HISTORIA E AMERIKËS, RRUGA DREJT PAVARËSISË

Filed under: Politikë |

HISTORIA E AMERIKËS

KAPITULLI 3: RRUGA DREJT PAVARËSISË

 

 

 

“Revolucioni lindi përpara sesa të fillonte lufta. Revolucioni ziente në zemrat dhe mendjet e njerëzve”.

 

Ish Presidenti Xhon Edëmsi, 1818.

 

 

 

Gjatë tërë shekullit XVIII, kolonitë Britanike të Amerikës së Veriut, të cilat ishin në pjekje e sipër, krijuan identitet të përveçëm në mënyrë të pashmangshme. Fuqia ekonomike dhe shkalla e zhvillimit të tyre kulturor u rritën ndjeshëm; në të vërtetë, ato të gjitha kishin me vete përvojën disavjeçare të vetëqeverisjes. Në vitet 1760, popullsia e përgjithshme në to numëronte 1 milion e 500 mijë banorë, pra, 6 herë me tepër sesa më 1700. Megjithatë, Anglia dhe Amerika nuk e nisën procesin e dukshëm të ndarjes nga njëra-tjetra deri në vitin 1763, pas më shumë sesa një shekull e gjysmë, që nga koha e krijimit të ngulimit të parë të përhershëm në Xhejmstaun të Virxhinias.

 

 

 

SISTEMI I RI KOLONIAL

 

Si rrjedhojë e Luftës Franceze dhe Indiane, Londra arriti ta kuptonte nevojën për një plan të ri perandorak, ku do të përfshihej shtimi i kontrollit të përqendruar, shtrirja e kufirit bregdetar të perandorisë në mënyrë më të barabartë, si dhe gjetja e gjuhës së përbashkët në përputhje me interesat e Kanadezëve Francezë dhe të Indianëve të Amerikës së Veriut. Nga ana tjetër, meqenëse kolonitë kishin kohë që ishin mësuar me pavarësi të përmasave të gjera, shpresonin të gëzonin më tepër liri, por kurrsesi më pak. Ndërkaq, pas eliminimit të rrezikut Francez, nevoja e tyre për praninë e fuqishme të britanikëve erdhi duke u zbehur. Në anën tjetër të Atlantikut, duke mos qenë në brendësi të zhvillimeve, Monarku dhe Parlamenti u gjenden në konkurrencë me kolonët që ishin të përgatitur në fushën e artit të vetëqeverisjes, si dhe e kishin humbur durimin për shkak të ndërhyrjeve.

 

Organizimi i Kanadasë dhe i Luginës së Ohajos kërkonte me doemos politika që nuk do t’i armiqësonin banorët Francezë dhe Indianë. Këtu qëndrim i Londrës ishte në kundërshtim të hapur me interesat themelore të kolonive. Meqë popullsia ishte duke u rritur vrullshëm dhe, rrjedhimisht, kishte lindur nevoja e shtimit të sipërfaqes së tokës për të ngritur ngulime të reja, ato shpallnin me të madhe se gëzonin të drejtën e zgjerimit të kufijve në drejtim të Perëndimit, deri te brigjet e Lumit të Misisipit.

 

Duke qenë se i trembej shpërthimit në seri të luftërave Indiane, Qeveria Britanike mendonte se tokat duhej të hapeshin në baza më graduale. Edhe kufizimi i lëvizjes ishte formë e sigurimit të kontrollit mbretëror mbi ngulimet ekzistuese përpara sesa ta lejonte krijimin e vendbanimeve të reja. Sipas, Shpalljes Mbretërore të vitit 1763, gjithë pjesa Perëndimore e territorit midis Maleve të Hallegenit, Floridës, Lumit të Misisipit dhe Kubekut, ruhej për t’u shfrytëzuar nga Amerikanët Vendas. Kështu, Monarku u përpoq të hidhte poshtë çdo pretendim të 13 kolonive lidhur me tokat e pjesës Perëndimore, si dhe të ndalonte zgjerimin e tyre në drejtim të Perëndimit. Megjithëse asnjëherë nuk u zbatua si duhet, në sytë e kolonëve, kjo masë ishte mishërim i shpërfilljes së të drejtës së tyre themelore për t’i pushtuar dhe populluar tokat e pjesës Perëndimore.

 

Politika e re Britanike e të ardhurave ishte më serioze në drejtim të ndikimeve zmbrapsëse. Për të mbajtur në këmbë perandorinë e vet në rritje, Londrës i nevojiteshin më shumë para, gjë që ngjalli shtimin e pakënaqësisë së taksapaguesve brenda vendit. U duk mjaft me vend arsyetimi se, për t’u mbrojtur, kolonitë duhej të paguanin. Kjo përfshiu taksa të reja, të cilat i vuri Parlamenti, duke dëmtuar kështu vetëqeverisjen e kolonive.

 

Hapi i parë ishte zëvendësimi i Aktit të Melasës të vitit 1733, nëpërmjet të cilit vendosej tarifa ose taksa për të frenuar importimin e rumit dhe të melasës nga vendet jo anglishtfolëse, me Aktin e Sheqerit të vitit 1764. Ky akt ndaloi me ligj importimin e rumit; ai, gjithashtu, përcaktoi një tarifë modeste për melasën e çfarëdo burimi, ndërkohë që vuri taksa për verën, mëndafshin, kafen dhe artikuj të tjerë të luksit. Shpresohej se ulja e tarifës doganore për melasën do ta zvogëlonte tundimin e kontrabandistëve për ta blerë ketë mall në Inditë Perëndimore të Holandës dhe Francës, që pastaj t’ua shisnin prodhuesve të rumit në Anglinë e Re. Qeveria Britanike e zbatoi Aktin e Sheqerit me energji dhe rreptësi. Zyrtarët e doganave u urdhëruan të tregonin më shumë efikasitet. Luftanijet Britanike në ujërat Amerikane morën udhëzime për t’i kapur kontrabandistët, ndërkohë që “lejet e ndihmës” ose autorizimet u jepnin nëpunësve të mbretit të drejtën për të kontrolluar vende të dyshimta.

 

Tarifa doganore e vendosur nëpërmjet Aktit të Sheqerit, sikundër masat e marra për zbatimin e tij, shkaktuan tmerr në radhët e tregtarëve të Anglisë së Re. Ata argumentonin me force se pagesa e kësaj tarife doganore të detyrueshme, sado e vogël, do t’ua shkatërronte bizneset. Tregtarët, organet ligjvënëse dhe kuvendet në qytete e kundërshtuan këtë ligj. Avokatët e kolonive protestuan me parullën “tatim pa përfaqësim”, e cila do t’i bindte shumë Amerikanë se ishin duke u shtypur nga vendi amë.

 

Më vonë në vitin 1764, Parlamenti miratoi Aktin e Monedhës, “për të ndaluar shndërrimin në para të ligjshme të kartëmonedhave që do të emetoheshin në çdo koloni të Lartmadhërisë së Tij, nga kjo kohë e tutje”. Meqenëse kolonitë ishin rajon me deficit tregtar dhe vazhdimisht vuanin nga mungesa e monedhave metalike, kjo masë shtoi një barrë tjetër serioze mbi shpinën e ekonomisë së kolonive. Njëlloj i kundërshtueshëm nga pikëpamja koloniale ishte edhe Akti i Strehimit, i miratuar më 1765, i cili i detyronte kolonitë që t’i përballonin shpenzimet për ushqimin dhe strehimin e trupave mbretërore.

 

 

 

AKTI I PULLËS

 

Marrja e një mase tatimore të përgjithshme shpërbeu si shkëndijë për fillimin e qëndresës së organizuar më të madhe të asaj kohe. E njohur me emrin “Akti i Pullës”, ajo kërkonte që çdo gazetë, çdo afishe, çdo pamflet, çdo licencë, çdo kontratë qiraje a dokument tjetër ligjor, të pajisej me pullën e të ardhurave. Këto shuma të vjela nga agjentët e doganave Amerikane do të përdoreshin për “mbrojtjen, ruajtjen dhe sigurimin” e kolonive.

 

Duke qenë se vepronte njëlloj mbi njerëzit, pavarësisht nga lloji i biznesit me të cilin merreshin, Akti i Pullës ngjalli armiqësinë e grupeve më të fuqishme dhe më të ngjizura të popullsisë Amerikane: Të gazetarëve, avokatëve, klerikëve, tregtarëve dhe biznesmenëve, në Veri dhe Jug, në Lindje dhe Perëndim. Tregtarët e fuqishëm u organizuan për të bërë qëndresë, duke krijuar shoqata që kundërshtonin importimin e mallrave.

 

Në verën e vitit 1765, tregtia me shtetin amë ra ndjeshëm, ndërkohë që figura të shquara publike u futën në radhët e “Djemve të Lirisë”, organizatave të fshehta, të cilat u krijuan për të protestuar kundër Aktit të Pullës, madje shpesh duke përdorur mjete të dhunshme. Që nga Meseçusetsi, deri në Karolinën e Jugut, turmat, duke i detyruar agjentët e pafat të doganave që të jepnin dorëheqje nga postet e tyre, i shkatërruan pullat e urryera. Në të vërtetë, kjo qëndresë luftarake pamundësoi zbatimin e Aktit të Pullës.

 

E nxitur nga delegati, Petrik Henri, Dhoma e Përfaqësuesve të Virxhinias, në Maj, miratoi një shportë me rezoluta, të cilat e denonconin tatimin pa përfaqësim, si rrezik për liritë e kolonive. Ajo shpallte se banorët e Virxhinias, të cilët i gëzonin të drejtat e shtetasve Anglezë, mund të tatoheshin vetëm nga përfaqësuesit e vet. Asambleja e Meseçusetsit i ftoi të gjitha kolonitë që të caktonin delegatë në “Kongresin e Aktit të Pullës”, që u mbajt në Nju Jork në Tetor të vitit 1765 për të shqyrtuar kërkesat për t’u çliruar nga Mbreti dhe Parlamenti. Kështu, 27 përfaqësues të 9 kolonive shfrytëzuan rastin për të vënë në lëvizje mendimin e kolonive. Pas shumë diskutimesh, Kongresi miratoi një shportë me rezoluta, të cilat shpallnin se “ato nuk kishin njohur, as nuk do të njihnin, asnjë taksë të detyrueshme me kushtetutë, përveç atyre të vendosura nga legjislaturat e veta përkatëse”, dhe se Akti i Pullës “shpaloste prirjen e qartë për t’i asgjësuar të drejtat dhe liritë e kolonëve”.

 

 

 

TATIMI PA PËRFAQËSIM

 

Kësisoj, u arrit në përfundimin se duhej të përqendrohej në çështjen e përfaqësimit. Kolonët besonin se nuk mund të përfaqësoheshin në Parlament, nëse nuk i zgjidhnin vetë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve. Mirëpo, kjo ide binte ndesh me parimin Anglez të “përfaqësimit të vërtetë”, sipas të cilit çdo anëtar i Parlamentit përfaqësonte interesat e të gjithë vendit dhe perandorisë, edhe në rast se baza zgjedhëse përbëhej vetëm nga një pakicë e vogël e zotëruesve të pronave të një qarku të caktuar. Kjo teori merrte si të mirëqenë faktin se të gjitha subjektet Britanike kishin interesa të njëjta me zotëruesit e pronave, të cilët zgjidhnin anëtarët e Parlamentit.

 

Drejtuesit Amerikanë argumentonin se lidhjet e vetme ligjore i kishin me Mbretin. Pikërisht Mbreti ishte autoriteti që kishte rënë dakord për krijimin e kolonive përtej detit dhe vetë Ai garantonte qeverisjen e tyre. Ata shpallnin se Ai ishte njëherësh edhe Mbreti i Anglisë, edhe Mbreti i kolonive, por këmbëngulnin se Parlamenti Anglez nuk kishte më të drejta të miratonte ligje për kolonitë, sikundër organet legjislative të kolonive nuk kishin të drejtë të miratonin ligje për Anglinë. Mirëpo, në të vërtetë, ata duhej të luftonin njëlloj si me Mbretin Xhorxhi III, ashtu edhe me Parlamentin. Fraksionet që mbështesnin Mbretin kontrollonin përgjithësisht Parlamentin dhe pasqyronin vendosmërinë e mbretit për të qenë sovran i fuqishëm.

 

Parlamenti Britanik i hodhi poshtë pretendimet e kolonive. Megjithatë, tregtarët Britanikë, duke i ndjerë pasojat e bojkotit Amerikan, e hodhën peshën e tyre pas lëvizjes së shfuqizimit. Më 1766, Parlamenti u dorëzua, duke anuluar Aktin e Pullës dhe duke ndryshuar Aktin e Sheqerit. Mirëpo, për t’i qetësuar mbështetësit e kontrollit të përqendruar mbi kolonitë, Parlamenti i shoqëroi këto veprime me miratimin e Aktit Deklamues, i cili i jepte Parlamentit kompetenca për të nxjerrë ligje të detyrueshme për kolonitë “lidhur me çfarëdo çështjeje”. Kolonët kishin arritur të shënonin vetëm një fitore të përkohshme në drejtim të shmangies së një krize të afërt.

 

 

 

AKTET E TAUNSHENDIT

 

Viti 1767 solli një tjetër varg masash që ngjallën sërish të gjithë elementët e mosmarrëveshjes. Çarls Taunshendi, kancelari Britanik i thesarit, u orvat të dilte me një programin të ri fiskal, megjithëse pakënaqësitë në vend lidhur me taksat e larta sa vinin e shtoheshin. Prandaj, duke synuar uljen e taksave Britanike nëpërmjet rritjes së efikasitet të mbledhjes së tatimeve të vëna për tregtinë Amerikane, ai e shtrëngoi administrimin e doganave dhe miratoi taksa doganore për importet e kolonive të letrës, qelqit, plumbit dhe çajit nga Britania. “Aktet e Taunshendit mbështeteshin në premisën se taksat e vëna për mallrat e importuara nga kolonitë ishin të ligjshme, ndërkohë që taksat e brendshme (si, për shembull, Akti i Pullës) nuk ishin të tilla.

 

“Aktet e Taunshendit kishin si qëllim të siguronin të ardhura, të cilat do të përdoreshin pjesërisht për të mbështetur zyrtarët e kolonive dhe për të mbajtur Ushtrinë Britanike në Amerikë. Si kundërpërgjigje, avokati i Fillëdelfies, Xhon Dikinsoni, në “Letrat e Bujkut të Pensillvenies” (“Letters of a Pennsylvania Farmer”), argumentonte se Parlamenti gëzonte të drejtën ta kontrollonte tregtinë perandorake, por nuk kishte të drejtë t’i tatonte kolonitë as përmes taksave të jashtme, as përmes taksave të brendshme.

 

Trazirat që pasuan miratimin e taksave doganore të Taunshendit ishin më pak të dhunshme sesa ato që shkaktoi Akti i Pullës, por, megjithëkëtë, nuk ishin të fuqishme, sidomos në qytetet bregdetare. Tregtarët edhe një herë u kthyen te marrëveshjet për të mos importuar, kurse popullsia dha e mori duke tregtuar prodhimet e vendit. Për shembull, kolonët visheshin me rroba të thjeshta të punuara me dorë dhe zëvendësuan çajin me pije të tjera vendase. Ata përdornin letër të bërë vetë, ndërsa shtëpitë i linin palyer. Në Boston, zbatimi me detyrim i rregullave të reja shkaktoi akte dhune. Kur kërkonin t’i mblidhnin taksat doganore, nëpunësit e doganave sulmoheshin dhe keqtrajtoheshin nga vegjëlia. E ndodhur përballë këtyre kundërvajtjeve, Britania dërgoi dy regjimente më qëllim që t’i mbronte përfaqësuesit e doganave.

 

Prania e trupave Britanike në Boston ishte pengesë e mirëpritur dhe e qëndrueshme ndaj trazirave. Më 5 mars 1770, armiqësimi midis qytetarëve dhe ushtarëve Britanikë ndezi sërish dhunën. Ajo që nisi thjesht si goditje e padëmshme e ushtarëve Britanikë me topa bore, degradoi në sulme të furishme turmash. Dikush dha urdhër që të hapej zjarr. Me t’u shpërndarë shtëllungat e tymit, u vu re se mbi borë shtriheshin trupat e tre të vdekurve nga Bostoni. E etiketuar si “Masakra e Boston”, kjo ngjarje u përshkrua në mënyrë dramatike si dëshmi e pashpirtësisë dhe tiranisë Britanike.

 

Më 1770, i ndodhur përballë një kundërshtimi të tillë, Parlamenti vendosi të bënte një zmbrapsje strategjike, duke shfuqizuar të gjitha taksat doganore të Taunshendit, me përjashtim të asaj për çajin, i cili ishte artikull luksi në koloni, i përvetësuar vetëm nga një pakicë e vogël. Për shumicën dërrmuese, veprimi i Parlamentit donte të thoshte se kolonët kishin fituar një koncesion të madh dhe, rrjedhimisht, edhe ritmet e fushatës kundër Anglisë pësuan rënie. Embargoja e kolonive kundër “Çajit Anglez” vazhdoi, por nuk u zbatua me shumë përpikëri. Mirëqenia po rritej, dhe shumica e drejtuesve të kolonive ishin të gatshëm ta linin të ardhmen të ecte në rrjedhat e veta normale.

 

 

SEMJUËLL EDËMSI

 

Gjatë një intervali 3 vjeçar qetësie, radikalët, ndonëse në numër pak a shumë të vogël, u përpoqën fuqimisht t’i mbanin gjallë polemikat. Ata e ngritën zërin dhe këmbëngulën se pagesa e taksave ishte pranimi i parimit, sipas të cilit, Parlamenti gëzonte të drejtën për t’i sunduar kolonitë. Ata frikësoheshin se mos dikur, në të ardhmen, parimi i sundimit parlamentar do të mund të zbatohej duke rrënuar të gjitha liritë e kolonive.

 

Drejtuesi më me ndikim i radikalëve ishte Semjuëll Edëmsi nga Meseçusetsi, i cili punoi pa u lodhur në drejtim të arritjes së një qëllimi të vetëm, që ishte pavarësia. Që kur përfundoi studimet në Kolegjin e Harvardit më 1743, Edëmsi shërbeu si nëpunës i administratës publike, duke kryer disa detyra – atë të inspektorit të oxhaqeve, të taksambledhësit dhe të moderatorit të takimeve qytetare. Megjithëse për biznes nuk ia thoshte fare, kur vinte puna te politika, ai tregohej mendjemprehtë dhe shumë i zoti, veti këto që i shpaloste në takimet qytetare të Anglisë së Re, të cilat ishin arena e tij e veprimit.

 

Edëmsi kërkonte t’i çlironte njerëzit nga frika e përzier me nderim e sundimtarëve shoqërore dhe politike, t’i ndërgjegjësonte për forcën dhe rëndësinë e tyre dhe, rrjedhimisht, t’i nxiste të viheshin në lëvizje. Lidhur me këto objektiva, ai botoi artikuj në gazeta dhe mbajti fjalime në takimet qytetare, duke nxitur gjetjen e zgjidhjeve që përputheshin me shtysat demokratike të kolonëve.

 

Më 1772, ai e nxiti takimin qytetar të Bostonit që të përzgjidhte “Komitetin e Pajtimit”, për të shpallur të drejtat dhe ankesat e kolonëve. Komiteti kundërshtoi vendimin e Britanisë për t’i paguar pagat e gjykatësve, duke shfrytëzuar të ardhurat e vjela nga taksat doganore; kjo shkaktoi frikën se mos gjykatësit, për sa u takonte të ardhurave, nuk do vareshin më nga organi ligjvënës dhe, rrjedhimisht, nuk do të jepnin më llogari përpara tij, gjë që do të çonte në lindjen e “formës despotike të qeverisë”. Komiteti komunikoi me qytetet e tjera për këtë çështje dhe u kërkoi atyre që të përpilonin kundërpërgjigjet. Në të vërtetë, këto komitete u krijuan në të gjitha kolonitë dhe, prej tyre, u formua baza e organizatave revolucionare më efikase. Sidoqoftë, Edëmsi nuk kishte lëndë djegëse të mjaftueshme për të ndezur zjarrin.

 

 

 

“MBRËMJA E ÇAJIT” NË BOSTON

 

Mirëpo, më 1773, Britania u krijoi Edëmsit dhe aleatëve të tij mundësinë e shfrytëzimit të një çështjeje zjarrvënëse. Kompania e fuqishme e Indisë Lindore, e gjendur në vështirësi të mëdha financiare, iu drejtua për ndihmë Qeverisë Britanike, e cila i dha monopolin për eksportimin e gjithë çajit në koloni. Qeveria, gjithashtu, i dha leje Kompanisë së Indisë Lindore që t’i furnizonte drejtpërsëdrejti shitësit me pakicë, duke shmangur shitësit me shumicë të kolonive. Aso kohe, pjesa më e madhe e çajit që konsumohej në Amerikë importohej në mënyrë të jashtëligjshme dhe nuk u nënshtrohej taksave doganore. Duke e shitur çajin përmes përfaqësuesve të saj kundrejt një çmimi shumë më të ulët sesa ai i zakonshmi, Kompania e Indisë Lindore e bënte kontrabandën të paleverdishme dhe rrezikonte eliminimin e tregtarëve të pavarur të kolonive. Të shtyrë jo vetëm nga humbja e tregtisë së çajit, por edhe nga zbatimi i praktikave monopoliste, tregtarët e kolonive u bashkuan me radikalët që propagandonin pavarësinë.

 

Kudo në portet që ndodheshin përgjatë brigjeve të Atlantikut, agjentët e Kompanisë së Indisë Lindore u detyruan të japin dorëheqje. Ngarkesat e reja të çajit ose u kthyen sërish në Angli, ose u magazinuan. Mirëpo, në Boston agjentët nuk i shpërfillën kolonët; me mbështetjen e guvernatorit mbretëror, ata u përgatitën t’i shkarkonin ngarkesat që po vinin, pa u kushtuar vëmendje kundërshtimeve. Natën e 16 Dhjetorit të vitit 1773, një grup me burra të maskuar si Indianë të Mohoukut dhe të udhëhequr nga Semjuëll Edëmsi hipën në tre anije Britanike të ankoruara dhe i hodhën ngarkesat e tyre me çaj në portin e Bostonit. Meqenëse dyshonin te përkushtimi i bashkëkombësve të vet ndaj parimeve, ata kishin frikë se, sikur të shkarkohej çaji, kolonët përfundimisht do ta blinin atë dhe do t’i paguan taksat.

 

Tani Britania ndodhej përballë krizës. Kompania e Indisë Lindore kishte zbatuar statutin parlamentar. Nëse dëmtimi i çajit kalonte pa u ndëshkuar, atëherë Parlamentit do t’i duhej të pranonte përpara botës se nuk i kontrollonte kolonitë. Në Britani, opinioni zyrtar e dënoi pothuajse njëzëri “Mbrëmjen e Çajit” në Boston si akt vandalizmi dhe kërkoi marrjen e masave ligjore për t’i bërë zap kolonët kryengritës.

 

 

 

AKTET SHTRËNGUESE

 

Parlamenti u kundërpërgjigj përmes ligje të reja, të cilat kolonët i quajtën “shtrënguese” ose “akte të patolerueshme”. I pari, Vendimi për Portin e Boston, e mbylli Portin e Bostonit deri sa u pagua gjithë vlera e çajit të dëmtuar. Ky veprim rrezikoi jetën e qytetit, sepse, t’i hiqje Bostonit të drejtën e shfrytëzimit të detit donte të thoshte t’i shkaktoje atij katastrofë ekonomike. Ligje të tjera kufizuan pushtetin vendor dhe ndaluan shumicën e takimeve qytetare, që mbaheshin pa pëlqimin e guvernatorit. Akti i Sistemimit kërkonte që autoritetet vendore të gjenin strehime të përshtatshme për trupat Britanike, qoftë edhe në shtëpi private, nëse ishte e nevojshme. Në vend që ta gjunjëzonin dhe veçonin Meseçusetsin, ashtu sikundër synonte Parlamenti, këto akte shkaktuan radhitjen e kolonive simotra në anën e tij. Akti i Kubekut, i cili u miratua thuajse në të njëjtën kohë, zgjeroi kufijtë e Krahinës së Kubekut deri në jug të Lumit të Ohajos. Në përputhje me praktikën e mëparshme Franceze, ai parashikonte zhvillimin e gjyqeve pa trup gjykues, nuk mundësonte krijimin e asamblesë përfaqësuese, si dhe i jepte Kishës Katolike status gjysmë të qëndrueshëm. Duke shpërfillur pretendimet e kartës së vjetër lidhur me tokat Veriperëndimore, ai mbartte rrezikun për bllokimin e zgjerimit të kolonive në drejtim të Veriut dhe të Veriperëndimit; njohja prej tij e Kishës Katolike Romake shkaktoi zemërim në radhët e sekteve Protestante që sundonin çdo koloni. Megjithëse Akti i Kubekut nuk qe miratuar si masë ndëshkimore, Amerikanët i lidhën Aktet Shtrënguese me të, ndërkaq, të gjitha këto u quajtën “Pesë Aktet e Patolerueshme”.

 

Me sugjerimin e Dhomës së Përfaqësuesve të Virxhinias, më 5 Shtator të vitit 1774, përfaqësuesit e kolonive u takuan në Fillëdellfia “për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të pakënaqshme të Kolonive”. Delegatët e këtij takimi, i cili u njoh si Kongresi i Parë Kontinental, qenë zgjedhur nga kongreset krahinore ose konventat popullore. Vetëm Xhorxhia nuk arriti ta dërgonte delegatin e vet; numri i përgjithshëm prej 55 vetash ishte i madh sa duhet për shpalosjen e mendimeve të ndryshme, por i pamjaftueshëm për zhvillimin e një debati të vërtetë dhe për ndërmarrjen e veprimeve efikase. Mendimet e kundërta të kolonive lindën mëdyshje të vërteta te delegatët. Atyre do t’u duhej të merrnin vendime të njëzëshme me qëllim që ta detyronin Qeverinë Britanike për të bërë lëshime. Mirëpo, atyre do t’u duhej edhe të shmangnin çdo shfaqje radikalizmi ose fryme pavarësie, gjë që do t’i alarmonte më shumë Amerikanët e moderuar.

 

Një fjalim i rëndësishëm, tejet i kujdesshëm, i pasuar nga “vendimi” se assesi nuk do t’u bindej Akteve Shtrënguese, u mbyll me miratimin e një pakete me rezoluta që shpallnin se kolonët gëzonin të drejtën e “jetës, lirisë dhe pronës”, ndërsa organet ligjvënëse krahinore kishin të drejtë të vendosnin për “të gjitha rastet e tatimeve dhe politikave të brendshme”. Mirëpo, veprimi më i rëndësishëm, që ndërmori Kongresi, ishte formimi i “Shoqatës Kontinentale” për rivendosjen e bojkotit tregtar. Ai krijoi sistemin e komiteteve për hetimin e të gjitha hyrjeve doganore, për publikimin e emrave të tregtarëve që shkelnin marrëveshjet, për konfiskimin e importeve të tyre, si dhe për nxitjen e kursimeve, të ekonomisë dhe industrisë.

 

Shoqata Kontinentale u vu menjëherë në krye të drejtimit të kolonive, duke i nxitur organizatat e reja vendore që t’i jepnin fund autoritetit të mbetur mbretëror. Nën udhëheqjen e drejtuesve pro pavarësisë, ato siguruan jo vetëm mbështetjen e më pak të kamurve, por edhe të shumë anëtarëve të shtresës profesioniste (sidomos, të avokatëve), të pjesës dërrmuese të plantatorëve të kolonive të Jugut dhe të mjaft tregtarëve. Përmes frikësimit, ata i detyruan të lëkundurit që të bashkoheshin me lëvizjen popullore, dhe ndëshkuan kundërshtarët; filluan të grumbullonin rezerva ushtarake dhe të mobilizonin trupa, ndërkohë që opinionin publik e farkëtuan në kudhrën e vrullit revolucionar.

 

Megjithëkëtë, shumë kundërshtarë të shkeljes së të drejtave Amerikane nga Britanikët mbështetën diskutimin dhe kompromisin si zgjidhje të përshtatshme. Në këtë grup përfshiheshin nëpunës të emëruar nga Mbreti, Dritharë, anëtarë të sekteve të tjera fetare, që kundërshtonin përdorimin e dhunës, shumë tregtarë (sidomos, në kolonitë qendrore), dhe disa bujq dhe banorë të pakënaqur të zonave kufitare në kolonitë Jugore.

 

Mbreti fare mirë mund të kishte bërë aleancë me këta të moderuar dhe, nëpërmjet lëshimeve në kohën e duhur, do të kishte arritur ta fuqizonte pozitën e tyre aq shumë, sa revolucionarët do ta kishin pasur të vështirë ta vazhdonin politikën e tyre të kundërshtimit. Por Xhorxhi III nuk synonte të bënte lëshime. Në shtator të vitit 1774, duke hedhur poshtë me përbuzje peticionin e Dritharëve të Fillëdelfies, shkruante se “Tashmë është hedhur zari, kolonitë duhet ja të nënshtrohen, ja të triumfojnë”. Ky veprim i veçoi Luajalistët, të cilët u tronditën dhe frikësuan nga rrjedha e ngjarjeve që pasuan Aktet Shtrënguese.

 

 

 

FILLIMI I REVOLUCIONIT

 

Gjenerali Tomas Geixh, ky fisnik i sjellshëm Anglez, i martuar me një grua të lindur në Amerikë, komandonte garnizonin e Bostonit, ku veprimtaria politike kishte zëvendësuar tregtinë thuajse plotësisht. Detyra kryesore e Geixhit në koloni kishte qenë zbatimi me detyrim i Akteve Shtrënguese. Kur mori vesh lajmin se kolonët e Meseçusetsit po grumbullonin barot dhe rezerva ushtarake në qytetin e Konkordit, i cili ndodhej vetëm 32 kilometra larg, Geixhi dërgoi një njësit të fuqishëm për t’i konfiskuar këto municione.

 

Pas një nate të gjatë marshimi, më 19 Prill 1775, trupat Britanike arritën në fshatin e Leksingtonit, ku panë një bandë të egër me 77 Minutësha, të cilët u quajtën të tillë sepse u përgatiten të luftonin brenda një minute, megjithëse herët në mëngjesin e pushtuar nga mjegulla. Vetë Minutëshat synonin të bënin protestë të qetë, por Majori i Flotës Detare, Xhon Pikerni, komandanti i trupave Britanike bërtiti: Shpërndahuni, o rebelë të mallkuar! O qenë, mbathjani!”. Prijësi i Minutëshave, Kapiteni Xhon Parkeri, i urdhëroi trupat e veta të mos hapnin zjarr në rast se të tjerët nuk shtinin të parët kundër tyre. Amerikanët ishin duke u tërhequr në çastin kur dikush zbrazi armën, gjë që i detyroi trupat Britanike t’i qëllonin Minutëshat me plumba. Pastaj Britanikët përdorën bajonetat, duke vrarë 8 veta dhe duke plagosur 10 të tjerë. Sipas shprehjes së cituar mjaft shpesh të poetit Rallf Ulldo Emersoni të shekullit XIX, kjo ishte “e shtëna që u dëgjua anembanë botës”.

 

Britanikët mësynë në drejtim të Konkordit. Amerikanët i patën marrë me vete shumicën e municioneve, por ata shkatërruan gjithçka që kishte mbetur. Ndërkohë, forcat Amerikane të fshatit qenë mobilizuar për t’i sulmuar Britanikët gjatë kthimit në Boston, i cili i lodhi dhe u hëngri kohë. Kudo në këtë rrugë, të fshehur pas mureve të gurta, sukave dhe shtëpive, “rezervistët e çdo fshati dhe të çdo ferme të Midëllseksit” i vunë në shënjestër ushtarët Britanikë të veshur me pallto të kuqe all. Pikërisht në kohën kur detashmenti i rraskapitur i Geixhit mezi kishte arritur të futej në Boston, ai numëronte 250 të vrarë dhe të plagosur në radhët e veta. Amerikanët humbën 93 luftëtarë.

 

Më 10 maj, në Fillëdelfia të Pensillvenias u mbajt Kongresi i Dytë Kontinental. Kongresi votoi për të vajtur në luftë, duke rekrutuar rezervistët e kolonive në shërbimin ushtarak kontinental. Më 15 qershor, ai e emëroi Kolonelin Xhorxh Uashingtoni të Virxhinies si Kryekomandant të tyre. Brenda dy ditëve, Amerikanët pësuan humbje të mëdha në njerëz në Banker Hill, vetëm pak larg Bostonit. Kongresi gjithashtu i urdhëroi ekspeditat Amerikane të marshonin në drejtim të Veriut, me qëllim që të hynin në Kanada aty nga Vjeshta. Me kapjen e Montrealit, ato dështuan në mësymjen e dimrit kundër Kubekut dhe përfundimisht u tërhoqën në Nju Jork.

 

Pavarësisht nga shpërthimi i konfliktit të armatosur, ideja e ndarjes së plotë nga Anglia ishte ende e papranueshme për shumë anëtarë të Kongresit Kontinental. Në Korrik, ai miratoi Peticionin e Degës së Ullirit, përmes së cilit i kërkohej mbretit që të ndalonte veprimet e mëtejshme armiqësore deri sa të mund të arrihej një lloj marrëveshjeje. Mbreti Xhorxhi III nuk denjoi ta pranonte këtë kërkesë; përkundrazi, më 23 Gusht 1775, ai nxori një shpallje ku deklarohej se kolonitë ishin në gjendje rebelimi.

 

Britania kishte shpresuar se Kolonitë e Jugut do t’i qëndronin besnike, pjesërisht për shkak të mbështetjes së tyre te skllavëria. Shumë njerëz në Kolonitë e Jugut kishin frikë se mos rebelimi kundër shtetit amë do të çonte edhe në shpërthimin e kryengritjes së skllevërve. Në Nëntor të vitit 1775, Lordi Danmor, guvernatori i Virxhinies, u përpoq të fitonte pikë nga kjo frikë, duke u ofruar lirinë të gjithë skllevërve që do të luftonin për Britanikët. Përkundrazi, ky deklarim i tij kaloi në anën e rebelëve shumë banorë të Virxhinies, të cilët, përndryshe, do të kishin mbetur Luajalistë.

 

Edhe Guvernatori i Karolinës së Veriut, Xhozaje Martini, i nxiti banorët e Karolinës së Veriut që t’i qëndronin besnik Mbretit. Kur 1500 burra iu përgjigjën thirrjes së Martinit, ata u mundën nga ushtritë revolucionare përpara sesa trupat Britanike të mund të shkonin në ndihmë të tyre.

 

Luftanijet Britanike vazhduan të zbrisnin përgjatë brigjeve derisa arritën në Çarlston të Karolinës së Jugut dhe hapën zjarr kundër qytetit në fillim të Qershorit të vitit 1776. Por banorët e Karolinës së Jugut kishin kohë për t’u përgatitur dhe, aty nga fundi i muajit, i zmbrapsën Britanikët. Ata nuk do të ktheheshin në Jug për më shumë sesa dy vjet.

 

 

 

MENDIMI PRAKTIK DHE PAVARËSIA

 

Në Janar të vitit 1776, Tomas Peini, teoricien i politikës radikale dhe shkrimtar që kishte ardhur nga Anglia në Amerikë më 1774, botoi një pamflet rreth 50 faqe, të quajtur “Mendimi Praktik” (“Common Sense”). Brenda tre muajve, u shitën 100 mijë kopje të tij. Peini kritikonte idenë e monarkisë së trashëgueshme, duke shpallur se një njeri i ndershëm ishte shumë herë më i vlefshëm për shoqërinë sesa “gjithë rrufjanët me kurorë, të cilët kishin jetuar ndonjëherë”. Ai parashtronte këto alternativa: ja vazhdimin e nënshtrimit ndaj një mbreti tiran dhe një qeverie të dalë mode, ja fitimin e lirisë dhe të lumturisë si republike më vete dhe e pavarur. Ngaqë qarkulloi anembanë kolonive, “Mendimi praktik” ndihmoi në drejtim të kristalizimit të vendimit për ndarje.

 

Mirëpo, ende mbetej e pazgjidhur çështja e marrjes së miratimit të secilës koloni për deklaratën zyrtare. Kështu, më 7 Qershor, Riçard Henri Liu nga Virxhinia paraqiti një rezolutë në Kongresin e Dytë Kontinental, ku shpallej: “Se këto Koloni të Bashkuara janë, dhe me të drejtë duhet të jenë, shtete të lira dhe të pavarura. …” Aty për aty, për hartimin e një dokumenti që do t’i nënshtrohej votimit, u caktua një komitet me 5 veta, i kryesuar nga Tomas Xhefersoni i Virxhinias.

 

Duke qenë më së shumti fryt i mendjes së Xhefersonit, Deklarata e Pavarësisë, e miratuar më 4 Korrik të vitit 1776, jo vetëm shpalli lindjen e një kombi të ri, por edhe shënoi fillimin e filozofisë së lirisë njerëzore, e cila do të shndërrohej në forcë lëvizëse anembanë rruzullit tokësor. Kjo Deklaratë u mbështet në filozofinë politike të Iluminizmit Francez dhe Anglez, por u përshkua fund e krye nga fryma e veprës së Xhon Lokut me titull “Traktati i Dytë për Qeverisjen” (“Second Treatise on Government”). Loku shfrytëzoi konceptet e të drejtave tradicionale të Anglezëve, duke i përgjithësuar dhe shndërruar ato në të drejta të natyrshme për gjithë njerëzimin. Fragmenti hapës, tashmë i njohur i Deklaratës, përcjell jehonat e teorisë së Lokut për kontratën sociale:

 

“Besojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë, se të gjithë njerëzve Krijuesi u ka dhuruar disa të Drejta të patjetërsueshme, se, mes tyre, janë Jeta, Liria dhe rendja pas Lumturisë. – Se, për t’i siguruar këto të drejta, vetë Njerëzit krijojnë Qeveri me kompetenca të drejta që marrin bekimin e të qeverisurve. – Se, në çdo rast që Qeveria, e cilësdo Formë qoftë, shndërrohet në asgjësuese të këtyre qëllimeve, shi këta Njerëz gëzojnë të Drejtën për ta ndryshuar, për ta rrëzuar, dhe për të krijuar Qeveri të re, duke u mbështetur në parime dhe mënyra të tilla të organizimit të kompetencave të saj, të cilat duket se kanë më së shumti gjasa t’i garantojnë Sigurinë dhe Lumturinë e tyre”.

 

Xhefersoni i lidhi parimet e Lokut me situatën në koloni drejtpërsëdrejti. Të luftoje për pavarësinë e Amerikës do të thoshte të luftoje për qeverinë e mbështetur në miratimin mbarëpopullor në vend të qeverisë së krijuar nga mbreti, i cili “kishte rënë në ujdi me të tjerët për të na vendosur nën një juridiksion që binte ndesh me kushtetutën dhe me ligjet tona. …” Vetëm qeveria e mbështetur në miratimin mbarëpopullor do të mund të garantonte të drejtat e natyrshme të jetës, lirisë dhe rendjes pas lumturisë. Pra, të luftoje për pavarësinë e Amerikës do të thoshte të luftoje në emër të këtyre të drejtave të natyrshme.

 

 

 

DISFATA DHE FITORE

 

Edhe pse Amerikanët pësuan disfata të rënda disa muaj rresht pas shpalljes së pavarësisë, më në fund, qëndresa dhe këmbëngulja e tyre u shpërblyen. Gjatë muajit Gusht të vitit 1776, në Betejën e Ishullit të Gjatë në Nju Jork, pozicionet e trupave të Uashingtonit filluan të lëkundeshin dhe, për këtë arsye, ai realizoi një tërheqje mjeshtërore nga Bruiklini, në brigjet e Menhetenit, duke përdorur varka të vogla. Gjenerali Britanik, Uilliam Hou, u mëdysh dy herë, gjë që mundësoi largimin e Amerikanëve. Mirëpo, aty nga Nëntori, Hou kishte arritur të shtinte në dorë Fortesën e Uashingtonit në Ishullin e Menhetenit. Qyteti i Nju Jorkut do të mbetej nën kontrollin e Britanikëve deri në përfundim të luftës.

 

Po atë dhjetor, forcat e Uashingtonit qenë në prag të shkatërrimit, sepse nuk u erdhën rezervat ushtarake dhe ndihma e premtuar. Hou sërish humbi mundësinë që t’i shpartallonte Amerikanët, duke vendosur të priste derisa të vinte Pranvera për t’i rifilluar luftimet. Ditën e Krishtlindjeve, më 25 Dhjetor të vitit 1776, Uashingtoni kaloi Lumin e Delauerit në veri të Trentonit të Nju Xhersit. Në orët e para të mëngjesit të datës 26 Dhjetor, trupat e tij e goditën në befasi garnizonin e atyshëm Britanik, duke zënë më shumë sesa 900 robër lufte. Një javë më vonë, më 3 Janar të vitit 1777, Uashingtoni i sulmoi Britanikët në Prinstonit, duke vënë sërish nën kontroll pjesën më të madhe të territorit zyrtarisht të pushtuar nga këta të fundit. Fitoret e arritura në Trenton dhe Prinston e ringjallën shpirtin e rënë Amerikan.

 

Mirëpo, në Shtator të vitit 1777, Hou e mundi Ushtrinë Amerikane në Brendiuajn të Pensillvenias dhe pushtoi Fillëdelfian, duke e detyruar Kongresin Kontinental që të largohej në arrati. Uashingtonit iu desh ta përballonte Dimrin tejet të egër të viteve 1777-1778 në Luginën e Forxhit të Pensillvenias në kushtet e mungesës së furnizimit të mjaftueshëm me ushqime, veshmbathje dhe rezerva ushtarake. Bujqit dhe tregtarët ua shisnin mallrat Britanikëve që, si mjete këmbimi, përdornin monedha floriri dhe argjendi, duke shmangur Kongresin Kontinental dhe Shtetet që paguanin me kartëmonedha të pagarantuara, të emetuara vetë.

 

Lugina e Forxhit ishte vërtet pika më e dobët për Ushtrinë Kontinentale të Uashingtonit, megjithatë, kudo gjetkë viti 1777 shënoi pikën e kthesës në fatet e luftës. Gjenerali Britanik, Xhon Burgojni, duke lëvizur nga Kanadaja në drejtim të Jugut, u përpoq t’i pushtonte Nju Jorkun dhe Anglinë e Re nëpërmjet Liqenit të Çempleinit dhe Lumit të Hadsonit. Ai kishte pajisje luftarake aq të rënda, sa nuk mundi të kalonte përmes terrenit të pyllëzuar dhe moçalor. Më 6 Gusht, në Oriskeni të Nju Jorkut, një bandë me Luajalistë dhe Amerikanë Vendas nën komandën e Burgojnit u ndeshën me një forcë Amerikane lëvizëse dhe të kalitur, e cila arriti ta pengonte përparimin e tyre. Disa ditë më vonë në Benington të Vermontit, trupat Amerikane zmbrapsën forca shumë më të mëdha në numër të Burgojnit, të cilat qenë vënë në kërkim të rezervave ushtarake aq shumë të domosdoshme.

 

Pasi kaloi në pjesën perëndimore të Lumit të Hadsonit, ushtria e Burgojnit u sul në drejtim të Ollbënisë. Amerikanët ndodheshin në pritje të tij. Nën udhëheqjen e Benedikt Arnoldit, që më vonë do t’i tradhtonte Amerikanët në Uest Point të Nju Jorkut, kolonët i zmbrapsën Britanikët dy herë. Meqenëse gjatë kësaj kohe kishte pësuar humbje të rënda, Burgojni u detyrua të kthehej në Seratoga të Nju Jorkut, ku një forcë Amerikane shumë herë më e madhe në numër, nën komandën e Gjeneral Horeshio Geitsit, i rrethoi trupat Britanike. Më 17 Tetor të vitit 1777, Burgojni e dorëzoi gjithë ushtrinë e vet, 6 gjeneralë, 300 oficerë të tjerë dhe 5500 ushtarakë të thjeshtë.

 

 

 

ALEANCA FRANCEZO-AMERIKANE

 

Në Francë, entuziazmi lidhur me kauzën Amerikane ishte i lartë: Vetë bota e intelektuale Franceze ishte ngritur kundër feudalizmit dhe privilegjeve. Mirëpo, Mbreti u jepte mbështetje kolonive, duke u nisur nga arsye gjeopolitike në vend të atyre ideologjike: Qeveria Franceze mezi kishte pritur të ndëshkonte Britaninë, që më 1763, kur u mund Franca. Për ta çuar përpara kauzën Amerikane, më 1776, në Paris u dërgua Benxhëmin Frenklini. Mençuria, dinakëria dhe intelekti i tij zunë vend shumë shpejt në kryeqytetin e Francës, si dhe luajtën rolin kryesor në drejtim të sigurimit të ndihmës Franceze.

 

Franca filloi t’u jepte ndihma kolonive në Maj të vitit 1776, kur dërgoi në Amerikë 14 anije me rezerva ushtarake. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e barutit që përdornin trupat Amerikane vinte nga Franca. Pas mundjes së Britanisë në Seratoga, Franca arriti të kuptonte se iu kishte krijuar mundësia për ta dobësuar rëndë armikun e vet të lashtë dhe për të vendosur ekuilibrin e forcave, të cilin e kishte prishur Lufta 7 Vjeçare (e quajtur Lufta Franceze dhe Indiane në Kolonitë Amerikane). Më 6 Shkurt të vitit 1778, Kolonitë dhe Franca nënshkruan Traktatin e Miqësisë dhe të Tregtisë, nëpërmjet të cilit Franca i njihte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bënte koncesione tregtare. Ato gjithashtu nënshkruan Traktatin e Aleancës që përcaktonte se, po të hynte Franca në luftë, asnjëri nga këto dy vende nuk do t’i lëshonte armët derisa kolonitë ta fitonin pavarësinë, se asnjëri nga këto dy vende nuk do të vendoste paqe me Britaninë pa pëlqim të dyanshëm, dhe se secili nga këto dy vende do t’i garantonte zotërimet përkatëse në Amerikë në mënyrë të ndërsjellët. Ky ishte i vetmi traktat mbrojtës dypalësh, që nënshkruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo paraardhëset e tyre deri në vitin 1949.

 

Aleanca Francezo-Amerikane e zgjeroi shumë shpejt konfliktin. Në Qershor të vitit 1778, anijet Britanike hapën zjarr kundër anijeve Franceze, dhe këto dy vende hynë në luftë. Më 1779, Spanja, me shpresën se do të mund t’i shtinte sërish në dorë territoret e pushtuara nga Britania gjatë Luftës 7 Vjeçare, hyri në konflikt, duke u rreshtuar në krah të Francës, por jo si aleate e Amerikanëve. Më 1780, Britania u shpalli luftë Holandezëve, të cilët e vazhdonin tregtinë me Amerikanët. Bashkimi i këtyre fuqive Evropiane me në krye Francën e shtonin rrezikun për Britaninë shumë më tepër sesa të gjitha Kolonitë Amerikane të marra së bashku.

 

 

 

BRITANIKËT MËSYJNË NË DREJTIM TË JUGUT

 

Tashmë, me përfshirjen e Francezëve në konflikt, Britanikët, duke besuar ende se shumica e Jugorëve ishin Luajalistë, i shtuan përpjekjet në Kolonitë e Jugut. Në fundi të vitit 1778, me pushtimin e Sevanës në Xhorxhia, ata filluan fushatën. Menjëherë pas kësaj, trupat tokësore dhe forcat detare Britanike u bashkuan dhe dislokuan në Çarlston, portin kryesor Jugor në Karolinën e Jugut. Ato arritën t’i rrethonin forcat Amerikane në Gadishullin e Çarlstonit, pa u lënë asnjë mundësi shpëtimi. Më 12 Maj të vitit 1780, Gjenerali Benxhëmin Linkolni dorëzoi qytetin dhe 5000 trupat e tij, dhe kjo ishte disfata më e madhe, që pësoi Amerika në këtë luftë.

 

Por ky këmbim fati vetëm sa i trimëroi kryengritësit Amerikanë. Banorët e Karolinës së Jugut filluan të enden nëpër fshatra, duke sulmuar prapavijën Britanike. Në Korrik, Gjenerali Amerikan Horeshio Geitsi, që kishte grumbulluar rreth vetes një forcë rezervë të pastërvitur, u sul rrufeshëm në drejtim të Kemdenit të Karolinës së Jugut, për t’u ndeshur me forcat Britanike të komanduara nga Gjenerali Çarls Kornollisit. Por ushtrinë e improvizuar të Geitsit e pushtoi paniku: Ajo u shpërnda menjëherë sapo u përball me forcat e rregullta Britanike. Trupat e Kornollisit luftuan me Amerikanët shumë herë të tjera, mirëpo, në fillim të vitit 1781, beteja më rëndësishme u zhvillua në Kaupens të Karolinës së Jugut, ku Amerikanët i mundën Britanikët rëndë. Pas një ndjekje rraskapitëse, por të pafrytshme, anembanë Karolinës së Veriut, Kornollisi i vuri syrin Virxhinies.

 

 

 

FITORJA DHE PAVARËSIA

 

Në korrik të vitit 1780, Mbreti i Francës, Luigji XVI, dërgoi në Amerikë një ekspedite ndëshkimore me 6000 veta, nën drejtimin e Komt Zhën de Roshambosë. Përveç kësaj, flota Franceze i bastisi anijet Britanike të transportit, gjë që pamundësoi përforcimin dhe furnizimin rishtas të forcave Britanike në Virxhinia. 18 mijë pjesëtarë të ushtrive dhe flotave detare të Francës dhe Amerikës luftuan dhëmb për dhëmb me Kornollisin gjatë gjithë Verës, deri sa hyri vjeshta. Përfundimisht, më 19 tetor të vitit 1781, pasi u kap në kurth në Jorktauni, pranë grykës së Gjirit të Çesëpikut, Kornollisi kapitulloi duke u dorëzuar së bashku me ushtrinë e tij me 8000 ushtarë Britanikë.

 

Megjithëse humbja e Kornollisit nuk i dha fund luftës aty për aty – ajo do të zvarritej ditë për ditë edhe dy vjet të tjera – derisa Qeveria e re Britanike vendosi të zhvillonte bisedime për paqen në Paris, në fillim të vitit 1782, me palën Amerikane të përfaqësuar nga Benxhëmin Frenklini, Xhon Edëmsi dhe Xhon Xhei. Më 15 Prill të vitit 1783, Kongresi miratoi traktatin përfundimtar. Traktati i Parisit, i cili u nënshkrua më 3 Shtator, shpalli njohjen e pavarësisë, lirisë dhe sovranitetit të 13 ish Kolonive, tashmë të shndërruara në shtete. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të porsakrijuara, në Perëndim, shtriheshin deri në Lumin e Misisipit, në Veri, deri në Kanada, dhe në Jug, deri në Florida, që iu dha sërish Spanjës. Kolonitë foshnjore, për të cilat kishte folur Riçard Henri Liu përpara më shumë sesa 7 vjetëve, qenë kthyer përfundimisht në “shtete të lira dhe të pavarura”.

 

Tani mbetej detyra e bashkimit të tyre në një komb të vetëm.

 

 

RËNDËSIA E REVOLUCIONIT AMERIKAN

 

Revolucioni Amerikan pati një rëndësi, e cila i kapërceu kufijtë e Kontinentit të Amerikës së Veriut. Ai tërhoqi vëmendjen e inteligjencies politike anembanë Kontinentit Evropian. Figura të shquara idealiste, të tilla si Thedius Koskiaskoja, Frederik von Shtubeni dhe Markezi de Lafajet u hodhën në radhët e saj, për të përhapur idetë liberale, të cilat shpresonin se do t’i mbillnin në vendet e veta. Ngadhënjimi i tij nguliti konceptin e të drejtave të lindura kudo në botën Perëndimore dhe shtoi kritikat racionale të Iluminizmit kundër rendit të vjetër, të mbështetur te monarkia e trashëgueshme dhe kisha e fortë. Në kuptimin e plotë të fjalës, ai ishte pararendësi i Revolucionit Francez, por nuk u karakterizua nga dhuna dhe kaosi, që do ta përshkonin këtë të fundit, sepse u zhvillua në një shoqëri tashmë të ndërtuar mbi themele liberale.

 

Të shumtën e herëve, idetë e Revolucionit Amerikan janë përshkruar si ngadhënjim të teorive të Xhon Lokut mbi kontratën sociale dhe të drejtat e lindura. Sado i drejtë të jetë, ky përcaktim nuk merr si duhet parasysh rëndësinë gjithnjë në rritje të rebelimit të Kalvinistëve kundër Protestantizmit, të cilët, po ashtu, që në kohën e Pelegrinëve dhe Puritanëve dhe në vazhdim, kishin luftuar për idealet e kontratës sociale dhe vetëqeverisjen e komunitetit. Sikundër intelektualët Lokianë, edhe klerikët Protestantë, ishin mbrojtësit kryesorë të rrymave të pajtueshme të liberalizmit që kishte lulëzuar në Kolonitë Britanike të Amerikës së Veriut.

 

Studiuesit kanë argumentuar gjithashtu se edhe një bindje tjetër, domethënë, “republikanizmi”, e ka ndihmuar Revolucionin Amerikan. Sipas tyre, republikanizmi nuk e mohonte ekzistencën e të drejtave të lindura, por ia nënshtroi ato besimit se mbajtja e një republike të lirë kërkonte ndërgjegjësim të lartë për përgjegjësinë kolektive dhe kultivim të virtytit të vetëmohimit te drejtuesit. Mbrojtja e të drejtave të individit, madje edhe kërkimi i lumturisë vetjake, dukeshin egoiste për shkak të ngjashmërisë. Për një farë kohe, republikanizmi kërcënoi t’i zëvendësonte të drejtat e lindura si boshtin kryesor të frymës së Revolucionit. Megjithatë, shumica e historianëve të sotëm e pranojnë se ky dallim qe zmadhuar së tepërmi. Pjesa më e madhe e individëve që mendonin për gjëra të tilla në shekullin XVIII i përfytyronin këto dy ide më tepër si anët e ndryshme të së njëjtës monedhë intelektuale.

 

Në përgjithësi, revolucionet shoqërohen me përmbysje dhe dhunë shoqërore në shkallë të gjerë. Sipas këtyre kritereve, Revolucioni Amerikan ishte relativisht i butë. Rreth 100 mijë Luajalistë u larguan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa mijëra të larguar ishin anëtarë të elitave të vjetra, të cilët qenë shpronësuar dhe dëbuar; ndërkohë, të tjerët ishin thjesht njerëz të zakonshëm, besnikë të Mbretit të vet. Shumica e atyre që mërguan vepruan kështu në mënyrë të vullnetshme. Revolucioni hapi dhe thelloi liberalizimin e një shoqërie tashmë të lirë. Në Nju Jork dhe në dy Karolinat, pronat e mëdha të Luajalistëve ua ndanë bujqve të vegjël. Qëndrimet liberale u bënë norma zyrtare e kulturës politike Amerikane, qoftë në shkëputjen nga Kisha Anglikane, qoftë në parimin e zgjedhjes së qeveritarëve në shkallë kombi a shteti, qoftë në përhapjen kudo të idesë së lirisë së individit. Sidoqoftë, struktura e shoqërisë ndryshoi pak. Pavarësisht nga qëndrimi ndaj Revolucionit, jeta, liria dhe prona e shumicës së njerëzve mbeti e pacenuar.

 

Shkrime të ngjashme:

  1. 70 vjetori i “Zerit të Amerikës”. Nga Mujë Buçpapaj
  2. Pse duhet rishkruar historia e Shqipërisë
  3. Kosovë, drejt finalizimit plani i rikthimit të kontrollit doganor
  4. Kryeministri Berisha: 100 vjetori i pavarësisë, të jetë viti i vështrimit objektiv, jashtë çdo manipulimi, të zhvillimeve të një shekulli
  5. Shqiperia dhe 70 vjetori i “Zerit të Amerikës”. Nga Mujë Buçpapaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>