Basti i kuajve. Tregim nga Albana Melyshi Lifschin

Filed under: Proze |

Basti i kuajve

Tregim nga Albana  Melyshi Lifschin

Denisi është një burrë i shkurtër, qimebardhë, me një lëkurë të bardhë në të kuqe, rondokop, me një buzëqeshje më shumë si përveshje buzësh që krijon një si noçkë duke të dhënë një ndjenjë sikur po sheh një gic. Pikërisht këtë ndjenjë provoi Ana tek e prezantuan me të. Kishte dëgjuar shumë për Denisin nga i shoqi. Kishin qënë shok shkolle në gjimnaz, madje qenë rritur në një lagje. Pas mbarimit të shkollës së mesme Denisi nuk vazhdoi më tutje. U kishte thënë se e kishte zgjedhur profesionin e tij të jetës: do të vinte baste në garat me kuaj! Atëherë gjithkush e kishte gjykuar thjesht si hobi, por Denisi e kishte seriozisht. Filloi të ndiqte çdo garë kuajsh, brenda edhe jashtë Nju Jorkut. Në shtëpi hynin vetëm gazetat që kishin seksionin e posaçëm për garat e kuajve dhe bastet për ta. Biblioteka e tij u mbush me libra për kuajt. Ndërsa shokët e tij mbaruan kolegjet, Denisi kishte marrë “diplomën” e bastistit më të zot. Thuhej se kishte një parashikim të jashtëzakonshëm. Nuk ishte gjë e rallë që nga një bast kuajsh të fitonte 20 deri 30 mijë dollarë. Aq shokët e tij bënin në një vit pune. Denisi vinte disa baste njëherësh, për disa kuajt në të njëjtën kohë, e në disa gara kuajsh që nga Nju Jorku deri në Los Anxheles e San Francisko. Natyrisht nuk i duhej të shkonte vetë atje. Vinte bast me telefon. U bë me para, u martua, bleu nje shtëpi, u bë edhe me vajzë. Dhjetë vjetët e parë të martesës së tij qenë të begatë, por  me kohë marrëdhëniet me gruan erdhën drejt prishjes e në një ditë të bukur, kur Denisi ishte në ethet e një gare që mund t’i jepte atij 50 mijë dollarë njëherësh, e shoqja kërciti e iku me një tjetër. Kur i dhanë lajmin Denisi u përgjigj: E ka të humbur bastin! Bënë divorcin. Ajo nuk u martua me atë me “të cilin u rrëmbye”, ndërsa ai ndihej më i lirë, më pa obligime, për t’ju dhënë tërësisht kuajve. Njihte çdo lloj race. Vëzhgonte me kujdes kalin dhe kalorësin. Njihte imtësisht tiparet e kalit dhe të kalorësit që merrte pjesë në garë.. Dinte historinë e fitimeve apo humbjeve të tyre. Jeta e tij qe kthyer në një qark të mbyllur, brenda të cilit Denisi ndihej  shumë mirë. Vazhdonte të mbante po ata miq, pa e zgjeruar rethin. Shkonte çdo të premte në të njëjtin bar.  Kaluan kështu njëzet vjet e Denisi nuk u martua për së dyti. Gjithkush betohej se ai e kishte mbyllur atë kapitull. Qe njohur nëpër bare e klube nate me shumë femra, por të gjitha ishin “one night stand” në motel, apo edhe në sedilien e prapme të mercedesit të tij. Të nesërmen nuk mbante mend asnjerën nga ato. Askush s’kishte mundur ta devijonte fokusin e jetës se tij: kuajt. Askujt s’i kishte dhënë një minutë më tepër se sa  i takonte. Kuajve u kishte dhënë gjithë jetën e tij.Të premteve mbrëma hynte në bar duke shtyrë derën me barkun e tij të kërcyer, me atë buzëqeshjen, që herë dukej si ngërdheshje e herë si një buzëqeshje e një fëmije naiv. S’e shihje kurrë të nxehej, por ishte gjithnjë i paparashikur në veprimet e tij. Askujt s’i shkonte nëpër mend se Denisi do t’i suprizonte një ditë me një vendim kaq ”të çuditshëm”. Madje as të vëllait, Stivit. As nipërve e as mbesave. As të bijës 22 vjeçare, Suzen, që mbante emrin e gjyshes, nënës së Denisit që kishte dy vjet qëkish vdekur. Sa qe gjallë, plaka jetonte me Denisin. Qe një italiane e fortë e kursimtare; kishte blerë tre shtëpi të cilat i kishte lëshuar me qera. Njëra ishte trashëgimi e Denisit. Denisi nga ana e tij i kishte blerë vetes një jaht ku mblidhte shoqërinë e vet në fundjave nëLong Island. Shpesh shkonin tek Ishulli i Zjarrit.Shkurt, Denisi gëzonte jetën, larg çdo obligimi apo kokëçarje. Dhe për habinë e të gjithëve Denisi shpalli fejesën dhe brenda tre javësh shpërndau ftesat e martesës me  Enin.Kush ishte Eni?

-Unë nuk di shumë për Enin. Nuk di ç’magji i bëri ajo Denisit… Denis të martohej? Ai qe tallur me martesat e shokëve. Ai i përfytyronte shokët e tij si kuaj në këtë garë të lodhshme, ku për mendimin e tij, nuk kishte asnjë fitimtar, përveç fëmijëve që sillnin në këtë botë. Kur i binte rasti të takonte çiftet pas disa vitesh, me atë buzëqeshjen e tij me noçka të fryra, pyeste: Akoma bashkë ju? Denisi e takoi Enin në një klub nate, një të premte. Të gjithë thoshnin që Eni ishte e çuditshme. E çuditëshme? Si, qysh? Askush nuk zgjatej për të dhënë shpjegime. Askush s’e kishte marrë seriozisht marrëdhënien e shkurtër të Denisit. Ata qenë parë në klub disa herë sëbashku, por aq. Askush s’parashikoi që shumë shpejt do tu vinte një ftesë dasme. Ndaj ishte një kureshtje e madhe për të parë të fejuarën e Denisit, një kureshtje që shtynte atë mbrëmje makinat të vraponin drejt Leonard’s Palace, tek Great Neck në Long Island.Ndodheshin para të pabesueshmes.Makina frenoi në oborrin e pasmë të Leonard’s. Qe një godinë madhështore, e denjë për dasma të pasurish…Salla e ndriçuar dobët nga llampadarë ndezur në gjysmë dritë, qirinjtë nëpër tavolina kishin krijuar një ambjent romantik. Zonjat e ftuara kishin veshur fustane luksi, në ngjyrë të zezë me xixa argjendi rreth gjoksit, që u zbrisnin poshtë deri tek thembrat. Burrat me papijone dhe disa prej tyre edhe me një trendafil të vogël të kuq tek jakë e xhaketës.Orkestra e padukshme prapa një podiumi mbante në sfond një muzikë të lehtë. Një djalë i pashëm me mikrofon në dorë drejtonte ceremoninë e mbrëmjes duke udhëzuar e informuar dasmorët.Ai prezantoi hyrjen e protagonisteve sipas radhës së “shfaqjes”Në fillim fare hynë nipërit e mbesat e nuses. Dy vajza të vogla e një djalë rreth dymbëdhjetë vjeç, me fytyrë të rrumbullakët veshur me një kostum të zi, e me kapele. Ata vrapuan drejt tavolinës së qëndrës duke qeshur. Ishin të fturit e parë në dasmën e gjyshes së tyre. Pas tyre u prezantua nëna e tyre, domethënë vajza e e nuses, një brune e bukur, e cila ndoqi të vegjëlit e u rehatua edhe ajo në qoshen e tavolinës ballore. Dhe së fundi në mes të duartrokitjeve hyri në sallë çifti i porsamartuar, për të cilin ishin mbledhur të gjithë. Njerëzit mbajtën frymën për të parë nusen, për të cilën qe folur aq shumë e nuk ishte mësuar asgjë. Ajo u shfaq me një shtat të lartë, por mjaft të hollë. Kishte veshur një fustan të bardhë mëndafshi deri në fund të këmbëve. Mbi flokët bionde lëshuar deri poshtë mbi vithe, mbante një kurorë “mbretërore”. Dukja e saj bëri efektin që pritej. Njerëzit zgjatnin kokat për ta parë më mirë. Ajo ngriti pakëz fustanin e bardhë nusëror, duke lënë t’i duken një palë këpucë ngjyrë argjendi me taka shumë të larta si gjilpërë. Parashikoheshin këmbë të bardha e të holla si krahët e saj të bardhë e delikatë. Në duar mbante trëndafilë të kuq. Denisi kishte veshur një kostum të zi me një jelek të bardhë mëndafshi nën të. I përshëndeti miqtë me atë buzëqeshjen e shpërveshur, që tashmë kishte mbërritur kufirin maksimal. Dukej i lumtur.Drejtuesi i darkës ceremoniale lajmëroi që vallëzimi i parë i takonte çiftit.Denisi e përfshiu për beli Enin dhe e rrotulloi në sallë. Ajo mjaft shkathësisht mënjanoi shkeljen mbi fustanin e bardhë.Pas vallëzimit të çiftit, vëllai i Denisit, Stivi, u afrua tek tavolina në ballë të sallës.

- Sidoqë mua ende s’më besohet, ky është fakt, fakt i prekshëm.. Denisi po martohet sonte. Paç jetë të lumtur me Enin! Eni, mire se vjen në familjen tonë!Të gjithë duartrokitën dhe iu kthyen pjatave. Muzika që vazhdonte prapa kurrizeve mbajti në këmbë shumë çifte. Ata ktheheshin tek tavolinat sa për të pirë një gllënjkë shampanjë. Pjatat mbeteshin pothuaj paprekur dhe çuditërisht kamerierët sikur të ishin porositur i rrëmbenin ato nga tavolina pa pyetur shumë.

Eni s’la asnjë radhë pa vallëzuar. Të ftuarit kishin filluar të diskutonin për moshën e saj. Sa ishte? 60, 65 ? Ishte gjyshe, kjo u kuptua , por ç’farë sfide po u bënte të tërëve me atë vallzim të pandërprerë! Më e çuditshmja  qe, se askush s’ishte në gjendje të përshkruante fytyrën e saj. Me shumë edukatë njerëzit hidhnin nga një ide. Por s’dinin të thonin nëse ishte e bukur, e rrënuar, apo e shëmtuar e padukshme. Fytyra ishte e mbuluar me një tualet të rëndë. Gjithçka që shihej ishte një fytyrë e hajthme, borë e bardhë me dy gropa sysh të zinj me qerpikë tepër të gjatë dhe një hundë të mprehtë. Gjatë një pushimi të shkurtër folësi i mbrëmjes tha:

-Të nderuar, Eni që patë deri tani ”nuk është Eni”. Fustani i bardhë i nuses, tashmë është zhdukur. Eni e vërtetë është kjo:Dera u hap me vrull dhe miqtë panë përsëri çiftin: Denisi ishte po ai, por më i budallallepsur pas dy orë vallëzimi, ndërsa Eni.. Ah, Eni! Eni dukej sikur papritur e kishte prerë fustanin e gjatë nusëror e shnëdrruar atë në minifund duke zbuluar kështu në mënyrën më spektakolare kofshët e saj. Nuk duhej të qe më shumë se dyzet kile grua, që përsillej mbi një palë këpucë argjendi me taka tepër të larta. Kurora  e princeshës ndriste ende mbi flokët e saj onde-onde. Ra në sy që Eni e prekte me gishtërinj herë pas here kurorën sikur të sigurohej që ishte ende aty.

-Ajo kurorë me gjemba brenda me siguri duhet t’i mbajë paruken bionde, tha një zonjë në mënyrën më të pamëshirshme, duke u siguruar që e dëgjuan të gjithë sa ishin rreth asaj tavoline të rrumbullakët. Askush nuk dyshonte më, se flokët bionde të lëshuara deri mbi vithe nuk ishin të sajat, por atë çast e gjithë vemëndja e të ftuarëve dukej  se qe përqëndruar tek këmbët e Enit. Ishin këmbë të bukura  dhe elegante që dilnin nga minifundi i ngushtë si tub.Thonë se këmbët e gruas nuk plaken kurrë. Eni sikur desh të provonte pikërisht këtë. Një xhentëlmen tek të 70- tat, i gjatë dhe i pashëm, iu afua e i zgjati dorën. Ajo iu përgjigj propozimit të dancimit gjithë hir. Për dy minuta të ftuarit shijuan fragmentin më të bukur të atij spektakli. U harrua që Eni ishte gjyshe, deri në momentin tjetër që ajo i zgjati duart nipçes së saj, suxhukut të vogël me kostum të zi, që  kërkoi të vallëzonte me të.Gotat e shampanjës qenë boshatisur krejt. Denisi qe dehur. Ecte si i dalldisur rreth sallës e kërcente me këdo .Se fundi, kur erdhi momenti kulminant i prerjes së tortës martesore në tavolinën qëndrore, Eni dukej esëll. Denisi nuk ishte në gjendje të gjente gojën e nuses, tek i afronte një copë tortë me një pirun të madh.

-Lermë të të ushqej unë, -tha Eni, duke shkaktuar të qeshura.Në mesnatë të ftuarit lanë sallën dhe u drejtuan tek makinat e tyre. Të nesërmen gdhihej e hënë dhe ata ishin për punë.Rrugës për në shtëpi, kur Ana po dremiste e mbështetur në sedilien e makinës, ra zilja e telefonit. I shoqi  lëshoi një thirrje habie. Ajo hapi sytë.

-Çfarë?

-Dikush ka parë Denisin në makinë pa Enin, duke shkuar në shtëpinë e tij nëLong Island. Thonë që Eni ka marrë rrugën për Bruklin, aty ku banon.

-Ç’do të thotë kjo?

- Thuhet se çifti ka vendosur të jetojë sëbashku vetëm në fundjave.

- Po ata sapo u martuan. Nuk do të flenë bashkë sonte?

-Ka  kaluar ora 12 pas mesnate. Ka filluar e hëna…
(Nga libri me tregime “Magjia e Zerit, botuar 2008)
http://albanalifschin.tripod.com/index.html

Shkrime të ngjashme:

  1. Si e njoha unë Ali Podrimjen. Nga ALBANA MELYSHI LIFSCHIN
  2. Kush i vodhi këpucët e shqiptarëve? Tregim Albana M. LIFSCHIN
  3. Halla Veronikë merret me ‘pulitikë’ në Amerikë-tregim humoristik.Tregim nga Albana M Lifschin
  4. Dashuria e Gruas.Poezi nga Albana Lifchin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>