-Kadareja dhe zhurma e spektaklit, kur reality shoë kërkon të gjykojë gjeniun
-Provokimi sjell klikime, vepra sjell pavdekësi, por Kadareja nuk matet me audiencën e një reality shoë.
-. Veprat e tij nuk janë thjesht romane, por univers artistik ku historia, miti, filozofia dhe drama njerëzore marrin dimension universal.
– Ndaj të sulmosh Kadarenë për të fituar protagonizëm televiziv është njësoj si të përpiqesh të krijosh zhurmë përballë një mali që qëndron i palëvizshëm në kohë.
Albert Z. ZHOLI
Gjatë një sfide në “Ferma VIP”, të titulluar “Përgjigju ose pije”, Mimoza Ahmeti u përball me pyetjen se cili prej kolegëve të saj, sipas saj, është i mbivlerësuar. Pa hezitim, ajo përmendi shkrimtarin Ismail Kadare, duke deklaruar: “Mendoj se nuk e meriton suksesin që ka”. Jam habitur sinqerisht nga deklarata e Mimoza Ahmeti ndaj Ismail Kadare. Nuk do ta besoja kurrë se një poete, një njeri i letrave, do të ngrihej me aq lehtësi kundër një miti të gjallë të kulturës shqiptare, madje me fjalë aspak elegante për një gjeni të letërsisë sonë. Kritika letrare është e nevojshme dhe çdo autor mund të debatohet, por kur gjithçka thuhet në një reality show, mes logjikës së spektaklit dhe etjes për vëmendje, atëherë debati humbet seriozitetin dhe kthehet në zhurmë mediatike. Sepse Ismail Kadare nuk është thjesht një shkrimtar. Ai është figura që e bëri Shqipërinë të njihej në Francë, në Europë dhe në botë përmes letërsisë. Veprat e tij nuk janë thjesht romane, por univers artistik ku historia, miti, filozofia dhe drama njerëzore marrin dimension universal. Ndaj të sulmosh Kadarenë për të fituar protagonizëm televiziv është njësoj si të përpiqesh të krijosh zhurmë përballë një mali që qëndron i palëvizshëm në kohë.
Deklarata dhe e vërteta
Deklarata e bërë nga Mimoza Ahmeti në spektaklin televiziv Ferma VIP nuk ishte thjesht një opinion letrar. Ajo ishte një provokim i llogaritur për të tërhequr vëmendje, për të krijuar debat dhe për të prodhuar protagonizëm mediatik. Në kohën e rrjeteve sociale dhe të reality show-ve, fama shpesh fitohet më shpejt nga skandali sesa nga libri. Sulmi ndaj një figure si Ismail Kadare garanton menjëherë klikime, komente, debate dhe tituj portalesh. Por problemi është se letërsia nuk është “Ferma VIP”. Letërsia nuk është arenë britmash, gjestesh teatrale apo provokimesh të momentit. Letërsia matet me kohën, me ndikimin kulturor dhe me aftësinë për të mbijetuar përtej epokave. Të thuash se Kadare “nuk e meriton suksesin që ka” mund të prodhojë efekt televiziv, por nuk mund të zhbëjë një histori letrare që tashmë është pjesë e kulturës europiane. Për dekada me radhë, Ismail Kadare ka qenë emri që e nxori letërsinë shqipe nga izolimi dhe e vendosi në hartën botërore të kulturës. Në Francë dhe në shumë vende të botës, Shqipëria identifikohet me Kadarenë, duam apo nuk duam ne. Për lexuesin europian, emri i Shqipërisë shpesh lidhet fillimisht me autorin e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, me universin e tij ballkanik, me mitet, dramat dhe filozofinë, që ai ndërtoi në veprat e tij.
Kjo nuk është rastësi.
Kadareja nuk u bë i njohur nga marketingu apo nga spektakli televiziv. Ai u bë i njohur sepse krijoi një letërsi me karakter sa unik aq edhe universal. Aftësia për t’u dhënë krijimeve të tij një dimension që tejkalon kufijtë shqiptarë është një nga vlerat më të mëdha të artit kadarean. Veprat e tij nuk flasin vetëm për Shqipërinë. Ato flasin për pushtetin, frikën, diktaturën, tradhtinë, kujtesën historike dhe fatin e njeriut në përballje me sistemet shtypëse. Në këtë kuptim, letërsia e Kadaresë nuk mbetet e burgosur në kohën kur janë vendosur ngjarjet. Ajo transformohet në një kohë universale, të largët dhe njëkohësisht të përhershme. Kadareja ka aftësinë që përmes historive shqiptare të sugjerojë të vërteta universale. Në veprën e tij filtrohet një koncentrat filozofik dhe historik që vazhdon të diskutohet edhe sot. Ai përdor mitin, historinë dhe folklorin jo si zbukurim estetik, por si instrument për të kuptuar natyrën njerëzore dhe tragjeditë kolektive. Në romanet e tij ka elemente nga mitologjia greke, iliro-shqiptare, biblike, pagane dhe ballkanike, por gjithmonë të përpunuara në mënyrë origjinale. Kjo e bëri të kuptueshëm dhe të pranueshëm në kulturat europiane.
Pikërisht këtu qëndron diferenca mes letërsisë së madhe dhe zhurmës mediatike.
Një deklaratë në një reality show mund të zgjasë disa ditë në rrjetet sociale. Një vepër letrare e madhe jeton për dekada. Sot, shumë nga debatet televizive harrohen pas një sezoni, ndërsa romanet e Ismail Kadare vazhdojnë të botohen, të studiohen dhe të përkthehen. Problemi nuk është se Mimoza Ahmeti ka shprehur kritikë. Kritika është pjesë normale e jetës letrare. Problemi është mënyra dhe konteksti ku kjo bëhet. Kur letërsia futet në logjikën e reality show-t, gjithçka reduktohet në spektakël. Sa më i fortë provokimi, aq më e madhe audienca. Dhe këtu nis degradimi kulturor: krijohet ideja se një fjali provokuese ka të njëjtën peshë me një jetë të tërë krijimtarie. Për rreth 45 ditë, publikut shqiptar i është krijuar ndjesia se çdo gjest i Mimoza Ahmeti në ekran është i lejueshëm dhe i mbrojtur. Çdo shpërthim emocional, çdo sjellje ekstravagante apo çdo sulm verbal trajtohet si “lojë”, si “karakter”, si “autenticitet artistik”. Kjo nuk duket më spontane. Duket si një strategji e ushqyer nga produksioni, opinionistët dhe moderimi selektiv. Në momentin kur një konkurrent trajtohet si i paprekshëm, loja humbet besueshmërinë.
Njohjet me Kadarenë
Kam pasur fatin ta takoj disa herë Ismail Kadare dhe të realizoj intervista me të. Për mua ai mbetet një gjeni i letërsisë shqipe. Madje ruaj edhe një vlerësim të tij për librin tim të parë “Ikja e Madhe”. Por edhe pa këtë përvojë personale, pesha e Kadaresë nuk ka nevojë për mbrojtje emocionale. E mbron vetë vepra e tij. E mbron fakti që ai mbetet autori shqiptar më i lexuar, më i përkthyer dhe më i njohur në botë. Sepse letërsia nuk fitohet në studio televizive. Nuk fitohet me virale, me klikime apo me provokime të momentit. Letërsia fitohet duke mbetur në kohë. Dhe koha, deri tani, ka folur qartë për Ismail Kadare.
Som
Për rreth 45 ditë, publikut shqiptar i është krijuar ndjesia se çdo gjest i Mimoza Ahmeti në ekran është i lejueshëm dhe i mbrojtur. Çdo shpërthim emocional, çdo sjellje ekstravagante apo çdo sulm verbal trajtohet si “lojë”, si “karakter”, si “autenticitet artistik”.

