Site icon Gazeta Nacional Albania

Angela Kosta: Intervistë me dramaturgun, editorin, poetin dhe promovuesin e njohur uellsian Peter Thabit Jones

Peter Thabit Jones është një nga zërat më të rëndësishëm të poezisë moderne uellsiane dhe një figurë e shquar në letërsinë bashkëkohore ndërkombëtare. Poet, dramaturg, kritik letrar, redaktor dhe pedagog, ai ka përfaqësuar Uellsin dhe Mbretërinë e Bashkuar në ngjarje letrare të shumta në mbarë botën. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë dhe janë përfshirë në antologji prestigjioze, duke dëshmuar fuqinë dhe thellësinë e fjalës së tij. Në këtë intervistë të veçantë, kemi privilegjin të eksplorojmë botën krijuese dhe shpirtërore të këtij autori të veçantë.

A. Kosta: Përshëndetje Peter. Mirësevini në këtë intervistë për lexuesit tanë.
Cilin moment e konsideroni si pikën kulminante, kthesë e rëndësishme në jetën tuaj letrare dhe si ndikoi kjo në stilin tuaj poetik?

P. Th. Jones: Vdekja e djalit tim të dytë, Mathew, kur isha njëzet e katër vjeç, më futi në një qorrsokak të ftohtë, në një rrugë pa dalje ndaj pikëllimit që më pushtoi. Ndala së shkruari për tre vite, ndala së dërguari poezi në revista, etj.
U përballa me ‘notën e përjetshme të trishtimit’, (po citoj poetin anglez), Matthew Arnold.
Rrjedha e pandalshme e jetës kërkon të vazhdojmë, të rikthehemi në ritmin e gjërave.
Por njeriu mplaket nga pikëllimi i thellë e ngjyrat e jetës zbehen. Duket sikur ka më shumë errësirë sesa dritë. Zemra është në baltën e baticës së ulët, ditë e natë. Për mua, fjalët e humbën komplet magjinë e tyre. Kishte një pluhur heshtjeje në zërin tim të brendshëm. Isha një zog i errët në një pemë dimërore skeleti, pa dëshirën për të kënduar. Këtë e kuptova, siç shkrova më vonë në një poezi për djalin tim, “Lexim poetik: Ferma e Robert Frost, New Hampshire, SHBA”,
‘’Unë jam vetëm një këngëtar, / këndoj këngën time’’.
Çfarë tjetër mund të bëja veçse të shkruaja? Kisha shkruar në mënyrë serioze që në moshën njëmbëdhjetëvjeçare.
Kur poezia u rikthye tek unë, e dija që nuk mund të mbështetesha më te zëri poetik apo përvojat e dikujt tjetër. E ndjeva se ishte fillimi i vërtetë i rigjetjes së zërit tim poetik. Humbja e djalit tim, megjithatë, është gjithmonë e pranishme në vizionin tim poetik, gjithmonë e pranishme në jetën time.

A. Kosta: Si e formësoi bashkëpunimi juaj me poetin amerikan Stanley H. Barkan vizionin tuaj si shkrimtar transatlantik?

P. Th. Jones: Në vitin 2006, Shtëpia Botuese “Cross-Cultural Communications” e Stanley H. Barkan, botoi librin tim të parë, The Lizard Catchers. Vince Clemente, profesor dhe poet amerikan, me të cilin kisha shkëmbyer korrespondencë që nga viti 1997, më sugjeroi t’i dërgoja një përmbledhje Stanley. Në vitin 2008, ai organizoi “Turneun Homazh për Dylan Thomas” në Amerikë, ku morën pjesë vajza poete e Dylan-it, Aeronwy, dhe unë. Kaluam gjashtë javë atje, duke mbajtur ligjërata dhe lexime poetike nga Nju Jorku në Kaliforni, në ambiente prestigjioze si Kolegji Wellesley i Bostonit dhe Klubi Kombëtar i Arteve në Nju Jork. Bashkëpunimi me Stanley zgjeroi vizionin tim si shkrimtar, sepse më hapi horizontin dhe shkrova shumë poezi mbi përvojat e mia në Amerikë. Që atëherë kam mbajtur ligjërata dhe lexime në shtete të ndryshme, si në “Festivalin e Poezisë në Massachusetts” dhe në “Konferencën Botërore të Çështjeve” (Colorado), ku jam edhe poet rezident çdo verë që nga viti 2010 në Big Sur, Kaliforni, falë poetes dhe artistes ndërkombëtare Carolyn Mary Kleefeld.

A. Kosta: Uellsi ka një trashëgimi të pasur poetike. Si ndikon identiteti juaj kombëtar dhe kulturor në krijimtarinë tuaj?

P. Th. Jones: Poetët e parë që lexova kur isha djalosh gati katërmbëdhjetë vjeç dhe kisha vendosur me vendosmëri të bëhesha poet, ishin uellsianët: Edward Thomas, sidomos Dylan Thomas, R. S. Thomas, Alun Lewis, Idris Davies dhe Leslie Norris. U bëra anëtar i Bibliotekës Qendrore të Swanseas dhe u bëra lexues i zjarrtë i gjithçkaje që kishte lidhje me poezinë.
Unë jam rritur në zonën Eastside Swansea, ndaj nuk jam folës i gjuhës uellsiane. Mbaj mend vetëm një familje që fliste uellsisht në rrugicën tonë. Megjithatë, rreth viteve ’80, pata fatin të takoj poetin e njohur të gjuhës uellsiane Alan Llwyd me të cilin u bëmë miq të ngushtë. Takoheshim në një pub për një gotë birrë dhe diskutonim për letërsinë në uellsisht dhe anglisht. Gjithmonë kam qenë i magjepsur nga muzikaliteti në poezi, ndaj diskutonim për “cynghanedd”, dhe rregullat e rrepta poetike në gjuhën uellsiane. Alan më mësoi shumë për këto struktura. “Cynghanedd” do të thotë përafërsisht harmoni; dhe përshkrimi i thjeshtuar i saj është harmonizimi i bashkëtingëlloreve, rimave dhe tingujve. Përfundimisht, unë mësova disa aspekte të “cynghaneddit” në gjuhën angleze në një nga kurset e mia të Letërsisë Angleze – Shkrimit Kreativ në Departamentin për Arsimin e Vazhdueshëm për të Rritur në Universitetin e Swanseas, ku ligjërova në programin me kohë të pjesshme për diplomë për 22 vjet, deri në daljen time në pension në vitin 2015, e kam mbajtur ligjërata në Amerikë dhe Evropë mbi përdorimin e “cynghanedd” në poezinë në gjuhën angleze, në veçanti në poezinë e Dylan Thomasit.
Për mua, është me të vërtetë një privilegj të jem i vetëdijshëm për këtë aspekt të poezisë në gjuhën uellsiane dhe të jem në gjendje të përdor variacione të cynghaneddit në shumë prej poezive të mia. Letërsia në gjuhën uellsiane dhe ajo në gjuhën angleze janë zhvilluar kryesisht në rrugë të ndara, por me ndonjë udhëtar letrar të rastit, në të dyja gjuhët që i njeh, ata që ecin në rrugën përballë. Ishte rritja e qëllimshme e ndërgjegjësimit për nacionalizmin uellsian në vitet 1960 e në vazhdim ajo që ndikoi në letërsinë në gjuhën angleze në Uells dhe, rrjedhimisht, te shkrimtarët që shkruanin në anglisht, u rrit edhe njohja e letërsisë në gjuhën uellsiane. Unë besoj thellësisht në rëndësinë që gjuha uellsiane të mbijetojë. Vdekja e çdo gjuhe, e çdo dialekti, është një tragjedi, ndaj mbështes plotësisht, të gjitha përpjekjet për ta mbajtur gjallë gjuhën uellsiane.

A. Kosta: Libri juaj “Zjarri në Pyll” përshkruhet si një udhëtim poetik në shpirtin e njeriut. Cili zjarr e ushqen poezinë tuaj?

P. Th. Jones: Unë besoj se një poezi duhet të “këndojë”, disi ndryshe nga proza e zakonshme. “Unë e kremtoj veten dhe këndoj për veten time”, shkruante poeti amerikan Walt Whitman. Muzikaliteti i një poezie, përshtatja e tingullit, mund të kontribuojë në atë që T.S. Eliot e quante “Poezia e vërtetë mund të komunikojë përpara se të kuptohet.” Besoj se kjo ndodh sepse poeti prek diçka themelore brenda nesh, pulsin jambik që kemi në brendësi, ritmin e vetë të qenies sonë. Poeti amerikan William Carlos Williams theksonte: “Një poezi është kjo:/Një nuancë tingulli/që rrjedh me delikatesë/mbi një ujëvarë kuptimi/… detajet/e një kënge që zgjohet/mbi një shtrat tingulli.”
Prandaj ndjesia e mjeshtërisë është thelbësore për mua, bashkë me atë që dua të them në poezi. Më intereson edhe kënga e nënkuptuar e jetës, ajo që ndodh në të vërtetë nën sipërfaqen e asaj që quhet realitet. Për të cituar Edward Thomas, një nga poetët e mi të preferuar, dua “Ta kafshoj ditën deri në bërthamë”. Më frymëzon edhe ajo që ka thënë poetja amerikane Maya Angelou: “Ne jemi më të ngjashëm, miqtë e mi, sesa të ndryshëm.”

Mendoj se roli im si poet është të përcjelli nevojën e vërtetë për poezinë në kohën që jetojmë, rëndësinë e saj për konceptin e një shoqërie të qytetëruar dhe “ushqimin e shpirtit” që mund t’i japë individit. Një poet, përballë dramës në faqe, “Nga grindja me vetveten ne bëjmë poezi”, siç thoshte poeti irlandez W.B. Yeats, përpiqet të krijojë një lloj energjie verbale, pamore dhe muzikore dhe të sigurojë njëfarë integriteti, besueshmërie, në zërin që flet në poezi, në hapat e frymës. Një poet i përkushtuar do të përdorë të gjitha mjetet poetike në çantën e veglave për ta ngritur poezinë nga letra. Por siç ka thënë Seamus Heaney: “Teknika… nuk përfshin vetëm mënyrën si poeti përdor fjalët, menaxhimin e metrit, ritmit dhe teksturës verbale; ajo përfshin gjithashtu një përkufizim të qëndrimit të tij ndaj jetës, një përkufizim të realitetit vetjak.”

Për mua, “skeletet” e një poezie vijnë të parat, një fjalë, një frazë, një varg ose një ritëm, zakonisht të nxitura nga një vëzhgim, një imazh ose një mendim. Pastaj, sapo kap fillin e poezisë, filloj të mendoj për trupin e saj. Sot, pas disa vargjeve, e di nëse do të jetë formale apo informale. Nëse është formale, të gjitha energjitë e mia përqendrohen në formësimin e saj në strukturën përkatëse, si një sestinë (strofë me 6 vargje), apo çfarëdo tjetër. Nëse është informale, i qasem me të njëjtën përkushtim.
Më në fund, pas shumë versioneve, një poezi shpesh ka nevojë për shkurtime për shkak të fjalëve, vargjeve apo ideve të tepërta. R.S. Thomas ka thënë se poezia në mendje nuk është kurrë ajo në letër, dhe kjo është shumë e vërtetë. Akti i të shkruarit të një poezie është për mua pjesa më e bukur e të qenit poet; ndërsa botimi, nëse ndodh, është qershia mbi tortë.

A. Kosta: Si u bë revista juaj letrare “The Seventh Quarry” një media kaq e rëndësishme ndërkombëtare për poetët dhe shkrimtarët?

P. Th. Jones: Revistën “The Seventh Quarry”
e themelova në vitin 2005 në Qendrën Dylan Thomas në Swansea. Kështu që ky vit shënon njëzetvjetorin e revistës si dhe të Shtëpisë Botuese “The Seventh Quarry Press”.
Për këtë më frymëzoi botuesi im në New York, Stanley H. Barkan dhe shtëpia botuese e tij ndërkulturore Cross-Cultural Communications, e cila është ndërkombëtare. Doja që revista ime të ishte një platformë për poetët nga e gjithë bota, t’i lidhte ata përmes faqeve të saj dhe të nxirrte në pah humanitetin dhe kreativitetin tonë të përbashkët. Doja me çdo kusht, të ndërtoja ura midis poetëve të vendeve, kulturave dhe gjuhëve të ndryshme. Fillimisht Stanley inkurajoi shumë poetë që njihte dhe kishte botuar ai vetë, të dërgonin poezi për revistën time. Gjithashtu, deri në vdekjen e tij, miku im i dashur Vince Clemente, poet dhe profesor amerikan, ishte Redaktori Bashkëpunëtor për Amerikën i “The Seventh Quarry”. Kontributi i Vince-it në këtë rol, i shtoi dimensionin ndërkombëtar revistës.
Arsyeja kryesore pse e nisa këtë revistë ishte dëshira për t’i kthyer diçka poezisë, e cila më kishte dhuruar shumë ndër vite. Është një punë që e bëj me dashuri dhe nuk përfitoj asnjë para prej saj, por më sjell kënaqësi fakti që nxjerr në pah poetë nga e gjithë bota.

A. Kosta: Çfarë roli ka pasur përkthimi në përhapjen e poezisë suaj, dhe si e shihni përgjegjësinë e një poeti kur veprat e tij përkthehen në shumë gjuhë?

P. Th. Jones: Poezitë e mia janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë, përfshirë rusisht, serbisht, frëngjisht, persisht, hebraisht, turqisht, japonisht, katalanisht, tagalog (gjuhë filipinase), gjermanisht, sicilianisht, sllovakisht, spanjisht, koreanishte, arabisht, portugalisht, bengalisht, kinezisht, holandisht, rumanisht dhe uellsisht.
Katër nga librat e mi janë përkthyer në gjuhën rumune dhe janë botuar në Rumani. Gjithashtu, rreth një duzinë artikujsh mbi poezinë time janë publikuar atje. Veç kësaj, kam qenë i përfshirë (i vetmi poet britanik mes autorëve të njohur rumunë, serbë, kroatë dhe rusë) në një libër intervistash dhe artikujsh të botuar në Rumani.

“The Seventh Quarry Press” ka botuar një libër me tregime për fëmijë, të përkthyera nga gjermanishtja, dhe ka bashkëbotuar një libër dygjuhësh të një poeti të njohur çek. Botime të tjera nga shtëpia ime botuese përfshijnë një antologji poetësh nga India (nga dialekte të ndryshme), e redaktuar nga Mandira Ghosh, një antologji poetësh nga Katalonia, përkthyer dhe redaktuar nga Dr. Kristine Doll, dhe një antologji poetësh nga Moldavia, përkthyer dhe redaktuar nga Dr. Olimpia Iacob.
Kur bëhet fjalë për përkthimin e poezive të mia, nuk pres që një përkthyes të riprodhojë strukturën tingullore në gjuhën e tij, gjë që e imagjinoj të jetë e pamundur, por kjo nuk do të thotë se ai nuk mund të krijojë një lloj tjetër muzike me thelbin e poezisë time në gjuhën e tij. E pranoj gjithmonë që përkthyesi do i veshë “krijesës” sime rroba të tjera. Disa përkthyes, sigurisht, synojnë dhe më pas pretendojnë, të krijojnë një poezi të re nga poezia origjinale.
Brenga ime e vetme, kur më përkthejnë, është që përkthyesi të mos ndryshojë asgjë nga morali (morali im) në një poezi timen. Kjo është pika ku duhet të ekzistojë një urë besimi mes poetit dhe përkthyesit. Në fakt, poeti i dorëzon përkthyesit pëshpëritjet e shpirtit të vet. Më gëzon fakti që për disa përkthyes ky proces mund të jetë më kompleks dhe rrjedhimisht më i thellë, më i lëngshëm, më pasurues.
Si poet unë kam qenë vizitor dy herë në Serbi e po ashtu edhe poet vizitor në Rumani. Kam bashkëorganizuar, së bashku me botuesin tim nga Nju Jorku, Stanley H. Barkan, dy festivale ndërkombëtare shumëgjuhëshe, të cilat përfshinë pjesëmarrjen e poetëve, shkrimtarëve, përkthyesve dhe dramaturgëve në Teatrin Dylan Thomas në Swansea, Uells. Së fundmi, kam qenë bashkëorganizator, me Stanley H. Barkan, i Konkursit Ndërkombëtar dhe Shumëgjuhësh për Shkrim Krijues “The Colour of Saying”, një festim për 100-vjetorin e lindjes së Dylan Thomas, 1914–2014. Ky konkurs përfshiu përkthyes nga mbarë bota.

Ndaj, po e ritheksoj: përkthimi është shumë i rëndësishëm për mua, si poet dhe si botues. Si poet, është një mënyrë për të pasur lexues në vende të tjera, gjë që nuk ndodh shpesh me librat e mi që janë vetëm në anglisht. Si poet i ri, kam ardhur në kontakt me veprat e Lorca-s, Dante-s, Neruda-s, Rilke-s, Rimbaud-së, Baudelaire-it dhe të tjerëve përmes librave të përkthyer në anglisht. Ato ishin thesare të vërteta për mua dhe më dhanë mundësinë të zbuloja vizionet poetike të këtyre poetëve të mëdhenj.

Për mua, përkthimi është një mënyrë për të ndërtuar ura mes racave dhe kulturave të ndryshme, gjë që është thelbësore në një botë ku shumë duan t’i djegin këto ura mes nesh.

Prandaj mendoj se përgjegjësia e një poeti me fat që përkthehet në një ose më shumë gjuhë është, kur është e mundur, të vërë në pah botën letrare të asaj kulture tjetër, gjë që unë përpiqem ta bëj përmes revistës “The Seventh Quarry”.

A. Kosta: Si poet i angazhuar për paqe dhe dialog kulturor, si e perceptoni fuqinë e poezisë në një botë gjithnjë e më të përçarë?

P. Th. Jones: Poeti i Luftës së Parë Botërore, Wilfred Owen, ka thënë: “E gjithë çfarë mund të bëjë sot një poet, është të paralajmërojë. Për këtë arsye poetët e vërtetë duhet të jenë të sinqertë”. Poeti irlandez Seamus Heaney, i cili u rrit gjatë periudhës së trazirave në Irlandë, njëherë tha: “…asnjë lirikë nuk e ka ndalur kurrë një tank”. Edhe John Keats tha: “Çfarë mund të bësh ti, ose gjithë fisi yt/Për botën e madhe? Ti je një qenie ëndërrimtare.”
Pra, si poet ndjej që jam midis këtyre deklaratave. Jam i vetëdijshëm për detyrën time si poet për të ngritur diskutimin mbi tema të caktuara, por edhe i vetëdijshëm për kufizimet se çfarë mund të bëjë poezia për ndaj shumicës së njerëzve. Njëherësh, shpesh ndjej një pesimizëm të madh. Materializmi duket sikur na gërryen shëndetin mendor, na mashtron që të mos duam të shohim dëmin që po shkaktojmë realisht. Duhet të përpiqemi të bëjmë diçka për brezat e ardhshëm, për nipërit tanë dhe fëmijët e tyre e më tej. Për të arritur ndryshime, mendoj se duhet të shqyrtojmë gjithë këtë çështje të materializmit, këtë qasje “ushqim i shpejtë” ndaj gjithçkaje, këtë mentalitet “dua, pra duhet ta kem”. Ndoshta njerëzimi do të arrijë në një prag që nuk mund të injorohet, një katastrofë natyrore apo të shkaktuar nga njeriu që dëshiron të ndalojë gjithçka dhe do të detyrojë një ndryshim të vërtetë. Mendoj se ndonjëherë, sidomos në poezi, kur politika hyn në derë, poezia del nga dritarja. Disa poetë përfundojnë duke “goditur një tambur politik” dhe poezia vuan. Por, megjithatë, së pari je njeri dhe pastaj poet. Pra, poezia si protestë është thelbësore. Si baba dhe gjysh, nuk mund të mos jem i shqetësuar për atë që po ndodh në botë. Një nga kurset universitare që kam dhënë, quhej “Raportimi i viteve tridhjetë: Poezia e W.H. Auden, Stephen Spender, Cecil Day-Lewis dhe Louis MacNeice”. Ai trajtonte dy ideologjitë politike të asaj kohe dhe reagimet e katër poetëve ndaj kohërave të errëta të viteve tridhjetë. Aktualisht, në botën perëndimore po zhvillohet një betejë ideologjish në politikë dhe situata po bëhet shumë e keqe.

Në të kaluarën, kam qenë i matur në deklaratat “politike”. Poezia ime “Gjarpëri”, për shembull, flet për mënyrën se si frika mund të rritet dhe rritet deri sa logjika dhe arsyeja të zhduken. Në atë kohë po mendoja për mënyrën se si politikanët dhe media përdorin frikën për të trembur njerëzit ndaj “tjetrit”, viktimave të tyre të zgjedhura. Përsa i përket pyetjes nëse poezia mund të sjellë ndryshim, vetëm mund të shpresojmë që diçka nga ajo që mund të quhet letërsi “politike” e prodhuar nga poetët dhe shkrimtarët të depërtojë në jetën e njerëzve. Megjithatë, shumë njerëz duket se janë tepër të zënë me shpërqendrimet teknologjike që vazhdimisht u ofrohen. Shpërqendrime teknologjike që i largojnë ata nga bota reale dhe nga problemet e mëdha me të cilat përballemi si krijesa në këtë planet të bukur. Po, unë besoj se toka është ende një planet i bukur dhe ka shumë potencial për të krijuar barazi, jetë dinjitoze dhe të ardhme plot shpresë për të gjithë, nëse vetëm fillojmë të mendojmë për kthimin e anijes fatale të materializmit të menjëhershëm dhe të përqendrohemi në krijimin e një bote më të mirë për të gjithë. Siç tha John Lennon, “Mund të thuash se jam një ëndërrimtar, por nuk jam i vetmi.” Le të shpresojmë që ëndërrimtarët të rriten me çdo brez të ri që vjen.

Poesia e W. H. Auden ‘Epitafi për një tiran’ është po aq e rëndësishme sot sa ishte në vitin 1939, dhe kjo tregon fuqinë dhe efektin e përhershëm të një poezie të mirë. Kur jam vërtet i dëshpëruar nga kjo “epokë e ankthit”, për të cituar W.H. Auden, mendoj për një varg të Dylan Thomas: “Kjo është bota. Kemi besim.”
Përballë parave dhe politikës, dy perëndive të qëndrueshme të pushtetit dhe adhurimit, poezia mund të duket e pafuqishme, e parëndësishme. Por unë besoj se si krijesa të lidhura me kohën, prej mishi dhe eshtrash, gjithmonë do të ndiejmë diçka përtej nesh, diçka më të madhe se ne, një nuhatje e përjetësisë, dhe kështu gjithmonë do të kërkojmë arsyet e vërteta të jetës. Ky, për mua, është roli i poezisë. Gjithashtu, edhe poetët kthehen te poezia, qoftë nga të tjerët ose përpjekje të tyre vetjake, në kohë zie, lufte dhe katastrofash të mëdha. Janë fjalët, jo paratë apo pasuritë, që u këndojnë në ato momente.
“Fjalët janë droga më e fuqishme e njohur nga njerëzimi”, shkroi Rudyard Kipling. Poezia është një mënyrë për të siguruar që fjalët dhe gjuha të ruajnë vlerën e tyre të vërtetë, cilësitë e tyre të lidhjes dhe kërkimit.

A. Kosta: Cila ka qenë sfida më e madhe në rrugëtimin tuaj si dramaturg, dhe si përjetoni transformimin e vargut poetik në skenë?

P. Th. Jones: Mendoj se teatri është shumë i rëndësishëm, i nevojshëm dhe domosdoshëm. Ai është padyshim një arenë ku mund të “mësohet” diçka, të ngrihen pyetje mbi njerëzimin, politikën, gjendjen e botës, etj. Përveç klasave dhe sallave të ligjëratave, ku tjetër kemi mundësinë të përballemi me një grup të madh njerëzish për çështjet që kanë vërtet rëndësi? Po, duhet të argëtohet publiku dhe të mos jetë shumë didaktik, sepse kjo shpesh e largon audiencën, por gjithashtu mund të përqendrohemi tek hijet e jetës sonë, në thellësitë e asaj që quhet realitet, dhe të nxjerrim në pah të vërtetat e përjetshme. Mund të hapim plagët shoqërore të fshehura nga media dhe gazetat dhe të trajtojmë tema serioze dhe me sinqeritet, qoftë personale apo universale.
Aktualisht jam duke punuar me një pjesë dramatike për një grup zërash, me titull “Zëra nga Përtej Titujve.” Përmes poezive individuale, ajo eksploron luftën, sidomos viktimat, ekstremizmin politik dhe mënyrën se si ne njerëzit po dëmtojmë jo vetëm mjedisin, por edhe shpirtin e asaj që do të thotë të jesh njeri. Është projektuar për skenë dhe do të përdorë fotografi në ekran dhe muzikë të herëpashershme. Sipas W. H. Auden, ne jetojmë në një “dhjetëvjeçar të ulët e të pabesë” dhe, po ashtu sipas tij, në një “epokë ankthi.”
Teatri, besoj, mund dhe duhet të përballet me këtë errësirë shoqërore dhe politike, si dhe me gëzimet e hidhërimet e të qenit njerëzor.
Ka ngjashmëri me atë që mund të bëjë poezia. Në fakt, jam admirues i dramave në vargje dhe kam shkruar tri të tilla, përfshirë “Zjarri në pyll.” Në dramën time në vargje përpiqem të lidh dhe të prek njerëzit me disa nga “truket” e poezisë, si ritmi dhe tekstura e tingujve. Poeti dhe dramaturgu i madh spanjoll Federico Garcia Lorca ka pasur një ndikim të madh mbi mua. Mendoj se sfida për mua, dhe për këdo që tenton të shkruajë një dramë në vargje, është të tërheqësh audiencën me një rrëfim interesant, dialog dhe personazhe, në mënyrë që muzikaliteti, magjia e poezisë, (tani e rrallë në dramaturgjinë moderne), të duket natyrale edhe për shikuesit e sotëm të teatrit.

A. Kosta: Me shumë çmime dhe vlerësime ndërkombëtare, si arrini ta ruani zërin tuaj autentik dhe thjeshtësinë e shprehjes?

P. Th. Jones: Kam dashur të jem poet që në moshë të re. Si djalë, më pëlqente të ulesha në Kilvey Hill, një kodër e vogël malore që errësonte dhe dominonte radhën e shtëpive ku u rrita me gjyshërit e mi uellsianë në Eastside Swansea, dhe ëndërroja të bëhesha poet. Kështu që shkrimi është gjithçka për mua. Pa të, jeta ime do të ishte më pak një përvojë. Një fletë e bardhë dhe një stilolaps për mua janë si një pyll i madh për një njeri në arrati, një aventurë disi e frikshme. Më pëlqen trazimi i pasigurt i një poezie në mendje, një fjalë, një shprehje, një vëzhgim, një ritëm, mënyra se si çdo gjë hidhet jashtë për t’u përqendruar në formësimin e diçkaje, eliminimi i gjithçkaje që nuk është poezi, deri sa krijohet një poezi: në atë fletë letre e ndoshta përgjithmonë.
Më shumë pëlqen kur një ide për një dramë shpaloset në mendjen time. Filloj duke bërë shënime bazë për ngjarjen, llojet e personazheve, sa akte do të ketë, sa skena brenda një akti, e kështu me radhë. Jeton me personazhet, personalitetet e tyre dhe kontributet që japin në ngjarjen e planifikuar dhe kulmin e dramës. Bëj shënime për secilin personazh, si mosha, gjinia, profesioni etj. Të njëjtat ndjenja i përjetoj kur punoj në një libret opere, megjithëse një libret është shumë më i përmbledhur se një dramë skenike. Kam shkruar tre librete për kompozitoren e njohur luksemburgase Albena Petrovic Vratchnanska, të cilat janë shfaqur premierë në Evropë.
Kështu që çmimet dhe vlerësimet janë të bukura, por akti fizik i shkrimit është gjëja më e rëndësishme dhe mbetet i tillë për mua.
Ruajtja e zërit autentik poetik-kreativ është padyshim qëllimi kryesor. Gjithmonë shpresoj të lidhem dhe të komunikoj me lexuesin, kështu që thjeshtësia e shprehjes është një element në përpjekje për ta arritur këtë. Pasi një poezi botohet, shpresohet që ajo të lidhet me dikë, të mbajë vëmendjen e tij gjatë gjithë ‘bisedës’ së saj.

A. Kosta: Nëse do t’i jepnit një mesazh brezit të ri të poetëve, cili do të ishte ai më i rëndësishmi?

P. Th. Jones: Së pari, do të rikthehesha te pyetja jote e mëparshme për ruajtjen e zërit autentik. Do t’i sugjeroja brezit të ri të poetëve që të përpiqen të zhvillojnë dhe ruajnë zërin e tyre poetik individual. Të shohin botën, botën përreth, përmes syve të tyre. Do t’i inkurajoja të lexojnë poezi, poetët që nuk janë më prej kohësh, poetët e njohur dhe poetët bashkëkohorë; si dhe të lexojnë biografi për poetë, për të parë se si të tjerët kanë përjetuar jetën si poetë, sukseset dhe dështimet që kanë përballuar në botën letrare. Duhet të përpiqen të abonohen në revista poezie dhe të blejnë libra poezie, për të mbështetur ata që përpiqen të mbajnë poezinë si një media të rëndësishme në një botë gjithnjë e më teknologjike dhe që po përpiqen gjithashtu të kundërshtojnë degradimin e përdorimit të gjuhës nga gazetat tabloide, media dhe rrjetet sociale. Do t’u sugjeroja që të mësojnë sa më shumë që të mundin për zanatin e poezisë dhe të përdorin atë çka u shërben si poetë.
Poezia është një evokim. Do t’i inkurajoja ta marrin seriozisht, ashtu sikurse edhe rolin e poetit. Nëse një poezi e tyre lidhet edhe vetëm me një lexues, ata me të vërtetë kanë arritur diçka, kanë ndërtuar një urë komunikimi me një qenie tjetër njerëzore. Së fundi, të kesh imagjinatë, frymëzim dhe dëshirë për t’u bërë poet është një bekim, prandaj shijojeni udhëtimin tuaj me ngritjet dhe uljet tuaja si poet.

A. Kosta: Ju falenderoj përzemërsisht për kohën tuaj të çmuar.

P. Th. Jones: Faleminderit juve Angela dhe të gjithë lexuesve kudo që ndodhen.

Peter Thabit Jones ka lindur në Uells dhe është rritur nga gjyshërit e tij dhe nëna.
Ai është autor i gjashtëmbëdhjetë librave, disa prej të cilëve janë ribotuar, dhe katër janë botuar në Rumani. Veprat e tij janë përkthyer në mbi njëzet gjuhë.

Në mars të vitit 2008, botuesi amerikan i Peter-it, Stanley H. Barkan, organizoi një turne gjashtë-javor leximesh poezie për të dhe për vajzën e Dylan Thomas, Aeronwy. Ata mbajtën lexim dhe punime nga New Yorku në Kaliforni, në shumë universitete dhe hapësira prestigjioze arti.
Peter është gjithashtu bashkëautor, së bashku me Aeronwyn, i “Dylan Thomas Walking Tour of Greenwich Village”, i referuar në Encyclopedia of New York City (Botimi i Dytë).

Në vitin 2006, ai u ftua nga Shoqata e Shkrimtarëve Serbë për të marrë pjesë në Takimin e 43-të Ndërkombëtar të Shkrimtarëve në Beograd. Në vitet 2008 dhe 2009, Peter vizitoi Rumainë si poet i ftuar, ku mbajti lexime dhe punime poezie në kolegje dhe universitete.

Ai ka qëndruar në Big Sur, Kaliforni, në verën e vitit 2010 si shkrimtar rezident, dhe është kthyer çdo verë nga 2011 deri në 2025.
Peter ka marrë pjesë në shumë festivale dhe konferenca në Amerikë dhe Evropë, përfshirë World Affairs Conference në Kolorado, 2009; konference të NEMLA (Boston 2013, Pennsylvania 2014, Toronto 2015); dhe Massachusetts Poetry Festival. Ai gjithashtu organizoi një projekt me studentë amerikanë dhe Dylan Thomas në Uells me Knox College (2010), një Festival Ndërkombëtar Poezie (2011) dhe një Festival Drame (2012) në Teatrin Dylan Thomas, Swansea. Këto dy ngjarje ishin pjesë e bashkëpunimit me “Cross-Cultural Communications”, New York.

Në vitin 2014, mori pjesë në ngjarje të ndryshme të DT100 (qindvjetorit të lindjes së Dylan Thomas) në Mbretërinë e Bashkuar dhe Amerikë. U lançuan libri dhe aplikacioni smartphone “Dylan Thomas Walking Tour of Greenwich Village”, i promovuar nga atëherë Kryeministri i Uellsit, Carwyn Jones, së bashku me Peter-in dhe mbesën e Dylan, Hannah Ellis. Peter ishte gjithashtu bashkë-organizator i një konkursi shumëgjuhësh / letërsi, në nder të Dylan Thomas-it dhe organizator i një “Traili” me citate të tij në National Waterfront Museum, Swansea. Drama e tij e shkurtër, The Poet, the Hunchback, and the Boy, e bazuar në poezinë “The hunchback in the park” të Dylan Thomas, është në dispozicion si DVD. Ajo ishte pjesë e ceremonisë së qindvjetorit në Teatrin Dylan Thomas në Swansea, dhe u performua nga aktorë të teatrit në National Waterfront Museum, Swansea, dhe në Welsh Centre në Londër në maj 2013. Peter është themelues dhe redaktor i revistës “The Seventh Quarry Swansea Poetry Magazine”, e cila boton poezi, përkthime, intervista dhe artikuj nga e gjithë bota, si dhe i Shtëpisë Botuese “The Seventh Quarry Press, që publikon libra ndërkombëtarë poezie, proze dhe arti. Poezia e tij “Kilvey Hill” u përfshi në një dritare me xham të ngjyrosur në “Saint Thomas Community School” në Swansea në vitin 2007.

Në prill 2014, ai u pranua në shoqatën “Phi Sigma Iota” në “Salem State University”, Massachusetts, për kontributin e tij në letërsi dhe përkthime letrare.
Peter është fitues i Çmimit Eric Gregory për Poezi (Shoqata e Autorëve, Londër), Çmimit të Shoqatës së Autorëve, Çmimit të Fondit Mbretëror për Letërsinë (Londër) si dhe “Çmimi nga Këshilli i Arteve i Uellsit”.
Ka fituar edhe shumë konkurse poetike kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2016, ai u nderua me “Çmimin Ted Slade për Shërbim ndaj Poezisë” nga “The Poetry Kit” (MB), “Çmimin Shabdaguchha për Poezi” (SHBA, 2017) dhe “Medaljen Evropiane “Homer” për Art dhe Poezi” (2017).

Poezia e tij “Lament for Soldiers of the First World War” është pjesë e filmit Bells on the Western Front” të regjisorit Franco DeMarco (Holly Tree Productions). Filmi ka fituar çmime ndërkombëtare, përfshirë Çmimin e Parë në “Wales International Film Festival” (2017) dhe “Filmin më të Mirë Artistik” nga “Eastern Europe Film Festival” (2022). Poezia u përfshi gjithashtu në broshurën zyrtare për zbardhjen e një skulpture përkujtimore për ushtarët e Eastside Swansea gjatë Luftës së Parë, pranë urës Tawe në Swansea. Libreti i tij për operën e dhomës “Ermesinde’s Long Walk”, me muzikë nga Albena Petrovic Vratchanska, pati premierën në “Filharmonia Luksemburg” në 2017. Libreti për orkestër të plotë, “Love and Jealousy”, me Svetla Georgieva, u shfaq për herë të parë në Teatrin Kombëtar të Operës, Stara Zagora, Bullgari në maj 2018. “Ermesinde’s Long Walk” u shfaq sërish në Stara Zagora (dhjetor 2018), në Spaziomusica Project në Cagliari – Itali (2023) dhe në Sofia Music Weeks në qershor 2025. “Love and Jealousy” pati premierën në Théâtre National du Luxembourg në dhjetor 2019.

Seksioni “The Silence Between Us” nga Love and Jealousy, i luajtur në Chamber Hall, Bullgari në qershor 2021, fitoi çmimin “Eternal Music 2021” nga kanali bullgar Вечната Muzika dhe “Ngjarja e Vitit 2021” në TV Kombëtar Bullgar. U performua edhe në Foyer Européen, Luksemburg, janar 2025.

Opera e tij e fundit “World of Dreams”, me libret të Peter-it dhe muzikë të Albenës, debutoi në Opera Kombëtare dhe Baleti i Sofjes, Bullgari, qershor 2023. Ai përmendet në librin My Opera World, për operat e Albenës, (Loctanphare Editions, Francë, 2023). Dy tekste këngësh të tij gjenden në CD-në e Albanës “Sanctuary / Melodies for Voice and Piano” (Naxos Records 2024).

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese

Exit mobile version