Gazeta Nacional Albania

AGRON DALIPAJ: KUFOMA E “ALBANOLOGJISË” SË TIRANËS ZYRTARE DHE VEMJET SLLAVE NË TË

Shkenca e albanologjisë ka kaluar dy faza dhe tashmë ndodhet në fazën e tretë të saj, ku përparimet në shumë fusha të shkencës botërore të aplikuara në gjuhësi, po e nxjerrin shqipen si gjuhën më të vjetër në botë. Këto zhvillime po konfirmojnë idetë e rilindasve tanë të mëdhenj që besonin dhe mëtonin idenë se gjuhët e Evropit u pollën prej shqipes dhe kjo ishte faza e parë e albanologjisë që u përkrah edhe nga shumë albanologë të huaj, të cilët ndanin të njëjtin qëndrim me rilindasit tanë e ku ndër ta shquhet si një mal Jeronim De Rada.
Faza e dytë e Albanologjisë është ajo e periudhës komuniste e që vazhdon deri në ditët e sotme e siç po duket është në agoninë e saj në shtratin e vdekjes.
Karakteristika e fazës së dytë është se, në kohëzgjatjen e saj, qëndrimin e rilindasve ndaj gjuhës shqipe dhe identitetit historik të kombit shqiptar e stigmatizuan si romantik dhe me frymë patriotike duke i mohuar kështu karakterin shkencor. Në mënyrën më të stërholluar të metodave sllave, Jeronim De Radës iu ndalua botimi 10 veprave filologjike për shkencën e gjuhësisë. Censurimi i De Radës në Shqipëri vazhdon edhe sot, pasi Ministria e Kulturës e R.P. të Shqipërisë e botoi gjithë veprën e tij vetëm në një numur të kufizuar kopjesh dhe ato pak kopje i shpërndau falas në njerëz të besuar të sistemit, duke i mohuar çdo studjuesi të interesuar kontaktin me veprën madhore të De Radës, e cila nuk gjendet më në asnjë librari apo institucion.
Në fazën e albanologjisë zyrtare të periudhës komuniste, albanologjia u sundua e u drejtua (dhe drejtohet) nga ideologjia sllave për shqiptarët dhe kështu u denigruan e u dhunuan zyrtarisht figura të mëdha të albanologjisë që binin ndesh me ideologjinë e interesat sllave mbi e për shqiptarët. Gjergj Fishtës, gjigantit të shpirtit tonë kombëtar, i shkulën eshtrat dhe ia hodhën në lumë dhe ende sot shteti nuk i ka dedikuar as një minimuze. Arkiva e qytetit të Shkodrës dhe biblioteka e kishës françeskane e këtij qyteti, ku ruhej kujtesa historike dhe identiteti i kombit tonë, iu dorzuan shtetit serb me lejën e Qeverisë Shqiptare…
Në periudhën, kur albanologjia zyrtare e Tiranës ishte (dhe është) në drejtim nga ideologjia sllave, u hartuan fjalorë etimologjikë të gjuhës shqipe që e nxjerrin gjuhën tonë pa identitet dhe si gjuha me më shumë huazime në botën e gjuhëve (93%). U nxitën e u hartuan pa asnjë kriter shkencor një numër i madh fjalorë huazimesh të gjuhës shqipe prej gjuhëve të tjera dhe u përndoqën e përndiqen autorë që provuan e provojnë shkencërisht se shqipja është qendra e familjes së saj gjuhësore.
Në këtë fazë të dytë, të dominimit sllav mbi albanologjinë, shqipja u përkufizua e përkufizohet si gjuhë e sendërtuar pas ardhjes së sllavëve në Ilirik, sepse kështu sllavët do mund të përligjin grabitjen e territoreve mbi popullsinë vendase. U la qëllimisht në hijen e harresës antikiteti ynë i lavdishëm dhe u hesht për dokumentimin historik të Luftrave Iliro – Romake dhe të perandorëve ilirë të Romës. Ajo që sot quhet jurispudenca europiane mbështetet e gjitha mbi të drejtën romake që e implementoi Perandori ilir Justiniani e që në bazë të saj kishte të drejtën ilire. Asnjë bust prej balte nuk gjendet kund në atdheun tonë për Perandorin Justinian e jo më dhe për 40 perandorët e tjerë ilirë të Romës. Betonohen zbulimet arkeologjike, shpallen si greke qytetet ilire dhe fshihet historia e antikitetit e shqiptarëve.
Fazës së dytë të albanologjisë iu desh një personalitet në trajtën e një idhulli dhe kështu ndërtuan figurën e Çabejit si një “autoritet botëror” në albanologji dhe ky u përdor deri në imtësi për të shkombëtarizuar fjalë për fjalë gjuhën shqipe dhe për t’ia deklamuar botës si gjuhën me më pa identitet në gjithë rruzullin. Etimologjia e tij është e pa mbështetur mbi parime shkencore dhe karakteri i saj është thellësisht antishqiptar dhe dyshohet se ajo mund të jetë e përgatitur nga katedra e gjuhës shqipe në Beograd dhe iu servir Çabejit për ta firmosur si vepër të tij. Veprës etimologjike, që mban autorësinë e Çabejit, i mungon krejtësisht oponenca shkencore zyrtare dhe ai u pranua apriori si shkencëtar i madh.
Ngrehina sllave e albanologjisë zyrtare e Tiranës ka për kollonë qëndrore në mes të saj autoritetin fals të Çabejit. Tundja e Çabejit e rrëzon gjithë ngrehinën antishqiptare të “albanologjisë”, ndaj ruajtja e “autoritetit shkencor” të Çabejit është me rëndësi të madhe për interesat serbo-sllave. Porse asnjë akademik gjuhe nuk është në gjendje të mbrojë shkencërisht veprën etimologjike të Çabejit, ndaj në pamundësi për ta mbrojtur atë, dalin nëpër median e shkruar dhe shajnë “tufën e të paditurve” që po rrëzoka Çabejin. Dihet se, sikur edhe një miliard të paditur të ngrihen e të rrëzojnë një parim shkencor të një shkencëtari, nuk do munden kurrë ta rrëzojnë nëse dikush nuk ka një argument logjik të ndryshëm. Tufa e “të diturve” si prof. Rami Memushaj, Xhevat Lloshi, Teuta Toska e të tjera laraska të ballsamosura të albanologjisë zyrtare të Tiranës, nuk do munden kurrë ta rrëzojnë “tufën e të paditurve” me në krye Agron Dalipajn. Sharjet banale (liliput, të marrë, të krisur e budallenj) të një profesori si Rami Memushaj vetëm sa tregojnë krizën e tij argumentuese. Frika nga tufa e “të paditurve”, që po rrëzojnë Çabejin (sipas Memushajt) është në thelb frika nga ballafaqimi me të vërtetën.
Përsa prof. Rami Memushaj më përmend me emër në artikullin e tij, duke më cilësuar si liliput, të krisur, të marrë, budalla e agronom, ia bëj me dije se jam diplomuar për gjuhësi dhe kam dhënë provim edhe tekste të hartuara prej tij.
Mjaftohem t’i rikujtoj profesor Memushajt se në librin e tij “hyrje në gjuhësi”, ai shkruan: “ende nuk ka një përkufizim shkencor se çka është fjala, sepse ende nuk njihet se si është krijuar ajo”. Me këtë deklarim, prof Memushaj pranon se shkenca e gjuhësisë së sotme nuk njeh fjalën dhe duke qenë se fjala është objekti i shkencës së gjuhësisë, ky profesor ka pranuar se shkenca gjuhësore nuk njeh objektin e saj shkencor, fjalën!! Paskëtaj, hajde e beso tek çdo “shkencë gjuhësore” që ka bërë dhe ka lektruar Profesor Ramiu…
Çabeji tashmë është një kufomë e dekompozuar sllave në mes të albanologjisë së Tiranës nga ku dolën larvat e tjera sllave me tituj shkencorë që sot dalin e thonë se “gjuha shqipe u krijua në shek e VI, pas ardhjes së sllavëve në trojet tona”. Kundërshtimi i artikullit shkencor të revistës presigjioze “science”, që e konfirmon shqipen si gjuhë të folur 6000 vjet pandërprerje, u bë pikërisht prej prof. Rami Memushajt dhe me asnjë argument shkencor!! Dikujt iu desh që artikulli i “science” të kundërshtohej prej një akademiku shqiptar dhe kjo u bë prej Prof. R. Memushajt, i cili me deklaratën e tij se “shqipja është 1500 vjet e vjetër e jo 6000”, vetëm sa rikonfirmoi tezën sllave. Stoicizmi i Memushajt dhe i gjithë albanologjisë zyrtare të Tiranës për të mos u cënuar tezat sllave, tregon se kjo lloj albanologjie që në gjenezë ka funksionuar si antialbanologji.
Prof. Memushaj as ia ka idenë etimologjisë, sepse ai është vetëm një korrektor perfekt i gjuhës standarte dhe fillorojtës i saj. I vetmi problem i Ramiut e i raminjve është se kufomës albanologjike të Çabejit nuk i ka mbetur gjë si ushqim as për raminjtë e as për minjtë e tjerë të ASh. Prof Memushaj në lidhje me Çabejin po ngjan si “Vullnetarët e Enverit” që donin të ringrinin përmendoren e tij në Sheshin Skënderbej…
Etiketimi si budallenj, liliputë, të krisur e të marrë i studjuesve seriozë që e provojnë shkencërisht shqipen si “PRIMA LINGUA”, shërben vetëm si justifikim i “të diturve” të linjës sllave në albanologji, për mos t’u përballur shkencërisht me ta.
Faza e tretë në albanologji, si rimëshirim i ideve të fazës së parë të rilindasve, ka filluar me studimet e Petro Zhejit dhe do përmbyllet nga inteligjenca artificiale.
Ideologjia sllave e shfaqur si albanologjia e Tiranës zyrtare po vdes pas çdo konfirmimi shkencor se shqipja është gjuha më e vjetër e familjes së saj. Teoria e embriomorfemave është e vetmja shkencë e vërtetë gjuhësore etimologjike që provon se shqipja ka qenë gjuha e përbotshme e paraantikitetit të njohur dhe se prej saj rrjedhin gjithë gjuhët e tjera të familjes së vet gjuhësore. Kjo teori njeh parime shkencore etimologjike të pakundërshtueshmedhe ka ngjallur frikën e dështimit të sigurt në mbështetësit e pseudoalbanologut Çabej.
Paaftësia shkencore e akademikëve të gjuhës për t’u përballur në mejdanin e shkencës, i bën ata të heshtin, ose të shajnë.
Një “albanologji” sllaviste po vdes dhe albanologjia e vërtetë ka lindur e po rritet me shpejtësi.
Rroftë gjuha shqipe në jetë të jetëve dhe armiqtë e saj i mbuloftë turpi!