, hapen fjalë, gjoja, se edhe Shabani i kishte mësuar manovrat e mundësve të Korçës. Prandaj djemtë e burrat u mblodhën për të parë këtë ndeshje “ bajlozësh” në numër më shumë se herë të tjera. Domosdo, më të shumtët ishin nga të Anastasit, sepse ai kishte fituar një herë, madje me bujë të madhe. Por, edhe nga të Shabanit numëroheshin goxha. Kështu që, ndeshja filloi, por, për çudinë e të gjithëve, s’ndodhi ajo që pritej : asnjëri, as tjetri s’ i afrohej kundërshtarit për ta mbërthyer nga beli, apo për t’ia kapur krahun. Vinin vërdallë, kërcënonin, përplaseshin e prapë largoheshin.
Vazhduan kështu një copë herë, derisa tifozët e të dy palëve filluan t’i gërgisnin e t’i tallnin, me qëllimin e vetëm për t’i nxitur e nevrikosur që të sulmonin njeri-tjetrin vrullshëm. Por më kot. Asnjeri nuk sulmonte drejtpërdrejt. Dredhaleshin.
Tifozët u mërziten me këtë mundje, si gjelat. Por ç’të bënin ? Më në fund e zgjidhi njëri nga burrat e fshatit. Ai u tha mundësve :
- Dëgjoni këtu, o trima !…Kështu s’iu durojmë dot më !…Tani do të ndesheni vetëm me një kusht. Kushti është ky : Ai që do të fitojë, do të këtë të drejtë të marrë për nuse çupën më të bukur të fshatit,…Lenën e bukur!
- Bravooo !..Tamam, tamaaam….Pooooo..
- Ashtu të bëhet ! Ashtuuu…
Brohoritën të gjithë me një zë.
* *
*
Lenka e bukur !….Oh, sa ishin përpjekur djemuria e fshatit që ta fusnin në dorë, por ajo i godiste me pëllëmbë dhe ata iknin me bisht ndër shalë. Vetëm Anastasi s’e kishte ndjekur ndonjëherë nga prapa, përkundrazi, e mbronte, madje ndalonte edhe shokët të flisnin keq për të. Jo vetëm kaq. Po të shihte ndonjë çun rrotull shtëpisë së saj, e thërriste dhe i thoshte :
- Dëgjo, byrazer, mos më rri gjithë ditën në majë të sopit, si korrocakët e kënetës se Vloçishtit, në majë të lundrës. Ik ! Zhduku!…Shko kullot në çairin tënd! …S’është turbulluar ujë ende…Ja, edhe u turbullua, si thua zotrote, ne, këtej, në çairin tonë, do të rrimë duarkryq ?..Ik, o njeri, sa s’ka perënduar dielli dhe xhindrit s’kanë dalë ala`, ndryshe, do të hash dru si në bostan të mullixhiut…
Ata që e dinin cili ishte Anastasi, iknin…largoheshin e s’ktheheshin më, por ja, kishte edhe që e dinin ç’i priste, megjithatë, e pranonin me kënaqësi një dru të mirë, siç i thonë, “nga sevdaja e gocës”…
Anastasi e kishte shtëpinë afër me të Lenës. Ishin rritur bashkë. Edhe në shkollë kishin shkuar bashkë…
Ajo e priste gjithmonë, mu tek lesa e oborrit. Ndërsa, kur ai vonohej, nxënësja me gërsheta kthehej në shtëpi, për të marrë diçka që gjame e harronte. S’ikte asnjëherë pa Anastasin. Ndihej e gëzuar dhe e qetë, kur e bënte rrugën me të. Njëherë, sepse çunat e fshatit s’guxonin t’i binin në qafë, e dyta, kur binte shi e përroi tek mulliri i xha Nikos, mbushej me llohë e driza të shkulura nga vërshimi i ujit, ajo s’e kapërcente dot. Hipte në kurrizin e tij për të kaluar përmatanë. Pastaj, nxirrte nga çanta e librave shaminë e dorës dhe ia pastronte faqet, gushën, ballin, sytë, të stërpikur nga ujë i turbullt i përroit.
Nganjëherë, ai bëhej vetë pis, si e si që ajo të përkujdesej më tepër….
- Oh, Tasi, sa je fëlliqur ! – i thoshte…Dale, të të fshij pak se është turp të shkosh kështu në klasë…
- S’ka gjë, s’ka gjë….S’kam turp! – përgjigjej ai dhe bënte të ikte.
- Ua, pse kështu do të …
- Pse kush më qesh mua? Kujt ia mban të qeshet me mua?
E vazhdonte rrugën. Por Lenës s’i vinte hiç mirë që ai e kishte fytyrën të fëlliqur me baltë. E shihte me bisht të syrit dhe gati të qante, ngaqë ai s’e linte ta pastronte. E, kur s’ia arrinte me të lutura e lot, inatosej dhe merrte baltë në dorë :
- Tasi, për kokën e babës, po s’e hoqe baltën nga fytyra jote, do ta bëj edhe unë timen…Ja, kështu !
Mbushte dorën plot dhe e afronte në fytyrë. Çunit i vinte keq që në fytyrën e saj të binte qoftë edhe një gjethe trëndafili, e lejonte. Përkulej paksa, sepse ishte i gjatë dhe ajo e gëzuar e pastronte..
- Ka edhe pak… edhe pak…
I thoshte, ngaqë ai ngrinte kokën lartë. Por ajo e mbërthente fort nga leshrat kaçurrela dhe ia ulte me zor.
- Jo, Tasi, me qafsh…ka edhe pak..mos ik!
E tërhiqte e nevrikosur deri sa ia bënte faqet flakë nga të fërkuarit….
Ata takoheshin edhe pasdite. Lena i ruante delet me të Anastasit, veçmas nga të tjerët, në çairin e xhaxhait të saj. Nuk i çonin më në fushë, sepse atje s’kishte më aq bar. Aty, tek çairi i xhaxhait kishte shumë, ndërsa pak më tutje, në të djathtë, mbulonin ferra e driza që dendësoheshin afër pyllit. Por andej s’ua mbante të shkonin se thoshin që kishte ujqër e çakej. Në verë rrinin nën një skuriqe me dega, të cilën e sajonte vetë Anastasi për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit. Ndërsa në dimër futeshin në zgërbonjën e një lisi të plakur. Hapësirën e zgjeronin pak e nga pak me thika e sqepar, poshtë shtronin kashtë nga gruri i ri. Aty rrinin, mësonin dhe bënin detyrat e shtëpisë. Lena ishte e zgjuar, mësonte shpejtë, por asnjëherë s’e tregonte veten më të ditur. Edhe për detyrat e matematikës, gjame pyeste atë, por i zgjidhte vetë. Ndërsa ai i shiste mend. I thoshte se po të mos ishte ndihma e tij, me siguri ajo mbeste në klasë. Lena qeshte, ulte kokën dhe e dëgjonte sikur të ishte një nuse e urtë, e bindur.
Sa kohë që binte shi, ata rrinin në strofull. Aty, Anastasit s’i ndihej zëri. Rrinte urtë. Sepse kështu i thoshte ajo, të mos lëvizte, të mos i afrohej e ta prekte me dorë, ndryshe bënte mëkat. I tregonte një histori nga të gjyshes, për një djalë e një vajzë, të fejuar, që po udhëtonin së bashku dhe i zuri nata në rrugë. Ishin futur në një zgarbull lisi, njëlloj si e tyre dhe gjatë natës, djali iu afrua vajzës, e preku dhe donte ta..ta..( Lena zinte gojën me dorë dhe bënte kryqin). Ajo i qe lutur Zotit ta ndihmonte dhe Ai e ndihmoi: dërgoi një rrufe shpejt e shpejt nga qielli dhe ia përvëloi duart djalit…
Anastasi, atëherë, trembëdhjetë vjeç djalë, kukohej nga frika dhe s’guxonte të hapte gojën…
* * *
…Por, kur mbaruan shkollën shtatëvjeçare, ata u ndanë, s’i lanë më bashkë. Ndodhi, ngaqë Lena, ndryshe nga moshataret, hodhi trup, u bë e bukur, e kolme. Ata të shtëpisë kishin merak t’i linin delet tani me të Anastasit, prandaj Lena u detyrua t’i kulloste vetëm në çaire. Por edhe Anastasi u bë gjithë ai djalë. Sa shikonte Lenën, skuqej. I buzëqeshte nga larg dhe ajo ia bënte me dorë. Po ç’ishin ato shenja para atyre që ai ndiente dhe dëshironte për të? Asgjë. E mbyste malli dhe psherëtinte për shoqërinë e parë. Të ishte e vërtetë , vallë, se Lena s’i përkiste më atij? Që ata të dy s’do të rrinin më bashkë, si dikur ? Po ajo me kë llafosej e argëtohej tani ? Si e kalonte kohën ? Ku i gjente kaçurrelat e zinj për t’i shkulur kur zemërohej? A e merrte malli për të ? Nëse po, si ia bënte? E merrte vërtet ?…
…Edhe Lëna digjej e përvëlohej për shoqërinë e parë, por…s’ia thoshte dot njeriut. S’e linin të dilte e të argëtohej si më parë, me çupat e çunat e fshatit. Prandaj ajo thërriste dashin e zi, që i kishte leshrat dredha-dredha, si të Anastasit dhe e përkëdhelte, i fliste, i jepte bukë, djathë, byrek…Mbushte duart me ujë që ai të pinte e të pinte …pastaj t’ia lëpinte gishtërinjtë e hollë e të bardhë…
- Tasi, mos u mërzit… Unë të dua…të kam xhan, por…s’ta them dot…
I thoshte, kur ai fuste kokën poshtë, nën fustanin e saj dhe ajo ia largonte. Ai prapë ngulmonte që të futej mes këmbëve, por hante shuplaka… Megjithatë, ajo kënaqej kur e shtypte hundën me të tijën dhe ia thithte grahmën e frymës…
Përditë e thërriste ajo, i fliste, e ushqente… e përqafonte … e donte më shumë….Deri sa erdhi çasti që leshraziu filloi të gërryente dheun para se t’i afrohej…dhe tundte bishtin shpejt e shpejt, duke përveshur buzët që i kullonin nga jargët mes dhëmbëve të vegjël, si sharrë.
Por Lenës nuk i vinte mirë që ai bënte ashtu. Shtrinte dorën përpara vetëm me bar, jo si më parë, me bukë e djathë dhe i lutej:
- Haje, zemër…Bari është i shijshëm…Buka e djathi të bëjnë qullamac…
Mirëpo, kafsha afrohej ngadalë, me naze, hidhte vickla dhe copa dheu mbi kurriz. Lena ia mbërthente leshrat e zinj gjithë inat dhe e godiste me grushte.
- Na, kështu e do ti…djalë i keq !…
Ai kënaqej dhe fuste noçkat nën fustan e saj, i gjezdiste nëpër kofshët e bardha, por vetëm për aq kohë sa ajo do t’ia tërhiqte leshrat me forcë. Kurse ai s’pyeste për të ngrënë. E shkelte barin me këmbë. Donte vetëm të argalisej me pulpat, t’ i lëpinte e t’i lagte me lëngun e buzëve të shkumëzuara…Por, ama, jo egërsisht. Lena mërzitej që ai sillej aq urtë. S’e donte ashtu. E godiste prapë me pëllëmbë në faqe dhe i bërtiste:
- Budalla, pse kaq të urtë janë burrat ?
E mbërthente nga brirët dhe e shkullonte me forcë. E godiste që ai të nxehej. Të egërsohej. …Deri sa ndjente mes kofshëve noçkat e tij të nxehta…
Ia shtrëngonte leshrat fort, fort, që ai t’i hynte i tëri nën fustan e… ta rrëzonte në kurriz.; ta shtypte në bark, në kofshët e buta, ndërkohë që jargët t’ i binin vu e vu, duke ia jargavitur krahët, gjoksin, gushën…
Vajza çoç ndjente kur ndodhej nën peshën e tij dhe fytyrën e ngjishte mes kaçurrelave të zinj, ia puthte tureçkat e trasha , deri sa grahma e barit të njomë që dilte nga buzët e tij, e dehte përfundimisht….
* * *
…Një ditë, teksa Anastasi kthehej nga Korça me të atin , veshur e ngjeshur si një dhëndurë, me cullufet e zeza të varura mbi ballë si xhufka manari, qullur në djersë, vuri re që Lena rrinte në kopsht, duke qëndisur nën një tendë degësh, dinga me mollë. Trupi i mori të dridhura. Sa e bukur ishte bërë dreqi tani që s’rrinte më me të ! Po pse nuk e ngrinte kokën, xhanëm, të hidhte sytë nga ai ? Sepse kot ajo s’kishte dalë aty, fshehurazi nga të shtëpisë ? Mu tamam afër gardhit që puqej me të tijin. Me siguri do ta dinte që ai kishte shkuar në Korçë dhe kthehej atë ditë…
- O tatë, i tha djali të atit, unë po shkoj pak deri tek orvatet… Dua të shikoj ca leqe që i ngreha mbrëmë… e po kthehem përnjëherë…
- Ik, or bir…Kush të ka penguar ? S’të kam vajzë që të të hajë syri i botës…
Djali priti sa tata mori kthesën për në shtëpi, u afrua përnjëherë tek gardhi i bahçes, ku ndodhej Lena. Zemra i përpëlitej si zog i therur. Ecte apo qëndronte ?!!… Aq shumë i dridheshin gjunjët. A do ta kalonte, vallë, kapërcyellin që e ndante nga ajo ? Dy herë e hodhi këmbën në bigaçen e tij dhe dy herë s’e ngjiti dot. Se si e pësoi ashtu djali më i fuqishëm i fshatit, sikur të ishte një ngordhalaq ?!. Lena e pa dhe u ngrit përnjëherë në këmbë. Rënkoi. …
“Oh, moj e bukura e dynjasë !….Mjerë unë, si u bllokova kështu…!”
Ajo shqeu sytë, por nuk bëri asnjë çap përpara. Ama, sikur donte t’i thoshte:
“Eja, eja, Tasi,..se për ty kam dalë!”.
Ai luftonte me vetveten. S’i punonin këmbët. S’ lëvizte dot. Ofshante. Atëherë, ajo iu afrua gardhit me sytë tek ai.
“Ah, moj Lena… Po ç’kam kështu unë i ziu !?”
Ajo shtriu dorën drejt tij, për ta arrirë. Dhe ai, hopa, e kaloi njërën bigaçe..
”Erdha Lena, erdha..!”
Ajo zgjati prapë gishtat për ta prekur
”Po hajde, mor Tasi, hajde, të shkretën!”
…Që të kalonte edhe bigaçen e dytë…
Sapo kaloi edhe të tretën, ai u rrëzua përmatanë gardhit…
- Lenaaaa ! – thirri ai.
- Hauuuu !- ia bëri ajo dhe e mbërtheu nga kaçurrelat e zinj.
E tërhoqi fort nga vetja. Ai i pushtoi këmbët, belin, pastaj u përpoq deri sa u ngrit në gjunjë. E kapi në mes dhe …hopa, u ngrit në këmbë. E puthi në gushë, në qafë, në fytyrë… E shtrëngoi fort pas vetes…Por Lenën e mbyti era e djersës dhe e grahma e frymës së tij. Klithi, sapo ai e puthi në buzë. E qëlloi me pëllëmbë dhe iku….E la atë të tronditur teksa shikonte fytyrën e saj të deformuar prej neverisë. Ai bëri ta kap përsëri .. por…ah!… Në vend të saj ai kapi vetëm degët e mollëve plot me gjethe e fruta të papjekura….
* * *
…Ndërsa djemtë vazhdonin ende të rrokeshin egërsisht për Lenën e bukur, tifozët thërrisnin sa u hante lëfyti.
- Jepi Tasi ! Mos e humb Lenën !…
- Forca Shaban !…Edhe pak…lum ti pastaj !…
Dikush këndonte :
Ti, o trim, që zbret nga mali
Merre vajzën që ta fali
Nuk e mbante dot ai
Bubu !..turp i zi.
Nuk e mbante dot ai
Bubu !…turp i zi…
..Ata ishin shembur në tokë, gjithë djersë e pluhur dhe tërhiqnin me forcë trupin e bukur e të brishtë të vajzës. Shabani luftonte me shpirt ndër dhëmbë që nusja e tij e ardhshme të ishte “E bukura e Dynjasë”.
Kurse Anastasi vdiste para se të dorëzonte Lenën e tij të dashur.
Dhe lufta vazhdonte e fortë e burrërore.
Por a ka forcë në Botë të mposht njeriun që dashuron ?
FUND 1976
PS. Me këtë tregim kam fituar konkursin letrar në burgun e Burrelit…dhe një kg. duhan Shkodre.
Shkrime të ngjashme: