Gazeta Nacional Albania

9 vjet dështime në PD’/ Lulzim Basha dorëhiqet pas shkarkimit në 11 dhjetor

Lulzim Basha është larguar nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Pas 9 vjet dështimesh në krye të forcës kryesore të opozitës shqiptare që kulmoi në zgjedhjet e 6 marsit, ku logoja e Partisë Demokratike u rendit e treta, Lulzim Basha më në fund artikuloi fjalën dorëheqje.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se ka nevoje për analizë e më pas për nje proces zgjedhor ku të përfshihet e gjithë partia.

Për këtë jam i bindur se ka nevojë që të nisë sa më parë një proces vetëdijësimi, analize, përbashkimi parimor dhe ripërtëritje, e më pas një proces zgjedhor i hapur, transparent, i lirë dhe i drejtë, nga baza në qendër i gjithë lidershipit të PD.

Deklaratën e largimit nga drejtimi i Partisë Demokratike, Basha e bëri gjatë një mbledhje me grupin parlamentar, kryesinë dhe kolegjin e kryetarëve. Praktikisht Lulzim Basha u shkarkua në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, vendim i cili u konfirmua nga anëtarësia e Partisë Demokratike në referendumin e zhvilluar një javë më pas.

Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, Lulzim Basha u kap fort pas logos dhe selisë së partisë duke refuzuar largimin. Zgjedhjet e 6 marsit ishin përcaktuese për fatin e Lulzim Bashës në krye të PD. Pas humbjes dërrmuese dhe renditjes në vend të tretë si asnjëherë më parë në historinë 32 vjeçare të PD, presioni ndaj tij u shtua ndjeshëm pasi edhe mbështetësit e tij më të afërt i kërkuan atij dorëheqjen.

Gjatë drejtimit të Lulzim Bashës, Partia Demokratike shënoi rezultatet më të dobëta elektorale që nga krijimi i saj në vitin 1990.

Pasi u shkarkua si kryetar i PD nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit dhe referendumi i 18 dhjetorit, Basha sot është larguar.

Vendimin ai e ka njoftuar gjatë mbledhjes me disa deputetë të grupit parlamentar, Kryesinë dhe Kolegjin e kryetarëve të emëruar prej tij.

Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shumë demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh të pavërteta si rezultat sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë.

Për këtë arsye dhe për të ndihmuar demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, Kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD, i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve.

Kjo nuk është një tërheqje, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje se kjo që ka ndodhur për karrigen e kryetarit“, tha ai.

Në 6 mars, Lulzim Basha përfundoi i treti në zgjedhjet e pjesshme vendore dhe presoni ndaj tij u shtua ndjeshëm.

Deputetët e grupit parlamentar kërkuan largimin e menjëhershëm të Bashës, duke theksuar se largimi i tij i hap rrugë bashkimit të PD.