Fjala e Presidentit Amerikan Xhorxh W. Bush 10 vjet më parë në Tiranë

Filed under: Politikë |

Konferenca e përbashkët për shtyp e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh U. Bush, dhe e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

Tiranë, më 10 qershor 2007

Pas takimit dypalësh, Presidenti Amerikan Xhorxh U. Bush dhe Kryeministri Sali Berisha dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Fillimisht të dy personalitetet bënë këto deklarata:

Kryeministri Sali Berisha: I nderuar Zoti President Bush, të nderuar bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit Bush. Zonja dhe zotërinj, sot është një ditë e bukur, e madhe dhe historike për mbarë shqiptarët.

Në mesin tonë ndodhet mysafiri më i madh dhe më i shquar që ne kemi pasur në të gjitha kohërat, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i vendit lider të botës së lirë, Xhorxh U. Bush, Zonja e Tij, Laura Bush dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Për mua, është një nder i madh dhe kënaqësi e veçantë, t’i falenderoj me mirënjohje dhe t’u uroj përzemërsisht mirëseardhjen, në këtë vizitë historike, vizita e parë e një Presidenti në detyrë të Shteteve te Bashkuara te Amerikes në Shqipëri.

Faleminderit thellësisht nga zemra, Zoti President, që plotësuat një dëshirë të zjarrtë, të shumëpritur të të gjithë shqiptarëve, për t’ju pasur mik në shtëpinë e tyre.

“Tungjatjeta!” është përshëndetja tradicionale e shqiptarëve për mikun, të cilën kam përzgjedhur për t’ju përshëndetur Ju në emër të tyre.

Mirëserdhët në Shqipëri, Presidenti Bush!

Zoti President, Ju jeni sot mysafiri dhe miku i nderuar i një kombi, mirënjohja, miqësia e të cilit ndaj kombit dhe vendit tuaj të madh, janë të gdhendura thellë në kujtesën historike, në ndërgjegjen e qytetarëve të tij. Asnjë komb tjetër në rajon dhe në Europë nuk ka përjetuar vuajtje, spastrime etnike, racizma, copëtime, pushtime, diktatura të egra, sa ne shqiptarët. Historia ka qenë e padrejtë dhe shpesh e ligë ndaj nesh.

Por sërish, ne kemi qenë të bekuar. Në të gjitha përpjekjet tona për të mbrojtur identitetin dhe vokacionin tonë kombëtar Perëndimor, për të dalë nga koha e shtypjes në kohën e dinjitetit, nga koha e errësirës në kohën e lirisë, ne kemi fituar sepse kauza jonë e drejtë, ka pasur mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut më të çmuar dhe më të madh të kombit shqiptar.

Zoti e bekoftë kombin tuaj të madh!

Në fillimet e shekullit që kaloi, Presidenti Uillson[1] nuk lejoi copëtimin e shtetit të saposhpallur, të pavarur shqiptar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 85 vjet më parë, njohën Shqipërinë. Vizita juaj në këtë përvjetor vjen si kurora më e bukur e tij, si ngjarja më kulmore në marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore ndërmjet dy vendeve tona.

Më vonë, Presidenti Truman[2] bëri përpjekje të mëdha për të çliruar shqiptarët nga diktatura e tyre oruelliane. Në fillim të viteve 1990, Presidenti Xhorxh Herbert Bush[3] dhe administrata e tij dhanë ndihmë të jashtëzakonshme dhe historike për shembjen e Murit të Berlinit në tërësi, por edhe për shembjen e tij në Tiranë dhe hapjen e dyerve të lirisë për shqiptarët. Presidenti Bill Klinton[4] udhëhoqi Alenacën e Atlantikut të Veriut në betejën për çlirimin e Kosovës nga pushtimi barbar dhe, sot, qytetarët e Kosovës kanë tek Ju dhe administrata Juaj shpresën dhe mbështetjen më të madhe për projektin e shtetit të tyre të lirë, të pavarur dhe të integruar në Europë.

Shekuj më parë e gjer sot, në vendin tuaj të bekuar kanë emigruar qindra dhe mijëra shqiptarë. Ata janë qytetarë të nderuar dhe besnikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ata kanë dashur dhe duan shumë edhe kombin e tyre të origjinës. E kanë ndihmuar shumë atë. Ata kanë mbajtur gjithnjë të pashuar dritën e shpresës dhe të lirisë për shqiptarët.

Unë dua t’ju përcjell atyre sot, në praninë Tuaj, përshëndetjet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë.

Ndjenjat miqësore ndaj kombit dhe vendit tuaj të madh, si dhe proamerikanizmi i shqiptarëve, janë, në të vërtetë. edhe çështje e krenarisë së tyre kombëtare. Shqiptarët janë shumë krenarë për miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për bashkëpunimin që kanë me kombin tuaj në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, për praninë e tyre krah jush në Irak, në Afganistan, dhe ju siguroj se do të jenë me ju ku të ketë nevojë, për të dhënë ndihmesën e tyre të vogël modeste, por të vendosur, kundër terrorizmit ndërkombëtar, armikut më të rrezikshëm për popujt e lirë.

Por, para së gjithash, shqiptarët ndjehen krenarë për miqësinë ndaj kombit tuaj, sepse ndajnë me të vlerat dhe parimet e lirisë dhe demokracisë së orientuar nga tregu. Në këtë rrugë, ata kanë pasur ndihmë të jashtëzakonshme politike, ekonomike, financiare, teknike, ushtarake dhe të gjithanshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e tjera mike, për të cilën ne mbetemi gjithnjë thellësisht mirënjohës.

16 vjet më parë, Sekretari i Shtetit, Xhejms Bejker[5], do të sillte te shqiptarët mesazhin “freedom works”[6]. Sot, pas 16 vjetësh, mund t’ju them se pavarësisht nga vështirësitë që ka përjetuar vendi, liria për shqiptarët ka funksionuar më shumë se për të tjerët. Kështu, Shqipëria nga vendi i lirive dhe të drejtave njerëzore, të ndaluara me Kushtetutë, i  hiperkolektivizmit, i skllavërisë së vërtetë njerëzore dhe i izolimit më të thellë, është sot vendi i pluralitetit të konsoliduar politik, ekonomik dhe i tolerancës së shkëlqyer ndërmjet besimeve fetare, i demokracisë që funksionon, është vendi i rritjes së shpejtë ekonomike në të cilin 80% e GDP-s[7] vjen nga sektorë privat dhe ku të ardhurat për frymë janë rritur rreth 20 herë. Shqiperia që ka firmosur dhe po zbaton me sukses Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian dhe nga Samiti i Rigës mori mesazhin e mundësisë së ftesës për anëtarësimin në NATO, vendi që mikpret sot, Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh U. Bush.

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zonja dhe Zotërinj, në bisedimet tona ne diskutuam me Presidentin Bush marredhëniet e shkëlqyera miqësore bilaterale dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Unë e njoha Presidentin me reformat e gjithanshme që qeveria ime ka ndërmarrë dhe rezultatet e tyre në konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, ndihmën e çmuar që institucionet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera mike po japin në këtë drejtim, diskutuam për luftën kundër korrupsionit dhe për ndihmesën e pritshme të madhe, për një seri projektesh që financohen nga llogaria e Mijëvjeçarit, si e-taksës[8], e-prokurimit[9] dhe “one stop shop”[10], reformat në institucionet e tjera dhe në sistemin gjyqësor, polici, arsim, etj.

Unë e njoha Presidentin Bush me reformat e rëndësishme që po ndërmarrim për shndërrimin e Shqipërisë në një vend atraktiv për investitorët amerikanë dhe të tjerë. Një seri kompanish amerikane të mëdha punojnë sot në Shqipëri. Jam i bindur se kjo vizitë do të inkurajojë shumë të tjerë. Një vend të veçantë në bisedimet tona, zuri çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si përparësia kryesore e Shqipërisë. Në këtë kontekst, ne kemi vendosur të rrisim me 2% të GDP-s buxhetin për forcat e armatosura, të trefishojmë praninë tonë në Afganistan, të zbatojmë me seriozitet kërkesat e ciklit të 9-të të MAP-it[11]. Përveç këtyre, shtoj se mbi 90% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Mbështetja e Presidentit Bush dhe e administratës së Tij është e një rëndësie jetike për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si e ardhmja e tij më e sigurt.

Ne diskutuam gjerësisht për zhvillimet në rajon. Fill pas kësaj konference, do të vazhdojnë gjatë drekës diskutimet për bashkëpunimin në kuadrin e Kartës së Adriatikut 3 me miqtë tanë shumë të mirë, Kryeministrin e Kroacisë, Ivo Sanader, dhe Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski.

Një vend të veçantë në bisedimet tona i është kushtuar zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, në përputhje me propozimin e Presidentit Ahtisari, për pavarësinë graduale të saj, si kusht përcaktues për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Zonja dhe Zotërinj, në Dhjetorin e vitit 1990 studentët dhe qytetarët e Tiranës mbushën sheshet dhe rrugët e saj me thirrjet “USA”[12], “Rroftë Presidenti Bush”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Presidenti Xhorxh Herbert Bush e vizitoi Shqipërinë më 1994 dhe më 1996 dhe, me parë, edhe Presidenti Xhimi Karter[13]. Unë kam bindjen se, pas kësaj vizite, Zoti President, vendin tonë do ta vizitojnë edhe Presidentë të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por në kujtesën e qytetarëve shqiptarë do të mbahet gjithmonë mend nderi i madh që Ju u bëtë atyre, me vizitën e parë të Presidentit në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Faleminderit shumë, Presidenti Bush, mik i madh i kombit tim!

Presidenti Bush: Mirëdita! Faleminderit për ftesën. Zoti Kryeministër, faleminderit për mikpritjen. Falenderoj edhe Presidentin për mikpritjen.

Krenohem që jam Presidenti i parë amerikan në detyrë, që viziton Shqipërinë. Është një nder i madh të përfaqësoj vendin tim këtu. E kam pritur vërtetë me padurim këtë udhëtim, po kështu edhe bashkëshortja ime, Laura. Arsyeja është se më pëlqen të vizitoj vendet që po punojnë shumë për ngritjen e institucioneve të nevojshme për mbijetesën e demokracisë. Jam veçanërisht i lumtur që ndodhem këtu në Shqipëri, në një vend që ka flakur tej vargonjtë e një shoqërie shtypëse dhe tani po i tregon botës çfarë është e mundur. E përgëzoj popullin shqiptar dhe ju falenderoj për pritjen tonë të ngrohtë nga njerëzit nëpër rrugë.

Zhvilluam një diskutim shumë të mirë. Mësova shumë rreth vendit tuaj. Mësova faktin se ky është një vend që përkrah tregjet dhe është angazhuar në kryerjen e reformave të nevojshme, për të garantuar mbijetesën e biznesmenëve të vegjël, fuqizimin e sipërmarrësve dhe drejtësinë në sistemin e taksave. Më ka lënë mbresa vendosmëria e qeverisë për të luftuar korrupsionin, për të bërë të qartë se qeveria i përket popullit, se populli mund të ketë besim te qeveria, duke i larguar ata që do të shfrytëzonin postet e larta, për t’i vjedhur taksapaguesit. E vlerësoj këtë përkushtim, zoti Kryeministër.

E vlerësoj faktin se Shqipëria është model i tolerancës fetare. Gjithashtu, e vlerësoj faktin se Shqipëria është vend mik besnik dhe aleat i fortë. Dhe shpresoj se kjo vizitë sot do të përcjellë këtë mesazh te populli shqiptar: Ju mund të mbështeteni tek Amerika, ashtu sikurse Amerika mund të mbështetet te ju, me qëllim që të bëhet punë e madhe dhe e nevojshme për përhapjen e lirisë dhe, rrjedhimisht, edhe të paqes.

Ne diskutuam një sërë çështjesh, diskutuam për Irakun dhe për Afganistanin. Falenderoj Kryeministrin dhe qeverinë e tij për vendosjen e trupave, që t’i pritet rruga të keqes. Shqiptarët e njohin tmerrin e tiranisë. Prandaj, edhe po punojnë për t’u sjellë shpresën e lirisë popujve që nuk e kanë shijuar atë. Dhe kjo është përpjekje fisnike, është sakrificë. Dhe unë e vlerësoj sakrificën tuaj.

Shqipëria ka dërguar 120 trupa komando elitë në Irak. Unë pata privilegjin për t’u takuar me disa ushtarë shqiptarë. Ja çfarë u thashë: U thashë, para së gjithash, ju gëzoni respektin e ushtrisë sonë. Ushtarët tuaj i kryejnë detyrat e ngarkuara më së miri. Ata janë të stërvitur mirë, ata janë të disiplinuar, ata janë trima. U thashë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë kontributin e tyre. Të njëjtën gjë bëjnë edhe qytetarët irakenë dhe, gjithashtu, u thashë që, kur të kthehen në shtëpi, t’u dërgojnë bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre falenderimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Familjet janë pjesë e jetës së një ushtari, aq sa është edhe ai vetë.

Prandaj, zoti Kryeministër, ju falenderojmë shumë për përkushtimin tuaj ndaj lirisë së Irakut dhe të Afganistanit. Kryeministri ka deklaruar se Shqipëria do të dërgojë 120 trupa shtesë në Afganistan këtë verë. Këto janë dy fronte jetike në luftën kundër terrorizmit dhe, në këtë luftë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një mik të fuqishëm, Shqipërinë. Dhe unë ju falenderoj.

Ne biseduam edhe për NATO-n dhe për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në këtë Aleancë. Unë e përgëzova Kryeministrin për progresin që ka bërë Shqipëria në drejtim të reformave ushtarake, ose, thënë ndryshe, një nga kërkesat për t’u anëtarësuar në NATO është reformimi i Forcave të Armatosura. Dhe Shqipëria po punon shumë për ta arritur këtë, si dhe për të plotësuar standardet bazë të performancës, të anëtarësimit. Me fjalë të tjera, anëtarësimi nuk ndodh aty për aty; nuk mjafton vetëm shprehja e dëshirës, për t’u anëtarësuar, pritet përmbushja e disa standardeve të caktuara.

Kësisoj, para së gjithash, bisedova me Kryeministrin për dëshirën e madhe të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Unë e mbështes këtë. Unë i thashë Kryeministrit se nevojiten më shumë reforma politike dhe ushtarake, më shumë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe ai e kupton këtë. Ai më tha se jemi të vendosur. Ja çfarë më tha Kryeministri: Shqipëria është e vendosur për t’i plotësuar këto standarde. Dhe unë i thashë se ne jemi të vendosur t’ju ndihmojmë.

Dhe, për figurat politike në këtë vend, është shumë e rëndësishme të kuptojnë çfarë kërkohet. Politikanët duhet të punojnë së bashku tani, për të përmbushur standardet. Ata duhet të lënë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe të përqëndrohen në atë që është e dobishme për Shqipërinë. Nëse populli shqiptar dëshiron të anëtarësohet në NATO, atëherë politikanët duhet të punojnë për përmbushjen e standardeve.

Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve, qeverisë dhe opozitës, të bëjnë çdo gjë që është e nevojshme për t’u anëtarësuar në NATO dhe ne do t’ju mbështesim dhe do t’ju ndihmojmë. Mendoj se gjëja më e mirë është që Shqipëria të jetë aleate e NATO-s. Pres me padurim që një ditë t’ju uroj mirëseardhjen në NATO.

Ne, gjithashtu, diskutuam për Kosovën. Unë jam mbështetës i patundur i Planit Ahtisari[14]. E thashë dje në Romë se koha është tani. Dikush më pyeti se kur do të përfundojë kjo? Kur do të marrë fund ky proces? I thashë se koha është tani. Me fjalë të tjera, bëra të qartë dy gjëra: së pari, se duhet të lëvizim dhe, së dyti, rezultati përfundimtar është pavarësia. Ne shpenzuam shumë kohë, duke diskutuar për këtë çështje këtu. Kryeministri kishte dëshirë të madhe të njihej me pikëpamjet e mia. Ai dëshironte të sigurohej se ajo që unë thashë të ishte e qartë për këdo, dhe ajo që unë thashë është: Pavarësia është rezultati; le ta çojmë këtë proces përpara.

Tani, ne duam të sigurohemi që Serbia të kuptojë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin aspiratën e saj për integrim më të ngushtë me Perëndimin. Kjo nënkupton bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë dypalëshe. Gjithashtu, kjo nënkupton, për shembull, anëtarësimin e mundshëm në NATO. Unë i bëra thirrje Kryeministrit të bashkëpunojë me udhëheqësit e Kosovës, për të ruajtur gjakftohtësinë gjatë këtyre fazave përmbyllëse të procesit të statusit përfundimtar të Kosovës. Ai më siguroi se do ta bënte një gjë të tillë. Ai ka lidhje të mira atje, por dhe kosovarët i kanë kthyer sytë nga udhëheqja e Kryeministrit dhe e Presidentit të Shqipërisë, të cilët janë të gatshëm ta ofrojnë një gjë të tillë.

Pra, ne diskutuam për shumë çështje dhe bisedat, vizioni dhe dëshira për të ndihmuar më kanë lënë shumë mbresa. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të jenë një mik dhe aleat i mirë i Shqipërisë.

Sërish ju falenderoj për mikpritjen dhe e di se jeni krenarë për progresin historik që keni bërë. Zoti e bekoftë popullin shqiptar, sigurisht, edhe popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më pas Presidenti Xhorxh U. Bush dhe Kryeministri Sali Berisha iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

Pyetje: Ju e keni garantuar Presidentin Bush se do të bisedoni me udhëheqësit e Kosovës lidhur me propozimin e Presidentit Sarkozi[15], që mund t’i shtyjë kosovarët të shpallin pavarësinë. Në këtë rast, cili do të ishte qëndrimi i Shqipërisë? Dhe a keni diskutuar për këtë faktor, për këtë kundërshtim, me Presidentin Bush?

Kryeministri Berisha: Ne diskutuam gjerësisht me Presidentin Bush për Kosovën. Ajo që unë mund t’ju transmetoj publikisht lidershipit dhe qytetarëve të Kosovës është se projekti i tyre ka mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e plotë të Presidentit Bush. Në këtë kontekst, sikundër dhe më parë, edhe tani, as nuk pres dhe as nuk këshilloj ndonjë lëvizje, përkundrazi, presistencë dhe gjakftohtësi. Projekti i tyre është plotësisht në mendjen dhe zemrën e Presidentit Bush.

Desha të shtoj, më shumë për qytetarët e Kosovës dhe udhëheqjen e saj, se në diskutimin tim konstatova një vetëdije të plotë nga Presidenti Bush për pasojat e zgjatjes së papranueshme, ose të pajustifikueshme të procesit. Në këtë kontekst, ata duhet të jenë shumë të qartë që Presidenti është i vetëdijshëm për këto pasoja dhe nuk i dëshiron ato.

Presidenti Bush: E rëndësishme është që populli i Kosovës ta dijë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria e mbështesin me forcë pavarësinë, siç bënë shumica e pjesëmarrësve në samitin e G8-s.

Rekomandimi i Presidentit Sarkozi ishte që të bëhen përpjekje t’u jepet pak kohë njerëzve, në mënyrë që të kenë mundësi t’i sheshojnë mosmarrëveshjet. Megjithatë, ajo që do të jetë e pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe, sipas mendimit tim, për shumicën e anëtarëve të G8-s, ishte që përfundimi i çfarëdo procesi të jetë pavarësia e sigurtë. Kjo është e rëndësishme të dihet.

Çështja është të jepet apo të mos jepet pavarësia; ne besojmë fuqishëm te pavarësia. Pastaj, për të arritur këtë, nevojiten lëvizjet diplomatike. Unë besoj se është e rëndësishme që të çohet procesi përpara dhe koha është tani. Me këtë, dua të them se Sekretarja Rajs[16] do të punojë shumë për të kuptuar nëse nuk mund të arrihet marrëveshja. Dhe nëse jo, do të na duhet të lëvizim. Pavarësia është objektivi dhe kjo nevojitet të dihet nga populli i Kosovës.

Faliminderit për pyetjen.

Pyetje: Faleminderit Zoti President. Dje, ju kërkuat vendosjen e një afati brenda të cilit Kombet e Bashkuara të veprojnë lidhur me Kosovën. Kur mendoni se duhet të përcaktohet ky afat? Dhe a jeni të shqetësuar ndopak se ky qëndrim do t’i acarojë më tej marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Rusinë? Dhe a ka ndonjë mundësi që ju të pranoni propozimin e Rusisë për raketat mbrojtëse?

Presidenti Bush: Faleminderit. Dua të sqaroj dy-tre gjëra për këtë. Para së gjithash, nuk mendoj se kam kërkuar vendosje afati. M’u duk se thashë kohë, apo jo? Çfarë thashë saktësisht? Përmenda fjalën “afat”? Në rregull, atëherë nënkuptova atë që thashë. Problemi shtrohet nëse do të ketë apo nuk do të ketë dialog të pafund lidhur me një çështje për të cilën ne e kemi ndarë përfundimisht mendjen. Ne besojmë se Kosova duhet të jetë e pavarur.

Të gjitha diskutimet e G8-s synuan të përcaktonin nëse ekziston apo nuk ekziston ndonjë mënyrë për ta bërë këtë të pranueshme për Rusinë. Idealja do të ishte sikur Rusia të thoshte “Po”; ne e kuptojmë dhe e pranojmë këtë përfundim, po ashtu. Dhe, duket qartë se ata nuk kanë arritur ende në këtë pikë. Dhe, prandaj, arsyeja pse thashë se ka nevojë për lëvizje është që kjo çështje nuk mund të lihet në mëshirë të fatit, ngaqë jam i shqetësuar për mospërmbushjen e shpresave në Kosovë. Kjo është ajo që desha të them. Dhe, prandaj, ne do ta çojmë procesin përpara.

Presidenti Putin bëri një propozim interesant për sistemin e mbrojtjes kundër-raketë për Evropën. Edhe unë sugjerova, bëra një propozim interesant për sistemin e mbrojtjes kundër-raketë në Evropë, me që ra fjala, të gjitha synojnë mbrojtjen e Europës, nuk vënë në shënjestër Rusinë. Arsyeja pse e bëra këtë propozim është se rreziqet e vërteta, me të cilat do të përballemi, do të vijnë nga kombe batakçinj, që mund të arrijnë të prodhojnë armë të shkatërrimit në masë. Pra, mendoj se është në dobi të paqes, që të kemi kapacitetin të mbrohemi nga raketa të tilla dhe, prandaj, duhet të ecim përpara.

Presidenti Putin më tha, në rregull, mendoj se kam një ide të arsyeshme. Dhe kjo lidhet me përdorimin e përbashkët të radarit në Azerbajxhan. Unë thashë, mirë, pse të mos e marrim parasysh? Mirëpo, gjatë diskutimeve u bë e qartë se edhe ai kishte dyshime për propozimin që bëra, për sa u përket efektivitetit dhe domosdoshmërisë së tij. Unë i thashë se ju dolët me një ide, unë dola me një ide, pse të mos ngremë një grup të përbashkët, për të diskutuar idetë tona rrelative me transparencë; ju zgjidhni ekspertët e Ministrisë suaj të Jashtme, kurse ne po zgjedhim ekspertët tanë të Departamentit të Shtetit dhe të departamenteve përkatëse të mbrojtjes dhe të ushtrisë, që të ulën në tryezë dhe të diskutojnë së bashku lidhur me idetë e ndryshme për teknologjinë, për mënyrat e mbrojtjes dhe për vendosjen e radarëve, që të garantohet një mbrojtje efektive.

Mendoj se deklarata e tij ishte e rëndësishme. Me fjalë të tjera, ai pranoi se ka mundësi për të bashkëpunuar. Pra, kështu veprojnë miqtë. Rusia nuk është armiku ynë. Siç kam thënë vazhdimisht, Lufta e Ftohtë ka përfunduar dhe tani po përballemi me rreziqet e shekullit XXI. Dhe unë e vlerësoj pohimin e tij se mund të gjendet një mundësi për të punuar së bashku, për t’i përballuar këto rreziqe. Unë e mora këtë si një gjest shumë pozitiv dhe pres me padurim, që të vazhdojmë bisedimet për këtë çështje në korrik, kur ai të vijë në Mejn[17].

Pyetje: Gjatë takimit tuaj me Presidentin Bush, çfarë vendi të rëndësishëm zuri anëtarësimi në NATO, pra, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO? Amund të na siguroni se ju keni fituar përkrahjen e Presidentit Bush për integrim dhe anëtarësim të shpejtë të Shqipërisë në NATO?A vini re dallime në shpejtësi në të 3 vendet e Kartës së Adriatikut?

Kryeministri Berisha: Së pari, mund t’ju siguroj plotësisht se Presidenti Bush dhe administrata e tij mbështesin fuqimisht projektin e Shqipërisë për anëtarësimin e plotë në NATO. Në këtë kontekst, duhet thënë se kjo ndihmë dhe kjo mbështetje ka qenë e një rëndësie të jashtëzakonshme në të gjitha reformat e institucioneve demokratike, në reformën e Forcave të Armatosura dhe në bashkëpunimin në kuadrin e NATO-s gjatë këtyre viteve.

Natyrisht, ftesa është e përcaktuar të jepet mbi bazën e performancës dhe ne jemi shumë të vendosur të marrim çdo vendim, të miratojmë çdo ligj, të ndërmarrim çdo reformë, e cila e bën Shqipërinë të përshtatshme për të marrë ftesën.

Mendoj se bashkëpunimi në kuadër të “Kartës Adriatik 3” ka qenë shumë i frytshëm dhe i suksesshëm. Të tre vendet tona kanë të përbashkëtat dhe specifikat e tyre. Po të marrim nivelin ku ka nisur Shqipëria dhe progresin e saj, ajo është ndër më të vlerësuarat.

Së dyti, Shqipëria ka pasur një bashkëpunim luajal, të shkëlqyer, 15 vjeçar me NATO-n. Nuk mund të mos theksoj një moment; kur në vitin 1999 Millosheviçi spastroi 1 milionë qytetarë shqiptarë nga vatrat e tyre mijëvjeçare, vendet mike ndërtuan kampet për t’i pritur ata, por mbi 500 mijë familje shqiptare i shndërruan shtëpitë e tyre në çadra mikpritje të NATO-s. Ju mund të më thoni se ata e bënë për shqiptarët. Absolutisht po. Por askush nuk mund të provojë se shqiptarët nuk do ta bënin këtë për çdo qytetar të ndonjë etnie tjetër, që do të ishte në nevojë, siç ishin shqiptarët e Kosovës. 93 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në NATO. Pra, edhe ne kemi avantazhet tona.

Pyetje: Faleminderit, zoti President. Ju keni thënë që ka ardhur koha, që të lëvizet, që të çohet përpara Plani Ahtisari për Kosovën. Çfarë do të bëni ju posaçërisht, që të zbatohet ky plan dhe, sipas mendimit tuaj, në cilën pikë po çalon? Atëherë çfarë do të bëhet?

Presidenti Bush: Duhen shtyrë diplomatët tanë, me qëllim që të punojnë me diplomatët rusë, si dhe me diplomatët e Bashkimit Evropian, për të parë nëse ka mospërputhje mendimesh dhe qendrimesh. Me fjalë të tjera, duhen bërë përpjekje, në mënyrë që të kuptojmë nëse nuk mund të gjendet një rrugë për gjithësecilin, që të thotë, në rregull, është ide e mirë. Dhe nëse, pas një far kohe, nuk arrihet në asnjë përfundim, më mirë shpejt se vonë, duhet thënë: Mjaft më! Kosova është e pavarur! Ky është qëndrimi që mbajmë.

Populli i Kosovës ka nevojë ta dijë se ky qëndrim është i palëkundur dhe i prerë. Edhe pse ka bisedime diplomatike, duke shpresuar te gjetja e një rrugë që të shpie drejt ujdisë mes Rusisë, Serbisë dhe Bashkimit Evropian, me që ra fjala, shumica e popujve në Bashkimin Evropian e mbështesin këtë qëndrim. Qëndrimi i Bashkimit Evropian është në mbështetje të Planit Ahtisari. Ata thjesht shpresojnë se ekziston një far mundësie për të arritur një marrëveshje për një varg interesash, me qëllim që kalimi në pavarësi të bëhet sa më lehtë dhe sa me butësi që të jetë e mundur. Por, nëse shihet se kjo nuk do të ndodhë në një periudhë kohe relativisht të shkurtër, sipas gjykimit tim, ne duhet të gjejmë zgjidhjen. Pra, të caktojmë afatin.

Ju falenderoj të gjithëve për vëmendjen. Zoti Kryeministër, ishte një konferencë shtypi e mrekullueshme. Krenohem edhe sepse, në të vërtetë, jam Presidenti i parë amerikan në detyrë, që mbaj një konferencë shtypi në tokën shqiptare. Shumë faleminderit!



[1] Në origjinal: Wilson: Woodrow Wilson (1856-1924): Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1913-1921).

[2] Në origjinal: Truman: Harry S. Truman (1884-1972): Presidenti i 33-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1945-1953).

[3] Në origjinal: George Herbert W. Bush (1924 – ): Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1989-1993).

[4] Në origjinal: Bill Clinton: William J. Clinton (1946): Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1993-2001).

[5] Në origjinal: James Baker: James Addison Baker III (1930 – ): Sekretar Shteti (1989-1993).

[6] Anglisht: “Liria jep fryte”.

[7] Në origjinal: GDP: Gross Domestic Production: Prodhimi i Brendshëm Bruto.

[8] Nga anglishtja: “E-tax”: Term që përdoret për të emërtuar taksat lidhur me mallrat dhe me shërbimet, të cilat tregëtohen drejtpërsëdrejti përmes Internetit (tregëtia elektronike), ose mund t’i referohet marrjes nga çdo qytetarë, shtetas ose jo shtetas i një vendi të dhënë, të numrit të taksës, të të gjithë informacionit për taksat, të formularëve përkatës dhe plotësimit të tyre drejtpërsëdrejti përmes Internetit; ky term, gjithashtu, nënkupton, taksat lidhur me produktet e teknologjisë së informacionit (mallrat dhe shërbimet “dixhitale”).

[9] Nga anglishtja: E-procurement: Electronic Procurement: Prokurimi Elektronik: Blerje dhe shitje e mallrave dhe e shërbimeve përmes Internetit dhe sistemeve të tjera të informacionit dhe të lidhjeve në rrjet.

[10] Nga anglishtja: One-Stop Shop: Kompani ose qendër tregëtare, e cila i ofron klientit ose konsumatorit një shumëllojshmëri shërbimesh.

[11] Nga anglishtja: MAP: Membership Action Plan: Plani i Veprimit për Anëtarësim: Lidhet me vendet që janë duke punuar për t’u anëtarësuar në NATO.

[12] Nga anglishtja: USA: United States of America: Shtetet e Bashhkuara të Amerikës.

[13] Në origjinal: Carter: Jimmy Carter (1924): Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1977-1981).

[14] Në origjinal: Ahtisaari: Martti Oiva Kalevi Ahtisaari (1937 – ): Ish President i Finlandës (1994–2000), diplomat dhe ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara, i cili shquhet për veprimtarinë e tij në shërbim të paqes botërore: Aktualisht, është përfaqësues dhe ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara në bisedimet e paqes në Vienë, të cilat do të vendosin për statusin ndërkombëtar të Kosovës: Ai i ka propozuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “Pavarësi të Mbikëqyrur” për Kosovën.

[15] Në origjinal: Sarkozy: Nicolas Sarkozy (1955 – ): Presidenti i tanishëm i Francës, i cili u zgjodh në këtë post më 6 maj 2007, pasi mundi përfaqësuesen e Partisë Socialiste Franceze, Sezholen Ruajal (Ségolène Royal). Para se të zgjidhej President, ai ishte Kryetar i Unionit për Lëvizjen Popullore (Union pour un Mouvement Populaire, UMP) të Francës, parti e qendrës së djathë.

[16] Në origjinal: Rice.

[17] Në origjinal: Maine: Shtet në rajonin e Anglisë së Re (New England), që ndodhet në Verilindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shkrime të ngjashme:

  1. Si e pashë Kosovën 40 vjet mw parë, intervistë me shkrimtarin Skënder Hasko
  2. Një vit më parë ndërroi jetë në Tiranë publiçisti dhe shkrimtari i mirënjohur Nazmi Lukaj
  3. 34 rezoluta për Kosovën në Kongresin Amerikan
  4. Michelle Obama, 4 vjet ‘më e re’ në ditëlindje
  5. Levizja e Dhjetorit 21 vjet më vonë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>