Levizja e Dhjetorit 22 vjet më vonë.Nga Mujë Bucpapaj

Filed under: Gossip |

 

 

Levizja e Dhjetorit 22 vjet më vonë

 

 

Nga Mujë  Bucpapaj

 

 

 

Nëse ndalemi për të parë thellë në histori, 8 dhjetori qëndron i ndritshëm mes asaj vetmije të errët që kishte rënë si zi mbi shoqërinë shqiptare, të fundit të vitit 1990. Por a ka mundur ta ruajë atë shkëlqim edhe sot pas 21 vjetësh ajo datë e rëndësishme e kalendarit tonë, e cila ndryshoi  rrënjësisht Shqipërinë? Përgjigja e parë është Po. Tani pas 22 vjetësh  Shqipëria ka ndryshuar, është bërë anëtare e NATO-s dhe ka plotësuar kriteret për të qënë një  vend kandidat për në BE. Shqipëria është një vend i lirë, me standarta të larta të lirisë së shprehjes, tregut dhe sipermarrjes. Shqiptarët prej  krishtlindjeve  të viti të kaluar  levizin lirisht në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, duke përmbushur kështu një nga idetë shndërruese të 8 dhjetorit 1990, « Shqipëria si Europa. »

Tetë dhjetori  ka edhe humbje të pakontestueshme. Atij i mungojnë dhjetra veprimtarë të kësaj date të posaçme të historisë së re të Shqipërisë nga Arben Broci tek Avdyl Matoshi, Naim Dizdari, Lekë Çokaj, Gjin Kolbucaj, Rasim Lumeshi, Ilir Gosturani, Sylë Lushaj. Heroi i kësaj lëvizje, Azem Hajdari, u vra nga regjimi neokomunist me 12 shtator 1998 dhe trupi i tij prehet në varreza diku në periferi të kryeqytetit.

Gjeneza revolucionare e datës 8-të, qëndron pikërisht tek vrulli spontan i ideve që çuan brenda një jave në rrëzimin e një regjimi hafijesh dhe burgjesh politike, thua se nuk kishte ekzistuar kurrë. Demokracia  e dhjetorit ka patur heronjtë e vet, por edhe të futurit në lëvizje, edhe hafijet e tjera të saj.

Dhjetori ka patur qysh në fillim dy rrjedha; njërën pozitive, të përfaqësuar nga mijëra studentë të drejtuar nga Hajdari dhe Berisha dhe tjetrën negative, të përfaqësuar prej të futurve të sigurimit dhe Alisë.

Dhjetori u përgjak  qysh në orët e para të levizjes, por edhe në vazhdim.

Shumë ish-studentëve të Dhjetorit u vranë, u plagosen dhe  torturuan në vitet 1990-1992, si dhe gjatë tetë  viteve të  rikthimit të ish-komunistëve në pushtet(1997-2005), si Flamur Bucpapaj, Ismet Pali, Ilir Seci, Bashkim Shkurti, Arben Lika, Pal Serreqi, Myftar Gjana, Nazmi Peka, Spiro Curra, Bardhyl Ukcama, Akli Fundo, etj. Por kjo çështje kërkon një tjetër shqyrtim. Ish-komunistët kanë neveri për 8 dhjetorin.Në fakt socialistëve u mungon 8 dhjetori, prandaj edhe e shikojnë atë si një datë ters të historisë. Duke qenë se ajo ka lidhje direkte me PD dhe njerëzit a saj kjo nuk u lejon atyre as edhe një zanafille demokratike, por as traditë, as shkak për të thënë se edhe ne po reformohemi. Për këtë arsye socialistët sot nuk paraqiten as si revolucionarë dhe as si reformatorë. Ata thjeshtë janë transformuar në bojkotues të demokracisë institucionale. Me mohimin e parlamentit të dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 po deshmojnë se kanë mbetur ashtu siç  kanë qënë  stalinistë.Por cfarë ka ndodhur në dhjetor 1990. Le të shohim shënimet ditë pas dite.

 

 

 

 

 

 

Data 8

 

Tetë  dhjetori është bibël e përshpejtimit të shqiptarëve drejt përparimit. Nëse ajo datë qëndron e ftohtë dhe e largët pas 21 vjetësh, ashtu ai edhe heroi i saj i mbuluar me dhe të lagësht nga shirat diku në periferi të Tiranës, ky nuk është faji i saj. Ajo prapë qëndron e pacënueshme së bashku me thirrjet dhe brohoritjet për liri, madje gati paprekshme së bashku me idetë që do të lindnin prej saj. Unë më poshtë do të jap një kalendar të ngjarjeve nga teta deri më dymbëdhjetë dhjetor për të parë sipas shënimeve të mia, por edhe të personazheve të kësaj lëvizje se ku del e qartë historia dhe ku ajo humbet. Rreth orës 20.00-21.00 të kësaj date kur studentë konviktorë të Inxhinierisë Mekanike, Elektrike dhe të Gjeologjisë, kanë lënë godinat e tyre dhe i janë afruar sheshit përpara drejtorisë së “Qytetit Studenti”, për ta ka qenë e frikshme. Por kur 100-150 studentë të këtyre degëve, të lodhur nga një diskriminim ekonomik, kanë kërkuar ashtu në gjysëm errësirë fajtorin e vuajtjeve të tyre, për të dalë  pak më vonë tek sistemi i gjërave të mbrapshta të regjimit, historia ka lëvizur përpara. Ata kanë filluar të këndojnë këngën e njohur “se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”, si dhe kanë hedhur disa parrulla ekonomike etj. Kur studentët janë shtuar në rreth 400 vetë, kanë marrë rrugën drejt sheshit të mensave të reja që më vonë do të quhej sheshi “Demokracia”. Aty janë ndalur dhe kanë vështruar njeri-tjetrin. Turmat, sado entuziaste dhe kërcenuese që ta ndejnë veten, prapë e kanë një si lloj frike në momentet e para, deri sa të fillojë loja, pastaj asgjë nuk llogaritet. Ata, duke e ndjerë se e keqja mund t’u vinte nga dikush dhe nga brenda vetes, kanë lëshuar një nga thirrjet më të zakonshme për një revolucion, për një kryengritje, “Poshtë spiunët!”, “Qyteti Studenti”, i cili kishte ditë që shkëmbente letra dhe peticione me Kryeministrin Adil Çarçani për shkak të pakënaqësive rreth trajtimit të tyre dhe kushte mizerje të banimit, ishte vënë nën mbikëqyrje të rreptë. Sapo studentët dolën në qëndër të qytezës së tyre, me siguri kujdestarët, administratorët dhe spiunët vullnetarë të godinave dhanë alarmin lart në qeveri. Ndërsa studentët kanë filluar të shtohen kanë marrë ecjen për  tek godina nr.14-të. Aty rreth orës 10.30-11.00 e natës, për herë të parë me turmën është bashkuar edhe studenti nga Tropoja, Azem Hajdari. Në momentin kur ky student i vitit të tretë  të filozofisë ka hipur mbi një bordurë apo mbi një vazo betoni për t’u folur shokëve të vet, lëvizja ka marrë një karakter të organizuar. Ajo ajo tashmë do të ishte një kokë dhe ky do të ishte studenti energjik Azem Hajdari. Historia tashmë kishte ndryshuar. Shprehjet e Azem se “do të vdes me ju” apo se “se unë, babai i dy fëmijëve do të jem me ju tërë jetën”.Apose ”Le të mbeten fëmijët e mi jetimë, por ju nuk ju tradhëtoj”, kanë qënë të mjaftueshme për të fituar besimin e studentëve të revoltuar. Ai qysh në këtë moment do të demostronte dhuntitë e një udhëheqësi dhe organizatori të madh. Azemi nuk do ta linte që të shuhej në asnjë çast dhe në asnjë rrethanë protesta. Drtitat, uji, ushqimi, dhe kushtet ekonomike në tërësi i kishin nxjerrë në rrugë këta njerëz, ndërsa Azem Hajdari do t’i drejtonte ata drejt shembjes së sistemit. Rreth orës 11.00 të natës, grumbulli i studentëve është ndalur përpara godinave numër 11 dhe 12 të vajzave. Në këto çaste shumë vajza kanë zbritur për t’u bashkuar me shokët e tyre. Kujdestaret e rrepta janë kujdesur që t’i ndalojnë ato, por nuk kanë mundur. Në fillim Alma Bendo dhe pas saj edhe shumë të tjera kanë rënë poshtë të varura për çarçafësh. Tani protestuesit janë ndjerë më mirë. Kur grumbulli i studentëve do të arrinte në rreth 1500 vetë, dikush në gjysëmerrësirë, duke marrë zemër edhe nga vrulli i studentëve, ka hedhur një ide të guximshme. “Të shkojnë dhe të demostrojmë në Sheshin “Skënderbej”, ka thirrur ai. Siç ndodh në të tilla raste, disa e kanë kundërshtuar duke thënë se është më mirë që të demostrojnë në “Qytetin Studenti”, por kanë fituar më këmbëngulësit, ata që do të udhëhiqnin studentët drejt Sheshit “Skënderbej”. Kishte kaluar ora 11.00 e natës kur grumbulli i studentëve me në krye Azem Hajdarin është nisur në drejtim të qëndrës së Tiranës, duke përshkruar rrugën “Budi”.

 

Ndeshja e parë me sistemin

 

Në hyrje të “Qytetit Studenti” kishin dalë një rreth policësh. Ata i ndalën studentët, duke u bërë thirrje që të ktheheshin në dhomat e tyre. Këtu është përcaktuar edhe fati i Revolucionit të Dhjetorit. Nëse studentët do të thyheshin nga kjo togë policësh dhe civilët e sigurimit, gjithçka do të kthehej drejt errësirës së sistemit.Ponuk ndodhi kështu. Ata kanë zgjedhur të shkojnë përpara. Ata kanë zgjedhur mes dy alternativave njërën, atë më të vështirën më heroiken. Në një regjim diktatorial siç ishte ai i Shqipërisë staliniste, në ato çaste studentët mund të kenë zgjedhur vdekjen, torturën, burgun, ose kampin e përqëndrimit. Ata nuk kanë patur shumë kohë për t’u menduar rreth këtyre gjërave dhe kjo duhet parë si një avantazh për vendimin e tyre. Studentët kanë kryer një veprim të vullnetshëm dhe kanë shkuar përpara. Ata kanë zgjedhur, siçdelmë vonë, lirinë dhe kjo ka qënë vlera e parë dhe përfundimi i parë i Lëvizjes së Dhjetorit. Projekti i një sistemit të ri, dukej se po lindte dalngadalë. Studentët nuk janë thyer. Ata kanë kërkuar që dikush nga qeveria të vijë dhe të bisedojë me ta. Rreth orës 11.30 ka ardhur vetë Skënder Gjinushi, ministër i Arsimit. Zbritja nga makina dhe thirrja e tij se “çfarë kërkoni?”, apo “të kujt fakulteti jeni?”, “Pse jeni mbledhur?”, etj., kanë tërhequr vëmendjen e studentëve. Disa e kanë njohur menjëherë, pasi e kishin patur pedagog. Ata kanë menduar në ato çaste se anën e kujt do të mbante minstri i tyre, atë të policëve që u kishin zënë rrugën apo të tyre për të ecur përpara. Pra, Gjinushi kishte mbërritur në pritën e organizuar kundër studentëve në afërsi të kopshtit dhe çerdhes së lagjes, gjithashtu edhe Pirro Kondi, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës. Studentët  u janë përgjigjur të dyve në mënyrën e tyre vendosur dhe pak të nervozuar se duan të ecin përpara, dhe se nuk kishin ndërmend të largoheshin si burracakë. Masa e studentëve kishte vendosur të marshonte në mënyrë të pandalshme. Ata ishin bartës të lirisë, ndërsa ajo togë policësh të mjerë, një ngatërresë e vogël, një shkak i mirë për të ndezur gjakrat dhe të provuar vendosmërinë e lëvizjes. Studentët nuk kanë pranuar të shpërndaheshin, siç u është kërkuar, por janë nisur drejt Sheshit “Skënderbej”. Gjithë skena tani zhvillohet tek çerdhja e fëmijëve në rrugën që të çon për tek Liceu Artistik, apo qëdelnëpërmjet degëzimit tjetër në rrugën e “Elbasanit” dhe pastaj drejt qendrës së Tiranës. Aty është parë një gardh tjetër policësh me skafandra, që tundin shkopinjtë e gomës në ajër. Studentët me siguri kanë patur një prirje për të ecur, por shfaqja e skafandrave dhe e ushtarëve pak më tutje,  i ka detyruar që të ndaleshin. Ta paktën të bënin një plan me njëri tjetrin. Studentët duke e parandjerë atë që u kanosej kanë thirrur se “nuk duam si në Kosovë”. Aty ka filluar të hidhej edhe ndonjë parrullë me karakter politik. Në këto kushte mendimi i studentëve ka qënë se duhej biseduar me Presidentin Ramiz Alia, me mendimin se vetëm ai mund të bënte diçka. Rreth orës 12.000 të natës, hipur mbi një makinë të lartë ka ardhur ministri i Brendshëm Hekuran Isai. Ai sapo ka zbritur ka thirrur : “Çfarë ka ndodhur?”, “Çfarë kërkoni ju studentët?”, etj. Zoti Isai ka bashkëbiseduar me studentët. Ata të gjithë ishin të prerë në kërkesat e tyre. Tashmë ata ishin aktorë të një historie të re që po lindte, pas disa ndalesave të përkohëshme që do të pasonin kështu deri më datën 12–të. Pas rreth një ore, Isai u ka komunikuar studentëve se “Ramiz Alia pret në takim një përfaqësi tuajën”. Alia kishte kërkuar një përfaqësi prej 10-15 studentësh, dhe këta të fundit  aty për aty, nuk kanë vonuar ta nxjerrin atë. Zgjedhja është bërë thuajse spontane dhe në krye të delegacionit ka qënë Azem Hajdari. Rreth orës 1.00 të mesnatës pëfaqësia e studentëve e përbërë prej 13 vetësh është nisur në një makinë  për të zhvilluar bisedimet e para me Ramiz Alinë. Takimi i studentëve me Presidentin komunist është bërë në një nga sallat e Universitetit të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike-Elektrike. Përveç Alisë në takim merrte pjesë edhe Xhelil Gjoni. Sipas dëshmitarëve Alia u ka kërkuar studentëve të deklaronin kërkesat e tyre dhe ata për herë të parë janë gjendur të papërgatitur. Ai, si një hileqar i madh, kërkonte të dinte, qëllimet e tyre, projektet e tyre. Nuk do pyetje se ata po kërkonin lirinë e tyre dhe për momentin, siç do të thoshte më vonë Azem Hajdari për të shkuar deri atje u besonin më shumë shesheve se sa disa letrave që ata i quanin thjesht burokrtike. Ndoshta një filozof ka patur të drejtë kur shkruante se “individi nuk ka nevojë të di se si do ta përdorë lirinë, ai dëshiron vetëm ta flakë tutje zgjedhën”. Megjithatë këta studentë guximtarë kishin një projekt në kokat e tyre dhe Azemi si gjithnjë i ka dalë zot kësaj pune, duke premtur se shumë shpejt do t’i shkruanin kërkesat e lëvizjes dhe do t’ia dërgonin. Ata kishin vendosur të flaknin tutje zgjedhën. Ramiz Alia u ka deklaruar studentëve se kërkesat tuaja do të plotësohen, por ka vënë si kusht “kthimin në mësim” dhe “dhënien  fund të demonstratave”. Është folur gjithashtu edhe për një takim që mund të bëhej të martën. Heqja dorë nga demonstratat ka qënë një kërkesë torturuese për Azem Hajdarin dhe për studentët, megjithatë janë larguar nga bashkëbiseduesi i tyre për të bërë planet me shokët e tyre që prisnin tek rruga “Budi”, në të dalë të “Qytetit Studenti”. Ndërsa dialogu i përfaqësisë së kryesuar nga Azemi me Ramiz Alinë është zhvilluar në pamje të parë normal, dialogu mes studentëve që prisnin delegacionin dhe sampistëve ka qënë disi ndryshe. Gjatë kohës që studentët prisnin kthimin e delegacionit nga  bashkëbisedimi, atyre u është bërë presion që të shpërndaheshin. Ata nuk kanë pranuar. “Ne nuk lëvizim pa ardhur shokët tanë”, kanë deklaruar studentët. Atyre  u është bërë presion edhe nga njerëz pa uniforma që të shpërndaheshin dhe situata po evoluonte. Tashmë forcat e policisë ishin pak metra më larg, në furgonë, kuptohet si një mjet presioni. Përfaqësia është kthyer rreth orës 1.20 të natës. Azem Hajdari u ka thënë studentëve se Ramiz Alia do t’i priste edhe një herë tjetër, por nuk ka mundur të jepte të tjera sqarime. Ndërsa Hekuran Isai po u kërkonte studentëve që të ktheheshin në konvikte, dëshmitarët kanë treguar se pa mbaruar mirë fjalën ministri, një oficer bërtet sikur gjoja i kanë vjedhur pistoletën. Ata kanë kërkuar një shkak për t’iu vërsulur studentëve, që ishin ngritur gisht kundër regjimit dhe e kanë shpikur po  në vend. Dikush ka dhënë një urdhër me radio dhe mbi studentët ka filluar masakra.

Forcat e policisë speciale i kanë rrahur studentët, përfshirë edhe vajzat, në një mënyrë barbare. Me siguri ata tashmë kanë menduar se gjërat nuk mund të ndreqeshin me një revolucion social, por vetëm me një ndërrim sistemi. Prej stuhisë së shkopinjve studentët janë shpërndarë. Një pjesë është strehuar në pallatet aty afër, një pjesë është rigrumbulluar në sheshin “Demokracia”. Aty, studentët kanë vendosur që të mblidheshim përsëri për të protestuar kundër autorëve të vërtetë që përdorën dhunën kundër studentëve. Në atë natë të zakonshme dhjetori, e cila sa vinte e po freskohej, rreth orës 2 të mëngjesit është rënë dakort që rreth orës 7.30 të gjithë përfaqësuesit e fakulteteve të mblidheshin tek menca e vogël për të përcaktuar platformën e veprimeve që do të ndërmerrnin. Studentët kanë vazhduar të qëndronin jashtë. Rreth orës tre të mëngjesit dikush që kishte mundur të siguronte Kartën e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ka filluar që ta lexojë përpara studentëve protestues, elementët e një ideologjie të re filluan të edukoheshin. Ky ishte vetëm fillimi i shpjegimit të demokracisë atë mëngjes, prej nga pritej të vazhdonin përpjekjet për legalizimin e pluralizmit politik. Ata ishin të gjithë studentë konviktorë, por ishin të gjithë heronj. Tirana nuk ka patur mundësi t’i ndihmojë atë natë të vrenjtur, për vetë spontanitetin e fillimit të protestës dhe rrethanat e saj. Ata do të vinin vetëm në ditët në vazhdim.

 

Nëntë dhjetori, një datë tjetër e historisë

 

Çfarë do të ndodhë më pas? Kjo ka qenë pyetja që ka stërmunduar studentët protestues më 9 dhjetor, të cilët kishin guxuar të sulmonin shtetin e diktaturës së proletariatit një natë më parë. Studëntët apo drejtuesit e tyre me në krye Azem Hajdarin kanë filluar të mendojnë për përplasjen e madhe. Duhet  thënë se në këtë kohë nuk ka patur bartës të autorizuar për të sulmuar rregullin tragjik të gjërave të sistemit. Ka patur vetëm spontanitet. Këta njerëz ishin antikomunistë dhe të dielën më 9 dhjetor, preokupimi kryesor i tyre ka qenë që të bëheshin shumicë. Për këtë ata duhet të dilnin në Sheshin “Skënderbej” me shpresë se do të gjenin përkrahjen e Tiranës, e cila deri tani kishte vështruar dhe heshtur. Një ngarkesë frike mbi 46-vjeçare e mbante akoma larg lëvizjes. Nga ora 8-9 e mëngjesit studentët konviktorë, por edhe të tjerë të paktë nga Tirana, si dhe pedagogë janë grumbulluar në sheshin “Demokracia”. Aty është vendosur që të marshonin drejt Tiranës. Në orën 9-të  mëngjesit ka filluar Lëvizja e Studentëve me në krye Azem Hajdari. Kjo ishte një përpjekje madhështore për të integruar Tiranën në revolucionin studentor, në mënyrë që regjimi të mos i izolonte, të mos i thyente me metodat e tij të hekurta të dhunës. Duke qenë të rrethuar dhe nën mbikëqyrjen e fortë të regjimit, studentët kësaj rradhe nuk kanë zgjedhur Rrugën “Budi”, si një rrugë ters, ku u përplasën një natë më parë me policinë. Ata kanë marrë rrugën tjetër që të çon drejt qëndrës së Tiranës në drejtim të Fakultetit Histori Filologji, pra rrugën e “Elbasanit”. Rreth orës dhjetë, në afërsi të Shkollës së Mesme Artistike, e njohur në Tiranë si “Liceu”, protestuesit kanë hasur në një gardh të trefishtë policësh, forcash speciale të ndërhyrjes së shpejtë, sigurimsash të veshur civilë dhe makinash ushtarake. Rruga ishte ndërprerë. Studentët kanë filluar të hidhnin parrullat “Nuk duam si në Kosovë”, “Hiqni policinë”, “Nuk duam dhunë”, “Jemi për paqe”, etj. Aty është hedhur për herë të parë sllogani “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ky slogan ngjante tepër sfidues në gojën e studentëve të rrethuar nga kordona policësh. Komunikimi me policinë ka qenë i prerë. Studentët kanë deklaruar se i kërkonin Ramiz Alisë të bënte publik personin që kishte urdhëruar që të përdorej dhuna një natë më parë, për ndryshe marshimi i tyre do të ndalej vetëm në sheshin “Skënderbej”. Lëvizja është si puna e historisë. Aty ku duket se gjithçka mund të marrë fund, ajo rilind. Studentët po tregonin vullnet të fortë. Njëri prej tyre u thotë shokëve për rreth se “kemi me vete edhe pedagogë”. Kur studentët kanë kthyer kokën, nga fundi i demostruesve, afër gardhit të hekurt të ambasadës Italiane (sot ndërtesa e ambasadës Amerikane), ata dallojnë pedagogun e tyre Prof.Sali Berisha.

 

Berisha, i pari nga intelektualët shqiptarë që bashkohet me protestat e studentëve.

 

 

Berisha ishte ndër të parët intelektuelë shqiptarë me reputacion mbarëkombtarë dhe europian, që u bashkohet protestave studentore. Siç shprehet studiusi i shquar Elez Biberaj tek libri i tij “Shqipëria në tranzicion”, intelektualët deri në atë kohë ishin mosdashës ndaj një ballafaqimi të hapur me regjimin, ndaj veprimtarive antiqeveritare”. Pavarësisht pse Berisha dhe Pashko ishin shfaqur si intelektualë të prirur për reforma, vetëm të rinjtë ishin të gatshëm për t’u përleshur me qeverinë, vëren ai. Në këtë kohë Berisha ishte bërë një figurë e njohur për shkak të konfrontimit me Ramiz Alinë, në një takim që ky i fundit kishte mbajtur me intelektualët në Gusht 1990. Por edhe për shkak të artikujve të tij, të cilët siç shkruan edhe Biberaj, “kishin provokuar pluralizmin politik”. Siç ka thënë vetë Azem Hajdari, në të gjallë të tij, të gjithë studentët kishin gjetur tek Berisha njeriun me vizion, mbrojtësin e palëkundur, si dhe ideatorin e madh. Berisha siç duket kishte zgjedhur përfundimisht që të dilte hapur kundër regjimit. Në fakt ai qysh në takimin e gushtit ishte dalluar prej intelektualëve të tjerë në konfrontimin me Presidentin komunist Alia, ndërkohë që Kadare dhe Pashko patën heshtur apo patën refuzuar të shkonin me tutje. Por, ndërsa gjendja në vend vinte duke u përkeqësuar, regjimi nuk po thyhej, biles as nga kolapsi i plotë ekonomik dhe as nga kushtet që i kishte vënë komuniteti ndërkombëtar pas ngjarjes të 2 Korrikut, ku rreth 5000 të rinj të Tiranës patën hyrë në ambasadat perëndimore. Ata i patën dhënë një të goditur të fortë sistemit të hekurt, por dhe tërhequr vëmendjen e Perëndimit rreth asaj që po vazhdonte të eksperimentohej në Shqipëri. Në verë të vitit 1990, Berisha pati dhënë një interevistë për gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e cila u konsiderua mjaft liberale apo e avancuar për kohën. Nëpërmjet kësaj interviste dhënë gazetarit të njohur të “Dritës”, Skënder Buçpapaj, ai pati hedhur ide të guximshme, të cilat nuk patën kaluar pa një debat të fortë në opinionin publik në tërësi dhe veçanërisht në radhët e rinisë shkollore. Autori i intervistës pati befasuar rrethet intelektuale dhe artistike të Tiranës jo vetëm për idetë e avancuara politike, por edhe për kulturën sfiduese që prezantonte ai. Berisha dha të kuptojë nëpërmjet kësaj interviste se ishte jo vetëm një njohës i mirë i tendëncës për ndryshim të shpirtit kombëtar, por edhe i kulturës dhe politikës perëndimore, i të drejtave të njeriut dhe hapjes, elemente këto për të cilat kishte nevojë shoqëria shqiptare, pas rreth 46 vjetëve diktaturë. Në Shtator 1990, Berisha kishte botuar një tjetër artikull në gazetën “Bashkimi”, ku bënte thirrje për pluralizëm politik. Ai u drejtohet intelektalëve me apelin që të mbështesnin demokratizimin e vendit. Ndërkohë që Kadare largohet nga Shqipëria duke shpallur më 25 tetor 1990  azilin e tij politik në Francë, me shpresa të thyer për një premisë pluralizmi politik në Shqipëri, Berisha vendos të luftojë deri në fund me diktaturën. Në Nëntor 1990, ai boton një tjetër artikull tek “Zëri i Popullit”, në të cilin shprehet se vendit i duhet pluralizmi politik dhe jo pluralizmi i ideve, siç kishte deklaruar Ramiz Alia. Në këtë mënyrë pedagogu dhe shkencëtari i shquar shqiptar Sali Berisha ishte bërë interpreti më i besueshëm i shqiptarëve për liri dhe demokraci. Atij i kishte munguar deri tani vetëm masa e njerëzve revolucionarë për të ndërtuar idetë e tij dhe pikërisht tani kishte gjetur. Prandaj edhe gjendej në mes të tyre. Ai ishte një nga ata që besonte se fati i historisë mund të ndryshonte në të mirë për shqiptarët. Ai ishte njeriu që i duhej këtij revolucioni të madh. Studentët, pasi panë vendosmërinë e tij pranuan atë në shtabin e drejtimit të demostratave. Biles e kishin kërkuar atë si edhe disa pedagogë të tjerë qysh më 8 dhjetor, kohë kur ai do të kthehej nga një sërbim jashtë shtetit. Disa pedagogë nuk pranuan t’u bashkangjiteshin studentëve të tyre për shumë arsye, por Sali Berisha nuk ishte nga ata që do të fshihej, kur studentët e tij i kishin shpallur luftë regjimit. Berisha do të gjente një mirëkuptim dhe mbështetje tek studentët jo vetëm për faktin se ai ishte konfirmuar si një opozitar real i regjimit, por dhe si një intelektual i shquar, i cili kishte bërë thirrje publike për ndryshime. Nga ana tjetër në shtabin kryesor të drejtimit të protestave, siç vërejnë edhe të tjerë studiues, përveç Hajdarit gjendet edhe një grup i madh studentësh nga vendlindja e tij Tropoja, si Bardhyl Ukcama, Arben Ahmeti, Bislim Ahmeti, Gjin Progni, Afrim Krasniqi, Ilir Dizdari, Leonard Basha, Izet Haxhija, Abdyl Matoshi, Arben Gabraj, Mhill Geci si dhe një numër akoma më i madh studentësh nga veriu antikomunist, si Shinasi Rama, Arben Broci, Arben Lika, Tefalin Malshyti, Myftar Gjana, Ndue Lugja, Arben Çejku, Edi Paloka, etj, të gjithë drejtues protestash në fakultetet e tyre. Në të njëjtën kohë në Universitetin e Shkodrës (atëherë Instituti i Lartë Pedagogjik) përveç studentit të Historisë, Flamur Buçpapaj që ishte vënë ashtu si Azem Hajdari në Tiranë në krye të lëvizjes studentore antikomuniste të këtij Universiteti, në këtë lëvizje ishin edhe të tjerë nga vendlindja e Berishës si Ismet Pali, Nazmi Peka, Alma Sula, Ilir Seci, Isë Doci, Përparim Hyka, etj. Duke iu rikthyer përsëri lëvizjes studentore në Tiranë, ajo që vërehet tani është se Berisha qysh në kontaktet e para i nxiti studentët të vazhdonin demostratat e tyre paqësore, duke i bindur ata që të fusnin ne peticionin e ardhshëm edhe kërkesën për pluralizëm politik. Nuk do pyetje se në atë fillim studentët nuk kishin kërkesa të qarta. Ato grupoheshin në kërkesa kryesisht me karakter ekonomik dhe deri tek kërkesa për krijimin e një shoqate të pavarur të studentëve dhe intelektualëve të rinj. Qysh në këtë kohë regjimi dhe Presidenti Alia u përpoqën që të përdornin reputacionin e Berishës tek studentët (i cili po demostronte bashkë me ta), që të ndërmjetësonte (duke përdorur këtë influencë të dukshme), në mënyrë që të binte studentët që t’i jepnin fund bojkotit të mësimit. Në këtë mënyrë Alia mendonte se bashkë me pushimin e protestave do të ishte ai dhe njerëzit e tij që do t’u vinin kushtet e vazhdimit të lojës politike dhe jo studentët. Me këtë veprim ai mendonte të siguronte dy gjëra. Së pari, të kishte në anën e tij radhën e lëvizjeve, siç i interesonte atij dhe së dyti, të kontrollonte protestat e studentëve, të cilët në orët që pasojnë do të radikalizonin veprimet dhe kërkesat e tyre.

 

Rikthimi tek demostrata ose idetë mbizotëruese të lirisë

 

 

Nuk ka në botë ide më mbizotëruese se sa idea e lirisë. Studentët dhe pedagogët e tyre kishin filluar të mendonin rreth një shoqërie që akoma nuk ekzistonte. Megjithatë atyre u duhej që të shtrinin për tokë këtë mur policësh të regjimit që kishin përpara dhe të dilnin në shesh për t’u bashkuar me Tiranën. Deri tani Tirana kishte heshtur. Vetëm pak lajme ishin marrë vesh nga opinioni rreth saj çfarë kishte ndodhur një natë më parë në rrugën “Budi”, ku gjaku i studentëve ishte akoma i patharë. të nesermen me 9 dhjetor gazeta e Partisë së Punës “Zëri i Popullit” kishte publikuar vetëm një lajm të shkurtër të ATSH-së, rreth disa pakënaqësive ekonomike, të cilat  kishin çuar në protesta një grup studentësh konviktorë dhe kaq. Në këtë kohë edhe shumica e intelektualëve ishin të frikësuar, idetë e tyre akoma nuk i ishin nënshtruar shqyrtimit publik, ballafaqimit të hapur popullor, ndërkohë që regjimi përgjonte ditë e natë mbi ta. Ardhja e Sekretarit të Parë të BRPSH-së, Lisien Bashkurti për të biseduar me studentët, u ka dhënë rast atyre për të përsëritur kërkesat.Bashkurti  më vonë do të merrte tërësisht anën e studentëve  duke  u bërë pjesë e opozitës politike kundër regjimit monist.

 

Azem Hajdari, Arben Lika, Shinasi Rama, i kanë kërkuar atij që të gjendeshn përgjegjësit e dhunës mbi studentët, duke rreshtur pastaj kërkesat e tyre ekonomike. Azemi ka thënë edhe diçka tjetër që kishte të bënte me kohën dhe ndryshimin e saj, duke nënkuptuar se gjërat kanë lëvizur dhe se ai vetë kishte një organizatë më të madhe të rinjsh. Në fund ata kanë insistuar për një takim tjetër me zotin Alia. Studentët mendonin se Ramizi ishte i vetmi me të cilin mund të bisedohej në ato çaste për reforma politike në vend, koha pa kalonte dhe situata po acarohej. Studentët shpërthenin herë pas here në thirrje të forta “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Nuk e duam si në Kosovë”, etj. Këto skena nuk kishin kaluar pa tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Tiranës të cilët rastësisht ishin gjendur në anën tjetër të gardhit policor, në rrugën e Elbasanit  duke ndjekur me kureshtje nismën e këtyre studentëve rebelë. Studentët u kanë kërkuar solidaritet këtyre qytetarëve me thirrjet, “Bashkohuni me ne”, apo “Nuk duam spektatorë”. Por ata nuk u janë përgjigjur. Ajo që thirrej diktaturë e proletariatit kishte bërë të vetën. Ngritja gisht kundër regjimit, akoma konsiderohej mëkat, aq më tepër që ky grusht studentësh ishte rrethuar nga kordonët e hekurt të sampistëve, siç thirreshin ndryshe forcat speciale të repartit numër 326. Ata akoma nuk besonin tek thyerja e regjmit. Pas një farë kohe Presidenti Alia, siç kishin filluar ta thërrisnin studentët, kishte dërguar një përgjigje ku bënte të ditur se do të priste një delegacion të studentëve me kusht që ata të shpërndaheshin dhe të shkonin të nesërmen në mësim. Alia u kishte premtuar studentëve se kërkesat e tyre do të plotesoheshin dhe se ai do të vinte vetë në “Qytetin Studenti”, apo “në shtëpinë tuaj”, siç e cilësonte ai qytezën studentore. Aty, rreth orës 12.00, meqënëse nuk po vinte asnjë përgjigje e saktë rreth kërkesave të tyre, studentët kanë filluar të humbin durimin. Ata po provokoheshin hapur edhe nga njerëzit e sigurimit të shtetit. Disa studentë të irrituar kanë bërë tentativën e parë për të çarë gardhin e policëve që kishin përpara. Ky ka qenë edhe momenti i përplasjes së vërtetë. Rreth orës 12.30 nëpërmjet një radioje, është dëgjuar urdhëri i prerë “Qëlloni!”. Dhe ashtu ka ndodhur. Të parët kanë qëlluar civilët e sigurimit me shkopinj gome, pastaj policët me uniformë dhe në fund forcat speciale të 326-ës. Ka filluar një masakër e vërtetë. Në atë moment janë parë vetëm trupa që binin për tokë, shkopinj që tundeshin në ajër dhe sharje që lëshonin policët. Gjithçka ka ndodhur në pak minuta. Pas kësaj dhune të paparë turma e studentëve është shpërndarë. Shumica prej tyre ka marrë me vrap fushën në drejtim të ambasadës Italiane(sot ambasada amerikane), si e vemtja hapësirë nga mund të ikje. Nëpër atë fushë të përbaltur deri tek pallatet e banorëve të Tiranës, shumë djem dhe vajza zvariteshin të përgjakur dhe të thyer nga dhuna policore. Disa studentë kanë ndihmuar shokët e tyre ndërsa të tjerë janë përpjekur të bënin një farë rezistence ndaj forcave speciale, të cilat po i ndiqnin studentët në drejtim të Qytetit të tyre “Studenti”. Disa kanë hyrë nëpër shtëpitë më të afërta të banorëve të Tiranës, përfshirë edhe shtëpinë e pedagogut Gramoz Pashko, ndërsa të tjerët janë ndaluar brenda teritorit të “Qytetit Studenti”, për t’u rigrupuar sërishmi. Në hyrje të Qytetit sampistët kanë ndaluar ndjekjen, ndërsa studentët konviktorë kanë menduar të bëjnë një farë bilanci nga ndeshja e dytë e ashpër me regjimin. Nga të dhënat e para që mundën të konfirmonin studentët, dilte se në betejën me policinë ishin plagosur disa studentë, përfshirë edhe disa vajza. Shtatëmbëdhjetë  studentë u arrestuan, ndërsa një pjesë përfunduan në spital. Për një vajzë thuhej së ishte tepër rëndë. Biles qarkullonin zëra se studentja e plagosur rëndë edhe mund të kishte vdekur, çfarë më vonë doli se nuk ishte e vërtetë. Gjatë qëndrimit të tyre, në rajonet e policisë, studentët e ndaluar janë rrahur, keqtrajtuar dhe fyer. Theodhri Dhimitri, njëri prej studentëve të burgosur atë ditë, kohë më vonë do të tregonte se çfarë kishte hequr nga kalecët e regjimit. Në këtë përleshje, Prof.Berisha është gjendur pranë sudentëve të tij. Si një mjek që ishte, shumë prej tyre u ka dhënë menjëherë ndihmën e shpejtë, ndërsa  në orët në vazhdim ka ndërhyrë që të liroheshin studentët e plagosur. Në fakt ata janë liruar pas disa orësh. Për studentët nuk kishte më dilemë. E ardhmja e këtij vendi dhe demokrcia do të duhej arritur me çdo çmim. Nuk do pyetje, rinia shqiptare e kishte braktisur përfundimisht regjmin e urryer komunist. Ajo kishte vendosur t’u shkonte deri në fund gjërave sipas stilit të saj. Për këtë ata ishin mbledhur në godinën 15 të “Qytetit Studenti”. Në katin e katërt të kësaj godine kështjellë banoja edhe unë, si pasuniversitar, bashkë me kushëririn tim Shpëtim Buçpapaj, student i Inxhinierisë Mekanike. Aty, studentët kanë diskutuar dhe hartuar platformën e vazhdimit të mëtejshëm të protestave, por tani edhe me disa nga pedagogët e tyre. Mbledhja ndiqej me ankth nga studentët e mbetur jashtë dhe vetëm rreth mesnatës ata kanë mundur të merrnin vesh se të hënën do të bojkotohej mësimi në të gjitha fakultetet. Ky ishte kampi i opozitës së palegjitimuar akoma, ndërkohë që në zyrat e KQ të PPSH-së dhe sigurimit të shtetit po hartohej pikërisht strategjia komplekse kundër kësaj lëvizje. Ramiz Alia lejoi transmetimin e lajmit lidhur me përleshjen e studentëve në Rrugën e “Elbasanit” me policinë, por natyrisht, sipas mënyrës së shtrembëruar që ndiqte regjimi për të gjitha ato ngjarje që nuk i shkonin për shtat, duke ofenduar lëvizjen dhe organizatorët e saj. Ishte e qartë se një nga qëllimet më të mëdha që regjimi i kishte vënë vetes në atë kohë, përveç kontrollit të protestave nëpërmjet të dërguarve të tij, ishte kompromentimi i saj, si dhe figurave kryesore që e udhëhiqnin atë. Prishja e imazhit të lëvizjes dhe lënies në vetmi dhe pa përkrahje popullore të saj kanë qenë nga synimet më të dukshme të regjimit në atë kohë të tronditjeve të mëdha. Megjithatë le të shohim se çfarë do të ndodhte të nesërmen më dhjetë dhjetor.

 

E hënë 10 dhjetor. Studentët shpallin peticionin e pluralizmit.

 

Në mëngjesin e datës 10 dhjetor, Azem Hajdari dhe shtabi i tij kanë shpëtuar lëvizjen nga dështimi i plotë. Nëse ai dhe udhëheqësit e tjerë studentë kanë arritur të realizojnë bojkotimin e mësimit, kjo ka qenë një fitore e fortë. Pasi ky bojkotim i dha autoritet shtabit studentor, ndërsa  siguroi vazhdimësinë e demostratave. Tani, Tirana kishte filluar të lëviste në drejtim të studentëve. Me mijëra qytetarë të kryeqytetit do të shkonin në orët në vazhdim pranë tyre për t’u dhënë mbështetje edhe pse forcat speciale e kishin rrethuar qytezën studentore. Edhe intelektualët kanë filluar angazhimin e tyre. Tani, krahas Berishës, Pashkos, Selamit, Rrulit, Meksit, Mustafajt, Çashkut, Bronzit, Imamit, Pollos, etj, kanë filluar të vijnë edhe emra të tjerë të njohur.Pomë 10 dhjetor do të bëhej publik edhe peticioni i studentëve. Tani ata po çliroheshin nga emocionet e fillimit. Ata po kërkonin të vërtetat e medha të mohuara në mënyrë të vrazhdë nga sistemi stalinist i Tiranës. Rreth orës 9 të mëngjesit, Azem Hajdari filoi t’u lexonte në mikrofonin e protestës i vendosur në tribunën e improvizuar  tek shkallët e mencave të reja, disa nga pikat e peticionit, të cilat do të pësonin ndryshime deri në momentin e fundit. Kjo ishte një tjetër mgjarje historike, sepse në këtë peticion të studentëve shqiptarë ishte formuluar kërkesa më emergjente e shoqerisë shqiptare, pluralizmit politik. Në qoftë se intelektualët kishin dështuar në parashtrimin e kësaj kërkese në takimin me Ramiz Alinë në Gusht të vitit 1990, studentët kishin guxuar ta kërkonin atë duke patur pas shumicën e opinionit shqiptar. Ndryshimet e mëdha në Europën Lindore Komuniste që kishin shoqeruar rënien e Murit të Berlinit një vit më parë, koka e prerë e Çausheskut, si dhe shpresat që zgjoi kjo lëvizje në Lindje për integrimet e këtyre popujve me Perëndimin, kishin bërë presionet e veta në psikologjinë e shqiptarëve, të cilët e shikonin veten si gjithnjë të izoluar dhe në fund. Tani, me mijëra e mijëra studentë dhe banorë të Tiranës që kishin mbushur sheshin “Demokracia” (siç thirrej qysh tani sheshi përpara mencave), përcillnin me thirrje të forta “Liri demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, çdo frazë të lexuar nga lideri i studentëve Azem Hajdari. Askush nuk ka pse i kërkon arsyet e lejimit të pluralizmit politik në Shqipëri, veçse tek revoltat e forta të studentëve, të cilat në pak ditë u shndërruar në revolta mbarëpopullore. Është e vështirë të përshkruhet se si është përjetuar në të vërtetë ky moment në ato çaste prej atyre njerëzve që po bashkoheshin gjithnjë e më shumë në idetë e tyre të lirisë, por e rëndësishme ishte se kasta e vjetër po thyhej, ose të paktën kjo nuk do të vononte shumë. Megjithatë shpirti i kombit kishte mbetur pezull për të pritur përfundimin e betejës mes studenteëve dhe sistemit. Fakti që vazhdonte rrethimi i “Qytetit Studenti” me forcat speciale të 326-ës,  do të thoshte se vetë Alia akoma nuk kishte marrë një vendim. Ai po priste rezultatin e parë të veglave të tij brenda studentëve për ta prishur vazhdimin e protestave. Në fakt, në mengjesin e së hënës më 10 dhjetor pati studentë që provuan të shkonin në auditorë. Ata ishin ose të frikësuar, ose me lidhje të forta me sistemin. Në një nga auditoret e Fakultetit Ekonomik mes një grushti studentësh kryesisht të familjeve të mëdha komuniste dhe pedagogut të ri të anglishtes Uk Buçpapaj zhvillohej ky dialog i nxitur nga një vajzë me mbiemër nga familjet e njohura të regjimit.

-Përse keni ardhur? – pyet pedagogu.

-Kemi ardhur për mësim,- përgjigjet studentja.

-Më duket se nuk është vendi juaj këtu sot, ia kthen pedagogu.

-Pse ku e paskemi vendin,- këmbngul përsëri vajza, deri atëherë e plotfuqishme.

-Vendi juaj është tek shokët tuaj,-i përgjigjgjet pedagogu dhe mbyll regjistrin.

Ai grup i vogël pas disa minutash do të detyrohej të linte fakultetin dhe të kthehej në shtëpi, ndërsa pedagogu do të shkonte tek studentët, shumicën prej drejtuesve të tyre e kishte miq. Kështu kanë vepruar atë mëngjes me qindra pedagogë të Universitetit të Tiranës dhe të shkollave të larta të kryeqytetit. Ndërsa në periferi të “Qytetit Studenti” kishte një qëndrim edhe më të ashpër ndaj dezertorëve, siç thirreshin studentët protestues, ata që nuk donin të bojkotonin mësimin. Por edhe ata patën pengesat e tyre. Shtabi i studentëve që tani kujdesej për rendin dhe disiplinën e protestave vigjilonte në të dyja daljet kryesore të qytetit të studentëve. Njëra që kalonte nga Kinoklubi dhe tjetra nga rruga “Budi”. Kurrë nuk do të më hiqet nga mendja një pamje e tronditur e Azem Hajdarit rreth orës tetë të mëngjesit të kësaj dite, kur disa studentë filluan të shkonin në mësim duke i kthyer krahet lëvizjes. Në fakt, disa prej studentëve konviktorë, apo “të zellshmit” po i drejtoheshin auditorëve, në fillim veç e veç e pastaj me grupe të vogla. Azemi si një njeri me nuhatje të fortë, parandiente  që larg rrezikun që mund t’i kanosej atij si dhe gjithë lëvizjes, në rast se studentët nuk do të zbatonin vendimin e shtabit të marrë në darkë për ndërprerjen e mësimit. « Po nuk realizuan bojkotimin e mësimit, Ramiz Alia do të na shtypë dhe të gjithë do të përfundojmë nëpër burgje », ka thënë i dëshpëruar heroi i revolucionit i hypur mbi një gur të madh në dalje të qytezës. Sali Zela, postieri i qytetit (ai vazhdon akoma të kryejë këtë detyrë) që u gjend aty pranë me një grup studentësh ka thënë se do të bëjmë diçka. Pas pesë minutash, studenti i mekanikës, një grup  djemsh të fortë nga tropja  u ka dalë përpara dezertorëve duke lëshuar urdhërin e parë të revolucionit kundër vetë studentëve. “Asnjë student nuk do të guxojë të tradhëtojë lëvizjen tonë, përndryshe …” Ata pak studentë që gjendeshin në dilemë janë kthyer drejt qendrës së qytetit, kontigjente, të cilat prindërit do t’i merrnin në shtëpi sipas porosive që kishin dhënë komitetet e Partisë së Punës së rretheve. « Kërcënimi » ka bërë efektet e duhura. Shumë vite më vonë duke kujtuar këtë moment të Lëvizjes studentore i kam dhënë të drejtë një filozofi, i cili shkruan se vjen një moment që popullit i duhet imponuar forma e duhur e qeverisjes. Tani, jo vetëm e drejta që ishte në anën e studentëve, por edhe peshorja po anonte në anën e tyre. Studentët e revoltuar me në krye Azemin po bëheshin gati t’i jepnin një goditje të fortë sistemit të ngurtë stalinist të Tiranës. Peticioni i studentëve i lexuar në mëngjes nga Azem Hajadari, i bërë objekt diskutimi popullor po pasurohej edhe me ndërhyrjen e pedagogëve dhe intelektualëve, deri në orët e pasdites kur një grup studentësh do t’ia çonin vetë Ramiz Alisë. Disa nga kërkesat kryesore të peticionit të studentëve ishin:

-“Ne jemi përkrahës të reformave demokratike të nisura nga Presidenti Alia dhe jemi për shpejtimin e tyre. Ky është edhe qëllimi i manifestimeve tona”.

-“Kërkojmë pluralizmin politik, si shkalla më e lartë e demokracisë së sotme. Si pasojë të lejohet krijimi i organizatës së pavarur demokratike të studentëve dhe intelektualëve të rinj, statusi i të cilit të paraqitet për lëgalizimin në Ministrinë e Drejtësisë”.

-“Të botohet Karta e OSBE-së, Karta Helsinkit, 1 dhe 2, si dhe Karta e Parisit”.

-“Kërkojmë takim me Presidentin Alia”. Pas disa kërkesave me karakter ekonomik si dhe për gjetjen e fajtorëve të vërtetë që dhanë urdhër për përdorimin e dhunës mbi studentët më 8 dhe 9 dhjetor, peticioni përfundonte me një thirrje drejtuar intelektualëve, personaliteteve, të gjithë atyre që duan Shqipërinë të mbështesin kërkesat tona dhe të bashkohen me ne”, përfundonte peticioni i studentëve, i cili mbante në fund datën 10. 12. 1990.

Ngado në qytet po flitej për peticionin si një proçes me bujë të madhe. Aty pra, kërkohej haptazi për pluralizmin, të cilin deri tani regjimi e kishte kundërshtuar dhe kjo i dha një goditje morale sistemit, i cili deri atëherë paraqitej i pathyeshëm. Ky sistem tashmë kishte përfundimisht kundra rininë dhe dalngadalë gjithë popullin. Nga ora  në orë me mijëra ishin ata banorë të Tiranës që i drejtoheshin “Qytetit Studenti”. Ata ishin padyshim në vendin e duhur të gjërave dhe ky ishte një presion i madh ndaj kastës së vjetër të komunistëve në pushtet, të cilët qysh prej datës 8-të po humbisnin çdo orë sundimin absolut në vend, ideologjinë e tyre sunduese si dhe kontrolin e rreptë mbi shoqërinë e kazermës staliniste. Kasta e vjetër e mbledhur rreth tavolinave kukishhartuar për rreth 50 vjet shtypjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, deri në genocid dhe krime kundër njeriuzimit po ndiqte me gjak të ngrirë rrjedhjen e ngjarjeve në “Qytetin Studenti”. Në fakt ata nuk meritonin kurrfarë vëmendje. Ata tani përfaqësonin vetëm vonesën historike të këtij vendi, izolimin nga Perëndimi. Tani në skenë kishin dalë njerëz të rinj që prishën skemën e lojës së vjetër. Studentët dhe intelektualët. Një nga shqetësimet më të mëdha të Azem Hajdarit ato ditë ishte përfshirja e intelektualëve të Tiranës në Lëvizjen Studentore Antikomuniste. Por këto lidhje edhe të hënën kanë qënë të vështira.

 

Prapë “Qyteti Studenti”

 

 

Nëse është folur ndokund në botë më me pasion për vlerat e pluralizmit dhe të shoqërisë civile, shkallët përpara mencave të reja në “Qytetin Studenti”, qenë tribunat më fisnike të tolerancës, bësnikërisë ndaj idealeve dhe arsyes. Gjithçka e historisë 50-vjeçare aty është rishikuar, biles shqyrtuar. Azem Hajdari, i cili ishte shndëruar tani në një idhull të mijëra shqiptarëve, e drejtonte këtë leksion demokracie me një madhështi të lindur, si një hero i epikës. Ai ndihmohej nga Shenasi Rama, Tefalim Malshyti, Myftar Gjana, Arben Broci, Blendi Gonxhe, Akli Fundo, Spiro Curra, Petrit Dizdari, Arbër Ahmetaj, Arben Lika, Arben Sula, Alma Bendo, Gjin Progni, Bardhyl Ukcama, Alban Bala etj. Sot, është vështirë të kujtosh dhe të sjellësh në këtë shkrim pamjen e atij qyteti të ndezur nga shpresat. Atë lumturi, e cila vinte në kontrast me ngjyrën e errët të shiut të dhjetorit, si dhe zinë që kishte rënë në zyrat e KQ të PPSH-së. Studentët kishin parë një ëndërr profetike dhe kjo do të hynte në histori si legjenda e Dhjetorit. Edhe kur Azem Hajdari do të vritej rreth 8 vjet më vonë ose 12 Shtator 1998, legjenda e pluralizmit nuk do të vdiste kurrë. ====================

Në atë muzg me shi, mencat nr.7/1 dhe 7/2 zienin nga studentë, punëtorë, intelektualë si dhe të futur të regjimit, të cilët bënin si zakonisht punën e hafijes. Ata  përpiqeshin të inçizonin, të shënonin ndonjë emër apo copë bisede dhe atëherë kur të gjitha këto bëheshin të pamundura, ata bënin sforcimin e fundit për të mbajtur mend ndonjë gjë nga ato që thuheshin kundër regjimit si dhe autorët e tyre. Oratorët ngjiteshin sipër tavolinave, lëshonin ndonjë thirrje apo sllogan, ndërsa ata më të durueshmit edhe ndonjë fjalin të shkurtër. Azem Hajdari mbizotëronte sallën me fuqinë e zërit dhe të argumentit, ndërsa në anën tjetër me një grup studentësh ishte pëdagogu dhe aktori i njohur Arben Imami i cili i është bashkuar me pasion protestës studentore.  Thirrjet vazhdonin gjatë, ta gjitha ishin kundër sistemit dhe pro demokracisë. Pasi kishte lënë Tiranën e heshtur rreth së cilës vigjilonin ushtarë dhe kalecë të sigurimit, të hyjnë në këto menca të dukej se kishte hyrë në një tjetër botë. Ata ishin të vendosur dhe optimistë. Nga të gjithë ato që duheshin ribërë në këtë vend ata ia kishin filluar drejt ose më saktë nga forma e sistemit, pra nga ndryshimi i tij. Ajo ishte një lëvizje revolucionare, por gjithsesi edhe një lëvizje humanitare. Tani, regjimi ishte një pakicë dhe nuk do pyetje se po përmbysej nga shumica e qytetarëve të këtij vendi, nga këta studentë të kequshqyer, të varfër dhe të veshur po kaq keq. Ata kishin qenë deri tani anëtarë të një shoqërie garnizon dhe tani ishin rebeluar. Puna e tyre ishte jashtëzakonisht e vlefshme. Argumentet e Azemit ishin të drejtpërdrejta dhe bindëse. Ai shprehte vullnetin e këtij populli për ndryshim dhe vullneti i tyre ishte për liri dhe demokraci. Përtej këtij termi nuk ishte parajsa, ata e dinin mirë se atje fshihej edhe rreziku, edhe kaosi i inspiruar nga PPSH. Siç doli më vonë, në anën tjetër në KQ të PPSH-së, diktatori Alia dhe njerëzit e tij po bënin planet për të shtypur protestat me tanke. Në fund ka filluar mendimi për të dërguar atje studentët e Shkollës së Lartë të Oficerëve. Do të ishte vërtet një kënaqësi për Alinë dhe të tjerë kriminelë rreth tij, sikur syudentët ushtarakë të mos kishin kuptuar kurthin. Nuk është e lehtë për t’u kuptuar se çfarë do të kishte ndodhur sikur oficerët e ardhëshëm të kishin pranuar rolin e mercenarit të ulët dhe të kishin shtypur me gjak revoltat e moshatarëve të tyre. Por ata kanë hedhur poshtë armët. Ata nuk kanë zbatuar kushtetutën e diktatorit Hoxha, por i janë bindur kushtetutës së lirisë të protestave të “Qytetit Studenti”. Ata jo vetëm që nuk shkuan për të shtypur revoltën, por fshehurazi shumë prej tyre u veshën civilë dhe hynë në mes të studentëve. Në këtë kohë Azem Hajdari i ka lajmëruar studentët për ardhjen e përgjigjes së Ramiz Alisë. Shefi i komunistëve shqiptarë ishte dakort që të takohej me një përfaqësi të studentëve në Pallati e Sportit “Partizani” me rreth 3000 studentë të zgjedhur nga të gjitha fakultetet. Studentët vërtet ishin mjaft paqësorë, por nga ana tjetër ishin edhe tepër radikalë. Ata do të kishin një opsion tjetër për takimin dhe do ta refuzonin atë. Të gjithë studentët e grumbulluar në të dyja mencat e mëdha kërkonin që Ramiz Alia të vinte në “Qytetin Studenti”. Arben Imami kërkonte me këmbëngulje që me Alinë të takohej një përfaqësi e zgjedhur studentësh. Natën vonë, në godinën nr.15 shtabi i udhëheqjes së protestave ka hyrë në një mbledhje për të vendosur lidhur me mënyrën dhe vendin ku do te takonin Ramiz Alinë, si dhe për të vendosur për prorestat në vazhdim. Ata kanë marrë një vendim për t’u ballafaquar me diktatorin. Ata ishin bindur se e kaluara ishte e pamundur që të pengonte të ardhmen. Kishte filluar një tjetër proçes lëvizjeje, e cila do të arrinte kulmin më 22 Mars 1992, me fitoren e forcave demokratike në vend. Studentët, punëtorët, intelektualët, kishin shumë pyetje, kishin shumë dilema, të cilat vështirë që në ato momente do të mund të ndriçoheshin. Këto ishin idetë e lirisë si një përvojë e re njerëzore dhe jo si një problem, siç kishte dëshirë t’i’paraqiste regjimit. Të nesërmen, më 11 dhjetor, pritej që studentët  të takoheshin me Presidentin Alia.

 

11 dhjetori studentët fitojnë mbi diktaturën, themelohet Partia Demokratike.

 

 

Më 11 dhjetor, sheshi “Demokracia” ishte i mbushur me mijëra studentë dhe banorë të Tiranës. Policët, tanket, rrethimi policor i regjimit dhe presionet e tjera ndaj tyre u treguan të papërshtatshme, biles të paefektshme. Rreth orës 9 të mëngjesit kemi përshkruar bashkë me Azem Hajdarin rrugën nga godina 15, e cila luante rolin e qëndrës kordinuese të lëvizjes dhe më vonë të Partisë Demokratike, deri në tribunën e improvizuar përpara mencave të reja. Heroi i kësaj lëvizje e kishte shumë të vështirë të ecte përpara nga lumi i njerëzve që dëshironin ta takonin apo ta uronin.

Azemi ishte shumë i shqetësuar se si do të shkonin punët e lëvizjes, pasi ekzistonte gjithnjë frika e një kundërvënie masive nga ana e shtetit, agjentët e sigurimit të shpërndarë më shumë se kurrë ndonjëherë nëpër turmë, bënin kërcënime se mund të ndërhynin përsëri forca speciale, duke shfyrtëzuar befasinë, edhe pse atë ditë forcat e 326-ës, ishin larguar nga rrethimi i qytetit. Njëmbëdhjetë dhjetori ishte një ditë me diell dhe e ngrohtë pas një shiu dhe ere të një nate më parë. Në atë kohë kanë filluar edhe fjalimet e oratorëve të filluara qysh mbrëmjen e 8 dhjetorit. Pas Azemit dhe Imamit ka folur edhe Prof.Berisha. Ai u ka shprehur mbështetje të plotë studentëve të tij për lëvizjen antikomuniste, ndërsa ka bërë thirrje për ndryshime të thella politike në vend, siç u shpreh ai, në mënyrë që edhe kombi ynë më në fund t’u bashkangjitej kombeve të zhvilluara europiane. Në orën 18.00 të darkës ishte përcaktuar takimi i përfaqëisë së studentëve me Presidentin Ramiz Alia, siç thuhej në Pallatin e Brigadave. Ndërkohë lëvizja studentore ishte shtrirë fuqishëm edhe në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër. Nga ana tjetër në institutin e Lartë Bujqësor Kamëz në krye të lëvizjes ishin vetë studentët Osman Stafa, Bislim Ahmetaj, Rifat Muhameti, Durim Bruci, Avdyl Matoshi, Fetie Laçi, etj., bashkë me pedagogët e tyre, Vladimir Spaho, Rexhep Uka, Tefta Shahini, Astrit Delliallisi, Eduart Zaloshnja, Luan Syku, etj. Lajmet që vinin nga Universiteti i Shkodrës, atëherë Instituti i Lartë Pedagogjik ishin kontradiktore. Thuhej se studentët kishin ndërprerë mësimet dhe po protestonin me të njëjtat parrulla si në Universitetin e Tiranës. Biles atje protestat ishin shumë më të ashpra. Në krye të studentëve të Shkodrës qëndronte Flamur Bucpapaj, një i ri radikal  me një shtab po kaq radikal të përbërë nga Ismet Pali, Nazmi Peka, Alma Sula, Ilir Seci, Isë Doci, Përparim Hyka etj.

 

Në të vërtetë studentët e shkodrës  kishin afishur një listë ku ku shpallleshin të dënuarit me vdekje, duke filluar nga anëtarët e Byrosë Politike të KQ të PPSH dhe deri te sekretari i parë i PPSH së rrethit. Siç dihet në 13 dhjetor në Shkodër, pas një revolte popullore të filluar nga studentët, do të hiqej busti i diktatorit komunist Enver Hoxha. Veprim, i cili u shoqërua me arrestimin e dhjetra studentëve dhe qytetarëve antikomunist të këtij qyteti. Ndërsa studentët e Tiranës po diskutonin në “Qytetin Studenti” për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre për një bashkëbisedim me Alinë, në anën tjetër KQ i PPSH-së kishte hyrë në një mbledhje, siç njoftonte RTSH “të rëndësishme”. Ngjarjet në qytetin “Studenti” zhvillohehisn paralelisht në cdo pikë të sheshit, në cdo godinë në cdo dhomë.Rreth drekës, tek godina nr.15-të studenti i vitit të parë Arben Gabraj më tregon se Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i kishte zgjedhur delegatët e vet.Pokështu edhe Fakulteti i Gjeologji Minierave, i cili ishte përfshirë pothuajse pa përjashtim në këtë lëvizje antikomuniste, i kishte zgjedhur delegatët e vet. Sic  më tregon studenti i vitit të parë i këtij fakulteti, A.Krasniqi në këtë kohë tek godina nr.11-të dhe 12-të e vajzave, në sallën e televizorit të katit të parë, po zhvillonin  mbledhjen studentët e Inxhinierisë Elekrtike dhe Elektronike, për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Delegatët u zgjodhën me debat të fortë. Kjo atmosferë ka qenë edhe në mbledhjen që ka zgjedhur delegatët e Fakultetit Histori-Filologji. Porosia e studentëve të të gjitha fakulteteve ishte që përfaqësuesit e tyre të mos i tradhëtonin apo t’i përfaqësonin sa më denjësisht. Në pasditen e 11 dhjetorit thuajse e gjithë Tirana ishte derdhur në “Qytetin Studenti”. Ndërsa vëmendja e të gjithë shqiptarëve ishte drejtuar në këtë shesh, vëmendja e këtyre pjesmarrësve ka qenë tek godina nr.15-të, ku ishte vendosur shtabi i Lëvizjes Studentore dhe Azem Hajdari. Rreth orës 17.00 filluan përgatitjet e delegacionit të studentëve për të shkuar në ballafaqimin  fundit me presidentin komunist. Gjatë kësaj periudhe, Lëvizjes Studentore kishin filluar t’i vinin telegrame nga vendi, por edhe nga Kosova dhe diaspora jonë në SHBA dhe Europë. Postieri  i qytetit, Sali Zela bënte kujdes që ato të mos griseshin apo të fshiheshin siç ishte porosia e autoriteteve qeveritare. Edhe sot e kësaj dite më kujtohet se si ky postier sillte ato telegrame, mbështetje të fshehura poshtë xhaketës tek dhoma seli e Lëvizjes.Parase të hynte tek Azemi dhe shtabi studentor e priste Ndue Lugja, bodigardi i parë i Azem Hajdarit, por edhe personazh i kësaj lëvizje. Lëvizja Studentore po siguronte mbështetje mbarëpopullore. Propagnandës diskriminuese të regjimit ndaj lëvizjes i ishte kundërvënë “Zëri i Amerikës”, radio, e cila transmetonte me korretesë atë çfarë po ndodhte në “Qytetin Studenti”. Kjo ka qënë një mbrojtje e madhe për opozitën që po lindte, e cila tani për tani kishte në dorë vetëm sheshin “Demokracia”, por asnjë mjet propagandë që të informonte opinionin rreth qëllimeve të saj, pse ishin ngritur në revoltë dhe çfarë po kërkonin. Nëpërmjet “Zërit të Amerikës” dhe shefit të seksionit shqiptar të kësaj radioje të fuqishme dhe me mjaft ndikim në Shqipëri, Elez Biberaj, është përcjellë me profesionalizëm çdo hap i kësaj lëvizjeje antikomuniste. Në orën 18.00 të darkës, “Zëri Amerikës” dëgjohej jo vetëm me mikrofona në sheshin “Demokracia”, por edhe nëpër shkallët e pallateve, dritareve të shtëpive ku kalimtarët e rastit u luteshin të zotëve të shtëpisë që nga poshtë rrugës t’ia ngrinin zërin. Ky ishte zëri i vetëm i opozitës shqiptare të sapolindur, por njëkohësisht edhe një shkollë e demokracisë. Autobuzi me delegacionin e studentëve dhe pedagogëve më në fund është drejtuar për në Pallatin e Brigadave. Ai e kishte të vështirë të çante përpara për shkak të numrit të madh të njerëzve që e rrethonin, por edhe porosive që shumë njerëz kërkonin t’u jepnin studentëve delegatë në momentin e fundit. Ndërsa  dialogu i Alisë me studentët vazhdonte, mijëra studentë dhe qytetarë Tiranës po prisnin kthimin e tyre, natyrisht edhe rezultatin e takimit. Radio Televizioni Shtetëror në edicionin qëndror të lajmeve të orës 20.00 do të njoftonte fillimin e këtij takimi mes Alisë dhe studentëve. Orët  deri në kthim të delegacionit diku afër mesnate, kanë qenë orë pritje dhe ankthi për të gjithë ata njerëz që ndodheshin në sheshin “Demokracia”. Pas mesnate përfaqësia e studentëve është kthyer nga takimi me Presidentin Alia. Njerëzit kanë kërkuar që biseda e inçizuar të transmetohej dhe ashtu është bërë. Për gati tre orë mijëra qytetarë kanë dëgjuar me kureshtje këtë dialog, pas të cilit do të njihej legalisht edhe opozita e për në vend që do të thirrej Partia Demokratike. Pas këtij dëgjimi turma ka filluar të largohej për në shtëpi. Studentët kanë filluar të shkojnë nëpër dhoma me mendimin se ia kishin arritur qëllimit. Ata ua lanë pedagogëve të tyre me në krye Berishën dhe Pashkon, Rrulin Meksin, por edhe Eduard Selamin, që të ndërtonin të nesërmen një program minimal të Pratisë Demokratike. Nuk do pyetje se pedagogët u thanë prerë studentëve të tyre heronj se nuk kishte kuptim krijimi i një shoqate studentësh. Për ta dhe shumicën e intelektualëve që u ngjitën atë natë në “Qytetin Studenti” vendi kishte nevojë për një parti, e cila të drejtonte shoqërinë drejt ndryshimesh të tjera radikale, që do ta bashkonin atë me Europën.

 

12 dhjetor, shpallja e Partisë Demokratike.

 

 

Të nesërmen, në shtëpinë e Pashkos, i cili e kishte shndërruar ato ditë në seli të opozitës, Sali Berisha do të kundërshtonte idenë e disave se partia që do të shpallnin në pasditen e 12 dhjetorit të mos ishte në opozitë me regjimin. Për Berishën kjo nuk do të kishte kuptim, pasi nuk do të ndryshonte shumë pamjen e deritanishme të sistemit, për shkak se nuk do të prekte vetë thelbin e tij. Berisha, Azemi, Pashko, Meksi, Rruli, Selami, etj., kanë hartuar shpejt e shpejt një program minimal të PD, i cili është pritur shumë mirë nga opinioni. Rreth orës 15.00, sheshi “Demokracia” ishte mbushur si kurrë ndonjëherë. Rrethimi  i qytetit nga policia nuk kishte mundur të pengonte ardhjen e mbi 100 mijë mbështetësve të Partisë Demokratike, e cila do të shpallej publikisht atë pasdite, pas një mitingu të shkurtër. Si zakonisht tubimin e ka hapur Azem Hajdari pas  të cilit Imami ka lexuar programin minimal të PD. Në fund Sali Berisha ka përshëndetur qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, duke uruar për fitoren historike. Ai u ndal shkurtimisht rreth  disa prej pikave kyçe të programit të kësaj partie, ku binte në sy politika e hapjes ndaj Perëndimit si dhe qëndrimi ndaj Kosovës dhe çështjes tonë kombëtare në tërësi. Pas kësaj qytetarët i janë drejtuar shtëpive, ndërsa studentët konvikteve të tyre. Partia Demokratike do të njihej si një subjekt politik legal dhe kështu do të fillonte punë në të gjithë vendin për të ngritur strukturën e saj drejtuese. Qysh  më 11 dhjetor në darkë, KQ i PPSH si rezultat i presionit të protestave studentore dhe këmbënguljes së krahut reformator të kësaj partie, kishte marrë vendimin që të lejojë pluralizmin politik, të cilin do ta deklaronte Kuvendi Popullor më 17 dhjetor të këtij viti. Ëndrra e studentëve për pluralizëm politik ishte përmbushur. Realizimi i idealeve të  të Dhjetorit dhe dhjetoristëve do të kërkonte shumë kohë, shumë mund dhe gjak. Pasi ky proçes kërkonte angazhimin e të gjithë shoqërisë, që siç del më vonë do të ishte një ligjëratë e vështirë. Rrebelimi komunist i Marsit të vitit 1997 do të shkatërronte në thelb ëndrrën e Dhjetorit si dhe arritjet e deritanishme të shtetit demokratik. Ai ishte një hap prapa. Një varrosje e ëndrrës europiane të studentëve të Dhjetorit, e utopisë së tyre për shtet ligjor, ku respektohen rregullat e lojës politike dhe të ekonomisë së tregut. Shumë prej dhjetoristëve duke filluar nga Arben Broci e deri tek Azem Hajdari do të vriteshin nga komunistët. Megjithatë, dhjetoristët kishin patur një utopi dhe ajo ishte realizuar, pluralizmi politik, Shqipëria në NATO, Kosova e papavrur, hapja, integrimi mbarëshqiptar, sipërmarrja e lirë, media e lirë, të drejtat dhe lirtë themelore të njiirut, heqja e regjimit të vizave për në BE i kanë rrënjët tek dhjetori 1990.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shkrime të ngjashme:

  1. Levizja e Dhjetorit 21 vjet më vonë
  2. FJALORI I DHJETORIT, Esse nga Mujë Buçpapaj
  3. Fjalori i 8 dhjetorit. Esse nga Mujë Buçpapaj
  4. Levizja studentore e Dhjetorit 90-të, si e kam jetuar unë..!
  5. 50 vjet zgjedhje për në Shtëpinë e Bardhë (II).Dossier nga Mujë Buçpapaj

One Response to Levizja e Dhjetorit 22 vjet më vonë.Nga Mujë Bucpapaj

  1. Agim Hamiti: Letër e Hapur drejtuar: Klasës politike të Tiranës e të Prishtinës dhe Ambasadorit amerikan

    Letër e Hapur drejtuar:
    - Klasës politike të Tiranës e të Prishtinës.
    - Ambasadorit amerikan në Tiranë.
    - Gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.

    Jam azilant politik në Bruksel, për shkak të një libri me personazhe realë e ngjarje të jetuara: Odiseja e një Detektivi (dy vëllime). Krerët e dy klaneve politike, blu e rozë, e njohin mirë këtë libër, mbasi policia civile e Tiranës ka paguar 100 $ për çdo kopje që u dorëzohej, kur ai u shpërnda në disa fakultete të UT. Nga ana tjetër, eksperti belg, që shqyrtoi imtësisht dosjen time për një kohë të gjatë, ka shkuar dy herë në Tiranë për të verifikuar identitetet e personazheve realë të librit dhe saktësinë e disa ngjarjeve të veçanta, të jetuara. Meqenëse unë këmbëngulja gjatë seancave të intervistës, që të egzaminoheshin patjetër skeletet e dy heronjve që prehen në varrezat e Tiranës – Fatmir Merdari e Afrim Pahia (personazhe të librit) –, eksperti belg u detyrua të pohonte:
    «Nuk është nevoja për asnjë lloj ekspertize. Për vdekjen e atyre të dyve ekzistojnë dosjet përkatëse në Tiranë, ku unë kam parë edhe fotografitë e tyre kur ishin të plagosur rëndë dhe në çastin e vdekjes. Gjithashtu kam verifikuar edhe identitetet e protagonistëve të tjerë të ngjarjeve që trajton libri juaj.»

    Natyrisht, pa autorizimin e qeverisë shqiptare nuk kryhen dot veprime të tilla. Ndërsa në mars të vitit 2009 gazeta SOT botoi në tre pjesë artikullin tim të gjatë me titull: Një zë nga shkretëtira shqiptare, ku trajtohen peripecitë e mia të azilit, të cilat përbëjnë një odisé më vete. Artikulli në fjalë gjendet endé në sajtin e gazetës SOT ; kushdo mund ta lexojë në internet. Me kërkesën e shumë bashkatdhetarëve, të cilët me kohë kishin rënë në gjurmët e vëllimit të parë të librit dhe të artikullit në fjalë, prej një muaji kam publikuar nëpërmjet internetit të dy vëllimet e librit Odiseja e një Detektivi. Vëllimi i dytë i ka bërë edhe më tepër përshtypje opinionit publik me ngjarjet dhe provat që sjell.
    Në mesazhet elektronike që po marr, shumë bashkatdhetarë më bëjnë një vërejtje që më ka preokupuar:
    «Një sekret i rëndësishëm, që lidhet me fatet e kombit e të popullit shqiptar, nuk duhet lënë që ta mbulojë pluhuri i kohës në asnjë rrethanë e për asnjë arsye. Përndryshe edhe ju, si autor i librit, bëheni bashkëfajtor me keqbërësit, në një kohë që edhe Afrika po rilind, ndërsa ne po rrëzohemi gjithmonë e më poshtë.»
    Në fakt të gjithë jemi dëshmitarë se Hosni Mubarak, lideri i një populli 80 milionësh në Afrikë, u detyrua të braktiste postin prej qëndrimit unanim kundër tij të diplomacisë amerikano-evropiane, për shkak të vrasjes së 300 demonstruesve.
    Gjithashtu të gjithë e dimë se në një vend të injoruar evropian me emrin Shqipëri, në vitet 1997-1998 politika vrau mbi 3500 shqiptarë (12-fishin e vrasjeve që kreu regjimi i Mubarakut në një popullsi njëzet herë më të madhe!), plagosi mbi 11 mijë të tjerë, shkatërroi institucionet e brishta shtetërore, hapi depot e municionit për të nxitur tërthorazi një luftë të verbër civile, dogji vendin, dhe po e njëjta diplomaci amerikano-evropiane i la të njëjtët politikanë ish-komunistë në pushtet.

    Rastësi?
    Politika e të mëdhenjve e përjashton kryekëput rastësinë; madjé, ajo vepron me plane afatgjata e të kalkuluara mirë. Politikanët mëkatarë të Tiranës u lanë qëllimisht në pushtet, për tu përdorur prej diplomacisë amerikano-evropiane për punë të mbrapshta antikombëtare, të cilat po i jetojmë përditë. Është utopi e naivitet i skajshëm politik t’iu kërkosh autorëve të tragjedisë së vitit 1997-1998 të gjykojnë me drejtësi dramën e Gërdecit, apo vrasjet e 21 janarit 2011. Edhe sikur krerët e politikës së sotme shqiptare (pozitë-opozitë) të tentonin të gjykonin me drejtësi tragjedinë e Gërdecit, ustallarët e prapaskenave të politikës – ambasadori amerikan në Tiranë dhe të dërguarit e Brukselit atje – do t’iu thoshnin me buzëqeshje diplomatike:
    «Dakord, por më parë duhen gjykuar vrasjet e vitit ’97-’98, mbasi krimet nuk parashkruhen. Pastaj u vjen radha tragjedisë së Gërdecit dhe vrasjeve të 21 janarit 2011.»
    E ç’mund të bëjnë ata atëherë, ndërkohë që dihet mirë se për megakrimin ‘97– ‘98 përgjigjen njësoj të dy klanet blu e rozë? Mëkati i vërtetë i politikanëve të Tiranës (pozitë-opozitë) është pranimi i misionit antikombëtar për hir të karrierës së pameritur; më tej krimi automatizohet. Pasojat merren lehtë me mend dhe janë prezente çdo ditë në faqet e shtypit, i cili gjithashtu është dyngjyrësh në shërbim të dy klaneve politike. Në këto kushte unë i bëj thirrje kryeministrit shqiptar, i cili aktualisht nuk është veçse një skllav rrethanash, të kontribuojë për denoncimin mbi baza dokumentare të aktit antishqiptar e prodiktatorial të CIAs që sabotoi në maj të vitit 1984 komplotin kundër diktaturës, të organizuar prej 22 trimave shqiptarë të Sigurimit të Jashtëm të asaj kohe. Nëpërmjet një veprimi të tillë, kryeministri shqiptar do të shpëtonte në radhë të parë vetveten dhe bashkëfajtorët e tij prej situatës pa rrugëdalje ku gjenden, pastaj gjithë kombin e popullin shqiptar, që janë në zgrip për shkak të politikës së tij regresive. E vërteta e kësaj çështjeje është thjeshtësisht e verifikueshme, mbasi në arkivat e shërbimit sekret gjenden dosjet përkatëse të atyre 22 trimave, disa prej emrave të të cilëve i kam cituar shpesh. Ndërkohë po ju jap edhe adresën dhe numrin e telefonit të njërit prej tyre në Amerikë:

    Dari Meli
    3609 BROADWAY, Apt. 4L,
    NEW YORK, N.Y. 10031
    U. S. A.
    Tel. 00 12 12 – 491 – 12 12

    Numri i cituar i përket një linje telefonike speciale, e cila i filtron telefonatat. Mënyrën sesi komunikohet nëpërmjet një linje të tillë ua shpjegon ish-Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Jashtëm (DSJ) në atë kohë, Ilir E. Hoxha, të cilin mund ta gjeni në selinë e Partisë së Punës të Riorganizuar në adresën:

    Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar
    Rr. «Hafiz I. Dalliu», Pallati 17/2, kati i parë,
    Tiranë.

    Megjithëse kryeministri shqiptar për njëzet vjet me radhë ka harruar t’ia heqë titujt Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste diktatorit Hoxha, besoj se ai nuk do të ngurrojë t’i kërkojë sqarimet e duhura Ilir Hoxhës lidhur me problemin madhor në fjalë.
    Ato ngjarje janë një fragment lavdie i historisë së popullit shqiptar, realizuar nga 22 burra guximtarë të prejardhur prej 22 familjeve të nderuara ish-komuniste nga më të afirmuarat e kohës, siç zgjidheshin detektivët prej diktaturës. Prejardhja ime është nacionaliste e antikomuniste, por kjo nuk më pengoi të lidhja miqësi në burg me ish-detektivin më të shquar të DSJ-së, Hamit Meli, idetë dhe vlera njerëzore e të cilit qëndronin ndjeshëm mbi ideologjitë. Asnjë i burgosur nuk e njihte të kaluarën e tij, mbasi ajo ishte fshehur qëllimisht prej përpiluesve të dosjes penale të ish-detektivit. Ky u hap në mirëbesim tek unë. Miqësia me Hamit Melin u bë shkak që unë të lidhesha më vonë tërthorazi me grupin komplotist të Guri Stretos. Ilir Hoxha i njeh në detaje këto të vërteta të dokumentuara. Ai duhet të tregojë sot se ku gjendet ish-zëvendësi i tij në detyrë, Guri Streto, i cili ishte përkohësisht edhe baxhanak i tij (i martuar ditën e enjte më 26 janar 1984). Ilir Hoxha duhet të tregojë gjithashtu ku gjenden aktualisht dy vëllezërit Hamit e Dari Meli, si edhe të pohojë rrethanat e vërteta të vdekjes së dy heronjve të rënë në prill-maj 1984, të cilët prehen në varrezat e Tiranës. Ata u varrosën me madhështi e të dekoruar si të rënë në krye të detyrës, por e vërteta është krejt tjetër. Përndryshe unë, i burgosur politik në vitin 1984 (qysh prej vitit 1978), nuk kisha nga ta dija se Fatmir Merdari është goditur natën me dy plumba pas shpine prej një distance të afërt, ndërsa Afrim Pahia ka kryer tentativë vetëvrasjeje, duke përplasur fort kokën pas murit në çastin e arrestimit me urdhër të Ilir Hoxhës. Ka vdekur në spital. Nëse u bëhet ekspertiza skeleteve të këtyre dy heronjve (mbasi t’iu jetë bërë më parë analiza e ADNsë), gjithçka bëhet e qartë edhe për më naivin e shqiptarëve. Por, normalisht, nuk lind nevoja të ndjekësh gjurmët, kur ujkun e ke përpara syve. Ilir E. Hoxha di gjithçka dhe e di shumë mirë ku i ka arkivuar dosjet e kësaj ngjarjeje, një substrakt i së cilës i është treguar edhe ekspertit belg që shqyrtoi dosjen time. Është në të mirën e krerëve të korruptuar të politikës shqiptare dhe të vetë Ilir Hoxhës që gjithçka t’i bëhet e ditur sot popullit shqiptar, para se ky t’i detyrojë ata të shprehen kundër dëshirës së tyre për një gjë të tillë. Tekefundit shqiptarët në këtë rast nuk do të kërkojnë asgjë më tepër se hapjen e dosjeve të një ngjarjeje të para 27 vjetësh. Të tjerat vijnë vetë pastaj… Institucionet, dokumentet, historia janë pronë e popullit shqiptar, jo e qiraxhinjve politikanë. Ashtu siç janë edhe heronjtë e atyre ngjarjeve bij të popullit e jo të politikanëve. Ndërkohë normat e demokracisë amerikane, opinioni i shëndetshëm publik amerikan, media e fuqishme amerikane si një pushtet i katërt real, ia bëjnë të pamundur diplomacisë amerikane dhe CIAs fshehjen e mëtutjeshme të një skandali që ndriçohet sadopak. Populli shqiptar është proamerikan nga natyra dhe ky është një virtyt, ndërkohë që po jetojmë epokën e qytetërimit amerikan. Por miqësitë në politikë nuk mbahen symbyllas: ky është një ves fatal, i cili jo vetëm që kushton tepër shtrenjtë, por bëhet shkak të fitosh edhe përbuzjen e mikut të pasinqertë, duke të quajtur të padenjë për miqësinë e tij. Një ndër presidentët më të respektuar amerikanë, Ronald Regan, pas pushtimit të Grenadës së vogël më 1983, deklaroi: «Nuk mund të jemi të pafajshëm në një botë që nuk është e tillë.» Ne duhet t’ua bëjmë të qartë sot me argumente miqve tanë amerikanë fajin që ka bërë CIA dhe dipolmacia e fshehtë amerikane ndaj Shqipërisë në maj 1984, ashtu si dyzetë vjet para kësaj date.

    Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jemi miq të amerikanëve, por nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë që trojet tona në jug të Shqipërisë dhe në veri të Kosovës e ndofta më gjerë, t’iu shërbejnë atyre për ujdi politike me Rusinë në Afganistan, Iran, apo në hartën e re gjeopolitike të Afrikës. Ne nuk mund dhe nuk duhet të pranojmë që, për hir të një miqësie fiktive, kombi ynë, tejet i dobësuar e aktualisht në një proces shpërbërjeje të dukshëm, të tretet me kalimin e kohës si kripa në ujë në Unionin Ballkanik – ide kjo e hedhur rishtas prej diplomacisë amerikane në marrëveshje me BE. Të gjitha shenjat janë të qarta se kush do ta dominojë Unionin Ballkanik, ndërkohë që, siç shprehej dikur patrioti i shquar Sali Nivica, Serbia është Rusia prapa kodrës dhe Greqia, Rusia prapa malit. Ende pa u formuar ky Union, Greqia po avancon lirshëm në Shqipërinë e Jugut dhe Serbia është ulur këmbëkryq në veri të Kosovës dhe në enklavat e saj brenda territorit të Kosovës. Ndërkohë Serbia, me ndihmën e Ilir Metës e të kryeministrit, pretendon për minoritet edhe në Shqipëri.

    Politikanët e Tiranës, të cilët janë të gjithë me origjinë komuniste, kanë sot një shanc historik, për të shpëtuar veten e tyre dhe kombin nga baltovina e pështirë ku po fundosen çdo ditë. Njëzet ish-kuadrot e rëndësishëm të DSJ-së, për të cilët bëhet fjalë, rrjedhin nga familje të mirëfillta komuniste; kjo imagjinohet lehtë, gjersa dihet se biografia politike ishte busulla e diktaturës. Më të moshuarit e atyre burrave sypatrembur janë sot 62 vjeç dhe gëzojnë shëndet të shkëlqyer. Shumë prej politikanëve të sotëm të Tiranës ka të ngjarë të kenë miqësi apo njohje të afërta me ata të njëzetë ose me familjarët e tyre, mbasi të dy palët i përkisnin pjesës më të privilegjuar të shoqërisë shqiptare nën diktaturë. Në këto rrethana tejet të favorshme për ta, politikanët e sotëm shqiptarë nuk duhet të ngurrojnë për t’iu mundësuar atyre trimave rikthimin zyrtarisht në atdhe. Ata të njëzetë do të shërbenin si një kontigjent i shkëlqyer për zgjidhjen e situatës kritike shqiptare, mbasi gëzojnë mirëbesimin e plotë të autoriteteve amerikane dhe janë të mbrujtur tashmë me kulturën politike e qytetare të Amerikës demokratike. Si rrjedhojë, ata janë shumë të besueshëm prej autoriteteve të SHBA, mbasi kanë dhënë prova aftësie e guximi në kuota të tilla, ku politikanëve të rëndomtë shqiptarë nuk u shkon dot as fantazia. Ata trima atdhetarë do të mundësonin një fazë të re e të shëndetshme të miqësisë shqiptaro-amerikane dhe një klimë të favorshme mbarëshqiptare për një Lidhje të Tretë.

    Në kasafortat e diplomacive të mëdha ekziston gjithmonë edhe një plan B për çështjet në proces. Politikanë të Prishtinës, Gjithë duke e vlerësuar kontributin amerikan për bombardimin e Serbisë nga NATO, ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se politika nuk udhëhiqet kurrë prej bamirësisë, por nga kalkulimet e interesit perspektiv. Dhe kjo është e natyrshme; e kundërta do të ishte utopi. Po nuk kuptuam kaq gjë, Ndërkombëtarët kanë të drejtë të na trajtojnë si një popull naiv, i sapozbritur prej pemëve. Dymbëdhjetë vjet pas bombardimeve të NATOs, realiteti po tregon se SHBA nuk e çliruan Kosovën me qëllim që ta bënin një shtet të fortë e të qëndrueshëm (kur u intereson, ata dinë më mirë se kushdo tjetër në botë ta realizojnë diçka), por për ta pasur si resto hesapesh politike në sirtarët e diplomacisë së tyre të fshehtë. Ndonëse Millosheviçi vdiq në burg, Serbia sot jo vetëm nuk trajtohet si shtet agresor, por dalëngadalë asaj po i krijohen koniuktura të tilla politike që e bëjnë optimiste për rifitimin gradual të Kosovës. Ndërkohë që Veriu i Kosovës është realisht nën zotërimin serb dhe enklavat e manastireve shënojnë plasdarmet e ardhshme të Serbisë ndaj Kosovës së rraskapitur, Greqia po anekson në mes të ditës Jugun e Shqipërisë. 354,3 km² të detit Jon iu falën Athinës nga kryeministri shqiptar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e pezulloi atë, por kryeministri filogrek, i cili është shqiptar vetëm nga pasaporta, ka autorizuar sërish bisedime të kundërligjshme në heshtje, për ta rivlerësuar paktin antikombëtar të detit. Nuk duhet harruar për asnjë çast se ai det nuk u përket vetëm shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe atyre të Kosovës e më gjerë. Mirëpo sipas të gjitha gjasave, kryeministri shqiptar ka ndërmend t’ia bëjë këtë dhuratë Athinës në vjeshtë, me rastin e festës së tyre. Së bashku me regjistrimin e popullsisë sipas besimit fetar.

    Natyrisht, gjersa grekët po u ndërrojnë kombësinë eshtrave të të vdekurve shqiptarë, për t’i përdorur pastaj si sinorë të Vorioepirit në Korçë e gjetkë, pse të mos bëjnë të njëjtën gjë edhe me të gjallët e një populli të braktisur prej kreut të tij?

    Ndërsa para autoriteteve të Athinës kryeministri ynë qëndron kokulur si ndonjë vajzë e ndrojtur, qytetarët paqësorë shqiptarë ai i vret pa gjë të keq në mes të bulevardit, pastaj hedh valle me eunukët e partisë së tij, disa metra matanë pllakave të përgjakura. Dhe për të gjitha këto akte antishqiptare e antinjerëzore, pa llogaritur korrupsionin më të madh në Evropë dhe ngujimet e gjakmarrjes mesjetare të mijëra familjeve, ambasadori amerikan në Tiranë i akordoi titullin burrë shteti. Dihet se për të kryer punë të pisëta në vendet pa zot, nevojiten instrumente të pisët, me etiketë të ndryshuar. Ky është një mësim i lashtë i historisë.

    Natyrshëm lind pyetja: Nëse SHBA do të ishin miq të sinqertë të shqiptarëve (në Kosovë e Shqipëri), a do t’i stimulonin vallë këto veprime kaq të dëmshme në vendet tona respektive? A do të akuzohej aq rëndë kryeministri i Kosovës në prag të dialogut me Serbinë dhe mandej gojët akuzuese të heshtnin si me magji, mbasi të merrte rrugë ky dialog me leverdi të njëanshme?

    Nuk është e nevojshme të jesh politikan, për të kuptuar se gjashtë milionë izraelitë bëjnë ligjin në mes të qindra milionë arabëve, duke mos zbatuar as rezolutat e OKBsë, vetëm pse janë aleatë strategjikë, pra, miq të amerikanëve. Atëherë, si mund të mendojmë ne se amerikanët na vlerësojnë vërtet si miq, ndërkohë që kombi ynë po shkon qartazi në shpërbërje graduale, populli shqiptar në Kosovë e Shqipëri po vuan të zitë e ullirit i nëpërkëmbur prej serbëve e grekëve, dhe amerikanët u thonë kryeministrave tanë “kështu vazhdoni, se e keni mirë” ? «Miqësi» të tilla kanë kosto më të lartë se armiqësitë e shpallura. Jo, angloamerikanët kanë qenë miq të Enver Hoxhës dhe të bëmave të tij antishqiptare qysh prej Luftës së Dytë Botërore, për hir të objektivave të politikës së tyre në rajonin e Ballkanit. Këtë mbështetje të hapur ndaj diktaturës së Enver Hoxhës ata e përsëritën edhe në maj të vitit 1984. CIA vazhdon t’i mbajë edhe sot në Amerikë njëzet komplotistët që rrezikuan jetën në luftë kundër diktaturës (dy prej atyre ranë në atë luftë), ndërsa i biri i diktatorit, Ilir Hoxha, është beniamin i tyre edhe sot. Populli shqiptar duhet ta bëjë të flasë ish-Drejtorin e DSJsë, i cili di shumë për veprimtarinë agjenturore të babait dhe të tijën. Dalja në dritë e të vërtetës së ngjarjeve të majit 1984 është domosdoshmëri jetike për popullin e për kombin shqiptar, nëse duam të kemi vërtet të ardhme të denjë. Ne duhet të bëjmë çmos që autoritetet amerikane ta njohin zyrtarisht padrejtësinë që i kanë bërë popullit e kombit tonë, t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara konform ligjeve përkatëse dhe ta korrigjojnë në të ardhmen shënjestrën e diplomacisë së tyre ndaj kombit shqiptar. Në arkivin e shërbimit sekret shqiptar ekzistojnë të gjitha dosjet përkatëse, që mundësojnë zbardhjen e kësaj çështjeje jetike brenda një gjysmë ore. Nuk ka forcë që ta mposhtë të vërtetën. Politikanët e opozitës kosovare janë në pozicion të përshtatshëm për të dhënë një kontribut të çmuar në këtë drejtim, pa u ndikuar as prej pushtetit të Tiranës e as prej atij të Prishtinës. Popullarizimi i këtij problemi madhor do të vinte në lëvizje median e fuqishme amerikane, zëri i së cilës dëgjohet me vëmendje prej institucioneve autoritare të Washingtonit, si Kongresi apo qeveria federale. Është e sigurtë se zbardhja e kësaj çështjeje jetike do të shënonte një erë të re si në marrëdhëniet amerikano-shqiptare edhe për të ardhmen e popullit dhe të kombit shqiptar.

    Zoti Ambasador Arvizu

    Dosja ime si azilant politik në Bruksel ka trajtën e një aktakuze ndaj CIAs. Vetëkuptohet që bëhet fjalë për një aktakuzë të mbështetur në prova të pakundërshtueshme, përndryshe ajo nuk do të pranohej kurrë prej aleatëve tuaj të Brukselit. Depozitimi, pas shumë përpjekjesh, i asaj aktakuze më ka kushtuar shtrenjtë. Jo vetëm që autoritetet belge më lanë shtatë vjet e gjysmë pa dokumentet përkatëse, por gjatë gjithë kohës, edhe tani, jam i privuar nga e drejta e komunikimit me median belge, si edhe nga e drejta për të pasur një avokat. Kam shkuar edhe në Luksemburg, Francë e gjetkë, për të siguruar një avokat. Nuk ka vonuar shumë dhe ata janë tërhequr, të sinjalizuar prej dikujt. Kjo këmbëngulje për të fshehur një të vërtetë dramatike, që po çon drejt një perspektive të zymtë kombin dhe popullin shqiptar, më bënte më të vendosur për të hedhur me çdo kusht dritë mbi të, megjithëse kisha dy fëmijë të vegjël dhe po ballafaqohesha me disa vështirësi të paparashikuara, të organizuara prej atyre që teorikisht i ngrejnë në qiell të drejtat e njeriut. Ju jeni diplomat karriere i një superfuqie dhe i kuptoni më lehtë se kushdo tjetër edhe ato që unë nuk i them dot në këtë shkrim. «Diplomacia është një polici me kostum madhështor», ka thënë Napoleoni. Këto fjalë të gjeniut korsikan m’u kujtuan atë ditë kur ju i akorduat titullin burrë shteti vrasësit gjakftohtë të katër bashkatdhetarëve të mi paqësorë. Ju mund të thoni me të drejtë: «Para se të vriste ata të katër, ai dhe bashkëfajtorët e tij kanë vrarë disa mijëra shqiptarë më 1997–’98, vranë fukarenjtë e Gërdecit e po tallen prej vitesh me dosjen e tyre gjyqësore, po lënë të vriten përditë familjet e ngujuara nga gjakmarrja, pastaj vranë ata të katër më 21 janar 2011. Natyrisht, ekspertët amerikanë, pas një sorollatjeje të gjatë, do të shpallin fajtorë dy-tri koka turku. Ra shi, e piu dheu. Tekefundit gjaku shqiptar dëm ka shkuar përherë.» Po, kjo nuk do të jetë një risi, z. Ambasador. Kështu veprohet në kolonitë e pashpallura, ku ambasadorët amerikanë luajnë rolin e diplomatëve–guvernatorë. Shpresoj se kjo gjendje nuk do të vazhdojë më në trojet shqiptare, mbasi të ndriçohet e vërteta që po mbahet e kyçur në arkivat e shërbimit sekret shqiptar, si edhe në Langley. Do të ishte në të mirë të prestigjit të superfuqisë që përfaqësoni ndërhyrja juaj për ta bindur burrin e shtetit, që të urdhërojë zbardhjen e asaj të vërtete të madhe me hapjen e dosjeve përkatëse. Gjithashtu ju mund t’i sugjeroni edhe mikut të preferuar të CIAs, Ilir Hoxhës, të japë kontributin e tij për zgjidhjen e shpejtë të një çështjeje të qartë si drita e diellit. Ndihmesë mund të japin edhe katër kriminelët e afirmuar të Sigurimit të Shtetit të diktaturës komuniste, të cilët punojnë në ambasadën tuaj prej dy dekadash, së bashku me shumë kolegë të tjerë të sojit të tyre. Në një libër të botuar para një viti në Tiranë me titull Heronjtë e Kotësisë, unë kam publikuar një listë me emrat e 26 Sigurimsave shqiptarë të inkriminuar, të cilët punojnë në ambasadën tuaj kundër rregullave të parashikuara në pikën 35 të formularit të aplikimit për punësim të miratuar nga DASH, i cili ndalon punësimin në atë ambasadë të ish-komunistëve, ish-fashistëve dhe ish-dëshmitarëve në hetuesi ose gjyq të të burgosurve politikë në kohën e diktaturës. Shumica dërrmuese e të punësuarve shqiptarë në ambasadën tuaj i përkasin pikërisht kategorisë të tre «ishave » të lartpërmendur, ndërsa ata të 26 kanë të kaluar kriminale. Për ilustrim po ju citoj vetëm emrin e njërit prej atyre 26 keqbërësve të popullit shqiptar, që ju vazhdoni t’i strehoni e t’i ushqeni në ambasadë. E quajnë Rrapo Hazizi, nga Skrapari. Ka qenë shef i kufirit të Jugut në Shqipëri deri më 1991. Prej datës 3 shkurt 1990 deri në 23 gusht 1990 (pak më shumë se 6 muaj) me urdhër të mysafirit tuaj të nderuar, Rrapo Hazizi, janë vrarë në pika të ndryshme të kufirit të Jugut 23 djem shqiptarë me moshën mesatare 27 vjeç, në një kohë që me ligj arratisja në këtë periudhë nuk cilësohej më “tradhti ndaj atdheut” dhe neni përkatës i Kodit Penal parashikonte si dënim maksimal pesë vjet burg. Në faqen 269 të librit “Heronjtë e Kotësisë” është botuar lista e plotë e 23 viktimave të pafajshme të kryemikut tuaj, Rrapo Hazizi, me emër, mbiemër, rrethi ku ka lindur secili prej tyre, mosha, posta kufitare ku është vrarë dhe data e saktë e vrasjes. Biznesmeni i sukseshëm amerikano-shqiptar, Geri Kokalari, i ka shkruar dy herë DASH-it për 26 kriminelët e Sigurimit të Shtetit diktatorial, që ambasada amerikane në Tiranë po strehon prej dy dekadash, duke abuzuar me nenin 35 të formularit të aplikimit për tu punësuar atje. Mirëpo gjithçka bie në vesh të shurdhër… I citova këto detaje për të treguar se, kur ua kërkojnë interesat e kamufluara, amerikanët i shkelin pa teklif rregullat dhe ligjet e tyre. Ashtu siç kanë shkelur edhe parimet bazë të demokracisë, duke mbështur për gjysmë shekulli një diktator mizor si Enver Hoxha, për hir të synimeve të fshehta në rajonin problematik të Ballkanit. Natyrisht, ju zbatoni udhëzimet që ju jepen dhe kjo është normale. Mirëpo do të jetë diçka krejt anormale, sikur ju të porositni nën zë burrin e shtetit, që të mos lejojë zbardhjen e çështjes për të cilën po ju shqetësoj, ndërkohë që ajo është e vetëzbardhur, veçse duhet pranuar zyrtarisht nga Tirana dhe nga Washingtoni.

    Motra e Vëllezër shqiptarë, kudo që gjendeni

    Në historinë e dhimbshme të popujve të nëpërkëmbur, por mjaft rezistentë ndaj së keqes, ka një çast të papërsëritshëm kur Zoti i shpërblen ata, duke u ofruar mundësinë e shpëtimit të përhershëm me një çmim modest. Ky është sahati i bekuar i historisë së tyre, që vjen si kompensim i gjakut të derdhur pa hesap, i djersës së shkuar lumë në dobi të keqbërësve, i vuajtjeve shekullore të një populli që ka mbijetuar gjithmonë me shpirt ndër dhëmbë, por që nuk ka mundur kurrë të jetojë në mënyrë të denjë. Ky shanc historik nuk u paraqitet të gjithë popujve të vuajtur, por vetëm atyre që kanë vuajtur më shumë se të tjerët dhe kanë rezistuar më shumë se të tjerët. Cili popull i Evropës ka vuajtur më shumë se shqiptarët dhe cili komb evropian është masakruar sa kombi ynë? Sot shqiptarët kanë në duart e tyre mundësinë e zgjidhjes rrënjësore të problemit shoqëror e kombëtar në mënyrë të qytetëruar. Ne jemi në gjendje t’i argumentojmë në mënyrë bindëse shtetit më të fuqishëm të botës – superfuqisë amerikane – se na ka borxh lirinë e sabotuar në favor të diktatorit Hoxha dhe, si rrjedhojë e paevitueshme e këtij veprimi, shkrehjen e kombit, që po shkon gradualisht drejt shpërbërjes përfundimtare. Provat për këtë janë të shumta e të shumëllojshme. Të njëzet e dy komplotistët kanë dosjet e tyre në arkivin e shërbimit sekret shqiptar, si edhe nga një album fotografish, që ilustron misionet e tyre më të rëndësishme të kryera jashtë atdheut. Dosja ime në Bruksel është një akuzë e mirëfilltë ndaj CIAs për ngjarjet e atij komploti të sabotuar. Gjithë përmbajtja e dosjes është verifikuar një për një prej ekspertit belg, që ka shkuar posaçërisht në Tiranë. Si përfundim, asnjë detaj i saj nuk është hedhur dot poshtë. Ajo është vulosur e kyçosur në kasafortë. Përballë provave dokumentare, me protagonistë ngjarjesh të gjallë e të vdekur, me dosje e me albume në arkivat sekrete të Tiranës e në Langley, ato ngjarje nuk mund të mohohen dot më prej kurrkujt. Veçse duhen hedhur hapat e nevojshëm që Tirana vasale dhe Washingtoni padron t’i pranojnë ato zyrtarisht. Nuk është në stilin qeverisës dhe në natyrën e shtetarëve amerikanë që të heshtin e të fshihen si struci, kur një popull u kërkon me zë të lartë që të prononcohen rreth një akuze që bie mbi ta. Veçse vendosmëria në veprim është gjithmonë e domosdoshme për zgjidhjen e problemeve madhore. Ne jemi dëshmitarë të luftës heroike që po bëjnë popujt e Afrikës për lirinë e tyre. Ndërsa shqiptarëve nuk u kërkohet sot një sakrificë e tillë për të fituar lirine dhe dinjitetin kombëtar të nëpërkëmbur. Në këto kushte, le të tregohemi të paktën një herë popull i ndërgjegjësuar e jo turma të çoroditura, të cilave nuk iu bën më përshtypje përçarja e sundimi. Ata të njëzetë duhet t’i çlirojmë ne prej CIAs, mandej është radha e atyre të na çlirojnë prej skllavërisë së dyfishtë. Për të arritur këtë objektiv madhor, duhet të luftojmë të gjithë së bashku, shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë, pa dallim bindjeje politike e ngjyrash partiake – thjesht si SHQIPTARË. Ne duhet t’i detyrojmë patjetër politikanët tanë t’i japin rrugë pa vonesë zgjidhjes së kësaj çështjeje vendimtare, për të cilën disponohet një dokumentacion i pasur, që hedh dritë të plotë mbi të gjitha detajet. Po hoqëm dorë nga zgjidhja e këtij problemi lehtësisht të zgjidhshëm, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kemi hequr dorë përfundimisht nga liria dhe dinjiteti ynë si popull e si komb. Në këtë mënyrë ne do t’i nënshtrohemi vullnetarisht një skllavërie pa fund në shekullin XXI, duke mbajtur përgjegjësi për të ardhmen e zymtë të fëmijve tanë, të brezave që vijnë, si edhe për kombin e kërcënuar nga shpërbërja graduale.

    Agim Hamiti
    P.S. Kush është i interesuar për të lexuar dy vëllimet e librit “Odiseja e një Detektivi”, për të cilin bëhet fjalë në artikullin e mësipërm, mjafton të dërgojë një kërkesë të thjeshtë në e-mailin tim: hamiti_agim@yahoo.fr dhe unë do t’i a nis atë falas në pdf.

    Agim Hamiti
    December 13, 2012 at 8:38 pm
    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>