Site icon Gazeta Nacional Albania

Agron Dalipaj : Pse metoda e krahasimit nuk është teori dhe pse embriomorfematika është e vetmja teori shkencore e etimologjisë?!

Agron Dalipaj

Pse metoda e krahasimit nuk është teori dhe pse embriomorfematika është e vetmja teori shkencore e etimologjisë.

Në fushën e gjuhësisë historike, për më shumë se një shekull, metoda e krahasimit ka sunduar si mënyra “zyrtare” e studimit të prejardhjes së fjalëve. Ajo mbështetet në një supozim të thjeshtë: se përmes ngjashmërive fonetike ndërmjet gjuhëve të afërta, mund të gjurmojmë origjinën e fjalëve dhe të rindërtojmë format më të vjetra të tyre. Por sot, është e nevojshme të ngrihet pyetja themelore: a është kjo metodë një teori shkencore në kuptimin e vërtetë të fjalës?

1. Pse metoda krahasuese nuk është teori shkencore?
Për të merituar statusin e një teorie shkencore, një metodë duhet të jetë:
a. e testueshme
b. e aftë për të dhënë rezultate të reja, të pavarura nga subjektiviteti i studiuesit.
c. me koherencë të brendshme dhe fuqi shpjeguese superiore ndaj metodave të tjera.

Metoda e krahasimit nuk përmbush asnjërën prej këtyre kritereve. Ajo prodhon rezultate të ndryshme sipas vendit, qëllimit dhe autorit. Mjafton të përmendim rastin absurd, ku: Eqrem Çabej pohon se fjalët kukurec dhe llucë në shqipe vijnë nga greqishtja kokoreci dhe louca, ndërsa gjuhëtari grek Babinjiotis pohon të kundërtën: që kokoreci e louca e greqishtes vijnë nga shqipja kukurec dhe llucë.
Të dy përdorin të njëjtën metodë krahasimi, por arrijnë përfundime të kundërta. Kjo do të ishte e papranueshme në çdo disiplinë tjetër shkencore.
Në mungesë të një kriteri kuptimor, në mungesë të një mekanizmi të brendshëm krijues të fjalës, kjo metodë mbetet një teknikë disi efektive, por jo teori.

2. Embriomorfematika: e vetmja teori shkencore e etimologjisë.

Përballë kësaj mjegullnaje metodologjike, qëndron embriomorfematika: një teori që zbërthen fjalët në njësi minimale me kuptim dhe funksion (embriomorfema), duke shpjeguar se:
a. Gjuha emërton realitetin përmes funksionit të tij ose përmes karakteristikës që ai shfaq në perceptimin mitik të njeriut.
b. Çdo fjalë përbëhet nga një ekuacion embriomorfemash, që përmbledh veprimin, karakterin dhe ndjesinë që njeriu merr nga realia.
Kjo teori jep mbi 5000 etimologji të dokumentuara dhe është testuar me sukses në inteligjencën artificiale. Ka ndërtuar neologjizma të funksionit të brendshëm, si paluec (shkallë elektrike = “pa-lu-ec” = ajo që ecën pa u lëvizur vetë) etj. Zbulon strukturën universale të krijimit të fjalëve në të gjitha gjuhët indoeuropiane.
Ajo, metoda e embriomorfemave është e vetmja që zbulon mekanizmin logjik të krijimit të fjalëve, dhe për rrjedhojë e vetmja që mund të quhet teori shkencore në fushën e etimologjisë.
Është koha që komuniteti gjuhësor, studiuesit e pavarur dhe opinionbërësit intelektualë të dalin nga hipnoza e krahasimeve fonetike dhe të përqafojnë një teori të testueshme, zbuluese dhe rezultative. Shkenca nuk është çështje prestigji institucional. Është çështje prove. Dhe prova është tashmë këtu.
Agron Dalipaj
Autor i teorisë së embriomorfemave
Krijues i fjalorëve që zbulojnë strukturën funksionale të gjuhëve indoeuropiane.

(portreti i realizuar nga Mjeshtëri i Madh Buron Kaceli )

Exit mobile version