Gazeta Nacional Albania

AFATI I NERONIT. Poezi  nga KONSTANDINOS   KAVAFIS. Përktheu nga origjinali: I L I A Z   B O B A J

NJË PLAK

 

Në kafenenë e zhurmshme, tej në thellësi,

përkulur mbi tryezë, një plak i vjetër rri,

me një gazetë para, i vetëm fillikat.

 

Përbuzjen i ndjen të mjerës pleqëri,

mendon: sa pak gëzoi në rini,

kur kish forcë, fjalë, bukuri pa cak.

 

E di, u plak shumë, e shikon, e ndjen,

kohë e rinisë i duket e afërt si dje,

sa kohë e shkurtër, shkurtaqe kohë.

 

Mendon si e mashtronte dinakja Urtësi

dhe gjithnjë e besonte: – Eh, ç’marrëzi !

Gënjeshtarja i thosh: – Nesër ke shumë kohë.

 

Vrrullimet e hershme, mendimit i zënë vend,

sa gëzim flijoi, sa njohje të pamend,

çdo rast të humbur tani e tall, përqesh.

 

Nga mendimet e gjatë, kujtimet e pafund,

plaku u trallis, u lëshua në gjumë,

aty në kafene, mbështetur mbi tryezë.

 

1897

 

 

MURET

 

Pa mendim, pa dhimbje, pa turp,

rreth meje ndërtuan mure të mëdhenj, të lartë.

 

Dhe rri tani e robëtohem këtu,

nuk mendoj tjetër, trurin ma bluan imi fat.

 

Meqë jashtë kisha për të bërë shumë gjëra,

kur ndërtuan muret, si nuk i pashë.

 

Por nuk dëgjova as zhurmë ndërtuesish, as zëra,

pa më përfillur, nga bota më lanë jashtë.

 

1897

 

 

DHJETOR  1903

 

Nëse për dashurinë time nuk mund të flas,

nëse nuk mund të flas për flokët, buzët, sytë e tu,

fytyrën tënde e mbaj në shpirtin tim,

tingullin e zërit tënd e mbaj në tru,

ditët e shtatorit, që lindin në ëndrrat e mia,

ato fjalë dhe shprehje, që përmasojnë dhe ngjyrosin,

çdo bisedë që bëj, çdo mendim që shfaq.

 

1917

 

 

PREJ ORËS 9

 

Dymbëdhjetë e gjysmë. Sa shpejt shkoi ora,

prej orës 9, kur ndeza llampën

dhe ndenja këtu. Ndenja pa lexuar

dhe pa folur. E me kë të flas,

fillikat mes katër mureve të kësaj shtëpie.

 

Shembëllimi i trupit tim të moshës së rinisë,

prej orës 9, kur ndeza llampën,

erdhi më mori dhe më kujtoi,

dhomat e mbyllura plot aromë

dhe kënaqësinë e shkuar, – ç’kënaqësi e guximshme !

Gjithashtu më solli para syve,

rrugë, që tashmë janë të shpërfytyruara,

vende plot gjallëri, që u shuan,

teatro dhe kafene, që ishin dikur.

 

Shembëllimi i trupit tim të moshës së rinisë,

erdhi dhe më solli edhe hidhërimet,

zinë e familjes, ndarjet,

ndjenjat e mia, ndjenjat,

që vdiqën dhe u nderuan aq pak.

 

Dymbëdhjetë e gjysmë. Sa shpejt ora vërtitet.

Dymbëdhjetë e gjysmë. Si shkuan vitet.

 

1918

 

 

NË SPARTË

 

Nuk e dinte mbret Kleomeni, nuk guxonte,

një gjë të tillë nuk dinte si t’ia thosh

nënës së vet: Ptolemeu ngulmonte,

që për garancinë e marrëveshjes, të shkonte edhe ajo

në Egjipt dhe të përkujdesej

me përulësi, ashtu siç i takonte.

Dhe vinte shpesh për t’ia thënë dhe gjithnjë mëdyshej.

Gjithnjë nisej t’ia thosh dhe gjithnjë e linte në mes.

 

Po gruaja e mrekullueshme e kuptoi,

(ndërkohë diçka kish dëgjuar për këtë gjë)

dhe i dha guxim të shprehej.

Buzëqeshi dhe i tha se sigurisht që shkonte.

Bile gëzohej që mund të ishte,

në pleqërinë e saj, ende e vlefshme për Spartën.

 

Sa për përulësinë, – atë e shpërfillte,

Urtësi e Spartës, sigurisht nuk ishte i zoti,

të bëhej një Llajidh * i djeshëm

dhe sado që të këmbëngulte, nuk do të mundte kurrë,

të nëpërkëmbte një hyjni të Arkadisë

të bekuar si ajo. Nënë e mbretit të Spartës.

 

1928

 

* Llajidhi- dinasti greke e Egjiptit, themeluar nga Ptolemeu i Parë,

i biri i Llagos (306-30).(shën. i përkth.)

 

 

LUTJET

 

Një marinar u mbyt në thellësi në det,

nënë e tij, paditur, merr rrugën, shkon e ndez.

 

Një qiri të madh përpara Shën Mërisë,

që shpejt të kthehet djali dhe të jetë kohë e mirë.

 

E mban veshin përpjetë, andej nga zhurmon era

dhe falet, mërmërit, me lutje të paprera.

 

Vëmendshëm e brengosur, sapo dëgjon një zë,

ndërsa djali, që pret, s’ka për t’u kthyer më.

 

1898

 

 

DITË TË VITIT 1903

 

Nuk i fitova dot prapë, – ato që humba aq shpejt…

sytë poetikë, fytyrën

e zbehtë…në errësirën e rrugës…

 

Nuk i fitova dot prapë, – ato që më dha fati,

që i braktisa aq lehtë

e mandej i lakmova me aq zjarr.

Sytë poetikë, fytyrën e zbehtë,

ato buzë, nuk i fitova dot prapë.

 

1917

 

 

HARRESË

 

Mbyllur brenda në lulëtari,

nën xhamari, lulet nuk dinë,

si është shkëlqimi diellor,

as si fryjnë flladet, kur shkojnë freskitë.

 

 

DY TË RINJ, 23 DHE 24 VJEÇ

 

Prej orës dhjetë e gjysmë ishte në kafene

dhe priste të kthehej nga çasti në çast.

Shkoi mesnatë – ai priste ende.

Shkoi një e gjysmë, kafeneja,

qe boshatisur pothuaj krejtësisht.

U mërzit duke lexuar gazetat

mekanikisht. Nga tri shilingat e vetme

i mbeti vetëm një: gjatë kohës që priste,

i harxhoi të tjerat me kafe dhe konjak.

Cigareve u dha fund.

E cfilitëte kjo pritje e gjatë. Sepse,

siç ishte i vetëm aq orë, filluan

ta pushtonin mendimet e trishtë

të jetës së tij të shthurrur.

 

Por sa pa mikun e tij të hynte – në çast,

lodhja, mërzia, mendimet, i ikën.

 

Miku i tij solli një lajm të papritur.

Kish fituar në letra gjashtëdhjetë lira.

 

Fytyrat e tyre të hijshme, rinia e tyre e bukur,

miqësia e ndjeshme, që kishin midis tyre,

u ripërtërit, u gjallërua, u forcua,

nga gjashtëdhjetë lirat e fituara në letra.

 

Dhe gjithë hare, ndjeshmëri, bukuri,

Shkuan – jo në familjet e tyre të ndershme,

(po gjetkë, aty ku nuk i dëshironte më askush).

 

1927

 

 

ODET DHE ELEGJIA E RRUGËVE

 

Hapat e kalimtarit të parë,

të të parit shitës, të gjallat kërcitje,

të hapjes së dritareve të para,

të portës së parë – janë odet lirike,

që kanë rrugët në agim.

 

Hapat e kalimtarit të fundit,

të të fundit shitës, e fundit zhurmërimë,

e mbylljes së portave dhe dritareve,

janë ofshama e elegjisë,

që kanë rrugët në mbrëmje.

 

 

NË HYRJE TË KAFENESË

 

Vëmendjen time, për diçka që thanë pranë meje,

ma tërhoqi hyrja e kafenesë.

Dhe pashë një trup, që ngjante,

si i ndërtuar nga mjeshtëria e rrallë e Erosit-

duke i zgjeruar hareshëm pjesët e tij simetrike,

duke i lartësuar shtatin si statujë,

duke i zgjeruar me emocion fytyrën,

duke lënë nga prekja e duarve të tij,

një ndjenjë në ballë, në sy, në buzë.

 

1915

 

 

ZËRAT

 

Zëra të arrirë, zëra të dashur,

të atyre që vdiqën ose të atyre,

që për ne janë të humbur si të vdekurit.

 

Dikur na flisnin nëpër ëndërra

dhe truri i dëgjonte në mendimin e vet.

 

Me tingullin e tyre na risjellin një çast,

zëra nga poezia e parë e jetës,

si një muzikë të largët nate, që shuhet.

 

1904

 

 

SHTËPI ME KOPËSHT

 

Do doja të kisha një shtëpi jashtë qytetit,

me një kopësht shumë të madh – jo aq

për lule, pemë e blerishte,

(sigurisht të jenë edhe ato është bukuri),

por të kem kafshë. Ah, të kem kafshë !

të paktën shtatë mace – dy pis të zeza

dhe dy të bardha si borë, për kontrast.

Një papagall të mësuar, që ta dëgjoj,

të thotë gjëra me peshë dhe bindje.

Qen, besoj se do më mjaftonin tre.

Do doja edhedy kuaj, (të mirë janë kuajt e vegjël).

Dhe veç tyre, tre, katër nga të vlefshmit,

nga ato kafshë simpatike, gomerët,

të rrinë ngathësisht dhe të kënaqen.

 

 

NË TRYEZËN PRANË

 

Sapo do ketë mbushur njëzetedy vjeçe.

Por unë jam i bindur se dikur,

pothuajse të njëjtën moshë, të njëjtin trup shijova.

 

Nuk është aspak përndezje dashurie.

Vetëm para pak çastesh hyra në kazino

dhe nuk kisha as kohë për të pirë shumë.

Të njëjtin trup shijova.

 

Dhe nëse nuk më kujtohet se ku-një harresë e imja s’prish punë.

 

Ah, tani që u ul në tryezën pranë,

njoh çdo lëvizje që bën – dhe nën rroba,

rishoh të zhveshur vendet e dëshiruar.

 

1919

 

 

TRUP, SILL NDËRMEND

 

Trup, sill ndërmend jo vetëm sa dashurove,

jo vetëm shtratet ku u shtrive,

por edhe dëshirat, që për ty,

shkëlqenin dukshëm mes syve të tu

dhe dridheshin brenda zërit – dhe ndonjë pengesë

e rastësishme nuk i la të realizoheshin.

Tani, që të gjitha i përkasin së shkuarës,

duket sikur edhe në dëshirat,

sikur u dhe – si shkëlqenin,

kujto si të shikonin në dritë të syrit,

si dridheshin mes zërit, pa kujtohu, trup !

 

1918

 

 

DITË TË VITIT 1909, ’10 dhe ’11

 

Ishte i biri i një marinari të tiranizuar, të këputur,

(nga ishujt e Egjeut).

Punonte në hekura. Vishte rroba të vjetra.

Këpucët i kish të shqyera, brashnja.

Duart të ndotura me vajra dhe ndryshk.

 

Në mbrëmje, kur mbyllej dyqani,

nëse kish diçka që e dëshironte me zjarr,

ndonjë kollare paksa të shtrenjtë,

ndonjë kollare për të dielën,

ose nëse kish parë në vitrina

dhe i pëlqente ndonjë këmishë mavi,

trupin e tij, për një apo dy dhrahmi, e shiste.

 

Pyes veten: nëse në kohët e lashta,

(Aleksandria krenohej se kish të rinjtë më të bukur),

djalosh më të përkorë se ai – që shkoi dëm,

nuk kish parë, kuptohet: shtati i tij pikturë,

në dyqanin e vjetër, një hekurpunues i rëndomtë,

aq shpejt nga puna e mundimshme

dhe nga shoqëria e lëshuar, e shthurrur, ishte rrënuar.

 

1928

 

 

AFATI I NERONIT

 

Nuk u shqetësua Neroni kur dëgjoi,

Orakullin e Delfit, profetin:

”73 vjetëve t’u trembej !”

Kish ende kohë të gëzonte.

Ish vetëm tridhjetë vjeç. Tepër i largët,

afati, që zoti i kish dhënë,

për t’u dalë përpara rreziqeve të ardhshëm.

 

Tani do të kthehej në Romë pakëz i këputur,

nga lodhja e këndshme e atij udhëtimi,

që ishte dëfrim i përditshëm,

në teatro, kopshtije, vendstërvitje…

mbrëmjet në qytetet e Ahajasë…

e mbi gjithshka kënaqësia e trupave të zhveshur…

 

Me këto merrej Neroni. Në Spanjë,

ushtrinë e tij afronte dhe stërviste fshehur,

Galvasi, plaku shtatëdhjetë e tre vjeçar.

 

1918

 

 

EMILIANO MONAI, ALEKSANDRI 620-655

 

Me fjalë, me pamje, me mjeshtëri,

do vesh një armatim të rëndë, të veçantë,

do përballoj kështu njerzit e këqinj,

frikë dhe dobësi nuk do kem aspak.

 

Do duan të më dëmtojnë. Por askush vesh s’do ta marrë,

prej atyre që afër meje do të vijnë,

ku fshihen plagët e mia, të hershmet plagë,

me hile, mjeshtërisht do t’i mbuloj dobësitë.

 

Të kota mburrjet e Emiliano Monait,

të jetë armatosur ndonjëherë kaq rëndë ai ?

Dhe po ta ketë bërë, s’e ka përdorur shumë,

njëzet e shtatë vjeç, vdiq në Siqeli.

 

1918

 

 

NË TË NJËJTIN VEND

 

Mjedis shtëpie, qendre, lagjeje,

e shoh dhe ecij vite dhe vite.

 

Të krijova mes gëzimeve dhe hidhërimeve,

me kaq ndodhi, me kaq gjëra.

 

Dhe u bëre i gjithë i ndjeshëm, për mua.

 

1929

 

 

PASQYRA NË HYRJE

 

Shtëpia e pasur kishte në hyrje,

një pasqyrë të madhe, të vjetër shumë,

blerë, të paktën, para tetëdhjetë vjetësh.

 

Një djalë i bukur, nëpunës tek rrobaqepësi,

(të dielat sportist amator),

priste me një pako në duar. Ia dorëzoi

një njeriu të shtëpisë dhe ai e çoi brenda,

për të sjellë faturën. Nëpunësi i rrobaqepësit,

mbeti i vetëm dhe priste.

Iu afrua pasqyrës dhe u pa,

rregulloi kollaren. Pas pesë minutash

ia sollën faturën. E mori dhe iku.

 

Po pasqyra e vjetër, që kish parë,

gjatë jetës së saj shumëvjeçare,

mijra gjëra dhe fytyra,

pasqyra e vjetër tani gëzohej

dhe krenohej që kish ndjerë mbi vete,

bukurinë e rrallë për pak minuta.

 

1930

 

 

NË SHTËPINË E SHPIRTIT

 

Në shtëpinë e Shpirtit vërtiten pasionet,

gratë e bukura, veshur me mëndafsh

dhe gurë zafiri deri në majë të flokëve.

Që nga porta e shtëpisë, gjer tej në thellësi

i përdorin të gjitha sallat. Në më të madhen,

mbrëmjeve, gjakndezur zjarr e valë,

flokëlëshuar, kërcejnë dhe pijnë me afsh.

 

Jashtë sallave të zbehta, të veshura

me modën e një kohe në harrim,

enden virtytet dhe me dhimbje dëgjojnë

festën që bëjnë njerzit e dehur.

Në xhamat e dritareve afrojnë fytyrat

dhe shohin të heshtur, të menduar,

xhevahirët, dritat, vallen në harbim.

 

 

QIRINJTË

 

Ditët e ardhshme rrinë para nesh,

si një radhë qirinjsh të ndezur,

qirinj të artë, të ngrohtë, të gjallë.

 

Ditët e shkuara mbeten pas,

një radhë e pikëlluar qirinjsh të shuar,

më të afërmit tymojnë ende,

qirinj të ftohtë, të shkrirë, të përthyer.

 

Nuk dua t’i shoh, më brengos forma e tyre,

brengosem të kujtoj dritën e tyre të parë,

vështroj përpara, tek qirinjtë e ndezur.

 

S’dua të kthej sytë, të ndjehem i frikuar,

duke parë sa shpejt zgjatet vija e errët,

sa shpejt shtohen qirinjtë e shuar.

 

1899

 

 

LE TË PËRKUJDESESHIN

 

Kam mbetur pothuajse pa strehë, pa një dyshkë,

ky qytet fatkeq, Andiohia,

m’i hëngri të gjitha të hollat,

ky qytet fatkeq, me jetën e tij të shtrenjtë.

 

Po jam i ri dhe me shëndet të plotë,

zotërues i mrekullisë greke.

(Njoh shumë mirë Aristotelin, Platonin,

oratorinë, poetikën dhe gjithshka që mund të thuash).

Për njohuritë ushtarake, kam njëfarë ideje

dhe kam miqësi me udhëheqës e mercenarë.

Kam njëlloj informimi si administrator.

Në Aleksandri, vjet ndenja gjashtë muaj,

diçka njoh (dhe kjo është e nevojshme ), edhe aty,

synimet e keqbërësve, ligësitë njerëzore e të tjera.

 

Aty ku mendoj se jam plotësisht i aftë,

është t’i shërbej këtij vendi,

atdheut tim të shtrenjtë, Sirisë.

 

Në çdo punë që do më caktojnë, do përkujdesem,

të jem i dobishëm për vendin, ky është qëllimi im.

Nëse do më pengojnë sërish me metodat e tyre,-

jua dimë aftësinë: ç’mund të themi tjetër ?

nëqoftëse më pengojnë, ç’faj kam unë ?

 

Do t’i drejtohem të parit Zavinës

dhe po qe se ai i marrë nuk do më çmojë,

do shkoj tek kundërshtari i tij Gripo’.

 

Dhe nëse edhe ai torrollak nuk do më pranojë,

do shkoj me një frymë tek Ingrano’.

 

Njeri prej të treve do të më çmojë.

 

Ndërgjegjja ime do jetë e qetë

dhe nëse asnjeri s’do më pranojë,

Sirinë e dëmtojnë të tre njëlloj.

 

Po ç’faj kam unë, njeriu i këputur,

unë i cfilituri, që kërkoj të arnohem.

Nëse do përkujdeseshin zotat fuqiplotë,

të krijonin një të mirë të katërt,

do shkoja aty me gëzim të plotë.

 

1930

 

 

NGA SIRTARI

 

Kamares sime mendoja t’i vija një mur.

 

Po do ta dëmtonte lagështia e sirtarit.

 

Atë fotografi nuk do ta vë në kornizë.

 

Duhej ta përkujdesja më mirë.

 

Ato buzë, ajo fytyrë –

qoftë edhe për një ditë, për një orë të vetme,

të më kthenin pas të shkuarën e tyre.

 

Atë fotografi nuk do ta vë në kornizë.

 

Do të rri të vuaj duke e parë të dëmtuar.

 

Dhe sikur të mos ishte e dëmtuar,

kujdesi i tepërt do më shqetësonte, nëse ndonjë fjalë,

ndonjë theks i zërit do më tradhëtonte,

nëqoftëse do më pyesnin ndonjëherë për të.

 

 

 

AI QË DËSHTOI

 

Ai që dështoi, ai që bie përsëri,

sa vështirë e ka të mësojë,

gjuhën e re të varfërisë, mënyrat e reja.

 

Tek të mjerat shtëpi të huaja si do të shkojë ! –

me ç’zemër do të ecij në rrugë

dhe kur do të ndodhet para portës, ku do ta gjejë,

fuqinë për të prekur zilen.

Për nevojën e përulshme të bukës

dhe për strehëz, si do të kënaqet !

Si do t’u bëjë ballë vështrimeve të ftohtë,

që do ta tregojnë se u është rënduar !

Buzët krenare, tashmë me ç’mënyrë,

do fillojnë të flasin me përulje

dhe koka e lartë si do përkulet !

Si do të dëgjojë të folurat që shpojnë

veshët me çdo fjalë – dhe më e keqja është,

se duhet të bësh sikur nuk i ndjen,

sikur je i rëndomtë dhe nuk i kupton.

 

 

 

HAPAT NË PALLATIN MBRETËROR

 

Fle Neroni në pallatin e tij mbetëror,

i qetë, i pavetëdijshëm, i lumtur,

me trupin e tij të fortë, të bëshëm

dhe gjallërinë e bukur të rinisë.

 

Ndërsa Laritet * e tij janë të shqetësuara,

dridhen në vatër hyjnitë e vogla,

pjesët e parëndësishme në trupat e tyre, kërkojnë

t’i fshehin, t’i zvogëlojnë, t’i zhdukin.

Meqë dëgjuan një krismë ogurzezë,

krismë Tartare ** , krismë vdekjeprurëse,

që vinte nga shkallaret dhe në çast,

Lariteve frikacake u ra të fikët,

gjithë atyre hyjnive të sëmura,

që parashikuan, ndjenë, njohën,

hapat e tmerrshme të Eumenideve.

 

1909

 

* Hyjni romake.(shën. i përkth.)

** Vendi i ndëshkimit të përhershëm në Ferr.( shën. i përkth.)

 

 

 

E VAPORIT

 

I ngjan sigurisht atij,

kjo skicë e vogël e bërë me laps.

 

E punuar shpejt e shpejt, në kuvertën e anijes,

një pasdite magjike. Përreth nesh Deti Jon.

 

I ngjan. Por e sjell ndërmend akoma më të bukur.

Ishte i hijshëm deri në dhimbje

dhe kjo e shkëlqente pamjen e tij.

Më i bukur më shfaqet,

Tani që shpirti im e thërret prej kohës.

 

Prej kohës. Të gjitha këto janë shumë të hershme-

skica dhe vapori, edhe ajo pasdite.

 

1919

 

 

MELANKOLI E JASON KLEANDRIT

POET NË KOMAJENI 595 PAS KRISHTIT

 

Plakja e trupit dhe e pamjes sime,

është plagë e një thike të tmerrshme.

Asnjerën nuk e kam pritur.

Të kërkoj ndihmë, Mjeshtëri e Poezisë,

që diçka di për ilaçet,

letargji e provës së dhimbjes, në Imagjinatë dhe Fjalë.

 

Është plagë prej një thike të tmerrshme.-

M’i sill ilaçet e tu, Mjeshtëri e Poezisë,

që bëjnë – për pakëz – të mos ndjehet plaga.

 

1921