Gazeta Nacional Albania

Ish-ambasadorja Haley nis fushatën për Shtëpinë e Bardhë, thirrje për udhëheqje të re republikane

Marrë nga Reuters

Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley tha të mërkurën se ka ardhur koha për të lënë pas “idetë e vjetëruara” ndërsa bëri thirrje për një brez të ri udhëheqësish në hapjen e fushatës për të marrë mbështetjen e Partisë Republikane në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Zonja Haley është kandidatja e dytë e deklaruar që kërkon mbështetjen republikane për të sfiduar presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2024. Ajo pritet të përballet tashmë me ish-Presidentit Donald Trump, i cili nisi pak kohë më parë fushatën për zgjedhjet presidenciale.

Ish-guvernatorja 51-vjeçare e Karolinës së Jugut deklaroi kandidaturën të martën përmes një video që bënte thirrje për udhëheqje të re të partisë, një goditje jo e drejtpërdrejte ndaj zotit Trump, të cilin disa udhëheqës republikanë e fajësojnë për rezultatin zhgënjyes në zgjedhjet e nëntorit.

“Ne jemi gati. Gati për të lënë pas idetë e vjetruara dhe emrat e zbehur të së kaluarës. Jemi më se të gatshëm që një brez i ri të na udhëheqë drejt së ardhmes”, tha zonja Haley gjatë një tubimi në qytetin historik të Çarlstonit në Karolinën e Jugut.

Mbështetësit e zonjës Haley në tubim u pajtuan me thirrjet e saj për një udhëheqje të re në Partinë Republikane.

“Unë mendoj se zoti Trump mund të jetë shumë polarizues dhe përçarës në disa raste”, tha 54-vjeçari Tim Jansen, mbështetës i kandidates Haley nga qyteti i Çarlstonit. “Do të doja të shihja pak më shumë tolerancë, komunikim dhe lakueshmëri”.

Të mërkurën kandidatja Haley mori mbështetjen e republikanit të njohur të Karolinës së Jugut, Ralph Norman, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili ishte mbështetës i palëkundur i zotit Trump gjatë presidencës së tij.

“Është koha për një fillim dhe një kapitull të ri në politikën kombëtare republikane dhe nuk ka njeri më të përshtatshëm për të ndihmuar në shkrimin e kapitullit të ri sesa ish-guvernatorja jonë”, shkroi zoti Norman në rrjetin Twitter.

Zonja Haley përballet me vështirësi të mëdha në përpjekjet për të fituar emërimin e republikanëve, ndërkohë që një anketë nga Reuters/Ipsos, e publikuar të martën, tregon se vetëm 4% e republikanëve të regjistruar e mbështesin atë.

Sipas sondazhit të kryer ndërmjet 6 dhe 14 shkurtit, 43% e republikanëve të regjistruar e mbështesin zotin Trump, ndërsa 31% thanë se mbështesin guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, i cili pritet të shpallë kandidaturën.

Zonja Haley shërbeu si guvernatore e Karolinës së Jugut nga viti 2011 deri në vitin 2017, një shtet që organizon një nga garat e para paraprake mes republikanëve.