Letërsia për femijë e Adelina Mamaqit

Filed under: Letërsi |

 

 

Dallueshmëria dhe papërsëritshmëria e një shkrimtareje të shquar

 

Letërsia për femijë e Adelina Mamaqit

 

 Nga qëmtimi i lëndës krijuese, gjithashtu kuptoj se, Adelina i dha kodin e magjinë e saj universit të letërsisë për fëmijë, shenjoi në të: dashuri, ngrohtësi, çiltërsi, ngjyra dhe shpërfaqi ëndrra të pafund që i ka vetë bota dhe jeta e fëmijëve, shpërfaqi botë dhe jetë përrallore, të cilët fëmijët nuk mund të jetojnë pa to.

 

 

Nga Xhahid Bushati

 

 

 

Emri i Adelina Mamaqit u shfaq në fushën e letrave shqipe, aty, nga fundi i viteve ’50. Në agimin e viteve ’60  botoi librin e parë poetik për të rritur “Ëndrra vashërie”. Si dëshmi e kësaj vepre poetike, krijuesja Adelina Mamaqi u bë poetja e parë në letërsinë shqipe. Të kësaj letërsie, që në kontekstin historiko – shoqëror e të zhvillimit të procesit letrar të saj, studiuesit dhe kritika letrare e emërtuan  me  termin letërsi e re. E cekëm këtë problem që në krye, sepse, kohët e fundit ka disa interpretime jo të sakta në lidhje me vendin letrar dhe shfaqjen në fushën e letrave shqipe  të  poetes Adelina Mamaqi. Interpretimi i fundit është ai i studiueses Baviola Shatro, e cila thotë:  “… po të mendojmë që me përjashtim të Musine Kokolarit, deri në vitet ’60, nuk ka pasur krijuese femra në letërsinë tonë (pa dashur të hyjmë, sidoqoftë në shtjellimet brenda domenit të studimeve  gjinore). Studiuesja në fjalë, vazhdon më tej, dhe fokusohet në vitet ’30.  Duke u pikënisur nga ato vite, si element përgjithësimi ajo përforcon mendimin e saj, duke i shtuar atij edhe këtë sintagmë: “Nga kjo hapësirë boshe botimesh e dokumentimi të qenësisë së gruas…”. Kontributi letrar i poetes Adelina Mamaqi i pozicionuar në fundin e viteve ’50 dhe më dukshëm në fillesën e viteve ’60, është argumenti më i mirë, që  na bën të pohojmë se, nuk jemi të një mendjeje nga pikëpamja shkencore dhe të procesit historiko-letrar, me studiuesen Shatro. Gjithashtu, mendojme se studimi i çfarëdo periudhe  historiko-letrare qoftë ajo, veçanërisht, studiuesit të letërsisë, i kërkohet njohje e thellë, ndjekje procesi e ngulmim shkencor, kulturë e saktësi, aq më shumë kur segmente të kësaj periudhe që i qaset studiuesja, janë ende të pastudiuara a shpesh u mungon edhe thellësia e interpretimit shkencor në rrafshet: lineare, deskriptive e krahasuese, pa përmendur ato në diakroni e sinkroni.

 

Përjetimi i saj poetik

 

 

Siç ndodh jo rëndom, zakonisht ndodh me poetët dhe tek poetët e vërtetë, po në këtë vit Adelina, në krijimtarinë e saj, ndërron objekt e psikologji, vështrim e personazh, problematikë e tematikë, fantazi e situatë,  imazhe dhe lexues. Në vitin 1963 boton librin për fëmijë “Bubi i vogël”.

Komunikimi, përjetimi i saj poetik dhe përcjellja e këtij përjetimi, ka një tjetër marrëdhënie e auditor. Ai është i mbushur me parashkollarë e shkollarë. I përkushtohet me një devocion e përkushtim serioz letërsisë për fëmijë; por nëpër vite, nuk do ta humbas kontaktin edhe me poezinë për të rritur, ndoshta nisur si dashuri e parë krijuese, ndoshta nisur si mall që e thërret dhe e përvëlon, ndoshta nisur, se shpirti i saj ka ende fjalë e motive për të thënë… Ndonëse u bënë tre ndoshta, koha dhe koha poetike e Adelinës i bëri të vërteta… Ajo, pas tre dekadash e gjysmë boton librin poetik për të rritur “Një mjelmë nga vitet”, Botues: Libri Shkollor, Prishtinë, 2003.

Ishte kujtesa ajo, që na erdhi në ndihmë si arkiv, për të risjellë fillimin e udhës poetike të autores, udhë, pavarësisht largësisë së viteve, plotëson në  mënyrë të plotë biografinë artistike të saj.

Në afro pesë dekada, autorja krijoi raporte të ngushta me letërsinë për fëmijë. Në mënyrë të vetëdijshme e spontane derdhi frymëzimin e saj për të. Në këtë frymëzim, përcaktoi poetikën e saj të dritësisë, që rrezaton nga libri në libër. Ky rrezatim vazhdon edhe sot e kësaj dite të dritësojë lëndën poetike që shtohet dita-ditës.

Gjatë leximit të tekstit që na ofron shkrimtarja Adelina Mamaqi dhe qasjes ndaj tij, mësojmë se, librat që ajo krijon, për të janë dritaret e shpirtit; e përsëri, se librat që ajo krijon janë shkruar për t’i prirë lumturisë.

Krijimtaria letrare e Adelina Mamaqit, në  rrafshin krahasues të individualiteteve krijuese bashkëkohës dhe të mëvonëshëm që kontribuojnë në letërsinë për fëmijë, qëndron në vlera të veçanta dallueshmërie dhe papërsëritshmërie. Shkrimtarja Adelina Mamaqi është profil më vete, me qenësi dhe karakteristika që i ka vizatuar dhe thelluar talenti i saj, talent që ka sjell nga njëri libër në tjetrin, përherë prurje kualitative, ku spikat, veçanërisht, opusi letrar i botuar pas viteve ’90, opus që numëron afro 21 vepra letrare, vepra që u adresohen disa klave moshore, e që përmbajtësohen me kriter gjinie: poezi e prozë, si dhe me një larmi zhanresh të ndryshme letrare.

 

Krijimatria në dy periudha

 

 

Rrjedha e krijimtarisë së shkrimtares Adelina Mamaqi, paraqitet përmes dy tablove apo më saktë përmes dy periudhave kohore dhe një “pauze”, siç do ta quaj unë.

Periudha e parë nis me librin “Bubi i vogël” dhe daton, siç e përmenda më lart, në vitin 1963. Pastaj vazhdon me një bibliotekë librash nëpër vite, deri në vitin 1990. Hapësira dhe spektri tematik, problematik e kriteri gjinor është më i gjerë. Paraqet interes prurjet dhe individualiteti i saj krijues, dhe bëhet objekt studimesh i shkrimtarëve dhe i studiuesve: Odhise Grillo, Bedri Dedja, Agim Deva, Astrit Bishqemi, Faik Shkodra, Xhevat Syla, Fatos Kongoli, Ibrahim Ibishi. Kjo periudhë mbyllet si proces studimi me monografinë dinjitoze të titulluar “Shpirti plot rubinë” (studim: Vepra letrare e Adelina Mamaqit), autore Shukrie Rama, botim Shtëpia Botuese Rozafa, Prishtinë, 2007), si dhe me shkrimin analitiko-didaktik  ”Kopshti i bukur” i vjershave dhe përrallave të Adelina Mamaqit” (Profile letrare” (studime) Milaim Nelaj, botim OMSCA-1, Tiranë, 2008).

Në këto shkrime dhe studime evidentohen disa tipare të krijimtarisë së kësaj autoreje, të cilat vizatojnë qartë prirjet e individualitetit të saj krijues. Dukuritë e shfaqura rreth këtyre prirjeve të individualitetit krijues që kanë evidentuar studiuesit po i përmbledhim në mënyrë substanciale:

Periudha e dytë, të cilën do ta e quaja “pauzë”, ka si cak vitin 1990. Vazhdon afro një dekadë. Janë vite emigracioni që shoqërohen nga dhembje të pafundme, dëshira dhe ëndrra të trazuara si vetë dallgët e detit, nga malli e dashuria që i kanë si thesare të veçanta, veçanërisht poetët. Emri i poetës së mirënjohur sikur “hesht” në botime e në publikime të përditshme, boton më pak, por vëzhgon jetën më me vëmendje. Akumulon më shumë në laboratorin e saj krijues.

Periudha e tretë që fillon, aty, te pragu i vitit 2000 e që është në vazhdim, autorja ka një buum botimesh. E pritshme. Botimet e kësaj periudhe flasin, veçanërisht, në pikëpamje të stilit dhe të poetikës së saj. Shfaq risi të reja, në të cilat “fshihen”  pjesë të tjera të panjohura të personalitetit krijues, që tashmë marrin një zgjerim e plotësim të mëtejshëm.  Nuk gaboj po të them se është e vetmja shkrimtare e letërsisë për fëmijë që sjellë risi të reja në krijimtarinë e saj dhe në letërsinë shqipe për fëmijë, e cila duke u ballafaquar me ndryshimin e kontekstit historiko-shoqëror ende mes vlerës dhe antivlerës, mes letërsisë së rrugës e manisë për të botuar.

Kjo periudhë (e tretë) është pothuajse e “paprekur” nga kritika e studimet tona letrare, përveçse ndonjë sythi a gjethi poetik të vënë re nga disa  studiues të paktë. Lënda krijuese që na ka ofruar autorja, kërkon interpretime nga kritika letrare. Në periudhën e tretë personaliteti artistik i Adelina Mamaqit merr konfigurime të reja. Pa dashur të marr përsipër shterrimin e problemeve dhe të dukurive që paraqesin librat e kësaj dekade, po paraqes disa veçanësi, që mendoj se përbëjnë vlera jo vetëm për krijimtarinë e autores, por edhe me këtë fazë zhvillimi të letërsisë shqipe për fëmijë, ashtu siç e përmenda më lart.

Në tesktet e ofruara, krijimtaria e mirëfilltë dhe e re e autores, zë pjesën dërmuese. Përmendim: “Përrallëzat e shkronjave”, “Lodërzat e alfabetit”, Ora e Shibës”, “Xhoi Toi”, “Sa shtëpi ka dielli?”, “101 gjëegjëza”, “Ariu dhe dy karriget”, etj.

 

Përfundim

 

Në tavolinën time të punës kam gjithë librat e poetes Adelina Mamaqi. I shikoj dhe më shikojnë. U flas dhe më flasin. Sjell nëpër mend të bëj një përcaktim përfundimtar. Shkrimtarët janë, përsëri, ato, që, të parët të vijnë në ndihmë. Kujtoj një thënie të Mitrushit të Madh, i cili thoshte: “Autori i përrallave është shkrimtari më i madh dhe më i talentuar i gjithë kohërave,…”  Mendoj se këto fjalë plot dritë i takojnë meritueshëm shkrimtares Adelina Mamaqi!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

2 Responses to Letërsia për femijë e Adelina Mamaqit

  1. oj adelina mamaqi o ti je nje shkrintare shum e bukur dhe te gjith femijet ty te duan dhe te gjith shkrimtaret etj.

    elsa
    April 2, 2013 at 3:48 pm
    Reply

  2. oj adelina mamaqi ti je nje shkrimtare shum e bukur dhe te gjith femijet ty te duan qe ti i shkruan gjith poezit te bukura.
    te gjith poezit i ke shkruar me gezim edhe me pelqyena mua shum ti je nje shkrimtare e njohur qe i shkruash poezit une jam elsa nxense e klases se 3 dhe gjith poezit i kam mesuar qe i ke shkruar ti.
    une ty te dua shum me plot gezim sepse je shkrimtare e bukur dhe shkruash poezi te bukura per te gjith femijet ti.
    une ty te dua shum.

    elsa
    April 2, 2013 at 3:54 pm
    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>