Kokrra e grurit ecte… Tregim nga Xhahid Bushati

Filed under: Poezi |

 

 

 

Një pasdite gjinkalla Zhizhi na takoi milingonën Mili Mili. Milingona nuk kishte dëshirë të ndalej e të shkëmbente qoftë edhe një fjalë me të. Milingona nuk kishte kohë!..

Gjinkalla u zemërua dhe i zuri rrugën. Milingona s’kish nga t’ia mbante dhe u detyrua t’i rrinte ballë për ballë.

- Qenke lodhur! Bën mirë të pushosh një herë! Hidhe edhe kokrrën e grurit që mban mbi kurriz, se të rëndon e të lodh më shumë…

- S’kam kohë!  – i tha milingona.

- Edhe unë për kohën po flas, – vazhdoi bisedën gjinkalla. Je vonë! Dielli është skuqur flakë! Që të arrish në shtëpi pa perënduar dielli, duhet ta hedhësh kokrrën e grurit sa më parë!

Milingona nuk i dha përgjigje, por shtyu më tej kokrrën e grurit. Kokrra e grurit eci e eci…

Gjinkalla e pa veprimin e milingonës dhe i tha:

- Nuk më beson mua?! Pas perëndimit të diellit, muzgu vjen shpejt. Kështu, si ecën ti, jo muzgu, por edhe nata do të të gjejë në rrugë.

Milingona përsëri nuk i dha përgjigje, por shtyu më tej kokrrën e grurit. Kokrra e grurit eci e eci… Pas saj eci e eci dhe milingona…

- Milingonë, me ty po flas! – foli fort e zemëruar gjinkalla.

Milingona bëri, prapë, sikur nuk dëgjoi. Lëvizi disa herë antenat si për t’u çlodhur dhe, pasi mori fuqi dhe hov prej milingone, e shtyu më tej e më tej kokrrën e grurit. Kokrra e grurit eci e eci më shumë. Pas saj eci e eci më shumë dhe milingona…

Gjinkalla nuk duroi dhe i foli më ashpër:

- E vogël, e vogël, por je kokëfor…

Gjinkallës i mbetën fjalët në gojë. Milingona ishte larguar dhe ajo s’e kishte vënë re ikjen e saj.

- Po… ku shko…i a… j… o…?! Pak më parë, këtu, përballë meje ishte! Sa larg paska shkuar!.. Milingonë më prit!..

Milingona ecte e ecte…

Kokrra e grurit ecte e ecte…

Zhizhi rrinte e vetmuar dhe e zemëruar… Kishte harruar të këndonte…

 

 

 

 

 

 

Aventura e lepurushit Ciko

 

 

            As nënë Lepurushka, as baba Lepuri nuk ishin në shtëpi, kur biri i tyre, lepurushi Ciko shkroi një letër.

E dashur revistë “Gjembi i iriqit”,

            Po shëtisja në pyll, kur ndodhi një ngjarje, të cilën e pashë me sytë e mi. 

Te ëmbëltorja “Kënaqësia”, ku është shitëse teto Sorkadhja, pesë ketra nga i njëjti fis: Stiku, Fiku, Piku, Diku dhe Viku blenë pesë pasta me arra e kërpudha. Pa i ngrënë mirë, i  kapi njëherësh të gjithë një dhembje e paduruar barku. Veç të ishit aty, dhe të shikonit se  ç’hoqën të shkretët ketra! Mezi prisnin të shkonin në… E dini vetë, se nuk kam dëshirë ta  përmend…

            Mendoj, që sot e tutje ëmbëltores së pyllit tonë, t’ia ndërrojmë emrin dhe t’ia vëmë: “Dhembja e barkut”.

 

                                                                                                            Ju përshëndet

                                                                                                            Ciko lepurushi

 

Adresa: “Gëmusha e blertë”,

            pranë rrugës me pisha.

 

 

Cikoja palosi letrën, e futi në zarf dhe e hodhi në kutinë postare prej pishe me emrin “Gjelbëroni pyllin!”

Tani askush nuk ishte me Cikon!.. Ai shkonte çdo ditë në librarinë “Gëzimi i bilbilit”. Pyeste se mos kishte dalë numri i ri i revistës “Gjembi i iriqit”. Shitësja, një kanarinë flokëverdhë që kishte marrë pjesë në Top-festin e fundit, nuk mërzitej nga vizitat e çdoditshme të Cikos, por plot mirësjellje i përgjigjej: “Ende s’ka ardhur numri i ri i revistës …, Mund të vish sa herë të duash e të pyesësh… Edhe po të mos vish, unë do ta ruaj, se e paske për zemër…”.

Kur Cikoja priste nga dita në ditë daljen e revistës së re, një pasdite në shtëpinë e tij, trokiti një iriq. Derën ia hapi baba Lepuri, se qëlloi pranë saj. Ai u çudit, kur pa një gjembaç. Tundi kokën, lëvizi veshët dhe priti…

- Më falni! – Këtu banon Ciko.. Ciko…? – pyeti gjembaçi. – Për momentin mbiemri s’po më kujtohet…

- S’ka gjë..! Po, ai është im bir, i tëri! – Po…, si është problemi..?!

- Biri juaj, Cikoja, para disa ditësh ka sjellë një letër në redaksinë e revistës sonë. Ai na njofton për një ngjarje të çuditshme e të jashtëzakonshme që ka ndodhur para disa ditësh në pyll. “E paparë ndonjëherë…” – siç shkruan në letër biri juaj, Cikoja. Si redaksi u interesuam, pyetëm hollë e hollë, apo siç i themi ne: gjemb për gjemb, dhe na doli që nuk ishte e vërtetë. Kështu që…

- Më falni! – Mos… keni… ngatërruar… adresë?! – ia priti baba Lepuri. –Edhe mund të ngatërroheni, se… se ju, iriqët keni gjemba shumë, edhe…

- Dëgjo, babai i Cikos..! – u nxeh iriqi.

- Lepur më quajnë, – saktësoi ai.

- Dëgjo, Lepur, dhe dëgjo: ne, iriqët shquhemi për saktësi. Për këtë na ka dalë dhe zëri, emri dhe gjembi. Për këtë të gjithë na nderojnë. – Pa thirreni një herë birin tuaj e të bisedojmë! – u nxeh edhe më keq iriqi dhe iu ngritën gjembat përpjetë.

Baba Lepuri, në të vërtetë, u tremb, por s’e dha veten. I thirri Cikos…

Lepurushi me ta parë gjembin nisi të dridhej si purteka.

- Ç’ke, bir?! – pyeti baba Lepuri i çuditur. – Mos je gjë sëmurë?!

- Jo…o, j…o as…gjë. Jam mmm…i…r…ë!

- Ciko, më kanë caktuar të bëj një gjilpërë, se e meriton…, – nisi bisedën iriq Gjembaçi.

- Ju, gjembaçët keni humor me gjilpërë, – foli Cikoja e qeshi si me zor. – P…o, p…o, por ti nuk je mjek. Unë… unë… nuk jam i sëmurë. – Mos ke gabuar adresë?

- Adresa është e saktë! – Bëhu gati! Shpejt, nxirr b… Do ta bëj lehtë. Nuk do të ndjesh aspak dhembje.

- Po shenjë, do më mbetet? – pyeti Cikoja.

- Po, gjithë jetën.

- Atëherë nuk e bëj, – u trimërua Cikoja.

- Ti nuk e bën?!.. Po do ta bësh se s’bën se, nuk mund të gënjej e, t’u them atyre të revistës, se Cikos ia bëra gjilpërën e në fakt nuk ia kam bërë…

- Je i gatshëm, bir, për të bërë gjilpërën? – pyeti baba Lepuri.

- Po…, Jo, jo…

- Përse?!..

- Se… unë krijova një ngjarje të paqenë, ngaqë desha të bëhesha i dëgjuar në tërë pyllin, – foli si nën zë Cikoja.

- E di ti pse kanë lindur gjilpërat, që të mos gabojnë…, si për shembull lepurushi Ciko? – ndërhyri gjembaçi dhe qeshi si iriq.

- Ti, biri im… mburravec e gënjeshtar kërkoje lavdi të pamerituar?! – foli i shqetësuar baba Lepuri. Më paske turpëruar, bir! Nuk kam sy e faqe të dal në pyll!

- Më fal, baba! Të premtoj se, pas pak do të shkoj të takoj teto Sorkadhen e t’i them se… Por, edhe ti, gjembaç më premto se kësaj here nuk do të ma bësh gjilpërën…

- Ciko, mos u dridh e mos ki frikë nga gjembi! Të premtoj se, për ty fjalë të mira do të flasim në një nga numrat e ardhshëm të revistës sonë. Ndërsa lexuesit e vegjël u njohën më parë se ti me të vërtetën e ngjarjes… – tha Gjembaçi dhe u nis drejt redaksisë për të shkruar lajmin e ri.

                                      

 

 

 

Kush e zgjoi ketrushin Stik?

 

 

Një ditë nënë Ketrina i tha të birit, ketrit bishtpufkë:

- Stik, tani, u rrite! Ka ardhur koha të zbresësh nga pema e të njohësh botën e madhe!

Ketri bishtpufkë dëgjoi nënën, dhe hop e hop, zbriti nga pema. Me porositë e këshillat e saj, që i mbante në mendje e në xhep, u nis për të mbledhur kërpudha.

Gjatë gjithë rrugës Stiku këndonte. Kënga e tij gëzoi plot zogj, por mërziti një gjinkallë.

Stiku ndaloi vetëm atëherë, kur pa lart në qiell dy re bardhoshe, të cilat po grindeshin me zë të lartë.

“Jo, po ti…”

“Jo, po, unë…”

“Jo, jo…”

“Po, po…”

Ketri Stik u çudit me fjalorin e dy reve. S’i kishte dëgjuar ndonjëherë këto fjalë! Zemërimi i tyre ishte aq i madh, sa lëshuan flakë vetëtimash e bënë zhurmë të madhe bubullimash. Pastaj u grindën sa u grindën derisa u lodhën… Në fund i kthyen dhe shpinën njëra-tjetrës. Vetëm kur u panë në pasqyrën e kaltër të qiellit, sikur s’u besonin syve… Nga bardhoshe, ishin kthyer në të hirta.

- Deri këtu kemi arritur?! – tha reja që ngjante si gojë fëmije.

- Po, – u përgjigj me gjysmë zëri reja që ngjante si gjuhë fëmije.

- Ne u grindëm… edhe pse jetojmë në një qiell.

- Ne u shamë… edhe pse udhëtojmë së bashku…

Dy retë-shoqe ulën kokat të penduara. Faqeve nisën t’u rridhnin pika loti.

Pikë-pikë… ranë mbi një kokë të vogël.

Pikë-pikë… ranë mbi dy veshë të vegjël me cullufe në majë.

Pikë-pikë… ranë mbi një gëzof të butë dhe të kuqërremtë.

Pikë-pikë… ranë mbi një bisht të mëndafshtë e të fryrë si një çadër.

Kështu ranë pikë-pikë pikat e shiut, e na lagën ketrin Stik.  Ai u tremb, tundi bishtin dhe ia dha vrapit. Pikat e shiut e ndiqnin pas, dhe e godisnin me forcë.

Një pishë sygjelbër e thirri:

- Ketër, eja hyr në kurorën time!

Ketri nuk priti, por hop e hop, iu ngjit trungut të pishës sygjelbër. Përmes degëve të dendura me hala pishe, gjeti një vend, ku nuk e zinte as edhe një pikë shiu. Ketri ndjeu ngrohtësinë e “folezës” së re.

Pisha sygjelbër i ofroi ca boçe pishe. Ketri e falënderoi. Nga që ishte i lodhur, i lagur dhe pak i tronditur, e zuri gjumi menjëherë. Shpejt Stiku humbi në ëndrra…

Dikush nga larg i tha:

“Zgjohu, zgjohu, o ketër, dhe mos harro!..”

Stiku u përmend. Fërkoi sytë. U çudit, kur nuk pa njeri. Vetëm ca hala pishe lëkundeshin ngadalë para syve të tij. Ketri pyeti:

“Cili më thirri dhe cili ma di emrin tim?!..”

“…”

Stiku rrotullonte sytë gjithandej, se mos shikonte… Qielli ishte i kaltër si xham. Ai… sikur i qeshte dhe i fshihte diçka ketrit.

“Mos ishte xha Ylberi?.. Nëna më ka treguar se del pas shiut?” – mendoi Stiku dhe vazhdonte të mendonte.

- Ja, tek është xha Ylberi! – Xha Ylber, xha Ylber! – thirri ketri. Si më gjete dhe si më njohe, edhe pse banon larg në pallatin e kaltër të qiellit?

Xha Ylberi qeshi përmes shtatë ngjyrave të tij, dhe i tha:

- Ketër, mos u bëj harraq. Të gjeta e të zgjova, për të kujtuar porosinë e nënës…

- Kri-kri-kri, – foli ketri. Po… unë si e harrova?!

Hop e hop zbriti nga pema. Rrëzë saj gjeti plot kërpudha. Me shpejtësi ketri mbushi shportën dhe një të vockël nisi ta kafshojë herë pas here. Sa e ëmbël i dukej!..

- Kri-kri-kri, cili i solli tërë këto kërpudha? – pyeti Stiku.

- Shiu pikë-pikë, – u përgjigj pisha sygjelbër. T’i solli si urim për ditën e parë që zbrite nga pema.

Ketri e ndjeu veten të rritur.

Kur u bë gati për udhë, dëgjoi zërin e pishës sygjelbër, që i tha:

- Stik prit…, ku shkon..?

Ketri ndaloi dhe pa një degëz që u zgjat si një dorë fëmije. Ajo mbante si dhuratë tri boça të vogla pishe.

- Të faleminderit! – tha Stiku dhe hodhi sytë përsëri nga qielli.

Kërkonte xha Ylberin, por nuk e pa…

- Me siguri, duhet të jetë ndalur në ndonjë vend tjetër, për t’i kujtuar ndonjë moshatari si unë porosinë e harruar… Kur harrojnë të mëdhenjtë, pse të mos harrojmë edhe, ne, të vegjlit?.. – tha Stiku dhe qeshi me të madhe.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shkrime të ngjashme:

  1. Opusi letrar i shkrimtarit Bardhyl Xhama, kritikë nga Xhahid Bushati
  2. Mendimtari i lirë, ushtaraku, politikani, filozofi dhe poeti Hamid Gjylbegaj.Nga Xhahid Bushati

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>