Aspekte të përbashkëta e të veçanta të personalitetit krijues të katër autorëve të parë të letërsisë shqipe (Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani)

Filed under: Gossip,Poezi |

Aspekte të përbashkëta e të veçanta të personalitetit krijues të katër autorëve të parë të letërsisë shqipe (Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani)

 

 

1. Hyrje

 

Në radhë të parë përderisa vendosa të zhvilloj këtë temë ndjehem e detyruar të shpjegoj fillimisht termin: “të krahasuar”,  apo të theksoj faktin e planit krahasues, ose, të shprehemi më saktë, se: “çfarë është letërsia e krahasuar”?, Letërsia e krahasuar, e cila  për objekt studimi ka lidhje në fushën e letërsisë ndërmjet veprave të ndryshme letrare ose gjuhësore. Është një aspekt metodik i hulumtimit të lidhjeve të analogjisë, të afrisë e të ndikimit, për të krahasuar faktet dhe tekstet letrare ndërmjet tyre, me kusht që ato t’i përkasin shumë pikëpamjeve gjuhësore dhe kulturore të ndryshme, ose edhe një tradite të vetme, për t’i kuptuar e shijuar më mirë. Letërsia e krahasuar të ofron skemën e komunikimit gjuhësor të Jakobsonit: dhënës-mesazh-kod-kanal-kontekst-marrës. Kjo skemë është praktikuar në studimin e gjuhësisë së sotme (Dado, 2006:87), e cila në skemën e komunikimit letrar do të konvertohet kështu (Zohar) :P rodhues-produkt-repertor-treg-institucion-konsumator, që po ta zbërthejmë do të shpjegohej kështu: një konsumator (lexuesi) mund të konsumojë përmes tregut (rrjeti i shpërndarjes), një produkt (teksti), të krijuar nga një prodhues (shkrimtari) mbi bazën e një repertori (normat, modelet) të përcaktuara e konsakruara këto nga institucioni (kritika, qarqet adademike) (Jorgo, 2009:2).

Objekti: Pasi kisha vendosur në fillim që të merresha me Buzukun dhe veprën e tij, m’u duk i pamjaftueshëm studimi që do të bëja vetëm me një autor të fillimeve të letërsisë shqipe dhe si përfundim, vendosa të studioj këta katër autorë të letërsisë së vjetër shqipe: Buzukun, Budin, Bardhin dhe Bogdanin me ngjashmëritë dhe ndryshimet midis tyre. Vërehet se më shumë kanë ngjashmëri se sa ndryshime. Gjurma e tyre me të veçantat dhe specifikën është dhe do të ngelët e pashlyer sa të “jetë” letërsia, sepse janë “gur themeli” secili në llojin e vet të krijmtarisë. Duke ju dhënë peshë vlerave të krijmtarisë së tyre, nëpërmjet vështrimit analizues dhe kritik të të dhënave me interes për jetën, veprimtarinë dhe rëndësinë që kanë këta autorë vehen në pah ngjashmëritë dhe dallimet midis tyre. “Meshari” i Buzukut është libri që shënon “Alfën” dhe “Omegën” për të filluar rrugën e gjatë e të pafundme të letërsisë shqiptare.

Qëllimi: Hulumtimi i jetës dhe i veprës së: Gjon Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit, si dhe krijimtaria e këtyre autorëve. Të dhëna të hershme dhe studime të bëra me mjaft interes për këta mendimtarë të letërsisë së vjetër shqipe, të cilët janë dhe do të ngelin të tillë përgjithmonë, të çmuar dhe interesante për gjuhën, letërsinë dhe kulturën tonë. Kontributi i tyre si përkthyesit e parë të letërsisë së vjetër shqipe.

2. Hulumtime rreth pikëtakimeve jetësore dhe të veprave të tyre

(A) Gjon Buzuku është autori i parë shqiptar, kurse vepra e tij Meshari” (1555) është libri i parë i botuar në gjuhën shqipe. Për jetën e autorit dhe përgatitjen e librit, për kulturën shpirtërore dhe përkushtimin e tij mësojmë drejtpërdrejt nga pasthënia e librit dhe gjuha e tekstit të cilën Buzuku e shkruan me dorën e vet në gjuhën shqipe, pa e ditur se ç’përmasa historike do të merrte kjo punë e tij. “Nëpër faqet e librit autori fut edhe vargje nga psallmet, nga “Kënga e këngëve” dhe disa himne origjinale me rreth 40 vargje” (Xholi, 2003: 70).

(B) Pjetër Budi (1566-1622), është figura më e pasur e letërsisë së shqipe, me një veprimtari të gjërë kishtare, politike dhe letrare. Veprat e shkruara dhe të botuara prej tij, që i morën gjithë jetën, përbëjnë pasurinë që ai i solli kulturës sonë kombëtare janë:

(1) Doktrina e krishterë (Dottrina Christiana), botuar në një shtypshkronjë në Romë më 1618. Ajo përbëhet nga 175 faqe tekst në prozë dhe 53 faqe në poezi, gjithësej nga dy mijë e ca vargje.  Si proza edhe poezia i janë kushtuar afirmimit dhe përhapjes së besimit të krishterë. Teksti shoqërohet me një parathënie në të cilën Budi jep shpjegimet dhe synimet që kërkonte të arrinte me këtë vepër.

(2) Pasqyra e të rrëfyemit, botuar në një shtypshkronjë në Romë më 1621. Ajo përbëhet nga 400 faqe tekst në prozë, nga 150 e ca vargje në poezi dhe nga një parathënie drejtuar lexuesve. Në këtë vepër Budi bën fjalë për një nga kërkesat më të rëndësishme të fesë së krishterë siç është rrëfimi dhe më hollësisht, në këtë vepër, Budi, jep të gjitha porositë që duhet të përbëjnë fizionominë morale të besimtarit të krishterë, të asaj që është e lejueshme dhe e rekomandueshme për të krishterin dhe të asaj që është e ndaluar dhe e papranueshme për të.

(3) Rituali roman (Rituale romanum) , botuar edhe kjo në Romë më 1621. Ajo përbëhët nga 359 faqe tekst, në të cilin një pjesë relativisht e rëndësishme është shkruar në latinisht me plot himne dhe nja 40 vargje edhe në shqip. Në vepër shpjegohen ritualet e krishtera që duhet t’i administrojë prifti përpara besimtareve, siç janë: pagëzimi, kungimi, pendimi, të rrëfyemit, martesa. vdekja, oracionet, purifikacionet, procesionet dhe të gjitha ritualetmbushin gati gjithë jetën e besimtarëve (Xholi, 2003: 82 – 83).

Pjetër Budi, është shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua poezisë. Pjesa më e madhe e kësaj poezie është tetërrokshe që është edhe normativë e poezisë popullore shqiptare.

(C) Frang Bardhi (1606-1643), autori i trashëgimisë letrare të shekujve XVI-XVII, vepra e tij ka një karakter të veçantë. Përsa i përket veprës së shkruar të Bardhit, kemi një Fjalor latinisht-shqip (1635), një Apologji kushtuar Skënderbeut (1635), në latinisht si dhe një tog relacionesh dhe raportesh, që Bardhi u dërgonte herë pas here eprorëve të Kishës Romane. Kjo veprimtari ndihmon të zbulohen vlerat dhe të vihen në dukje idetë që ai sjell në kulturën tonë (Xholi, 2003: 119). Vepra e Bardhit për heroin kombëtar, Gjergj Katriotin, princ i shqiptarëve, u shkrua latinisht dhe u botua më 1636 në Venedik. Është një polemikë sa e ashpër aq edhe e drejtë kundër një peshkopi katolik boshnjak, Ivan Tomko Marnaviç, i cili më 1631, kishte botuar një vepër, ku pretendonte ta nxirrte veten si trashëagimtar të familjes së Skënderbeut! Këtë falsifikim, Bardhi e “quan të kobshëm”. Prandaj, si thotë vetë, ai nuk mund ta shtynte dëshirën për të shkruar, veçse po të donte të tradhëtonte me turp veten e tij e atdheun.

(D) Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), ishte prej Gurit të Hasit, fshat i Kukësit, nip i Ndrea Bogdanit, arkipeshkv i Shkupit, që do t’i zinte më pas vendin. Çeta e profetëve u shtyp me alfabetin latin sikurse përdorej në botimet italisht, duke shtuar po ato shkronja cirilike që patën përdorur Pjetër Budi e Frang Bardhi, veprat e të cilëve duket se Bogdani i ka njohur. Çeta e profetëve u botua në dy shtylla përkrah njëra-tjetrës në çdo faqe, njëra italisht e tjetra në shqip, në dy vëllime, secili prej tyre kishte nga katër pjesë. Vëllimi i parë, i cili, në fillim, ka disa përkushtime e panegjirikë të shkruara latinisht, shqip, kroatisht e italisht. Aty janë botuar edhe dy vjersha në shqip të shkruara në tetërrokësh me strofa katërshe dhe me rimë ABAB. Vëllimi i dytë, i titulluar De vita Jesu Christi salvatoris mundi (Mbi jetën e jezu Krishtit, shpëtimtarit të botës), i kushtohet kryesisht Dhjatës së Re: Jeta e Jezu Krishtit, Mrekullitë e Jezu Krishtit, Vuajtjet dhe vdekja e Jezu Krishtit, Ringjallja dhe ardhja e dytë e Krishit.

Edhe pse talenti i Bogdanit bie më shumë në sy në prozë, poezisë së tij të thjeshtë fetare nuk i mungon eleganca. Trungun e poezisë së tij e përbëjnë vjershat për dhjetë Sibilat ( e Kumës, e Libisë, e Delfit, e Persisë, e Eritresë, e Samosit, e Kumanit, e Helespontit, e Frigjisë, e Tivolit), vjersha që përshkohen nga prirja e shija baroke për tema fetare dhe aludime klasike. Sibilat ishin femra të frymëzuara nga zotrat, emri Sibila në latinisht vjen nga greqishtja Sibylla, formuar sipas Sios = formë e artit eolit Dios që do të thotë “Këshillë e hyut, mendim, paramendim”(Rugova, 146).

2. 1. Trungu familjar dhe arsimi. Për Buzukun nuk dijmë gjë se nga ishte, po Budi qe nga Mati, Bardhi prej Zadrime, Bogdani nga Guri i Hasit. Jo rastësisht këta emra janë filli i letërsisë shqipe, pa dyshim që ka një argument për seçilin dhe nga studimet e bëra del se: “Këta të katër autorë rrjedhin nga familje me statuse të ngritura, me një traditë dhe kulturë të hershme ku janë mbruajtur edhe mendimtarët tanë”, kështu për Buzukun dihet shumë pak, por kuptohet se nuk kishte si të ndodh ndryshe, që mos të kishte rrjedhur nga një familje e pasur me gjithë atë kulturë që ai rrezatonte. Budi theksonte se Budët ishin një familje e vjetër, e njohur në Mat, por edhe jashtë tij në të gjithë Maqedoninë, Bardhi thuhet se rridhte nga një famijlje e dëgjuar e kësaj zone, që kishte mbajtur funksione të rëndësishme kishtare të transmetuara brez pas brezi, kurse Bogdani rridhte nga një familje e dëgjuar e këtyre anëve nga e cila kishin dalë njerëz të shquar si Andrea Bogdani, ungji i Pjetrit, që kishte arritur të zinte poste të rëndësishme në hierarkinë kishtare në zonat katolike të Shqipërisë Veriore.

Bardhi dhe Bogdani kanë një tipar të përbashkët mes tyre sepse, kryen me sukses shkollën e lartë të Vatikanit, “Propaganda fide”, ku u diplomuan me titullin: “Doktor i filozofisë e i teologjisë”, kualifikim ky i rrallë jo vetëm për Shqipërinë e asaj kohe, por dhe për shumë vende të tjerë.

(1) E përbashkëta, si fillim e këtyre autorëve, që të bie në sy më shumë është se: duke filluar me Gjon Buzukun, i cili ishte prift nga skaji Verior i Shqipërisë, Budi po ashtu edhe shërbeu si meshtar për rreth 12 vjet deri më 1599, kur gradohet në hierarkinë kishtare dhe emërohet zëdhënës i përgjithshëm i kishave të Kosovës, detyrë që e mbajti plot 17 vjet, deri në 1616. Frang Bardhi ishte 30 vjeç kur më 30. 03. 1636 u emërua peshkop i Sapës e i Sardës dhe merrte nën drejtimin e tij të gjitha kishat e asaj zone, ndërsa Bogdani më 1651, në një moshë të re emërohet peshkop i Shkodrës dhe ngarkohet me adminstrimin e kryepeshkopatës së Tivarit, ku shërbeu për 21 vjet deri më 1677. Në këtë vit Bogdanit i jepet një përgjegjësi kishtare edhe më e lartë emërohet kryepeshkop i Shkupit dhe i kishave të tjera të Serbisë.

(2) E përbashkta tjetër është se: të gjithë këta autorë ishin të shqetësuar për mësimin dhe arsimimin e popullit, si dhe për mënyrat e përhapjes së dijeve në vend.

(2. 1) Buzuku e shpall si një nga detyrat e para dhe më të rëndësishme të momentit. Në pasthenien e tij ai flet me krenari për atdheun e vet, për Arbanin si një komb më vete që dallohet krejt nga ai i pushtuesit. Lutet për Atdheun e tij, Arbanin dhe për popullin që e banon, që i quan njerëz të afërt të një gjaku: “për mue e për gjith njerzit e mij ngjakut sim”. Në këtë ligjeratë të Buzukut ai e përfytyronte popullin jo si një etnitet të braktisur, me të cilin mund të bëje ç’të doje, siç e kërkonte pushtuesi, por një popull që ka një atdhe të tijin, Arbanin dhe që ka njerëz atdhetarë që e mbrojnë dhe përpiqen për të mirën e tij.

(2. 2) Budi na paraqitet edhe më interesant në këtë linjë, ai e përshkruante: “Shqipërinë si vendi më i bukur dhe më i pasur se çdo vend tjerër në botë”. Budi, në letrën e tij, nuk zgjatet shumë në arsyetime dhe hyn menjëherë në temë, tregon hapur qëllimin për të cilin e shkruan letrën t’i komunikojë mikut të tij planin e një kryengritjeje antiosmane dhe të kërkojë prej tij një ndihmë të mundshme. Këtë plan Budi e mbështet në radhë të parë në atdhedashurinë dhe në trimërinë e vetë shqiptarëve. Në mes të këtyre trimave shqiptarë dallohen malësorët e Kelmendit “që janë burra të vlefshëm dhe njerëz të vendosur që kurrë turku nuk ka mundur t’i sundojë ose të marrë prej tyre haraçin”. Ata qëndrojmë vazhdimisht me armë në dorë. Trimërinë e shqiptarëve e sheh jo në vetvete, por në emër të një vlere tjetër akoma më të rëndësishme, e sheh dhe e çmon në emër të lirisë. Liri, trimëri, armë, kryengritje ideale dhe arsyetime, këto që nuk i gjejmë shpesh në gojën e një prifti, por që janë krejt të natyrshme për një atdhetar të asaj kohe, siç ishte Budi, një prift atdhetar. Me idealet e lirisë dhe lartësinim e trimërisë Budi lidhej si me të tashmen e asaj kohe, me Barletin, ashtu edhe më të ardhmen e saj Naim Frashërin dhe më gjithë Rilindjen tonë kombëtare.

(2. 3) Edhe te Bardhi shihet që motivi shoqëror mbizotëron në mënyrë të plotë mbi atë personal. Patrioti dhe teologu tek ai do të jenë një. Ndërgjegja kombëtare njëlloj si ajo fetare do të shtyjnë të veprojë e të punojë në emër të një ideali të vetëm, të atij të çlirimit kombëtar. E veçantja e Bardhit ishte se ai përdorte edhe elementet ironike, përbuzëse dhe tallëse për të përshkruar pushtuesin. Dihet se armiku nuk mund të luftohet pa e urryer. Për këtë të vërtetë është i ndërgjegjshëm edhe Bardhi, ai ka fjalët më të rrepta për pushtuesit si shtypës, dhunues e grabitqarë: “Këta popuj janë të shtypur prej turqve…” dhe më keq akoma “turqit kërkojnë me shtypë vendin, duke i ngrënë, duke rrënuar e duke i bërë njerëzit zhele –zhele”. Budi më lart na përmend Kelmendasit si më trimat, kurse Bardhi thotë se të krishterët shqiptarë të Pukës kanë çuar krye kundër turkut. Edhe malësorët e Iballës janë njëlloj si ata të Pukës, njëlloj e urrejnë tiraninë e pushtuesit osman, njëlloj janë mbrojtur me sukses kundër tij: “Turku fshatrat e Iballës kurrë nuk ka mundur t’i shtrojë nën tiraninë e vet, megjithëse vit për vit ka dërguar sanxhakët dhe vezirët e vet herë më 5, herë me 8, herë me 10 mijë ushtarë”. Bardhi, ashtu si Budi e përshkruan me admirim qëndresën e malësorëve të Kelmendit, të cilët njëlloj si ata të Dukagjinit nuk i janë nënshtruar asnjëherë vullnetit dhe bindjes së sulltanit dhe kanë ditur t’u bëjnë ballë me sukses pashallarëve dhe sanxhakbejve që ky ka dërguar herë pas herë kundër tyre. Me hollësi dhe kënaqësi të veçantë përshkruan Bardhi se si disa qindra kelmendas ditën t’u shkaktojnë një disfatë të rëndë më se 15 mijë ushtarëve, me në krye Pashanë e Bosnjës, Vuçe Pashën, të cilin sulltani e dërgoi t’i nënshtronte me çdo kusht, bile dhe me masat më të egra. Bardhi kur përshkruan Shqipërinë dhe trimat shqiptarë ka mendim të njëjtë me Budin se: “Asnjë komb në Evropë që gjendet nën sundimin e turkut nuk mund të flasë me zyrtarët turq me armë në brez e në dorë ashtu siç flasin me guxim dhe ndejun dukagjinasit dhe popujt e Shqipërisë malore”.

(2. 4) Edhe Bogdani ishte një mendje e ndritur kishtare dhe një zemër e zjarrtë atdhetare. Funksionet dhe predikimet e tij fetare ai nuk i ndante asnjëherë nga propaganda atdhetare dhe nga pjesëmarrja në veprimet kryengritëse që bëheshin në zonat ku ai jetonte dhe vepronte.

3. Përshkrime etnografike. Buzuku theksonte lidhjet e gjakut madje ai shkonte deri atje sa thoshte se Shqiptarët janë të gjithë të një gjaku. Këtu zë fill edhe ideja e fisit, e përmendur edhe te Bardhi, tek i cili gjejmë motivin e gjakmarrjës, e cila për shumë arsyje kishte marrë të drejtën e qytetarisë në jetën e populli tonë-shprehet autori. Ajo ishte shenjtëruar nga kanuni që vepronte si një ligj i pashkruar në malet tona dhe ishte i mbrojtur nga bajraktarët dhe të parët e fiseve.

(3. 1) Budi kërkonte në mënyrë të prerë të heqnin dorë nga gjakmarrja, sepse ishte një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm. Ai e përshkruan vëllavrasjen mes Kainit dhe Abelit si një plagë të egër dhe shumë shekullore, kësaj murtaje nga më të hidhurat që mbillte vdekjen në trojet tona. Mbillte dhe po mbjell vdekjen në Jug dhe në Veri, si një kukudh i keq, frikëndjellës, fatkob. Këtij makthi dhe kobi të zi, poeti i del krejt ballazi me thirrje prekse dhe shpresësjellëse.

 

        (3. 2) Kurse Bardhi shkon më tej në problemet sociale të kohës. Ai vinte theksin në lidhjet e martesave ku vë në dukje plot shqetësim zakonin e egër të Malësisë, që vajzat i martonin pa marrë fare pëlqimin e tyre dhe ia jepnin atij që paguante më tepër. Ky fenomen zë një vend të konsiderueshëm edhe të: Kanuni i Lekë Dukagjinit te libri i tretë, neni 31 thotë: “vajza, nuk ka tager me zgjedh fatin e vet, do të shkojë per atë, per të cilin t’a fejojn, vajza nuk ka m’u perzie në shkusi as në fejesë, as në këpucë sa në petka”. Bile tek detyrat e gruas thotë neni 32 thuhet se: “gruja duhet mi inej nën sundim burrit, dhe nuk duhet me ju përzie në fejes të të bijeve e të të bijave (Gjeçovi, 2001: 10 – 11). Me brengë flet e shkruan Bardhi për mënyrën si lidhen martesat, me brengë për jetën e rëndë në punë e me mundime që kalon njëlloj si burri e gruaja në familje, me brengë edhe për mënyrën e tyre të jetesës. “Shumica e malësorëve hanë e bëjnë zjarr, flejnë, mbajnë enët e gjënë e gjallë në të njejtin vend”. Bardhi thotë se shqiptarët në lidhjen e martesës i kapërcejnë lehtë dallimet fetare. Të njëjtën gjë e thotë edhe Konica, i cili theksonte tolelancën fetare.  Bardhi, si prift i bindur, myslimanët i quante të pafe, ose turq, të cilët martohen zakonisht me vajza e gra besimtare dhe fëmijët e tyre kanë merak të madh t’i pagëzojnë. Një nga elementet folklorike që e përshkruan Bardhi është edhe vdekja. Ai vëren se malësorët qajnë me gjithë zemër njerëzit e gjakut të vet dhe e tregojnë keqardhjen dhe lidhjen me njeriun e vdekur: “kur i çojnë ti varrosin të gjithë shqyejnë rrobat, burrat gërvishtin fytyrën me thonj derisa tu dalë gjak dhe lenë mjekrën e nuk rruhen për gjithë vitin”, edhe gratë “shkurtojnë flokët dhe rrahin gjokset kur e çojnë të vdekurin në kishë dhe bërtasin sa kanë fuqi”[1] ( Xholi, 2003: 134). Vdekja është rasti për të treguar edhe lidhjen me gjithë fisin. Besa, nderi, burrëria janë disa cilësi te shqiptari që, Bardhi i vë në dukje, por krahas bindjeve të kobshme kanë zënë vend edhe besëtytnitë. Ai dallon paragjykimet dhe bestytnitë në jetën e malësorëve, si bie fjala “mos me pre ditën e premte asgjë, bile as thonjtë e dorës, me zbulue fatkeqësitë e të ardhmes në kockën e gjoksit të një dashi apo të një cjapi”[2] (Xholi, 2003: 135). Bardhi Skendërbeun e quan herë “kulshedra e Arbnit”, herë “dragoi i Arbnit”.

(3. 3) Si të veçantë te Bogdani shohim se vërtetohet se kulti ndaj dijes te ai ishte mjaft i theksuar. Përsa i përket bestytnive dhe paragjykimeve shohim se Bogdani i mohon dhe, kështu, kur flet për disa fenomene natyrore, në ligjeratën e V të shkallës I, konkretisht për zënien e diellit, e mohon shpjegimin islamik (turk), siç thotë ai, “se diellin e zë dragoi, prandaj i humbet drita”. Në të njëjtin vend mohon edhe shpjegimin kristian të hershëm se “vetëtima shkaktohet nga shtënia me pushkë e Shën Ilisë”, këto ai i shpjegon si fenomene natyrore (Rugova, 169).

(3. 4) Në lëmin etnologjisë disa nga figurat e besimeve popullore na dalin që tek autorët e vjetër. Të Gjon Buzuku e gjejmë  “hie” me kuptimin e një fantazme, kuptim që emrat e “hies” i kanë të gjitha gjuhët ballkanike. Buzuku në “Mesharin” e tij “gigantes” një herë e jep me paladinjtë, një herë me xhigantitë, huazime prej italishtes. “Aty klenë paladinjtë me emëne ata qin së zanët se shekullit klenë n shtati ta mëdhenj e qi dinjnë”. Buzuku për judejtë e hebrejtë thotë vashdimisht xhudhitë, po kështu thonë edhe Budi e Bardhi. Për monstrat, përbindeshat, jep moshtrë, nga lat: mo(n)strum që gjenden tek “Rituali Roman” i Budit (Çabej, 1975: 79).

(3. 5) Ndërsa po ta krahasojmë Buzukun me Bogdanin, që i pari flet për demonët dhe i dyti për zanat do të shohim se kjo e fundit te Bogdani del si figurë e besimit dhe e mitologjisë autoktone.

            “Duel n’GURIT bukuria,

            ZANA si nji Sut’ e naltë,

            qi s’kish mbrenda VENEQIA,

            Të PESHTRIKUT muer Maltë”.

Vargu “duel n’GURIT”, bukuria ka një semanticitet të plotë që përmban në vete një çift kuptimor të koncepteve Guri/Bukuria, që mund të shndërrohet në një koncept sintagmatik. Bukuria e gurit apo Guri i bukurisë, ku guri është real dhe bukuria abstrakte. Po të shtojmë se Mali i Pashtrikut, siç del te Sibila Samia, paraqitet si mali i shenjtë, i perëndive, çka vërteton faktin se ky mal ekzistonte si mal i perëndive dhe i figurave e besimeve të tjera mitologjike. Gjithashtu Bogdani në poezinë që i kushton A.Zmajeviçit, përdor, figura të mitologjisë popullore: “Posi kur mbëlon eklisi, /Përpin’ hanënë dragoni”. Në një poezi tjetër “ Vajzën Mri” e quan “të bukur më fort se Zanë”[3] (Uçi, 1976:242).

(3. 6) Në lidhje me folklorin dhe folkloristikën edhe Budi në këtë fushë dha kontributin e tij. Ai thotë se popullit më tepër i pëlqente: “Me gjegjunë kankë e përrallë e dhuni sa kafshë të mbrazëta që janë për dam të shpirtit, se me bam uratë e me gjegjë meshë” (Neziri, 1995: 30).

(3. 7) Mallkimi. Motivi i gjarprit në këngën e gjashtë e zgjeron temen themelore me motivin e mallkimit, një nga motivet më të përhapura folklorike. Kështu edhe Bogdani inkuadron edhe një topografi të vendit si dhe disa çështje të kohës së tij, p.sh. Luterin e Kalvinin, pra çështjet e Reformës, që i vë në fjalën e mallkimit. Ky dhe të tjera argumenta që parashtruam tregojnë se populli vështirë largohet nga traditat e veta të periudhave të më hershme, që nënkupton se edhe pas kaq vjetësh të Mesjetës nuk pranoi të largohet nga traditat e tij të moçme, sepse atij më tepër i pëlqente ta këndojë dhe të jetojë jetën mendore parakristiane.

Nga shkrimtarët tanë më të vjetër, Buzuku, si autori i parë që njohim, është, pa fije dyshimi, më i studiuar. “Meshari” i tij u tërhoqi vemendjen e gjithë albanologëve, duke filluar me Schiro-i e Petrotta, duke vijuar me Justin Rrotën e Norbert Joklin, Mario Roques-un, Eqrem Çabejnë, Selman Rizën e deri të Ëilfrid Fiedleri e të tjerë. Janë studiuar posaçërisht me vemendje problemet e tekstit, si grafia, vendi i botimit, autori, burimi dialektor i gjuhës së tij, burimet e përkthimit, çështjet të tjera gjuhësore që lidhen me strukturën e kësaj gjuhe dhe shumë probleme rreth e librit.    

Këtu qëndron në radhë të parë vlera e punës së Buzukut, shprehet Prof, Ali Xhiku (Xhiku, HLSh, 1983: ), i cili boton një libër në gjuhën amtare, në kushtet tepër të rënda të atij shekulli të gjatë të pushtimit osman. Rreth vitit 1740 imzot D. Gjon Batisë Nikollë Kazazi, shqiptar nga Gjakova, argjipeshkv i Shkupit, kur kthehej nga vizita apostullore në Bullgari dhe në vendet e tjera të lindjës, gjatë kalimit në Romë, gjeti në Kolegjin e Propagandës një libër të vjetër në gjuhën shqipe. Për librin e Buzukut nuk ishte bërë fjalë deri sa në vitin 1909 Imz. Pal Skiro, ipeshkv arbëresh i ritit bizantin nga Siçelia, bëri kërkime ndër librat e pazbuluar, në mes të të cilëve prehej vëllimi i çmuar (Petrotta, 2005: 256). Studiuesi i mirënjohur Justin Rrota në studimin mbi Buzukun e nis kështu argumentin e tij: “Kush qe Buzuku? Kah qe?”. “Tue e shqyrtue ma imtisht dhe me ndërgjegje nëndialektin e shkrimtarit tinë, na, edhe sot ngulim kambë n’ata çka shkruejshim para 16 vjetvet: “Gjon Buzuku qe një malsuer i Krajës”, lokalitet i Perëndimit i Liqenit të Shkodrës” (Rrota, 2005: 254). Sipas studiuesit dhe pedagogut të letërsisë shqipe në Shkup, Zeqirja Neziri, poezia e Budit i përket Barokut Religjioz dhe se poezia e tij, rezonon natyrshëm me poezinë mesjetare perëndimore. Poezia e Budit mbulon dhe pështjell shqetësimet e kohës së tij, sidomos shqetësimet e krijuesit:

Ku janë ata pleq bujarë

            qi qënë përpara ne

          e ata trima sqimatarë

            të çpejtë si rrufe”?

Ku jep atdheun që lëngon në kthetrat e pushtuesit (Gjoka, 2002: 12).

 

4. Kontributi i tyre si përkthyes

Sa herë bie fjala për përkthimin, është i pashmangshëm imazhi i “Kullës së Babelit”, është i pashmangshëm miti zanafillor i gjuhës, e cila para se të pështjellohej, në mbarë tokën ishte një gjuhë e vetme me fjalë të njëjta. Në këtë kuptim ndër mëkatet e para për të cilën është ndëshkuar njeriu, pas frutit të ndaluar, vrasjes së Abelit dhe mosbindjes para Përmbytjes së Madhe, hyn dhe i katërti Mekati i madhështisë, sipas të cilit breznitë e Noes u besatuan dhe vendosen: “Të ngrehim për vete një qytet dhe një Kullë, maja e së cilës do të prekë qiellin. T’ia rrisim vetes zërin që të mos shpërndahemi faqes së dheut. Jahve-së (Zotit) nuk i pëlqeu vepra e njerëzve. Ai zbriti në tokë për të parë qytetin dhe kullën e njerëzve dhe Zotit tha: “Njëmend qenkan një popull dhe paskan vetëm një gjuhë”[4]!

     Ky është fillimi i veprimtarisë së tyre dhe tash e tutje, nuk do ta kenë të vështirë të kryejnë gjithçka të synojnë. Ejani, pra, të zbresim e t’ua pështjellojmë këtu gjuhën e tyre, që mos të munden të merren vesh njëri me tjetrin. Ajo që mund të themi me siguri, është se të nesërmen, pas pështjellimit, në pajtim me legjendën biblike, babilonasit u gjendën në një terr mosmarrëveshjeje dhe moskuptimi me njëri-tjetrin dhe se, qysh të nesërmen e asaj dite, lindi nevoja e pashmangshme për të kuptuar gjuhët e shumta, deri një ditë më parë të panjohura, çka do të thotë lindi domosdoja e përkthimit. Ricoeur thellohet edhe më tej, duke përsëritur vazhdimisht sentencën e Steinerit- “të kuptosh, do të thotë të përkthesh”. Budi në lidhje me mitin e “Babelit”, përdori fjalë që  ai e përktheu si “porta e hyjve”, edhe si i damun, pra demon, djall, edhe si ngatërroj, pështjelloj.

Në këtë linjë kanë vepruar edhe autorët e letërsisë shqipe, përkthimi ka luajtur rol vendimtar në veprën e tyre dhe secili prej tyre është marrë me përkthimin, në këtë çast është i vlefshëm fakti që Budi na jep një përshkrim në veprën e tij poetike për të gjitha mekatet, për pendesën dhe ndëshkimin, Budi atmosferën e “Ditës së Gjyqit e jep kështu:

E një za i nalti si trumbetë,

            fort i nalti të këmbojë,

            këtë shekull të shkretë,

            mbë gjithanet ta kërkojnë (Gjoka, 2002: 17; Budi, 1986: 51).

      “Ditën e Gjyqit” që do të vijë për secilin dhe do të jetë e pamëshirshme, e shpallur si një bashkëbisedim prishamendas.

Edhe Buzuku edhe Budi shohim se shfrytëzojnë materialet biblike. Pikërisht Buzuku nga “Kënga e këngëve” edhe Budi paraqiten të tillë. Episodet e tij të marra nga Bibla, siç është përshkrimi i vrasjës së Abelit nga Kaini të cilat zbulojnë aktin gjakatar përmes shkallëzimeve të njëpasnjëshme.

     Vepra “Meshari” e Gjon Buzukut (1555), krijuar shekuj më parë, njohur e studiuar kryesisht në aspektin e problematikës gjuhësore dhe të përkthimit, përfaqëson një ndër ato vepra monumentale, që përbëjnë epokë në kulturën e një kombi (Dado, 2006: 211). Të njëjtin mendim në lidhje me përkthimin ka edhe Prof. Çabej kur thekson se: “Që me përjashtim të ndonjë fraze vetiake të autorit hedhur tek-tuk nëpër tekst, ky libër është fund e krye një përkthim. Kjo do të thotë se për ta rrokur këtë libër, duhet të krahasohet ky me tekstin ose tekstet bazë nga ku u krye përkthimi” (Çabej, 1968: 25). Buzuku përtheu pjesë të liturgjisë, ndërsa ata e shkruajnë shqipen nën një ndikim italo-roman, ky e shkruan nën ndikimin venedikas e sllav. Buzuku mund të jetë ndonjë prift shqiptar që sherbeu në Bosnje.

Për të parë më mirë tekstin e Budit si tekst origjinal letrar duhet ta krahasojmë me ato tekste prej nga është bërë përkthimi. Vepra e tij edhe në thelbin e saj është shumë më tepër se përkthim, sepse përmban ndryshime, përshtatje dhe shtojca të tëra që nuk janë në Pasqyrën e mirëfilltë. Në pjesët që nuk janë përkthime Budi ka shtuar sqarime të cilat kanë të bëjnë me shtresat e ndryshme shoqërore të kohës, ndonjëherë mbase edhe me shtresa që kanë qenë në kohën e Bizantit, por nuk janë më. Mario Roques kishte thënë se Budin e karakterizonin tipare që mund të përshkruhen si: kuriozitet që e shtyn në udhëtime, veprimtari metodike që përshkruhet në tërësinë përkthimore të tij, preokupime intelektuale në poezinë e tij (Ismajli, 2006: 17). Budi ishte marrë me përkthimin e hartimin e veprave fetare për nevoja të besimtarëve dhe për “ndimet të patries e të gjuhusë sanë”. Veprat e Budit me shokë nuk janë gjë tjetër pos teksteve fetare doktrinare të përkthyera nga ilatishtja ose latinishtja nga autorë të kohës së Kundërreformës.

Doktrina e krishterë e Budit është një  përkthim i katekizmit të kardinalit Belarmino, vepër e përkthyer me kohë në shumë gjuhë të Europës. Të Budi gjejmë edhe disa zakone shqiptare të asaj kohe, nuk mungojnë edhe shkrimet origjinale, siç është vepra e Bogdanit. Uratat, formulat janë në latinisht, po rubrikat e komentet janë shqip, ku mund të shihet pjesa që ka gjuha e vendit brenda tërësisë së gjuhës latine[5]. Është një fakt i rëndësishëm se tekstet e përkthyera përbëjnë një sektor kryesor të këmbimeve kulturore.

Frang Bardhi, edhe ky autor bëri përkthime fetare, por ato mbetën të pabotuara dhe humbën, ndërsa Bogdani pos përkthimeve të citateve që sjell nga vargjet e Psalmeve të Biblës, të cilat i sjell në formë citati jashtë tërësisë së vargjeve, ai në mënyrë të veçantë sjell disa pjesë, strofa nga poezitë e Homerit, Virgjilit, Juvenalit dhe Plinit. Edhe në këto përkthime është mjeshtër i mirë i përkthimit ku shihet aftësia e tij absorbuese e transponuese. Kështu dy heksametrat e Homerit i përktheu me tri vargje gjashtërrokshe në formë të gjuhës sonë e me rimë. Ndërkaq një strofë katërshe nga ekloga e katërt e Virgjilit e jep në shqip po ashtu me të njëjtin strofë më rimë abab në gjashtërrokëshin, e nga Plini prej nëntë vargjesh katërmbëdhjetërrokëshe në latinisht i nxjerr dy strofa katërshe në shqip me rimë abab në gjashtërrokëshin popullor. Edhe në këto përkthime shihet gjuha e tij e formuar poetike, liria kreative e përkthimit dhe kujdesi i madh për kuptimin e poezisë në gjuhën e përkthyer, që të jetë sa më shumë në frymën e asaj gjuhe, në mënyrë që të ushtrojë efektin e vet artistik e poetik.

 

5. Çështje të përbashkëta në fushë të gjuhës

Për të përbashkëtën në fushë të gjuhës, te këta autorë, profesor Çabeji theksonte: “Këtu na del përpara një lloj koineje në shkrim, një gegërishte veriore e normalizuar. Edhe pse këta autorë, si njerëz të pajisur me kulturën e kohës, dinë të shquajnë në format krahinore nga format e përgjithshme dhe të nxjerrin pasojat e kësaj gjendjeje në shkrimet e tyre, prandaj në këtë gjejmë të përparuara zakonisht fjalë të një tipi më të përhapur dhe po kjo gjë vlen edhe për trajtat gramatikore” (Çabej, 1975: 24). Rol të dorës së parë në historinë e gjuhës së shkruar shqipe kanë luajtur botimet e fjalës së shenjtë, sidomos i librave të meshës, nga të cilët themelorë për historinë e shqipes së shkruar mbetet “Meshari” i Gjon Buzukut (Shkurtaj, 1999: 66).

Si fillim mund të themi se gjuha shqipe, duke pasur Shqipëria një shtet të organizuar prej shqiptarësh, shkruar nga autorë të ndryshëm, në bazë të dialekteve përkatëse të vendlindjes dhe deri vonë secili prej tyre mendonte se ishte i pari që po shkruante shqip, se ishte i pari, që po krijonte një gjuhë shkrimi për të gjithë shqiptarët. Kjo gjë duket qartë sidomos në librat e parë të njohur deri më sot, siç është Meshari i Gjon Buzukut. Edhe pas Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit gjuha shqipe mbeti një gjuhë jozyrtare, e shkruar mbi baza dialektore të gegënishtës (Shkurtaj&Gjinari, 2003: 34).

Për gjuhën e Mesharit një studim me vlerë ka bërë edhe prof. Eqrem Çabej, i cili shprehet se: “Kjo gjuhë historikisht paraqitet si një gegërishte e shekullit 16 se gjuhë i ka rrënjët në shqipen e mesjetës dhe si e tillë paraqet disa tipare paralele të shënueshme me dialektet shpeshherë konservative të toskërishtjës jugore, e më anë tjetër me mbeturinat e toskërishtës mesjetare që ruhen edhe sot të gjalla në Greqi e në Itali, të cilat përbëjnë një farë njësie me ato dialektore, megjithëse këto të diasporës janë përshkruar nëpër një farë zhvillimi me vete. Në pikpamje gjeografike duhet të shikohet se në gjuhën e Buzukut me gjithë karakterin gegë, e veçanarisht, sikundër pranohet, gegë verior të saj, a ka edhe tipare që çojnë në një degë të veçantë të gegërishtës veriore, a mundet pra kësaj gjuhe t’i çaktohet një vend më vete mirëfilli që këto dy mënyra vështrimi, mënyra gjuhësore historike dhe mënyra dialektore-gjeografike, nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, po përkundrazi plotësohen ndërmjet tyre. Huazimet italiane e sllave përkundrazi kanë një rëndësi jo të vogël në punë të përçaktimit të dialektit të autorit tonë. Ato pak huazime turke që ka vepra, janë me rëndësi për kronologjinë, për të vënë re depërtimin e elementeve të para në gjuhën shqipe” (Çabej, 2005: ). Gjuha arkaike e Buzukut e dallon shumë nga pasardhësit e tij. Buzuku përdor alfabetin latin dhe me këtë shkruajnë edhe gjithë shkrimtarët vetiakë pas tij. Jo vetëm Buzuku, por edhe Budi, Bardhi e Bogdani edhe pse janë nga krahina të ndryshe, shohim se në shkrimet e tyre përdorin një shqipe të kuptueshme për të gjithë.

Në studimin “Pjetër Budi dhe gjuha e tij” Çabej arrinte në përfundimin se duke i kundruar këta shkrimtarë si: Buzukun, Budin, Frang Bardhin dhe Bogdanin, në tërësinë e tyre nga distanca e kohës dhe nga gjendja e sotme e kulturës së atdheut tonë, vëmë re se ata përfaqësojnë një lulëzim të shënueshëm të shkrimit të gjuhës e të literaturës së vendit. Fakti që këta nuk janë një e dy, po përbëjnë një varg burrash të pendës, na dëshmon se aty nuk kemi një dukuri kulturore sporadike, po kemi të bëjmë me një lëvizje mendore. Kjo gjë shënon një cak me rëndësi në historinë e popullit shqiptar (Xhiku, 2003: 24).

Në lidhje me gjuhën e Buzukut Kolë Ashta, shkruan se gjuha e veprës së tij është një shqipe popullore që punohet nga shkrimtari. Duhet theksuar fakti se edhe para Buzukut të shkruarit e një gjuhe të kësaj cilësie, duke u barazuar te ligjërimi i popullit, do të ketë qenë në trashëgiminë e shkrimit shqip. I mbështetur në të folmet e popullit, duke e shkruar këtë me një farë normalizimi, Buzuku sjell në gjuhën e veprës së vet edhe dukuri dialektore që lidhen më shumë me trajtat fonetike e ato gramatikore. Përsa i takon leksikut të gjuhës popullore, bashkë me frazeologjinë e tij, do kujtuar së përkthimi nga latinishtja në shqip e nxori Buzukun para një prove të fortë për të kërkuar fjalët e përshtatshme me frazeologjitë e tyre, pavarësisht nga ato, që do t’i ketë marrë prej shkrimeve shqipe të menduara se kanë qenë përpara tij e nga ato që në mënyrë vetjake i përftoi ose i zbërtheu në shprehje me përpjekjen e vet. Sigurisht në gjithë këtë vepër shquhet përpjekja vetjake e Buzukut për të shkruar një shqipe të punuar sipas frymës së gjuhës popullore dhe këtë përpjekje ta shohim po ashtu nga ana thjeshtë gjuhësore. Përpjekja e parë ndër të tjerat u përket fjalëve të sajuara nga Buzuku. Si shkrimtar, që e shkruan shqipen duke marrë pjesë vetë në të, herë-herë vepron në mënyrë origjinale sa që fjalinë e varur të tekstit e zëvendëson në përktim me neologjizmin e vet: “shprehjes ai që është lidhur” Buzuku i thotë Burgëtar, që do të thotë i burgosur; dalja e një neologjizmi qëndron në arsyen kur mungon fjala përkatëse prej nga rrjedhin. Në të shkruarit e shqipës popullore të bie në sy rregulli i Buzukut në ndërtimin e frazave e përdorimi i frazeologjive. Lënda gjuhësore, që përfshin fjalë, fraza e frazeologji, të cilat burojnë nga një gurrë e pashtershme, vjen e hyn në ndërtimin e frazave të Buzukut dhe merr cilësitë vetjake të shkrimtarit. Po ta shikojmë veprën e tij nga fundi të ndërtuarit shqip merr trup e fizionomi më personale, sepse disa fjalë e ndërtime të thjeshta, që kishte zakon t’i përdorte nga fillimi.

Gjuha e Buzukut, sipas Ashtës është: “gjuhë e gjallë me format e veta fonetike, gramatikore, me rregullsi sintaksore, e ngritur në rangun e një gjuhe të lëvruar, e përpunoi, e stilizoi si mjet për të shkruar një vepër të gjërë (Ashta, 2005: 403). Nga ana gjuhësore në veprën e Buzukut një vend të rëndësishëm zënë edhe parafjalët.

Nga ana leksikore gjuha e veprës së Buzukut, në përgjithësi, është e pastër, por ai përdor edhe latinizma, italianizma (si nava, tentoj, fenestra), sllavizma e pak turqizma (si dollame, çohë, kallauz). Në të gjejmë edhe disa fjalë të të tjera, si bas-i (krijuesi), i pamort (i pavdekshëm), i pamasë, i pafryit, i parilenë, të çilat mendohet se nuk janë të gjuhës së thjeshtë popullore, por ndoshta janë krijuar nga vetë autori. Duke ndjekur kronologjikisht historinë e shqipes së shkruar pas Buzukut, disa karakteristika të saj, në këtë periudhë, mund të nxirren duke vëzhguar edhe gjuhën e veprës së Pjetër Budit, sikurse gjuha e Buzukut, është një gegërishte e mesme, shumë e afërt me toskërishten; në strukturën fonetike hasim shpesh ë-në e patheksuar në fund të fjalës (bukënë, faqesë) dhe ë-në paratheksore e pastheksore (dërejt, ishëmi, petëka), diftongjet ie (diell) e oe (voesë), diftongun uo (gruo, duo), zanoret e gjata të dyfishuara (dhee, trii), grupet e bashkëtingëlloreve gl e kl që, përdor Buzuku janë palatalizuar në q e gj. Leksiku është i pasur me fjalë e shprehje të gjuhës së folur të popullit (s’kam as sy e faqe më i dal përpara, thëngjilli i mbuluom, me shtimë laknë n’qafë), por përmban edhe mjaft latinizma e italianizma, ashtu siç i pamë pak më sipër të Buzuku. Bien në sy vargu i sinonimeve: “me fjalë e me ligjërim, me lavdëruom e me perlëvduom”. Te Budidalin për herë të parë në shkrimin e shqipes fjalët: i arsyeshëm, argëtuem, asgjamangu, përshëndet, sqimatar, shembëll, shkak, shkëlqenj. Disa fjalë të shqipës së sotme të Budi janë përdorur me kuptim tjetër (p.sh. lagje=palë, grup; parti).

Në leksikun e veprës së Budit mungon elementi sllav, një dallim ky i cili tek Buzuku, zinte një vend modest. Ja, një tekst: “e mbas gjithë kënço kafshësh desha ashtu ende me vuum këtu disa të tjera qi tashti banenë ndë këtë gjuhu tanë maa keq shëmtuom se as ndoonjë tjetër dorë gjindje përmbi dheet” (Nga “Rituali roman”, 1621; Samara, 2000: 49 – 50).

Leksema semantike kemi: fjalë që gjallojnë ende, të tipit: pleq, trima, perandor, zotëni, gra, vasha, mortja, begati, madhëshi, fjalë dialektore: vobeg, djelm, krye, petkat. Shqipen e bukur, gjuhën plot ngjyra dhe muzikalitetin tronditës, me tharm natyral letrar, Budi dhe të gjithë shkimtarët e shek XVI-XVII e shkëputen prej pelenave të mjegullta duke e bërë mjet komunikimi të kishës, formë kumtuese të kulturës dhe të letërsisë.

Gjuha e veprës së Frang Bardhit nga Kallmeti nuk dallohet shumë prej asaj të shkrimeve të autorëve të tjerë të vjetër të Veriut nga ana fonetike e gramatikore; alfabeti është gati po ai. Në fushën e vokalizmit diftongu uo është kthyer në ue, ashtu siç është në gegërishtën letrare. Ja një tekst i transkriptuar:

“Gjithë atyne t’arbëneshëve qi ta marrënë me e zgjedhunë e me zanë. Tue pasunë ditë e përditë, të dashunitë e mi, mbasi hina ndë Kolegjë, kujtuem me qish çopë librë keshë me ndimuem mbë njaanë gjuhënë tanë, qi po bdaretë e po bastardhohetë saa maa parë të ve”.

Vepra gjuhësore më e rëndësishme e Frang Bardhit është “Fjalori i tij latinisht- shqip” me 5000 fjalë e disa proverba, me rreth 250 faqe, që shënon veprën e parë të leksikologjisë shqiptare. Ja, një tekst:

Desiderare= me dëshëruem

Desperare= me u dëshpëryem

                                    Dextra manus=dora e djathtë

                                    Skalper=hekurë i mprehunë fort (Samara, 2000: 53).

Gjuha e veprës së Pjetër Bogdanit është mjaft e pasur dhe afron me gjuhën e Buzukut, Budit e Bardhit, por është më e rrjedhshme, elegante dhe e punuar; ajo është karakteristike më shumë për të folmen e vendlindjes së autorit. Vepra e Bogdanit është shkruar në alfabetin latin, përmban një visar të madh leksikor shqip thotë se: “mblodhi shumë fjalë plaka e të harrueme, që të mos dvarej gjuha”. Bogdani ndryshe nga paraardhësit e tij, nga ana fonetike përdor më rradhë zanoret e gjata e të dyfishuara, kurse nga ana gramatikore përdor shpesh habitoren (adhuruekëshin) në vend të së pakryerës (adhuronin), të kryerën e disa foljeve jokalimtare e formon me foljën ndihmëse jam (anshtë dalë) (Samara, 2000: 53). Tufa e vjershave të autorëve të ndryshëm që shoqëron veprën “Çeta e profetënve”, tregon se shkrimi shqip i poezisë duhet të ketë qenë gjë e zakonshme dhe e përhapur. Vargje shkruan vetë Bogdani, vargje shkruajnë i nipi, Lukë Bogdani, Lukë Suma. Në veprën “Çeta e profetënve” të Bogdanit nuk mund të lexosh pa u tronditur dhe pa u emocionuar vargje e poezi të tëra që të befasojnë, kur kujton se janë shkruar rreth treqind vjet më parë:

Mbe qiellit nuk ishte as yll, as diell,

            qi me dritte të vet zbardhen dritte të re;

            as hana delte me dy rgjanta bri,

            as prej qiellshit vite rreze për dhe,

            as dheu si sqype nalt qendron e ri,

            as miegullë me shi, as breshen, sa rrëfe,

            as deti me valë epte të madhe gjamë,

            as lymenete me breg ishin zanë[6]….(Uçi, 1976:242).

Si rrjedhim i këtyre fakteve që parashtruam nuk mund të lëmë pa përmendur mendimin e Çabejt në lidhje me gjuhën e “Mesharit”, që sipas tij është një gjuhë e rrjedhshme që e përshkon fund e majë atë dhe nga mënyra, me gjithë lëkundjet e shpeshta, mjaft konsekuente e shkrimit, arrin të bindet njeriu se në Shqipëri ka qenë formuar që më parë, së paku që në mesjetën e vonë, një traditë letrare me shkrime liturgjike, me një ortografi gjer diku të caktuar (Çabej, 1968: 25). Mëryra e shkrimit te Budi shihet në raport dhe me atë të Buzukut e të autorëve të tjerë të vjetër, thekson Selman Riza.

Buzuku është më konservator se Budi, por vepra e Buzukut është vështruar në rrafshe të ndryshme dhe më shumë ka mbizotëruar rrafshi gjuhësor i studimit të saj.                 

 

6. Rëndësia  e tyre në letërsinë e vjetër shqipe

            Libri i Gjon Buzukut shënon fillimin e një tradite letrare në Shqipëri. Shkrimet që kemi para këtij autori, janë vetëm emra, glosa, formula uratash, lista fjalësh, copa biblike të vogla; të gjitha dokumente, të cilat nuk janë krejt pa rëndësi për historinë e gjuhës, porse shumë peshë nuk mund të çojnë në një dokument të Ragusës (Dubrovnikut) të vitit 1285 dhe ky, sikundër shënon Sufflay, është i pari lajm që jepet për gjuhën shqipe ku thuhet: “audivi unam voçem çlamantem in monte in lingua albanesca” (Neziri, 2010: ): “Ndjeva një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe”. Në vitin 1308 një autor anonim, pas gjithë gjasash një ithtar frëng i urdhërit Domenikan, në përshkrimin që jep për vendet dhe popujt e Europës lindore, për gjuhën e shqiptarëve shkruan se: “habent enim Albani prefati linguam distinçam a latinis, greçis et sçlauis ita quod in nullo se inteligunt çum aliis nationibus”. Afërsisht po prej asaj kohe, në vitin 1332, prelati P. Broçadus de Monte- Sion, arqipeshkv i Tivarit, thotë për shqiptarët se: “Këta flisnin një gjuhë krejt të ndryshme nga latinët, porse në gjithë librat e tyre përdorin shkrimin latin” (Neziri, 2010). Edhe Arnold von Harffi, pak para Buzukut, më 1497, thotë për shqiptarët se: “Këta kanë një gjuhë më vete, e çila ndërkaq nuk mund të shkruhet, meqë nuk kanë një shkrim (një alphabet) të vetin në vendin e tyre” (Shuteriqi, 2006: ). Nga kjo del fati tjetër i dukshëm që gjuha e vendit në Shqipëri ka qenë vetëm formula lutjesh e uratash, copa biblike më vete, pra shkrime liturgjike me përmasa të vogla të caktuara për përdorim të përditshëm. Në këto rrethana nuk do të jemi gabim po të mendojmë që te libri i Buzukutkemi jo vetëm më të vjetrin monument të madh të gjuhës shqipe që ne dimë, po përgjithësisht më të vjetrin momument të madh të kësaj gjuhe.

Vlerë më vete vjershat e Budit i bën pa dyshim fakti se shkruante shqip vjersha me tematikë universale, që intelektuali i kohës mund t’i lexonte në gjuhë të tjera. Për origjinalitetin e tij, rëndësi të veçantë ka pikërisht qëndrimi i tij ndaj çështjes së gjuhës e stilit, ku manifestohet vetja e tij, mbi të gjitha gjuha e pasur, e rrjedhshme dhe autentike(Ismajli, 2000: 141). Vlerë tjerër e Budit është se ruajti origjinalin shkrimor dhe kjo vlerësohet si prurje e paçmuar për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Figurshmëria e ngjeshur dhe emoçionaliteti i dëshmuar, konfirmojnë vlera të qenësishme të ligjerimit poetik në krijmtarinë e Budit.

Frang Bardhi me fjalorin e tij, Latinisht- shqip, nis traditën leksikogafike shqiptare dhe të punëve me karakter gjuhësor ndër ne. Bardhi ka një vend të nderuar në historinë e gjuhësisë shqiptare. Fjalori përbën një burim me vlerë për leksikologjinë historike të shqipes (Kastrati, 2000: 79). Autorin e ka shqetësuar së tepërmi gjendja e gjuhës shqipe, sigurisht në lidhje me rrezikun që i vinte asaj nga të moslavruarit si mjet kulture. Vepra e Bardhit është një dokument i gjallë i fjalës së shkruar shqipe të shek XVII me vlerë shumë të madhe. Pasqyron, deri diku, gjendjen e leksikut të shqipës në shek XVII me një nivel shkencor, që u përgjigjej kërkesave të leksikografisë së kohës së tij. Ky fjalor ka rëndësi historike për gjuhën tonë letrare, sepse për herë të parë shqipja vihet përballë e në një rrafsh tërësor e të kodifikuar me leksikun e latinishtes.

Në një studim për Budin e Bardhin Injaz Zamputi pohonte dhe një herë se vdekja e Budit nuk ishte e rastit. Në këtë pikë ai mbeshtetej dhe tek dyshimet e Frang Bardhit, i cili kishte pasur një konflikt me Nikollë Lekën, të cilin e kishte përmendur Budi si student, për të cilin Bardhi thoshte se ai ishte shkaktari i të gjithë të këqijave e skandaleve dhe akuzohej për vepra të ndryshme, në 12 pikat të aktakuzës. Në të 12 prej tyre akuzohej si shkaktari i vullnetshëm e vdekjes së Pjetër Budit.

Abati në fjalë Nikollë Leka deshi të hynte në një barkë të vogël, ku gjendej peshkopi i Sapës, Budi. Ky peshkop duke parë rrezikun, i thoshte që të mos hynte meqë edhe ai vete donte të dilte, por ai pa ua vënë veshin fjalëve të atij, peshkopi mori një zagar dhe hyri në barkë e çila, nga pesha e tepërt, u fundos dhe që të gjithë shpetuan me përjashtim të peshkopit të varfër” (Ismajli, 2006: 16).

Duke e kundruar veprën në këndvështrimin pedadogjik, vëmë re rolin e madh që Bogdani i njeh gjuhës së folur, ashtu dhe gjuhës së shkruar. Rëndësia dhe ndihmesa e tij ishte në shumë fusha si: në fondin e termave që u përkasin pedagogjisë dhe psikologjisë ndeshemi me emërtime të tilla si: shkollë, shkollar, libër, xa (mësoj), shembëlltyrë (përfytyrim), moshat: kërthinjëria, fëminjëria, djelmënia. Siç dihet, mjaft nga termat e përdoruara nga Bogdani mbetën pasuri e fondit të fjalorit të shkollës sonë.

fushën e astronomisë gjithashtu nuk mungojnë termat përkatëse, si Tokë, Qiell, yll, shenj, planet, Siell, Hënë, Mars, Mërkur, Venerë, Jov, Saturn, rruzullim, zodiak, meteor, kometë, eklips. Bogdani na jep edhe emrat e disa yjësive. Sipas tij emrat e shenjeve janë këto: Dashi, Mëzati, Binoshi, (Binjakët), Gaforrja, Luani, Vajza, Terezia. Bogdani i mori nga gjuhë e folur e popullit, disa të tjera, si zodiak, meteor i huazoi nga fjalori i huaj, por ne vemë re se këto terma u trashëguan në fondin e fjalorit astronomik të gjuhës së sotme.

Në fushën e historisë Bogdani përdori terma të tilla, si rregj (mbret) i Arbënit, rregj i Austrisë, perëndia (sulltani) i Turqisë, shekull, pushtim, piramidë, luftë, kuvend, profet. Terminologjia në fushën e gjeografisë, si vepër së Bogdanit ashtu dhe e relacioneve që njohim është po ashtu e pasur. Shtrirja e saj rrok elemente të gjeografisë fizike, politike dhe të asaj ekonomike. Kështu shfrytëzohen terma si këta: katër anët e horizontit që lidhen me erërat, rrethi i shekullit (Rrethi i Botës) dheu i Arbenit, dheu i magjypëve (Egjipti), mali i Sinait, Lumë, lumi i Vardarit, i Danubit, i Nilit, i Tigrit, deti i Kuq, liqen, qytet, sanxhak, malësor, banor, arbnesh, turk. Termat në fushën e gjuhës e të letërsisë, në aspektin pedagogjik, përbëjnë një interes të veçantë. Të tilla janë psh: gjuha, gjuha jonë, gjuha arbëneshe, gjuha e jonë, gjuha e dheut, gjuha ilirike, gjuha shqipe, fjalë, fjalë të gjalla, fjalë plaka, fjalë të harrueme, gramatikë, të folurit, vepër skalë (Osmani, 1996: 99). Bogdanit një ndihmesë dhe vlerë e çmuar i ngelet edhe koncepti i së bukurës, të cilën e përshkruan në kuadër të filozofisë dhe estetikës së Mesjetës. E bukura kozmike si dhe njeriu është vepër e zotit. Përveç të bukurës fizike Bogdani inkuadroi edhe të bukurën metafizike, d.m.th të bukurën shpirtërore, që ekziston në qenien njerëzore. Ajo është përfaqësim  i botës së brendshme të shpirtit të njeriut, që e përshkon atë. Njëherësh kjo është e bukura e brendshme, e cila del si shpirtësim i shpirtit të qenies.

Për historinë sidomos të gjuhës letrare e të fjalorit të saj një rëndësi të veçantë ka leksiku i Budit. Të Budi, por edhe tek të tjerët mund të ndiqet e të shihet se kur shfaqen për herë të parë fjalët që përbëjnë pasurinë e visarit leksikor të shqipes, sidomos ata që përfaqësojnë fjalorin e sferës kulturore. Për ta mbyllur këtë çështje me mendimin e Selman Rizës i cili e vlerësoi veprën e Buzukut si një nga faqet më të ndritura të kulturës sonë kombëtare, them me plot gojën që e përkrah shumë fort këtë ide të këtij studiuesi, vepra e Buzukut njihet si një momument në të gjitha aspektet e studimit të saj.

 

Përfundime

 

Si fillim të dhënat për këta autorë i marrim nga paratheniet ose pasthenie e veprave të tyre. E veçanta e tyre ishte se ata vijnë të gjithë nga zonat Veriore të Shqipërisë.

Ardhja ose rrjedha e tyre ishte nga familjet me statuse të ngritura shoqërore si dhe të pasura mendërisht.

Budi, Bardhi & Bogdani mbaruan të njëjtën shkollë të lartë të Vatikanit me sukses “Propaganda fide” dhe morën si njeri dhe tjetri të njëjtin titull “doktor i filozofisë dhe i teologjisë”.

Në funksionet që ata ushtronin ishin që të gjithë, të të njëjtit funksion, shërbenin si meshtarë, peshkopë, nëpër kisha të ndryshme të vendit si dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Interesi i përbashkët për arsimimin e popullit, shpirti udhëheqes dhe kryengritës, përmendja e Malësorëve për trimëri dhe guxim ndaj armikut. Trajtimi i çështjeve sociale si gjakmarrja, martesa, vdekja, shqyrtimi i konceptit të gjakut nga Buzuku dhe të fisit nga Bardhi, përmes punës së tyre krijuese japin edhe porosi morale. Rëndësia që patën ata për shqyrtimin e elementëve folklotike, si gjama, vdekja, mallëkimi të Budi, zanat tek Bogdani, demonët të Buzuku ose paragjykimet dhe bestytnitë të Frang Bardhi.

Parashtrimi në veprat e tyre të temave të mëdha te Budi tema e pendesës, mëkatit, ndëshkimit, Bogdani flet për qiellin, dheun, detin, zjarrin. Bardhi nga ka lënë një tjetër vlerë me veprën e Skendërbeut, miti i tij i kudo gjendur në çdo periudhë letrare.

Kanë qënë autorë dy gjuhësh edhe shqip edhe latinisht, kanë të gjithë vlerën dhe rëndësinë e tyre në prurjen e një fjalësi të pastërt të gjuhës shqipe.

Vlera gjuhësore qëndron më shumë në anën leksikore dhe gramatikore, shohin që sot kemi shumë trajta gjuhësore të ruajtra ose fjalë të përdorimit të përditshëm.

Një vlerë dhe rëndësi të konsiderueshme ka edhe fjalori i Frang Bardhit.

Meshari është i pari për nga rëndësia dhe vlera gjuhësore.

Ata dhanë një ndihmesë të madhe edhe në përkthim. Kjo vperimtari e tyre ka rëndësi jo vetëm për atë periudhë, kur kushtet dhe gjendja e vendit tonë, sidomos e gjuhës ishte shumë e vështirë, por edhe pse ishte nevojshme të bëhen përkthime të tilla.

Bogdani dëshmon se ishte krijuar një traditë e përdorimit të grafisë latino-italiane në shkrimet shqipe, ndërsa Buzuku ishte më tepër nën ndikimin Venecian.

Budi është i pari nga shkrimtarët e Veriut që e çoi më tej hapin e parë të pasigurt të hedhur nga Buzuku, në drejtim të shkrimit shqip dhe përmes materialit të vëllimshëm të veprës së tij, krijoi një model që e ndoqën autorët pasardhës dhe të cilin Bogdani e konsolidoi dhe e përsosi. Mendojmë se Budi duhet ta këtë njohur veprën e Buzukut, pasi tek i pari gjejmë disa nga shenjat e veçanta që përdori ky i fundit për të dhënë tingujt e shqipes që nuk i ka italishtja, me pak ndryshime e përmirësime nga forma si: 8 =(y),  (te Buzuku 8).

Bogdani, ashtu si edhe Frang Bardhi, para tij, i mori këto shenja, për librin e vet dhe u shtoi atyre edhe shenjën greke ^, për shënimin e (ll)-së velare. Kjo ishte një nga risitë grafike të Bogdanit që e ndeshim deri vonë, në shkrimet shkodrane të shek XIX. Për velarën ai përdor edhe (ll) ashtu si Budi. Ndër shenjat e tjera të veçanta Bogdani është edhe 8 del e ngjashme me atë të Buzukut. Bogdani e Budi, përdori (ç) (Çh) dhe shkronjën greke k, për fonemën K. Bogdani është i pari ndër autorët e vjetër që vuri në përdorim apostrofin, me fuksionin kryesor për të shënuar një zanore të eliduar: “Shofënë ndërkaqa dëshminjërinë e kabalistet e të Rabinjet o mjeshtër pleq të xhudhijet”.

Element dominues të këta autorë është përshkrimi, i cili zë një pjesë të madhe të veprës së tyre.

Poezia e Budit dhe ajo e Bogdanit kanë një lloj rime abab.

                           

                                   

 

                                 BibliogRafia                                                                                                                                                                                                                                                                                                    

1. Ajeti, Idriz (2005), “Përkatësia dialektore që shtron libri i Buzukut dhe tezat tona për zgjidhjen e tyre”: Buzuku dhe gjuha e tij, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë.

2. Ashta, Kolë (2005), Gjon Buzuku e vepra e tij Meshari 1555”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

3. Beci, Bahri (2005), “Rreth së ashtuquajturës “h” irracionale në veprën e Gjon Buzukut”:  Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

4. Camaj, Martin (2005), “Për vokalin nasal ke Buzuku”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

5. Çabej, Eqrem (2005), “Gjon Buzuku dhe gjuha e tij”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

6. Çabej, Eqrem (1968), “Meshari” i Gjon Buzukut (1555), pjesa e 1 dhe e 2-të, Tiranë.

7. Domi, Mahir (2005), “Libri i parë shqip dhe fillimet e letërsisë shqipe”:  Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

8. Demiraj, Shaban (2005), “A ka pasur një traditë shkrimi të gjuhës shqipe para Buzukut”:  Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

9. Dado, Floresha (2006), Intuitë dhe vetëdije kritike, Onufri, Tiranë.

10. Dado, Floresha (2009), Sfida teorike të historiografisë letrare, Bota Shqiptare, Tiranë.

11. Dado, Floresha (2006), Teoria e letërsisë moderne, “Albas”, Tiranë.

12. Elsie, Robert (2001), Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Pejë.

13. Fiedler, Ëilfried (2005), “Supletivizmi në sistemin foljor të gjuhës së Buzukut”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

14. Gjeçovi, Shtjefen (2001), Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kuvendi, Tiranë.

15. Gjoka, Behar (2002), Poetika e Budit, Albas, Tiranë-Tetovë.

16. Ismajli, Rexhep (2005), “Grafia e Buzukut dhe disa çështje të sistemit fonetik të shqipës”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

17. Ismajli, Rexhep (2006), Poezia e Budit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Botime të veçanta LXIII, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Libri 31, Prishtinë.

18. Ismajli, Rexhep (2000), Shkrime të vjetra, Dukagjini, Pejë.

19. Jorgo, Kristaq (2009), Leksionet e lëndës: Letërsi e Krahasuar, Janar- Tiranë, 2009.

20. Kastrati, Jup (2000). Historia e Albanologjisë, Argeta-LMG, Tiranë.

21. Kastrati, Jup (2005), “Meshari në veprat e studiuesve shqiptarë dhe të huaj”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

22. Karagjozi, Mimoza (2005), Parafjalët në ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut, Flesh, Tiranë.

23. Kamsi, Ëilly (2005), “Gjon Buzuku e Konçili i Trenitit”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë..

24. Myderrizi, Osman (2005), “Meshari i Gjon Buzukut në vështrimin fetar dhe politik”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

25. Mansaku, Seit (2005), “Disa veçori morfosintaksore të librit të parë në gjuhën shqipe”, “Buzuku dhe gjuha e tij”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

26. Neziri, Zeqirja (1995), Poezia e Budit, Ekoritmi, Shkup.

27. Neziri, Zeqirja (2010), Leksionet e letërsisë së vjetër shqipe në kontekstin europian, Tiranë, Janar.

28. Osmani, Shefik (2005), Pjetër Bogdani, IDROMENO, Tiranë.

29. Osmani, Tomor (2005), “Konvergjenca dhe divergjenca në alfabetin e Gjon Buzukut: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

30. Petrotta, Gaetano (2005), “Teksti më i vjetër në gjuhën shqipe”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

31. Qosja, Rexhep (2005), “Meshari i Buzukut-një vazhdim a një fillim i madh”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

32. Ressuli, Namik (2005), “Parathënja e librit”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

33. Roques, Mario (2005), “Libri i orëve dhe Meshari të përkthyem prej Gjon Buzukut i shtypun, 1554-1555”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

34. Rugova, Ibrahim (1995), Vepra e Bogdanit, 8 Nëntori, Tiranë.

35. Rrota, Justin (2005), “Hulumtime dhe shenjime mbi Gjon Buzukun”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

36. Samara, Miço (2000), Histori e gjuhës letrare shqipe, SHBLU, Tiranë.

37. Shuteriqi, Dhimitër (1980), Mbi Barletin dhe shkrime të tjera, Naim Frashëri, Tiranë.

38. Shuteriqi, Dhimitër (2005), “Në fillimet e njohura të shkrimit të shqipës, anëshkrimet mbi librin e Gjon Buzukut”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

39. Shuteriqi, Dhimitër (1976). Shkrimet Shqipe, Mihal Duri, Tiranë.

40. Shkurtaj, Gjovalin & Gjinari, Jorgji (2003), Dialektologjia, SHBLU, Tiranë.

41. Shkurtaj, Gjovalin (1999), Sociolinguistika, SHBLU, Tiranë.

42. Tufa, Agron (2009), Leksionet e lëndës: Teori përkthimi, Tiranë-Prill.

43. Topalli, Kolec (2005), “Rënia e zanorës së rrëgjuar fundore sipës të dhenave të Meshartit të Gjon Buzukut”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

44. Xhiku, Ali (2003), Duke lexuar letërsinë e traditës, Dituria, Tiranë.

45. Xholi, Zija (2003), Pesë mendimtarët më të vjetër të kulturës së sonë kombetare,  Gjergj Fishta, Tiranë.

46. Zamputi, Injac (2005), “Mbi rrethanat historike të botimit të Mesharit të Gjon Buzukut dhe vendi i tij në letërsinë e vjetër shqiptare”: Buzuku dhe gjuha e tij, AShSh, IGjL, Tiranë.

 

 

47. Uçi, Alfred (1976),  “Mitologjia, Folklori, Letërsia”, “Naim Frashëri”, Tiranë.



[1] Zija Xholi. “Pesë mendimtarët më të vjetër të kulturës sonë kombëtare”, “Gjergj Fishta”, Tiranë, 2003, fq 134.

[2] Po aty, fq 135.

[3] Alfred, Uçi. “Mitologjia, Folklori, Letërsia”, “Naim Frashëri”, Tiranë 1976, fq 242.

[4] Agron, Tufa, Leksionet e lëndës së “Teorisë së Përkthimit”, Tiranë, prill- 2009, fq 5-6..

[5] Pjetër, Bogdani, “Çeta e profetëve”, Akademia e Shkencave, “MÇM”, Tiranë, 2005, 321.

[6] Alfred, Uçi, “Mitologjia, Folklori, Letërsia”, “Naim Frashëri”,  Tiranë, fq 242.

Shkrime të ngjashme:

  1. Si u hap shkolla e parë shqipe në Kolesjan të Lumës, më 14 tetor 1911
  2. Jorgo Bllaci, poeti që i dha shpirt lirikës shqipe
  3. Nacional publikon për herë të parë dokumentat sekretë: Komunistët shqiptarë në arkivat angleze

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>