Njeriu është makinë me gracka.poezi nga Petraq Risto

Filed under: Poezi |

Njeriu është makinë me gracka

 

Nga Petraq Risto

 

Grackat njerëzore

 

Njeriu është makinë me gracka intelekti: Gracka – Kali i Trojës, gracka ngre Hamleti…

Njeriu ngre gracka për të tjerët, ngre gracka për veten: gracka te njeriu si kimikat tretet.

Njeriu: makinë me gracka intelekti.

 

Papritmas e pashë veten mes një orgjie grackash: fletë ditari në një joshje gacash

Sytë: dy gracka ku ngec bishti i dritës, dy gracka janë veshët (për shpirt të muzikës!)

Për shpirt të muzikës!

 

Në një qoshe muzgu një pezhishkë dielli: fluturat e yjeve trullosen dhe ngecin

Në zemrën-qytezë dikush ndez fenerin, labirintet-vena tronditen kur ecim

Njeriu: makinë me gracka intelekti. 

 

Unë ngre gracka – joshje prej bilbili, gracka për laraska vazhdon ngre Hamleti

Sepse unë jam mbrujtur në magje Shekspiri, Princi i Danimarkës: në magje pushteti…

Njeriu: makinë me gracka intelekti.

 

Biblioteka Kombëtare 14  maj, 2012

 

 

Hoteli mes mollëve

 

Hoteli mes mollëve

i ngjan një gruaje shtatlartë

që mund ta quajmë EVA

Pronarin e quajnë Adam

ngaqë çdo mëngjes i dhemb një brinjë

diku mbi mollën e zemrës

 

Administratori Njuton

u jep çelësat dhe çarçafët klientëve

i lut që natën të mbyllin dritaret

se nga joshjet e orgazmave

mollët mund të bien

e ai të rizbulojlë Ligjin e Rëndesës

në këndvështrim tjetër.

 

Hoteli mes mollëve e ka dhe Satanain:

disa burra dyshues

mëngjeseve pyesin Njutonin

për emrat e grave që bujtin në hotel

 

Njutoni mposht Ligjin e Rëndesës

ngre supet e fajit aq lart

saqë kopshti tronditet

dhe mollët shkunden e bien

ose nga pjekuria

ose nga krimbat në formë gjarpëri

që gëlojnë hotelin në formë molle.

 

 

Një ditë e zakonshme

 

Çdo mëngjes

vjen një bojaxhi

ma lyen qiellin me të bardhë

i bën kapele Diellit

me gazetat e ditës.

 

Në mesditë

Diellit i merren mendtë

kapelen prej gazete

e kthen në varkë

e hedh në liqen

të mbytet.

 

Natën

bojaxhiu ikën

me shkallët e rrezeve në krahë

dhe unë grindem me gruan

për ngjyrën e yjeve.

 

 

Kam dy mollë në kopshtin tim

 

Kam dy pemë molle në shtëpi

Kam dy mollë:

Një nënë me ije rozë plot stoli

Dhe bijën belëhollë.

Kam dy mollë në kopsht

dy mollë.

 

Shpesh

nën hijen e mollëve rri

Hijet mbi krye

më venë aureolë

Nga kurora e mollëve

trembem gjithsesi

Kur kujtoj historitë njerëzore

me mollë.

 

 

Kallëza në pëllëmbë

 

Marrë kallëzën në pëllëmbë, e shkërmoq, u fryjë mëndafshin e ndezur

Zhvishen lakuriq me  vizën e hollë në mes që më kujton se jeta do vazhdoj.

Marrë kallëzën në pëllëmbë, e thërrmoj: ndjej zërin e grurit në vijën e jetës

Në vijën e fatit gruri do të mbijë në formë femre lëkurë ngjyrëgruri

Në vijën e lavdisë ajo do shkojë si në vijën  e ujit kur shtyn pendën e mullirit

e gatshme të bluhet për të tjerët: guri i mokrrës më thërret në emër.

 

Shkërmoq kallëza gruri në pëllëmbë e padashur kap dhe lulëkuqen

Me karficën e halëzave në kurorë: me faqkat skuqur prej turpeve.

Pastaj marrë kërcellin e pjekur e kthej në flaut magjik

Të kërcejnë këto kallëza, këto kokrra  aromë buke e lavdie

dhe kjo lulëkuqe e vetmuar të kthehet për pak kohë në vejushë

do martohet sërish verën tjetër.

Shkërmoq kallëza në pëllëmbën e jetës.

 

 

Një pik lot u bë ortek…

 

O Zot, o Zot në mal të shpirtit një pik lot u bë ortek

O Lot, o Lot pikoj dhe zbriti dhe Zotin vetë e bëri breg…

Një lot është bërthamë shpirti dhe shpirti: kopsht me qershi

në cilën faqe loti ndriti dhe nuk u shpall si pasuri?

 

Në cilën faqe ndriti loti dhe si pasuri, o miq, s’u shpall

A s’ju duket shpesh i thjeshtë Zoti: gështenjapjekës me mangall?

Në mal të shpirtit një pik lot u bë ortek, o Zot, o Zot

nën lot gjithshkush e gjen një shteg se Zoti zbret në një pik Lot.

 

* * *

Xhordano Bruno

teksa digjet në turrën e druve

sheh Papa Vojtilën

që kërkon të falur

Disa dhelpërza flake

hanë kërcujtë

i kthejnë në hi pa u ndalur…

Nga djegia e eshtrave të tij

tymi del i bardhë:

veladon i Papës.

 

 

Anoreksi

 

Më quajnë Eva.

Ha vetëm mollë

Në mëngjes: të verdha

Në drekë: jeshile

Të kuqet: në darkë

Në qytezën Eden

çdo ditë vjen dhe ikën

mjeku i vetëm Adam.

 

Nuk ha gjë tjetër veç mollëve

Dhe mjekut Adam i vjen keq kur sheh:

më zvogëlohen gjinjtë

më  treten qirinjtë

e llërëve dhe kofshëve

nën hijet e pemëve

si hije hollohem.

 

Shpesh më shfaqet tregtari Satana:

nëse s’ke mollë

Adamin ha…

E vras Adamin

I pres mollën e grykës

Dhe rend rrugëve

Duke gëlltitur njëherësh tri mollët e semaforëve…

 

 

Me gjëagjëza lulesh, tërfila magjistarë

 

Kjo kodër me gjëagjëza lulesh, tërfila magjistarë, me epruveta rrezesh kthen vesën në ar

Thithka ka 37 rubinë si kjo kodër me gjëagjëza lulesh e tërfila magjistarë

Dhe si këto rreze që me  vesën bëjnë flori, me gjinjtë për dy njerëz ndez një zjarr.

Mbledh gjëagjëza lulesh, tërfila magjistarë, ç’alkimist i marrë! Ç’alkimist i marrë!

Ngjitemi në kodër gjithë butësi: gishtërinj mbi gjinj,

ç’gjëagjëza lulesh, ç’tërfila magjistarë!

 

Moj margaritë e vogël që  lutesh në kishë vese, mbi ty “më do s’më do” lozin mëngjeset

Mes gjëagjëza lulesh, tërfilash magjistarë që shpirtin njerëzor e kthejnë në ar

Moj margaritë e vogël me fatin në petale pse dridhesh kaq me frikë si mollëza në kitarë

Të gjeta margaritë tek merrje frymë në bar mes gjëagjëza lulesh, tërfilash magjistarë

Ç’alkimist i marrë! Ç’alkimist i marrë!

 

Po ngjitemi në kodër ku hëna po hap pajën e margaritë e vogël nis të qaj, të qaj

këto lotë margarite njomin pajën mes gjëagjëza lulesh, tërfilash magjistarë

mbi kodër shtrihesh ti: ç’magji e bardhë mes gjëagjëza lulesh, tërfilash magjistarë

zbërtheni gjëagjëzat tërfila magjistarë: diçka thonë për mëzat që rendin nëpër bar

diçka për xixëllonjën habitur përmbi gji, xixëllonja tjetër mburret se është zjarr

a e di moj ti, a e di moj ti se dhe xixëllonjat bëkan dashuri…

Ç’alkimist i marrë! Ç’alkimist i marrë!

 

Të dy shtrirë mbi kodër mes lulesh, xixëllonjash, nën hënën që botës i shpall pajën

tërfilat magjistarë të dyve na mbajnë hopa : ne puthemi në ajër, ne puthemi në ajër!

 

 

Un/ t/ paguaj, vuaj vuaj

 

Një mik

e vesh

në Ar

e bën

Armik

Nëse

rastësisht

je udhëtar

me cilin

prej tyre

do ikësh…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>