Ku shkoi vota ime

Filed under: Letërsi |

Nga Gjon Marku

 

Ku shkoi vota ime

Nuk ishte ditë e zakonshme jo pse ishte e djelë dhe ditë të tilla zakonisht janë pushim por pse ishte ditë votimesh. E për Markun ishte dhe dita e kandidimit kështu që ai ishte ngritur herët pse donte të votonte shpejt e të përshëndeste ndonjërin prej atyre që i kishin premtuar se do ta ndihmonin me ndonjë nder duke e gostitur me ndonjë votë. Kështu që bashkë me të birin që i ishte lutur që ta merrnin me vete dhe me të shoqen ishte drejtuar për në qendrën ku do të votonte. Edhe pse ai ishte menduar se ishte herët gjeti një radhë jo të vogël

Kështu në qendrën e votimit kur i erdhi rradha (ah, që nuk na u ndanë këto rradhët) hyri në sallë me pasaportën në dorë, bëri veprimet e nevojshme dhe pasi ia lyen gishin e madh me bojë si atyre deshve që i qojnë në dasmën e nipit, në fakt vetja iu duk si të ishte ndonjë prej të burgosurve të fashizmit që kishin nga një shenjë për tu dalluar, i dhanë dy fletë votimi. Në njërën prej tyre ishte dhe emri i tij. Në tavolinën përballë qëndronin ata pra komisionerët që  mendonin vjedhurazi ti bënin hile njëri-tjetrit. Garat kishin nisur që në përzgjedhjen e tyre për të qënë aty. Shkollimi nuk kishte shumë rëndësi, militantizmi dhe aftësia për të qënë pelivanë dhe hilepunues po. Aty ishte dhe një që Mark Gjinit i kishin thënë se aq i specializuar është për kësi punësh sa në fshatin e tij e mbajnë si hajdutin më të madh të pulave. Tash quhej vjedhës modern pse vidhte si i specializuar votat e i kalonte nga njëri tek tjetri kandidat.  Njeri prej tyre i afroi një listë ku ishte emri i tij dhe i tha prerë të firmoste. Para tij e shoqja me të birin. Një komisioner mësues i plotësoj të birit një nga ato fletët që dukeshin si dikur fletët e lavdërimit me një dizenjo shumëngjyrëshe që u jepen atyre që votojnë për herë të parë. I biri në fakt ishte në klasën e katërt të shkollës fillore e i thirri të atit duke i treguar fletën gjithë gëzim. Aq më tepër që ai donte të votonte me të sikur të donte të mbështeste të atin kandidues.  Pasi mbaroi një procedurë bezdisëse ai u fut në dhomën e fshehtë sepse ashtu thoshte ligji dhe e vuri një kryq në kutinë bosh drejt me emrin e tij. Pastaj fletën e palosi dhe e rrasti në kutinë e votimit. U drodh kur mendoi një moment se vota e tij mund të tjetërsohej, kjo kishte ndodhur edhe shumë herë të tjera për ato njëzet vite pluralizmi. Gjithnjë para kryeministrisë gjendej një palë që kontestonte zgjedhjet në protestë. Pas zgjedhjeve të fundit para kryeministrisë ishin vrarë tre veta që kërkonin votën e tyre të tjetërsuar. E plumbat kishin dalë pikërisht prej andej nga pushtetarët e dalë me votat e vjedhura urdhëronin votëvjedhësit që të ruanin me çdo kusht vjedhjen.

 

Nuk ka mundësi mërmëriti me vete. Por dyshimet e tij dolën të vërteta vetëm se të nesërmen pasi disa numërues hajdutë dhe vjedhës mes tyre dhe hajduti i pulave të katundit të vet qetë qetë votat e tij i dërguan diku tjetër ani se ishin të tij.

Gjithsesi vota e tij humbi. Vallë e mori lumi, a thua e varën në degën e rrapit si dikur klerikët tek turra e druve në Shkodër apo bilbilenjtë në jug. Pra humbi si të mos kishte ekzistuar kurrë.

-S’ke asnjë votë i thanë në KZAZ-në 38:- ku ishin numëruar votat.

-Po si ka mundësi kishte pyetur ai i habitur. Unë nuk kisha ndonjë kusur për të larë. Pse unë duhet të jem pre e disa matrapazëve të vegjël që nga injoranca dhe padija kërkojnë të luajnë me edukatën dhe mirësjelljen time, kërkojnë të tjetërsojnë votën time dhe të familjes sime. Ajo votë është e shenjtë.

I biri e vështronte dhe sypërlotur nuk dinte çfarë të thoshte, ai vetë me dorën e tij kishte vënë atë plus në kuadratin ku i kishte thënë e ëma dhe ku ishte emri i të atit e  ajo tashmë nuk ishte. Sa do të donte të mos kishte qënë atë ditë me të ëmën, po sikur ai ta kishte ngatërruar e të kishte vënë kryqin një kuadrat më poshtë a në një kuadrat më sipër? Ku dinte ai se çfarë kishte ngjarë e ku e mendonte ai këtë gjë. Ata xhaxha dhe teta të kollarisur e seriozë si mund të vidhnin e tjetërsonin votën e të atit këtë as që e mendonte.

Ishte zënë krejt ngushtë e nuk dinte çfarë të bënte vetëm se ngulur pranë televizorit dëgjonte se në atë qendër votimi ku kishte votuar ai me të ëmën e të atin nuk dilte asnjë votë. U ngrit dhe duke qarë u drejtua për nga i ati i cili nuk fliste veç mendohej dhe pinte duhan. Nuk e mbajti dot veten dhe duke qarë iu drejtua të atit.

-Më fal babi unë ndoshta e kam ngatërruar e kam votuar për dikë tjetër.

Tjetri brofi në këmbë dhe u statua i shtangur përpara tij. Se kishte shkuar në mendje vuajtjen dhe përjetimin jo të zakontë të të birit. Biles as në familje me gruan nuk kishte biseduar për votat e tjetërsuara të tij.

Nuk dinte çfarë ti thoshte. Ishte shtangur dhe goja nuk i nxirrte asnjë fjalë.

-Po pse më kërkon të falur e pyeti me një ton lutës. Nuk është faji yt. Tjetër gjë ka ndodhur biri im.

Tjetri filloi të dëneste si ta kishte ai gjithë fajin.

-Jo, jo:-tha ai duke shuajtur fundbishtin e cigares në taketuke. Nuk ke asnjë faj as ti e as ne. Tjetërkush e ka fajn. Hajde me babin e dalim për një kafe.

Ashtu pothuajse të heshtur shkuan në njërën nga kafenetë me mendimin se do të qetësoheshin. Mirpo në tavolinën ngjitur ishte ulur pak minuta më vonë pulëvjedhësi që kishe qënë dhe komisioner dhe numërues.

Votën time siç duket për mëkatet e mia e për mospërdorjen time e kanë rrastur nëpër zarfët e të tjerëve natyrisht jo pa urdhërin e dikujt. Pra vota ime ka përfunduar në një kuti që të vjetrit e quanin putanë, ndërsa ne më të rinjtë e quanim prostitutë po si tja shjegonte të birit?

Vota ka gojë e flet, ka sy e shikon. Ka zemër e revoltohet siç është zënë ngushtë e kërkon të pëlcasë zemra e tim biri ajo revoltohet dhe të zë fytin të merr frymën mendoi. Për atë votë qindra mijëra vetë në turma të përndezura në mizëri idhnakësh ishin ndalur në heshtje para kryeminsistrisë prej nga plumbat ishin turrur ti plandisin tre prej protestuesve përdhe. Një dymbëdhjetvjeçare në Gjirokastër e ka akoma lotin të pa tharë në faqe për të atin e vdekur vetëm për drejtësi. Im bir nuk ka faj, ai dhe zogjt nuk e njohin gjuhën e klithmave.

Ra telefoni e ajo zile sikur e zgjoi nga një kllapi e thellë pse ai ofshani fort.

Ani biri im, ani ti je shëndosh i tha e ëma prapa telefonit. Muzgu po shtrinte krahët mbi male. Qyteti rrëshqiste ngadalë në honet e mbremjes.

Në tavolinën ngjitur ai mbeturinë ashkël qeshte si triumfëtar dhe hidhte ndonjë fjalë duke prekur aty ku nuk duhet prekur e duke shpërfillur edukatën dhe mirësinë e tij krenarinë e tij, është një krenari e fshehur nëpër muzg mendoi.

Një inat i brendshëm e pushtoi shpirtin e tij. I kishin marr ditën për djell votën e tij, i biri sypërlotur fajësonte vetën për votën e tjetërsuar të të atit, e ëma që ishte në kapërcyll, të jetës e ngushëllonte ani bir, ani si ti thoshte, s’ke ç’bën, gjithsesi ta morën ndër sy votën, dinjitetin dhe ti hesht. Po sikur të të marrin nderin. Brofi në këmbë aq sa dhe i biri u tremb. Thirri kamarierin dhe me hapa të shpejtë u drejtua në studion e tij. E gjeti ligjin e zgjedhjeve dhe shpejt e shpejt në kompiutër formuloi kontestimin. Kryetari i partisë në qendër në mënyrë mosbesuese i ishte drejtuar

-Hë mo lere këtë muhabet, ty gjithnjë ti vjedhin votat.

Ua rregulloj unë mendoj me vete. Ti nuk duhet të mësohesh të të shkelin sikur iu drejtua të birit. Pastaj mendjen e hodhi tek e ëma, ti dhe gjithçka që unë të shkollohesha dhe të bëhesha i edukuar pajën tënde të vjetër e shite që unë të mbaroja universitetin e që të mos më marrin nëpër këmbë zagarët.  Mos vallë kjo ka qënë rruga e gabuar. Ani mama ti më bëre dhe egërcak e për të drejtën time do të luftoj deri në fund i vetëm. E si mund të heshtete tani.

Ajo natë pa gjumë qe e gjatë. E në mëngjes u ba gati të dilte herët. Teksa rruhej ju kujtua ajo natë kur i ati kishte vdekur. Kishte qënë dimër atëhere kur ai kishte bërë një natë të gjatë pa gjumë.

I ati jepte e merrte në përpjekjen e tij për jetë a vdekje. Ishte natë dimri. Ndërsa aty në dhomë ku vdekja kishte triumfuar ashtu në të dalë të dritës pasi e kishin veshur të atin ai kishte tretur fundbishtin e cigares në oxhak, pastaj mori shkullojën e hekurt dhe më të filloi të përpushte në hirin me prush qarri.

Eh  kishte ofsha me vehte si qënka kjo jetë! Kishte fërkuar sytë që i ishin dukur si ti kishte të mbushur me dhe. Pas atyre mendimeve të lodhshme që i kishin ardhur në kokë ju drodhën vajshëm sytë.  U drejtua drejt qezmes që të hidhte një a dy grushta me uji fytyrës. Pastaj u fut në dhomën e fëmijëve të cilët flinin në një gjumë të thellë.

Kishte qënë ora më e vdekur e natës, era hungërinte si ulkonjat bjeshkëve. Drurët rënkonin, degët e thata rrëzoheshin prej stuhisë. Prej çatisë së kullës një tjegull ishte plandisur përdhe. Ai sikur dëgjoj gulqimën e fundi të të atit.

E kishte hapur perden e dritares dhe vështrimin e kishte hedhur jashtë, ku shfrynte erë e rreptë.

Në fundin e arës së bardhë vu re degët e arrave të zhveshura lakuriq. Po ashtu degët shelgjeve rrinin varur mbi përrua. Mëllinjat pendëzeza kushedi ku flenë  kishte menduar, strukur mes gjethesh të arta,  fle dhe shpezëria.

Shpirti i babait të tij kushedi ku rendte të fshihej i vetëm nëpër natë si hije, buzqeshjengrirë mes ethesh të frikshme fantazëm. Udhëtimi nëpër natë si ka pas kërkujt grat. Vallë shpirti i tij do të ngjitet mes yjesh në qiell. Në atë përtejqafe tufani hungërin, ujkun mbyt. Leh era bushtër nëpër përroje. Lugjet ulurin kobshëm. Atje ishte varreza e vetmuar prej fshatit ku gjendeshin  ata që kishin vdekur. Po si do të mund të varroste  sidomos tashmë kur gjithçka e ka mbuluar bora. Si bora ishte shpirti i timeti prandaj ai do të shkojë në paqe.

Për të shkuar deri atje mes malit këputet një shteg i egër e del në atë shpatull mali ku gjendet një varrezë e vetmuar dhe e mbështjell prej territ të natës asnjë shenjë jetë nuk ka atje. As një xixëllim drite.

Po mendimi i kaloi prej së shkuars në të tashmen.  Mbi kryet e atij mali janë thyer mijëra rrufe. Unë vij prej atyre maleve kreshtëmurrme ku mbi shkëmb shqiponja sqepin mpreh dhe syrin e mban hapur. Ai  s’kishte qënë i vemendshëm biles i pazoti  e si një lepur që ja kishin marrë ndër sy votën e tij të të birit (të ëmës).

Këto ishin mendimet e tij të fundit kur e mbylli derën e doli të drejtohej për në Tiranë në Komisionin Qëndror ku paraqiti kontestimin e tij bashkë me argumentet e pafundme. Pastaj u drejtua për nga Zyrat e OSBE-së që vëzhgonin zgjedhjet në Shqipëri e që gjithnjë thoshin se këto zgjedhje janë më të mira se të kaluarat, por standartet nuk i plotësojnë e janë numëruar keq ose shumë keq së paku një e treta e rezultatit është e deformuar. Aty e kishin dëgjuar me vemendje dhe me shumë kujdes.

Pastaj u drejtua në zyrat e partisë së tij ku kryetari flokëbardhë e priti ftohtë.

-Nuk prishim interesat me partinë kryesore aleate për një manadat.

-Si:- kishte thënë ai, – ani unë do të ndjek deri në fund gjithçka vetë, mua nuk më duhen as ti as partia jonë aleate që si lavire shkel kushtetutën e vjedh bashkë me partinë në pushtet votat e mija dhe të familjes sime. Ne jemi si një ashkël që s,do t’ ja dijë njeri për ne e u servilosemi atyre, ani se ata veprojnë kundra nesh dhe s’pyesin as për drejtësi e as për kushtetutë e gjithçka e bejnë për interesat e tyre.

-Po kutitë nuk mund të hapen ne kemi dy vjet që s’lamë metodë pa përdorur e ti  këmbëngul, :- kish folur me ton të zbutur kryetari i tij flokëbardhë.

–Unë nuk kam vrarë e vjedhur askënd. Unë do ti shkoj deri në fund kësaj çështje, ju bëni çfarë të doni, servilosjuni kryetarit të opozitës. Gjithsesi gjithë strukturat tona lokale do të mbajnë një qëndrim publik.

-Si?- kishte brofur në këmbë kryetari flokëbardhë.

Tjetri kishte dalë duke përplasur derën si të ishte në ndonjë kotec e jo në zyrën e kryetarit të partisë.

Kjo mospërdorje dhe mosbërje urë po të çon në këtë pikë o mik i dashur i tha vetës dhe mori për nga motra i njërit prej ish shokëve të tij të fakultetit. Kjo një avokate e njohur të cilës i kërkoi që ta mbronte në të gjitha instancat kontestuese.

E pasi realizoi gjithçka që kërkonte ligji u  kthye në qytetin e tij të lindjes.

Ishte duke parë televizor kur u shfaq kryetari flokëbardhë i cili deklaroj se i kishin vjedhur votat  në mënyrë të veçantë u përqëndrua në zonën ku kishte kandiduar ai. Tamam si për t’ ju servilosur  kishte thënë se kandidati i asaj zone ishte një djalë korrekt e me vlera e ishte njësoj si të kishin vjedhur votën e tij. Pra gjuha e kryetarit kishte qënë e ashpër për partinë dhe aletatët e tjerë të këtij kualicioni… por ai s’kish dashur ta dëgjonte, i dukej dyfyryësh.

Ditët kalonin e në qytetin e vogël, politiqakenjt hidhnin ndonjë kunj ndaj tij pa e ditur se çfarë po ndodhte. Udhëheqësit militantë e njëkohësisht injorantë duke përfituar edhe prej edukatës së tij filluan ta shtojnë skërmitjen e dhëmbëve në qeshje-talljet e tyre.  Nuk prishem me ju për 30 vota u thoshte udhëheqësve të opozitës edhe këta  pjesëmarrës në vjedhjevotat e tij. E kur ndonjë mik me shqetësim e pyeste çfarë po bëhet kështu more burrë ai përgjigjej:

- Ki durim unë besoj se ky vend do të bëhet.

Në komisionin qëndror. Jashtë  gardh blu policësh rrethonin komisionin qëndror të zgjedhjeve i cili akoma nuk kishte përcaktuar fatin e kryetarit të opozitës. Opozita e sidomos deputetët që kishin mundur të bëhen deputet pse ishin militantë shqyenin pantallonat sipër policëve të cilët nuk i linin ta kalonin gardhin blu.

Marku u afrua dhe paraqiti letrën që kishte marrë nga  Komisioni Qëndror se atë ditë do të merrej në shqyritm kërkesa e tij. Dy policë e shoqëruan deri brenda atë dhe skuadrën e tij pra avokaten mbrojtëse, dy kontestues të tjerë që kontestonin të njejtën zonë zgjedhore një i pavarur e një përfaqësues i një partie që dhe emri si mbahet mend.

U futën dhe u ulën në karrigen përballë kryetarit të Komisionit Qëndror. Ishte në një moshë me të. E mbante mend nga mbremjet e vallzimit, Mark Gjini shkonte shpesh në  mbremejet e fakultetit të tij pse njëra prej shoqeve të tij të klasës kishte qënë mike e Markut.

I renditi një për një argumentat pastaj bazën ligjore.

-Në qendrën e votimit ku kam votuar unë nuk del as vota ime. Në monitorin e vënë unë i kam parë me sytë e mi votat. Pasi dha njëmijë e një argumenta heshti disa çaste.

-Kam një pyetje,- tha avokati i partisë në pushtet.

-Ku kan shkuar votat tuaja?

-Këtë kam ardhur të ma tregojnë këta te Komisioni Qëndror i zgjedhjeve pasi të kenë hapur vetëm një nga 22 kutitë që ka kjo zonë zgjedhore kishte deklaruar ai.

-Po dale ti qenke përfaqësues i njërës prej partive të opozitës e këtë komision e ka drejtuar opozita, asaj i ka rënë me short që të jetë drejtuese e këtij komisioni. Opozita ka pasur dhe shumicën e këtij komisioni. Kështu që votat e tua s’kemi pasur si ti vidhnim ne po këta të tutë.

Përfaqësuesit e opozitës në komisionin qëndror kishin vështruar njëri-tjetrin si të thoshin ç’po ndodh.

-Këta zotërinj nuk janë të mitë, gjithësesi mua nuk më duhet përfaqësues të kujt janë, më duhet vetëm pak drejtësi.

-Dëgjo,- ndërhyri njëri prej antarëve të komisionit Qëndror përfaqësuesve  i opozitës, -argumentet që ti the nuk mund të them se vërtetojnë vjedhjen.

-Ja për shembull gruaja jote mund të mos ketë votuar për ty, raste të tilla njihen. Si rasti juaj ka qënë dhe rasti i atij pedagogut në Shkodër.

-Më fal zotëri, – kishte ndërprerë Mark Gjoni me një  neveri pse bash prej atij priste që të ishte i drejt pse ishte burrë i moshuar.

-Unë deri më tash nuk e kam permendur gruan pastaj unë i përkas atij brezi që gruan e kanë si kompiuterin që po nuk plotësoi parametrat e ndërrojmë dhe e gjejnë  me parametrat e duhur, natyrisht këtë nuk e bëjmë si kryetari juaj  që mjafton të jetë më e re i gjejnë në kabare.

Gjithësesi meqë ju po më përmendni gruan unë po them se keni ngatërruar gruan time me gruan tuaj. Gruaja ime votën dhe disa gjëra të tjera i ka vetëm për mua ndërsa gruaj juaj  duket se votat e sidomos disa gjëra të tjera i ka për shoqërinë.

Tjetri ishte bërë gati të fliste. Nuk e kishte pritur që ai ta sulmonte aq ashpër e ta vinte në atë pozitë të vështirë ashtu publikisht. Aty ishin të pakten 30 televizione  gjysma e të cilave transmetonin direkt.

-Nuk ta kam dhënë fjalën,- kishte ndërhyrë kryetari i Komisionit Qëndror Ndërsa salla gumëzhinte prej të qeshurave të gazetarve.

Fjalën e kërkoi nënkryetarja e Komisionit e cila e kishte vënë re pozitën e vështirë të kolegut të saj aq më tepër që ajo ishte përfaqësuesja kryesore e opozitës aty e mbi të gjitha po i deskretitohej një ndër përfaqësuesit  opozitës.

-Dëgjo edhe unë nuk gjej argument të fortë që janë vjedhur votat zotërinjve.

- Ju,- i ishte drejtuar atij, -ndoshta keni qënë i emocionuar dhe keni votuar një kuti më poshtë apo një kuti me lart.

Markut ajo i ishte dukur tamam si plakë shtrigë e përrallave të gjyshes. Inati i tij ishte shtuar. Po prandaj nuk bëhemi ne kishte menduar se  ju jeni mostra që keni frikë nga e vërteta. Mundoheni të bëni politikë ani se flisni shumë të pa vërteta haptazi.

-Dëgjo zonjë argumenti më i madh është aty në kuti. Unë kërkoj të hapet e të vërtetohet siç paracakton ligji. Sa për atë  që unë  kam votuar një kuti më lart apo një kuti më poshtë po të pyes unë ty mos ju dukem i marrë se kjo përjashtohet. Sa herë vete në Shkodër thonë se prej trevës nga vij unë nuk ka ta marrë ashtu siç nuk ka gomar jeshil. Gjithsesi unë kam mbaruar një universitet si dhe ju. Nuk kam blerë një diplomë universiteti si Komisionerët që përfaqësojnë ne, pra mua dhe opozitën bashkë në komisionin zonal.

-Pra ti mendon se votat ti kanë vjedhur aleatët e tu se ne nuk kemi pasur asnjë mundësi, – ndërhyri sërish përfaqësuesi i partisë në pushtet. Aq më tepër që ju si parti nuk keni pasur komisioner.

-Unë mendoj se më janë tejetërsuar votat e mbi të gjitha vota ime ku ka shkuar të tjerat nuk më përkasin mua….

Kështu hidh e prit ai për 58 minuta kishte qënë aty para komisionit qëndror  ndërsa i biri në këmbë në shtëpi ndiqte nga televizori të atin egërcak që i dukej se ishte bërë tjetër njeri, i ashpër dhe i prerë, i rreptë dhe inatëçor.

-Ne kemi këtu një kontestim plotësisht të mbështetur në ligj,- kishte marr fjalën Kryetari i Komisionit Qëndror. Por kemi dhe argumente të pakontestueshme pastaj kemi të bëjmë me një rast specifik kështu që unë propozoj që të vendosim të hapim kutitë e kësaj zone. Kështu vertetojmë dhe jmi trensparent. Ky ishte i pari vendim për të hapur kutitë që po merrej aty në atë komision.

Kështu edhe pse ai kishte qënë një opozitar ishin përfaqësuesit e mazhorancës që kishin vendosur falë kartonave që kutitë e asaj zone zgjedhore të hapeshin, kështu duket se donin ti thoshin opozitës je ti që tjetërson votat.

Pasi kishte marrë  vendimin në xhep ishte drejtuar drejt qytetit të vogël ku miqtë e tij në opozitë e kishin pritur si të kishte bërë një tradhti të madhe.

Edhe intelkektualucët e opozitës kishin mbajtur të njejtin qëndrim. I vetmi që i kishte dhënë të drejtë ishte një mik i tij i letrave. Ky një burrë fisnik e i drejtë. Ishte ky që më së shumti sesa ai vetë debatonte sa herë hapej kjo çeshtje dhe i jepte të drejt atij.

Atë mbasdite një grup komisionerësh të inicuar nga kryetari zonal i zgjedhjeve një njeri për të cilin kryetari i bashkisë edhe ai i njohur për batuta thoshte se gjithë jetën e tij ka lexuar veç abetaren, më shumë për ta hetuar pse nuk e besonin  e kishin thirrur për kafe në një orë të pa zakonte të darkës pra vonë.

-Profesor,- i ishte drejtuar pronari i lokalit i cili ishte mik i tij e që kishte qënë një nga komosionerët kur e kishte parë midis atij grupi lloj lloj.

-Paske fjetur sot pasdreke përderisa ke dalë të pish kaq vonë. Ai nuk pinte.

-Dëgjo,- ja kishte pritur ky aty për aty,- mua nuk po më ze gjumi natën me votat që më vodhe ti dhe këta këtu që s’len pulë pa vjedhur.

Ish kthyer në tavolinë ku kishte gjetur disa gota të mbushura me Uiski. Nën efektin e të cilit njëri nga ish komisionerët tregonte për mënyrën si i kishin vjedhur votat dhe si kishin marr parët.

-Unë të betohem në kryet e nënës që nuk të kam vjedhur asnjë votë i ishte drejtuar një numërues tjetër i frikësuar se mund të përballej me të keq e nuk i dihet pastaj. Ti ke pasur në komision dhe burrin e mbeses tënde i cili ti ka ruajtur patjetër votat ani se nuk ka qënë përfaqësuesi yt.

-Deri më tash e kam besuar se nuk me keni vjedhur asnjë votë po tani po e besoj vërtet se edhe ju jeni një grup numërimi që më keni vjedhur votat pikërisht pse aty keni qënë ju dhe ai burri i mbeses time.

Të gjithë kishin filluar ta kuptonin ironin e tij.

-Ky burrë mbese më ka ardhur një natë për darkë në fshat atje ku jeton nëna ime  dhe a e di se çfarë më ka bërë natën. Më tha se donte të dilte jashtë pasi kishim fjetur. Unë nuk lëviza nga divani ku flija e prita gjatë. Ai doli e këmbët si një dhelpër e kishin çuar drejt kotecit të pulave ku pasi i kishte këputur kokën bash gjelit e kishte mbështjellë e të nesërmen ne dolëm pa asnjë gjel pse njërin ja premë për darkë e tjetrin na e vodhi. E ku burri i mbesës time që vjedh gjelin që fluturon e lëshon zë imagjino çfarë ka bërë me votat që nuk fluturojnë e nuk bërtasin. Ai këto i bën ngaqë e ka mësuar tashmë e ka profesion.

Turi një shok i tij kishte qeshur:

- Si profesor të vodhi gjelin?

-Hallal gjeli po më vodhi dhe votat.

-Pa si do i vej halli do hapen kutitë apo …

-Tur ti vetëm ki durim.

Turi kishte parë si ai po i vinte në lojë herë njërin e herë tjetrin e me ironi po  i bënte lecke.

Mos kam pirë e po them ndonjë gjë që nuk duhet kishte menduar me vete kur kishte ardhur dopjo e dytë e Uiskit. Do ta pi se këta trapa kushedi çdo të këpusin pastaj unë edhe po të pi s’kam ku vete  më poshtë se këta deri tek këta mund të shkoj.

Ditët kalonin e protestat para Komisionit Qëndrot të Zgjedhjeve vazhdonin.

Ai hidhte dhe priste batutat sidomos drejtuesve të partisë më të madhe të opozitës. Bënte kujdes dhe sa herë ata e ngacmonin  ai thoshte  po lene se nuk prishem unë me ju për 30 vota  që më vodhet në një kuti. E gjithnjë prapa kësaj fjalie ai thoshte fjalinë e një gruaje nga Skrapari e cila i ishte drejtuar vite më parë  Kryeministrit atëhere i partisë kryesore që tash ishte kryesorja e opozitës.

-“Ne pa buk rrimë e asgjë nuk duam veç ju udhëheqja të shkoni mirë pse pikërisht ish kryeministri po formonte parti të re e ata po i drejoheshin opozitës.

Kjo fjali në fakt atij i ishte dukur tamam si fjalitë e kohës së shkuar “Ne bar hamë e parimet nuk i shkelim”.

E pa në internet datën dhe orën kur do të ishte në Komisionin Qëndror për të qënë prezent në hapjen e kutive.

U paraqit atje në Komisionin Qëndror në datën dhe orën e caktuar. Kutitë ishin aty. Atë kuti që i kishte korresponduar qendrës së votimit ku kishte votuar ai ishte para tij.

Përfaqësuesi i partisë në pushtet qeshi sapo e pa ju kujtuan batutat që u kishte leshuar opozitarëve dhe talljen që u kishte bërë në seancat e mëparshme  kështu që vendosi ta ngacmojë. E dinte mirë se ai do të nxirrte ndonjë gjë të re. Kështu që ndërsa procedurat po vijonin e komisioni priste të niste hapja e kutive të asaj zone. Tashmë ai komision kishte marrë vendim dhe kishte hapur shume kuti të Tiranës. E mori fjalën përfaqësuaei i partis në pushtet

-Dëgjo kam një pyetje për ju

-Ja kutitë janë këtu e do të hapen të gjitha e do të vërtetohet vota e gruas suaj,- kjo si ironi për Komisinerin e palës tjetër që publikisht kishte ngrënë atë dackë prej atij djali të ri

-Unë ju pyes ju, kaq merak e keni këtë mandat.

Ai e kishte kuptuar mirë ironin e tjetrit kështu që kishte nënqeshur dhe kishte vendosur ti përgjigjej lojës.

-Asnjë grimë ja këtu do ta marr mandatin e këtu do ta le.

E sa për atë votën e gruas e kam vendosur gruan do ta ndaj se ky farë burri këtu diçka di e ju e dini mirë se ka qënë drejtues i lartë i shtetit. Po siç ju thashë nuk kam merakun tim Z. Kosovrasti, as merakun e votës së gruas sime edhe kjo histori besoj është mbyllur tashmë e ky përfaqësuesi im këtu e ka marr përgjigjen. Unë do ta ftoj në dasëm kur të marr gruan e re.  Kjo përfaqësuesi im kish qënë me një ironi të dukshme. As hallin e votës së nënës sime po të them të drejtën  kam hallin e votës së një burri të vjetër 70 vjeçar i cili më del përpara çdo mëngjës e duke qarë më thotë:

-Për kokën e vajzave ti kam dhënë votat. Ani, ani i them unë nuk ka problem e di e di po tjetër kush i ka vjedhur. Kthehem në shtëpi e them ç’më duhet mua kjo histori e vendos të tërhiqem po të nesërmen më del prapë ky burri përpara e më betohet në kokën e vajzave, pse ai ka veç dy vajza.

-Unë Z. Kosovrasti ua them emrin se ju e njihni ai është burri i motrës sime  një burrë i ndershëm e i drejtë.

Të gjithë prisnin se ku donte të dilet tash ky sidomos përfaqësësuesit e partive opozitare që në fakt duhej të kishin qënë në anën e tij por që kishin qënë  kundra tij se kishin frikë se bash përfaqësuesit e tyre gomerë në atë komision i kishin vjedhur votat e tij dhe i kishin futur në zarfet e partisë së tyre e pastaj çi dhjet me mut protestat për drejtësi dhe transparensë.

-Unë ua them emrin Z. Kosovrasti pse ju e njihni. Dhe kishte heshtur e u kishte hedhur një vështrim studiues të gjithëve.

Tjetri ishte përqëndruar ndërsa komisionerët e opozitës ishin bërë gati ta përdornin si argument se hapja e kutive të tij po bëhej me ndërhyrje miqësore.

Kosovrasti kishte menduar se ai po thoshte ndonjë budallallëk që mund ta lëshonte brenda.

-Si?- e kishte pyetur ai pa kuptuar thelbin e bisedës së tij.

-Po zotëri ai burrë i vjetër është ish nënoficeri  i burgut të Spaçit ku ju keni pasur në brigadën e tij vëllain tuaj veç nja 15 vjet.

Tjetri kishte ulur sytë dhe kishte lëvizur nga karrigia. Opozitarëve u kishte rënë vala.

-Të hapet kutia kishte thënë kryetari i Komisionit si të donte tu thoshte a doni më përfaqësuesve të tij në komision.

Dy djem të rinj i prenë telat anash.

Ajo qendër votimi kishte gjithsej treqind e njëzet votues ishte më e vogla qendër votimi e atij qyteti .  Njëzet e shtatë vota të tij ishin futur në zarfin e partisë më të madhe aleate, njëmbëdhjetë të tjera që mbanin emrin e tij edhe pse ishin shkarravitur me ndonjë vijë për tu nxjerrë të pavlefshme kishte mundur ti vidhte vjedhëpulagjiu i mazhorancës dhe i kishte futur në zarfin e vet. Tri prej votave të tij i kishin shqyer dhe ja kishin dhënë një përfaqësuesi të partive aleate të mazhorancës. Pra nga treqind e njëzet e katër vota që ishin në atë kuti njëqind e tridhjet e shtatë ishin tjetërsuar.

Përfaqësuesin e opozitës e kishin mbuluar djersërt e ftohta.

Kutinë tjetër ishte shprehur i revoltuar kryetari i komisionit.

Marku kishte kërkuar fjalën.

-Mjafton,- kishte thënë. -Nuk ka nevojë të hapet kuti tjetër.

Ai i kishte votat e mjaftueshme për të marrë mandatin duke mos pranuar që të numeroheshin si vota të tij votat që kishin qoftë edhe një vijë të vetme pra vetëm dhjetë vota i duheshin pasi të tjerat i kishte dhe pse i kishin vjedhur vota në çdo qendër votimi.

Komisionerët ishin shmangur dhe nuk po kuptonin asgjë.

-Mjafton, ne vërtetuam se në këtë zonë votimet nuk kanë qënë të rregullta. Fatmirësisht  ka dalë vota ime,  mjafton. Pasi të jetë bërë procedura unë mendoj që të më jepni dhe një herë fjalën e të shpjegohem.

Komisoneri përfaqësues i mazhorances vëllai i të cilit kishe qënë në burg  kishte vendosur të mos e linte këtu  po ta ringacmonte.

E meqë ju e morët mandatin besoj se  nuk ishit i merakosur për të pasi këtu do ta merrnit e këtu do ta linit ….

-Sa për mandatin,- e ndërpreu  Marku,- zotëri fjalët i merr era.

Së pari ti më uro që nuk do të ndaj gruan siç kisha planifikuar se po të jetë për këta të dy dhe dorën e kishte drejtuar nga nënkryetarja dhe përfaqësuesi i opozitës këta me drejtësinë e tyre të bëjnë të ndash gruan.

Sa për mandatin do të jetë mirë të ma plotësoni shpejt e shpejt atë nuk ma keni dhënë ju atë ma ka dhënë populli…………

Ndërsa Kryetari i Komisionit Qëndror plotësonte mandatin e tij ai mendohej gjithë këtë e kishte bërë për hirë të të birit të cilin gjithashtu nuk donte ta mësonte të nënshtrohej e të bëhej urë ku mund të kalonte gjithkush edhe për hir të së ëmës që kishte dhënë gjithçka për të e ai nuk donte që ajo të shkonte në atë botë me mendimin se të birin mund të ia merrte nëpër këmbë ndokush.

 

                                                                                                            Nga Gjon Marku 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>