Shqipëria dhe Bota në veprën e Kadaresë.Nga Ndriçim Kulla

Libri i Kullës nxit studiuesit për të shkruar më shumë studime për gjeografinë e veprës letrare të shkrimtarë të mëdhenj si I.Kadare

“Kadare ka mendimin se në botën e letërsisë, ndarja e hapësirave gjeografike është bërë në mënyrë shumë më të butë se në botën e vërtetë, ku për to janë bërë shumë luftra. Ai shkruan: E kështu me radhë Gëte, Prusti, Suifti, Kafka, Tolstoi. Të gjithë rresht e kanë ndarë midis tyre pjesën më të madhe të globit tokësor, qetësisht, pa kurrfarë traktatesh dhe fisnikërisht, pa kacafytje e pa zhurmë.”

Çdo shkrimtar i madh është në mënyrën e tij edhe një kritik i madh letrar. Madje shpesh ka ndodhur që kanë qenë pikërisht shkrimtarët, dhe jo kritikët letrarë, ata të cilët kanë dhënë idetë më të jashtëzakonshme të llojit të kritikës letrare për veprat e kolegëve të tyre të mëdhenj. Një ide e tillë e Ismail Kadaresë është në librin e tij “Ftesë në studio” ku ka një kapitull ku ai hedh një vështrim të shpejtë mbi gjeografinë e veprës së shkrimtarëve të mëdhenj. Mbi këtë Kadare shkruan:
Shkrimtari, me dashje ose pa dashje, me vullnet tiranik, ose pa kurrfarë vullneti, me rregull ose rrëmujshëm, e krijon një truall artistik. Ky truall mund të jetë vetëm gjashtë metra katrorë, e pra i ngushtë sa një qeli burgu, e mund të jetë gjashtë miliardë, sa një kontinent, kjo s’ka kurrfarë rëndësie… Është fare e tepërt të thuhet se kjo është një perandori tejet e veçantë ku krijuesi i saj, shkrimtari, është njëherësh edhe kryezot e skllav, edhe sundues e rebel.
Kadare e ka fjalën këtu për vendet, hapësirat gjeografike ku zhvillohen ngjarjet e librave të shkrimtarëve, për trojet që ata i përshkruajnë në poezitë dhe në prozën e tyre. Kadare më lart na e bën të qartë se në këtë hapësirë të përzgjedhur prej tij shkrimtari sundon si një tiran i vërtetë, që vendos ligjet e tij, me një pushtet të tillë që diktatorët, tiranët, as që kanë guxuar ta ëndërrojnë kurrë. Se shkrimtarit-diktator nuk i binden vetëm njerëzit në botën e tij, por edhe natyra, madje edhe koha, hapësira, deri edhe ajo kozmike. Në piramidat e Egjiptit bien flokë bore, ndërsa kometat që enden në kozmosin e pafund zbresin për të zgjatur flokët e luftëtarëve për pavarësi në Ballkan, që për këtë quhen “komitë”.
Në kapitullin e përmendur më lart, në librin “Ftesë në studio”, ku Kadare flet për gjeografinë e veprës së shkrimtarëve të mëdhenj, ai na sjell shembuj të ndryshëm për këtë lloj perandorie letrare, të krijuar nga shkrimtarët e mëdhenj. Për Balzakun, ai thotë:
Perandoria e Balzakut, ndonëse e ngritur mu në Paris, zonës më të shfrytëzuar në botë nga letërsia, vazhdon të jetë përherë mahnitëse. E ngushtë për nga kufijtë, një mbretëri në pamje të parë monotone, tamam mbretëri apartamentesh, sallonesh, zonjash në tryezën e tualetit të të cilave ka përherë nga një kambial, me karrocat që venë e vijnë nga ballot në zyrat e policisë ose në pensione pikëllimtare, kjo është një mbretëri pa qiell e sidomos pa mister. Ajo i ngjan kështu një ngrehine pa bodrume. Por kur zhytesh pastaj në të e kupton se edhe qielli edhe ferri gjenden aty, të tretura në jetën e përditshme.
Bota e Balzakut është shumë e ngjashme me botën e Gjirokastrës që ka përshkruar Kadare te “Breznia e Hankonatëve”. Nga një anë të vjen mirë, por nga një anë të vjen keq që Kadare nuk u josh që të përzgjidhte botën e ngushtë të Gjirokastrës për ta bërë perandorinë e tij letrare. Kjo solli që letërsisë shqipe t’i mungojnë shumë kryevepra, por të tjera me siguri do t’i kishin munguar nëse shkrimtari do të kufizohej në botën e ngushtë të vendlindjes së tij. Për Servantesin Kadare thotë:
Universi i Servantesit ngjan i ngushtë, një lloj principate, ose më saktë krahine, me një copëz koloni në Afrikën Veriore dhe me pak det. Por kjo s’është veçse njëra pamje. Në trurin e çakërdisur të Don Kishotit dyzohet një botë tjetër, dhe ne e braktisim herë pas here Mançën e thatë, për t’u lëshuar lirisht bashkë me mendjen e krisur të heroit në hapësirat e pafundme të çmendurisë.
Është e qartë që Kadare mendon se perandoritë e shkrimtarëve ndryshojnë nga perandoritë e tjera të ngritura mbi faqen e dheut, dhe që mund të quhen të tilla vetëm nëse kanë një shtrirje të madhe në hapësirë. Historia na thotë se ai sundues që vepron në kufijtë vetëm të një qyteti, mund të krijojë e shumta një qytet-shtet, si ato të Greqisë së vjetër. Por në botën e letërsisë, siç thotë shpesh Kadare, ka ligje të tjera që sundojnë, dhe këtu Balzaku është perandor edhe brenda kufijve të një qyteti. Po ashtu dhe Sevantesi brenda kufijve të një krahine. Kadare ka mendimin se në botën e letërsisë, ndarja e hapësirave gjeografike është bërë në mënyrë shumë më të butë se në botën e vërtetë, ku për to janë bërë shumë luftra. Ai shkruan: E kështu me radhë Gëte, Prusti, Suifti, Kafka, Tolstoi. Të gjithë rresht e kanë ndarë midis tyre pjesën më të madhe të globit tokësor, qetësisht, pa kurrfarë traktatesh dhe fisnikërisht, pa kacafytje e pa zhurmë.
Kjo që thotë Kadare është e vërtetë, por a ka ndodhur vërtet kështu nga mirësjellja? Domethënë, a e kanë ndarë shkrimtarët e mëdhenj botën kaq urtë e butë, pa “dhunë”? Apo edhe ata si të gjithë konkuistadorët janë kacafytur egërsisht me njëri-tjetrin, shkrimtarë të gjallë e të vdekur të të gjitha kohërave, për të zënë terrritore? Vetë Kadare e ve në dyshim që ky proces të jetë kryer në paqe, kur thotë pak më poshtë se:
Ndryshe nga pushtuesit, shkrimtarët mendohen shumë përpara se të zgjerojnë kufijtë. Ata i dinë mirë rreziqet, ndaj lidhur me këtë çdo shkrimtar është në njëfarë mënyre një Napoleon në dimrin rus.
Vetëm kjo vërejtje që ka bërë Kadare si kalimthi është një ide që duhet të ndriçonte studiuesit për të shkruar shumë e shumë studime për gjeografinë e veprës letrare të shkrimtarë të mëdhenj. Kadare nuk e shpjegon se çfarë frike kanë shkrimtarët për të marshuar në hapësira më të gjera gjeografike, por vetë fakti që ai e krahason këtë proces me fushatën e Napoleonit në Rusi do të thotë se bëhet fjalë për një luftë të egër kundër një armiku të dyfishtë, njeriut dhe natyrës. Këtu duhet pasur parasysh natyrisht se kjo luftë zhvillohet sipas rregullave të letërsisë, të artit, dhe nuk ka lidhje me dhunën e rëndomtë të luftrave që ka bërë njerëzimi. Megjithatë Kadare insiston te krahasimi me luftën, duke thënë më poshtë:
Në qoftë se do ta përfytyronim universin letrar të një shkrimtari si një pushtim, poezia fare mirë mund të krahasohej me hedhje desantësh ose zbuluesish të parë. Është proza ajo, që ashtu si këmbësorët, e shtron një vend.
Që të pushtohet një territor nga këndvështrimi letrar duhet që ai të përshkruhet nga shkrimtari, duke nisur që nga njerëzit deri te peisazhet, qytetet, lumenjtë etj., duhet që atje, ashtu siç vendosen garnizonet ushtarake në një territor të pushtuar, të vendosen ngjarjet, personazhet dhe përshkrimet. Por në botën e letërsisë klima është kapriçioze dhe shkrimtari që kuturis të hyjë thellë në hapësira të gjera, mund të ndeshë në “dimrin rus”, ashtu si Napoleoni. E thënë ndryshe, shpata e tij, që në këtë rast është pena, me të cilën ai ndihet aq i sigurt në disa vise, në të tjerat mund të mos jetë aq mrekullibërëse në dorën e tij, ose edhe më keq, mund të mos prodhojë asgjë me vlerë. Kadare ka një mendim interesant se shkrimtarët e vendeve dhe letërsive të vogla, kuturisin në hapësira të gjera gjeografike më shumë se ata të vendeve të mëdha:
Mund të mendohet se shkrimtarët, vendet e të cilëve janë të vogla e kanë të vetvetishme ose të përligjur ndjenjën e kapërcimit të kufijve, me fjalë të tjera, ndjenjën e pushtimit. Ndonëse ngjan sikur ka njëfarë harmonie brenda këtij mendimi, thelbi i tij mbetet i pavërtetuar.
Në fakt mund të sillen shembuj të rëndësishëm që janë në favor të tezës së Kadaresë, dhe i pari ndër ta është Shekspiri. Anglia e kohës kur jetoi Shekspiri, nuk shihej si një vend i madh (në atë kohë Skocia akoma nuk ishte bashkuar me Anglinë). Pothuajse gjatë gjithë jetës së Shekspirit, Anglia do të jetonte me rrezikun e pushtimit spanjoll. Dhe para se Anglia të krijonte perandorinë e saj, atë e krijoi shkrimtari më i madh i saj, si një perandori letrare. Shekspiri doli nga Anglia dhe shkoi në Danimarikë, Francë, Itali, Ballkan, Egjipt etj. Në kohën e Shekspirit dy Amerikat nuk ishin populluar akoma me evropianë në atë masë, sa ai të vendoste ngjarjet e ndonjë drame të tij atje. Një tjetër shkrimtar i madh, këtë herë i një vendi të madh, siç ishte Volteri, jo vetëm që i ra kryq e tërthor Evropës, por pasi shkoi në Afrikë, Arabi, Turqi, Iran, hyri thellë në Rusi, dhe si të mos mjaftonin këto, kapërceu edhe Oqeanin Atlantik për të shkuar në dy Amerikat. Volteri ishte me siguri i pari nga raca e shkrimtarëve që kuturisi të pushtonte botën, si të thuash, pra të ndërtonte një gjeografi globale. Nuk do të ishin të shumtë ata që provuan ta bëjnë këtë gjë pas tij. Mes shkrimtarëve të mëdhenj, botëpushtuesit janë të paktë. Ashtu si në historinë e botës reale ku Cezari është i madh, por nuk është Aleksandër, që kuturis të pushtojë botën i vetëm, edhe në botën e letërsisë ka shumë shkrimtarë të mëdhenj që guxuan të bëjnë shumë gjëra, por iu shmangën sfidës së pushtimit të botës.
Në botën reale, një prijës i madh që të mund të kuturiste të pushtonte botën, duhet t’i përkiste një vendi të madh, të rëndësishëm. Në botën e letërsisë kjo gjë nuk është e domosdoshme. Lexuesi, kur është duke lexuar librat e një shkrimtari të madh, ndër idetë e tjera që krijon, është edhe ajo për të cilën Kadare thotë:
E ndonëse gjer më sot nuk janë botuar harta me zotërimet e tyre, ato janë në ndërgjegjen e të gjithëve.
Është e vërtetë edhe se çdo njeri që lexon veprën e një shkrimtari të madh, hap pas hapi vizaton në mendjen e tij, hartën gjeografike të shtrirjes së ngjarjeve të veprës së këtij shkrimtari, dhe të përshkrimeve të tij. Por lexuesit nuk mund të mos pyesin se përse mungojnë harta të tilla? Me të vërtetë nuk u ka shkuar ndërmend kritikëve letrarë të botës që të bëjnë të tilla, kur edhe ata si lexuesit nuk mund të mos kenë menduar për to spontanisht? Sigurisht që jo. Por kritikët e mençur kanë menduar që t’i shmangin këto harta, se lexuesve mund t’u duket më pak i madh një shkrimtar me famë botërore, kur të shohin se sa pak shtrirje ka në hartë vepra e tij. Kadare shkruan për veten:
Për vite me radhë nuk e kam menduar asnjëherë gjeografinë brenda së cilës vërtitesha. Kjo ndoshta vinte nga fillimet poetike dhe dihet se një nga gjërat e para që mjegullon poezia është saktësia e hartës gjeografike.
A ka qenë me të vërtetë kështu? Apo pas poetit të ri, që akoma endej në hapësira të mjegulluara, fshihej një shkrimtar i ardhshëm botëpushtues, një sfidë kjo nga e cila ishin druajtur shumë shkrimtarë të mëdhenj në të shkuarën? Koha do të tregonte se ishte kjo e dyta. Një poezi e hershme e Kadaresë, e shkruar që në 1957, me titull “Varrimi i Skënderbeut”, na zbulon se ai e ka pasur që herët prirjen për të marshuar në hapësira të gjera gjeografike të botës:
Rrugëve pa fund betejash humbur
U shpërndanë eshtrat e heroit.
Drejt veriut tutje, drejt Danubit,
Ndanë brigjeve ku lufta shkoi.

Ranë jeniçerët nëpër botë,
Fushave betejave pa fund:
Pishat ku përthan veriu i ftohtë,
A ku palmat era i lëkund.

Nën yjet e Afrikës ranë,
A ku dallga hidhet në Bosfor;
N’ Arabinë e largët varret kanë,
Varret kanë larg dheut lindor.

Edhe eshtrat e heroit vrapuan
U varrosën bashkë me ata,
Rrëzave, kështjellave ku shkuan,
Në Ballkan a në Çanak-Kala.

Ku ësht’ dorë e tij e ku janë brinjët
Që i rrihte zemra dikur.
Mbi sa varre vallë vështrojn’ yjet,
Të shënuara me nga një gur.

Afër dorës ndoshta rrahin valët,
Afër brinjës ndoshta fryn tufan;
Përmbi kafkën heshtin vall’ luanët,
Ulurijnë ujqit në Ballkan.

Dhe heroi shpërndarë nëpër botë
Netëve pa fund, oh gjumë s’ka;
Ku buçet e çfryn furtunë e fortë,
Ku rreh dallga në Çanak-kala.

O, si duket, jo një varr i vetëm
Nuk e mbante trimin brenda dot,
Ndaj u sul sërish si erë e rreptë
Fushave të luftës me gallop.

Këtu është njëkohësisht edhe poeti i ri botëpushtues, që së bashku me Skënderbeun turret në hapësirat e gjera të botës. Nëse bën hartën e pushtimeve letrare të Kadaresë na del se kemi të bëjmë me një shkrimtar botëpushtues. Kadareja shkrimtar, kuturisi dhe fitoi atje ku u mundën Napoleoni dhe Aleksandri i Madh. Kadareja hyri në Moskë, madje më tej në Siberi, dhe e nënshtroi dimrin rus. Gjithashtu, Kadareja ndoqi itinerarin e Aleksandrit, kaloi nëpër Turqi, Persi, Egjipt dhe shkoi tutje deri në Kinë. Evropës, e tepërt të thuhet, i ra kryqetërthor. Shkeli në Polin e Veriut, në të dy Amerikat dhe në Afrikë.
Çdo shkrimtar që kuturis të bëhet një botëpushtues ka një dhunti të veçantë. Dhuntia e këtij lloji e Kadaresë e ka origjinën te pasioni i tij për fotografinë, për kinemanë. Kadare na ka bërë të ditur se ai në rini ëndrronte të bëhej kineast, një pasion ky që e ngacmonte deri vonë, aq sa titulli i parë i romanit “Hija”, që ka ngjyrime biografike, është “Kronikë e një kineasti të dështuar”. Dhe ky roman është shkruar kur Kadareja po arrinte në të pesëdhjetat. Nga pasioni për fotografinë dhe kinemanë Kadaresë i ka mbetur dhuntia për të bërë përshkrime të viseve, peisazheve etj., në një mënyrë të tillë që të krijohet përshtypja sikur para syve të tu shfaqet fotografia e vendit apo peisazhit në fjalë. Madje shpesh përshkrimet e Kadaresë janë të tilla që të krijojnë përshtypjen sikur je duke e parë në film vendin apo peisazhin që po na përshkruan autori. Me këtë dhunti të veçantë të shkruari, Kadareja ka mundur të vendosë “garnizonet” e tij të qëndrueshme në hapësirat e pushtuara gjeografike anëembanë botës. Harta e këtyre “garnizoneve” që na shfaqen herë në trajtën e poezisë, herë në atë të prozës, herë midis vjershave dhe poemave, herë midis romaneve, novelave, apo tregimeve, herë midis reportazheve apo intervistave, është me të vërtetë globale. Shpesh nëpër reportazhe ka përshkrime qytetesh, peisazhesh dhe visesh, që do të nderonin një roman të rëndësishëm, por që kanë fatin e keq të mbeten si të thuash në hije, në krahasim me pjesën tjetër të veprës së shkrimtarit. Në vitin 1990, në librin “Ftesë në studio” Kadare bëri si të thuash një bilanc të pushtimeve të tij gjeografike si shkrimtar, ku ndër të tjera thotë:
“Shënime në formë inventari. Projekt për një gid”
Gjeografia. Hapësira tepër e shtrirë. Në tre kontinente. Plus zona hyjnore në qiell dhe nën tokë. Rrafshnalta, stepa, alpe me borë të përjetshme sa dhe vargmale, shkëmbinjtë gjysmë të zbardhur të së cilëve ngjajnë me dasmorë të ngrirë. Dy shkretëtira, ajo e mongolëve dhe e Saharasë. Krahinat e Kra-krasë, ose zonat e shkombëtarizuara. Tokat e Hallallit (të bekuara prej shtetit). Tokat e Harramit (nën terror). Bjeshkët e Namuna. Lugjet e Zeza. Fermat moderne. Fusha hungareze me baltë dhe në dimër.
Që nga koha kur shkrimtari bëri këtë bilanc të “pushtimeve” të tij, kanë kaluar 23 vjet, dhe harta e “pushtimeve” të tij është zgjeruar akoma më tepër gjatë kësaj kohe. Tanimë mund të thuhet me siguri se kemi të bëjmë me një shkrimtar botëpushtues, në kuptimin letrar të kësaj fjale. Natyrisht që kur flitet për një shkrimtar botëpushtues, nuk ka kuptim që të përmenden shtete të veçantë që deri tani nuk bëjnë pjesë në gjeografinë e veprës së tij. Ashtu si kur thuhet se Aleksandri i Madh u nis nga Maqedonia dhe arriti deri në Indi, apo se Napoleoni u nis nga Parisi dhe arriti në Moskë, këto marshime madhështore nuk cënohen nga fakti se këta të dy nuk paskan ndaluar në aq apo kaq qytete gjatë rrugëtimit të tyre.
Meqënëse në rastin e Kadaresë kemi të bëjmë me një shkrimtar të rrallë, botëpushtues, vjen ky album, si një lloj kristali magjik, që na e tregon botën sipas përshkrimeve të një shkrimtari të tillë. Në rastin e një vepre aq të gjerë, si ajo e Kadaresë, ku ka aq shumë gjëra që e joshin lexuesin, nuk mund të mos ndodhë ai fenomen që ndodh shpesh me gurët e çmuar. Kështu, është një gjë t’i shohësh disa lloj gurësh të çmuar, të hedhur grumbull, së bashku me shumë të tjerë, dhe tjetër gjë është t’i shohësh të ekspozuar, më vete. E njëjta gjë ndodh me përshkrimet e viseve, peisazheve, qyteteve në veprën e Kadaresë. Këto përshkrime shkëlqejnë më tepër si të thuash, nëse ekspozohen të veçuar, të evidentuar dhe të pajisur me foto ilustruese të përzgjedhura në mënyrë të tillë që të përputhen me ato imazhe që shkrimtari ka dashur të prodhojë në imagjinatën e lexuesit. Nga ky këndvështrim, ky album mund të shërbejë fare mirë si një guidë turistike e një lloji krejt të veçantë, si një manual që do t’u shërbejë letrarëve të rinj, për të mësuar mjeshtërinë e të shkruarit, por mund të gjejë një përdorim edhe më të gjerë, duke shpresuar se do t’u hyjë në punë nxënësve dhe studentëve, për të njohur më mirë Shqipërinë dhe botën, sipas përshkrimeve të një dore mjeshtërore të klasit më të lartë.
Në këndvështrimin artistik, synimi kryesor i këtij albumi mbetet që të evidentojë një dhunti të veçantë të Kadaresë në krahasim me shkrimtarët e tjerë të mëdhenj, aftësinë e tij për të bërë përshkrime të llojit fotografik dhe kinematografik të viseve, peisazheve, qyteteve, deri edhe ndërtesave të veçanta. Kur nisa punën për të gjetur fragmentet e përshkrimeve që më nevojiteshin për këtë album, kisha mendimin se ato do t’i gjeja më shumë në prozën e Kadaresë se në poezinë e tij. Është krijuar një përshtypje për veprën e Kadaresë se proza e tij është shumë më e rëndësishme se poezia e tij. Në përgjithësi kjo është e vërtetë, dhe vetë Kadareja e ka pohuar disa herë këtë gjë në mënyra të ndryshme, por në rastin e përshkrimeve për të cilat kam folur më lart, guxoj të them se nuk është tamam kështu. Nga këndvështrimi i tyre, poezia fiton një peshë në raport me prozën, që përndryshe nuk e ka, kuptohet pa humbur proza asgjë nga pesha e saj. Në një poemë të hershme, që është “Buzëqeshje mbi botë”, gjendet ky fragment ku përshkruhet bota në disa vargje të kursyera, në një mënyrë të figurshme, që dëshmon ndoshta më mirë se çdo gjë, për dhuntinë e veçantë të Kadaresë, për të qenë një shkrimtar botëpushtues:
Si çobenjtë tanë kur mbajnë në qafë
Një dele të bardhë që e çojnë në vathë,
Ashtu mbaj në qafë
Një shall plot figura:
Qafën time kanë shaluar
Qytete dhe ura,
Në qafën time tunden degët e palmave,
Kishat e Amsterdamit ju bijen këmbanave,
Blloqe kvartalesh rrijnë në radhë,
Në qafën time
Bota si një dele e bardhë.………………………………

Për të gjitha këto unë vura qeleshe,
Qeleshe mbi piramidat,
Mbi Shën Mërinë e Parisit, Mbi koka racash të ndryshme
Qeleshe, Sikur vura mbi botën
Një buzëqeshje.

Atlasi mitologjik e mban botën mbi shpinë dhe e vuan këtë gjë. Kadareja e merr botën dhe e hedh në qafën e tij, siç bariu një dele të bardhë, të bindur, dhe kjo gjë i shkakton një buzëqeshje. A mund të shfaqet më qartë dhuntia e shkrimtarit botëpushtues? Dukej se me këtë poemë, të shkruar në 1962, pra në kohën kur shkrimtari po niste të shkruante korpusin e madh në prozë të veprës së tij, me të cilin do të bëhej vërtet botëpushtues, ai bënte ato që sipas kujtimeve të gruas së tij, Helenës, i quante ushtrime stili.
Sot, një gjysmë shekulli pasi shkrimtari e mori botën dhe e hodhi si një dele në qafën e tij, mund ta përshkruajmë këtë botë të përshkruar prej tij në atë që mund të quhet Atlasi “Kadare”, dhe që është një lloj i veçantë Atlasi gjeografik i botës së përshkruar nga Kadare. Një atlas i tillë do të mund të ndërtohej me përshkrimet gjeografike që gjenden në veprën e Ismail Kadaresë. Kuptohet se ka shumë mënyra sipas të cilave mund të ndërtohet një Atlas. Por në përgjithësi, në atlaset gjeografike ka një rregull që renditja e hartave të shteteve bëhet sipas kontinenteve të cilëve ata iu përkasin. Për Atlasin “Kadare” unë do të pëlqeja që ai të mos ndahej sipas kontinenteve të njohura, apo sipas hemisferave në të cilat është i ndarë globi, por të ndahej në dy pjesë. Në atë pjesë të botës, që mund ta quajmë në vende që autori i ka njohur dhe shkelur duke qëndruar gjatë në to, dhe në atë pjesë të botës ku Kadare nuk ka shkelur kurrë, por që megjithatë e ka përshkruar gjerësisht në librat e tij.
Megjithatë, lexuesi i cili njihet me përshkrimet gjeografike të Kadaresë, nëpërmjet librave të tij, pa e ditur se cilët nga vendet që përshkruan shkrimtari i ka shkelur me këmbë dhe i ka shëtitur gjerë e gjatë para se t’i përshkruajë, nëqoftëse ky lexues është njohës i këtyre viseve, e ka të vështirë ta dallojë se shkrimtari nuk i ka shkelur të gjitha viset që përshkruan në librat e tij. Këtë gjë kam pasur rastin që ta kuptoj vetë gjatë bisedës së rastësishme që pata me një kritik letrar amerikanolatin për Kadarenë, gjatë udhëtimit tim të parë në Panairin e Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt në 1999. Amerikanolatini i cili ishte njohës i mirë i veprës së Kadaresë, më tha se Kadareja ishte njeri me fat që diktatori komunist Enver Hoxha krijoi marrëdhënie të mira me Turqinë, se kështu shkrimtari mundi të vizitonte shpesh dhe ta njihte mirë Turqinë, vendin ku gjendej ish-kryeqyteti perandorak otoman, i cili shfaqet aq shumë në librat e Kadaresë. Pa këtë mundësi që pati Kadareja për të njohur ish-perandorinë otomane në qendrën e saj, me siguri që Kadare nuk do të ishte në gjendje t’i shkruante ato vepra të tij të mrekullueshme për perandorinë otomane, përfundoi amerikanolatini.
Ai u habit shumë kur unë i thashë se Kadare, para vitit 1990, pra në kohën kur shkroi atë pjesë të veprës për të cilën fliste tjetri, nuk e kishte vizituar Turqinë, përveçse njëherë për pak ditë. Është e sigurt, i thashë unë se Kadare ka qendruar për shumë më tepër ditë në Kinë dhe në Vietnam se në Turqi. Amerikanolatini u habit shumë dhe më tha se nëse ishte vërtet kështu, atëherë ky ishte një rast krejt i veçantë në letërsinë botërore që meritonte studime të veçantë nga ekspertët. Unë e miratova idenë e tij dhe shtova se shpresoja që të kishte studime të tilla, pse jo dhe nga studiuesit turq. Por megjithatë deri më sot nuk ka pasur studime të tilla as nga studiuesit shqiptarë, e jo më nga ata turq.
Në fakt, të njëjtën ndjenjë si amerikanolatini pata edhe unë kur pas vitit 1990 bëra një vizitë për herë të parë në Stamboll, ish-kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Natyrisht që Stambolli i sotëm ndryshon shumë nga ai i periudhës osmane, megjithëse duhet thënë se shumë e shumë gjëra janë ruajtur që nga ajo kohë. Unë kisha me vete një guidë të Stambollit osman, ku tregohej se si kishte qenë qyteti në atë kohë me fotografi dhe me harta urbanistike. Nëpërmjet asaj që shikoja në qytet si dhe me ndihmën e guidës së hollësishme u zhyta në të shkuarën dhe befas bëra një zbulim të çuditshëm. Kadare ka thënë një gjë, e cila duket qartë edhe nga leximi, se kur përshkruan kryeqytetin osman te “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” ka dashur të përshkrujë qendrën e kryeqytetit të shtetit komunist shqiptar, Tiranën, në intinerarin nga shtëpia e tij, te selia e Komitetit Qendror të PPSH. Kadare shkruan:
Rrugës për në shtëpinë botuese, u ktheva te hotel “Tirana” për të pirë një kafe. Shpirtin e kisha të qetë por me një qetësi të frikshme, të ngrirë si kristal. Nga qelqnaja e kafesë së hotelit dukej krejt sheshi “Skënderbe”. Ngrehinat e ministrive. Banka e Shtetit. Minareja e xhamisë dhe Kulla e Orës, gjysmë në mjegull. Gati pa dashur, si rastësisht, duart e mia nisën të shfletonin dorëshkrimin. Lërë, i thosha vetes, mos e trazo këtë vdekje të kristaltë… Por duart nuk më bindeshin. Dhe atëherë e kuptova se ai shfletim s’qe aspak i rastit. Sytë e mi u ndalën diku nga faqja e dyqindtë a treqindtë, aty ku niste “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. E lexova ngadalë faqen e parë. Ndonëse kryeqyteti që përmendej në të duhet të ishte i Perandorisë Otomane, dukej fare qartë se ai qytet i përbindshëm, bashkë me pallatin e tmerrshëm të ëndrrave, nuk ishte veçse Tirana. Ja ministritë, ja Banka e Shtetit. Ja më në fund xhamia dhe Kulla e Orës në mjegull. Dhe më tutje ndërtesa masive e Komitetit Qendror… Dhe atje ishin mekanizmat, dosjet, skenarët e komploteve, gjithë delirët e kësaj bote plot ankth, ku fati më kishte dënuar të jetoja.
Unë në Stamboll bëra zbulimin e kundërt, se Kadare kishte përshkruar saktë edhe kryeqytetin osman në thelbin e tij totalitar. Sigurisht që atje nuk ishte Tabir Saraji i vërtetë, por disa pallatet e institucioneve perandorake të kohës otomane kishin hijen e Tabir Sarajit, dhe imazhi i tij ishte i shpërndarë nga pak te të gjitha ato. Ndjenja se po bëja të njëjtin rrugëtim si ai që përshkruan Kadare se po bënte Ebu Qerimi, ditën e parë që po shkonte në Tabir Saraj ishte shumë e fortë:

Rruga gjer në Tabir Saraj ishte më e gjatë se ç’e kishte menduar dhe, veç kësaj, në këtë sqotë mund të rrëshqitje mbi kalldrëm.
Po kalonte përpara Bankës Qendrore. Më tutje dukeshin karroca të shumta të mbuluara me brymë përpara një ngrehine tjetër masive, që kushedi e ç’ministrie ishte… Ra një orë diku nga e majta, me një tingull të bronztë, si në punë të vet, larg në mjegull… Larg iu duk se dalloi njërin krah të Tabir Sarajit. Kur u afrua dhe pak, e kuptoi se nuk kishte gabuar. Ishte vërtet ai, me kupolat e zbehta, të lyera me një ngjyrë, që dikur duhej të kishte qenë e kaltër, ose, së paku, ngjyrë gurkali, dhe që tani mezi dallohej nga sqota. Kjo ishte një nga pjesët anësore të tij, kurse hyrja duhej të ishte nga rruga tjetër.
Ebu Qerimi i erdhi rrotull një sheshi gjysmë të shkretë, ku ngrihej një xhami me minare çuditërisht të hollë. Hyrja ishte vërtet nga rruga tjetër.
Kështu m’ u duk se gjendesha paralelisht edhe në qytetin e përshkruar nga Kadareja te “Pashallëqet e mëdha” (“Kamarja e turpit”), “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” (“Pallati i ëndrrave”), “Komisioni i festës”, “Qorrfermani” etj. Në linja të përgjithshme mund të thuhet se kishte një ngjashmëri të çuditshme mes kryeqytetit osman real dhe atij të përshkruar nga Kadare. Ndoshta shkrimtari me gjenialitetin e tij kishte kapur thelbin e ngjashëm që gjendet në çdo kryeqytet totalitar.
Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me romanin e parë të Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një pjesë e ngjarjeve të të cilit zhvillohen në Itali, një vend ky të cilin shkrimtari në kohën që e shkroi romanin nuk e kishte vizituar ende.
Një vend ku shkrimtari nuk ka qenë kurrë gjatë jetës së tij, shkretëtira, ka hyrë në gjeografinë e veprës së tij me një përshkrim shumë të ndjerë të Saharasë, që vlen aq sa një libër i tërë mbi një udhëtim në këtë shkretëtirë gjigande. Kadare shkruan për këtë në librin “Autobiografia e popullit tim në vargje”:
Ishte një natë e errët, fund tetori. Aeroplani ynë kishte dy-tri orë që ishte ngritur nga aeroporti i Karaçit dhe i duheshin akoma dy-tri orë për t’u ulur në aeroportin më të afërt, atë të Kajros. Dhjetë kilometra poshtë nesh, e ftohtë, e vdekur, nën një hënë si prej kauçuku, shtrihej shkretëtira arabike. S’kishte gjë më të pikëlluar se ajo zbrazëti rëre, sipër së cilës pasqyrimi i hënës zhvendosej ngadalë si një sy pa jetë.
Prej këtij udhëtimi ka lindur edhe një poezi e mrekullueshme, me titullin “Sahara”, për të cilën duket e pamundur që të jetë shkruar nga një njeri i cili nuk e ka shkelur kurrë me këmbë këtë shkretëtirë:

Perandori e madhe e tharë,
Dikur pjellore, plot blerim.
Po ç’dhimbje ke provuar vallë,
Kur parandjeve shterpësinë?

Kur zvogëlohej trupi i kafshëve
Dhe shtat i drurëve mbi dhe.
T’u thanë në qiell vetëtimat
Si bobokuqet në shëndre.

Njëri pas tjetrit vdisnin shirat.
Dhe iknin retë me karvane.
Si ura që pas ikjes shemben,
Me rrapëllimë ylberet ranë.

Dhe gjithçka iku. Të braktisën
Lumenj e zogj e flokë bore.
E vetme mbete më në fund
Në menopauzën madhështore.

Por ajo që të bën veçanërisht mbresë në librat e Kadaresë është përshkrimi që ai i bën asaj pjese të botës të cilën e ka vizituar, e ka njohur pak a shumë. Si një ligj i pashkruar, përshkrimet gjeografike në veprën e shkrimtarit pasojnë udhëtimet dhe zhvendosjet e tij në qytete dhe vise të reja në Shqipëri dhe në botë. Kështu, në veprën e tij është në rradhë të parë bota shqiptare ajo që shfaqet, duke nisur që nga vendlindja e tij, Gjirokastra. Shumë shkrimtarë të mëdhenj, pas fillimeve të tyre letrare, i largohen temës së vendlindjes në veprën e tyre i shmangen përshkrimit të gjerë të vendlindjes. Me Kadarenë ndodh ndryshe. Vendlindja ka qenë një temë konstante e veprës së tij. Ai i rikthehet vazhdimisht asaj në romane, tregime, poezi. Nëse do të bëhej një studim i veçantë për vendin që ze qyteti apo fshati i lindjes në gjeografinë e veprës së shkrimtarëve të mëdhenj, dhe posaçërisht për përshkrimet që ata i kanë bërë qytetit apo fshatit të tyre të lindjes, shumë pak prej tyre do të konkuronin me këtë përshkrim që Kadare i ka bërë qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës:

Ky ishte një qytet i çuditshëm, që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si një qenie prehistorike dhe, duke u kacavjerur me mundime të mëdha i ishte qepur faqes së malit. Gjithçka në këtë qytet ishte e vjetër dhe e gurtë, duke filluar nga rrugët dhe çezmat e gjer te çatitë e shtëpive të tij të mëdha, shekullore, që ishin të mbuluara me pllaka guri ngjyrë gri, të cilat u ngjanin luspave gjigante. Ishte e vështirë të besoje, se nën ato koraca të forta gjëllonte dhe përtërihej mishi i butë i jetës.

Çdo udhëtari që e shikonte për herë të parë, qyteti i zgjonte dëshirën për të bërë një krahasim, por menjëherë, pasi udhëtari binte në grackë, qyteti e flakte krahasimin, sepse ky ishte një qytet që nuk ngjante me asgjë. Ai nuk i mbante gjatë krahasimet, ashtu siç nuk mbante gjatë shirat, breshrin, ylberet dhe flamurët e shumëngjyrshëm të huaj, që iknin siç vinin mbi çatitë e tij, aq të përkohshëm e irealë sa ç’ ishte ai i përjetshëm dhe konkret.

Ky ishte një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe të urbanistikës. Nga shkaku i pjerrësisë së madhe ndodhte që në nivelin e çatisë së njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës, dhe me siguri ky ishte i vetmi vend në botë ku njeriu, po të rrëzohej në anë të rrugës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e ndonjë shtëpie të lartë. Këtë gjë më mirë se kushdo e dinin pijanecët. Ishte me të vërtetë një qytet shumë i çuditshëm. Ti mund të ecje rrugës dhe po të doje, mund të zgjatje pak krahun dhe ta vije kapelen tënde mbi majën e një minareje. Shumë gjëra këtu ishin të pabesueshme dhe shumë gjëra ishin si në ëndrra.

Në qoftë se një qytet kaq i i jashtëzakonshëm dhe i çuditshëm do të nxirrte një shkrimtar të madh, ai nuk mund të ishte veçse një shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe i çuditshëm si Kadare, të cilin fati e çoi papritur që në fëmijërinë e hershme në shtegun e pjerrët të një diktature të tillë të ashpër nga ato që rrallë i ka parë njerëzimi në historinë e tij. Diktatori që e kishte projektuar dhe ndërtuar këtë diktaturë ishte një bashkëqytetar i tij, Enver Hoxha. I stërvitur në qytetin e tij të pjerrët, Kadare mësoi të orientohet dhe të mbijetojë në shtigjet djallëzorë të kësaj diktature ku rruga e lavdisë mund të të çonte në një labirint ku mund të humbisje dhe të përfundoje në greminë, ashtu si Sokaku i të Marrëve, rruga e fëmijërisë dhe e rinisë së hershme të shkrimtarit dhe diktatorit për të cilën rrugë shkrimtari shkruan:

Rruga e Varoshit ngjitej përpjetë me mundim, kurse nga e djathta e saj zbriste furishëm rruga e Gjobekut, e cila pasi i largohej shtëpisë me fibër të murgeshave italiane, sikur kjo të kishte murtajën, vinte e përplasej me rrugën e Varoshit dhe nga përplasja të dyja ishin shtrembëruar. Më tutje, Sokaku i të Marrëve, i verbër e kokëfortë, i sulej rrugës naziqe të gjimnazit, por kjo në çastin e fundit i bënte bisht goditjes dinakërisht duke u mënjanuar pak. Atëherë Sokaku i të Marrëve lëshohej tatëpjetë, mes për mes lagjes, sikur kërkonte sherr dhe, gjatë këtij vrapi bënte ca dredha nga më të papriturat e më të habitshmet.
Te “Kronikë në gur” shkrimtari ka infiltruar përshkrime të letërsisë së anatemuar moderniste perëndimore të llojit surrealist, si ky fragment kur përshkruan sulmin e kaçubeve ndaj qytetit:

Dhe nuk ishte e rastit që kaçubat sa vinte e bëheshin gjithmonë e më të patrëmbura, duke mbirë aty ku s’e prisje: në mesin e rrugës, pranë çesmës, brenda oborrit, bile njëra u përpoq të dalë mu te pragu i portës. Kuptohet se ky ishte një guxim i marrë dhe i parakohshëm që i kushtoi jetën.

Kaçubat ndillnin vdekjen. Duke bredhur me Ilirin në lagjet e sipërme, aty ku kalon kufiri i malit dhe i qytetit, kishim vënë re se prapa linjës së gërmadhave të shtëpive të fundit, që ishin braktisur prej kohësh, kishin dalë kaçubat. Ato kishin dalë e përgjonin si bisha të vogla, tinzare. Gjithë qyteti ishte rrethuar prej tyre. Natën kisha dëgjuar se ato ulërinin. Kjo ishte një ulërimë e mbytur, që mezi ta kapte veshi gati-gati një dënesë.
Pastaj shfaqet gjerësisht edhe qyteti i parë i madh europian që shkrimtari vizitoi dhe njohu mirë, Moska, por edhe Bashkimi Sovjetik në përgjithësi, që ishte vendi i parë i huaj që vizitoi shkrimtari dhe ku jetoi për një kohë relativisht të gjatë. Që shumë herët në gjeografinë e veprës së shkrimtarit shfaqet edhe Skandinavia, por jo Suedia e Çmimit “Nobel”, por dy vendet fqinje me të Finlanda dhe Danimarka. Që në 1962 kur ishte vetëm 26 vjeç shkrimtari pati mundësi të vizitonte Finlandën dhe Danimarkën dhe me këtë rast shkroi disa poezi si dhe një poemë, mbi mbresat e këtij udhëtimi. Suedinë as që guxoi ta përmendë, se me sa duket e kuptonte që regjimi komunist do të mprihte vëmendjen ndaj tij duke thënë: Po Suedia nga na doli, ti nuk ishe atje, apo mos ndoshta ëndërron për atë, Çmimin Nobel?

Helsinki dhe Kopenhageni janë dy qytetet e para perëndimore që vizitoi shkrimtari dhe jo rastësisht për to shkroi vetëm si poet dhe si gazetar. Këto qytete nuk zunë vend në gjeografinë e prozës letrare të Kadaresë. Ndoshta kontakti i parë aq i dëshiruar me Perëndimin nuk mund të shprehej veçse me gjuhën e poezisë, ndërsa reportazhi gazetaresk ishte thjesht një detyrim që ai e kishte për të justifikuar vizitën e tij në këto vende, me rastin e një kongresi ndërkombëtar rinie.

Në Danimarkë, shkrimtari do të kthehej përsëri rreth dhjetë vite më pas dhe këtë herë ai do të kishte rastin që të pasuronte gjeografinë e veprës së tij edhe me kështjellën daneze ku Shekspiri vendosi ngjarjet e tragjedisë “Hamleti” për të cilën Kadareja na ka lënë një përshkrim mahnitës:
Në qoftë se udhëton nëpër Danimarkë, ke apo s’ke lidhje me letërsinë, ideja e fantazmës mbretërore të ndjek herë pas here. Në çantë (atë e kisha hequr tani nga tryeza dhe e kisha flakur mbi karrige) kisha disa shënime për kështjellën Kronsborg, apo kështjella e Hamletit siç e quajnë gjithë bota. Ishte një kënaqësi e vërtetë ta vizitoje Elsinorin në një ditë vjeshte. Në qytetin e vogël ndihej sundimi i princit të pikëlluar. Hotel “Hamlet”. Afishe: Vizitoni barin “Ofelia”. Cigare “Princ”.

Kështjella ishte e kuqërremtë. Rreth e rrotull ndiheshin arti dhe krimi. Kanali rrethues ku u mbyt Ofelia. Korridoret dhe shkallët e intrigave. Apartamenti i mbretëreshës me dritare nga deti. Perdja prapa së cilës ishte fshehur Polloni. Ledhi ku u shfaq për herë të parë fantazma.

I kisha parë me hollësi të gjitha këto.

Më vonë, pas vitit 1990, kur shkrimtari do të kishte mundësi që udhëtonte shumë më lirisht sipas dëshirës së tij, ai u rikthye në Danimarkë, për arsye që nuk është e vështirë të kuptohen për të bërë kërkime të reja për dosjen hamletiane të tij, madje shkoi për vizitë edhe në kështjellën ku kishte ndodhur me të vërtetë tragjedia e Hamletit dhe prej kësaj vizite do të vijë në librin “Hamleti princi i vështirë” një përshkrim-perlë i kështjellës historike ku kanë ndodhur ngjarjet e tragjedisë së Hamletit, të përshkruara nga Shekspiri:

Siç ndodh me ngjarjet e moçme që ndrydhin mister, në pamundësi për të gjetur modelin platonian, ne ndiejmë dëshirën të shkojmë te vendi ku ka zënë fill gjithçka. Te gurët shekullorë, të lëmuar tashmë nga era, te rrahu i zymtë, te çmërsi. Në rastin e Hamletit është rrafshulta e Jutlandit, një humbëtirë në veri të Danimarkës, pranë dunave me rërë dhe acarit verior. Nuk ka as mbretër e as princ e trumbeta. Ka dy vëllezër, të dy kryezotë të krahinës, Horvendill dhe Fengo, që qeverisin me sa duket bashkërisht. Është një grua midis, bashkëshortja e Horvendillit dhe kunata e Fengos. Është djali i vetëm i çiftit, Amleti ose Amlethi. Së fundi, është fantazma e Horvendillit, ajo që sipas Coleridge-it përfaqëson ndërhyrjen nga bota e përtejme, atë që vjen të prishë drejtpeshimin.

Më pas gjeografia e veprës së tij pasurohet duke u shfaqur në të Kina, Vietnami, SHBA, Gjermania, Spanja. SHBA shfaqet në poezi dhe në prozë, madje çuditërisht më shumë se çdo vend tjetër në përpjestim me kohën që ka qëndruar atje. Nuk mund të mungonin në gjeografinë e veprës së shkrimtarit vendet fqinje me Shqipërinë, Italia dhe Greqia. Parisi dhe Franca, ndonëse shkrimtari i ka njohur dhe shëtitur mirë, dhe ka kaluar tanimë një kohë të gjatë duke jetuar atje, shfaqen çuditërisht më pak se do të mendohej në veprën e tij letrare. Në fakt, vetëm ngjarjet e një romani të Kadaresë, atij “Hija” zhvillohen kryesisht në Paris. Gjeografia e veprës së Kadaresë kalon përmasat e planetit dhe takohet me astronominë, duke shkuar deri thellë në hapësirën kozmike. Që herët te shkrimtari shfaqet ajo prirje për t’i parë gjërat e kësaj botë në një këndvështrim kozmik.

“Llora”
Qëndrova përpara globit
Ballin e nxehta mbështeta
Mbi rrudhat e meridianëve.
Do të desha të pija me globin,
Të endeshim të dy të dehur,
Ai mes kozmosit
Unë rruginave të Tiranës.

Kur bëhet harta e gjeografisë së veprës së një shkrimtari, aq më tepër e një shkrimtari botëpushtues, është me vlerë që bashkë me të paraqiten edhe detaje të tjera, siç është harta e intinerarit personal të shkrimtarit, e shtëpive të ndryshme në të cilat ka banuar ai, se këto lenë gjurmë te ai dhe ndikojnë në një masë apo në një tjetër në veprën e tij. Për Kadarenë e dimë se shtëpia e tij e lindjes në Gjirokastër ka lënë mbresa të mëdha te ai. Shumë mbresa duket të ketë lënë edhe shtëpia tjetër e tij në Tiranë, shtëpia e tretë në të cilën banoi në Tiranë, në Rrugën e Dibrës, e njohur si pallati me kuba, në gjuhën popullore, një ndërtesë kjo që i shkaktoi jo pak probleme shkrimtarit. Kjo për arsye se u bë shkak që në një periudhë të vështirë të jetës së tij, t’i rëndohen akuzat për prirje properëndimore, dhe në vazhdim të shërbente si provë materiale e këtyre prirjeve të tij. Shtëpia e një shkrimtari është tempulli i tij. Kështu duket se e ka parë Kadareja shtëpinë e tij në përgjithësi, në Gjirokastër, Tiranë, Paris, Durrës. Ndonëse për të shkruar, ka parapëlqyer kafenetë para studios në shtëpi, nuk është e vështirë të kuptohet, për një njeri të lindur dhe të rritur në një shtëpi të madhe, siç është ai, se fakti se ku banon ka një ndikim jo të pakët në veprën e tij. Është interesante që të bëhet një kategorizim i veprës së tij sipas shtëpive ku ka banuar, duke përfshirë edhe konviktet.

Kur u konceptua Çmimi Nobel në letërsi, ideja ishte që juria e tij të shërbente si një lloj arbitri ndërkombëtar i botës së letrave. Që kur ka nisur të jepet Çmimi Nobel, nuk më rezulton që ai t’i jetë akorduar ndonjë shkrimtari vërtet botëpushtues, në kuptimin letrar të fjalës, ndonëse për pjesën më të madhe të kohës kur është dhënë ky çmim, nuk është faji i jurisë, për shkak se nuk më rezulton as që të ketë pasur ndonjë shkrimtar vërtet botëpushtues në këtë periudhë. Në fakt, Kadare është i vetmi shkrimtar vërtet botëpushtues që ka jetuar dhe shkruar që nga koha kur ka nisur të jepet Çmimi Nobel. A e ka të qartë juria e Çmimit Nobel këtë gjë, apo ndoshta u duhet edhe akademikëve të nderuar suedezë një album i tillë, që të perceptojnë vlerat e vërteta të këtij shkrimtari të madh nga një vend i vogël? Ismail Kadare ka thënë një herë në një intervistë në vitin 1990 se sa më herët që ta marrë një shkrimtar Çmimin Nobel, aq më mirë është. Kjo natyrisht është e vërtetë në përgjithësi, por guxoj të them se për një shkrimtar të llojit të botëpushtuesve, është e kundërta, pra sa më vonë ta marrë aq më mirë është, se kështu do të jetë shfaqur më tepër statura e tij si shkrimtar botëpushtues, në kuptimin letrar të fjalës. Sidoqoftë Kadare është sot 80 vjeç, dhe ndonëse të gjithë i urojmë që të jetojë sa më gjatë, nuk mund të mohohet se është në një moshë kur natyra mund ta nxjerrë nga gara për Nobelin, se ky çmim siç dihet, u jepet vetëm të gjallëve. Kështu që edhe si shkrimtar botëpushtues, është në limitin e duhur të kohës për t’iu akorduar ky çmim, në rast se nuk ia ndalojnë këtë shpërblim të merituar për arsye jashtëletrare të pandershme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here