Studiuesi Uran Butka replikon me historianin Kristo Frashëri

Filed under: Dossier |

 

     KRISTO FRASHËRI FALSIFIKATOR  I  HISTORISË

 

« Në tekstet e historisë së shkruar nga Kristo Frashëri, Mid’hat Frashëri nuk zihet fare në gojë për kontributet e tij në histori të paktën si kryetar i Kongesit të Manastirit për alfabetin dhe çështjen kombëtare, si ideator i Kongresit të Elbasanit për themelimin e shkollave shqipe dhe të Normales së Elbasanit, si delegat i Kuvendit të Vlorës dhe ministër i qeverisë së Ismail Qemalit, si kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare, si diplomat i shquar dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe historisë shqiptare të periudhës së Pavarësisë. Tashmë, këto vlera  të pamohueshme dhe të dokumentuara të Mid’hat Frashërit, Kristo Frashëri nuk i atakon dot më, por thekson, edhe në shkrimin e fundit, se Mid’hat Frashëri është edhe atdhetar, edhe tradhtar. Një taktikë perfide për ta goditur sërish. Sipas llogjikës së tij, tradhtar, sepse ka qenë kryetar i Ballit Kombëtar, ka luftuar kundër PKSH e Luftës NÇ dhe  ka “bashkëpunuar” me okupatorët. Kjo ka qenë llogjika e propaganda e dalëboje e PPSH dhe e historianëve puthadorë të saj, si Kristo Frashëri. « 

 

 

Nga Uran Butka

 

Si autor dhe bashkautor i teksteve të historisë së Shqipërisë, për gjysëm shekulli, Kristo Frashëri, prodhoi një histori të politizuar, të ideologjizuar dhe të falsifikuar, siç e kërkonte regjimi komunist dhe klika e Enver Hoxhës. Ai deformoi dhe tjetërsoi, për interesa politike e pushtetare, jo vëtëm historinë e Luftës së Dytë Botërore dhe të periudhës së  socializmit, por edhe periudha të tjera të rëndësishme si atë të Pavarësisë e  të Mbretërisë, duke glorifikuar ngjarjet e figurat e lidhura me komunizmin dhe duke përbaltur ngjarje e figura kombëtare. Madje, edhe  trajtimin e periudhave më të hershme, ai e bëri në optikën e teorisë marksiste-leniniste të rolit të masave në histori, të luftës së klasave dhe të prejardhjes, sipas së cilës klasat e pasura e pinjollëte tyre nuk e donin dhe e zhbënin Shqipërinë, ndërsa vegjëlia, opinga e bënte historinë…  Shëmbulli më tipik ishte trajtimi antihistorik i Lëvizjes së Haxhi Qamilit, për të cilën u vlerësimi “historik” u vendos  në zyrat e sekretariatit të KQ të PPSH dhe historianët puthadorë të regjimit, përfshirë e dhe K.Frashërin, e futën në histori si një lëvizje revolucionare të turmave, ndërkohë që haxhiqamilët luftonin për ta kthyer Shqipërinë  pas, nën sovranitetin e sulltanit, me flamurin turk dhe me parrullën ”O babën, o barin!” dhe rrëzuan themelet e shtetit të pavarur shqiptar, vranë atdhetarët, dogjën shkollat si edhe u hapër udhën pushtuesve serbë e grekë.

Një fakt tjetër kuptimplotë është edhe studimi i tij mbi Kongresin e Lushnës, me titull ”Kongresin e Lushnjës e bënë fshatarët e Myzeqesë”. Sipas historianit komunist Kristo Frashëri, Kongresin e Lushnjës, një nga ngjarjet më madhore të kombit tonë, nuk e bënë njerëzit e shquar, të mësuar e të pasur si Aqif Pashë Elbasani, Sheh Ibrahim Karbunara, Ahmet Zogu, Sotir Peci, Imzot Bumçi, Hoxhë Kadria etj, por e bënë fshatarët e Myzeqesë!

Pokështu, veproi edhe me historinë e Luftës NÇ dhe të pasluftës.

Nuk i mjaftoi ky dëm i pallogaritshëm, që Kristo Frashëri u shkaktoi historisë dhe jetës së një kombi, për të cilin nuk ndien pikë përgjegjësie, por edhe në këta 20 vjet të rendit demokratik, kur historia ka nisur të drejtshkruhet, nuk reshti së mbrojturi atë produkt të historiaografisë komuniste, pjesë e së cilës i përket, por edhe së përgojuari figura të shquara , kundërshtare të komunizmit, dhe së sulmuari përpjekjet e historianëve bashkëkohorë. Madje, edhe historianët i ndan në  ballistë dhe komunistë, siç ndan edhe pjesët e shoqërisë e të politikës. Për mendimin tim, vlera e historianët përcaktohet nga raporti me të vërtetën. Bie fjala, Beqir Meta, i cili nuk ka asnjë lidhje me komunizmin, as me ballizmin, por me të vërtetën, qenka historian ballist, pse pranon luftën civile?!  Kristo Frashëri, që ka shtrëmbëruar për gjysmë shekulli të vërtetën, duke mashtruar e falsifikuar, nuk ka moral t’u mësojë të tjerëve sesi shkruhet historia!  Ai edhe sot e kësaj dite njeh vetëm Luftën NÇ, duke e monopolizuar luftën e popullit shqiptar, ndërkohë që edhe forcat e tjera kanë luftuar dhe kontriubuar në luftën kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Lufta NÇ, është një pjesë e luftës antifashiste, ajo që drejtohej nga PKSH dhe ku ka marrë pjesë edhe Kristo Frashëri. Duke pranuar vetëm Luftën  antifashiste NÇ, mohohet lufta antifashiste e nacionalistëve, bie fjala e Abas Kupit në Durrës më 1939, në krujë e në Mat, lufta e Hysni Lepenicës që u vra bashkë me 36 luftëtërë balliste  kundër italianëve në Grehot të Gjirokastrës, lufta e Skënder Muços që u vra nga nazistët në Bubullimë të Lushnës, lufta e nacionalistëve të Mallakastrës: Jashar Cakranit, Selfo Hekalit, Rauf Fratarit, Tefik Cfirit,etj kundër italianëve e gjermanëve, lufta e Muharrem Bajraktarit ne Lumë e në Kukës kundër gjermanëve, ndërkohë që komunistët i binin pas shpine, lufta e Mustaf Dervishit, Jup Kazazit dhe  dhe Faik  Qukut në Shkodër e gjetkë, lufta e Gani Kryeziut në malësinë e Gjakovës kundër gjermanëve etj. Pra duhet korigjuar jo vetëm përmbajta e Luftës, por edhe terminologjia dhe, për mendimin tim duhet emërtuar: Lufta antifashiste e popullit shqiptar, ku secila forcë, lëvizje apo person dha ndihmesën e vet. Unë kam respekt e devocion  për luftëtarët e lirisë, qoftë partizanë, qoftë ballistë, qoftë legalistë, qoftë të pavarur që luftuan kundër pushtuesve, si edhe për dëshmorët e kësaj lufte antifashiste. Por jo si partiaku i vjetër, Kristo Frashëri që konsideron dëshmorë e heronj vetëm ata të Luftës NÇ, një pjesë e madhe e të cilëve, u vranë në luftën civile ndërmjet shqiptarëve ( si Zonja Çurre, Myslim Shyri, Memo Meto, Ajet Xhndole, Baki Dume, Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Hydajet Lezha, Skënder Çaçi, Irakli Terova, Laze Nuro e qindra të tjerë),  ndërsa dëshmorët e forcave të tjera, që ranë në luftën për liri kundër pushtuesve nazifashistë, i quan tradhtarë, si Hysni Lepenica, Skënder Muço, Selfo Hekali, Jashar Cakrani, Mustafa Dervishi, Nano Gjoni, etj. Siç dihet, kanë dalë në pah dokumente të reja, të panjohura më parë, në arkivat shqiptare dhe të huaja, që e bëjnë të domosdoshme trajtimin e ngjarjeve historike dhe të personaliteteve nën dritën e këtyre dokumenteve, por edhe të një interpretimi objektiv shkencor, larg interesave dhe mendësive politike. Por K.Frashëri mendon se historia e shkruar një herë dhe  nuk mund të ndryshohet, se ajo është monopol i një force të vetme politike, të cilës ai i shërbeu, se ajo ua ka vënë kurorën një herë e përgjithmonë “fitimtarëve” dhe vulën e tradhëtisë kundërshtarëve politikë etj.  Edhe ndonjë retushim të vogël duhet ta bëjë vetëm ai. Ai mund t’i vërë pikat mbi “i”. Kështu, dy vite më parë, ai deklaroi bujshëm se kishte ruajtur  Aktin original të Pavarësisë, kur kishte në dorë asgjë më shumë se një kopje të Aktit të Pavarësisë të botuar nga Lef Nosi më 1937, si edhe të ekspozuar qysh në vitin 1992  në Arkivin Qendror, në Muzeumin e Vlorës e atë Kombëtar dhe në tekstet e historisë. Kur e dispononte këtë Akt, përse në Albumin e Pavarësisë dhe në tekstet e historisë, pikërisht ai mbuloi e fshiu  emrat e firmëtarëve “të padëshiruar” nga regjimikomunist, duke mbuluar e fshirë protagonistët e Pavarësisë dhe të vërtetën historike?! Një falsifikator i rëndomtë, por edhe një mashtrues publik.

Një nga ato figura të shquara, të retushuara nga Kristo Frashëri, është edhe Mid’hat Frashëri, firmëtar i Pavarësisë.

Në tekstet e historisë së shkruar nga Kristo Frashëri, Mid’hat Frashëri nuk zihet fare në gojë për kontributet e tij në histori të paktën si kryetar i Kongesit të Manastirit për alfabetin dhe çështjen kombëtare, si ideator i Kongresit të Elbasanit për themelimin e shkollave shqipe dhe të Normales së Elbasanit, si delegat i Kuvendit të Vlorës dhe ministër i qeverisë së Ismail Qemalit, si kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare, si diplomat i shquar dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe historisë shqiptare të periudhës së Pavarësisë. Tashmë, këto vlera  të pamohueshme dhe të dokumentuara të Mid’hat Frashërit, Kristo Frashëri nuk i atakon dot më, por thekson, edhe në shkrimin e fundit, se Mid’hat Frashëri është edhe atdhetar, edhe tradhtar. Një taktikë perfide për ta goditur sërish. Sipas llogjikës së tij, tradhtar, sepse ka qenë kryetar i Ballit Kombëtar, ka luftuar kundër PKSH e Luftës NÇ dhe  ka “bashkëpunuar” me okupatorët. Kjo ka qenë llogjika e propaganda e dalëboje e PPSH dhe e historianëve puthadorë të saj, si Kristo Frashëri.

Balli Kombëtar u themelua si një alternativë  antifashiste e demokratike dhe këtë e ka shprehur në dokumentat themeltare programorë “Nacionalizma shqiptare – Balli Kombëtar, 1939” (shih Arkivi i Shtetit) dhe “Dekalogu i Ballit Kombëtar”, 1942.  Por edhe në luftën , tashmë të dokumentuar, kundër pushtuesve fashistë në një sërë luftimesh të rëndësishme. Madje ka pasur edhe beteja të përbashkëta të balistëve e të partizanëve kundër italianëve, si lufta e Gjormit, lufta e Pocestës, lufta e Qafë Shtamës, lufta e Reçit etj.  Nëse nuk do të ishte një organizatë atdhetare dhe antifashiste, s’kishte sesi të bashkëpunonte partia e K.Frashërit, madje të bëhej edhe Marrëveshja e Mukjes, (gusht 1943) për një luftë të përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve të Mëdhenj Antifashistë.

Në Konferencën e Labinotit të PKSH, mars 1943, nga  diskutantët u vu në dukje rritja e influencës së B.Kombëtar dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit me të si organizatë patriote. (Shih, AQSH, Konf.Labinotit , mars 1943). Nuk u tha asgjë e keqe për B.Kombëtar, përkundrazi. Edhe në Mbledhjen e përbashkët të Tapizës (korrik 1943) u bisedua për një luftë të përbashkët  kundër okupatorit, po ashtu edhe në Kuvendine Mukjes, ku u krijua edhe Komiteti i Përbashkët për drejtimin e luftës me emrin “Për shpëtimin e Shqipërisë”. Madje, u zhvillua edhe një betejë e përbashkët e organizuar nga Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë në Qafë Shtamë, , 4-5 gusht 1943, nën komandën e Abaz Kupit, ku u zu rob edhe komandanti Italian Scarpa. ( shih Arkivi  i Shtetit, F.270, d.69, v.1943).

Marrëveshja e Mukjes është një nga ngjarjet më kulmore të historisë së populit tonë, një kompromis i madh ndërmjet të djathtës e të majtës për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike. Një model edhe për sot, kur kërkohet kompromisi për çështjet madhore të shtetit , të integrimit euro-atlantik dhe të çështjes kombëtare. Me marrëveshjen e Mukjes zgjidhej drejt çështja e luftës së përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëvë Antifashistë dhe e pasluftës, kur me zgjedhje të lira të përgjithshme të përcaktohej pushteti demokratik dhe forma e regjimit.

Marrëveshjen e Mukjes dhe luftën e përbashkët kundër pushtuesve aktualë dhe eventualë, e prishi PKSH, e nxitur nga emisarët Jugosllavë, të cilët historiani K.Frashëri nuk i zë fare në në gojë. Ishte kjo marrëveshje kombëtare, ishte kjo luftë e përbashkët përmbi interesat partiake, ishte kërkesa për zgjidhjen e çështjes së Kosovës mbi parimin e vetëvendosjes së kombeve, që i trembën dhe i tërbuan udhëheqësit komunistë jugosllavë, që e kishin nën vartësinë e tyre PKSH. Është i dokumentuar roli Titos dhe i emisarëve jugosllavë M.Popoviç, D.Mugosha, S.Tempo, B, Jovanoviç, etj në drejtimin e PKSH dhe të Luftës NÇ dhe, veçanërisht ndikimi mbi E.Hoxhën.

“Traktati i Konferencës së Mukjes shkaktoi një turbullimë të madhe, – shkruante Dushan Mugosha. – Organizata e Partisë në Vlorë, nën direktivën time, shkroi traktatin dhe ua drejtoi të gjitha njësive të Ballit Kombëtar, ku thuhej shkurt e qartë: Kush nuk dëshiron me ne, është kundër nesh”.

Miladin Popoviçi i raportonte Titos: “ Kemi ndikuar në PKSH  dhe në Luftën NÇ, që gjithsesi të prishim  Marrëveshjen e Mukjes”, ndërsa  KQ të PKJ i shkruante:“Kemi biseduar me KQ të PKSH dhe studiuar çështjen, situatën atje dhe atëhere vendosëm  që të mos njihet mënyra e organizimit të Komitetit ër shpëtimin e Shqipërisë dhe as funksionimi i tij si instancë më e lartë e Luftës…” (Autonomia Kosovo, Beograd 1985)

Enver Hoxha, nën diktatin e jugosllavëve e prishi marrëveshjen e Mukjes  dhe bashkëpunimin në luftë, dhe qysh më 8 gusht 1943 u dërgon qarkore komiteteve të PKSH që “ta çjerrin aktin e marrëveshjes së Mukjes dhe të mos flitet më për të”(Aqsh F.14 d.11, v.1943).

Kjo është tradhtia  kombëtare e E.Hoxhës dhe e PKSH dhe jo e Mid’hat Frashërit dhe e Ballit Kombëtar, zoti Kristo!

Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, me urdhër të E.Hoxhës (shih qarkoret e datës 1 tetor 1943)  nisi lufta civile në Shqipëri, luftë që K.Frashëri e mohon, për arsye që kuptohen lehtësisht.

Në Konferencën e dytë të Labinotit , 4-8 shtator 1943,u vendos, gjithnjë në prani të emisarëve të Beogradit, shpallja e luftës së armatosur kundër Ballit Kombëtar, për ta likujduar atë  dhe u vendos gjithashtu ”marrja e pushtetit me çdo kusht e me çdo mjet”. Në Labinot u hodh teza” Ta hedhim Ballin dhe nacionalistët në krahun e okupatorit,  për ta luftuar dhe asgjësuar”.

Hibbert , oficer britanik theksonte: “Strategjia politike e PKSH ishte që nacionalistët të dilnin njëlloj, si bashkëpunëtorë të italianëve dhe të gjermanëve”.(Hibbert, Fitorja e Hidhur).

Dejvid Smajl shkruante: “Taktika e komunistëve  ishte t’i shpallnin armiq ata që s’mendonin njëlloj apo ata ë nuk bashkoheshin me ta”.(D.Smail, Me detyrë në Shqipëri)

Lufta civile në Shqipëri (1943-1945) e nxitur nga Jugosllavët për interesat e tyre ndaj Kosovës dhe ndaj Shqipërisë dhe e shpallur, e provokuar, e nisur dhe e përfunduar nga PKSH dhe E.Hoxha, për të marrë pushtetin “me dhunë dhe me gjak”, si edhe për të vendosur një regjim komunist në Shqipëri,  ishte një luftë e brendshme, e organizuar, e armatosur dhe e përgjakshme ndërmjet palëve kundërshtare: PKSH dhe Ballit Kombëtar, më pas edhe ndaj Legalitetit si dhe formacioneve të tyre ushtarake, përfshirë edhe masat popullore që i mbështesnin ato, një konflikt ushtark ndërmjet të djathtëes e të majtës, me pasoja tragjike për Shqipërinë, për atë kohë, por edhe më vonë. Lufta NÇ, e ushëhequr nga Partia Komuniste, një parti terroriste e tipit bolshevik, dhe nga drejtues kriminelë si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koci Xoxe, Shefqet Peçi, Haxhi Lleshi etj. e ndikuar nga emisarët jugosllavë, të cilëve iu interesonte lufta civile në Shqipëri, duke u gërshetuar, siç pranon vijimisht edhe E,.Hoxha, me detyrat e revolucionit  komunist për marrjen e pushtetit me dhunë, sipas udhëzimeve të Kominternit, e humbi karakterin e saj fillestar patriotik e çlirimtar dhe u përfshi në një luftë të ashpër e të pamëshirshme civile, që shkaktoi mijra viktime nga të dy palët ndërluftuese, por edhe nga Legaliteti, krerët e Veriut e deri në Kosovë. Masakrat përgjatë Luftës civile, që shkaktuan mijra viktima nga të dyja anët, si lufta vëllavrasëse në Jug të Shqipërisë, si në Libohovë, Devoll, Kolonjë, Korçë,Dumre, Lushnjë, Dukat, Martanesh, Lumë, Kukës, Malësi e Madhe, Postribë, Mirditë, Mat, Dibër  etj. Vetëm beteja e  Tamarës, në janar të vitit 1945, ndërmjet forcave të Korparmatës III dhe të Brigatës I, me në krye Mehmet Shehun kundër forcave nacionaliste dhe mbrojtëse të Preng Calit , zgjati një muaj ditë, u përgjak lumi Cem dhe u vranë qindra luftëtarë nga të dy anët. Në Malësinë e Madhe në atë kohë nuk kishte as italianë e as gjermanë, ishin vetëm shqiptarët që luftonin në një luftë civile ,që s’kishte ndodhur më parë. Vetëm kur Brigada I, doli në Jugosllavi dhe prej andej e sulmoi Vermoshin, nga veriu dhe nga jugu, vetëm atëhere u thye qëndresa e Preng Calit dhe e malësorëve. A nuk është luftë civile kjo, zoti Kristo?

Kjo luftë dokumentohet katërcipërisht nga dokumentet e arkivave shqiptare dhe të huaja si edhe nga studiues e historianë shqiptarë e të huaj. Lufta civile dëshmohet nga të gjithë oficerët britanikë që ishin gjatë luftës në Shqipëri, si D.Smajl, J. Emer, Deivis, Kemp, Hibbert, etj. por edhe historianët e sotmë, si B.Fisher, i cili në intervistën që idha tel. “AS” , theksoi: “Duke u bazuar në përkufizimin tradicional të luftës civile, do të thoja që lufta 1939-1944 në Shqipëri ishte një luftë civile” (Intervista e B.Fisher,tel.”AS” prill 2012).

Ndërkohë, nuk ka asnjë dokument, as në arkivat shqiptare, asnë ato të huaja, që Mid’hat Frashëri, si kryetar i ballit Kombëtar, apo edhe si person, të ketë bërë ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me pushtuesit gjermanë. Madje, forcat e Ballit Kombetar kanë zhvilluar disa luftime kundër gjermanësve (shih promemorien e Mid’hat Frashërit dhe Lec Kurtit drejtuar konferencës së Paqes në Paris, 1946 dhe dokumentat e AQSH, F.14 dhe 270) te kthesat e Barmashit, 8 gusht 1943, në Llogara, nëntor 1943, në Borizanë, shtator1944  etj.  Të vënë midis dy zjarreve, zjarrit nazist dhe zjarrit komunist, nacionalistët, për të mbijetuar por edhe për të mos shkatëruan Shqipërinë, e  kufizuan luftën kundër gjermanëve, që i quanin kalimtarë në Shqipëri dhe e përqendruan luftën në qëndresën ndaj mësymjes komuniste. Në këto kushte, përballë rrezikut të dyfishtë, Mid’hat Frashëri, më datën 7 tetor 1943,  porosiste komitetet krahinore të Ballit Kombëtar për një pezullim të përkohshëm të veprimeve luftarake kundër ushtrisë gjermane: “Meqënëse vendi ynë sot ka nevojë më të ngutshme për rregull dhe disiplinë, gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar porositen që me të arritur kjo qarkore, të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane tash për tash. Më vonë do t’ju dërgohen edhe direktiva të tjera”.

Ky dokument, veç të tjerash, dëshmon se deri në atë moment, ka vazhduar lufta e nacionalistëve kundër gjermanëve. Fjalët “të pezullohet” dhe “tash për tash” dëshmonin se ndërprerja ishte e përkohshme, ishte një taktikë.

Ky dokument është publikuar dhe komentuar për 50 vjet rrresht si  komprometues për Mid’hat Frashërin. Për këtë arësye ai është akuzuar nga krerët e PPSH dhe historiografia komuniste si bashkëpuntor me gjermanët. Vazhdon edhe sot nga K.Frashëri. Përse nuk është akuzuar Lenini si kolaboracionist,  kur bëri paqen e Brest-Litovskit  me gjermanët, apo  Stalini, kur bëri marrëveshje me ta për mossulmim në vitin 1939, apo Gjin Marku kur bëri kompromisin e Beratit me gjermanët, apo Enver Hoxha kur kolaboroi me jugosllavët? Mid’hati nuk lidhi as marrëveshje, as paqe me gjermanët. Ai i pezulloi përkohësisht ( hë për hë ) për t’i vazhduar pak më vonë aksionet kundër gjermanëve, që ishin thyer në të gjitha frontet dhe po tërhiqeshin drejt Gjermanisë. Ndërprerja e përkohshme e  luftimeve kundër tyre dhe jo ndalimi i tyre, nuk mund të konsiderohet akt bashkëpunimi, as akt tradhtie. Në këtë moment, Mid’hat Frashëri përcaktonte si rrezik të momentit atë të mësymjes komuniste, që ishte hedhur në ofensivë kundër nacionalistëve dhe gjithë forcave të djathta, për t’i asgjësuar ato dhe për të marrë pushtetin.

Nëse Mid’hat Frashëri do të ishte kolaboracionist, nuk do të zgjidhej nga aleatët anglo-amerikanë si kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në Nju York. Madje, vetë Mid’hati vuri si kushte për pjesëmarrjen në Komitetin Shqipëria e Lirë: Të mos kenë bashkëpunuar me fashizmin dhe të mos kenë bërë krime kundër njerëzimit.( shih AQSH, fondi M.F). Si do të vinte kushte të tilla përjashtuese  Mid’hat Frashëri, po të ishte vetë i komprometuar me nazifashizmin dhe të kishte bërë krime kundër njerëzimit, siç pretendon Kristo Frashëri?

Kristo Frashëri të reflektojë mbi kolaboracionizmin e mjaft figurave të Luftës NÇ me nazifashizmin , si edhe bashkëpunimin e PKSH dhe të Luftës NÇ me Jugosllavët në Shqipëri dhe, veçanërisht në Kosovë, ku bashkëvepruan për goditjen e qëndresës shqiptare atje, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe masakrat si ajo e Tivarit, ku u vranë mijra shqiptarë të pafajshëm të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare.

 

 

 

 

 

2. Kush po na e “vjedhë” historinë?

 

Nga Krenar Pacolli*

Para disa ditësh, pashë një raport në një nga gazetat e përditshme kosovare se Serbia ka futur në monografinë e saj edhe elemente të kultit që gjenden në territorin e Kosovës, kjo më ngjalli ndjenjën se me të vërtet popullit tonë po i bëhet një e padrejtë e paparë dhe një shkelje flagrante e trashëgimisë kulturore të kësaj treve.
Me faktin se shteti Serb pretendon se ajo trashëgimi i takon asaj dhe me vet faktin se ata e kanë botuar për herën e dytë këtë monografi, tregon haptas pretendimet qe ky shtet tashmë i ka të njohura për vendin tonë por, tash më një mënyre tjetër duke paraqitur ato monumente në qarqe ndërkombëtare se i takojnë kultit dhe fesë së tyre është një “luftë”e re më “paqësore” nga ana e shtetit Serb.
Por, realisht çfarë përfitoi shteti Serb nga përfshirja e këtyre monumenteve në atë monografi? Realisht përfitoi shumë duke i përfshirë Manastirin i Graçanicës, atë të Deçanit dhe Patrikanën e Pejës, të gjitha janë futur në listën e pesë vendeve të shenjta më të rëndësishme në Mesdhe. E çka nënkupton kjo?; kjo nënkupton se kultura dhe trashëgimia serbe është antike dhe se ky popull është me vite në këto troje.
Ishte qesharak se nuk patëm as një deklaratë nga asnjë institucion si nga Qeveria ashtu as nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës, i vetmi i cili ngriti zërin kundër kësaj çështje ishte historiani Jusuf Buxhovi i cili në librin e tij “Kosova”, e shprehë qartë se kujt i takojnë ato monumente, dhe tregon se sa kohë më parë janë ato monumente para se sllavët të vinin në Ballkan.
Por, të ndalemi edhe një herë tek synimi kryesor që Serbia po mundohet ta krijojë (e ndoshta edhe ia ka arritur), e ai synim pa dyshim është krijimi i opinionit ndërkombëtarë se ajo pjesë  e historisë së Kosovës i takon kulturës dhe historisë së Serbisë, ndërsa shteti ynë ndoshta është ende ne gjumin e rëndë dimëror. Sipas kësaj logjike të shtetit Serb, na del se në Kosovë por edhe në trevat tjera shqiptare e gjithë kultura e monumentet kulturore iu takojnë shteteve që kanë pushtuar kur ato u ngritën.
Shembulli më i mirë, i kësaj “logjike” Serbe është nëse Turqia si shtet që ka sunduar trojet shqiptare për 500 vjet të filloj që monumentet e kultit t`i paraqesë si pjesë të tyre në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare.
Por jo, Turqia asnjëherë nuk ka ndjekur politikë të llojit të tillë si kjo serbe e cila siç thotë populli: “me mish e më shpirt”, po mundohet që ta krijoj një realitet të ri në Kosovë, duke shfrytëzuar në maksimum të drejtat që ua ka dhënë pakoja e Ahtisarit edhe pse nuk pranuan si zgjidhje për Kosovën ,ata e shfrytëzojnë në maksimum atë pako.
Andaj një thirrje për të gjithë ata që janë duke biseduar më shtetin Serb, mos të harrojnë se kultura dhe trashëgimia e këtij populli është më lashtë se sa ata që pretendojnë se ajo ju takon.

*Autoi  është student i Degës se Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shkrime të ngjashme:

  1. GJYQI USHTARAK QE PRISHI PERFUNDIMISHT MARREDHENIET ME SHBA, Dossier nga Uran Butka
  2. Lec Kurti kompozitori i Operës së parë shqiptare më 1916, Dossier nga Uran Butka
  3. Nje gjykimin artistik dhe estetik pwr komeditë e disidentit Hekuran Zhitit , Dossier nga Uran Butka
  4. HEROI I POPULLIT. Tregim nga Uran Butka
  5. DOSJET. Tregim nga Uran Butka

2 Responses to Studiuesi Uran Butka replikon me historianin Kristo Frashëri

  1. C’ben bre Prof. Urani keshtu? Po, a mund ta rrezosh Malin me grushta, Ti? Po, Kristo Frasheri eshte Mal para teje. Si nuk e kupton kete? Ti, o profesor Urani, nuk mund ta zhbesh historine, sa do te perpiqesh te dridhesh e te perdridhesh. Jemi ne kohen kur duhet te pastrojme Historine nga ideologjizmzat e kohes te diktatures dhe jo ta fallsifikojme ate ne ekstremin tjeter. ,,Trimat” e pulave, ju nuk mund ti beni dot luftetare e heroj kunder nazi fashizmit. Kot e keni. TURP!

    Pavaresia
    May 7, 2012 at 10:03 pm
    Reply

  2. C’ben bre Prof. Urani keshtu? Po, a mund ta rrezosh Malin me grushta, Ti? Po, Kristo Frasheri eshte Mal para teje. Si nuk e kupton kete? Ti, o profesor Urani, nuk mund ta zhbesh historine, sa do te perpiqesh te dridhesh e te perdridhesh. Jemi ne kohen kur duhet te pastrojme Historine nga ideologjizmat e kohes te diktatures dhe jo ta fallsifikojme ate ne ekstremin tjeter. ,,Trimat” e pulave, ju nuk mund ti beni dot luftetare e heroj kunder nazi fashizmit. Kot e keni. TURP!

    Pavaresia
    May 7, 2012 at 10:05 pm
    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>