Gazeta Nacional Albania

59 vjet më  pare ndërroi  jetë Mbreti Zog I. Nga Ekrem Spahiu

 

Mbreti Zog I gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve

Më 9 prill 1961, ndërroi jetë në Paris Mbreti Zog I.Kombi shqiptar humbi burrin e shtetit më të shquar dhe më me ndikim në historinë e tij moderne. Ndërkohë që vdekja e Mbretit Zog u lajmërua në gazetat më të mëdha botërore të kohës,në vendin që e kishte lindur,udhëheqja e lartë komuniste festonte, ndërsa heshtja për popullin shqiptar që kishte nostalgji për Mbretin Zog ishte e plotë.

Kolonel Hysen Selmani që shërbeu pranë Mbretit Zog I si adjutant i Tij, i ka publikuar momentet e fundit të jetës së Mbretit si më poshtë:

Më 20 Mars 1961, ai u shtrua në spitalin “Foche”. Nuk ishte edhe aq i lodhur. Gjithmonë ishte me ato shaka, por, pinte shumë duhan e kafe dhe hante shumë pak. Aty u zu një apartament ku Mbretëresha Geraldinë ishte gjithmonë me Mbretin. Edhe ne zumë dy dhoma për dy oficerë të shërbimit. Përditë, e vizitonin Princeshat dhe gjithë personeli i Oborrit. Javën e parë ishte fare mire. Edhe në spital pranonte vizita, e kishte bërë pothuaj si në shtëpi. Kur nisi të ndiejë dhimbje dhe dobësi, menjëherë u thirr profesori Leneger dhe doktorët e spitalit “Foche.” Ata na këshilluan të thërrisnim edhe një profesor prej Gjermanie dhe një prej Zvicrës. Kështu do të bëhej një konsultë e përgjithshme. Më 28 Mars 1961, u bë konsulta në prezencën e 6 profesorëve më kompetentë të Europës. Ata konstatuan se, përveç ulçerit, kishte dhe kancer në mëlçinë e zezë. Profesorët u këshilluan dhe pas ekzaminimesh, vërtetuan se nuk mund t’i bëhej një operacion. E panë të pamundur, sepse kishte arritur në gradën e fundit.

Më 9 prill 1961 ora 15.40, është kjo koha kur Madhënia e Tij, Zog I – Mbret i Shqiptarëve është me një lodhje të madhe. Ai i lëshoi krahun në qafë Princit Leka dhe i tha me një zë të ulët: “Lekë, tani je burrë. T’i mbani porositë që ju kam këshilluar. Pa masë, asgjë mos t’ju dhimbset për të mirën e Atdheut”.Kur mbaroi këto fjalë ngriti kokën dhe na pa të gjithëve. Me dorën tjetër mori dorën e Mbretëreshës e po shikonte të motrat. Ato ishin të këputura. Fytyra e tij ishte në qeshje si gjithmonë. Pas kësaj, nuk bëri asnjë lëvizje dhe mbylli sytë e…

Më 10 prill 1961, trupi iMbretit Zog I u vu në një arkivol me xhama dhe u vendos për homazhe në një sallon të madh. Për dyzet e tetë orë, natë e ditë, qindra shqiptarë nga e gjithë bota erdhën e u përkulën para trupit të Mbretit duke derdhur lot e duke lutur të madhin zot për shpirtin e Tij. Presidenti i Francës, Gjenerali De Gol kishte dhënë udhëzime që refugjatët që vinin për këtë rast, të hynin në Francë pa viza.

Më11 Prill 1961, në orën 13.00 është përgatitur ceremonia e varrimit të NMT Zog I – Mbretit të Shqiptarëve. Arkivoli qëndronte përmbi supet e shqiptarëve dhe ishte i mbuluar me Flamurin Kombëtar. Përmbi stemë, dukeshin me shkronja të mëdha shkrime të arit, fjalët që gjithmonë Mbreti Zog, i kishte në zemër: “Atdheu mbi të gjitha.” Lotët e shqiptarëve dhe të gjithë miqve e kishin rrethuar Mbretëreshën dhe Princin Leka. Me një kortezh shumë madhështor u zhvillua edhe ceremonia e përcjelljes së trupittë Madhërisë së Tij Zog I – Mbret i Shqiptarëve për në banimin e përkohshëm në “Thiais Parisien”.

Në njohje e vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së Tij historike e kombëtare, mbas 51 vitevemë 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, shteti Shqiptar organizoi një ceremoni madhështore zyrtare për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog I në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë, ndërtuar pasaçërisht për këtë ditë të shënuar. Ky mauzoleum u ngrit pranë themeleve të mauzoleumit të Nënës Mbretëreshë Sadije, i cili u shkatërrua më 17 nëntor 1944. Kjo datë simbolike e ringritjes së tij dëshmon vullnetin e kombit shqiptar për ndreqjen e padrejtësive historike. Në këtë mauzoleum prehen eshtrat e Mbretit Zog I, Mbretëreshës Geraldinë, Mbretit Leka I dhe Mbretëreshës Suzan.

Presidenti i Republikës z.Bujar Nishani, në këtë ceremoni i ka akorduar Naltmadhnisë së Tij Zog I – Mbretit të Shqiptarëve “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” (pas vdekjes), memotivacionin:
“Figurë madhore e qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

 

*Ish – deputet & kryetar i PLL