POSHTË NË ATË LIVADH. Poezi të autoreve të huaj të perkthyera nga Zymber Elshani

Filed under: Poezi |

 

 

 

 

Magjia e krijimit (4)

 

Brinjëgjembaçka, sykaçka:

 

Poet i panjohur:

 

        MBRËMJA

 

Qetësi, fli, foshnje e vogël,

Dielli është në perëndim;

Qengji që gjendet n’livadh

Ka rënë në bar, bën pushim.

 

Dega përkund zogun tash,

Lulja përkund bletën,

Vala përkund zambakun,

Era përkund degën.

 

E unë përkund foshnjen

Që të flë në qetësi –

Ajo s’ka më për t’u zgjuar

Deri nesër n’agim t’ri.

 

 

Këngë popullore bullgare:

 

GAFORRJA DHE BRETKOSA

 

Gaforrja – defatorja,

Mustakëgjata, llafatorja,

Për të birin rrugën mori

T’i lypë nuse te perandori.

Rrugës has një bretkosë

Që kolovitet si rosë,

Brinjëgjembaçkë, sykaçkë:

“Dëgjo, bretkosë brinjëgjembaçkë,

Dëgjo, bretkosë sykaçkë,

Vajzën më jep për të birin,

Tetëkëmbëshin, më të mirin!”

Bretkosa zë kuakat,

Brinjëgjembaçka, sykaçka:

“Ik, gaforre – defatore,

mustakgjatë, llafatore!

Shkues tek unë erdhën papushime

Por s’ua dhashë bijen time!

S’ta jap vajzën për të birin,

Tetëkëmbëshin, më të mirin!”

Flakë ndizet gaforrja

Nxjerr nga shoka inatçorja

Pushkën hidhëruar – pam pam,

Edhe shpatën – një kallam,

Dhe e vret brinjëgjembaçkën

Bretkosën – plakë sykaçkën.

 

Ana M.G.Smith (Holandë)

 

NINULA E IRIQIT

 

Nina – nana gjembaç i mirë,

Ta ruan gjumin ajo hënë,

Hëna dhe yti pancir

Mbushur gjemba nga çdo anë.

Ti je iriq gjembamprehtë.

Perandor në pyll e ara!

T`verdhin luan krifja stolis,

Tigrin pikat lara-lara,

E kitrën kumbarën tonë

Bishti i butë e zbukuron,

E ty çdo gjemb, more bir,

Hijeshinë ta rritë e shton!

 

Fli, ti fli, gjembaçi im,

Rritu, forcohu n`këto krënde;

Me bukuri ua kalo

T`gjithëve edhe nënës tënde!

Elefandi mburret me feçkë,

Papagalli që rri te dera

Me puplat e tij të kaltëra,

E të kuqe e të verdha;

Gjirafa mburret me qafë

Të gjatë sikur fener deti,

Ti megjithatë gjemba ke

Që askush nuk i gjen ngjeti.

Nina-nana, Gjembo i mirë,

Yjet zbehen përmbi ne

Nga smira derisa shikojnë

Trupin tënd, gjembat që i ke!

 

Secila mace me shtizë

Këngë të hollë tjerrë,

Guaca margaritarë ka,

Cjepët mjekër me vlerë,

Nuse të lalës stolis gëzofi

I butë, si kadife prore,

Ti njëqind herë më i mirë je-

Fli,ti fli, fytyrë engjëllore

 

Këngë popullore finlandeze:

 

MBI DJEP

 

Mbylli sytë, o yll i rrallë,

T’mbulon nëna me krahë t’bardhë

Të përkund me duar të lehta

Të zukas siç zukat bleta

Ninulë t’këndoj përsëri…

Mbylli, o bir, sytë e zi,

Kalë i gjumit te dera t’pret

Zilet tund, për gjumë të thërret!

 

Eja ngadalë, me hap t’lehtë

Gjumë i lumtur, i thellë, i nxehtë,

Çunthin tim sa më parë

Vëre në sajat margaritarë!

Si dritë syri ruaje prore!

N’shtigjet e buta verore,

Zgjidhe rrugën mos t’ketë gropa

fre të ketë, mos të bëjë hopa

ati yt i zemëruar!

Shko dhe te retë errësi

Kodrës argjend hypi mbi

Ku është pylli i praruar,

Ku bilbilat bëjnë cicërim –

aty shëtite, birin tim!…

 

 

Këngë popullore letonase:

 

NINULË PYLLI

 

Fli, ti fli, arithi im,

Djalosh leshatok e trim,

Tërshërë nëna kur të tubojë,

Mjalt babai kur të ofrojë,

Do të ketë edhe kaçamak

Për sugarin tim herak.

 

Kaherë errësira ka rënë…

Ku është babai? Imja nënë?

Kush petritit,

Arithit

Në degën e hollë të lisit,

T`ia bëjë gati djepin

Prej pishës, bredhit,

T`ia bëjë qejfin?

 

Vallë, hundulluesit të vogël,

Vallë, kaprollthit të vogël

Askush djep s`i ofron,

Askush këngën s`ia këndon?

 

Era që në degë fërshëllen,

Që sikur harfës i bjen,

Vetëm ajo, n`orët e qeta,

Ia këndon këngët e veta…

U bë ariu prej hundulluesit,

U bë dreri prej kaprollthit

Që të dy u rritën

E kërkush nuk i përkundi,

S`i përkundi, s`dha fare mundi,

S`i largoi, as nuk i ftoi…

 

 

Poet i panjohur:

 

        BETI  NË  GOSTI

 

Kur unë isha në gosti,”

Tha Beti katërvjeçare,

“Një vajzë e vogël ra nga karrigia

    Në dysheme si gastare;

E vajzat e tjera, vajzat e vogla

    Filluan të qeshin përgjithësisht –

Por unë nuk qesha aspak, hiç,”

   Tha Beti seriozisht.

 

“Pse jo?”,nëna e saj e pyeti,

Plot gëzim, për të parë

Se Beti – bekuar zemër e saj e vogël –

Ishte aq e këndshme, e rrallë.

“Përse nuk qeshe, e dashura ime?

    Apo s’doni ta thoni këtë?”

“Unë nuk qesha” Beti tha,

“Se vajza e vogël isha vetë.”

 

 

Këngë popullore eskimeze:

 

PRANVERA

 

U nisa sot në mëngjes me kaike,

brodha detit me kaike,

dhe rremova,

rremova fare qetë

ujërave të fjordit Amasiv.

Pranë meje

çvendoseshin ende copat e akullit.

Një albatros

kthente kokën në të gjitha anët

dhe s’më vuri re.

Përnjëherë,

nga zogu mbeti vetëm bishti

dhe u zhduk…

U fundos,

por jo për shkak timin;

prej ujit

u paraqit koka e madhe e fokës,

me sytë e blertë si deti

e mustakët të gjatë nga t’cilët bijnë me përshpëritje

stërkalat e ujit.

Shikoj si lëviz ngadalë

pranë kaikes sime…

Por unë harpunin nuk e hedh.

Pse?

Mos nga ndonjë mëshirë?

Apo nga qielli që është aq i kaltër

Apo pse foka i gëzohej diellit

sikur në breg fëmijët e mi të vegjël?…

 

Anonime:

 

POSHTË  NË  ATË  LIVADH

 

Poshtë në atë livadh ku bari i blertë brufullon,

Poli Pilikot e bukur rrobet e bardha pastron.

Ajo këndon, ajo këndon, ajo këndon, oh, aq me ëmbëlsi,

Ajo këndon, OH, EJA I DASHUR, n’rrugën e drejtë qiri.

 

 

Ai e puth atë, ai e puth atë, i bleu një fustan vetë,

Një fustan nuseje atje larg në qytet.

Ai i bleu asaj fustan dhe 21 shilingë unazë ari,

21 shilingë, 21 shilingë, 21 shilingë unazë ari.

 

 

Sipër rrugës, nën rrugë, shkëlqejnë me qelq dritaret,

Oh, a s’është Poli Pilikot gocë e ndritshme si fishekzjarret?

Qershitë në faqet e saj, krelat në flokët e saj,

Dëgjoje duke kënduar “Bandilli i shkathët” tërë uzdajë.

 

 

                                  Përktheu: Zymber ELSHANI

 

 

 

 

 

 

 

 

Shkrime të ngjashme:

  1. Në pyllin e kundërshtive.Esse nga J.M.G. Le CLézio.Perktheu: Zymber Elshani
  2. Protonizmi ekziton në të gjitha kritikat dhe studimet e gazetës NACIONAL.Esse nga Zymber Elshani
  3. Urim për Vitin e Ri 2012, poezi të perkthyera nga Meri Lalaj
  4. POETËT E HUAJ PËR SHQIPTARËT
  5. Aspekte të përbashkëta e të veçanta të personalitetit krijues të katër autorëve të parë të letërsisë shqipe (Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>