Gazeta Nacional Albania

IBRAHIM D. HOXHA DHE VEPRA E TIJ E PAVDEKESHME PËR ÇAMËRINË . Nga Ahmet MEHMETI

Ibrahim Daut Hoxha Bejdeshati (Konispol, 15.04.1923 – Tiranë, 26.10. 2020), si pasardhës i denjë i një nga familjeve atdhetare nga më të shquarat për atdhetarizëm në Çamëri e në gjithë Shqipërinë, e vazhdoi traditën luftarake të të atit, me armë në dorë, në ndjekje të armiqve kombëtarë, edhe matanë kufijve shtetërore. Pas Luftës së Dytë Botërore ai u diplomua në Shkollën e Lartë të Oficerëve dhe pastaj në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Dega Histori-Gjeografi.
Pas mbarimit të studimeve arma e tij e preferuar u bë penda, ai vazhdoi të hulumtojë, mbledhë dhe studjojë me pasion historinë e folklorin, trashëgiminë e shkruar letrare e artistike etj.Por në jetën e tij krahas sakrificave të familjes dhe të vetat pas luftës u shtuan përndjekjet e regjimit totalitar me përjashtimin nga radhët e partisë shtet, ndërprerjet e herëpasherëshme të studimeve, çensurimin dhe ndalimin e disa veprave, degdisjen në punë shumë të vështira ose dhe papunësinë e imponuar deri edhe burgosjen pa faj, thjeshtë për bindje ideologjike.
Si disident i pamposhtur ai u ngrit mbi të gjitha ato poshtërsi me punën e vet këmbëngulëse dhe titanike duke na dhënë veprat madhore historike: “Nëpër udhën e penës shqiptare”, “Çamëria dhe Janina në vitet 1912 – 1922” (Luftrat ballkanike dhe lufta e Dytë Botërore); “Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek”, si dhe përmbledhjet folklorike “Këngë popullore çame”, “Bilbila dhe thëllëza çame”, monografi të ndryshme, biografi, vëllime poetike etj.
Një thesar më vete është puna e tij për nxjerrjen në dritë të veprave të autorëve çamë si Muhamet Kuçuku Çami, Hasan Tahsini, Refo Çapari, Qamil Izet Çami etj. Theksojmë këtu vlerën e jashtzakonëshme të veprave studimore ”Nëpër udhën e penës shqiptare” dhe “ Vjershëtarë të hershëm çamë”, me studime për historinë e letërsisë dhe një antologji të gjerë me krijimtarinë artistike të kësaj treve të harruar nga institucionet shtetërore përkatëse arsimore, kulturore dhe akademike.
Në opusin e vet Ibrahim D. Hoxha na la trashëgim 21 libra të botuara dhe 7 të tjera me bashkautorë, ka shkruar rreth 300 punime historike të botuara në 18 organe shtypi të përkohëshme dhe 32 të përditëshme e të përjavëshme, brenda dhe jashtë vendit.
Gjithë kjo punë madhështore dhe e gjithanëshme vjen natyrshëm dhe kulmon me veprën “Enciklopedi Jug-Shqiptare” (Vol. I dhe II,Tiranë 2006, 2009). Kjo vepër u ndoq nga dy botime voluminoze enciklopedike të plotësuara më së fundi me titujt “Çamëria, Labëria dhe Mollosia”, Tiranë, 2017 dhe “Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria”, Tiranë, 2019.
Me skrupulozitet shkencor autori në këto vepra na jep vendet dhe njerëzit, veprimtarinë krijuese në të gjitha dukuritë e jetës materiale e shpirtërore. Një kujdes të veçantë u kushton ai dokumentimit e ilustrimit të ngjarjeve, figurave, dukurive, proceseve e problemeve nga antikiteti deri ne ditët tona.
Në këto enciklopedi jeta e shqiptarëve të jugut, çamëve etj, jepet në tërësinë dhe vazhdimësinë teritoriale me të gjitha pjesët e tjera përbërëse të atdheut si dhe me diasporën, me popujt e tjerë fqinj e më tej, në kontaktet me ta në kohë e hapësirë.
Krahas autorëve më autoritarë perëndimorë autori u jep përparësi shkrimtarëve dhe historianëve grekë, si të atyre antike si Tuqididi e Straboni ashtu edhe atyre moderne nga Aravantinoi e deri te Jani Sharra e Niko Zhangu.
Me këtë synon dhe ja ka arritur qëllimit të japë argumente bindëse për cilindo studjues, specialist apo lexues të thjeshtë lidhur me autoktoninë dhe vazhdimësinë e shqiptarëve të jugut në trojet e veta etnike nga antikiteti i hershëm në mesjetë e deri sot si dhe për të gjykuar me paanshmëri e vërtetësi shkencore për ngjarje, dukuri, procese e personalitete nga më të ndryshmit.
Si në asnjë botim enciklopedik të mëparshëm, shqiptar apo të huaj, në këto libra jepen figura dhe ngjarje që kanë qenë mohuar, janë trajtuar si tabu ose janë shtrembëruar dhe nxirë (denigruar) nga qendrime keqdashëse, ideologjike ose raciste.
Përveç njerëzve, vendeve dhe ngjarjeve në këto enclikopedi një vend të veçantë zenë edhe fjalët e rralla shqipe, një pjesë e madhe e të cilave përdoren edhe sot nga çamët dhe janë një burim i pazëvendësueshëm për pasurimin e gjuhës letrare kombëtare.
Në gjithë këtë punë kolosale enciklopedike bie në sy erudicioni i autorit dhe kujdesi i jashtzakonshëm për përdorimin e fjalës së pastër shqipe duke shmangur me mjeshtëri fjalët e huaja parazitare që kanë vërshuar dhe kanë ndotur fjalorin e politikanëve e publicistikës mediokëre. Nga kjo pikëpamje Ibrahim D. Hoxha është shembull i shkëlqyer në fushën e pasurimit dhe pastërtisë së gjuhës shqipe në letrat bashkëkohore.
Një veçori e zërave të këtyre enciklopedive është gjerësia e trajtimit krahas informacionit të ngjeshur. Disa zëra në vetvete paraqiten si enciklopedi brenda enciklopedisë. Ata paraqiten si artikuj ose studime përgjithësuese, më të gjerë, me vështrime historike më të thelluara; ndër ta përmendim: “Hapat e parë për shkrimin e shqipes në jugun shqiptar”, “Shoqëritë kombëtare dhe shkollat shqipe të parapavarsisë, “Shkollat shqipe në Çamërinë e robëruar”, “Shtypi çam”, “Shqiptarët në shtetin grek”, trajtimi i dyerve të mëdha të Çamërisë etj, etj. Të gjitha këto janë shtjelluar me një dashuri e devocion të veçantë, me kopetencë të admirueshme.
Gjatë gjithë jetës së tij aktive, në biblioteka e arkiva, në kontakte të vazhdueshme me njerëzit më të ditur e më të gatshëm për të ndihmuar, në lidhje të përherëshme me vetë aktorët e ngjarjeve, ai ka ditur të vjelë fakte e dëshmi, dokumente e fotografi të cilat i kanë shërbyer për te ilustruar mjeshtërisht edhe këtë vepër madhështore e të shkëlqyer.
Meritë e veçantë e kësaj veprimtarie enciklopedike është fryma shkencore polemiste, në mënyrë të veçantë e kryesisht me pseudoshkencëtarët grekë megaliideistë, me politikanët dhe propagandën ultraraciste aktuale greke që bëjnë çmos për të fshehur e shtrembëruar ato të vërteta që kjo vepër i ka nxjerrë në dritë me një mjeshtëri të rrallë e plotësisht të argumentuara.
Është kjo arsyeja pse kjo vepër do të shërbejë si mjet reference e konsultimi shkencor si për specialistët e fushave përkatëse, për politikanët si edhe për lexuesit e interesuar, në shtëpi, shkolla e biblioteka.
Vepra madhore shkencore historike, kulturore dhe krijuese artistike e Ibrahim D. Hoxhës lexohet me kënaqësi të veçantë për stilin e zhdërvjellët, argumentet e forta, informacionin e pasur, gjuhën e pastër e figurative pranë të cilave pulson sot e në të ardhëmen një zemër e madhe e një mendje e ndritur.