VDEKJA E DASHURISE ME DY FATE
Në lëvorën e një frashëri të trashë, pak më i trashë se këmba mbi gju e një burri, dikush, dikur, ishte munduar ta vizatonte me maje brisku zemrën. Kishte arritur ta shkruante gjysmëharkun e djathtë me zbritje poshtë, disi si një gjysëm kokrre fasuleje. Gjysma tjetër nuk shihej. Moti ka ngjarë kjo, kështuqë prej at’herit e deri tash kanë kaluar shumë vite e kanë ndodhur shumë histori. Në vend të asaj gjysmës tjetër të zemrës kishte gufuar një nyje, kishte nxjerr krye një edalë dhe e kishte shkapërderdhë gjysmëharkun.
Kur një ditë i rashë andejpari, ia ngula sytë së largu frashërit e kur u afrova ia lshova sytë asaj zemre dhe ia picrrova sytë asaj edale, atij shpërthaçi, që nuk e kishte lënë zemrën të rritej si duhet. U ndala në vend, si të m’i kishte shkurtuar dikush të dy këmbët në gjunj. Një diçka të ngjashme kisha gdhendur edhe unë në një trung atje breg prroit, prandaj fjauf, m’u zgjua një kujtesë. Për atë shkak u ndala, se jo për historinë e atij vizatimi. Ajo histori m’u kujtua, në çastin kur po e shikoja atë edalë. Atë shpërthaç.
Ajo edalë i përngjante një ithati. Kojshisë sim, Kurtit, i dilnin shumë ithata në duar, në këmbë, sidomos në kofshë, dhe kur i stërpikte pahiri me shurrë, i digjshin ithatat desh tranohej. I duronte shumë dhembjet, të djegtit, kruarjet, sidomos kur bajshin me i mbledhë qelb. Edhe atëherë duronte dhe nuk bënte cik. Thoshte: “Asht mirë me t’dalë ithatat, se t’keqtit, që e ka trupi mrena,deljashtë.” Sigurisht edhe trupi i atij frashërit ka vuajtur shumë derisa ithati a shpërthaçi – pra ajo farë edale, ia kishte nxjerrur të keqtit përjashta. E mua m’u kujtua tezja Nuri, e cila na namte, kur nuk e dëgjonim për diçka me: “Ah, ty të daltë edala, të daltë!”
Pse ka vuajtur frashëri!?
Sepse nuk ka mundur ta mbajë të keqtit përbrenda.
Tash, pasi që e ka nxjerrur jashtë, nuk e mundon gjë. E ka nxjerrur të keqtit.. E ka zbrazur. Është shkarkuar dhembjesh, si shtatzëna kur lind foshnjën.
Unë e kuptova se ai shpërthaçi kishte shumë dëshirë ta përkujtonte atë dhembje, dhe të ma rrëfente mua historinë e saj, derisa isha aty. Trupi i frashërit sikur të ishte shndërruar në shenjtor. U kishte bërë ballë sopatave. Ose nuk i kishte bërë zemra kujt t’a priste. Mos o Zot! Ai që mund ta priste – Zoti do ta vriste! Prandaj misterin kështu siç është kanë arritur ta mbajnë mend krejt-krejt nja 3-4 pleq.Potë prehej frashëri do ta merrte vesh tërë vilajeti: “Jo, pse e preu!?” “Jo, çka i bëri?” , “Jo, paska qenë mbushur haram!”, “J, nuk e la të qetë historia shpirtgërryese!”, “Jo gjaku!”, “Gjaku?”, “Gjaku;”, “Gjaku.” “GJAKU!” Secila fjalë gjak ka në vete nga 25 vjet – moshënjeriu. Jo moshëdruri, se druri s’ka të bën fare me gjakun. Druri nuk ka gjak. ai ka lëmashk. Lëmashk toke. Lëmashk dielli. Lëmashk kohe.
Unë e hetova kur druri po bëhej gati t’ia fillonte rrëfimit. Sepse u qetësua mirë. U mbush frymë. I rregulloi gjymtyrët që të mos i mpihen. Shikoi përreth se cili është ai që po e dëgjonte, dhe ia filloi. Fliste në gjuhën e vet, sepse i gjori frashër, nuk di asnjë gjuhë tjetër pos gjuhës së tij.
“Atë ditë, pranë trungut të frashërit nuk pati ndonjë njeri tjetër, pos Gjeta dhe F. Që të dyt kishin sjellur me vete dufin më të madh ëmbëlor të dashurisë. Flisnin. Bisedonin. Qeshnin. Pranvera në fillim kishte pasur shumë shira, prandaj toka ishte tepër e lagësht dhe nuk mund të uleshin.. Kur ajo fliste, ai e shikonte në sy, në gojë dhe në zemër. Ndërkaq kur ai fliste, ajo ia shikonte duart. Me një brisk të merakut gdhendte diçka në lëvorën e frashërit. Ajo nuk e pyeste se çka po vizatonte, por as ky nuk i tregonte. Ishte mesditë e një dite shumë të bukur. Si duket pranvera kishte vendosur ta merrte seriozisht pëmirësimin e motit. Bisedat e përzemërta, vizatimi në lëvorën e frashërit, shikimet e buzagazshme dhe të shigjetuara. Kaq. Ishin kohët kur djalit duhej do t’i vinte turp të vënte dorë mbi “çikën e huj”. E pra ajo i qëndronte karshi. Ndjente hukamën e gojës dhe aromën djalë të trupit të tij; aq afër ishte me të. Ajo kishte shkelur mbi ato të vjetrat, “mos me i nejt karshi djalit t’huj”, pa e pasë dikend ndërmjet. Nuk kishin dëgjuar as ai as ajo se “ djali i pafolun” mundet me e puthë në faqe “çikën e huj”. Por vajza, megjithatë ia lypte me shikim gojën djalit, sigurisht për t’ia vjedhur me puthje. Veç zemrat nuk kishin ndalesa as të vjetra as të reja. Ato rrihnin. Ushtonin më shumë se sa të rrahurat e daullës.
Një pjesë e kësaj kohe i iku djalit për ta vizatuar atë diçka si zemër në lëvorën e frashërit.
Vajza foli gjat. Ai vodhi një pjesë edhe nga ajo gjatësi kohe, që të mos e tepronte me shikime “çikën e huj”, që po i bëhej e tija duke e gdhendur në atë pjesëz të natyrës. Djali e kishte ndërmend ta vizatonte vetëm një zemër, atë që e gdhendte dashuria. Mirëpo në grimëçastet kur ai ndalej ta shikonte syrin… Në këngët që ai i kishte dëgjuar flitej për një sy të zi, për një sy të puthur, për një sy që din të “bëjë me sy”, madje edhe për një “ta hangsha synin me gjithë vetull!” Dikur më vonë edhe “ta qendissha faqen me dhamë!” Djali po tranohej pas vajzës, pse i kishte flokët xhufrra-xhufrra. E vriste dëshira se ato mund të behen bistekë nuseje. I mbeti zemra në të. I mbeti shpirti rreth saj, Por në disa çaste e largonte shikimin, që të mos e quante – “kopili, nuk po m’i shkoq sytë!” Nuk e di a ishte kjo një dashuri e shprehur burrërisht e jo me lozonjime, apo dashuri që zinet, përqafohet e nuk lëshohet më. Djali qe ishte buzë greminës së “tranimit”, bëri në lëvorën e lisit edhe një “një diçka” të ngjashme me sqepin e zogut nga ana e djathtë e zemrës. Mandej dhe dy- tri sumlla si pika shiu. Kur e përfundoi pikën e fundit, e nguli majën e briskut midisdisit të pikës dhe po e rrotullonte si me dashtë me ia ngulë në zemër e me e mbytë. Drunit të frashërit nuk i erdhi mirë ai rrotullim i majës së briskut, sepse i dhimti shumë. Fjaf-fjauf i therri zemra frashërit, vëzzz i sëmboi rrënja, gërr-gërr iu gërryen gjethet – por djalit s’ia dha, madje as një shikim qortues. Iu dhembs t’ia prishte afshin gufmues djalit, që i vlonte dashuria.
Ajo vera tjetër që erdhi ishte me e verët. Frashëri mori haz në të rritur. Edhe figura e bërë nga djali i dashuruar një vit më parë gufmoi prej së brendshmi. Po merrte të dalur, bash si një cicë vashe qënise merr mbushëllim. Kjo edalë e kishte këputur vijën që zbriste prej së larti, pasi e kishte kaluar barkushën, dhe nuk i përngjante më as gjysëmzemrës. Njëra prej atyre pikve, kishte marrë, jo të mbyllej, siç mbyllet plaga e diçkaje të gjallë, por të thahej e të përthahej. Ajo bimë emërhieshme e natyrës nuk e vriste mendjen për ato vogëlima plagosëse që i kishte lënë mbi lëkurën e tij djali i tërbuem nga syri i një vashe.
Vajza paska pas shkuar prapa djalit, sepse paska thënë se i kishin humbur shqerrat. Edhe shqerrat humbin kur marrin haz me u rritë. Ajo mbushej qejf pse i kishin humbur shqerrat. Shqerrat e humbura, thonin për çdo verë barinjtë, mund t’i gjejë vetëm ai djalë që din të shkruaj zemra në lëvoret e drunjve. Është mirë të humbin shqerrat, bile një herë në jetë dhe t’i marrin fushat e t’i marrin malet. Ndonëse vajza nuk po i lypte shqerrat e humbura, një djalë, që dëgjoi për rastin, i doli përpara dhe i tha: “Unë t’i gjej shqerrat, ori ti, me sy tëzi!” “Jo, ju gjegj ajo, e di unë kush mund t’i gjejë shqerrat e mia! Nuk je ti ai!”
Shjqerrat e mia, dal unë me i lypë. Vetë i kam hupë, vetë do t’i gjej”! Dhe u vu pas tyre andej nga frynë juga. Dëgjoj edhe Gjeta për humbjen e shqerrave të F. U vu pas tyre andej nga lind dielli. “N’m’i pastë vjedhë dikush shqerrat e syzezës sime, atë veç dielli ka mund ta bëjë. Dhe vetëm unë mundem me i gjetë, se e kam emnin Gjetë!”
E unë, shkrimtari i vogël, tani, po e shikoja zemrën e përgjysmuar në lëvorën e frashërit. Nuk kisha dëgjuar kurr se ç’kishte ndodhur as me fatin e Gjetës as me Fatin e Fatës. Ku të dihej!? A patën ata dy shpirtra – një fat apo dy fate!? Më shpëtoi fjala e thashë vetmeveti: “Jo shqerrat e vashës Fatë dhe të Gjetës janë ngri nga dy dashuri! Më përhumbi shikimi i mëtejmë nga lotëzimi i syve. E lash zemrën e shpërthiqur të Gjetës dhe mora të zhdorgjem atje diku buzë përroit që ta kërkoja zemrën time, për të cilën shumë kisha dronë, se e ka pasur të njejtin fat.
Shkrime të ngjashme: