1.Shuhet Njeriu-Poet Pano Taçi, miku i mrekullueshëm i botës
Poeti i përndritur
“Pano Taçi vuajti si një martir brenda telave me gjëmba e qelive dhe shkruante poezi dhe në ferr, për të cilën veç dënohej. Por duhej të binte diktatura që të njihnim Pano Taçin dhe poezinë e tij, kaq shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, poezi e vërtetë si ai dhe ai aq poetik. I dashur, mirëbesues, i qeshur deri në hokatar, i menduar deri në vetmi filozofike, me të gjithë dhe fillikat, familjar që i pëlqente rruga, udhétimet, i mundur, por jo i mposhtur, fitimtar së brendëshmi, por pa fyerjen e fitimtarëve, i natyrshëm, i vobektë, i përndritur. Pani plak, i thoshim, engjëlli i moçëm desha të shtoja, pinte, dehej, jo nga vera, nga akti i të pirit si poet.”
Nga Visar ZHITI
Është shuar Njeriu-Poet Pano Taçi, miku i mrekullueshëm, që luftoi për jetën, të ishte ajo sa më e bukur, me kuptim të shenjtë. Pano Taçi luftoi me armë në dorë, kur u desh dhe kur erdhi liria për të cilën doli malit kundër pushtuesit, e burgosën ata që mundin e një populli e shndërruan në tirani të përditëshme. Vuajti si një martir brenda telave me gjëmba e qelive dhe shkruante poezi dhe në ferr, për të cilën veç dënohej. Por duhej të binte diktatura që të njihnim Pano Taçin dhe poezinë e tij, kaq shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, poezi e vërtetë si ai dhe ai aq poetik. I dashur, mirëbesues, i qeshur deri në hokatar, i menduar deri në vetmi filozofike, me të gjithë dhe fillikat, familjar që i pëlqente rruga, udhétimet, i mundur, por jo i mposhtur, fitimtar së brendëshmi, por pa fyerjen e fitimtarëve, i natyrshëm, i vobektë, i përndritur. Pani plak, i thoshim, engjëlli i moçëm desha të shtoja, pinte, dehej, jo nga vera, nga akti i të pirit si poet.
Më pëlqenin orët pranë tij, optimist i trishtë, që gënjehej kollaj, në kuptimin e mirë të fjalës, por nuk zhgënjehej mbase kurrë, dinte të donte dhe nuk përgjërohej. Më merrte malli dhe përlotej ai, e ftoja dhe nuk vinte, nuk e takoje dhe të kërkonte. Eja, i thosha, më ka thënë dhe im bir, fëmijët janë të sinqertë, dinë të duan. Prandaj nuk vij, më thoshte, se nuk kam t’i ble një dhuratë djalit. Je ti dhurata më e çmuar, i thosha. Qeshte si djall i së mirës. Po ti ke dhe pensionin e posaçëm, prej shkrimtari dhe luftëtari. Të ka vlerësur shteti, dikur me burg, sot me lavdi. Qeshte prapë…
Sot ai s’është më. Ku është Panoja, – pyeta mbrembjen e fundit te tij. Në spital, rëndë, më thanë në Kafe “Europa”. Dhe u shua menjëherë, që të mos mundonte miqtë e shumtë, ata që e donin, që t’i vinin në spital.
Kisha qenë me të në takime poezie, në Durrës, Tetovë, Ulqin, Përmet, etj, në tryeza pune vetëm me të, duke hartuar listën e shkrimtarëve të dënuar, dëgjo dhe këtë vjershë, thoshte, sapo e mbarova. Hë, do e marrim dëmshpërblimin? Besonte si fëmijë dhe donte t’ua jepte fëmijëve. Më mbysin kujtimet për të. Shfletoj librat e tij, autografet, një letër, seç do t’i botohej: “…kam lindur më 13. 10. 1928 në qytetin e Gjirokastrës… kam marrë pjesë me armë në dorë né luftën antifashiste… kam vuajtur në kampe pune të detyruar e burgje për 24 vjet…” Ja një foto me Lasgushin, edhe një tjetër, e nxora unë në fotografi së bashku me poetin e njohur italian Eduarto Sanguineti, kur mori Kurorën e Artë në Strugë. U magjeps ai me Panon tonë, kur i tregova për jetën e tij. Kthehesha nga Akademia, kishim festuar zyrtarisht datëlindjen e Dritëroit, 80 trëndafilë i erdhën nga Kryeministri mes duartrokitjeve. Atë ditë ishte dhe ditëlindja e Migjenit, “por dhe imja është sot”, – qeshte Panoja pranë shishes së birrës. Ulu, mos lërë vetëm. I kishim harruar ditëlindjet e tij. Dhe mbërriti ditëvdekja.
Nuk më besohet që s’është më Pano Taçi. U rikthehem librave ku kam shkruar për të. Pak fletë janë, por do të ketë më shumë patjetër. Engjëjt kthehen, gjithmonë e më të rinj.
PËR PANO TAÇIN NËPËR LIBRA
- Nga “Ferri i çarë” -
VETVRASJA NË QELI:
… dhe të lindi dëshira të merrje një copë prej xhamave të asaj dritareje dyshe, të një qelqnaje hutuese, ta thyeje, të nxirrje një si kamë prej hëne ngricash dhe të çaje damarët, të vdisje! Si poeti Pano Taçi në birucë, që e gërreu krahun me bishtin e lugës; ajo s’priste, por ai vazhdonte si i çmendur, e theri krahun e vet. U shtri mbi gjak, oh, ç’gëzim, po mbushej dyshemeja si me verë të derdhur, si me dritë dielli në perëndim! Po perëndonte jeta jote, po vdiste burgu. Gjaku rrodhi nga poshtë derës dhe doli tej, në korridor. Roja dha alarmin. Erdhën me ngut oficerë, mjeku. Poeti dergjej pa ndjenja mbi pellgun e gjakut të vet, kurse vena e çarë, e shkulur, pikonte ende pikë-pikë… kishte mbetur dhe ca robëri… Vdekje artistësh, përsëritet… derisa të mos ketë më… çfarë? Robëri, pra… Jo, mos vdis…
ME PEGASIN E PANOS
Edhe buzëqeshja sfiduese e Halil Lazez befas u venit. Ra si një flutur e helmuar. Shkrimtari, sa shumë që prisnim! Në një nga tryezat në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, teksa pinte diçka me një mik, i pushoi zemra. Kishte kaluar tri infarkte, por ndihej mirë tani, kështu thoshte. Dhe pinte, me shokët e burgut sidomos, me Jamarbrin, djalin e Petro Markos, me Lincin, me mua… Sapo i qe botuar libri “Në korridoret e paravarrit”. Po pimë para vdekjes, pas vdekjes… Ai tallej me çdo porosi mjeku si me komandën atje. Ndërkohë asnjë lajmërim vdekjeje shtyllave a vendeve të caktura, një adresë mortore. As në shtëpi, as në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ku të vemi? Nuk do të bëheshin homazhe? A s’ishte ai kryeredaktori i gazetës së tyre dhe një ndër gazetarët më të njohur?
Vërtiteshim me motorin e Pano Taçit, me pegasin e tij, kërkonim funeralin rrugëve dhe s’e gjenim gjëkundi. Hë, mo Pano, i thosha unë, te cila varrezë të vemi? – teksa mbahesha pas shpatullave të tij të drobitura. Flokët e bardhë, të gjatë dhe të rrallë, ashtu të mëndafshtë, ia merrte era. Poeti plak, sa vjet burg kishte bërë 20, 24, gjithë jetën?
- I përçmuan jetët tona dhe tani na nënvleftësojnë vdekjet, – po qahej ai, duke kthyer kokën paksa nga unë dhe e mbante timonin fort. – Më duhet të bëj një fotografi… të bukur, se s’kam asnjë… për vdekjen time”, – po më thoshte.
Po ia ledhatoja supet.
- Ç’ka qenë motori yt më parë, kalë varrezash dhe i dolën flatrat? – e pyeta.
- Ma fali një i huaj, një grek, kur mësoi për jetën time. Nga të ikim tani?
- Ku të duash, hidhe motorin në ndonjë humnerë, bashkë me ne…
SKRIB NË INTERNIM
Donte të ishte shkrimtar kryetari i degës së punëve të brendshme në Lushnjë, në qytetin e baltës, – do të më tregonte një ditë poeti plak Pano Taçi, – kisha dalë nga burgu dhe isha në internim. Hallall balta, po duhej të shkruaja dhe kujtimet e atij, kryetarit, Nuçi Tirës, kishte qenë partizan edhe ai, edhe unë. Ai i rrëfente nëpër shkolla heroizmat e tij, unë duhej t’ia ndreqja, bëja dhe poezitë e mia fshehurazi. Librat e tij kishin dhe “sigurim”, si kapeshin diversantët, sabotatorët etj., etj. I rishkruaja netëve në një barakë të ftohtë për shefin e arrestimeve. Çudi për t’u çuditur…
- Hë, Pano, ç’kemi?
- Ja, si pleq të rinj. Po ti?
- Si të rinj pleq…
Tani rrinte klubeve me goca të reja, me poeteshka. Sidomos mbas botimit të një libri me poezi pornografike, por me pseudonim, se i vinte turp nga mbesa. Gruaja me djalin i kishin ikur përgjithmonë në Greqi. Vetëvrasja duhej shtyrë për herë tjetër.
* * *
…ata që shtypën revoltat tona atëherë, shefa policie, hetues, operativë, ushtarë… zëvendësministra, ministra, anëtarë të Komitetit Qendror, në mos ata, fëmijët e tyre, tani kanë zënë vende kyçe në administratën e shtetit demokratik? Edhe fëmijët e diktatorëve komunistë, që ishin kundër kapitalizmit dhe pronës private, janë bërë kapitalistë e kanë prona, televizione të fuqishme dhe… Mashtruesit e rrethit të tetë të ferrit.
Të vjen keq kur sheh poetin Pano Taçi, që ka bërë nja njëzet vjet burg dhe pi kafe te kafe “Europa” falas, ia ka caktuar pronari. Po kështu dhe shkrimtarit çam Bedri Myftari, një herë e dogji greku, erdhën këtej, ishte ende fëmijë, me flokët të përzhitur, pastaj e futën në burg dhe tani edhe ai e ka mëngjesin falas në restorantin e 15-katëshit, hotel “Tirana Internacional”. Po pse të mos i jepej të burgosurve ai hotel si dëmshpërblim…?
Pusho, se, edhe në s’ka më burgje politike, ka forma të tjera dënimesh.
PANOJA ME LASGUSHIN, CAMAJN, HEKURANIN
- nga libri “Kryengritje shqiptare në parajsë”-
Martin Camaj ka qenë në burg, dëshmon poeti Pano Taçi.
Vërtet?
E dënuan, se kishte marrë pjesë në kryengritjen e Postribës, dhe e liruan shpejt si moshë e re dhe ai u arratis fill.
Mbase vërtet është kështu a mbase ndonjë homonimi. Por te çdo poet duhet të gjesh gjurmë të burgut dhe s’dihet në është e tij apo e të tjerëve. Të jesh apo të mos jesh?…
Kurse Pano Taçi vetë qysh fëmijë luftoi në front të kundërt, me “debatikasit” dhe pas luftës e burgosën ata, fitimtarët e tij.
Në njërën nga kopertinat e pasme të librave të tij të shumtë me poezi, të botuar pas rënies së komunizmit, është dhe një fotografi: ai me lirikun qiellor, Lasgush Poradeci… njiheshin.
Gjatë 24 vjetëve burg e internime, Lasgushi do të ishte ai që do t’i dërgonte në ferr ndonjë paketë cigaresh a pako me kafe – dhe kur? – në atë kohë fatkeqe, varfërie e krizë morale dhe pashpirtmërie, me denoncime poetësh ndaj poetëve, njëlloj kjo sikur ta hidhje tjetrin të dërrmuar, jo në arenë, por kufomë në bodrum mes bishave të uritura.
Megjithatë poezia e Pano Taçit ruan ngrohtësinë e duarve në të ftohtin akull, plot me plasa e vezullime të unazave cigane, me porosinë për të urryer sa më pak e për të dashuruar sa më shumë. Pra, për vetëpërsosje.
– nga libri “Panteoni i nëndheshëm”
TË MBUSHËSH TË PLASURAT E QIELLIT TËND
-nga pasthënia e librit “Poezi të zgjedhura” të Pano Taçit
Nëse do të shkoni në Kafe “Europa”, në cilëndo ditë, paraditeve dhe në prag të mbrëmjeve do të shihni në një nga tavolinat jashtë një burrë të vetmuar, në moshë të thyer tashmë, me borsalinë, teksa pi një gotë birrë a kafe e, ndërkaq seç shkruan i përqëndruar dhe pandërprerje në ca fletë vogla e të bardha si leshrat e tij, ta dini, është poeti Pano Taçi.
Shkruan dhe shkruan dhe pret miqtë e tij të përhershëm. Edhe gjatë bisedës me ta nuk do ta ndëpresë té shkruarit. Natyrisht që pranon me zemër të hapur humorin e miqve, bën vetë humor, me një buzëqeshje njerëzore, të padhëmbë, sikur t’i kenë hequr asj përgjigjmonë cinizmin, gjithë drité té butë, por që në brendësi ka dhémbje dhe një dëshpërim të përmbajtur, vetëm të tijin. Në sytë e picërruar i ninëzohet një si djallëzi e padjallëzuar, gjithë mençuri të mirë. Të përgjigjet, është dhe me ne, të tjerët, por vazhdon dhe vetminë e tij, shkruan dhe shkruan, duhet ta mbarojë patjetër atë që ka nisur, medoemos tani. Pastaj u tregon miqve vargje, rima, zhgarravina si të ishte një faksimile e lashtë, e lexon me zë, ku ndjehet një si lagështi qelish dhe shurdhëri rrënojash të katakombeve…
Duke shfletuar librin më té fundit të Pano Taçit “sa pak qiell”, poezi 2003, i porsadalë, na mrekullon dëshira e tij e pashterur për të shkruar, një burim freskie i moshës së vet, që është i bukur në çdo kohë te njeriu, ajo natyrshmëri e ngrohtë, prushi i brendshëm dhe ngricat, acari, dëshpërimi prej dheu, mugëllime e ëndrrave të tanishme, myshk në një mur késhtjelle, – e përdorur për burg, bari i florinjtë i shkelur nga këmbë zonjash.
P. T. ka botuar dhe dy përmbledhje me poezi “pornografike”, (ndoshta është i pari poet i tillë, një Khajam “cipëplasur”, ha-ha-ha…), ndërkohë ai bën monologun e vet që i ngjan heshtjes folëse të pemëve me degë rimash, plot me fruta epitetesh, metaforash dhe krahasimesh. Por Pano Taçi e jeton intensivisht realitetin, prandaj dhe s’duron dhe shpërthen në sarkazëm, me humor të dëshpëruar, ku banalja bëhet efikase si më e gjetura për ditét që kalojmë.
Ndërkohë poezia e tij është përhapur dhe është bërë e njohur në hapësirën mbarëshqiptare, madje dhe në diasporé, përtej oqeanit, jo vetëm nëpërmjet botimeve në Tiranë, por edhe prej pranisë së poetit në veprimtari të ndryshme poetike në Shkup e Tetovë e Strugë, në qytete të Kosovës dhe në qytete shqiptare në Mal të Zi. Ai është i përfshirë në Antologjinë e Poezisé Shqipe të gjysmëshekullit të artë, përgatitur nga studiuesi dhe kritiku i njohur Ali Aliu…
* * *
Pas homazheve në nderim të Pano Taçit në hollin e Teatrit Kombëtar, (Ai ka shkruar dhe drama, ndërsa aktorët kanë recituar me sukses poema të tij), sot do të hidhen dhé dhe lule mbi arkëmortin e tij.
Lamtumirë, Pani plak, këngëtar i tokës dhe i luleve, të fundit që do të rrinë me Ty, këgëtar i njeriut dhe i lirisë së tij, me kurorë telash me gjemba mbi krye, por dhe me rrëketë e dritës e me kurorë dafinash tani. Shpirti yt endet si shpend i bukur mbi kryet tona dhe do të ndalë në degë të blerta poezish.
2.Fotot e fundit te Pano TaÇit
Pershendetje e nderuar redaksi,
Po ju nis disa foto te Pano Tacit, janë të fundit te jetes se tij. E kam fotografuar me 26 maj 2012, ne nje veprimtari ne MTKRS kur perkujtuam poetin Piro Kuqin. Ne fotot masive jane Panua, Pandeli Koci, motra e Piros dhe nje artiste e re qe recitoi vjershat e Piros.
Ndjej dhimbje per Panon, nje poet i madh dhe i paperseritshem, prandaj i punova dhe keto foto dhe po ua dergoj Ju qe i nderoni aq shume poetet dhe shkrimtaret shqiptarë
Mirutakofshim,
Bardhyl Xhama
3.Ju tregoj një poezi të panjohur të Panos shkruar në greven e urisë në vitin 1991
Takimi i fundit me poetin Pano Taçi
“Ne na shtohet durimi, shpresa e qëndresa deri në vetmohim, dhe forcat e errëta moniste, presidenti, parlamenti e qeveria do t’i gjunjëzohen presionit tonë të drejtë, e atij kombëtar e ndërkombëtar. Ne do të fitojmë.Edhe me vdekjen tonë, ne do të fitojmë. Koha është me ne, me ne është Demokracia.
(Ja u dhuroj këtë poezi si shejë nderimi e kujtimi për vizitën tuaj humane.
I ngujuari i grevës së urisë dhe nismëtari i shoqatës së pavarur të shkrimtarëve të Shqipërisë. Me nderim : Pano Koço Taçi. Tiranë 25.9.1991”
Nga Meri Lalaj
Ishte një ditë fillim vjeshte në Pogradec, ndoshta viti 1978, po ecnim të dy rrugës me Lasgushin, ndodheshim te sheshi përballë Shtëpisë së Kulturës, kur ai u ndal dhe takoi një burrë. Unë nuk ndalova. Pakëz më vonë më tha se ai ishte poeti Pano Taçi, (nuk e kisha dëgjuar kurrë këtë emër). Në fillim sikur nuk e besova Lasgushin, por kur kujtova kopjen e dorëshkrimit të poemës “Kamadeva” dhe aty brenda ndodhej poezia e Pano Taçit për Lasgushin. Ja disa nga vargjet e saj: “Kamadev, Kupid, Eros / Ç’është ky zjarr që s’na u sos / U shkëput nga dega mëmë gjeth’ i fundit vjeshtarak, / Pres të ngrihet anës gjolit zogu i mallit endacak. / Po ku je nosit i dashur, s’t’i ndjej flatrat nëpër erë, / Dimri xhokebardhë nisi të trokas’ me shkop në derë / S’ka ç’m’i bën ngrica e ftohtë zemrës sime, o Lasgush, / Shpirti ngrohet kur më çmallet, sepse malli është prush…”
Kaluan shumë vite. E mbajta mend emrin Pano Taçi. Erdhi viti i stuhishëm 1991 dhe ne të gjithë plot vëmendje ndiqnim se çfarë po ndodhte në Atdheun tonë. Ish të burgosurit politikë u futën në grevë urie, ndërsa ndiqja lajmet në Radio-Tirana dëgjova zërin e Pano Taçit. Ata ndodheshin të ngujuar tek një qendër sportive. U nisa për në Tiranë dhe vajta drejt atje kërkova Pano Taçin. Ai u vonua shumë për të dalë sepse tek një fletë ku kish shkruar një poezi, shkrojti edhe disa fjalë të tjera posi amanete e ma dhuroi poezinë e tij mua. Kur doli kish lidhur një rrip të kuq rrotull ballit dhe dukej shumë i vendosur, i vetëdijshëm për atë që po bënte. Unë e kam ruajtur atë fletë letre të zverdhur nga vitet, nuk është botuar asgjëkundi dhe po e shkruaj këtu:
Ngujimi
Na ngujoj vëllezër hidhërimi,
(se u shpërndam si zogjt e sorrës).
Ja sot, ja kurrë për ne shpëtimi!
Ja sot, ja kurrë këmban’ e orës!
Na bashkoj vëllezër tirania,
që na u qep e s’na u çqit.
Po aq e varfër na qe liria,
dhe tirania e pa shpirt.
S’durohet më. –Të gjith më këmbë!
Na vodhën shum’ e kërkojmë pak.
Ne që na çmuan dje për gjëmb,
sot na nderojnë për zambak.
Po cila lule s’do qe tharë
kur s’e potisin me kujdes?…
Do vyshkej krejt, kur për të qarë
të vjen më pas, oh, ajo vdes…
Pano Taçi, ish i burgosuri i ndërgjegjes, djegur e përzhitur jeta ime në burgjet Ferr të Enver Hoxhës mbi 23 vjet, e në internim mbi 7 vjet. Këtë poezi e shkrova ditën e pestë të ngujimit në grevën e urisë, bashkë me shokë bashkëvuejtës të tjerë 90 ish të dënuar të ndërgjegjes.
Kemi vendosur o të fitojmë, o të vdesim. E drejta është me ne, fitorja fakultative. Në do të na i mbështesin kërkesat tona, forcat demokratike të popullit tonë, partitë opozitare, shoqatat e sindikatat e pavarura: Ne na shtohet durimi, shpresa e qëndresa deri në vetmohim, dhe forcat e errëta moniste, presidenti, parlamenti e qeveria do t’i gjunjëzohen presionit tonë të drejtë, e atij kombëtar e ndërkombëtar. Ne do të fitojmë.
Edhe me vdekjen tonë, ne do të fitojmë. Koha është me ne, me ne është Demokracia.
(Ja u dhuroj këtë poezi si shejë nderimi e kujtimi për vizitën tuaj humane.
I ngujuari i grevës së urisë dhe nismëtari i shoqatës së pavarur të shkrimtarëve të Shqipërisë. Me nderim : Pano Koço Taçi. Tiranë 25.9.1991
Në vitet që erdhën më pas, tok me Pano Taçin kemi qenë në shumë takime poetike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të gjithë e donin Panon, të gjithë ia lexonin poezitë.
Atë ditën e shtunë, të fundit para dy a tri javësh isha ulur tek Kafe “Evropa” tok me zonjën Mynever Shuteriqi, po pinim kafe poshtë çadrave të mëdha. Binte shi dhe bubullinte. Befas ndjeva se po më vështronin ngultas një palë sy dhe u përmenda, u ngrita dhe e përqafova Panon: “Pano, ti qenke çfarë ke?” (sepse mu duk shumë i sfilitur, vetëm sytë i ndrisnin gati të përlotur). “Jam i sëmurë” – tha – “kam shumë dhimbje, jam në spital… “ Ne vajtëm në përurimin e librit me poezi të Piro Kuqit. Kjo qe hera e fundit që e takova Panon. Lamtumirë Pano!
4.Arratisja nga vdekja
Poetit rebel, lirikut erotiko-heroik Pano Taçi
Nga Petraq Risto*
Mesnatave i ikën vdekjes
arratisesh nga spitali onkologjik
Hipur mbi motorr
dukesh kryq në lëvizje
Një kryq i kuq të ndjek pas
të ngjan me kryqin e frëngjive
Nga burgu s’munde dot të ikësh
Po nga spitali arratisesh…
Hipur mbi motorr: kryq në lëvizje.
Ku shkon
Thonë njerëzit ç’është ky i marrë
Patjetër ndonjë i dehur, i droguar
Askush s’e kupton: një tetëdhjetë vjeçar
vdekjen ka sfiduar.
As gardiani, as polici
Po një kryq i kuq
Dhe një Hënë e bardhë
Janë duke e gjurmuar.
Po ai fshihet te të dashurat e ikura
në klube, nën çatitë e miqve,
me kujdes ia fshinë gjurmët
fletët me bojë të poezive .
“Ik, o kryq i kuq
gjithë jetën pas më je vënë
më le të shkruaj për një grua:
në prehërin e saj
tabutin të ma lënë!”
Një motorr nëpër natë
Qytetarët hapin dritaret:
Ç’shtë ky plak psikopat
Si kanaçe pas
Po tërheq të gjithë varret.
Ai dhe motorri: një kryq në lëvizje
E ndjekin pas gjithë kryqet e spitaleve
E ndjekin pas gjithë kryqet e policëve.
Hëna s’e ndjek, e njeh dhe tërhiqet:
Poeti rebel
Ç’mjeshtër arratisjesh!
Më në fund dorëzohet si të gjithë mitet
Vdekja hap krahët si dashnore e vjetër
Kortezhi loton, papritmas çuditet:
në cep të varrezës – motorri rri ndezur…
Brooklyn, New York, ora 03, 15 qershor 2002.
(Kjo poezi u shkrua sot në mëngjes herët pasi lexova e-mailin e mikut tim nga Tirana Pandeli Koçi, ku më njoftonte për ndarjen nga jeta të Panos dhe për faktin aq drithërues e poetik se deri ditën e shtunë, netëve, me motorrin e tij, ai arratisej nga spitali).
5. Elegji për Pano Taçin
Martin Cukalla
Dita do të ketë tani një brengë më pak
dhe unë do të kem përditë një mik të munguar:
Pano Taçin.
Sokakët e Gjirokastrës dhe vajzat e bukura të plakura tashmë
psherëtijnë dhimbshëm për djaloshin e bukur:
Pano Taçi.
Burri arrakat i jetës, ushtari i kopsitur i dashurisë,
copëz urie e mëngjezit:
Pano Taçi!
Kafe Europës do t’i mungojë Pano që pinte kafe falas
dhe kryeministri do ketë një angari më pak për të burgosurit politikë:
Pano Taçin.
Nëpër rrugët e Tiranës nuk do të zvarritet më motorri
që mbarte epshin e seksit Delliartin e Panin Plak:
Pano Taçin.
Burri arrakat i jetës, ushtari i kopsitur i dashurisë,
copëz urie e mëngjezit:
Pano Taçi!
Ndrroi jetë bohemi i fundit i Lumit të Tiranës
dhe miku i fundit i kurbatkave:
Pano Taçi.
Përherë në luftë për të shpëtuar jetën nga pushkatimi,
u shua në luftë për të shpëtuar jetën nga pushkatimi:
Pano Taçi.
Burri arrakat i jetës, ushtari i kopsitur i dashurisë,
copëz urie e mëngjezit:
Pano Taçi!
Dita do të ketë tani një brengë më pak
dhe unë do të kem përditë një mik te munguar:
Pano Tacin.
Tirane, 14 Qershor 2012
Shkrime të ngjashme: