Gazeta Nacional Albania

78-vjetori i lindjes: POETI I MIRËNJOHUR ANTON PAPLEKA RRËFEN 78 VITET E JETËS SË TIJ

Jeta e varfër në fshat, etiketimi si reakionar në Lekbibaj dhe përkrahja nga Todi Lubonja për të vazhduar studimet e larta për letërsi

POETI I MIRËNJOHUR ANTON PAPLEKA RRËFEN 78 VITET E JETËS SË TIJ

– Njëherë, mësuesi kujdestar që hyri në klasë në kohën e pushimit të shkurtër midis dy orëve, na gjeti mua dhe dy-tre nxënës të tjerë duke lëvizur në hapësirën para dërrasës së zezë. I inatosur nga pluhuri që ishte ngritur nga dyshemeja, ai i mbërtheu sytë tek unë dhe më tha me zë të ashpër:
-Reaksionar! Ti nuk do të shkosh kurrë në shkollën e mesme !…

– Përsëri e kërkova shpëtimin në Tiranë. Me ndihmën e Todi Lubonjës, drejtues i rinisë, të cilin e kisha njohur në konferencën e rinisë të rrethit të Tropojës, arrita të regjistrohesha në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe.
Pegadogët që jepnin leksione për gjuhësinë, ishin personalitete të shquara si Eqrem Çabej, Selman Riza, Shaban Demiraj…

Si të gjithë fëmijët e fshatit, unë isha i rrethuar nga natyra. Më mahnitnin ndërrimet e stinëve dhe ndryshimet e motit. Sidomos gjelbërimi, lulet, fluturat dhe zogjtë…
Në të njëjtën kohë, rreth meje buiste një luzmë po aq tërheqëse legjendash, përrallash, këngësh për fëmijë, këngësh lirike dhe trimërie që i tregonin njerëzit e familjes apo bashkëfshatarët. Duke i dëgjuar ato krijime gojore, më lindi dëshira t’i mësoja përmendsh disa prej tyre. Ato qenë antologjia e parë letrare që më ngjalli dëshirën për poezi.
Sot, mund të them se kjo dëshirë ka qenë diçka më tepër sesa një tekë fëmije. Me kalimin e kohës, ajo nuk u shua, por u rrënjos tek unë. Mbaj mend se një natë bujti në shtëpinë tonë një i njohur nga një krahinë tjetër. Qëlloi që ai dinte shumë këngë, të cilat i tregonte me qejf. Të nesërmen, ky bujtës u detyrua ta shtynte nisjen për rrugë një copë herë, sepse unë kërkova me të qara që ai të ma përsëriste një nga këngët e bukura që dinte, derisa e mësova përmendsh.
Shkolla fillore ma shtoi dashurinë për poezinë. Aty e mora vesh se këngët nuk përcilleshin vetëm gojë në gojë, por ato bënin jetën e tyre edhe në libra. Pasi mësova shkrim e këndim, fillova të lexoja edhe ndonjë libër letrar apo ndonjë numër të gazetës “Pionieri” që më binte në dorë. Ndër librat e parë që kam lexuar, kanë qenë “Trimëritë e Herakliut“, „Aventurat e Buratinos“, «Medeja“. Dikush më huajti një përmbledhje të serisë „Visaret e Kombit“ me këngë kreshnike, e cila ma mbushi imagjinatën me imazhe të jashtëzakonshme.
Nxitjen e parë për të qenë më tepër sesa lexues i poezisë, ma dha mësuesi i gjuhës dhe i leximit letrar Dedë Prelë Malaj. Kur isha në klasën e gjashtë, ai më futi në rrethin letrar, sepse kisha nota të mira në lëndën e tij. Ai i porositi të gjithë anëtarët e rrethit letrar të shkruanin nga një vjershë për ta vënë në gazetën e murit. Vjersha që bëra me këtë rast, ishte një vargëzim fillestari, por mua më dukej si një krijim magjik. Të gjitha vargjet i shkrova me shkronja të mëdha shtypi në një fletë fletoreje.
Si shumica e moshtarëve të krahinës sime të varfër e të pazhvilluar, unë nuk kisha dëshirë të vazhdoja shkollën e mesme për t’u bërë letrar, po për të shpëtuar nga varfëria, për të jetuar si ata bashkëfshatarë të arsimuar në shkolla të ndryshme që punonin si mësues, infermierë, oficerë etj.
Klasa ku bënim mësim, ishte e shtruar me dërrasa gjysmë të kalbura, të mbuluara me baltën që sillnin opingat e nxënësve kur binte shi. Njëherë, mësuesi kujdestar që hyri në klasë në kohën e pushimit të shkurtër midis dy orëve, na gjeti mua dhe dy-tre nxënës të tjerë duke lëvizur në hapësirën para dërrasës së zezë. I inatosur nga pluhuri që ishte ngritur nga dyshemeja, ai i mbërtheu sytë tek unë dhe më tha me zë të ashpër:
-Reaksionar! Ti nuk do të shkosh kurrë në shkollën e mesme!…
Kisha dëgjuar se në fund të vitit 1944, para se të lindja unë, një nga kushërinjtë e mi ishte vrarë pa gjyq nga forcat e komandës së vendit, i paditur nga një bashkëfshatar për mbajtje armësh të fshehta. Dy kushërinj të tjerë që rrezikoheshin të arrestoheshin nga Sigurimi i Shtetit, ishin arratisur në Jugosllavi. Megjithatë në atë moshë që kisha, unë nuk e kisha të qartë kuptimin e shprehjes „biografi politike e keqe “ dhe nuk e dija se cilat ishin pasojat e saj të tmerrshme.
Paralajmërimi i mësuesit kujdestar më bindi se dëshira ime për të vazhduar shkollën e mesme nuk do të përmbushej. Pas këtij sinjali tronditës, shkova në seksionin e arsimit të rrethit dhe bëra kërkesë për t’u pranuar në konviktin e Qytetit Bajram Curri. Megjithëse u thashë se isha jetim, kërkesa ime nuk u mor parasysh. Pas këtij dështimi, u binda se për mua ato dyer ishin të mbyllura…
Në këtë mjedis të ri, fillova një jetë të re që nuk kishte të krahasuar me jetën time të mëparshme. Shumica e pedagogëve që jepnin mësim në këtë shkollë, kishin mbaruar studimet jashtë shtetit. Veç përgatitjes së lartë profesionale, ata rrezatonin kulturë nga mënyra sesi silleshin me nxënësit, sesi visheshin dhe flisnin…
Rreth shkollës ku mësoja unë dhe në tërë Qytetin e Nxënësve kishte lulishte dhe parqe të bukura. Ky ndryshim i theksuar që ndodhi në jetën time, e shtyu të mugullonte farën e poezisë që fshihej brenda meje. Mbusha me vargje një fletore, e cila i ra në dorë pedagogut të kësaj shkolle dhe shkrimtarit të njohur Gjergj Zheji, i cili i afishoi sprovat e mia të para poetike në gazetën e murit « Letrari i Ri ». Më vonë, ai më shoqëroi në redaksinë e gazetës « Zëri i rinisë » dhe më ndihmoi të botoja në faqen e saj letrare. Poetët që lexoja dhe që i kisha për zemër në atë kohë, ishin Ndre Mjeda dhe Viktor Hygoi.
Pas mbarimit të shkollës së mesme dyvjeçare, u emërova mësues në një fshat të Tropojës. Në mjedisin ku punoja, poezia ishte diçka e huaj. Kushtet e jetesës nuk ishin të lehta. Krahas mësimdhënies, më duhej të jepja provimet plotësuese për të mbaruar me korrespondencë shkollën pedagogjike katërvjeçare në Shkodër. Edhe në këto rrethana nuk e ndërpreva të shkruarit e poezisë, ndonëse këtë gjë nuk e bëja në mënyrë të rregullt dhe me synime të qarta estetike.
Për mua si talent i ri, një ngjarje letrare e vërtetë qe botimi i një cikli poetik, të zgjedhur me dashmirësi nga redaktorja Liri Lubonja, në gazetën « Zëri i rinisë », në vitin 1962. Ky botim më bëri sadopak të njohur dhe ma përforcoi dëshirën për t’u marrë me poezi.
Për t’u pajisur me një kulturë letrare më të plotë, bëra kërkesë për të vazhduar studimet e larta për gjuhë e letërsi. Për shkak të interesave të tyre meskine apo për shkak të opinioneve keqdashëse, autoritetet e rrethit më miratuan të drejtën për të studiuar për biologji-kimi në Institutin Pedagogjik të Shkodrës.
Përsëri e kërkova shpëtimin në Tiranë. Me ndihmën e Todi Lubonjës, drejtues i rinisë, të cilin e kisha njohur në konferencën e rinisë të rrethit të Tropojës, arrita të regjistrohesha në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe.
Pegadogët që jepnin leksione për gjuhësinë, ishin personalitete të shquara si Eqrem Çabej, Selman Riza, Shaban Demiraj…Pa dashur të jem mosmirënjohës, jam i detyruar të pohoj se leksionet që jepnin pedagogët e letërsisë përgjithësisht ishin përshkruese, riprodhime të dispensave të përkthyera nga rusishtja. Studentët që kishin prirje letrare, mundoheshin ta pasuronin kulturën e tyre artistike me anë të leximeve individuale. Gjatë viteve të universitetit, poetët që kanë ndikuar më shumë tek unë, kanë qenë Ëalt Ëhitmani-i dhe Janis Ricos-i, të përkthyer mjeshtërisht nga Skënder Luarasi dhe Spiro Çomora.
Në këtë periudhë, nuk arrita të bëj ndonjë botim të rëndësishëm. E vërteta është se dyert e shtypit letrar nuk hapeshin lehtë para autorëve të rinj dhe jetën letrare e dëmtonte politika klanore.
Pas diplomimit në shkollën e lartë, përsëri u emërova mësues në një fshat të Tropojës. Për të mos u pajtuar me fatin tim prej intelektuali provincial, e vazhdova me këmbëngulje punën krijuese. Më 1971, botova përmbledhjen e parë poetike „Zëri im“. Ky botim më dha zemër të ndiqja rrugën që kisha nisur. Besoj se ai ndikoi që të më transferonin në shkollën e mesme të Qytetit Bajram Curri.
Zhvillimi i përgjithshëm i shoqërisë solli gjallërimin e jetës letrare edhe në rrethin malor të Tropojës. Mendoj se kam qenë me fat që në atë kohë kam bashkëpunuar me dy poetë shumë të talentuar: S. Buçpapaj e H. Aliaj. Shtimi i krijuesve nga të gjitha fushat e artit bëri të mundur që në vitin 1975, në Qytetin e Bajram Currit të krijohej dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të cilën e drejtova deri në vitin 1983, kur u emërova në redaksinë e filmit artistik, në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në Tiranë. Gjatë asaj periudhe, kryesia e Lidhjes më ka ndihmuar vazhdimisht me leje krijuese. Autoritetet zyrtare të rrethit e kanë mbështetur krijimtarinë letrare dhe artistike. Nuk është arrestuar, nuk është nxjerrë në gjyq asnjë shkrimtar apo artist i degës së Lidhjes për Tropojën.

*
Për nga mosha dhe për nga koha kur kam botuar përmbledhjet e para, unë i përkas brezit që hyri në letërsinë shqipe në vitet shtatëdhjetë, në të cilin bëjnë pjesë autorë të njohur si Xhevahir Spahiu, Adem Istrefi, Koçi Petriti, Moikom Zeqo, Rudolf Marku, Agim Isaku, Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj. (Autorët kosovarë dhe arbëreshë të kësaj periudhe nuk kisha mundësi t’i lexoja, sepse librat e tyre futeshin në fonde të rezervuara.)
Brezi letrar i viteve shtatëdhjetë nuk i pati ato privilegje që gëzoi brezi letrar para tij: ne nuk na u dha mundësia të studionim jashtë shtetit, të mësonim me themel ndonjë gjuhë të huaj, që do të na e zgjeronte derën për të komunikuar me botën, të përvetësonim një kulturë të huaj që do të na jepte mundësi të zbulonin hapësira të reja letrare.
Pjesëtarët e këtij brezi nuk patën poste partiake dhe shtetërore, nuk patën përkrahje politike të veçantë. Për rrjedhojë, ata nuk patën as mbështetje sistematike nga masmedia e kohës, nga makina propagandistike e partisë në pushtet. Kritika letrare që zhvillohej në Shqipëri, në përgjithësi ka qenë një kritikë konformiste, e politizuar në kulm, me nivel të ulët estetik. I këtij mendimi është edhe poeti e studiuesi Dhori Qiriazi:”Në pohimet e shumicës së artikujve që shkruanin për këtë poezi nga kritika, po t’i shikosh sot, duket qartë se disa herë është marrë në mbrojtje rutina si realizimi më i mirë.”(II, 29). Kritika ekzistuese u vu tërësisht në shërbim të shkrimtarëve zyrtarë, të cilët ishin shpallur si përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare të realizmit socialist, merrnin të gjitha Çmimet e Republikës dhe u ishte akorduar titulli “Hero i Punës Socialiste”.
Të shtyrë nga interesi për të zënë një vend pune apo për përfitime të tjera, këtë gjë nuk e bënë vetëm kritikët më të mëdhenj në moshë, të përgatitur në Bashkimin e Madh Sovjetik, por edhe më të rinjtë.
Autorëve të brezit letrar të viteve gjashtëdhjetë, shteti u ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme financiare, duke krijuar hallka për përkthimin e librave të tyre dhe ka subvenconuar botimin e tyre nga shtëpi botuese të huaja.
Të imponuara nga masmedia e asaj kohe dhe nga tekstet shkollore, modelet letrare të autorëve të viteve gjashtëdhjetë ushtruan një ndikim të pashmangshëm edhe tek autorët e brezit pasardhës.
Zhvillimin normal të krijimtarisë së poetëve që hynë në letërsi në vitet shtatëdhjetë, e ndërlikoi shumë ashpërsimi i luftës së klasave që arriti kulmin në këtë periudhë. Pas Plenumit IV të Komitetit Qendror të PPSH-së që u mbajt më 1974, u zhvillua një fushatë e paparë kundër ndikimeve të huaja, e cila çoi në indeksimin e autorëve, në futjen e tyre në fonde të rezervuara. Në këtë kohë, edhe censura shtetërore u tregua më e pamëshirshme sesa asnjëherë më parë. Veç gjymtimit të librave që paraqiteshin për botim, u nxorën në gjyqe dhe u dënuan disa autorë…
Megjithëse u la në hije dhe u përball me mungesa e vështirësi jashtëletrare, unë jam i bindur se brezi letrar i viteve shtatëdhjetë e pasuroi poezinë shqipe me vlera të reja substanciale dhe formale. Këtë pohim, nuk e bëj duke u nisur nga parimi i përgjithshëm se çdo brez i ri sjell patjetër diçka të re, por duke pasur parasysh disa risi, disa arritje konkrete, të cilat do t’i shkoqit më poshtë.
Për shkak të shkëputjes së Shqipërisë nga sfera e hegjemonisë politike sovjetike, brezi im qe më i çliruar nga pesha e ndikimit të trashëgimisë sovjetike në krahasim me brezin e mëparshëm, i cili, pas shkollimit në Bashkimin Sovjetik, e zbatoi sistematikisht dogmën e realizmit socialist në vepra letrare dhe në shkrime teorike deri në fund të viteve tetëdhjetë. Orientimin estetik të këtij brezi, e ka shprehur fare qartë një poet që ishte njëkohësisht një personalitet i rëndësishëm i jetës kulturore shqiptare, i cili në parathënien e antologjisë ruse sovjetike, të botuar më 1959, ka shkruar: ”Botimi i kësaj antologjie, pa dyshim do të jetë një ngjarje e çquar në jetën e poezisë sonë të realizmit socialist që sheh te poezia e madhe sovjetike burimin mëmë.” (III, 9)
Meqenëse as dje dhe as sot, studiuesit e poezisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX nuk i ka përudhur objektiviteti shkencor, unë do të përmend disa vlera të veçanta që sollën poetët e viteve shtatëdhjetë.
1.Krijimtaria e këtij brezi e pakësoi frymën tribunale, kolektiviste që mbizotëronte në poezinë e brezit të mëparshëm, duke e shtuar dozën e intimizmit, duke i lënë më shumë vend botës së brendshme të subjektit lirik. E vërteta është se kjo dukuri nuk ka ndodhur vetëm në letërsinë tonë, por edhe në letërsitë e tjera europiane. Duke folur për evoluimin e poezisë suedeze të kësaj periudhe, Jacques Outin shkruan: “Besnik ndaj vetvetes dhe për këtë arsye i kritikuar nga brezi i ri i autorëve të quajtur të angazhuar, i cilësuar si mendje soditëse dhe koleksionist imazhesh, Tomas Tranströmer-i e gjeti vendin e tij të natyrshëm sapo filloi kthimi tek uni në vitet shtatëdhjetë.” (IV, 16)
Në një intervistë të tij, nobelisti Semaus Heaney ka thënë:”Përsa më përket mua, tonaliteti i poemave të mia është më pak retorik, është më intimist.” (V, 130) Duke u nisur nga kontrasti i madh i poezisë së autorit irlandez me krijimtarinë e poetëve të tjerë europianë, Jacques Darras e përcakton kështu individualitetin e tij: ”Heaney u shfaq në mes të viteve shtatëdhjetë si një indian i Perëndimit.” V, 139)
Sipas Jean Breton-it, një ndryshim i tillë ka ndodhur edhe në poezinë franceze të kësaj periudhe:”Duke filluar nga viti 1975, cikli do të përmbyset. Me kapërcimin e syrealizmit, ravijëzon udhën një lirizëm i ri. Përdoren parabola, kënga e gjerë apo e shkurtuar, elegjia. Nganjëherë vihet re një kthim tek elementi emocional.” (VI, 22)
Për të ilustruar përparësinë që i dha intimizmit brezi letrar i viteve shtatëdhjetë, po përmend një shembull nga krijimtaria ime, të cilin nuk e kanë zënë ngoje studiuesit joobjektivë. E kam fjalën për titullin e përmbledhjes sime “Zëri im”, e botuar më 1971. Ky titull që i referohet zërit të individit, lë të nënkuptohet se autori ka vënë në qendër të poezisë botën e brendshme të subjektit lirik, përjetimet e tij. Për të argumentuar se interpretimi im nuk është subjektivist apo narcisist, po e njoh lexuesin me përcaktimin që ka bërë Angelika Lochman: “Së pari, le të shqyrtojmë titullin. Në letërsi, gjithmonë, ai është program dhe duhet të tërheqë vëmendjen e lexuesit qoftë me formën, qoftë me domethënien e tij, sepse titulli dhe teksti janë në raport dialektik.” (VII, 107)
Në përgjigjen që më ka çuar më 26.3.1986 për përmbledhjen “Urtia e zogjve” (më vonë titulli u ndryshua), redaksia e poezisë, e dramës dhe e kritikës letrare më bën vërejtje veçanërisht për tematikën intime: “Në përmbledhjen tuaj ka një prirje disi të tepëruar ndaj temës intime dhe jo në pak raste mbetje në këndvështrime të ngushta vetiake, hasim përsëritje procedimesh dhe mjete gati të përafërta procedimi (me elemente natyrorë etj., ose ka ekzaltime e lektisje subjektive).” (VIII)

2.Në krijimtarinë e poetëve të viteve shtatëdhjetë, vargu i lirë u bë mbizotërues. Kjo ndihmesë merr një rëndësi të veçantë, po të kemi parasysh se edhe ndonjë autor i brezit të viteve gjashtëdhjetë që ishte përballur me kundërshtimin e ashpër të dalzotësve të prozodisë klasike, më vonë u kthye te vargu i rregullt.
Dua të sqaroj se përdorimi i këtij apo atij vargu poetik nuk ishte thjesht një çështje teknike. Në radhë të parë, ai lidhej me mënyrën e të menduarit . Ata që kapeshin me thonj e me dhëmbë pas vargut të rregullt,kryesisht ishin mbrojtës të zjarrtë të realizmit socialist dhe të shtetit të diktaturës së proletariatit. Poeti zviceran Jacques Chessex e ka përqasur prozodinë klasike me një shtet autokratik: “Një shtet i drejtuar me dorë të fortë i ngjan një poeme të përpiktë.” (IX, 164) Pak a shumë, këtë ide shpreh edhe poeti danez Jorgen Nash: “Natyrisht, çdo risi është një veprim i paligjshëm kundër pyllit të gurëzuar të zakoneve të ngulitura, kundër këmishës së forcës të ideologjive të artit.” (X, 118)
Për të damkosur autorët e brezit letrar të viteve shtatëdhjetë, kundërshtarët e vargut të lirë dhe të formave të reja poetike shpikën termin “prozizëm”, të cilin nuk e kam hasur në asnjë libër të ndonjë esteti apo studiuesi europian që merret me teorinë letrare. Gérard Genette-i ka përdorur termin “prozifikim”, për të shenjuar me të një praktikë transtekstore, siç është kthimi në prozë i një teksti të hartuar në vargje. (Këtë praktikë ka ndjekur Mitrush Kuteli në përmbledhjen “Tregime të moçme shqiptare.)
Në një plenum të vitit 1987, njëri nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes më kritikoi me emër si një nga mëkatarët që përdornin vargun e lirë: “Por ja që edhe një nga poemat e fundit të Paplekës me titull “Vallja e flakëve”, në pjesën më të madhe (kësaj here duke përjashtuar thirrjet “o bir” dhe herë-herë përsëritjet e një fjale në disa kryeradhë rresht) mund të transkriptohej fare natyrshëm, gjithashtu, si një prozë. Kemi, pra, në këto raste, një praktikë të ndërgjegjshme të fshirjes së kufijve që e dallojnë vjershën nga proza. Dukuria, pra, ekziston, emërtimi i saj mund të bëhet, natyrisht, në mënyra të ndryshme. Unë e kam quajtur “prozizëm”, për të mos e ngatërruar, siç po e ngatërrojnë në ndonjë artikull të fundit të “Dritës” me prozaizmin…” (XI, 65)
Urrejtja e madhe që kishin për vargun e lirë autorët zyrtarë e dogmatikë në Shqipëri, ishte vazhdim i të njëjtës urrejtje që ekzistonte edhe në vendlindjen e realizmit socialist, në Bashkimin Sovjetik. Po ato kokëçarje që kanë pasur verlibristët shqiptarë, i ka njohur edhe poeti rus Viaçeslav Kuprianov: “I konsideruar si një klasik i vargut të lirë që për një kohë të gjatë është konsideruar “disidencë estetike”, tashti ai ka zënë vend në tekstet shkollore.” (XII, teksti në kopertinë). Për rolin që ka luajtur në letërsinë ruse ky poet, profesor Aleksandër Lobodanov thotë: “Për shumë kohë, ai ishte simbol i disidencës estetike në kohën e realizmit socialist.” (XII, 4 )
Ndryshimet prozodike që ndodhën në poezinë shqipe të viteve shtatëdhjetë, qenë pjesë e pandarë e zhvillimeve që përfshinë letërsitë e tjera europiane. Kur analizon poezinë e poetit maqedonas Bogomil Gjuzel-i, kritiku Milan Djurcinov shkruan: “Duke hedhur poshtë eufoninë dhe duke milituar për një prozodi të re, të kuptuar si një recitativ, ai zbulon mundësi të reja për gjuhën poetike.” (XIII, 103)
Sipas poetit dhe filozofit Jacques Lacarrière, poetët grekë të viteve shtatëdhjetë u shkëputën nga një traditë e shkruar shumëshekullore: “Zbritja në thellësi të vetvetes, mospranimi i një mentori, braktisja pothuaj e plotë e çdo elementi metrik në të shkruarit e poemave, shkurt, nevoja e fortë dhe absolute për t’u çliruar nga çdo shtrëngesë tradicionale dhe kolektive, nga çdo përkatësi ose nënshtrim politik, filozofik apo fetar, ja çfarë e karakterizon më shumë këtë dhjetëvjeçar dhe poetët e tij.” (XIV, 19-20)
Në procesin e risimit (rinovimit) prozodik morën pjesë edhe letërsitë e mëdha, siç ishte rasti i poezisë franceze, e cila kishte qenë laborator i modernitetit të poezisë botërore. Poeti dhe antologjisti i njohur Henri Deluy thekson: “Kjo antologji lindi […] Nga ndjesia që kam pasur në vitet shtatëdhjetë se aty po ndodhte diçka e re, ndoshta vendimtare për rrjedhën e poezisë sonë, për evoluimin e prozodisë sonë.” (XV, 12-13)
\
3.Në letërsinë shqiptare, ashtu si në letërsitë e tjera europiane, në vitet shtatëdhjetë u krijuan disa grupime autorësh që kishin afërsi tematike dhe konceptuale. Këto grupime qenë qendra të vërteta poetike, të cilat ia hoqën Tiranës, kryeqytetit, monopolin si qendra e vetme e poezisë që e mbante deri atëherë.

4.Në vitet shtatëdhjetë, u shtua prania e autoreve femra, të cilat synuan të shprehnin përjetimet femërore. Autore si Natasha Lako, Feride Papleka e Betariçe Balliçi e vazhduan me këmbëngulje itinerarin e tyre poetik, duke arritur t’i shmangeshin hegjemonisë së poezisë së krijuar nga autorët meshkuj. Ky zhvillim i ri në letërsinë tonë qe pjesë e një dukurie kulturore universale, siç e tregon rasti i poezisë së Kebekut (Kanada): “Vërshimi i autoreve femra, në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë, kontribuoi në të njëjtën kohë për të shfaqur e për të përshpejtuar një ndryshim në shkrimtarinë poetike.” (XVI, 33)

5.Brezi letrar i viteve shtatëdhjetë i la më pak vend tematikës së Luftës Nacionalçlirimtare, duke i dhënë pjesën e luanit tematikës bashkëkohore, të përditësisë.

6. Megjithëse nuk e bëri dot në shkallën e dëshiruar, ai e shtoi dozën e kritikës sociale, duke fshikulluar disa dukuri negative të shoqërisë. Krahas ngjyrave pranverore, në tablonë e jetës që paraqiti poezia, nuk muguan as ngjyrat e vjeshtës.

7.Ndryshe nga paraardhësit, ky brez e pakësoi patetizmin, hoqi dorë nga praktika sovjetike e poemave jubilare, nuk huazoi në mënyrë mekanike elemente të jashtme, dekorative nga folklori. Duke tkurrur elementin tregimtar, përshkrues, u dha përparësi përsiatjes, metaforizmit, nëntekstit filozofik. Në rrafshin stilistik, i shmangu disa simbole tradicionale si: mali, kështjella, kulla etj. Nën ndikimin e poezisë moderne dhe moderniste europiane të përkthyer nga pjesëtarët e këtij brezi apo nga shqipërues të tjerë, u zgjerua fusha e kërkimeve formale, ndonëse eksperimentimet qenë të druajtura dhe mbetën në faza embrionale…

8.Në krijimtarinë poetike të kësaj periudhe, gjithnjë e më shumë iu mbyllën shtigjet frymës provinciale, u harmonizua më mirë kombëtarja me universalen.

9.Autorët e brezit letrar të viteve shtatëdhjetë krijuan një koncept tjetër për poetin dhe për rolin e tij në shoqëri. Ata nuk e bënë të tyre moton e poetëve të mëparshëm, të cilët deklaronin me krenari: “Dhe kanga dhe vargu asht bombë e flamur!”

10.Poetët e brezit të viteve shtatëdhjetë, kryesisht ata që rronin në kryeqytet, ndihmuan që të thellohej njohja dhe ndërveprimi midis poezisë që botohej në Tiranë dhe asaj që botohej në Prishtinë…
Ndryshe nga hulumtues të tjerë që janë ngarkuar nga struktura të caktuara për të bërë hulumtime selektive në Arkivin e Shtetit, për t’i shërbyer ndonjë autori të veçantë, Dashnor Kaloçi ka botuar dokumente që dëshmojnë se në shënjestër të censurës zyrtare, të kritikave të ashpra të forumeve partiake dhe të organizmave shtetërorë, kanë qenë posaçërisht autorët e brezit të viteve shtatëdhjetë. Ky hulumtues ka botuar Raportin sekret “Disa probleme të pastërtisë së përmbajtjes së krijimtarisë letrare e artistike”, të mbajtur nga Mehmet Karakushi në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 24 mars 1980. Aty thuhet :”Gjatë vitit 1979 u kthyen pesë vëllime të autorëve me përvojë Agim Gjakova, Agim Isaku, Rudolf Marku, Ndoc Papleka etj., mbasi një pjesë e vjershave kishin gabime ideore, në prirje formaliste, ose ishin të paqarta dhe krijonin keqkuptime.”( XVII, 10-11).

*
Megjithëse kam qenë një nga ata autorë që kanë bërë përpjekje për të praktikuar forma të reja shprehjeje, jam i vetëdijshëm se tekstet e mia, të botuara në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë, kanë pasur dobësi që nuk lidheshin vetëm me shkallën e talentit tim apo me postulatin e njohur se “Çdo poemë është një copëz e asaj që nuk mund të thuhet.” (XVIII, 15)
Tek unë ka ndikuar censura e institucionlizuar, të cilës i nënshtroheshin botimet letrare të asaj kohe. Vetëm librat e autorëve që kishin përkrahje të veçantë politike, që mbanin poste partiake dhe shtetërore, përgjithësisht botoheshin ashtu siç paraqiteshin në redaksi. Për autorët e tjerë, sidomos për autorët nga rrethet, botimi i një libri ishte vërtet një punë Sizifi. Dorëshkrimet e tyre gjymtoheshin, ndryshoheshin, tjetërsoheshin deri në atë shkallë, saqë libri i botuar pothuaj nuk ngjante me dorëshkrimin e paraqitur në redaksi.
Në rrethana të tilla, autori kishte përpara dy alternativa: të hiqte dorë nga të botuarit ose të pranonte të ishte viktimë e censurës.
Për këtë dilemë hamletiane, poeti francez E. Guillevic-u është shprehur: “Vallë, çfarë të shkakton më shumë dhimbje:/ Të mos mund të këndosh/ Apo të këndosh me detyrim?” (XIX, 355)
Ata që i kërkojnë me lupë të metat, politizimet në krijimtarinë time të kohës së diktaturës së proletariatit, as që duan t’ia dinë se, përveç censurës zyrtare, autorët kërcënoheshin edhe nga lufta e klasave në jetën e përditshme. Në vitet shtatëdhjetë, ndonjë bashkëfshatar imi i bënte letra Komitetit të Partisë të rrethit që të më hiqte nga puna si mësues për shkak të biografisë politike të keqe. Për të njëjtin motiv, ndonjë kuadër dogmatik i Qytetit Bajram Curri i kërkonte Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve të Shqipërisë të mos më pranonte si anëtar të kësaj organizate.
Kisha ardhur në jetë dhe rroja në një regjim politik që nuk e kisha zgjedhur unë. Në kushtet e një lufte klasash që shndërrohej në luftë për ekzistencë, i shtyrë nga instinkti i vetëmbrojtjes, e kam shtuar dozën e angazhimit e të entuziazmit. Sigurisht, kjo gjë ka ndodhur edhe nën ndikimin e klimës politike dhe artistike të shoqërisë ku rroja. Në atë kohë, unë nuk e shihja anën e padukshme të shoqërisë, sepse informacioni ishte i mangët: nuk kishte si sot njëqind parti, njëqind gazeta, njëqind radio dhe njëqind stacione televizive. Kryesorja ishte se nuk kishte liri shprehjeje.
Duke folur për lidhjen midis poetit dhe shoqërisë ku bën pjesë ai, Antonio Tabucchi thotë se mendimi i Leopardit është prodhim i një epoke kulturore. (XX, 94) Për ndikimin e kushteve politike dhe shoqërore mbi poezinë, H. Deluy shkruan: “A është e nevojshme të themi se nuk ka poezi jashtëkohore? Se poetët nuk janë duarjashtë në çështjet e kësaj bote?” (XIV, 15) Madje edhe shkrimtari i njohur Philippe Sollers, i cili në këtë periudhë rronte në mes të Parisit dhe nuk kishte mbi kokë shpatën e Damokleut që quhej lufta e klasave, pohon në kujtimet e tij se në një çast të caktuar është tunduar nga frazeologjia revolucionare. (XXI, 396) Pikëpamjet e autorëve që përmenda më lart, nuk i parashtrova për të shfajësuar veten, por për të shpjeguar një dukuri që ka ekzistuar…
Megjithatë edhe sot e kësaj dite, mendoj se ndërtimi i Hidrocentralit të Fierzës ka qenë një kantier madhështor e heroik, se elektrifikimi i vendit ka qenë një ndryshim epokal për mua që e kisha kaluar fëmijërinë në dritën e pishës e të kandilit. Në një kohë kur ende nuk flitej për ekologjinë, industrializimi i vendit më dukej si një dëshmi progresi. Kjo gjë ka ndodhur edhe me disa autorë europianë, siç është rasti i poetit danez Johannes V. Jensen-i (Çmimi Nobel për Letërsi më 1944): ”Ndonëse i heshtur, pranimi i botës industriale anglo-saksone nga Johs V. Jensen ka disa arsye. Midis të tjerave, ai mund të duket si një bashkim i domosdoshëm me progresin.” (X, 13) Disa studiues të letërsisë e kanë parë industrializimin të lidhur ngushtë me avangardat letrare: “Mirëpo ligjërimi për automobilin do të na shtyjë pashmangësisht të përmendim problemin e makinës në përgjithësi, çka është, siç dihet, një temë e privilegjuar në letërsinë e të gjitha avangardave historike.” (XX, 53)
Në qoftë se unë dhe disa krijues të tjerë të brezit të viteve ’70 jemi gëzuar për disa arritje ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat kanë ndodhur e ndodhin edhe në vende të tjera të botës, nuk di që ndonjëri prej nesh të ketë bërë thirrje që të burgoseshin, të torturoheshin apo të pushkatoheshin njerëz, të ketë brohoritur për izolimin, për censurën letrare!…”
Unë e dija se, siç ishte sanksionuar në kushtetutë, në Shqipëri ishte vendosur shteti i diktaturës së proletariatit, por nuk e dija se këtu kishte diktatorë. Para vitit 1990, kam botuar dy poema kundër diktatorëve Franko (XXII, 58-60) dhe Pinoçeti (XXIII, 83-84), por askush nuk më ka shqetësuar për këto krijime ku përmendej fjala “diktator”. Publicistët keqdashës që kanë cituar apo kanë ribotuar vargje të mia të politizuara, duke i shkëputur nga konteksti, as që e kanë marrë mundimin t’i zënë ngoje ose t’i ribotojnë edhe poemat e mia kundër diktatorëve, të cilat as ata, as strukturat apo politikanët që i komandojnë, nuk i mohojnë dot.
Kur pyes veten se çfarë kam bërë në jetë, nganjëherë them se kam shkruar vargje që kanë shërbyer si foragjere për dy breza, për etërit dhe për bijtë e tyre, për të cilët kam qenë tabelë qitjeje. Deri në vitin 1990, etërit më kanë gjuajtur me shigjeta jo vetëm në shtypin letrar, por edhe në revistën politike “Rruga e Partisë”, duke më akuzuar për gabime ideore, për formalizëm apo modernizëm në poezi, shkurt : sepse nuk isha i politizuar aq sa ata.

Pas viti 1990, bijtë që kishin mbaruar shkolla të zgjedhura, disa edhe në Perëndim, meqenëse ishin pinjoj të nomenklaturës komuniste, më denoncuan se kisha shkruar për socializmin, për partinë, shkurt: sepse nuk isha ekstremist si ata.
I ndodhur para fushatave të tilla, të telekomanduara nga klane dhe nga politikanë keqdashës, sikur unë të kisha vendosur diktaturën e proletariatit në Shqipëri, sikur unë të kisha sjellë në valixhe socrealizmin nga Bashkimi i Madh Sovjetik dhe të kisha qenë përfaqësuesi kryesor i letërsisë shqiptare socrealiste, i dekoruar me titullin “Heroi i Punës Socialiste”, kam thënë me vete: a ia vlente të udhëtoja me orë të tëra nëpër ngricë, nëpër rrugë të mbuluara me borë e me akull për të shkuar në redaksi dhe për të botuar një libër të censuruar, për të qenë preja e tigrave apo e çimkave që përmend Bertold Brehti?!
Pë fatin e intelektualit që jeton në vende të vogla ku sundon autokracia dhe fryma e klanit, nobelisti Mario Vargas Llosa është shprehur kështu: “E keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një domenikani, është që ai të jetë inteligjent ose i aftë” e kishte dëgjuar të thoshte një herë Alvaro Cabral-in.” (XIV, 2015). Në raste të tilla kam menduar se, në Shqipëri, vlerësohet e nderohet vetëm ai që është kanakar i ndonjë partie, në gjirin e së cilës e ndien veten si veshka midis dhjamit. Atij që synon të çajë udhë me talent e me punë, të krijojë ndonjë vlerë të njëmendtë, i del përpara ledhi i pakapërcyeshëm i klaneve dhe i politikave mafoze të qeverive në fushën e kulturës. Për këto klane dhe për këto qeveri, shqetësimi për zhvillimin normal të letërsisë shqipe, për ecjen e saj së paku me hapin e letërsive të popujve fqinjë, është vrima e fundit e kavallit…

*
Në vitin 1990, unë nuk u aktivizova në veprimtaritë e mirëfillta politike, në strukturat e reja partiake për disa arsye.
Së pari, pasioni kryesor i jetës sime nuk ishte politika, por ishte letërsia. Duke perifrazuar thënien e njohur të Pashko Vasës, unë mendoja se “Feja e shkrimtarit është letërsia”. Më kishin mbetur në mendje fjalët e Alain Bosquet-së për poetin portugez Fernando Pessoa, se ai kishte dështuar në përpjekjet e tij për të qenë njëherësh dijetari, mikroskopi dhe bacili i vëzhguar. (XXV, 14).
Së dyti, unë nuk e quaja të nevojshme të strehohesha nën çatinë e politikës, sepse nuk kisha denoncuar njeri, nuk kisha dalë dëshmitar nëpër gjyqe politike dhe nuk kisha qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Së treti, nuk kisha qenë i thirrur me telefon apo me ndonjë mënyrë tjetër në banketin e dasmës katoviciane që po përgatitej. Qysh në krye të herës, strukturat përkatëse nuk më kishin ftuar në takimin përurimor të Ramiz Alisë me intelektualët, më 1990, të cilin e mora vesh vetëm nga lajmet televizive.
Së katërti, unë bëja pjesë në atë kategori njerëzish që dyshonin se ndryshimet politike që po bëheshin në Shqipëri, ishin të frymëzuara nga platforma e Katovicës, siç ka dalë më vonë nga dokumentet e botuara në shtyp.(XXVI, 16)
Së pesti, unë mendoja se asnjë regjim politik normal dhe i arsyeshëm nuk mund të kishte si kryefjalë termat “shkatërrim” dhe “kuota zero”. Pasojat e mënyrës sesi u bë ndryshimi i sistemit politik (tranzicioni), sot shihen nga të gjithë ata që kanë mend në kokë, por them se, në të ardhmen, do të duken edhe më qartë në fatin e Shqipërisë, e cila kërcënohet nga shpopullimi. Kam parsysh faktin se, për të parë pasojat e vendosjes së diktaturës së proletariatit në Shqipëri, u desh të kalonte një gjysmë shekulli. Finis coronat opus (Fundi kurorëzon veprën)…
Së gjashti, unë nuk hyra në vallen e politikës, ngaqë mendoja se do t’i shërbeja më mirë vendit tim me talentin tim si letrar. Doja t’u gëzohesha kushteve të reja që shpresoja se kishin ardhur për të qenë një krijues i lirë, i pavarur nga politika. Çuditesha kur shihja shkrimtarë që nuk linin gur pa lëvizur për t’u bërë politikanë, deputetë, ministra. Unë prisja të korrigjoheshin gabimet dhe të metat e regjimit të mëparshëm, të ruheshin vlerat e krijuara dhe shoqëria të ecte përpara. Prisja që në letërsi të vepronte ligji i konkurencës së vërtetë, i vetmi mekanizëm që mundëson zhvillimin e saj cilësor. Prisja që organizmat shtetërore të përkrahnin autorët më të talentuar e më të përkushtuar, të vlerësonin veprat letrare më të arrira, duke menduar se qysh nga koha e Rilindjes Kombëtare letërsia kishte qenë shtylla kurrizore e kulturës shqiptare…
Nuk u desh të kalonte shumë kohë që të bindesha se optika ime kishte qenë krejtësisht e gabuar. Letërsia u la në duar të matrapazëve, të cilët e quanin veten botues. Kriteret ose parimet e realizmit socialist u zëvendësua me një kriter absolut: me paranë. Lufta e klasave u bë më e stërholluar, duke përdorur terma dhe praktika të reja. Politikanët që u bënë zotër të vendit, mbështetën vetëm ata autorë që ishin të lidhur hapur apo tërthorazi me partitë e tyre, duke u dhënë poste, duke i përfshirë në disa borde njëkohësisht, duke u dhuruar prona, duke u vënë në dispozicion median e paguar prej tyre.
Në kushtet e reja, klanet e vjetra u fuqizuan më shumë se kurrëndonjëherë më parë dhe u krijuan klane të reja. Viktimë e korrupsionit masiv dhe e praktikave mafioze u bë edhe letërsia. Në një shoqëri të prapambetur, siç ishte shoqëria shqiptare, ambicja e shfrenuar e individit, e cila nuk kufizohej nga asnjë ledh institucional, mund të harlisej për shtatë palë qejfe. Subjektivizmi, njëanshmëria, narcisizmi dhe grafomania u bënë normë në fushën e kulturës. Njëherë që mora pjesë në një konkurs letrar, fituesi i tij i kishte thënë një miku, kur e kishte uruar:”Unë kisha një vit që “punoja” për atë çmim!”
Megjithëse u përfshiva në vorbullën e përpjekjeve për mbijetesë, prapëseprapë vazhdova të merresha me krijimtari letrare, pa e ditur as vetë përse. Ndoshta këtë gjë e ka shpjeguar qartë Ph. Sollers-i, i cili, në librin e tij me kujtime, ka shkruar:”Njeriu nuk e zgjedh këtë pasion, ai i imponohet, dhe Sartri nuk ka të drejtë: letërsia nuk është një neurozë, por një udhë njohjeje gjithnjë e më magjike dhe e saktë.” (XXI, 108)
I mbetur pa kurrfarë mbështetje nga shoqëria ku rroja, nga organizmat përkatëse të shtetit ku kisha lindur, për vite të tëra nuk munda të botoja një përmbledhje të re. Unë mendoj se në thelb nuk ka ndonjë ndryshim të madh midis heqjes së të drejtës së botimit me vendime politike dhe heqjes së mundësisë së botimit me mekanizma ekonomikë. Në fund të fundit, rezultati është i njëjtë.
Pas dhjetë vjetësh, mezi ia dola të botoja një libër, duke kursyer nga buka e gojës. As për këtë botim, as për dy të tjera që arrita të bëj më vonë, nuk mora asnjë honorar, asnjë lek, sepse libraritë nuk i pranonin librat me poezi, të cilat nuk shiteshin. Regjimi politik që trumbetonte se do të varroste komunizmin dhe të këqijat e tij, nuk më dha as shpërblimin e ulët që kisha marrë nga regjimi i mëparshëm. Për këtë paradoks, poeti me famë botërore Zbignieë Herbert-i është shprehur kështu:” Sigurisht, librat e mi janë botuar nga shtëpitë botuese zyrtare të vendit tim, e pranoj se kam marrë para nga arka e shtetit, nga e njëjta arkë që paguante burgjet, spiunët dhe depot për shishet e zbrazëta të vodkës. Sepse kishte vetëm një arkë dhe ajo më paguante në bazë të vargjeve, jo shtrenjtë, por më paguante.” XXVII, 13)
E vërteta është se për krijimet që kam botuar nga viti 1971 deri me 1990, edhe unë kam marrë ca honorare të vogla si gjithë të tjerët, kam marrë një çmim letrar të parë dhe një të tretë, jam dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”. Përkundrazi, për botimet me poezi, me prozë, me studime, me përkthime, për të rritur e për fëmijë që kam botuar gjatë afro tridhjetë vjetëve, nga viti 1990 deri më sot, nuk kam marrë asnjë çmim letrar, asnjë vlerësim zyrtar nga organizmat dhe institucionet e Republikës së Sudes. Natyrisht, kjo gjë nuk ka ndodhur vetëm për shkak të subjektivizmit të shtetarëve të politizuar, por edhe për shkak të dashaligësisë së kolegëve të mi, të cilët kanë bërë ligjin në institucionet shtetërore dhe në juritë letrare. Për ironi të historisë, këta kolegë botonin në gazetat e partive të tyre shkrime kilometrike, në të cilat denonconin padrejtësitë që u kishte bërë shkrimtarëve shteti i diktaturës së proletariatit me organizmat e tij. Mendoj se është e papajtueshme me etikën letrare, por edhe me etikën njerëzore që disa autorë të mbulohen me dafina, me favore dhe me ndere, kurse vlerat e autorëve të tjerë të mohohen, të mbulohen me heshtje, të mënjanohen për arsye politike apo thjesht për shkak të tekave të ndonjë sundimtari.
Për t’i bërë ballë shpërfilljes ose mbytjes me jastekun e heshtjes, e kam ngushëlluar veten, duke kujtuar atë çunakun që kishte hedhur në letër vargjet e para në një fshat të humbur, midis maleve, i cili nuk e dinte se ekzistonin honoraret, çmimet letrare, dekoratat dhe titujt honorifikë. Veç kësaj, a duhet t’u gëzohet njeriu dekoratave dhe titujve të sotëm, për të cilët shtypi ka shkruar se blihen me para?! Madje kam thënë me vete edhe këtë: a mos vallë krijuesit e baladave, të këngëve kreshnike kanë pritur të vlerësoheshin apo të dekoroheshin nga vezirët dhe nga sanxhakbejlerët osmanë?!…Jam munduar të gjej njëfarë ngushëllimi edhe te thëniet e poetëve të kohës së shkuar, të cilët mendonin se shpërblimi i vetëm për një autor është kënaqësia që i fal akti i të krijuarit, krijimtaria e tij, siç shkruan Rainer Maria Rilke:”Atëherë pranojeni fatin, mbajeni në kurriz barrën e tij, madhështinë e tij, pa kërkuar kurrë ndonjë shpërblim që mund të vinte nga jashtë.” (XXVIII, 39)

Referenca bibliografike

I.Fernando Pessoa, Poèmes d’Alvaro de Campos, 2001
II.Revista “Nëntori”, Tiranë, 1990/6
III. Antologjia e poezisë ruse sovjetike, Tiranë, 1959
IV.Tomas Transtromer, Baltiques, 2011
V.Ra revue des belles lettres, 2013/2
VI.La poésie contemporaine de la langue française, I, Paris 1992
VII.La revue “Europe”, juillet- juin 1990
VIII.Materiali ndodhet në dosjen e autorit
IX. Jacques Chessex, La confession du pasteur Burg, 1996
X.Anthologie de la poesie danoise contemporaine, 1975
XI.Revista “Nëntori”, Tiranë, 1988/1
XII.Viatcheslav Kouprianov, Leçons, 2012
XIII.Anthologie de la poésie macedonienne, 1988
XIV.Anthologie de la poésie grecque contemporaine, 2000
XV.Henri Deluy, L’anthologie arbitraire d’une nouvelle poésie, 1983
XVI.L. Mailhot, P. Nepveu, La poésie québecoise, 1986
XVII. Gazeta shqiptare, 20 qershor 2017, f. 10-11
XVIII.Georges Haldas, Les poètes malades de la peste, 2009
XIX. Eugène Guillevic, Art poétique, 2001
XX.Antonio Tabucchi, La nostalgie du possible, 2003
XXI.Philippe Sollers, Mémoires, 2007
XXII.N. Papleka, Njatjeta diell, Tiranë, 1976
XXIII.N. Papleka, Lumi e di ku buron, Tiranë, 1988
XXIV.Mario Vargas Llosa, La fête au Bouc, 2004, 215
XXV.Poètes d’aujourd’hui, Saint-John Perse, 1961
XXVI.Gazeta “Nacional”, 13 tetor 2013, Ramiz Alia: Ja kush do të jetë demokracia jonë
XXVII.Zbignieë Herbert, Oeuvres poétiques complètes, II, 2O12
XXVIII.Rainer Maria Rilke, Lettres à un jeune poète, Paris, 1989