NËN MULOJCËN E LIBRIT PËR FËMIJË.Nga Miranda Haxhia

Filed under: Letërsi |

NËN MULOJCËN E LIBRIT PËR FËMIJË

Miranda Haxhia

Letërsia për fëmijë është më shumë një zonë e minuar, të  cilën po shkele pa patur njohuri për minat, mbetesh i gjymtuar. Libri për fëmijë është shumë larg konceptit të ngjashëm me një bombone apo karamele për të gënjyer moshën  fëminore. Keqkuptimi më i madh i atyre që provojnë të shkruajnë letërsi për fëmijë është se shkruajnë këtë lloj letërsie (Nëse e quajmë kështu!) në periudhën e “pubertetit” të krijimtarisë së tyre letrare. E përdorin si një lloj praktike për të forcuar penën e për të vazhduar më tej në fushën e të rriturve, apo krijimtarisë që të bën shkrimtar “serioz”. E thënë qartë, dhe e kuptuar keq, letërisa për fëmijë është një nga aventurat e paarritshme, së cilave u kanë rrëshqitur me dredhi shumë krijues të saj. Ashtu si nuk ka shkolla të vërteta ku njeriu merr diplomë maturie për edukimin dhe rritjen e fëmijëve, po ashtu nuk ka shkolla të vërteta, ku shkrimtari të specifikohet në letërsinë për fëmijë. Mençuria dhe largpamësia e shkrimtarit për fëmijë është që të punojë shumë, në shumë drejtime dhe të shkelë  në të gjitha fushat ku shkel mosha e fëmijës për të ndërtuar artin e tij të besueshëm, të  suksesshëm, të shkruajë edhe për fëmijën që do të lindë pas njëqind vjetësh.Sepse letërsia për fëmijë, ka ligje më të sofistikuara që kërkojnë jo vetëm fantazinë dhe aftësinë krijuese, jo vetëm dëshirën dhe përkushtimin për të botuar me shkronja të mëdha e me figura; sepse letërsia për fëmijë kërkon koordinimin e shumë lloje shkollash dhe të gjitha këto të nënshtruara penës krijuese të shkrimtarit; sepse letërsia për fëmijë është më e zbuluar ndaj kamuflimit të kritikës së miqve, pasi fëmijët, lexuesit e kësaj lloj letërsie janë më të sinqertët, dhe shenja e tyre e parë e pëlqimit apo mospëlqimit thuhet shkurt e qartë, pa diplomaci të rriturish.Duke u nisur nga kjo hartë vështrimesh në përgjithësi dhe duke respektuar përvojën tonë të deritanishme në fushën e letërsisë për fëmijë, nuk mund të mos theksoj e rivlerësoj punën e madhe, vlerën e madhe që i kanë sjellë letërsisë së të vegjëlve emra të tillë si Mitrush Kuteli, Gaqo Bushaka, Bedri Dedja, Tahsim Gjokutaj, Shpresa Vreto, Xhavit Beqaraj, Ferit Lamaj, Nexhmije Muça, Viron Kona, Shkëlzen Zalli, Viktor Canosinaj etj. etj. të cilët kanë arritur të ndërthurin disa prej  receptorëve të domosdoshëm social- psikologjikë e pedagogjikë për të patur një letërsi të bukur. Kanë shfrytëzuar mjeshtërisht folklorin e popullit tonë; kanë respektuar psikologjinë e grup-moshës së cilës i kanë ushtruar veprën e tyre; kanë përdorur një gjuhë mjeshtërore dhe të kulluar; kanë ditur që t’i ndërtojnë librat e tyre jo vetëm si prezantues të ngjarjes, por duke shmangur moralizimet kanë përcjellë mesazhe të këndshme, jo të lodhshme, të plota  drite, shprese. Pak a shumë gjen diçka nga letërsia për fëmijë në tekstet e leximit të shkollës.

Megjithatë, duke menduar shumë shqiptarë që janë jashtë Shqipërie e që në kthimet e tyre  të herëpashershme, kërkojnë me ngulm sa më shumë libra për fëmijët e tyre, që të ruajnë gjuhën shqipe, të ruajnë fijet që i mbajnë lidhur me atdheun, jam e bindur se nuk do duan të blejnë letërsinë e huaj për fëmijë, të cilën kollaj e gjejnë në vendin ku jetojnë, aq sa jam e bindur se nuk do duan letërsi të nivelit të diskutueshëm  të letërsisë shqipe për fëmijë.

Çfarë ndodh sot në një temë të tillë si ajo e letërsisë për fëmijë?

Letërsia për fëmijë nuk e do dhunën, nuk i do lotët, nuk i do moralizimet, nuk e do dëshpërimin dhe traumën që të sjell përshkrimi i një pamjeje. Letërsia për fëmijë është një industri e madhe psikologjike, ku pediatri, gjyshi, babai, familja, shkolla, janë të gjithë në shërbim të një libri.  Nëse studiojmë shembujt klasikë botërorë të letërsisë për fëmijë, shikojmë si funksionon në përgjithësi çelësi i suksesit të një shkrimtari për fëmijë. Zgjidhet personazhi që gjithmonë është një fëmijë i mençur dhe i zoti. Ai ka një problem për të zgjidhur  të cilin e zgjidh edhe me ndihmë e mikut, një prindi, apo mësuesit.  Një nga librat e ribotuar më shumë në Amerikë  ka një subjekt të tillë: “Një djalë mbolli një karotë. Çdo ditë dilte për të parë nëse ajo kishte mbirë. Nuk do të mbijë, thoshte i ati. Djali shpresonte sërish. Nuk do të mbijë, thoshin të gjithë. Djali shpresonte e shpresonte. Një ditë të bukur ai pa si kishte çelur një karotë shumë e madhe:” Për fëmijën  dy – tre-vjeçar, një libër i tillë, i ilustruar, lexohet shumë lehtë edhe nga vet fëmija, edhe pse nuk di të lexojë. Ai i ka të gjitha elementet e duhura që kërkon një moshë e tillë për të njohur e dashur librin. Sa i thjeshtë, do të thoshte dikush. Sa moral përcjell, them unë. Pa teori, pa lojëra fjalësh lumë, që i gjen në librat tanë si përshembull: haje gjellën, se do vijë qeni! I thirra policit që të fusë në burg! Apo djali doli në dritare e mori shenjë me pushkën e tij….?!  Dhe prindi nuk di gjithmonë të zgjedhë librin e duhur për moshën e fëmijës së tij. Këtu lind nevoja për klasifikimin e kësaj letërsie me më shumë korrektësi  duke i kaluar projektet e librave në sitë të imët redaktorësh para se të publikohen. Cila shtëpi botuese shpalli ndonjë konkurs për publikimin e librit – projekt më të mirë për fëmijë? Kujt i shkon në mendje të vendosë shkrimtarët në sfida të tilla të forta? Askujt. Sikur të harrojnë që këta fëmijë që janë sot, me këto deformime dhe gropa në kulturë, të mos jenë ata që do drejtojnë dhe menaxhojnë vendin pas njëzetë vjetësh!  Asnjëherë nuk janë zhvilluar biseda ku të shkëmbehen mendime për zhvillimin e kësaj letërsie, asnjë kujdes  për ata që kërkojnë më shumë se një dorë për t’u mbajtur, sepse duan të rriten si njerëz të kulturuar. Janë disa elemente të vockla që në dukje të parë nuk kanë rëndësi, por vlera e tyre bëhet e pallogaritshme po të kuptohet thelbi apo mesazhi i dhënë. Psikologët mendojnë dhe sugjerojnë që nëna gjatë shtatëzanisë duhet t’i lexojë vazhdimisht fëmijës së palindur!)Botimi i librave me ngjyra ka efektin vetëm ilustrativ, pa respektuar numrin e fjalëve për një libër fëmijësh, pa patur parasysh raportin e figurës me atë që shkruhet në dy rreshta në çdo faqe, që edhe sikur të mos dijë të lexojë tekstin fëmija, të kuptojë figurën e me anë të saj të interpretojë tekstin e dhënë duke i ngjasuar kështu një skenari filmi artistik. Janë bërë përpjekje për të përshtatur histori të njohura për fëmijë, marrë nga folklori, që më shumë janë devijime ngjarjesh sesa destinacion përfundimtar i besueshëm për fëmijët. Duke dashur t’i shpëtoj deri diku  moralizimeve, po shtjelloj më në fund rrezikun e madh që vjen si nga moslëvrimi i kësaj lloj letërise, ashtu edhe nga amatorizmi në shkrimin e saj. Është fusha që  do pjekuri më maksimale, si shkrimtar, si prind, si fëmijë, si mësues, si mjek, si psikolog. Gjerat e bukura nuk janë të lehta, duken të tilla, por rëndojnë.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>