Gazeta Nacional Albania

Ambasadorja Amerikane Yuri Kim: Ne jemi ende me ju krah për krah!

Ditën e nisi herët. Yuri Kim, ambasadorja e re e SHBA-së në Tiranë fillimisht i ka dorëzuar letrat Kredenciale Kreut të Shtetit shqiptar, duke filluar kështu dhe zyrtarisht misionin e saj diplomatik. Përmes një deklaratë për shtyp, Ilir Meta shprehu kënaqësinë të takonte ambasadoren e re amerikane Kim, duke shtuar se SHBA është një partner i pazëvendësueshëm për Shqipërinë.
Në daljen e saj të parë publike nga Tirana ambasadorja Yuri Kim zgjodhi që një pjesë të mesazhit të saj ta shprehte në gjuhën shqipe. “Ne jemi ende me ju krah për krah”, theksoi diplomatja amerikane.
Duke theksuar se Shqipëria mbetet një aleat me vlerë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadorja theksoi mbështetjen për rrugën drejt BE-së, por mbi të gjitha për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.
“Pres të punoj me udhëheqësit e Shqipërisë ndërkohë që ata marrin hapa për Reformën në Drejtësi dhe për të larguar korrupsionin. Besoj se kur drejtësia të hedhë rrënjë në drejtësi të tërhiqen më shumë investitorë. SHBA e vlerësojnë Shqipërinë si një aleate të vërtetë. Ne qëndrojmë krah jush sot, për të mbështetur të ardhmen tuaj në familjen europirane”, tha ambasadorja amerikane.
Zonja Kim tha ne vijim:
“Pas Luftës së Dytë Botërore, dy qeveritë tona morën rrugë të ndryshme. Por, edhe kur qeveritë nuk e njihnin njëra-tjetrën, popujt tanë qëndruan pranë njëri-tjetrit. Ne mbetëm të lidhur me njëri-tjetrin dhe flisnim me njëri-tjetrin përmes Zërit të Amerikës, i cili jo vetëm transmetonte lajme, por ngjalli edhe shkëndijën e shpresës. Kjo shkëndijë shprese shumë shpejt ndezi të gjithë Shqipërinë. Dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991, teksa u çliruat nga vargonjtë e komunizmit dhe të diktaturës. Është një moment për të cilin me të drejtë duhet të ndiheni krenarë. Kemi qëndruar krah jush që atëherë, duke mbështetur hyrjen tuaj të suksesshme në NATO në vitin 2009 dhe, tani, përpjekjet tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Sot, ne qëndrojmë me ju jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë, por edhe në mbështetje të së ardhmes të Shqipërisë.”
“After World War II, our two governments took different paths. But even when our governments did not recognize each other, our people continued to hold each other close. We stayed connected and we spoke to each other through the Voice of America, which not only broadcast the news, but sparked hope. That spark of hope soon lit up all of Albania, and we stood with you in 1991, when you broke free from the chains of dictatorship and communism. It is a moment of which you should be rightly proud. we have stood with since then, supporting your successful entry into NATO in 2009 and, now, your efforts to join the European Union. Today, We stand with you not only in support of Albania’s freedom and sovereignty, but in support of Albania’s future.”
 
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.
Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.