John Gerald Christopher RYAN*:
PUGVOSHI DHE THESARI I FSHEHUR
Ajo ishte një natë e errët dhe me shtrëngatë. Fryu një erë e madhe e me stuhi dhe anija BLACK PIG-u hidhej lart e poshtë nga dallgët e larta sa një mal që thyheshin nëpër Detin Karabien…
Piratët ishin të gjithë poshtë, duke u ngjitur për shtratet e varura apo si u thonë ndryshe holetë e tyre e duke e ndier tmerrësisht se i kishte zënë deti e, pra, kjo ishte sëmundja e detit. Kjo u kishte ndodhur të gjithëve pos dy vetëve…
Tomi djali i kabinës ishte lart në kuvertë të anijes, duke luftuar ta mbante anijen në erë. Dhe, mjaft në mënyrë të çuditshme, Kapiten Pugvoshi ishte lart poashtu… duke e studiuar me vëmendje një hartë të një ishulli me thesar. E dinte se mund të ishin pranë ishullit dhe anipse ishte i lemeritur nga shtrëngata, Pugvoshi qe së tepërmi lakmitar ta humbte shansin e të rrezikonte humbjen e thesarit. Me etje e padurim u hodhi një vështrim dallgëve kur papandehur një rribë e erës i rrëmbeu hartën nga dora dhe pasi ai unispas saj një valë e madhe e rrëmbeu atë dhe e fshiu larg nga vendi ku ishin këmbët e tij, duke e hedhur atë poshtë në valët e tërbuara buzë anijes.
I shkreti Kapiten Pugvoshi! E urrente ujin se ishte një notues shumë i pazoti. Dhe e dinte se në një shtrëngatë sikur kjo madje as Tomi s’do të ishte në gjendje ta kthente anijen prapa që ta shpëtonte.
Anija BLACK PIG-u ishte zhdukur tashmë në errësirë dhe Pugvoshi e ndjeu se ora e tij e fundit vërtet kishte ardhur. Pastaj krejt papritur…dora e tij preku diçka të fortë. TOKA! Kjo nuk ishte tokë e terur, por ishte më në fund e qëndrueshme dhe e fortë. Nëpër errësirë Kapiteni mundi të shohë vetëm ravijëzimin e një ishulli shkëmbor e të vocërr…Me dëshpërim zvarriti trupin e tij lart nëpër te, dhe një çast më vonë, ai ra të flinte gjumë.
Kur Kapiteni u zgjua ishte ag. Shtrëngata e tmerrshme kishte kaluar dhe deti ishte i qetë. Ai ishte ulur, krejt i vetmuar në ishullin e tij të vocërr. Vallë, ISHTE i vetmuar?
Nga afër, në fakt në anën tjetër të shkëmbit, ai e dëgjoi një gërhitje… pastaj një SHKROFËTITJE të zëshme. E njohu fare mirë atë shkrofëtitje. Shikoi rreth e qark dhe, po… për tmerrin dhe frikën e tij atje ishte ulur armiku i tij më i keq dhe më i tmerrshëm, më i ligu dhe më i egri pirat në të shtatë detet, Xhejk Gurmaz – Therësi! Pastaj Pugvoshi pati befasinë tjetër… Xhejk Gurmaz – Therësi rrinte buzëqeshur!
Kapiteni në e parë natyrisht ishte patjetër i lemeritur por mjaft në mënyrë të çuditshme, shih, shih, Xhejk Gurmaz – Therësi dukej miqësor. Ai i tha Pugvoshit se edhe ai kishte qenë i përlarë e i hedhur tutje nga shtrëngata dhe ishte gjendur në ishull.
Dy piratët shumë shpejt po llafosnin sikur të kishin qenë miq të moçëm.
Pugvoshi madje e ndau copën e fundit të çokollatës të bërë me ujë deti me armikun e tij të vjetër.
Të paktën ai shtirej e hiqej se ajo kishte qenë copa e tij e fundit e çokollatës dhe Xhejk Gurmaz – Therësi bëhej se po e besonte atë!
Ahere, tutje, larg në horizont, ata e panë një anije. Të dy piratët u bënë shumë të ndezur. “Tash që u bëmë dy shokë a nuk e kemi një grimcë fati, djalli ta marrë!” tha Xhejku. “Kur jemi dy veta do të jetë lehtë të tërheqim vëmendjet e tyre! Merre e hiqe setrën, i bukuri im!”
Xhejku qëndroi në shkëmb dhe Pugvoshi hipi mbi supet e tij dhe e valëviti setrën e tij egërsisht.
Anija dukej se vinte afër e më afër…e më afër, anipse në driten e hershme te mëngjesit ishte vështirë ta thoje këtë me siguri.
Kapiten Pugvoshit kishin filluar t’i merreshin mendtë kështu që në fund të dy piratët qëndruan dora dore në ishullin e tyre të vogël dhe këlthiten për krejt atë që ia vlente të bërtisnin.
Anija përsaora ishte aq afër sa Xhejk Gurmaz – Therësi sokëlliu me kënaqësi dhe dha një kakarisje e qeshje të mbytur gjak-etur. “Paj,” hungëroi ai, “a s’është ajo anija ime FLYIN’ DUSTMAN dhe shokët e mi të anijes që kanë ardhur të më shpëtojnë. Ho, ho!”
“Edhe mua apo jo?” pyeti Pugvoshi me nervozë.
“The edhe mua?” klithi Xhejku. “Besove se krejt ato gjepura për “të shkuarat të harruara,” i bëra për ty? Kjo ishte vetëm për atë qe të të bëja ty që të më ndihmoje t’i bënim ata të anijes të na vërenin e ndihmonin. Jo, or mik. Jam UNË ai që do të shpëtoj dhe TI që do të ngelësh në ketë ishull të pa banuar, aharrh!”
Në këtë kohë piratët e Xhejkut kishin arritur në barkën e tyre të gjatë. Dhe një çast më vonë Xhejk Gurmaz – Therësi ishte ndihmuar të hipte në anije.
“P-p-por ju nuk bën TË MË LINI mua këtu!” qajti Pugvoshi.
“Kjo është pse unë mundem dhe pse unë DUA, ti horr e rrugaç i moçëm,” e përsëriti Xhejku.
Dhe ai iku tutje. Shpejt FLYIN’ DUSTMAN ishte larguar e kishte vajtur larg, larg.
“Kthehuni! KTHEHUNI!” klithi Kapiten Pugvoshi. Porse Xhejku dhe njerëzit e tjerë në anije qeshën me te. Dhe shumë shpejt Kapiteni as që i dëgjoi më.
Derisa dielli i mesditës së ngrohtë u ngrit disa hosten mbi kokat e tyre dhe anija e Xhejkut u zhduk buzë horizontit lindor, Kapiten Pugvoshi i shkretë i humbi të gjitha shpresat.
Në fakt, ai ishte aq shpresëhumbur dhe zemërvrarë sa nuk e kishte vënë re se buzë horizontit kishte ardhur papandehur një anije TJETËR.
Kjo ishte anija e kapitenit, anija BLACK PIG-u!
Piratët me padurim nxituan drejt bregut.
Pa humbur kohë, Tomi, djaloshi i kabinës ishte në rrugën e tij drejt ishullit të vocërr në barkë gome (motoskaf). “Të lumtë, Tom djaloshi!” derdhi lot Pugvoshi. “Unë duhej ta dija se askush nga ju nuk do të pushonte e qetësohej derisa te mos e gjenit Kapitenin tuaj trim.”
“Mirë, ta themi të vërtetën,” tha Tomi, “se nuk ishe TI për të cilin ne po shikonim. E gjetëm hartën tënde pas shtrëngatës; ajo kishte mbetur në paisjet e anijes.Me anën e hartës e gjetëm ishullin. Dhe sa për thesarin, Kap’ten, paj… TI KISHE QENË I ULUR NË TË!”
Dhe me një siguri të mjaftueshme ata gjetën nën shkëmbinj e rërë një arkë të lashtë e të vjetruar e cila ishte plotësisht e MBUSHUR me thesar!
Atë natë ata të gjithë e patën një gosti të hareshme në kuvertën e anijes BLACK PIG. Ndërsa piratët loznin me plaçkën e cila shkëlqente dhe e numëronin të tërën, Kapiten Pugvoshi u rrëfente atyre versionin e TIJ të rrëfimit: se si ai e kishte zbuluar me mençuri ishullin e tij në shtrëngatë, si ishte kredhur në detin e tërbuar, si kishte notuar në breg dhe e kishte marrë pasurinë e ishullit, duke e mbrojtur atë nga
Xhejk Gurmaz – Therësi (Vrasësi) dhe në fund si e kishte përzënë e larguar Xhejkun dhe njerëzit e
tij krejtësisht të poshtër e maskarenj!
“Unë vetëm s’mund ta di ÇKA do të bënit ju pa mua,” vuri në dukje Kapiten Pugvoshi më vonë derisa Tomi e përgatiste larjen e tij.
“Hëm, ndiej se bëmë mjaft mirë sipas mendimit tonë,” mendoi Tomi, “por edhe kështu, është mirë ta kemi Kapitenin tonë prapa përsëri!”
_____________.
* John Gerald Christopher Ryan, karikaturist, animator, ilustrator dhe autor: Lindi nëEdinburgmë 4 mars 1921, u martua me 1950 me Prishilës Blomfield (pati një djalë, dy vajza); vdiq nëRye,Sussexmë 22 korrik 2009.
RRËFIMI PËR FERDINANDIN
Shkruar nga Munro LEAF
Një herë e një kohë në Spanjë na ishte një dem i vogël dhe emri i tij ishte Ferdinand. Të gjithë demat e tjerë të vegjël me të cilët jetonte, vraponin e kërcenin dhe viheshin kokë më kokë së bashku, por jo edhe Ferdinandi.
Ai pëlqente të ulej krejt i qetë dhe t’u merrte erë luleve.
Ai e kishte një vend të parapëlqyer në kullotë nën një dru tape.
Ky ishte druri i parapëlqyer i tij dhe ai do të ulej nën hijen e drurit tërë ditën e lume dhe do t’u merrte erë luleve.
Nganjëherë nëna e tij, që ishte një lopë, do të merakosej për të. Ajo frikësohej se ai do të bëhej i tëhuajsuar dhe krejtësisht vetmitar. “Përse nuk hidhesh në vrap e të lozësh me demat e tjerë të vegjël dhe të kërcesh e të vihesh kokë më kokë me ta?” do t’i thoshte ajo.
Por Ferdinandi vetëm do ta tundte kokën e tij, “Unë pëlqej të rri këtu se më duket më mirë.
Dhe mund të ulem tamam i qetë e t’u marr erë luleve.”
Nëna e tij e pa se ai nuk ndjehej i vetmuar, dhe pasi ajo ishte një nënë e kuptueshme, anipse ishte një lopë, ajo e lejoi atë të ulej pikërisht atje e të ishte i lumtur.
Pasi vitet kalonin, Ferdinandi rritej e rritej, derisa u bë një ka i madh dhe i fuqishëm. Të gjithë demat e tjerë, të cilët ishin rritur me të në të njëjtën kullotë, tërë ditën e lume do të luftonin me njëri-tjetrin. Ata viheshin kokë më kokë dhe e qëllonin njëri-tjetrin me brirët e tyre. Ajo çka ata dëshironin më së tepërmi ishte të merreshin për të luftuar në luftën e demave nëMadrid.
Por këtë nuk e dëshironte edhe Ferdinandi – ai ende pëlqente të ulej krejt i qetë nën drurin e tapes dhe t’u mirrte erë luleve.
Një ditë erdhën pesë njerëz me kapela të çuditshme ta zinin demin më të madh, më të shpejt, më të ashpër, të bënte luftë në luftën e demave nëMadrid.
Kështu ata e morën atë me vete në një qerre për ditën e luftës së demave. Se ç’ditë ishte ajo! Flamujt valëviteshin, bandat muzikore loznin… dhe të gjitha zonjat e dashura kishin lule në flokët e tyre.
Ata kishin edhe paradë në arenën e demave.
Së pari erdhi Banderillerosi me shtiza të gjata të mprehta e shirita në to t’i ngulte në demin që ta bënte atë të çmendej.
Pastaj erdhi Matadori, më krenar nga gjithë të tjerët, – ai mendonte se ishte shumë i pashëm, dhe u përkul para zonjave. Kishte një kapelë të kuqe dhe një pallë (shpatë) dhe merrej me mend se do ta godiste demin më i fundit.
Pastaj erdhi demi, dhe ju e dini se kush ishte ai, apo jo?
- FERDINANDI.
Ata e quanin atë Ferdinand Kërcimtari dhe të gjithë Banderillosët ishin të frikësuar prej tij dhe Pikadorët frikësoheshin prej tij dhe Matadori ishte i ngrirë nga frika prej tij.
Ferdinandi vrapoi te qendra e arenës dhe secili bërtiti e duartrokiti pasi menduan se ai do të luftonte egër dhe do të godiste, dhe do të hidhej, dhe do të rrinte në pritje me brirët e tij të mprehtë.
Por jo, Ferdinandi nuk bëri ashtu. Kur ai erdhi te mesi i arenës, pa lulet në flokët e të gjitha zonjave dhe ai u ul i qetë dhe e nuhati aromën e tyre.
Ai as luftoi, as u hodh, pa marrë parasysh çfarë bënin ata. Ai vetëm u ul dhe u mori erë luleve. Dhe Banderillos-ët u marrosën dhe Pikadorët ishin edhe më të marrosur dhe Matadori ishte aq i marrosur sa ai qajti, pasi nuk do të kapardisej e ekspozohej me kapelën e shpatën e tij.
Kështu ata kishin për ta marrë e dërguar Ferdinandin në shtëpi.
Dhe, me sa di unë, ai ende rri ulur atje, nën drurin e parapëlqyer, duke u marrë erë luleve ashtu fare, fare i qetë.
Nga anglishtja: Zymber Elshani
Shkrime të ngjashme: