Site icon Gazeta Nacional Albania

Angela Kosta: Intervistë me gazetarin grek Dr. Dimitrios Kannavos, mbi sfidat e gazetarisë investigative, mbrojtjen e të drejtave të njeriu

 

 

 


GAZETARIA SI SHËRBIM PUBLIK DHE URË BASHKËPUNIMI, DIALOG NDËRKOMBËTAR MBI MEDIAN

 

“Dr. Dimitrios Kannavos mbi sfidat e gazetarisë investigative, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në epokën e dezinformimit.”

 

Nga Angela Kosta

 

Përshëndetje Dr Dimitrios. Mund të na përshkruani rrugëtimin tuaj profesional, duke theksuar fazat që kanë kontribuar më së shumti në formimin tuaj në fushën e gazetarisë ndërkombëtare?

Rrugëtimi im profesional në gazetari është formësuar nga një angazhim i thellë për raportimin me interes publik, dialogun ndërkombëtar dhe punën investigative. Gjatë gjithë këtyre viteve, kam punuar në fusha të ndryshme të medias, përfshirë gazetarinë investigative, gazetarinë ndërkombëtare, diplomacinë kulturore dhe strategjinë e mediave digjitale. Një moment kyç në karrierën time ka qenë themelimi dhe drejtimi i “Hellenic Group Media” i përkushtuar ndaj gazetarisë së përgjegjshme, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimit të vlerave demokratike. Përmes kësaj pune kam pasur mundësinë të bashkëpunoj me gazetarë, akademikë dhe personalitete kulturore në mbarë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Një tjetër hap i rëndësishëm ka qenë gjithashtu zhvillimi i Hellenic Los Angeles Network, i cili synon të ndërtojë ura lidhëse midis Greqisë, diasporës greke dhe komunitetit krijues ndërkombëtar. Këto iniciativa kanë forcuar kuptimin tim për gazetarinë jo vetëm si profesion, por edhe si përgjegjësi qytetare globale.
Ju e konceptoni gazetarinë si një mision përgjegjësie dhe shërbimi ndaj shoqërisë. Në ç’mënyrë ky vizion udhëheq punën tuaj profesionale?

Për mua, gazetaria është thelbësisht një shërbim publik. Roli dhe detyra e gazetarit nuk është vetëm të informojë, por edhe të mbrojë vlerat demokratike, t’i japë zë shoqërisë dhe të kontribuojë në transparencë dhe llogaridhënie. Kjo filozofi udhëheq çdo aspekt të punës sime. Gazetaria e përgjegjshme kërkon pavarësi, integritet etik dhe respekt për të vërtetën. Në një epokë ku dezinformimi përhapet me shpejtësi, gazetarët duhet të veprojnë si mbrojtës të informacionit të besueshëm.
Ndaj për këtë, puna ime synon të promovojë një gazetari që i shërben shoqërisë dhe jo pushtetit. Kjo do të thotë të përqendrohem tek saktësia, drejtësia dhe konteksti më i gjerë shoqëror i ndikimit të raportimit.

Në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gazetarinë hetimore, cilat mendoni se janë sfidat kryesore sot në aspektin e pavarësisë, saktësisë dhe mbrojtjes së burimeve?

Sot, një nga sfidat më të mëdha është ruajtja e pavarësisë editoriale në një mjedis ku presionet ekonomike, ndikimi politik dhe dezinformimi digjital po ndikojnë gjithnjë e më shumë në media. Gazetaria investigative përballet gjithashtu me rreziqe në rritje, të cilat lidhen me mbrojtjen e burimeve dhe sigurinë e informacionit. Gazetarët duhet të veprojnë në kontekste gjeopolitike komplekse, ku informacioni mund të manipulohet ose të përdoret si armë. Për t’u përballur me këto sfida, nevojiten standarde të forta etike dhe ligjore.
Mbrojtja e gazetarëve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar midis mediave dhe organizatave janë esenciale dhe të domosdoshme.

Duke trajtuar çështje që lidhen me veprimin humanitar dhe mbrojtjen civile, cilat parime i konsideroni thelbësore për të garantuar një raportim të saktë dhe të përgjegjshëm?

Kur bëhet fjalë për krizat humanitare, gazetarët duhet t’i japin përparësi saktësisë, dinjitetit njerëzor dhe kuptimit kontekstual.
Është e rëndësishme të shmanget sensacionalizmi dhe të sigurohet që raportimi të pasqyrojë realitetet me të cilat përballen popullsitë e prekura. Kjo e përforcon më tepër përgjegjësinë tonë. Gazetaria duhet të theksojë dimensionin njerëzor të krizave, por njëkohësisht të ofrojë informacion të verifikuar dhe të balancuar. Në të njëjtën kohë, gazetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë etike, i cili nënkupton raportimin e duhur në mjedise të ndjeshme, veçanërisht kur përfshihen komunitete të pambrojtura.

Si anëtar i Komitetit të Mbikëqyrjes së Shoqatës Evropiane të Gazetarëve – Seksioni Helenik, cilat iniciativa i konsideroni prioritare për forcimin e etikës dhe cilësisë së informacionit në Evropë?

Si anëtar i Komitetit të Mbikëqyrjes së Shoqatës Evropiane të Gazetarëve – Seksioni Helenik, roli im përqendrohet kryesisht në mbikëqyrje, transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Autoriteti mbikëqyrës dhe komiteti janë përgjegjës për rishikimin dhe kontrollin financiar, si edhe për monitorimin e veprimtarisë dhe procedurave administrative të Këshillit Drejtues, për të garantuar që organizata të funksionojë me integritet, transparencë dhe në përputhje me statutin e saj. Përveç kësaj përgjegjësie institucionale, besoj se forcimi i gazetarisë etike në Evropë, kërkon trajnim të vazhdueshëm profesional, mbështetje për gazetarinë e pavarur dhe mekanizma të fortë për transparencë dhe llogaridhënie brenda organizatave mediatike.
Gjithashtu, institucionet gazetareske duhet të forcojnë strukturat e tyre të brendshme të qeverisjes dhe parimet etike. Menaxhimi i mirë brenda shoqatave profesionale është një hap thelbësor për të konsoliduar besueshmërinë më të gjerë të gazetarisë në Evropë.

Si themelues dhe anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Gazetarëve të Kretës dhe Media Masive, çfarë roli i atribuoni bashkëpunimit ndërkombëtar midis profesionistëve të medias?

Si themelues dhe anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Gazetarëve të Kretës dhe Media Masive, besoj se bashkëpunimi ndërkombëtar midis gazetarëve është thelbësor në botën e sotme të ndërlidhur. Profesionistët e medias duhet të punojnë së bashku për të ndarë njohuri, për të mbrojtur lirinë e shtypit dhe për të forcuar standardet profesionale.
Organizatat që promovojnë bashkëpunimin ndërkombëtar krijojnë vlera dhe rrjete që u mundësojnë gazetarëve të shkëmbejnë kolektivisht perspektiva, e të përballen me sfida globale. Një bashkëpunim i tillë forcon gjithashtu rolin kulturor dhe demokratik të gazetarisë përtej kufijve kombëtarë.

Në një kontekst global të karakterizuar nga rritja e dezinformimit, çfarë kontributi mund të ofrojnë institucionet gazetareske për të mbrojtur besueshmërinë e informacionit?

Institucionet gazetareske luajnë një rol thelbësor në mbrojtjen e besueshmërisë së informacionit. Ato duhet të promovojnë etikën profesionale, të mbështesin gazetarinë investigative dhe të forcojnë mekanizmat e verifikimit të fakteve.
Për më tepër, organizatat mediatike duhet të investojnë në edukimin mediatik dhe digjital, në mënyrë që qytetarët të jenë më të përgatitur për të dalluar informacionin e besueshëm nga ai i rremë. Në fund të fundit, besueshmëria e gazetarisë varet nga transparenca, përgjegjësia dhe respektimi i vazhdueshëm i parimeve etike.

Sipas jush, cila është marrëdhënia midis gazetarisë investigative dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut në shoqërinë bashkëkohore?

Gazetaria investigative është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Duke zbuluar abuzimet me pushtetin, korrupsionin dhe shkeljet e lirive dhe të drejtave themelore, ajo kontribuon në një demokraci më të përgjegjshme. Shpesh, gazetarët veprojnë si “rojtarë” të shoqërisë, duke tërhequr vëmendjen mbi çështje të cilat ndryshe, mund të mbeteshin të fshehura. Ky rol është thelbësor për mbrojtjen e lirisë qytetare civile dhe të vetë drejtësisë.

Në shumë raste, gazetaria investigative ka luajtur një rol vendimtar në denoncimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut si dhe në nxitjen e reformave institucionale.

Duke vëzhguar evolucionin e peizazhit mediatik, cilat aspekte strukturore dhe transformime i konsideroni më domethënëse për të ardhmen e profesionit tuaj?

Transformimet më të rëndësishme përfshijnë digjitalizimin e shpejtë të medias, shfaqjen e platformave të reja të komunikimit dhe qarkullimin global të informacionit në kohë reale.

Megjithëse këto zhvillime ofrojnë mundësi të reja për gazetarinë, ato krijojnë edhe sfida që lidhen me dezinformimin, qëndrueshmërinë ekonomike dhe besimin e publikut.
E ardhmja e gazetarisë do të varet nga aftësia e mediave institucionale për t’u përshtatur teknologjikisht, duke ruajtur njëkohësisht vlera të forta themelore etike.

Çfarë mesazhi dëshironi t’u transmetoni brezit të ri gazetarëve që po hyjnë në një botë gjithnjë e më komplekse?

Brezit të ri të gazetarëve do t’u thosha se integriteti është pasuria jonë më e çmuar. Në një botë plot zhurmë dhe konkurrencë, përkushtimi ndaj së vërtetës dhe raportimit etik duhet të mbetet parimi ynë udhëheqës.
Gazetaria kërkon guxim, kuriozitet dhe përgjegjësi. Gazetarët e rinj duhet të vazhdojnë të kërkojnë dijen, të mbeten të pavarur në mendimin e tyre dhe të kujtojnë gjithmonë se gazetaria është në shërbim të shoqërisë.
Pavarësisht sfidave, gazetaria mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë.

Ju falenderoj për intervistën.

Faleminderit juve Angela dhe të gjithë lexuesve shqiptarë. I përcjell mirënjohjen dhe respektin tim drejtorit të gazetës “NACIONAL” Mujo Buçpapaj, duke shpresuar në një bashkëpunim me të në ardhmen, jo vetëm si kolegë por edhe si letrarë ballkanas.

BIOGRAFIA

Dr Dimitrios Kannavos është gazetar i njohur dhe një figurë aktive në fushat e medias, kulturës dhe shërbimit publik. Anëtar i Komitetit të Auditimit të Shoqatës Së Gazetarëve Evropian – Seksioni Helenik, si dhe themelues e anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Gazetarëve të Kretës dhe Media Masive, ka kontribuar ndjeshëm në përparimin e standardeve gazetareske dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar.
Gjatë karrierës së tij, është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për punën, shërbimin ndaj komunitetit dhe përkushtimin në promovimin kulturor.

-Çmime dhe vlerësime

-Çmim për Vullnetarizmin për promovimin e vullnetarizmit, kulturës dhe sportit.

-Çmimi i Unionit Qendror të Bashkive (KEDE) për kontributin e tij shoqëror.

-Çmim nderi nga Maratona e 13-të “Aleksandri i Madh” për mbështetje të jashtëzakonshme ndaj komunitetit.

-Vlerësim nderi nga Help Hellas për kontributin e tij si sponsor i komunikimit.

-Çmim gazetaresk për gazetari investigative cilësore – “Ethos Gyres” (Çmimi Mimis Papanayiotou) nga Unioni Ekumenik Delfik.

-Tre çmime ndërkombëtare në gazetari, ndër të cilat:

1) Global Excellence in Leadership

2) Kontribute në median informative.

3) Çmime letrare

– Çmimi “Artist, 2025″

Vlerësime në festivale kinematografike, përfshirë çmime për rolin e tij si anëtar jurie në Bridges International Film Festiva dhe në Cyprus Festival Internazionale del Cinema (CYIFF).

Përmes punës së tij gazetareske, angazhimit kulturor dhe mbështetjes së iniciativave ndërkombëtare mediatike, Dr Dimitrios Kannavos vazhdon të promovojë gazetarinë etike, shërbimin publik dhe fuqizimin e komuniteteve ndërkombëtare.

Intervistoi dhe përgatiti: Angela Kosta gazetare, shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare

Exit mobile version