Gazeta Nacional Albania

Alma Lamçja: STRUKTURA NË VEPRAT DRAMATIKE TË HAXHIADEMIT, STUDIM

Për strukturën e një vepre letrare kanë folur autorë të ndryshëm, por R. Velek dhe O. Voren e përcaktojnë në mënyrë të tillë këtë çështje: Struktura është një koncept që përfshin edhe përmbajtjen, edhe formën, për aq sa ato janë të organizuara për qëllime estetike . Pra, mendimi i sotëm teorik e konsideron veprën letrare të pandashme, si një tërësi unike, si realizim i një përmbajtjeje të caktuar në një formë të caktuar. Autori Gani Luboteni jep një mendim të tillë për veprën letrare: “Vepra letrare asht njitanësi e pandashme, e cila përbahet nga përmbajtja, forma dhe mjetet ”
Pra, vepra letrare paraqet një tërësi të pandashme të përbërë prej dy bërësve kryesorë që janë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin e këto janë: forma dhe përmbajtja. Ndërkaq struktura e veprës letrare ka të bëjë me përbërjen e asaj vepre (nga lat. structura – ndërtim, formim 1. Mënyra si janë vendosur dhe si janë lidhur pjesët përbërëse të diçkaje; ndërtimi i brendshëm, përbërja ). Do të thotë se çdo vepër letrare në përbërjen e saj ka përmbajtjen dhe formën, të cilat janë njësitë themelore të veprës letrare.
Duke u nisur nga këto përcaktime teorike, do të mundohemi t’i qasemi veprave të Etëhem Haxhiademit, dramaturgjia e të cilit zë vend mirë në sistemin e vlerave letrare, e përforcon strukturën e këtij sistemi dhe, dashje pa dashje bëhet pjesë përbërëse e tij. Tragjeditë e tij dalin si formë e re letrare në letërsinë shqipe.
Gjatë leximit vërejmë se autori i përmbahet tri uniteteve të tragjedisë: unitetit të veprimit, të vendit dhe të kohës. Gjithashtu vërejmë se në të gjitha tragjeditë e tij autori përdor një gjuhë të thjeshtë, të qartë dhe një logjikë të rrjedhshme në veprim. Ngjarjet vijnë njëra pas tjetrës, në mënyrë aq të lehtë sa është e habitshme se si mund të duken aq bukur fjalët të thëna në atë mënyrë, ndërsa veprimet e personazheve duken mjaftë natyrale në kontekstin e fjalëve që përdoren në të folurën e tyre. Pra, edhe pse mund të duken mekanike për shkak të vëmendjes që autori i kushton ndërtimit të tragjedive, çdo gjë duket e natyrshme dhe e pakomplikuar.

Për tragjedinë dhe tragjeditë e Haxhiademit
Në letërsinë klasike tragjeditë njihen si krijimet letrare më të rëndësishme që iu nënshtrohen disa rregullave të posaçme, të cilat janë gjithmonë të sakta dhe të prera. Në periudhën e klasicizmit francez tragjedia ka pasur një zhvillim të veçantë, ku veprat e antikës ishin modelet e preferuara, mirëpo në teprinë e tragjedisë e klasicizmit qenë caktuar rregulla të ngushta, skematike, të cilat në shumë drejtime e ngushtojnë hapësirën krijuese, e bëjnë zhanrin të dalë kundër shijes së re të publikut . Tragjedia, sipas rregullave, duhej të shkruhej në vargje, me stil të lartë, në pesë akte dhe të respektonte tri unitetet e tragjedisë: unitetin e veprimit, të vendit dhe të kohës. Autorët më të famshëm klasikë që iu janë përmbajtur këtyre rregullave dhe stilit të veçantë të shkrimit të tyre, janë: Pjer Kornei (PerreCorneille) dhe Zhan Rasini (JeanRacine).
Edhe pse interesimi i autorëve dhe i publikut më vonë do të orientohej nga lloji i ri, drama, përsëri, sot e kësaj dite për veprat e shkruara me elegancë, me stil të veçantë dhe me një gjuhë të thjeshtë, cilësohen dhe vlerësohen si vepra të stilit klasik.
Etëhem Haxhiademi është dramatisti i parë i madh shqiptar që ndërton strukturën e konvencën e dramës neoklasiciste në shqip, me harmoni të brendshme, gati me baraspeshë matematike . Haxhiademi në veprat e tij iu ka përmbajtur rregullit të tragjedisë klasike. Të gjitha tragjeditë e tij ruajnë trajtën me pesë akte të kultivua,r veçanërisht te klasicizmi frëng. Ai e ruan me fanatizëm këtë formë letrare, saqë shpeshherë të duket i tepruar ky insistim i tij, sepse veprat duken skematike dhe me zgjidhje që i ngjajnë njëra-tjetrës. Të gjitha aktet dhe skenat kanë një harmoni dhe një simetri klasiciste, me një gjatësi deri diku të barabartë.
Ashtu sikurse klasikët e mëdhenj edhe Haxhiademit subjektet e tragjedive të veta i mori nga letërsia antike greke, duke marrë heronjtë e Iliadës dhe Odisesë të Homerit (Ulisi dhe Akili), nga rrënjët e historisë së shqiptarëve të kohës së vjetër (Aleksandri e Pirro); nga historia jonë kombëtare me heroin më të njohur (Skënderbeu) dhe nga trashëgimia biblike (Abeli).
Vlen të përmendet se në të gjitha tragjeditë e tij autori përdor një gjuhë të thjeshtë, të qartë dhe një logjikë të rrjedhshme në veprim. Ngjarjet vijnë njëra pas tjetrës në mënyrë aq të lehtë sa është e habitshme se si mund të duken aq bukur fjalët të thëna në atë mënyrë dhe veprimet e personazheve duken mjaft natyrale në kontekstin e fjalëve që përdoren në të folurën e tyre. Pra, edhe pse mund të duken mekanike për shkak të vëmendjes që autori i kushton ndërtimit të tragjedive, çdo gjë duket e natyrshme dhe e pakomplikuar.
Autori i përmbahet tri uniteteve të tragjedisë: unitetit të veprimit, të vendit dhe të kohës. Që në fillim të tragjedisë, përpara parathënies së tyre, autori shkruan: Tragjedi me pesë akte dhe paraqet personazhet dhe vendin e tragjedisë. Pastaj, në parathënie e shpjegon unitetin e veprimit dhe të kohës, tregon kur zhvillohet ngjarja dhe pse zhvillohet ajo.
Haxhiademi i thuri tekstet nën shembullin e tragjedive neoklasike, në struktura të matura në të gjitha planet. Ai pati udhërrëfyes estetikën e harmonisë totale, si kriter të vlere letrare/artistike.
Besoj se kemi të drejtë të themi se tragjeditë e Haxhiademit si formë letrare dalin së pari në letërsinë shqipe (d.m.th. është autori i parë shqiptar që shkruan këtë formë letrare), por modeli i tyre është më i hershëm te letërsitë e tjera botërore. Këto modele të tragjedisë në letërsitë e tjera janë të hershme (P.sh. në Francë, Spanjë, Angli në shekullin e XVII, ndërsa në Itali e Gjermani në shekullin e XVIII, ku krijohet tradita e shkrimtarëve klasikë).
Parë në këtë kontekst, mund të themi se tragjeditë e Haxhiademit janë disi jashtë kohës në të cilën u shfaqen (si me mënyrën e të shkruarit, ashtu edhe me tematikën e tyre), por rëndësia dhe vlera e tyre e veçantë qëndron në faktin se ato sollën dhe pasuruan letërsinë shqipe me një trajtë
dramatike të veçantë.

Struktura në tragjeditë e Haxhiademit
Në hyrje përmendëm se struktura është një koncept që përfshin edhe përmbajtjen, edhe formën e një vepre letrare, prandaj do të mundohemi t’i shtjellojmë dhe t’i paraqesim që të dyja këto pjesë në veprat e Haxhiademit.
Gjithashtu thamë se autori i përmbahet tri uniteteve të tragjedisë: unitetit të veprimit, të vendit dhe të kohës. Që në fillim të tragjedisë, përpara parathënies së tyre, autori shkruan: Tragjedi me pesë akte, paraqet personazhet dhe vendin e tragjedisë. Pastaj, në parathënie e shpjegon unitetin e veprimit dhe të kohës, tregon kur zhvillohet ngjarja dhe pse zhvillohet ajo.
Nëse fillojmë dhe e shqyrtojmë, p.sh. tragjedinë “Abeli”, në parathënie të saj autori fillimisht na tregon për personazhet që i ka marrë nga “Dhiata e vjetër”, shpjegon cilët janë ata dhe më pas ndër të tjera shkruan: “Me këtë pjesë, në të cilën lujnë njerzit ma të parë të botës, desha të ngas nji plagë shoqnore. Dashnija vëllaznore nuk rrjedh nga afërimi i gjakut, sikundër besojnë të gjithë, por, mbas pikëpamjes s’ime, nga edukata e prindërve.Vllaznit e motra nuk duhen përgjithësisht midis tyne, jo vetëm pse janë rritun tok qysh në vogëlni, por pse janë edukua prej prindëvet qi të duhen dhe t’i ndihmojnë njani tjetrit…” .
Pra, që në parathënie ai ia bën të qartë lexuesit se esenca e kësaj tragjedie nuk është të të njohë vetëm me personazhet e para biblike, por të jetë edukuese dhe moralizuese për brezat në vazhdim, për të zvogëluar këtë ‘dramë shoqërore’ që po i kanoset familjes shqiptare.

3.1 Ndërtimi skematik i tragjedive të Haxhiademit
Siç e përmendëm më lart, të gjitha tragjeditë janë me pesë akte, ku brenda të njëjtit akt ka tre skena (vetëm te “Skënderbeu” secili akt i ka pesë skena), të cilat janë mjaft të lidhura me njëra-tjetrën, duke mos qenë aspak të shkëputura.Gjithashtu, një normë tjetër e shkrimit dramatik të këtij autori është shkrimi në vargje, ku përsëri njëmbëdhjetërrokëshi bëhet normë më vete.
Për ta paraqitur me mirë normën që vendos autori në vargjet e tij, po i pasqyroj në mënyrë tabelare përmbajtjen e numrit të vargjeve sipas akteve dhe skenave në tragjeditë “Abeli” dhe “Skënderbeu”. (Kur i kam numëruar aktet dhe skenat në këto dy tragjedi, më ka fasionuar korrektësia e numrit të vargjeve ). Meqenëse të gjitha tragjeditë e tjera janë me tre akte, mendova të pasqyroj vetëm njërën (Abeli), ndërsa tjetra (Skënderbeu) është me pesë akte:

Tragjedia “Abeli”
Akti I Akti II Akti III Akti IV Akti V
Skenat Nr.rresht Skenat Nr.rresht Skenat Nr. rresht Skenat Nr.rresht Skenat Nr.rresht
I 150 I 150 I 150 I 150 I 100
II 100 II 100 II 80 II 50 II 100
III 100 III 100 III 71 III 50 III 50
Gjithsej: – 350 -350 – 301 -250 -250

Tragjedia “Skënderbeu”
Akti I Akti II Akti III Akti IV Akti V
Skenat Nr.rresht Skenat Nr.rresht Skenat Nr. rresht Skenat Nr.rresht Skenat Nr. rresht
I 100 I 100 I 100 I 100 I 100
II 50 II 100 II 100 II 50 II 50
III 100 III 100 III 150 III 100 III 70
IV 50 IV 50 IV 50 IV 50 IV 60
V 50 V 100 V 50 V 50 V 20
Gjithsej: – 350 -450 – 450 -350 -300

Kur i sheh me vëmendje këto dy tabela nuk ke nevojë të thuash asgjë, apo t’i komentosh, sepse vetë pasqyrimi i shifrave (numrave) të tregon saktësinë me të cilën ka ditur të shkruajë vetëm Haxhiademi.

3.2 Përmbajtja e tragjedive
Duke vazhduar sipas natyrës së tragjedisë klasike, Haxhiademi subjektet e tragjedive të veta i mori nga letërsia antike greke, duke marrë heronjtë e Iliadës dhe Odisesë të Homerit (Ulisi dhe Akili), nga rrënjët e historisë së shqiptarëve të kohës së vjetër (Aleksandri e Pirro); nga historia jonë kombëtare me heroin më të njohur (Skënderbeu) dhe nga trashëgimia biblike (Abeli).
Pra, sipas ‘formulës’ klasike, tragjedia e tij është e mbështetur te heronjtë e së kaluarës, të burimeve mitologjike greke, biblike dhe shqiptare.
Nëpërmjet përzgjedhjes së subjektit dhe personazheve në tragjeditë e tij Haxhiademi synoi të krijojë një ambient artistik i cili do të ishte i perceptueshëm për lexuesin, do të “kapej” lehtë nga ai dhe do t’i shërbente pozitivisht po këtij lexuesi. Përmes këtyre tragjedive, Haxhiademi kërkonte që lexuesi apo individi të bëhej më i përgjegjshëm për kombin, për shtetin, për të shkuarën, për të sotmen dhe të ardhmen, duke dëshiruar një marrëdhënie të mirë mes njerëzve të bazuar në virtyte, traditë dhe besim.
Duke na ofruar një nivel të lartë artistik me veprat e tij, si askush tjetër në dramatikën shqiptare, Haxhiademi arriti të përçojë te lexuesi mesazhe të forta dhe domethënëse. Këto mesazhe ai zgjodhi t’i përçojë përmes personazheve shqiptarë (mbretërve ilirë dhe figurave tona kombëtare), përmes mitologjisë greke dhe personazheve biblikë.
Nëse përmendim vetëm titujt e tragjedive: Ulisi, Akili, Aleksandri, Pirroja, Skënderbeu, Diomedi, Abeli, mesazhet lindin dhe nisin të përçohen përmes veprimit dramatik në tragjedi; ato janë të kapshme, të pranueshme dhe të dëshiruara nga publiku dhe lexuesi i thjeshtë. Haxhiademi do ta bëjë akoma më të kuptueshëm e më të pranueshëm, përmes krijimtarisë së tij poetike, përçimin e këtyre mesazheve, duke i shfaqur me pamje tepër interesante.
Në tragjedinë “Ulisi” autori mundohet t’i japë një ngjyrim më real ngjarjes, duke mos u fokusuar në peripecitë e Ulisit për të rigjetur Penelopën dhe Itakën, por në peripecitë e mëvonshme që e mbajnë ende në ankth për shkak të lojës së hyjnive dhe fatit të paracaktuar, për t’u grindur me të shoqen dhe për t’u vrarë nga i biri që ka pasur me Çirçen gjatë kthimit nga Troja në Itakë. Përtej fatalitetit që ofronte vetë miti i Odiseut, Haxhiademi sjell në vëmendje ndëshkimin nga një dashurie e braktisur (djali ilegjitim që vret të atin) dhe hakmarrja pakrye. Mitin klasik autori e shndërron në argument të fatalitetit të ekzistencës njerëzore që lidhet me frikën dhe misticizmin, keqkuptimin dhe absurdin që, të gjitha së bashku e shndërrojnë jetën në një makth dhe tension të pafundmë
Tek tragjedia “Akili” autori përkap temën e tradhtisë dhe intrigës që shtie në kurth kryetrimin e grekëve, Akilin, duke e vrarë në tempullin e Apollonit. Përveç heroizmit dhe trimërisë që vihen në shërbim të paqes dhe ndalimit të luftës, në tragjedi vjen si argument qendror manipulimi i dashurisë së Poliksenës, bijës së mbretit Priam të Trojës, ndaj Akilit. Sido që e pamundura bëhet e mundur (dashuria e Akilit me Poliksenën), ajo e mbyll ciklin e vet në formën e një krimi të pastër, në rrënjë të të cilit vendoset tradhtia.
Tragjedia “Aleksandri” sjell paradigmën e madhështisë së prijësit dhe mbretit të ardhshëm, Aleksandrit, të vetëpërmbajtur dhe të arsyeshëm, që di të ruaj gjakftohtësinë dhe drejtpeshimin e merituar në rrjedhën e ngatërruar të ngjarjeve.
Edhe te tragjedia tjetër, “Pirrua”, Haxhiademi sjell po atmosferën e karrierave të përgjakura pushtetare, kësaj radhe të Pirros së Epirit kundër Neoptolemit, duke i mëshuar sfilitjes dhe ankthit të pushtetarit të madhërishëm dhe ambicioz, që e merr dhe e mban pushtetin sa me forcë e guxim, po aq edhe me dinakëri, vrasje dhe intriga. Vepra ka shumë vdekje njëherësh, veçori kjo e tragjedive shekspiriane, prej nga duket se edhe është ndikuar. Të dyja tragjeditë i lidh zinxhiri i vrasjeve politike për pushtet e sundim.
Në dimensionin e të madhërishmes mbrohet prej dramaturgut figura historike e heroit tonë kombëtar në tragjedinë “Skënderbeu”. Tanimë ndiqet linja e mitizimit të pastër të Skënderbeut si hero legjendar, prijës mendjendritur, mbret largpamës, fatos i krishterimit, bashkëshort i denjë, njeri i urtë, i mençur e racional, që di të falë si gjeneralin e tij, Moisiun, ashtu edhe smirën dhe ambicien për lavdi e pushtet të Zanfinës, gruas së Moisiut, duke llogaritur përmbi to interesin e kombit dhe atdheut. Nga ana tjetër, si udhëheqës vizionar dhe i rreptë, ai e mposht ndjenjën e dhembshurisë së ungjit për ta falur Hamzain, nipin e vet, duke vlerësuar mbi gjithçka interesat e shtetit dhe të kombit, në raport me ato vetjake.
Tragjedia e tij e parafundit ishte “Diomedi” (1936), ku subjekti i Diomedit ishte një dyzim i lëndës nga mitologjia greke dhe ajo ilire. Mbas një kryengritjeje të popullsive ilire, Dauni, mbret i Ilirisë, ikën dhe vendoset në Itali së bashku me disa besnikë. Në Itali ndërton qytetin e Daunisë dhe formon një shtet më vete. Me prishjen e Trojës, vjen në mbretërinë e Daunit edhe Diomedi me të vëllain, Alainin. Në një luftë që i shpallte Daunit popullsia fqinje e mesapëve, Diomedi i ndihmonte me armë e ushtri, sa mund të thuhet se vetëm falë tij mbreti ilir ia arriti të dilte fitimtar. Si shpërblim për ndihmën, Dauni i propozonte Diomedit të bënin krushqi duke i dhënë atij për grua bijën e vet, Evipen. Mirëpo Evipeja, fshehurazi dashurohej me Alainin, vëllain e Diomedit. Këta të dy, për t’ia prishur planin mbretit, i shtinë këtij në vesh se Diomedi po kurdiste një komplot për ta rrëzuar nga froni. Dalëngadalë Dauni fillon t’i besojë intrigës. Atëherë ai, jo vetëm që e tërhoqi propozimin për t’i dhënë Diomedit bijën për grua, por shpalli se Evipen do t’ia jepte atij që do të vriste Diomedin. I verbuar nga pasioni, Alaini vret të vëllanë në gjumë, mandej i kërkon Daunit të bijën për grua, sipas fjalës, por Dauni nuk pranon të bëjë dhëndër vrasësin e vëllait dhe e përzë atë.
Duke iu referuar titullit të tragjedisë “Abeli”, mesazhet lindin dhe nisin të përçohen përmes veprimit dramatik në tragjedi; ato janë të kapshëm, të pranueshëm dhe të dëshiruar nga publiku dhe lexuesi i thjeshtë. Haxhiademi do ta bëjë akoma më të kuptueshëm e më të pranueshëm, përmes krijimtarisë së tij poetike, përçimin e këtyre mesazheve, duke i shfaqur me pamje tepër interesante.
Sipas ligjeve antike të tragjedisë, heroi tragjik duhet të përfundojë me vdekje. Në një subjekt ku protagonistë janë njerëzit e parë të botës, ke të drejtë të bësh pyetjen se cili vallë pati qenë i vdekuri numër një i kësaj bote. Përgjigjja është gjithaq tragjike. I vdekuri numër një i familjes së parë njerëzore është pjella më e njomë e kësaj familjeje. Pra, në njëfarë mënyre, vdekja nis nga fundi. Për më shumë, kjo vdekje e parë në histori të njerëzimit përurohet si një vëllavrasje.

Përfundimi
Meqenëse shkrimtari ynë, EtëhemHaxhiademi, në veprat e tij i përmbahet rregullave ‘strikte’ të klasicizmit, mund të themi me plot gojë se ai është klasiku ynë i parë, i cili me mjeshtëri krijoi vepra të bukura të cilat i kemi ne sot. Edhe pse Haxhiademi, si një tragjedian klasik shfaqet në fazën moderne të letërsisë shqipe, rëndësia e tij qëndron se nëpërmjet vlerave të krijimtarisë së tij letërsia shqipe pasurohet me një trajtë dramatike të veçantë që i ka munguar prej kohësh.
Ndaj, pas shuarjes së kureshtjes së ligjshme që lind kur bie në kontakt me një vepër jo shumë të njohur e, për më tepër, të harruar a të ndaluar, në mënyrë po aq të ligjshme ngre krye kërshëria që të shtyn ta vësh atë vepër në sistemin e kulturës së përvetësuar, t’i gjesh vend mes veprave që rezonojnë më shumë a më pak me parapëlqimet e tua. Duke vazhduar më tej, në plan më të gjerë socio-kulturor, pasi fillon të bësh lexime e rilexime të saj, të hulumtosh dhe t’i përqasësh në mënyrë më të detajuar, kërkon t’i gjesh vend veprës në sistemin e përgjithshëm të vlerave letrare kombëtare.
Prandaj vepra e Etëhem Haxhiademit, dramaturgjia e tij (pse jo edhe lirika), zë vend mirë në sistemin e vlerave letrare, e përforcon strukturën e këtij sistemi d, dashje pa dashje bëhet pjesë përbërëse e tij.
Përpjekjet e studiuesve të letërsisë po e vënë në vendin e duhur dhe të merituar këtë shkrimtar që i sjell vlera letërsisë kombëtare, si dhe nder plejadës së krijuesve në fushën e letrave. Vepra e tij ka vite që është vendosur në vendin e merituar në Kosovë, duke u studiuar në mënyrë të mirëfilltë në auditore dhe besoj se të njëjtin vend të merituar e ka edhe në Shqipëri, e sidomos në vendlindjen e tij në Elbasan.

Literatura
Haxhiademi, Etëhem, Dy tragjedi, Ndërmarrja botuese Rilindja, Prishtinë 1990,
Rrahmani, Zejnullah, Teoria e letërsisë, Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2008,
Hamiti, Sabri, Tematologjia, Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Kosovës, Prishtinë 2005,
Kujtim M. Shala, Elipsa, Ndërmarrja Botuese “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2007,
VelekR. –Voren O., Teoria e letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1982,
Gani Luboteni, Teoria e letërsisë, Beograd, 1964,
Mikel Ndreca, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Rilindja, Prishtinë 2000.

Prishtinë, 2018