Studiuesi dhe filantropi Tonin Alia boton monografinë për mbledhësin e famshëm të Kanunit të Lekë Dukagjinit
Nëpërmjet këtij libri autori sjell pemën gjeneologjike te e familjes së Gjeçovit, që përfshin vitet 1700-1989.”
Nga dr. Rovena VATA
Broshura me titull: “Aliajt e Kryeziut (Pukë) – Paraardhës të Gjeçovit, me autor Tonin Alia, na jep të dhëna mbi gjenealogjinë e At Shtjefën Gjeçovit. Puna e bërë nga Tonin Alia, për sjelljen në dritë të kësaj broshure, është një punë e bërë më shumë përkushtim dhe përgjegjësi nga ana e tij, megjithëse ashtu siç e thotë vetë, ka vend për përmirësime dhe plotësime të mëtejshme, që të cilën ai ia lë në dorë pasardhësve të kësaj familje si dhe studiuesve të fushës.
Nëpërmjet kësaj broshure na jepet pema e familjes së Gjeçovit, që përfshin vitet me afërsi 1700-1989. Kjo pemë e familjes nuk është e plotë, pra ka mungesa, shprehet Alia-por që hap një shteg të ri për hulumtime dhe studime rreth kësaj çështje.
Në këtë broshurë autori jo pa qëllim paraqet edhe ekspeditat e tij në terren, përmes fotove të ilustruara, ku na jepet informacion, si fillim për:
-Fshatin Kryezi në afërsi të Pukës;
-Kishën dhe Kodrën e Gegës në Kryezi;
-Gurët e shtëpisë së familjes së Gjeçovit në Kryezi. Sot shtëpia e Hil Ndue Kolës, sqaron autori.
-Kodrën e Gegës;
-Shkolla “At Shtjefën Gjeçovi Kryeziu” në Kryezi;
-Bustin dhe foto nga muzeu i shkollës “At Shtjefën Gjeçovi Kryeziu” në Kryezi.
Gjithashtu autori në këtë broshurë na paraqet nëpërmjet fotove edhe, Janjeva-vendlindjen e Gjeçovit, Kishën e Shën Nikollës në Janjevë, ku u pagëzuar Gjeçovi, shtëpinë e lindjes së Gjeçovit, Muranën në Shëngjergj, afër Zymit, ku është varrosur Gjeçovi, kullat e Alijave Kryezi të Pukës, shkollën në Janjevë, ku filloi shkollimin At Shtjefën Gjeçovi, foto nga Kuvendi Françeskan në Fojnicë, ku më 15 gusht 1888, ku Gjeçovi hyri pikërisht në këtë kuvend. Foto nga vendlindja e Gjeçovit, ku shkoi në Troshan dhe aty i vijoi mësimet e tij, pasi kaloi vitin e provës në Fojnicë, i vijoi mësimet liceale e filozofike në kuvendin Françeskan të Plehanit afër Derventës 1893, foto nga kuvendi Françeskan i Kreshevës, ku Gjeçovi kreu studimet teologjike, foto nga kuvendi Françeskan të Shën Pjetrit e Shën Palit në Livno, ku herë pas herë Gjeçovi ndoqi mësimet teologjike, foto nga kuvendi Françeskan në Banja Lluke, ku në vitin 1893 ishte në këtë kuvend, ku herë pas here shkon në Kreshevë për të ndjekur mësimet e Talotcit.
Kjo broshurë është e kompletuar me foto nga vendet në të cilat shërbeu Gjeçovi, si: Troshan, ku u shugurua Gjeçovi, në 25 korrik 1896, Rrbig-Rubik (Malësia e Lezhës në vitet 1896-1897), Pejë vitet 1897-1899, Zllakuqan vitet 1897-1899, Gllogjan të Pejës në vitet 1897-1899, Lac Sabaste (Kurbin) në vitet 1899-1905, roshan në vitet 1905-1906, Kisha e Shën Loretos në Borgo Erizzo-Zarë (Dalmaci-Kroaci) në vitin 1906, Shkodër në vitet 1906-1907, Gomsiqë (Mirditë) në vitet 1907-1915, Sapë në vitet 1915-1916, Troshan në vitet 1915-1916, Theth në vitet 1916-1917, Prekal në vitet 1917-1918, Rubik në vitet 1919-1920, Pejë në vitet 1919-1920, Troshan në vitet 1919-1920, Vlorë në vitet 1920-1912, Vlorë në vitet 1920-1921, Rubik në vitet 1920-1921. Foto nga një zyrë në Zym të Hasit (Kosovë) në vitet 1928-1929, foto nga liqeni i Zymit, që dikur quhej Likeni i Hasit. Foto nga Zymi, foton e monumentit të At Shtjefën Gjeçovit të realizuar nga Sadik Spahija etj.
Autori paraqet një foto të burrave të familjes Alia sot, si dhe një foto, ku janë paraqitur ata persona, që e kanë ndihmuar autorin për të mbledhur fakte për realizuar botimin e kësaj broshure.
Një pjesë e mirë e materialeve të paraqitura në këtë broshurë, kanë ardhur si rezultat i ngjarjeve dhe historive të kujtesës familjare, e në veçanti e gjyshit të Tonin Alisë, ndërsa pjesa tjetër janë mbledhur nga hulumtime të ndryshme, që janë bërë në terren apo përmes, intervistave me personazhe të cilët kanë dëgjuar për paraardhësit e Gjeçovit, personazhe këta, të cilët kanë jetuar në kohën, kur ka jetuar edhe At Shtjefën Gjeçovi.
Analiza e Tonin Alisë për pemën gjenealogjike e Gjeçi (Alia) Gjeçovit, ndahet në dy linja:
1-Linja e parë dhe themelore se ata kanë ardhur në Kryezi dhe janë në Kryezi.
2- Linja e dytë është e françeskanit të nderuar, mbase ata kanë dalë nga Kryeziu.
Ai më tej bën këtë shtjellim:
Sipas linjës së parë do ishte: Tonin Dedë Ndue Dodë Ali Mark Demë Ali (Mar ose Mark) Gjeçi. Ndërsa linja e dytë do kishte këtë trajektore: Mëhill ose Hilë apo Shtjefën (këtë emër e merr sipas rendit kur shugurohet meshtar), Matë (po ashtu kur është shuguruar nga përcaktimi i vet e jo i rendit meshtarak e ndërron edhe emrin e të atit nga Matë në Konstandinit të Madh) Pjetër Prend Gjeçi.
Prejardhja e At Shtjefën Gjeçovi është nga Malësitë e Pukës, gjë të cilën e pohon edhe studiuesi Ruzhdi Mata, kur shprehet që:
“Në Janjevë, prindërit e Gjeçovit, gjyshi apo ndoshta stërgjyshi, kishin ardhur prej shumë vitesh më parë. Ata u detyruan të largohen nga malësitë e Pukës, për të siguruar kushte më të mira jetese”.
Po kështu studiuesi Mata na paraqet edhe ndryshimin e mbiemrit të familjes së Gjeçovit nga Kryeziu në Gjeçi.
Për këtë që sapo përmendem studiuesi Mata, shprehet se:
“Për një kohë të gjatë ata ruajtën mbiemrin “Kryeziu”, për të treguar të merrnin si mbiemër emrin e të parit të familjes apo të fisit të tyre “Gjeçi”.
Emri “Kryezi” i mbeti katundit prej emrit të të birit të kolonjarit, vendosur me banim në Kryezi, sepse ky kishte qenë tepër i hidhët. Më bjen në mend, shkruan Gjeçovi, kur isha fëmijë në shpi e kur ndonjë (prej) nesh ishte i hidhët e kryeneç, plaku Pepe (Petar) Gjeçovi, iu gërmushte tuj thanë: “Ah kryezi, bre!”.
Si për ta përforcuar fjalët e thënë nga studiuesi Mata, gjatë prezantimit të tij në kolegjin e Troshanit, 1884, vetë Gjeçovi bën këtë prezantim:
“Janjeva ishte një nga fshatrat më periferike të Kosovës, ku takohej popullsia shqiptare me elementin sllav, gjë që ka kushtëzuar transformimin e mbiemrit nga Gjeçi në Gjeçov, emrin e plakut nga Pjetër në Petar ose nga Pepe në Petar (shpengimi ynë). Në këtë mjedis shqiptar do të rritej ai fëmijë, që u lindi Gjeçjve, me 12 korrik 1874, të cilin e pagëzuan me emrin Mëhill, por që shkurt e thërrisnin Hilë”.
Po citojmë edhe pak, nga prezantimi në kolegjin e Troshanit, në vitin 1884:
“Si të quajnë?
Hile.
Hile kush?
Hile Gjeçi.
Nga je?
Nga Janjeva e Kosovës.
Si ta quajnë babën?
Matë, Matë Gjeçi. Ai më ka thënë se të parët tanë janë nga Kryeziu i rrethit të Pukës. Gjeçi e kanë pasë quajt të parin e fisit tonë”.
Më pas autori i kësaj broshure, thekson se:
Familja jonë është vendosur në Kryezi rreth vitit 1700. Është e ardhur nga Shala e Dukagjinit. Ka ardhur në Kryezi për shkaqe ekonomike. Fillimisht është vendosur në vendin e quajtur “Kodra e Gegës” – sipas studiuesit Jaho Brahaj., ku sot është varreza, në të cilën prehen të parët tanë – shton autori.
Prej aty është zhvendosur, për arsye të një emigrimi të dytë, drejt Gjakovës, ku, pas rikthimit, është vendosur në lagjen Gegaj në kryezi, aty ku edhe sot janë dy gurë të mëdhenj, nga ata të themeleve të shtëpisë tonë, e më vonë në lagjen Lajthizë, ku jemi edhe sot.
Autori shprehet se pjesërisht është i informuar për këtë çështje dhe e ka më shumë si dëshmi gojore të treguar nga gjyshi i tij, Ndue Dodë Alia, i cili në vitin 1996 është falënderuar e i është dhënë “Bekimi Apostolik” nga Papa Gjon Pali II.
Ndarja e familjes sonë me paraardhësit e drejtpërdrejtë të Gjeçovit, si bark, ka ndodhur te vëllezërit Dema dhe Prendi, që ishin nipat e Gjeçit, d.m.th. djemtë e djalit të Gjeçit, i vendosur në “Kodrën e Gegës” apo “Guri i Gegës”-shton ndër të tjera Tonin Alia.
Në fund-autori do shtonte edhe një të dhënë tjetër për studiuesit-që në Kryezi nuk ka tjetër familje, që mban apo trashëgon mbiemrin Gjeçi.
Si përfundim mund të themi se puna e bërë nga Tonin Alia dhe miqtë e tij, të cilët e kanë ndihmuar, në mbledhjen e këtyre të dhënave është jo vetëm me interes, por është një syth, që mund të përdoret si pikë reference, për studimet e ardhshme./ Dritare.net