Gazeta Nacional Albania

Mark Palnikaj:PUNA ALBANOLOGJIKE E PETËR BARTL DUHET ÇUAR DERI NË FUND

Me 19 maj 2021 ka dalë në qarkullim volumi 5 i serisë “Albania Sacra” i albanologut të shquar Peter Bartl botuar me logon Albanisce Forscungen (Studime Shqiptare) 26. 5 me redaktim të albanologëve Bardhyl Demiraj, Titos Jochalas dhe Oliver Jens Schmitt.
Është vëllimi V i profesor Bartlit i një serie prej pesë volumesh me dokumente mbi gjendjen e kishës katolike në Shqipërinë e Veriut gjatë periudhës së pushtimit turk. Ky vëllim pason katër volumet e mëparshme të shkruara për Lezhën, Durrësin, Sapë-SardëN dhe Pultin.
Petër Bartl u lind më 26 nëntor të vitit 1938 në Cottbus të Gjermanisë. Ai është albanolog gjerman me një veprimtari të gjerë shkencore, e cila përfshin një sërë fushash mbi historinë e shqiptarëve gjatë Perandorisë Osmane, marrëdhëniet shqiptaro-venedikase, ngulimet arbëreshe në Itali etj.. Ai e ka zhvilluar veprimtarinë e tij pranë Universitetit Ludwig-Maximilians në Mynih të Gjermanisë.
Ka drejtuar Institutin e Studimeve Albanologjike në Munchen mbas daljes në pension të albanologut shqiptar Martin Camaj.
Ka marrë pjesë dhe ka mbajtur tema studimore për Shqipërinë në Gjermani dhe në shum shtete të tjera duke sjellë të dhëna mjaft të rëndësishme për historinë dhe kulturën e Shqipërisë.
Botimi i këtij libri është shoqëruar me një trajtesë të shkurtër në gjuhën gjermane për përmbajtjen e tij të cilën po ua përcjellim lexuesve tanë të përkthyer në gjuhën shqipe si më poshtë:
„Ky vëllim përmbyll botimin e raporteve të vizitave nga Shqipëria gjatë periudhës turke. Shkodra nuk ishte dioqeza më e madhe, por më e rëndësishme shqiptare, e cila u ngrit në rangun e kryeipeshkvisë në vitin 1867. Qyteti ishte një qendër administrative dhe tregtare dhe konsiderohej kryeqyteti aktual i Shqipërisë deri në fillim të shekullit të 20-të. Banorët e krishterë ishin në minorancë atje dhe u prekën veçanërisht nga ngjarje politike të tilla si luftërat turke dhe përpjekjet për të ndarë sundimtarët lokalë. Jeta e kishës ishte subjekt i kufizimeve të rënda. Vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të Shkodra u bë qendra kulturore dhe politike e katolikëve shqiptarë falë pranisë së konsujve evropianë dhe protektoratit kulturor austro-hungarez.
Shumica e 139 dokumenteve të botuara në vëllim vijnë nga Arkivi Historik i Propaganda Fide në Romë dhe janë në Italisht. Botimi përfshin jo vetëm raporte vizitash, por edhe letra nga ipeshkvinj dhe klerikë kur raportojnë për kushtet dhe ngjarjet në dioqezë. Dokumentet ofrojnë informacion jo vetëm për kushtet e emërtimit, por edhe për mënyrën e jetës së banorëve, për kryengritjet, masat zyrtare dhe për kulturën popullore. Ato janë një burim i rëndësishëm për gjeografinë historike të Shqipërisë së Veriut. Të gjitha dokumentet janë të pajisura me spjegime të hollësishme në gjuhë për përmbajtjen dhe shënime komentuese. Një hyrje e hollësishme shkon në historinë dhe kufijtë e dioqezës, famullive dhe formimin e klerit, fenomene të tilla si islamizimi dhe kriptokrishtërimi, zakonet dhe sjelljet e banorëve dhe ngjarjet politike. Treguesi i emrave të vendeve dhe një regjistër i emrave të vendeve dhe personave, si dhe termat teknikë përmbyllin vëllimin.”
Fakti më i rëndësishëm ishte ai që profesori i nderuar e ka përmbyllur serinë e tij “Albania Sacra” me volumin e pestë ku përfshihet pjesa brenda kufijve politik të atdheut tonë duke lënë pa përfunduar edhe dy volumet e tjera për Dioqezën e Shkupit dhe atë të Tivarit të cilat për fat të keq janë të shkëputura nga atdheu i të parëve të tyre.
Nga 910 faqe të veprës, dokumentat origjinale përbëjnë rreth 700 faqe. Pjesa e parë, studimi, zë rreth 118 faqe. Me shumë vlerë janë edhe ato pjesë që përbëjnë aparatin shkencor të veprës, sikurse treguesit toponimikë, treguesi i emrave të njerëzve dhe të vendeve etj.
Në serinë “Albania Sacra” ky volum është më i madhi, me 910 ku përfshihen 139 dokumenta të shkruara në gjuhën italjane në mbi 700 faqe format B5.
Kjo e bën këtë libër të jetë më kryesori për të dhënat që përmban për Shkodrën me rrethina për një periudhë 300 vjeçare.
Pjesët më të rëndësishme të këtij studimi kanë të bëjnë me historinë dhe shtrirjen e dioqezës së Shkodrës, me famullitë, shkollat dhe selitë ipeshkvnore, me ndërtesat kishtare, me klerikët dhe urdhrat fetarë si atë françeskan, me islamizimin dhe kriptokrishtërimin, me raportet e kishës me sundimtarët Bushatllinj në kohën kur ata e qeverisën këtë ipeshkvi ,në mënyrë të veçantë me popullsinë, organizimin dhe zakonet e saj, siç na përcillen këto të gjitha nga relacionet kishtare.
Dokumentet e botuara në këtë vëllim janë nxjerrë nga pesë seri: Scritture Orginali Riferite nelle Congregazioni Generali (SOCG), Scritture Riferite nei Congressi (SC), Visite e Collegi, Nuova Serie, Rubrica 109 si dhe nga fondi Missioni të Archivio Segreto Vaticano. Ka edhe dokumente nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit.
Shumica e këtyre dokumenteve botohen për herë të parë.
Ky libër së bashku me katër volume e para duhet të përkthehen në gjuhën shqipe mbasi do të jenë një mjet i mirë për të shkruar me vërtetësi historinë e ndodhive në trevat e veriut të Shqipërisë.
Ne kemi në proçes botimi në gjuhën shqipe vëllimin e katërt të kësaj serie, atë të Pultit me 77 dokumente me rreth 270 faqe.
Botimi edhe i vëllimeve të tjera por sidomos i volumit të pestë ku bëhet fjalë për Dioqezën e Shkodrës ka një rëndësi shumë të madhe.
Këtë duhet ta bëjnë institucione zyrtare nga shoqëria civile ose nga shteti sepse është një ngarkesë mjaft e madhe që ta përballojnë persona studjues privat, të pa varur.
Është në proçes për botim në gjuhën shqipe edhe relacioni i Vinçens Zmajeviqit i vitit 1703, botuar nga Bartli në vitin 1979 në Munchen.
Relacioni i Shtjefën Gasprit i vitit 1671 së bashku me 8 relacione të tjera, është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2020. Këto botime do të jenë një ndihmesë e mirë për studjuesit e historisë por është e pa mjaftueshme nëse nuk përkthehen edhe vëllimet që përmendëm më sipër.
Gjithashtu ka rëndësi shumë të madhe plotësimi i kësaj serie me vëllimet gjashtë dhe shtatë ku të përfshihet dioqeza e Shkupit dhe ajo e Tivarit.
Materialet dorëshkrim janë gati por kërkohet transliterimi (rishkrimi me kompjuter) i tyre dhe përkthimi në gjuhën shqipe. Dhe kjo gjë kërkon patjetër përfshirjen e institucioneve shtetërore në këto projekte me vëllim pune shumë të madh.
Profesorin e nderuar Petër Bartl duhet ta falenderojmë për punën titanike që ka realizuar dhe ti urojmë jetë të gjatë dhe të lumtur. Por fatkeqësisht, tani ai është 83 vjeç dhe me probleme shëndetësore dhe më ka konfirmuar se nuk mundet më të vazhdojë këtë projekt.
Është detyrë e jona, si shtet dhe si shoqëri civile që këtë projekt madhor që ka bërë Bartli ta çojmë deri në fund me sukses. Por kjo kërkon shumë punë dhe vullnet të mirë për tu përfunduar.