Gazeta Nacional Albania

Angela Kosta Intervistë me Mariela Cordero, editore, përkthyese, promovuese dhe artiste venezueliane

A. Kosta: Përshëndetje Mariela. Mirë se vini në Gazeta Nacional. Në panoramën letrare, tashmë ju jeni një promovuese e njohur e Kulturës dhe Letërsisë botërore. Kur kanë filluar hapat tuaja të para në letërsi?

Mariela. C: Udhëtimi im në letërsi ka filluar që në fëmijëri. Isha lexuese e pasionuar që në moshë të vogël pasi shfletoja shumë libra që më binin në duar. Kjo lidhje e thellë me fjalën e shkruar më çoi natyrshëm të shkruaja poezitë e mia të para gjatë adoleshencës. Teksa u rrita dhe u ndieva më e sigurt, fillova të merrja pjesë në evente letrare, duke shpërndarë me ndrojtje, krijimet e mia të para. Kjo përvojë ishte shumë e rëndësishme, pasi më lejoi të përmirësoja mjeshtërinë time e gjithashtu të lidhesha me shkrimtarë të tjerë. Më pas, publikova librat e mi të parë dhe pasi studiova në frëngjisht dhe anglisht për disa vjet, fillova të përktheja poezi. Një pikë kthese në karrierën time ishte kur një miku im nga India, më kërkoi të përktheja disa poezi të tij nga anglishtja në spanjisht.
Kjo përvojë hapi mjaft dyer për mua, që të filloja të bashkëpunoja si përkthyese me revista letrare të ndryshme. Sot, jam e pasionuar pas poezisë, si lexuese e po ashtu edhe si përkthyese. Është një kënaqësi e vërtetë për mua të përkthej dhe të ndaj poezinë e botës në gjuhën spanjolle.

A. Kosta: Na tregoni si arritët të hyni në skenën letrare ndërkombëtare?

Mariela. C: Udhëtimi im në skenën letrare ndërkombëtare ka qenë mjaft intensiv. Fillova duke shkruar poezi dhe bashkëpunuar me disa revista letrare, ku kam publikuar poezitë e mia dhe shumë përkthime të miat nga autorë ndërkombëtar. Ky zhvillim i natyrshëm, ishte diçka që nuk e prisja se do të kishte një ndikim shumë të madh. Me kalimin e kohës, pata mundësinë të takoja dhe të lidhesha me poetë të mëdhenj nga e gjithë bota. Mund të eksploroja veprat e tyre dhe ata, nga ana e tyre, shfaqën mjaft interes për shkrimet e mia. Ky shkëmbim ka qenë jashtëzakonisht pasurues dhe vazhdon të jetë ende sot. Ka qenë një përvojë shumë e këndshme dhe shpërblyese shpirtërore ndaj promovoj poezinë nëpër kultura dhe gjuhë të ndryshme, dhe mezi pres bashkëpunime dhe shkëmbime të tjera, edhe në të ardhmen.

A. Kosta: Përveç profesionit si avokate dhe poete, ju jeni gjithashtu edhe artiste e artit pamor. Cili është këndvështrimi më i rëndësishëm për t’u ndjerë e plotësuar?

Mariela. C: Si dikush që ka shumë role: avokate, poeteshë dhe artiste, personalisht unë ndjej plotësim në secilën prej këtyre roleve. Megjithatë, shpirti im ndihet më i plotë kur shkruaj një poezi ose krijoj vepra artistike.
Këto shprehje krijuese më dhurojnë një gëzim të jashtëzakonshëm. Në të tria këto fusha të jetës sime, dedikohem me përkushtim dhe pasion. Jam mjaft e angazhuar për të dhënë më të mirën në gjithçka që bëj. Çelësi i plotësimit të ndjenjës sime, qëndron në aftësinë për të derdhur zemrën dhe shpirtin tim në veprat e mia.

A. Kosta: Çfarë bëni për ta vendosur këtë apo gjithçka që krijoni, për t’u siguruar që të jetë edhe e dobishme për shoqërinë e sotme?

Mariela. C: Si poete dhe përkthyese, besoj se kontributi im kryesor për shoqërinë fillon së pari nga i qenuri im si një humane e denjë, si dhe të ndaj artin dhe poezinë, të cilat kanë fuqinë të na bëjnë të reflektojmë dhe të pasurojmë jetën tonë. Kur përkthej një poezi, shpresoj që ajo të arrijë te një lexues, i cili në një farë mënyre, e ka pritur atë. Këto momente të lidhjes midis poezive dhe lexuesve më duken diçka shumë e bukur e magjishme. Ashtu sikurse poezia, edhe arti na jep mundësinë, të shprehim veten në një mënyrë më të thellë dhe trasparente. E them me bindje të plotë se shprehja e vetvetes përmes këtyre mjeteve është me të vërtetë çliruese. Vlera e artit dhe e poezisë në botë, është e jashtëzakonshme; ato ofrojnë një mundësi për reflektim personal dhe kolektiv, si dhe një kuptim më të thellë të përvojës njerëzore; ndihmojnë në lidhjen e kulturave dhe gjuhëve, duke nxitur empati dhe lidhje midis njerëzve nga vende të ndryshme.

A. Kosta: Çfarë është ajo çka e frymëzon muzën tuaj në vargje apo në veprat e artit?

Mariela. C: Nuk mund të them se kam një burim të vetëm frymëzimi; përkundrazi, unë e gjej frymëzimin në shumë fusha. Poezia që lexoj dhe përkthej, ushqen krijimtarinë time, ashtu sikurse edhe kontemplimi i natyrës dhe kalimi i ngadaltë i jetës, trasformojnë gjithçka që na rrethon. Dashuria, në të gjitha transformimet e saj dhe veçanërisht si një energji, e jo thjesht si një gjendje fizike apo materiale, më frymëzon jashtë mase. Për më tepër, unë marr frymëzim nga arti në të gjitha format e tij. Këto burime të ndryshme frymëzimi, bashkohen dhe harmonizohen midis tyre, për të krijuar poezinë dhe veprat e mia, duke më lejuar të shpreh një gamë të gjerë ndjenjash dhe idesh.

A. Kosta: Si artiste, poete dhe përkthyese, udhëtimi juaj krijues drejt letërsisë dhe artit ka qenë shumëdimensional. Cili ka qenë rrugëtimi juaj?

Mariela. C: Rruga ime drejt poezisë dhe artit, nuk ka qenë e drejtpërdrejtë. Ajo është zhvilluar gradualisht përmes leximeve të mia, përvojave të jetës i cili vazhdon të zgjerohet edhe më tej. Por ky udhëtim sjell gjithmonë ngjarje të papritura, ndaj sot mund të them se jam dhe do të mbetem gjithmonë një nxënëse e përjetshme.

A. Kosta: Si arrini ta pajtoni kohën dhe punën mes përkthimeve dhe bashkëpunimeve me revista të ndryshme, ose publikimeve të shkrimeve tuaja, me jetën e përditshme dhe angazhimet që kërkon familja?

Mariela. C: Duke punuar kryesisht nga shtëpia, përpiqem gjithmonë të gjej kohë për ata që dua, ashtu sikurse për lulet e kopshtit tim dhe për kafshët e mia. Po ashtu, sigurohem që të kem në dispozicion edhe kohë për veten: për t’u shplodhur, për të lexuar, për të parë një film dhe për t’u angazhuar në aktivitete krijuese personale. Ky balancim më ndihmon të menaxhoj përkthimet e mia, bashkëpunimet me revista të ndryshme dhe promovimin e shkrimeve të mia, ndërkohë që kujdesem për jetën e përditshme dhe përgjegjësitë familjare.

A. Kosta: Tashmë ju jeni një autore e njohur. Çfarë dëshironi të na thoni rreth kësaj?

Mariela. C: Ndihem jashtëzakonisht mirënjohëse për vlerësimin nga lexuesit, redaktorët që kanë botuar librat e mi, poetët dhe promovuesit kulturorë që më kanë ftuar të marr pjesë në evente letrare si dhe përkthyesit që kanë përkthyer poezitë e mia. Nuk e kisha pritur që krijimtaria ime do të shpërndahej kaq gjerësisht në shumë kontinente, sepse për mua, të shkruaj poezi, është një nevojë intime e shpirtit. Megjithatë, pasi një poezi shkruhet dhe shpërndahet, merr një jetë të sajën më vete, duke u bërë kështu, pjesë e lexuesve. E përsëris se ndihem thellësisht mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që kanë treguar interes për veprat e mia si dhe për ata që më kanë intervistuar, ashtu sikurse ju në këtë moment. Jam shumë e nderuar dhe mirënjohëse për këtë intervistë në gazetën prestigjioze Nacional.

A. Kosta: Cilët janë autorët tuaj të preferuar kombëtar dhe ndërkombëtar?

Mariela. C: Unë admiroj shumë poetë. Nga vendi im po pêrmend Juan Sánchez Peláez, i cili ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Në skenën ndërkombëtare, frymëzohem nga: Emily Dickinson, Alejandra Pizarnik, Giorgos Seferis, Vladimir Holan, Friedrich Hölderlin dhe Marina Tsvietáieva.

A. Kosta: Do të dëshironit që një të nesërme të hapni një ekspozitë apo të merrni pjesë në ndonjë event letrar në Europë?

Mariela. C: Sigurisht që po! Do të dëshiroja shumë ta realizoja këtë. Disa vite më parë, kam marrë pjesë në ekspozita grupore në Itali dhe Gjermani dhe ishte me të vërtetë një eksperiencë shumë e bukur. Po ashtu, pres me padurim të marr pjesë në ndonjë festival letrar, pasi këto përvoja janë jashtëzakonisht pasuruese për të dyja profesionet jo vetëm si artiste por edhe si autore e poete.

BIOGRAFIA

Mariela Cordero ka lindur në Valencia, (Venezuela). Është: avokate, poete, shkrimtare, përkthyese, promovuese dhe artiste pamore. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe janë botuar në shumë antologji, gazeta dhe revista ndërkombëtare. Cordero ka marrë disa certifikata vlerësimi si dhe shumë çmime prestigjoze në vende të para e të dyta.
Mariela shtë autore e tre librave dhe ka marrë pjesë në disa evente dhe festivale letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

TË DORËZOHESH

Të dorëzohesh

si një histori që shkrihet

të ekspozosh

rrudhat dhe shenjat

për të shfaqur

edhe buzëqeshjen e fortë të trupit

për t’i dhënë të pijë ujin e turbullt të zemrës.

Të dorëzohesh

zbathur

pa asnjë veshje tjetër veç qiririt

me sy të pazbutur

I pastër

si dikush që i dorëzohet

vdekjes.

ISHULLI

Larg

e farkëtuar nga harresa

e rrethuar nga ujërat

e etur

e vetmuar

në rërën e nxehtë

të një ishulli.

Ky përvlim i përngjan

gojës tënde.

EMRI

Është një emër që e pi

gjysmë alkol diellor, gjysmë ujë sekret.

Është një emër që ulëras

i përzier në rrëmujën e të tjerëve.

Është një emër që ledhatoj

pjesë pylli

e ngrohtë dhe e rezistueshme

Është një emër

lumë, shigjetë e ëmbël dhe djersë.

Një emër

i cili gllabëron

emrin im.

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese