Site icon Gazeta Nacional Albania

Adnan Mehmeti: PANAIRI I LIBRIT SHQIP NË AMERIKË 2026: PESË EDICIONE, NJË MISION

 (Fjala përshëndetëse në hapjen e Panairit të Librit Shqip në Amerikë 2026, Edicioni i Pestë)

 

Riverdale, New Jersey, 11 tetor 2026 . Panairi i Librit në Amerikë 2026 na bashkon në edicionin e tij të pestë, duke sjellë sërish pranë njëri-tjetrit shkrimtarë, botues, studiues dhe lexues. I nisur në vitin 2009, ky aktivitet ka kaluar nëpër disa etapa, me dy edicione në Nju Jork, dy në Connecticut dhe Ekspozitën e Librit Shqip. Këtë herë, panairi zhvillohet në New Jersey, duke dëshmuar se nisma jonë po zgjerohet dhe po fiton gjithnjë e më shumë tiparet e një tradite të qëndrueshme. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë synon që panairi të jetë sa më pranë anëtarëve, autorëve dhe lexuesve tanë, kudo që ata jetojnë. Prandaj, dëshirojmë që kjo veprimtari të udhëtojë nga një shtet në tjetrin, duke e afruar librin dhe autorin me komunitetin shqiptar në të gjithë Amerikën. Këtë edicion kemi nderin ta organizojmë në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Struga” në Riverdale, e cila prej vitesh përbën një pikë të rëndësishme takimi për komunitetin dhe i shërben kulturës, bashkimit dhe çështjes kombëtare. Për mikpritjen dhe mbështetjen, shpreh mirënjohjen time të veçantë për kryetarin e Qendrës, z. Sinan Alimi, dhe të gjithë anëtarët e saj, që i hapën dyert librit dhe e kthyen këtë hapësirë në një shtëpi të fjalës shqipe. Një nga lajmet më të bukura të këtij edicioni është dëshira e anëtarëve të Shoqatës që një pjesë e librave të ekspozuar në panair t’i dhurohen Bibliotekës së Qendrës “Struga”. Ky gjest shkon përtej një dhurimi simbolik. Librat do të vazhdojnë të jetojnë në raftet e bibliotekës, të lexohen dhe të zbulohen nga brezat e ardhshëm. Kështu, krahas krijimtarisë që sjellim me vete, lëmë pas edhe një kontribut konkret për pasurimin e jetës kulturore të komunitetit.

Ky edicion shënon gjithashtu një hap drejt bashkëpunimit më të ngushtë me shoqatat tona simotra, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të drejtuar nga prof. Mujo Buçpapaj, dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, të kryesuar nga prof. Shyqri Galica. Besojmë se çdo traditë e mirë ndërtohet hap pas hapi. Ky është një hap drejt zgjerimit të marrëdhënieve dhe bashkërendimit të veprimtarive tona në të ardhmen. Kur bashkohemi rreth një ideali të përbashkët, secili sjell përvojën e vet, por të gjithë punojmë për të njëjtin qëllim: librin, kulturën dhe fjalën shqipe.

Në prill të këtij viti, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë kremtoi 25-vjetorin e themelimit. Një çerek shekulli me punë, takime, botime dhe miqësi, të bashkuara nga një qëllim i vetëm: t’i japim jetë fjalës shqipe në Amerikë. Secili që ka kontribuar ndër vite ka lënë gjurmën e vet, dhe pikërisht nga këto gjurmë është ndërtuar Shoqata që kemi sot. Shkrimtari dhe poeti i madh Jorge Luis Borges e ka cilësuar librin si “një nga mundësitë tona për lumturi”. Ndoshta kjo shprehje na ndihmon të kuptojmë pse libri zë një vend kaq të rëndësishëm në jetën tonë. Përmes tij udhëtojmë përtej kohës dhe hapësirës, njohim botë të tjera, dëgjojmë zëra të ndryshëm dhe përjetojmë histori që na ndihmojnë të kuptojmë më mirë edhe veten. Për ne që jetojmë në Amerikë, libri ka një kuptim edhe më të thellë. Ai ruan gjuhën, kujtesën dhe lidhjen me vendin nga vijmë, ndërsa njëkohësisht rrëfen përvojën tonë në tokën që na priti. Letërsia e diasporës ka një vlerë të veçantë pikërisht sepse lind mes dy botëve dhe bart me vete mallin, përvojën e emigrimit dhe një këndvështrim të ri mbi jetën. Panairi i parë i librit në Nju Jork dhe edicionet që pasuan shënuan fillimin e një tradite që e kemi ndërtuar së bashku. Shumë prej autorëve të pranishëm kanë qenë pjesë e këtyre panaireve, promovimeve dhe takimeve ndër vite. Për Shoqatën, ato kanë qenë mundësi për t’u takuar, për të shkëmbyer mendime dhe për të ndarë dashurinë për librin. Edhe Ekspozita e Librit Shqip, e organizuar në vitin 2021, ishte një dëshmi tjetër e këtij përkushtimi. Ajo mblodhi libra, revista dhe botime të Shoqatës dhe të anëtarëve të saj, duke nxjerrë në pah pasurinë e krijimtarisë dhe historinë e veprimtarisë sonë botuese. Sot, me këtë edicion, vazhdojmë një mision që ka marrë jetë falë punës dhe përkushtimit të shumë autorëve e miqve të librit. Një panair nuk është thjesht një hapësirë ku ekspozohen botimet. Është një vend takimi, ku autori takohet me lexuesin, botuesi me autorin dhe studiuesi me krijuesin. Mbi të gjitha, është vendi ku libri gjen lexuesin e tij. Jemi në tetor, muajin e librit. Le ta vazhdojmë këtë traditë me besim te libri, te fjala dhe te kultura. Le të punojmë që çdo edicion i ardhshëm të jetë më i pasur, më i hapur dhe më pranë lexuesit. Në përfundim, shpreh mirënjohjen time për gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave që janë sot me ne dhe që, përmes punës së tyre, ndihmojnë në përcjelljen e këtij aktiviteti dhe në promovimin e librit shqip. Faleminderit të gjithëve për praninë dhe mbështetjen tuaj. Uroj që ky panair të shërbejë si një tjetër mundësi bashkimi mes autorëve, lexuesve dhe komunitetit tonë. Mirë u takofshim në panairet e ardhshme, me libra të rinj, me miqësi të forcuara dhe me të njëjtën dashuri për gjuhën dhe kulturën tonë!

Exit mobile version