Gazeta Nacional Albania

Poetesha Anila Dahriu boton në italisht librin me poezi “Labirintet”, me parathënie nga poeti i shquar italian Dante Maffia

ARTI ËSHTË FRYMA IME
Arti është fryma ime!
Por nga vjen poezia, mbetet një mister i pakufi.
Gurgullon nga momente të imagjinueshme,
nga shtigjet e padukshme dhe të dukshme.
Lind kur hapat e tu takojnë muzën e vërtetë.
Mund të jetë një lule, një ag, një perëndim, një pulëbardhë,
a thua një shpirt
që kurrë s’e harroi shpirtin tënd.
Lind përherë,
dhe rëndësia e saj mbetet
të mbjellë çaste magjike, të paharrueshme.
Anila Dahriu

LABIRINTET
Anila Dahriu

LABIRINTET: POEZIA QË SHKËPUTET NGA RRJETA E KAOSIT
Së fundmi, u botua “Labirintet”, vëllimi më i ri poetik i autores së talentuar, Anila Dahriu. Ky libër është pjesë e serisë prestigjioze të poezive Navigium, kuruar me kujdes nga Antonella Rizzo për botimet Kinetes Edizioni. Një nga pikat kulmore të këtij botimi është parathënia e përkryer dhe mendjehollë e shkruar nga poeti i shquar italian Dante Maffia, i cili, me përvojën e tij të pasur si kandidat për çmimin Nobel në Letërsi, i shton vëllimit një dimension të thellë dhe ndihmon lexuesin të depërtojë më lehtë në kompleksitetin e kësaj vepre unike.
Në këtë përmbledhje të pasur poetike, Anila Dahriu zhytet në kaosin e përvojave njerëzore dhe kolektive, duke ofruar një udhëtim të ndërlikuar mes ndjesive, emocioneve dhe kujtimeve. Autorja përqafon fuqinë e imazheve të gjalla dhe një stil shkrimi të dendur, që përkrah ndjesitë dhe lëvizjet e brendshme në vend të rrëfimeve lineare apo strukturave të parashikueshme.
Poezia e saj përbëhet nga fragmente dhimbjeje, tragjedi dhe konflikte që nuk kërkojnë vetëm të tregojnë, por të transformojnë. Ato bëhen thirrje për reflektim, duke u kthyer në vargje autentike dhe të paharrueshme. Në këtë udhëtim poetik, “Labirintet” përfton dimensione të reja ku lexuesi ftohet të endet mes botës së brendshme të autores dhe asaj universale.
Parathënia e Dante Maffia-s është një pjesë përbërëse e rëndësishme e kësaj vepre, duke dhënë një interpretim të hollë dhe të thelluar të veprës. Ai përqafon dhe shpjegon universalitetin e poezisë së Dahriut, duke e përshkruar atë si një proces krijimi ku dhimbja dhe bukuria shkrihen për të prodhuar një estetikë që flet për të gjithë, pavarësisht gjuhës apo kulturës.
Në vazhdim, kemi kënaqësinë të ndajmë parathënien e plotë të Dante Maffia-s, e cila hap me forcë dhe delikatesë këtë përmbledhje poetike të pazakontë, duke i dhënë lexuesit çelësin për të hyrë në botën e ndërlikuar të Labirinteve.

Giuseppina Irene Groccia

Mbreteron magma… çdo gjë është bërë lemsh, edhe shkretëtira nuk hesht, por janë zëra që ndjekin njëri-tjetrin: keqdashja, dhuna, humbjet, dridhjet, vegimet, thartirat e dhimbjeve të athta, agimet e rrënuara, dhe kanalizimet që kanë zbuluar gojët e tyre dhe tani dërgojnë një erë të ndyrë të pa cipët, pa u shqetësuar aspak se çfarë ndodh dhe çfarë mund të ndodhë.
Njeriu ngatërrohet me objektet, traumat bëhen përditshmëri dhe për rrjedhojë imazhet bllokohen dhe nuk mund të identifikohen midis tyre, aq sa ndodh triumfi i përçarjes, zhytja në pangopurinë e marrëzive.
Ky libër i Anila Dahriut nuk duhet lexuar si një roman aventurash, ndonëse të këqija dhe të dhimbshme, por si një manual infektimi i shoqërisë dhe i njeriut që ka humbur koordinatat e natyrës së tij për t’u bërë një bishë e pa shpirt, një lumë i zi i ligësisë dhe paturpësisë.
Në libër shfaqet, por përmes imazheve, përmes fragmenteve, përmes halucinacioneve, tragjedia e një Shqipërie në krizë, tragjedia e një populli që zbuloi papritur në mes të tij një kortezh çakejsh të gatshëm të copëtonin njëri-tjetrin, pa i kushtuar vëmendje çdo te sillte me tutje pikërisht kjo tragjedi. Prej këtej dërrmimi, isha gati duke shkruar: rrokjen dhe belbëzimin e shumë vargjeve që janë fryt i një tmerri që ka gjetur strehë tek fjalët; prej këtej vjen imazhi i frikshëm të pakufishëm që vë përballë vëllezërit kundër vëllezërve, fëmijët kundër prindërve, të mirën kundër të këqes.
Një poezi si kjo ka diçka të shenjtë, diçka që erëzon ikjen nga rreziku dhe e bën njeriun të ndiejë çarje personale dhe korale, duke e shndërruar dhimbjen të bëhet një këngë për të gjithë, madje edhe një lutje.
Aftësia e Anila Dahriut për të përcjellë atmosferat është vërtet shembullore dhe mund të them falë aftësisë së saj personale për të ringjallur ngjarjet. Për t’i rikthyer ato me shumë kujdes, pothuajse sikur mund të bëjnë akoma dëm: pasojat janë më të dhunshme dhe më të gjata se vetë veprimet.
Anila shkruan sikur ha dhe pi, duke ëndërruar, duke ecur, pra në mënyrë shumë natyrale dhe kjo i mundëson të rivendosë situata të tmerrshme, por pa i ndjekur ato në zhvillimin e tyre, pa u mbështetur në një logjikë të rreptë, përkundrazi duke iu braktisur ndjesive, të cilat janë më shumë se kujtimet, lëvizjet e brendshme që krijojnë lidhje të shkurtra dhe krijojnë gjuhën e hapur të poetit që nuk i drejtohet letërsisë, nuk kapet pas recetave bajate të së shkuarës. Ajo shkruan me lirinë më të madhe, me flakët e zjarrit të saj dhe kjo është arsyeja pse herë pas here duken si “Poezi mizori”, për të parafrazuar titullin e një libri të Antonin Artaud, fragmente furishme që përpiqen të çlirohen nga origjinali nga gunga për të gjetur një harmoni të pamundur.
Madje, ka momente në të cilat ndodh një lloj dishartikulimi i sintaksës si për të mbështetur masën e llavës, kaosin që brenda përzihet me realitetin e ri të pushtuar dhe për pasojë imazhet kapërthehen, kërcejnë, ndjekin njëra-tjetrën, hapur me sa duket, pa lidhje, por janë kallëpi i një dimensioni që ka pasur çarje dhe plagë, plagë të pashërueshme, dhimbje të rënda si shkëmbinjtë.
Nëse mbikëqyrni se si ndonjëherë një varg metaforash grumbullohen së bashku dhe përpiqen të imponohen, të pohojnë domosdoshmërinë e tyre; vini re se si poetesha nuk shqetësohet të fshehë asgjë për ngjarjet, përkundrazi, nëse është e nevojshme, ajo i lë pas dore, për të mbështetur tezat e saj, për t’i bërë njerëzit të kuptojnë se këto vargje nuk janë shpikje, por jeta e jetuar, këngë që vjen nga shpirti dhe dëshiron të pushtojë lumturinë.
Asnjë lexues, nëse nuk është pa shpirt, nuk do të kalojë i padëmtuar (i paprekur) nga shpërbërja e poezisë së Anila Dahriut, sepse do të ndjejë freskinë e saj dhe praninë e jetës, sepse do të ndjejë se nga dhimbja lindin shpesh projekte dhe pretendime, premtime dhe rezultate pozitive.
Natyrisht, e gjithë kjo është romani i jetës së një qenieje që donte dhe dinte të çlirohej nga absurditeti dhe keqdashja, nga marrëzia dhe tërbimi, nga marrëzia e qenieve të tjera njerëzore që ishin tërbuar kundër saj, për arsye shpesh kalimtare, por ajo që ka rëndësi në poezi është forca magjepsëse dhe ndriçuese e fjalës, shprehja që mund të përcjellë plotësisht dhe qartë ndjenjat dhe emocionet. Më duket se Anila Dahriu ka mundur të bëjë gjithçka reale dhe magjepsëse, të plotë dhe të gjallë, domethënë ka mundur të krijojë një libër të pasur me poezi të përftuar duke derdhur jetën në muzikë dhe fjalë me krahë.
Dante Maffia

1
A ka ferri rrudha?
Nuk mund t’i numëroj,
thjesht e di që i shoh.
Jam zhytur në to,
madje po lundroj drejt logjikës së trazuar.
Lindi një foshnje dhe po qan,
bashkë me të lindën arsyet e një tregtari të denjë
që gërmon për të kapur perëndimin e diellit.
________________________________________
2
Tashmë arsyet e mia janë të vlefshme,
zjarri po shkrumbet në venat e mia.
Dhëmbët e kalbur më gjykojnë rëndë.
Kam humbur në ortekun e jetës,
rrjedhur nëpër rrënojat e saj,
ku gjokset e zhveshura
me vetëdije bien dhe ushqejnë tokën.
________________________________________
3
Kërkoj mikpritjen në ferr.
Ai duket i heshtur
dhe shtyp një buton,
ku zinxhirët e ngurtë varrosin keqardhjen time.
Sa e trishtueshme! Nuk di kush jam.
E qara e foshnjës sime më ndëshkon,
dhe mendimet varrosin aromën e qumështit.
________________________________________
4
Shkoj,
drejtime të pafundme më thërrasin.
Ajri rreth meje bëhet mbytës dhe sfidues.
Më kujtohet një shenjë,
një natë për të cilën kam mall,
kujdeset për mendimet e mia,
mbikëqyr plagët e mpiksura të shpirtit,
fshehura nga sytë e botës që nuk pranon.
________________________________________
5
A po recitoj Apokalipsin e Ri?
Urrej fjalën “shpresoj”,
që më duket si e vjellat e gjarprit
i fshehur nën një jastëk,
aty ku ndalohet dora e Zotit
që dëshiron të veprojë i pashqetësuar.
Le të flasim për ëndrrat
të grumbulluara në çmenduri.
E ardhmja, një premtim,
pritet copa-copa nga tehe të mprehta.
Ulem në një karrige të shkatërruar,
lexoj vargje mbi retë
që dalin nga zemra ime.
________________________________________
6
Një bubullimë përshkon erën,
ndryshon destinacionin e saj.
Fantazmat vijnë për të më shpëtuar
me duart e burrave.
Mendova se po vdisja,
zhytur në moçalin e mëkateve të të tjerëve.
Zemërimi im, i madh si një mal,
lind i pasigurt.
Zemra ime nuk është prej çeliku,
dëgjon pendimet që ofrojnë vetëm errësirë,
jo agun.
Ofrojnë zinxhirët e ferrit,
atë trëndafil dhe puthjen e Judës.
________________________________________
7
Një mbrëmje, duke dalë nga shtëpia,
ndjeva ajrin purpur dhe të freskët,
mushkëritë e mia të mpira
ushqeheshin me tym cianidi.
Nuk doja të ngjitesha
në degët e një peme të kalbur,
dija që yjet përherë gëlltiten
nga mëshira e mallkimeve.
Por u ngjita,
e emocionuar nga besimi i tmerrshëm
i mirësisë njerëzore,
që hungërrinte si derrat duke ngrënë.
Mendova të fluturoja,
etja më shtyu të shikoja përballë realitetin.

8
Zbulova që fëmijëria ime e artë
ishte shkrirë në një vazo
që besoja të ishte prej kristali.
Por duart të ndera të gjyshes sime të dashur
e ruanin atë me gjithë plagët e zemrës.
U ndjeva princeshë,
dhe imagjinata ime
përkëdhelte idhujt e së ardhmes.

Parathënia e Dante Maffia-s për librin “Labirintet” të Anila Dahriut është një analizë e thellë dhe ndjeshme, që tejkalon një interpretim tradicional të poezisë. Maffia paraqet një vizion të qartë mbi fuqinë shkatërruese dhe ndërtuese të fjalës poetike, duke theksuar se vëllimi i Dahriut nuk është thjesht një koleksion poezi, por një akt krijimi që buron nga kaosi i dhimbjes dhe i absurditetit njerëzor.
Ndjeshmëria ndaj Kaosit dhe Përçarjes

Parathënia përshkruan një botë të trazuar, ku gjithçka është bërë lemsh – një shkretëtirë që nuk hesht, por që përcjell zëra dhimbjeje, keqdashjeje dhe vegimesh tronditëse. Kjo ndjenjë e kaosit dhe e përçarjes përbën shtyllën qendrore të poezisë së Dahriut. Maffia përshkruan me mjeshtëri mënyrën se si njeriu përzihet me objektet, traumat përzihen me përditshmërinë dhe bllokimet perceptive e pengojnë identifikimin e qartë të realitetit. Ky triumf i përçarjes është reflektuar në strukturën dhe tematikën e librit.
Stili i Lirë dhe Natyral i Shkrimit

Maffia lavdëron aftësinë e Dahriut për të shkruar natyrshëm, si një akt spontan jetese, duke shmangur konvencionet tradicionale të letërsisë. Ky stil i lirë i lejon poetes të kapë ndjesitë e thella, të cilat shpesh tejkalojnë logjikën lineare dhe krijojnë një poezi që rrjedh si një llavë e pakontrolluar. Ai thekson se kjo qasje i jep poezisë një forcë të veçantë, duke krijuar fragmente të fuqishme që i rezistojnë harmonisë së zakonshme dhe i bëjnë lexuesit të ndiejnë dhimbjen dhe intensitetin e përvojës njerëzore.
Universialiteti i Tragjedisë

Duke iu referuar Shqipërisë dhe krizave të saj shoqërore e politike, Maffia përshkruan mënyrën se si Dahriu e trajton këtë tragjedi nëpërmjet metaforave, fragmenteve dhe imazheve haluçinante. Poezia nuk kufizohet në dimensionin kombëtar, por zgjerohet për të përfaqësuar një krizë universale të njerëzimit – një përballje me absurditetin dhe ligësinë që shfaqet si në shoqëri ashtu edhe në individ.
Fuqia e Shprehjes Poetike

Maffia thekson se forca e Dahriut qëndron në aftësinë e saj për të përkthyer dhimbjen dhe absurditetin në poezi që frymëzojnë reflektim dhe shpresë. Poezia e saj nuk është një strehë, por një mjet për të ndërgjegjësuar lexuesin mbi dhimbjen dhe përçarjet që janë pjesë e pandashme e jetës njerëzore.
Parathënia është një shtesë e rëndësishme për këtë vëllim poetik, sepse jo vetëm e prezanton veprën, por edhe krijon një udhëzues interpretativ për lexuesin. Ajo ndihmon të kuptohet thellësia dhe kompleksiteti i poezisë së Dahriut, duke i ftuar lexuesit të hyjnë në këtë botë të ndërlikuar me një qëndrim të hapur dhe të vëmendshëm.
Në përgjithësi, parathënia e Maffia-s është një reflektim mbi fuqinë transformuese të poezisë si mjet përballjeje me kaosin e botës dhe si një mënyrë për të zbuluar bukurinë në dhimbje dhe absurditet. Përmes kësaj analize, libri i Dahriut shfaqet jo vetëm si një vepër artistike, por edhe si një testament i rezistencës njerëzore përballë krizës.
Kjo poemë nuk është thjesht një reflektim mbi dhimbjen dhe absurditetin, por një thirrje për të gjetur kuptimin përmes përballjes me to. Vargjet janë të mbushura me ndjenja të fuqishme, të ndërthurura me një stil të veçantë dhe një gjuhë që sfidon lexuesin të shkojë përtej sipërfaqësores. Në këtë kontekst, poema mund të shihet si një udhëtim shpirtëror, një luftë për të zbuluar vetveten dhe një dritë shprese në errësirën e ekzistencës.

ANTONELLA RIZZO

PËRGATITI DHE SHQIPËROI: ANILA DAHRIU
ME PJESËMARRJEN E:
ANTONELLA RIZZO (SHKRIMTARE)
GIUSEPPINA IRENE GROCCIA (ARTISTE)

GIUSEPPINA IRENE GROCCIA

ANTONELLA RIZZO