Gazeta Nacional Albania

ATJONI DHE “NACIONAL” PËRSËRI

Në nderim të Atjonit Zhitit, si ideal dhe frymëzim në këto 10 vjet për gjenratën e tij, po risjellim pjesë nga shkrimet e tij.

ATJONI DHE “NACIONAL” PËRSËRI

Atjon Zhiti,
portret nga piktori Gjergj Kola

Gazeta jonë e njeh Atjon Zhitin, ka botuar më parë shkrime, vëzhgimeve të tij rinore që ai solli, me atë vrullin studentor, qartësinë dhe porositë si “kredo” dhe ndjehen po aq aktuale e të freskëta.
Atjoni studionte për filozofi në Itali, në Universitetin “Sacro Cuore” të Milanos. Ndërkaq ishte dhe anëtari më i ri i PEN Clubit italian, po kështu dhe anëtar i Parlamentit Rinor Europian, përfaqësonte të rinjtë shqiptarë..
Atjon Zhiti është autor i librit, “Për atë që dua(m)”, (bot. 2015) një përmbledhje me ese, recensa, poezi, intervista e përkthime të një 19 vjeçari, i pritur me dashuri nga lexuesi, sidomos të rinjtë dhe kritika, ku guximi në ide gërshetohet me ëndrrën dhe përkushtimin, që bëjnë të besosh se brezi i ri di të dojë, të kërkojë dhe të presë nga vetja, ku vizioni lidhet me kritikën konstruktive, për të ecur përpara si vend.
Po kështu në Prishtinë enti botues “Bogdani” ka nxjerë librin “Jam Atjoni”, përmbledhje skicash dhe shkrimesh të ndryshme.
Para se të dilte albumi i madh “Opera Atjon” (në shqip dhe italisht, bot. 2017), ku janë riprodhuar të gjithë vizatimet dhe pikturat e tij të fëminisë dhe adoleshencës, me vlerësime nga studiues e kritikë arti nga vendi, më pas dhe nga të huaj, ishin hapur dhe ekspozita me punime të Atonit në mjedise universitare.
Artikuj të Atjonit kanë dalë në shumë media në Shqipëri e Kosovë dhe në diasporë, në Itali, Zvicër, Mbretëria e Bashkuar, SHBA. Pjesë të tyre janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera si italisht e rumanisht. Po kështu ka dhe botime të tjera, libra të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit me kopertina dhe ilustime nga Atjon Zhiti. Për “Studentin e përhershëm” siç e quan gjenerata e tij, kanë folur dhe shkruar personalitete të njohur të kulturës shqiptare, por dhe asaj të huaj.
Në Romë, në një nga kishat pranë Piazza “Navona” është dhënë koncerti për violinë dhe piano, kushtuar Atjonit.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Fëmijë “Giffoni” ka dhënë çmimin me emrin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku ai bënte pjesë dhe ishte dalluar në takimet në Shqipëri dhe Itali.
Dhe në letërsi jepet çmimi ndërkombëtar “Atjon Zhiti” nga Shoqata e Shkrimtarëve “Bogdani”, me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel. Ky çmim së pari shkoi në Argjentinë, më pas në Itali dhe së fundmi në Japoni.
Emri i Atjonit është bërë më i njohur dhe më i dashur për të gjithë që e kanë njohur apo lexuar. Ai çeli një rrugë dashurie e dritë për të rinjtë dhe vërtet në Tiranë është emërtuar dhe “Rruga e Atjonit”, ajo në hyrje të Parkut të Madh, që bashkohet me Rrugën “Faik Konica”, të cilin ai e adhuronte.
Në nderim të Atjonit tonë, si ideal dhe frymëzim në këto 10 vjet për gjenratën e tij, po risjellim pjesë nga shkrimet e tij.
– Redaksia –

ATJON ZHITI

1. DASHURIA PËR DIJE
(ose letër një studenteje në Britaninë e Madhe)

Jeta nuk duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetshme, nuk kemi kohë për gjithçka, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thënë se është e kotë, e shkurtër dhe e pavlefshme, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë. Shumë herë kemi thënë të filozofojmë, por asnjëherë nuk e kemi bërë tamam. Direkt ndjej atë frymën, atë entuziazmin dhe atë dëshirën e të bërit atë çka do e më pëlqen.
…Nqs ti vërtet ndjen dhe ke dëshirë të bësh filozofi, jo vetëm si degë (fakulteti), ti duhet patjetër ta bësh atë… Filozofia është gjithçka, por jo gjithçka është filozofi. Të bësh mirë ti e di ça dmth, nuk flitet vetëm për nota e sjellje.
Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori. Dashuria për dije është e pakohë dhe e tillë do të jetë. Dostojevskij thoshte se bukuria do të shpëtojë botën, nuk flitet vetëm për atë fizike dhe shpirterore.

2. SHTIRJA SI SPEKTAKËL
(ose mesazh një emisioni televiziv)

Duhet kuptuar shoqëria për të folur për një fenomen shoqëror, të paktën sado pak. Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh.
Spektakli… nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lindte spektaklin dhe spektakli bëhet real. Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion. Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në saje të kthimit në mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës. Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit zëvendësohet nga dukja.
3. NARCIZIZËM I DËMSHËM
(ose një përgjigje shoqërore)

Lideri i opinionit publik, tregon Richart Hoggart (sociolog anglez), ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij.
A nuk mendoni se ky pohim u përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin… për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë?

4. PATRIOTIZMI
(ose një status mbas një ndeshje ndërkombëtare)

Nuk e gëlltis dot shumë patriotizmin e lindur befas nga një ndeshje, ka një të qenë të zbehtë, të shtirur e të pavlerë. Atdhetarizmi i vërtetë, kur ndihet, arrihet të shprehet në të gjitha mënyrat e manifestimit që ka, qoftë të heshtura dhe të padukshme. Nëpër mend më kalon kënaqësia e krenaria për progreset e arritura, për kulturën që ekziston në dheun, ku kjo ndjenjë të përket, për dëshirën për të ruajtur karakteristikat, trashëgiminë e pse jo dhe traditat…
Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka dhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standard, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin. Ndërkaq një individ i tillë, që në të vërtetë ndihet i përfshirë në këtë “rrymë”, vendos interesat e kombit përpara atyre personale, diçka e tillë “leverdis” shumë e më shumë, se sa të varfrat nevoja vetjake.
…Shteti në periudha tranzicioni, biles edhe më përpara, nuk ka patur një politikë etnike reale, kurrë nuk jemi shqetësuar si mendësi paraprake, por si mund i mëpastajmë, kur duhet ditur më së miri të vendosim të parat shkencërisht të drejtat tona si komb e të drejtat tona historike.
…Ajo çka fatkeqësisht dimë të bëjmë më mirë, është të tejçojmë vuajtjet e të parëve tanë brez mbas brezi, të flasim me mllef (me të drejtë në shumë raste, po jo e drejtë gjithashtu, sepse politika nuk përbën një popull të tërë, edhe vetë nuk besohem të jam ndjerë i përfaqësuar nga politikat e vendit tim.) …dua të shtoj se ndjenja e dashurisë kundrejt vendit rritet ende më shumë bashkë me njohjen, qoftë dhe duke parë më shumë e më shpesh trojet tona…

5. KËRKIMI
(ose letër një studenteje në SHBA)

Mënyra më e mirë sot për të bërë equality është që lëvisjet feministe të mos ekzitojnë. Sa do të forta ose jo, nqs një organizatë e tillë ekziston, detyrimisht kuptohet që femra në përgjithësi ndihet e subordinuar.
Nuk dua të bëj si guru, se është vdekje, por reflekto mbi konkurencën e çfarë është… Mbas saj do jesh goxha më lehtë… Kompeticioni në përgjithësi është budallallik, mendoj. Dhe kompeticioni me vetveten është akoma më shumë, sepse në kompeticion ti afirmon të qenurit tënd. A nuk është humbje kohe afirmimi i diçkaje që already është. Ne i futemi thellë të vërtetës. Sa thjeshtë e zhveshim atë. Preferojmë sinousitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë… Por rruga është keq. Ka shumë gropa. Kërkimi është zhveshje.

___________________
SKICA NGA ATJON ZHITI

Bashkudhëtarë dhe kryqëzimi i hijeve “Syri në fletoren time”

“Bashkim duarsh” “Vorbull e re”

“Hijet me ses yjeve”