“TURISTI” NË KAMPIN E SPAÇIT…Tregim nga Bedri Çoku

Filed under: Proze |

TURISTI”  NË   KAMPIN  E   SPAÇIT…

 

 

Nga Bedri Çoku

Kampi i të burgosurve politikë  të Spaçit, çuditërisht këto ditë po përmendet nëpër disa gazeta, gjase me dhimbje të madhe, nga ekspozita e hapur  prej njërit nga  pinjollët   e Bllokut që pati fatin e zi të përjetonte barbarinë komuniste në këtë burg, jo pak por  njëmbëdhjetë  vjet  të jetës së tij,  pa dashur t’i   heq  asnjë presje   episodeve të  tmerrshme  që ai   përmend i  mallëngjyer  përballë ca relikeve të mbledhur  në njërën nga vizitat   e bëra,   si turist, me çantë në shpinë,  pranë rrënojave,   për të mbledhur  kujtimet  e së shkuarës antinjerëzore…

Nuk dua të vë në dyshim aspak  nostalgjinë e dhimbshme të bashkëvuajtësit tim, teksa e shoh në një foto,   me pamje turisti,  për të kërkuar e mbledhur copa teli ,  litarësh, apo   mbeturina rrobash,     kasketash, bulona, gozhdë e ku ta di unë tjetër,  sikur të jetë një arkeolog i mijëravjeçarëve të   mëvonshëm, i nxitur  nga  shkrimet   e papiruseve …

Është pikërisht Fatos Lubonja,  turisti, njeriu më i kërkuar i medieve këto njëzet e dy vitet e pluralizmit në Shqipëri;  i  konsideruar  i burgosuri politik i vetëm i diktaturës,   madje  edhe idealisti më i madh kundra diktaturës;   më i pëlqyeri i  disa  qeverive të partive fitimtare;  i  pamunguar, pothuaj, kurrë   në    emisionet “Debat” të televizorëve më të fuqishëm të vendit, duke qenë pikërisht ky njeriu që para disa vitesh  mori edhe “ okej”-n e qeverisë “Berisha.1”,  për ta shndërruar  Kampin e Punës të të Burgosurve Politikë të Spaçit, në Muze, si një nga shenjat  përkujtimore ku shqiptarët të mësonin dhe të  përkujtonin   shfrytëzimin   barbar të  njerëzve  më të mirë dhe antikomunistët e vërtetë  të Shqipërisë,   skllevërit  e    minierës  më primitive të  shoqërisë njerëzore,  në Tokë …

Le të dalë  kush e të më thotë se kur dhe si ka “bërtitur”  ndonjëherë ky i burgosur politik, i mallëngjyer kaq shumë sot,  nga reliket e mbledhur në Spaçin  e tmerrshme të diktaturës, pikërisht mu në vendin ku  u ngjizën dhe u përjetuan ngjarjet  më dramatike dhe      historike  të shqiptarëve gjatë diktaturës komuniste: “Kryengritja e famshme e burgosurve politikë e 21 Majit 1973, kundra regjimit të  Byroistëve  Komunistë të Shqipërisë, të cilët  në shkurt të atij viti, shpallën botërisht  deklaratën më ogurzezë për shqiptarët për të mos marrë pjesë në Bashkimin dhe Sigurimin Europian që po përgatitej nga të gjitha vendet  e kontinentit  të të dy kampeve armike, Lindore dhe Perëndimore, nën kujdesin e superfuqisë botërore, Amerikës, për t’u  firmosur   pas dy vjetësh,  në Helsinki,  përveç Shqipërisë. Ngjarje,  të cilën bashkëvuajtësi im ”turist”  nuk e përmend kurrë në asnjë nga shkrimet e tij, por vetëm kujton dhe shkruan rrëfimet e veta të  tejëzgjatura për vuajtjet personale, sikur burgjet në    Shqipëri të kishin  filluar   ekzistencën e tyre,   fill me  arrestimin e tij   dhe, këto  ridënime e pushkatime   nisën vetëm me “Ridënimin “ e tij.   Vërtet   për të ardhur   keq është për shokët   e  grupit të Fatos Lubonjës, të nderuarit  F. Kokomani dhe V. Lezhën që  u pushkatuan si revizionistë, pro Lindor  të vendosur,  prej  komunistëve të  partisë së tyre, ndërsa  në grupin tjetër u pushkatua  njëri nga  nacionalistët  dhe antikomunistët e  famshëm të  burgjeve shqiptare,  Xhelal Koprenca, në vitin 1979.   Por,  ama, “turisti i mallëngjyer nga reliket”, nuk shprehet  fare se si  duhen dënuar  kriminelët që pushkatuan katër djemtë e rinj në Kryengritjen e famshme të Spaçit,  pse kërkuan   një Shqipëri evropiane dhe   tre idealistë  e grupeve që e donin Shqipërinë të lirë e të zhvilluar, pavarësisht pikëpamjeve të tyre,  varret e të cilëve edhe sot pas njëzet vjetësh,  nuk dihen  ku ndodhen ! …   dhe të tregojë me gisht   cilët ishin dhe janë ende ata që po i katandisin simbolet e krimeve të komunistëve, në këtë derexhe,   për turp të shqiptarëve të ndershëm dhe atyre që   e dinë se në Shqipëri ka sunduar një nga  diktaturat   më çnjerëzore në botë.  Përkundrazi,  i “Ridënuari”  në burgun e Spaçit,  me reliket e mbledhura,  si turist,  po u tregon  bashkëkombësave  dhe ndërkombëtarëve me keqardhje   se,  në Shqipëri,   nuk ia vlen  barra qiranë të merremi me dënimin e krimeve të komunizmit, pasi  edhe  simbolikat e këtyre    krimeve  terroriste   nuk   u ka mbetur   nam e nishan ! Ato janë katandisur si kaposhi një thelë! Ndaj nuk duhet të përmendim edhe ngjarjet madhore që ndodhën në këtë  burg famëzi, që sollën,  padyshim  arrestimin e tij me shokë  dhe pushkatimet…por  edhe  situatat e  mëpastajme, të  rënda në  Shqipëri…Sepse ajo ishte  një kryengritje e vërtetë, antikomuniste që tronditi nga themelet shtetin banditesk  të Enver Hoxhës…Por edhe dënimi i dy grupeve me bindje të ndryshme politike  të  të burgosurve  që, bashkërisht,  i dërguan letër Byroistëve të Komitetit Qendror, kundra Enver Hoxhës, e tronditën diktatorin për të urdhëruar  kthimin e  dënimit të tyre  nga  agjitacion propagandë në pushkatime të  pa mëshirshme…Prandaj,  edhe titulli i librit i Fatos Lubonjës nuk duhet të  ishte vetëm ‘Ridënimi” i tij personal,  por   “Ridënimet dhe pushkatimet nëpër burgjet komuniste”. Jo   rrëfime për vete pa një dekor    të përgjithshëm politikë,  thjesht për vuajtjet e tij personale, për ta mëshiruar, si një  individualist i sëmurë…

Edhe unë kam shkuar disa herë në Spaç i intervistuar nga televizione të ndryshëm, të vendit dhe të  huaj,   të interesuar posaçërisht për kryengritjen   e pandodhur    nëpër e burgjet e   vendeve të tjera    komuniste,  e cila çliroi një territor të krahinës së  Mirditës antikomuniste dhe valëviti  Flamurin Kombëtar për tre ditë rresht,  pa yllin komunist. Një emision të  realizuar  e  tronditës  për këtë kryengritje  dhe tmerret e   tjera në   burgun e  Spaçit  e bëri televizioni Top Channel,  me mua dhe Bedri Blloshmin,    me skenar të   gazetarit  të  shquar  Marin  Mema, por që u transmetua  vetëm njëherë në këtë  televizor…  U ndalua.  Ndërsa për pesë reliktet  e tua, o Tosi,   po çahen gazetat, thua se Fatos Lubonja paska bërë zbulimin e shekullit në Kampin e famshëm të Spaçit  !!!…

Ti more zotëri, do të ishe i famshëm vërtet, pasi, si njeri i përditshëm i shtypit  e i ekraneve, nuk do të talleshe me dhimbjet e antikomunistëve të vërtetë  që  vuajtën    burgjeve,  internimeve, një pjesë  e  të cilëve u pushkatuan dhe s’u dihen as eshtrat për t’u çuar një lule mbi tokën që i mbulon, jo duke u treguar   sot, pas njëzetë e dy vjetësh,   nostalgjik  me  ‘reliket”  e mbledhura si turist  në kampin e vuajtjeve  të  tmerrshme, me gjase, sikur atje s’paska mbetur më asgjë për ta kthyer atë  vend    në Muze…por të kishe venë kujën qyshkur për dënimin e kriminelëve dhe ngritjen e simboleve të  viktimave në Spaç e gjetkë. Ku ke qenë këto njëzet vjet i  mallëngjyer për vuajtjet e tua nga barbarët?  Prandaj,  sot, psherëtimat e tua nuk pinë  ujë, ndërkohë  që  vite të tëra  s’pive një kafe me  bashkëvuajtësit dhe demokratët e vërtetë, pale të flisje për reliktet dhe muzetë   e vuajtjeve të shqiptarëve nga regjimi i prindërve të tu.  Ashiqare  ke parë vetëm interesin e xhepit tënd dhe egos tënde për famë mediatike…

Je njeriu i burgosur nga diktatura jo se pse iu kundërvure  asaj, dole  kundër   regjimit barbar të    prindërve, besnikë të kupolës më të egër komuniste në botë ( asnjëherë dhe në asnjë rast ata nuk i janë  kundërvënë   partisë së tyre që e krijuan vetë dhe vijës së saj marksiste – staliniste  të Enver Hoxhës, nga dokumentet e botuara kohët e fundit)  Ndaj,  edhe ti qëndron  e mbetesh  ende vendosmërisht i majtë dhe  antinacionalist shqiptar. Ndryshe do të kishe “ulëritur” qyshkur për Spaçin, Burrelin , Qafë- Barin e tje., këto mostra të regjimit , që u  sajuan  edhe me miratimin prindërve të tu,  enkas  për të shfarosur inteligjencën,  nacionalistët  dhe demokratët  më të shquar shqiptar…

Në debatet mediatike,  ku  merr pjesë dhe  paguhesh mirë,    shqetësohesh  më tepër  për plehrat dhe  problemet e rëndomta të  seksit, të homove  dhe   padrejtësitë që u bëhen    partive të majta të përfaqësuara nga miqtë dhe shokët e tu të Bllokut dhe asnjëherë  për vuajtjet dhe mjerimin e bashkëvuajtësve të tu të Spaçit e të Burrelit, për dënimin e krimeve të bllokmenëve ndaj njerëzve të pafajshme që ti  i ndjeve dhe i provove vetë  fizikisht, mendërisht e shpirtërisht…

Kur e ke ngritur vallë ndonjëherë zërin tënd të fuqishëm mediatik   për pronat  dhe pronarët e grabitur barbarisht nga banditët komunistë? Po për dëmshpërblimin e punës së papaguar  të bashkëvuajtësve të tu që po vdesin çdo ditë në mjerim,  kur ke klithur ndonjëherë i  dëshpëruar, siç po bën  sot për ca tela,  gozhdë  dhe rrecka  e  gjetura  rastësisht nga shëtitja jote turistike në Kampin e Spaçit ?

Kujdes, mos bëj sakrilegje mbi gjakun e të pafajshmëve! Nëse  s’ke mundësi të bashkohesh me lotët e nënave dhe motrave të viktimave  që s’u  dihen  ende varret, të paktën hesht !  Jo për ata 4500 të pushkatuarve  që  u  regëtijnë eshtrat në errësirë dhe  kërkojnë drejtësi, por për trashëgimtarët e tyre që po vdesin dita-ditës, jo vetëm të varfër, por edhe me pengun në zemër që   shteti ligjor  nuk u ka dhënë  ende  mundësi të çojnë   lule në varrezat e të dashurve  të tyre…

 

Shkrime të ngjashme:

  1. K A Ç U R E L A T E Z I N J.Tregim nga Bedri Çoku
  2. Vdekja e Dallëndyshes së Burrelit….. Tregim nga Bedri Çoku
  3. FAMËZIU, Tregim nga Bedri Çoku
  4. Për librin e Blendi Fevziut, “’ Enver Hoxha .“Kritikë nga Bedri Çoku
  5. NUSJA E PRARUAR.Tregim nga Bedri Tahiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>