Deshmia e munguar e shqiptarëve pas Luftës së Kosovës, më 1999
Kadare mbi krimin në Ballkan
“Në pjesën hyrëse të librit, që mund të konsiderohet edhe si një parathënie, autori shpjegon zhvillimet europiane, ballkanike e shqiptare dhe në vecanti clirimin e Kosovës. Dhe ndërsa i përshëndet këto ngjarje, ndaj të cilave ka qenë edhe vetë protagonist me personalitetin e një shkrimtari sipwror dhe të padiskutueshëm, si një mjeshtër që vëren edhe aty ku të tjerët e kanë të pamundur, ai analizon periudhën postkrim, pikërisht në ato vite ku përkundër frymës europiane ndihej kundër-rryma, kritikohej ndërhyrja euroatlantike dhe arrihej deri në kthimin mbrapsht të një procesi të mbarë, madje përmbysja e kronikës.”
Nga Rita Loloçi *
Libri më i fundit i Kadaresë për nga radha “Mbi krimin në Ballkan”, letërkëmbim i zymtë, Onufri 2011, është një përmbledhje e një eseje për një periudhë zhvillimesh 25 vjeçare, një tufë letrash drejtuar presidentit amerikan – Bush, kryeshtetarit francez – Miteran, kreut të shtetit çek – Havel, shenjtërisë së tij – Papa Gjon Pali i Dytë, presidentit francez –Shirak, delegacionit shqiptar në Rambuje, ministrit të Jashtëm francez si dhe letra e Vuk Drashkovicit.
Në pjesën e vijuese të librit është një intervistë e autorit me kryeredaktorin e së përditshmes “Shqip”, ndërsa në pjesën fundit janë tri opinione: “Nga ditari i Kosovës”, “Kapardisja shqiptare” (botuar në Koha ditore dhe Courrier International) dhe “Prishtina në dhjetor”.
Në pjesën hyrëse të librit, që mund të konsiderohet edhe si një parathënie, autori shpjegon zhvillimet europiane, ballkanike e shqiptare dhe në vecanti clirimin e Kosovës. Dhe ndërsa i përshëndet këto ngjarje, ndaj të cilave ka qenë edhe vetë protagonist me personalitetin e një shkrimtari sipwror dhe të padiskutueshëm, si një mjeshtër që vëren edhe aty ku të tjerët e kanë të pamundur, ai analizon periudhën postkrim, pikërisht në ato vite ku përkundër frymës europiane ndihej kundër-rryma, kritikohej ndërhyrja euroatlantike dhe arrihej deri në kthimin mbrapsht të një procesi të mbarë, madje përmbysja e kronikës. Kadare shton më tej se nëse denoncimi i krimit shtetëror nuk u bë nga vetë ata, ai nuk u realizua as nga të tjerët që e kishin bartur mbi shpinë, në radhë të parë nga kosovarët dhe sidomos nga kronistët, akademikët, historianët, politikanët dhe publicistët nga të dy anët e kufirit. Opinioni publik europian dhe ai botëror, thotë Kadare, pikërisht ai që i kishte nxitur qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionët për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim dëshminë shqiptare. Në mungesë të kësaj dëshmie do të vinte kundërsulmi mediatik i Beogradit ku flitej sërish për masakra, dhunime, shkatërrime me viktima serbët dhe me xhelatë shqiptarët. Brenda kësaj atmosfere të përmbysur autori shikon si të qëllimshme djegjen e kishave serbe në 2004-ën, sulmin kundër Nënë Terezës, provokimet e Karla del Pontes dhe Dik Martit dhe vrasjen e dy aviatorëve amerikanë në Gjermani “që merrte ngarkesën simbolike të hakmarrjes së vonuar serbe”.
Në pjesën e tretë të parathënies Kadare citon presidentin amerikan Klinton që apeloi për mostretjen e paqes, cka ishte një paralajmërim i saktë. Autori përmend si gabime shqiptare sjelljen e dërgatës në Rambuje, por sidomos heshtimin ndaj krimit. Pasi ironizon propagandën sllave që shkonte deri te pretendimi absurd i përdhunimit të ushtarëve të virtytshëm serbë nga gratë shqiptare, Kadare shkruan se përdhunimi, si tmerri më i madh i Kosovës do të pasohej nga tmerri i mosdhëshmimit; “…në pranverën e fundit të mijëvjecarit të dytë, fati kishte ruajtur për femrat kosovare, një martirizim të pashembullt… ishin ato që do të paguanin cmimin më të shtrenjtë për lirinë dhe që do të meritonin një ndër tri memorialët, midis foshjnave dhe luftëtarëve…”.
(Megjithatë ishin vetë ato që u ngritën të dëshmonin, që arritën të kryenin rrëfimin botëror. Nëpërmjet dëshmive të tyre planeti mësoi rreth mizorive serbe, vecanërisht përdorjen e përdhunimit si mjet kryesor lufte për të thyer moralisht një popull për sot e për disa breza; ishin pikërisht këto mizori kur “gratë e shnjerëzuara pushonin së qeni krijesa njerëzore për përdhunuesit por edhe për të vetët”).
Në mungesë të këtyre tri memorialeve si rikrijim dhimbjeje, detyrim moral dhe kambanë e së vërtetës, në radhë të parë për serbët, në Kosovën e pasluftës do të shfaqeshin babëzisht tri etje: pushtet, para dhe lavdi. Autori shton se përpos humbjeve të njëpasnjëshme të rasteve për të ecur përpara nga Prishtina, një tjetër humbje ishte mosdëshmimi i krimit, ku nga e kundërta e tij do të përfitonin të gjithë, madje edhe krimbërësit. Gjesti fyes antifemëror i ushtarakëve serbë teksa largoheshin të mundur me karvanë nga kryeqendra kosovare, nuk ishte gjë tjetër vecse një ngazëllim mbi vajzat e ngushëllim për humbjen; “kishin ngadhënjyer mbi ato vajza e gra të panjohura, që ende ndeshen sot aty këtu, të fotografuara ndanë rrugëve, me fytyra të bardha nga vdekja dhe me bluza të shqyera, ku midis gjinjëve, u dukej shpesh shenja e plumbit”.
Kadare shpjegon më poshtë në ese se mosaplikimi i një mininurembergu për Ballkanin e fundshekullit si dhe heshtja shqiptare (sidomos heshtja e blerë) shërbeu si revansh për Beogradin duke paraqitur para botës imazhin e rremë të dy Serbive, ata të kaluarën ish millosheviciane që damkosej mizore dhe këtë të sotmen tadiciane që shpërfaqej demokratike. Por këtij imazhi i kësaj të sotmes i binte shpejt kallaji teksa brohorisnin fatkeqësinë tyre në përkujtimin e betejës në Fushën e Kosovës, apo kur kërkonin ndjesë për krimet e Srebrenicës dhe nuk bënin të njëjtën gjë për masakrta e bëra në republikat e tjera të ish Jugosllavisë.
Në fund të esesë Kadare përshëndet si një mrekulli të historisë krijimin e dy shteteve shqiptare, ngjarje kjo e paparashikuar “në asnjë romantikë a frymëzim nacionalist, një lloj ëndrre e bukur, por disi e ftohtë…”.
—————-
Dekane e shkencave të edukimit në universitetin “Vitrina”
No related posts.