Rikthehet cikli i seminareve mbi projektet arkivuese në lëmin kulturor shqiptar dhe praktikat arkivore në institucionet artistike shqiptare gjatë tridhjetë viteve të fundit. Ky cikël mbi marrëdhëniet mes arkivit, artit post-socialist dhe kulturës bashkëkohore organizohet nga Departamenti i Studimit të Artit në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA).
Të ftuarit e parë për vitin 2023 janë Vincent W.J. van Gerven Oei dhe Ylber Marku, të cilët do të flasin mbi projektin e tyre të përbashkët “Arkitektura komuniste shqiptaro-kineze”, realizuar në bashkëpunim me fotografin Marco Mazzi më 2015. Arkivi fotografik i këtij projekti, i cili konsiston në më shumë se katër mijë imazhe digjitale, është pjesë e fondit të Qendrës së Dokumentacionit Artistik që prej vitit 2021.
Më poshtë gjeni një përshkrim të shkurtër të projektit “Arkitektura komuniste shqiptaro-kineze”:
Përgjatë viteve 1960 e deri në prishjen e aleancës me Kinën më 1978, Shqipëria ishte fortesa e vetme e maoizmit në Evropë dhe vëllazëria shqiptaro-kineze kremtohej në të dyja vendet me
parulla, ekspozita dhe shkëmbime kulturore. Kinemaja shqiptare ishte gjerësisht e njohur në Kinë, duke qenë e vetmja filmografi e huaj që u lejua të shfaqej gjatë Revolucionit Kulturor
Kinez. Megjithatë, për Shqipërinë, aleanca me Kinën pati një rëndësi akoma më të madhe ekonomike. Burimet e konsiderueshme që Kina vuri në dispozicion të shtetit shqiptar mbështetën dhe nxitën përpjekjet e tij për industrializim, nëpërmjet realizimit të projekteve të shumta industriale dhe infrastrukturore. Kjo bëri që industria të shndërrohej në mishërimin e zhvillimit
socialist si dhe në një mjet të rëndësishëm mobilizimi social. Zhvillimi industrial u shndërrua, gjithashtu, në një ndër stimujt kryesorë të zhvillimit urban në Shqipëri. Ndërtimi i qyteteve të reja përreth projekteve industriale kontribuoi në arritjen e qëllimit politik të transformimit të një vendi kryesisht rural në një shoqëri urbane të klasës punëtore.
Megjithatë, pas ndarjes shqiptaro-kineze dhe largimit të ekspertëve kinezë më 1978, shumë projekte mbetën të papërfunduara. Fundi i sistemit komunist solli ndryshime rrënjësore që çuan
në shpërbërjen përfundimtare të të gjitha projekteve industriale të ndërtuara sipas planifikimit qendror. Rrjedhimisht, edhe zonat urbane që ishin ngritur përreth këtyre projekteve pësuan ndryshime të thella që shpesh çuan në shpopullimin e tyre ose zbrazjen nga banorët vendas. Sot, rrënojat e këtyre enteve industriale përbëjnë një dëshmi të atij që dikur ishte progresi socialist.
Qëllimi i projektit “Arkitektura komuniste shqiptaro-kineze” ishte krijimi i një arkivi digjital të kësaj trashëgimie.