Si e njoha unë Ali Podrimjen
Nga ALBANA MELYSHI LIFSCHIN
Me Ali Podrimjen kam patur rast të takohem vetëm një herë, në pranverën e 2010, kur ai kishte përgatitur dhe botuar librin tim me poezi ‘Ka gjithmonë diku… ‘duke shkruar edhe parathënien e tij. Ndihesha sa e nderuar aq edhe e habitur njëkohësisht me thjeshtësinë, me sakrificën kohore që AI bënte për poetet.
Ka qenë një ditë vjeshte e vitit 2009 kur mora mesazhin e parë elektronik nga Poeti ku më shkruante se kishte lexuar dy herë librin tim me poezi ”Dje preva flokët” dhe se përveç poezisë titullin e të cilës mban libri, i kishin pëlqyer mjaft poezitë e shkurtra. Por mesazhi nuk mbetej në kufijtë e një komplimenti, siç ndodh zakonisht, por sugjeronte:
” Ndiqni rrugën e poezisë eliptike, filigramit zonjë. E bëni këtë për hir të poezisë tuaj dhe letrave shqipe”
Ishte një porosi nga një Poet i Madh për një krijuese që ai s’e kishte parë, e ndoshta s’kish dëgjuar për të. Ky udhëzim bujar ngjalli tek unë ndjenjën e një respekti të vecantë për Ali Podrimjen. Deri atë kohë kisha marrë komplimenta e urime nga lexues e kolegë, nga poetë të njohur e të respektuar. Por askush si Podrimja deri atë kohe, s’ishte prononcuar në një mesazh privat në emër të letrave shqipe, duke ngacmuar ndjenjën e madhe të përgjegjsisë që duhet të kemi kur vemë penën në letër. Në ciklet poetike që shkrova më pas, disa nga koleget e mi, poetë dhe gazetarë, publikisht por edhe në privat pohuan se po shohim “një Albanë të re”. Ishte ndikimi i Podrimjes.
Në mesazhin e Poetit dërguar në postën time, në 31 dhjetor 2009, lexova:
“Ajo që më gëzon është se poezia juaj gjithnjë e më pak ka fjalë të tepërta..E shoh se Ti dallon shumë nga poetët tjera të hapësirës shqiptare. Artikulimi yt poetik sa vjen e bëhet më interesant për lexuesit. Urime poeteshë dhe suksese gjatë vitit që po trokasim.”
Në faqet e Jetes se Re në 60vjetorin e saj,dhe në mbyllje të vitit, qenë botuar disa poezi të miat.
Ndërsa në letren e 26 janarit, 2010, Z. Ali Podrimja, më shkruante
“Pata fat ndoshta që i pari i lexova poezitë Tuaja të fundit. Keni arritur një shkallë të lartë të ekliptizmit dhe kjo më gëzon. Ju lutem filloni t’i sistemoni nëpër cikle dhe ta krijoni librin e ri të cilin do t’ma dërgoni para botimit.”
Dhe kështu ndodhi që unë pata nderin që Ali Podrimja, Poeti ynë kombëtar, të përgatiste për botim vëllimin poetik “Ka gjithmonë diku”.
Ndihesha sa e nderuar aq edhe e habitur njëkohësisht me thjeshtësinë, me sakrificën kohore që AI bënte për të inkurajuar poetët. Ali Podrimja ishte vazhdimisht në kërkim të së bukures në letërsi duke e ndjerë si “obligim ndaj poetëve, por edhe si guxim moral” .
Kisha lexuar kryevepren e tij Lum lumin dhe kisha mbetur sa e drithëruar aq edhe e mrekulluar. Kisha lexuar esete tek “Sfida e harrimit “ kisha parë kulturën, artistin e fjalës dhe fisnikërinë shpirtit . Kisha lexuar intervista me të dhe kisha parë që lëvdatat adresuar atij, Poeti i ndante me kolegët.
Duke përfunduar këtu, desha të citoj kritikun Bashkim Kucuku kur thotë:”Ali Podrimja, nuk jeton vetëm poezinë e tij, por me krejt poezinë shqipe. Për dhjetra vjet duke punuar si redaktor në Shtëpinë botuese ‘Rilindja’, Podrimja ka ndikuar ndjeshëm në përpunimin dhe ngritjen cilësore të saj….në vëllimet e shumtë që ka redaktuar, të disa brezave, është edhe inkurajimi, “ndërhyrja’ apo qortimi mjeshtëror i tij…. Me këto ndihmesa, krahas poezisë së vet është bërë poeti me autoritar dhe më i përkujdesshëm ndaj krijimtarisë së poetëve të tjerë, sidomos të rinjve.. Nuk është e rastit që pikërisht Ali Podrimja, ka patur dhe vazhdon të ketë dishepuj, më tepër se çdo poet tjetër i ditëve të sotme.”
http://albanalifschin.tripod.com/index.html
Shkrime të ngjashme: