Gazeta Nacional Albania

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, vend i cili gjatë historisë ka qenë shtëpi e qytetërimeve të ndryshme, tërheq vëmendjen e vizitorëve me stilet arkitekturore të kohërave të ndryshme që janë të pranishme në këtë qytet. Qyteti brenda tij ka vendbanim antik dhe vend arkeologjik të mbetura edhe para kohës së Bizantit, ndërsa gjithashtu në qytet ndodhen edhe ndërtesa të periudhës osmane, jugosllave, të arkitekturës brutaliste të ndërtuar pas tërmetit të vitit 1963, i cili shkatërroi gati gjysmën e qytetit si dhe fasadat e stilit barok të ndërtuara në vitet e fundit. Gjatë periudhës së qeverisë së kaluar të Maqedonisë së Veriut, Shkupi mori edhe stilin e fundit të arkitekturës, me anë të projektit "Shkupi 2014". Fasada e ndërtuar në stilin barok si dhe një numër i madh i statujave ndryshuan frymën e qytetit të lashtë. ( Furkan Abdula - Anadolu Agency )

Shkup, krerët politikë pa marrëveshje nbi rishikimin e Kushtetutës

Marre nga zeri i amerikes

Udhëheqësit e partive kryesore dhe ata të partive më të vogla të përfaqësuara në parlamentin e Maqedonisë së Veriut u takuan të hënën në Shkup për të diskutuar mbi rishikimin e kushtetutës, ku duhet të futet dhe pakica bullgare, një kusht ky i dalë nga ai që njihet si “propozimi francez”, e që i hapi rrugën vendit të vogël ballkanik për drejt bisedimeve për anëtarësim me BE-në. Megjithatë, opozita maqedonase është shprehur kundër këtyre ndryshimeve. Udhëheqësi opozitar, Hristijan Mickovski ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Drejtuesit e partive të përfaqësuara në parlament, me ftesë të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, diskutuan për nevojën e një procesi të papenguar të punës në parlament dhe miratimin e vendimeve me konsensus. Në takim ka mbizotëruar çështja e rishikimit të kushtetutës. Ky është një kusht i Bashkimit Evropian për Maqedonisë së Veriut, për të kaluar në fazën e dytë të bisedimeve në Bruksel. Rishikimi i kushtetutës duhet të bëhet për të futur në preambulën e saj pakicën bullgare.

Për miratimin e këtij ndryshimi duhen 2/3 e votan në parlament që koalicioni qeveritar nuk mund t’i sigurojë. Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja është shprehur kundër ndryshimit të kushtetutës për shkak të qëndrimeve, sipas saj, nënçmuese të Sofjes zyrtare ndaj çështjes maqedonase.

Shkup, krerët politikë pa marrëveshje nbi rishikimin e Kushtetutës

Kryeministri Kovaçevski foli pas takimit katër orësh për sfidat dhe rëndësinë e zhbllokimit të punimeve në parlament për t’ua hapur rrugën reformave.

“Nuk guxojmë të lejojmë që ndryshimet kushtetuese të bëhen pengesë . Të bëhemi të zgjuar dhe ta shfrytëzojmë momentin e përshtatshëm për në Bashkimin Evropian”, u shpreh zoti Kovaçevski duke thënë se tani nuk është koha për përçarje.

Ai bëri të ditur se do të formohet një grup pune në parlament që do të merret me reformat.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së së opozitës, Hristijan Mickovski tha se nuk i mbështetë ndryshimet e kushtetutës, ndërsa theksoi domosdoshmërinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nuk ka shumicë për ndryshime kushtetuese dhe rrjedhimisht parlamenti duhet të shpërndahet, të formohet një qeveri teknike dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

Partitë shqiptare përveç “Lëvizjes Besa” janë shprehur se i mbështesin pa kushte reformat kushtetuese. Lëvizja Besa kërkon që termi “20 përqind” me të cilin kushtetuta i referohet gjuhës shqipe të ndryshojë bashkë me rishikimin e pritshëm të kushtetutës. Kryetari i kësaj partie, Bilall Kasami nuk mori pjesë në tryezën e ogranizuar të hënën nga zoti Kovaçevski.

Partitë shqiptare në qeveri thonë se tani nuk është koha për shantazh dhe se termi i ’20-përqindëshit’ do të ndryshojë.

Kryetari Bashkimit Demokrartik për Integrim, Ali Ahmeti tha se shpresonte që ky të mos jetë takimi i fundit.

“Pati një debat të hapur, konstruktiv, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e vendit dhe përpjekjet për të ndërtuar qëndrime të përbashkëta. Nuk duhet të hapim tema nga e kaluara”, tha zoti Ahmeti

“Sot jam këtu për t’i dhënë mbështeje të fuqishme procesit euro-integrues të vendit. Alternativa qëndron fuqimisht në këtë proces dhe do të bëjmë çmos, pa asnjë kushtëzim, e as shnatazh që ta ndihmojmë këtë proces që sa më shpejt t’i hapim negociatat, t’i hapim kapitujt realisht dhe me ndryshimet kushtetuese edhe zyrarisht të mund t’i hapim kapitujt (me BE-në)”, tha Afrim Gashi kryetar i partisë Alternativa.

Ndërkohë, kryetari në detyrë i Aleancës për Shqiptarët në opozitë, Arben Taravari theksoi transparencën në takim për ndryshimet kushtetuese, ndërsa tha se vendi nuk ka alternativë tjetër.

“Ndryshimet kushtetuese nuk duhet të shikohen si rrezik, por si mundësi. Futja e bashkësive tjera etnike që jetojnë në vend nuk e rrezikon askënd. Mendoj se duhet të bisedojmë dhe negociojmë edhe për heqjen e 20 përqindëshit”, tha z. Taravari.

Nga ana tjetër, një pjesë e partive maqedonase kërkojnë që Bullgaria të njohë pakicën maqedonase dhe të garantojë të drejtat e tyre.

Pjesëmarrësit në takim theksuan se dialogu është mënyra e vetme për kapërcimin e mosmarrëveshjeve dhe për çuarjen përpara të procesit integrues të vendit.

Një tjetër temë e takimit ka qenë kriza energjetike. Kryeministri maqedonas ka folur mbi përpjekjet e qeverisë dhe masat që po ndërmerren për të përballuar krizën.